Monday, May 24, 2010

DREKA E DARKA QË NUK TRETEN MIRË

Botuar te Shekulli, 23/05/2010

URIA PAS GREVËS

Ikja e baballarëve të kombit për të ngrënë darkë në Strasburg, na la të tërëve të merrnim frymë pak lirshëm e të zinim kohën me diçka.
Më bëri përshtypje fakti që i thirrën për darkë. Mbase, në Strasburg kujtonin se kanë ndenjur të dy pa ngrënë gjatë grevës së urisë... prandaj do kenë menduar, të hanë njëherë, pastaj të diskutojmë me barkun plot.
Ndërsa Berisha e Rama zhvillonin darkën e tyre të gabuar në Strasburg unë zgjodha diçka më modeste, Darkën e Gabuar në Tiranë.
Kjo vinte pasi kisha dështuar gjatë javës për të pasur një drekë të saktë me Orhan Pamukun, gjëja më e bukur që kam lexuar këto 3 vitet e fundit.

DREKA ME ORHAN PAMUK

Lajmi për ardhjen e Orhan Pamuk në Tiranë më shkuli një “uuuu” të madhe gëzimi. Pamuk, stambollit denbabaden, është i vetmi që mua personalisht më bind që e ka merituar pa lobingje politiko-gjeografike çmimin Nobel, të paktën nga nobelistët e këtyre 15 viteve të fundit.
Hapa axhendën e vizitës së tij për të parë me trishtim që gjatë 2 ditëve në Tiranë, lexuesve u kish rezervuar vetëm një hapësirë të vetme, një “drekë” në kopështin pa drekë të filoqylit. Them kopështin pa drekë, se vërtet aty mësojnë studentë, por nga ajo që pashë vetëm studentë që nuk ngjajnë.

Në korridor shiteshin librat e tij. Studentët, blinin më të lirin nga qejfi që ti merrnin nobelistit një autograf. Arrita të kuptoj që pothuaj asnjëri nuk kishte lexuar qoftë dhe një libër të Pamukut. E pra, pjesa dërrmuese ishin studentë të Gjuhë-Letërsisë dhe të degës së gjuhës së huaj, Turqisht. Dhe, është absurde që studentët e Gjuhë-Letërsisë të mos kenë lexuar asnjë libër të shkrimtarit më të mirë ballkanas (krahas Kadaresë;). Por dhe studentëve të Turqishtes, çfarë u duhet turqishtja nëse nuk lexojnë as njeriun më të madh që Turqia ka nxjerrë pas Ataturkut dhe Altintop-it? Ama, u sulën me vrap të zinin vendet e para, që t’u mburreshin shokëve që kishin parë nga afër një nobelist! se për të lexuar...

Dhe, këta janë studentët që do mbushin katedrat e shkollave nesër. Që do na i orientojnë kalamajtë te libri.
Në sallën, më e mira e fakultetit, por prapë e padenjë për të pritur një nobelist, ndërsa prisnim mes ajrit të ndenjur, një profesor, shkrimtar dhe ai, vinte e i porosiste studentët që të bënin pyetje, mos të rrinin si budallenj. Siç e thashë, kopësht pa drekë!
Pas dy orë pritje, rektori njoftoi që Pamuk nuk ndjehej mirë e nuk vinte dot. Mbase kishte ngrënë diçka të rëndë për drekë.

“Studentët” rendën te stenda e librave për të pyetur a mund t’i kthenin librat. Madje, kishte dhe nga ata që ngrinin zërin, thonin, “e bënë këtë për të na shitur librat”.
E kuptoni ç’krim po bëhej ndaj studentëve të kopështit pa drekë?? Po u shiteshin me zor libra!!! Siç të mësojnë shokët me zor cigaren, të hedhin gjëra në pije për të të dehur, siç të ngacmojnë horrat rrugës... ashtu, këtyre po u shisnin LIBRA me zor!!

Meraku se mos Pamukut i kish ndodhur gjë, mu fashit shpejt. E pashë si kokrra e mollës nëpër takime me zyrtarë, në instancat e larta të shtetit, në vende ku pak vetë kanë akses, duke marrë fjalë të bukura e boshe pa fund. Si të ishte një President ose një lojtar i famshëm futbolli. Lexohej qartë që shumica e atyre që takoi (për të mos thënë të gjithë) as nuk i kanë lexuar e as kanë në plan t’i lexojnë ndonjë libër.

U trishtova akoma më shumë, që Pamuk në Shqipëri takoi vetëm njerëz që nuk e kanë lexuar. Njerëz që kanë nevojë të bëjnë ca foto protokollare pranë njeriut me famë, e aq.
U trishtova. Sepse unë jam lexuesi i tij. Dhe Pamuk, më përket më tepër mua e atyre që kanë nisur ta duan pasi e kanë lexuar sesa atyre që vetëm para 2 javësh kanë marrë vesh për ekzistencën e një farë Pamuk, Pamuk.

DARKA VËRTET E GABUAR

Darka e Gabuar, josh sepse ka Kadare brenda. Humbëm Pamukun, por le të mos humbim Kadarenë. Aq më tepër që vepra paskësh fituar festivalin e Dramës Shqipe. Aq më tepër që rikthen Artan Imamin.
Regjisori Haxhiraj, e kishte dramatizuar Darkën e Gabuar përzierë me karaktere nga Kronikë në Gur, një nga librat e parë të Kadaresë.

Por “Darka e Gabuar”, doli që ishte vërtet e gabuar. Sepse, së pari, ky roman i Kadaresë është i padramatizueshëm.
Nuk dua të diskutoj Kadarenë, por vetë romani, si dhe dramatizimi i tij ishte një kopjes e zbehtë e “Kush e Solli Doruntinën”. Ishte e njëjta gjë, por me emra të tjerë dhe e përzierë me ca konspiracion Danbraunesk.

Shfaqja kishte momentet e veta të mira, që vinin falë karaktereve të mrekullueshme të huazuara nga Kronikë në Gur.
Dhe, sipas meje falë kastingut të aktorëve, që ishte në pjesën më të madhe i zgjedhur me kujdes. Xhepa, Shundi, Imami, Asqeriu e të tjerët dhanë më të mirën e tyre.

Kështu pjesa e parë, pjesa e Kronikës... ngjallte interes.
Por, bashkimi i dy romaneve vinte i sforcuar. Shfaqja ishte tepër e gjatë, 2 orë, kur mund të reduktohej në 1 orë po të hiqje pjesët e panevojshme. Sepse aty kishte skena të tepërta e që nuk i duheshin fare boshtit të ngjarjes.

Pjesa e hetuesisë, pjesa e dytë e shfaqjes, pavarësisht sforcos së aktorëve, Imamit, Asqeriut e të tjerëve, ishte e mërzitshme. Tepër e mërzitshme. E lodhshme. Nuk ndiqej dot. Tirrte fjalë pa sjellë asgjë. Konflikte të sforcuara e të sajuara. Atmosferë boshe. Të dukej sikur karakteret po përpiqeshin të të tregonin se çfarë ka shkruar Kadare te romani.

Duke vlerësuar përpjekjet për të vënë Kadarenë e vështirë në skenë, s’mund të rri pa thënë, që zgjedhja për të përdorur Voice Over ishte qesharake ndërsa përdorimi i Videoprojektorit, përveçse demode, ishte edhe një zgjidhje e vobektë regjisoriale.

ROBIN HUDI, HAJDUTI I 5 MIJË LEKËSHIT TË KINEMASË

Ridley Scott, regjisori që bëri Gladiatorin, tani, pas 10 vjetësh, bëri Robin Hudin. Vetëm se, Robin Hudi i tij ishte një humbje e madhe kohe. Me një skenar të dobët, me një histori të sajuar që nuk të thoshte asgjë, ky vetëm Robin Hud nuk ishte. Nisur nga suksesi komercial i Gladiatorit, dukej sikur regjisori kishte menduar të bënte një Gladiator të ri me një emër tjetër. Muzika gati e njëjta, linjat e ngjarjes thuajse njësoj, aktori kryesor i njëjti... aq sa për një moment kujtova se Robin Hudin e kishin bërë me copat e pelikulës të mbetura nga Gladiatori.

Gjëja e vetme që bëri Russell Crowe, përveçse të na zhvaste lekët e biletës, ishte që na bëri të na marrë malli për Kevin Costner për të cilin ka kohë që nuk kemi lajme nëse është gjallë apo ka vdekur.
Përfundimisht, Robin Hudi me Russell Crowe, është një film për tu harruar që në 5 minutat e para pasi del nga salla. Dhimbja për lekët e biletës të çuara dëm do ju vazhdojë më gjatë se shija e filmit.

GUIDA

Njeriu trishtohet kollaj nga një dramë e paarrirë, ose nga një shkrimtar i patakuar. Megjithatë, forca që na kthen përsëri në Teatër ose te libri është më e fortë. Unë kam humbur një drekë me Pamuk, por ai nuk e ka humbur një lexues.

Kushdo që do dojë të njihet me Pamukun, do i kisha sugjeruar ta fillonte me “Unë jam e Kuqja”. “Kështjella e Bardhë” ose “Bora” mund të qe zgjedhja e dytë. “Jeta e Re” (me detyrim), mund të lexohej i treti. Dhe vetëm pas këtyre, mund të lexohet “Stambolli”.

Sunday, May 16, 2010

INDIFERENTIZMI, BESA DHE GREVA

Botuar te Shekulli dt 16 maj 2010

INDIFERNTIZMI
Kam një problem me grevën. Jam indiferent.
Një mik po më kujtonte që Indiferenca është tipar i shoqërive fashiste. Kur njerëzit fillojnë të jenë indiferentë ndaj komunitetit dhe ndaj tjetrit, do të thotë që shoqëria ku jetojmë i përngjan fashizmit.
Kur sheh gjithë këta njerëz që flasin, shkruajnë e madje bërtasin tërë pasion kundër njërit apo tjetrit, mund të mendojmë që jemi larg fashizmit.

Unë do doja që sot të shkruaja për teatrin, për filmin ose për librat, po greva e urisë nuk më lë. Gjatë kësaj jave që iku, Saimir Kumbaro shkruante kundër Edi Ramës (si ia kishte dalë të ishte aq agresiv?), Hervin Çuli shkruante kundër artistëve rrogëtarë peticionistë (si ia kishte dalë të ishte aq delikat?), Fatos Lubonja shkruante për stresin e trafikut nga greva e cila ka bllokuar bulevardin (si kishte dalë me makinë?).
Kur dhe ATA që duhet të shkruanin për teatrin, librin e filmin shkruajnë për grevën, mua s’ma mban të shkruaj muhabete arti.
Sot, të gjithë, flasin e shkruajnë vetëm për grevën e urisë, sporti ynë i momentit.

KAVAJA, KAVAJA, PIIIP, PIIIP.

Të dielën, nja dyqind tifozë shkodranë bërtisin me të madhe duke sharë me fjalor shtëpie Kavajën. Pritej Vllaznia – Besa, finalja e Kupës së Republikës.

- Paskemi akoma Republikë!?
- Ashtu duket. Përndryshe do qe Kupa e Mbretit!

Po ndiqja nga larg entuziazmin sportiv.
Tifozët shanin me fjalë të ndyra e me të madhe mu në mes të Tiranës. U kap dhe një flamur i verdhë e u dogj. Nja 5 policë u afruan e i shtynë ca më tutje. Djegia e një flamuri, qoftë dhe sportiv, policëve nuk u bëri shumë përshtypje. Dhe nja 2 shpulla që hëngri një djalë i ri kavajs, nuk qe ndonjë gjë e madhe për sytë e tyre.
Ata, sikurse dhe unë, janë INDIFERENTË.
Madje po gëzonin që ishin me shërbim këtej, nga kjo ana ku bërtasin tifozët. Këtej ku bërtitet është më qetë se andej ku flenë ata të grevës së urisë.

Ata që shanin me të madhe e digjnin flamuj ishin tifozët e skuadrave të një kampionati të trukuar, me ekipe që të paktën gjysmën e ndeshjeve të kampionatit i shesin, tashmë dhe ashiqare. Atëherë, pse këta njerëz shkojnë akoma në stadium? Pse djegin flamujt e skuadrave kundërshtare kur futbolli ka vdekur?
Sepse, në të vërtetë, janë INDIFERENTË. Pak rëndësi ka nëse luhet sport me të vërtetë apo e kanë shitur edhe sot ndeshjen.
Ata kanë nevojë të nxjerrin stresin me të bërtitura duke gjetur një armik një herë në javë, të dielën, por dhe të kalojnë një ditë të këndshme duke sharë e bërtitur.

ARTISTËT DHE GREVA

Kam një problem me grevën. Nuk të lënë të jesh i indiferent.
Këto ditët e fundit ose je me grevën, ose je kundër grevës. Ose, je shumica e heshtur që prapë, miraton ose kundërshton pa dalë nga shtëpia.
Lexohet qartë që greva ka ngjallur shumë emocione. Por vetëm kaq. Ajo që mua më duket se shoh, janë njerëz të zgjuar që mbrojnë interesat e tyre duke u bërë me njërën palë, ose njerëz budallenj që duan të shfrejnë emocionet e tyre duke sharë palën tjetër. Në të dyja rastet, nuk shoh qytetarë. Shoh indiferentë që bërtasin ose diskutojnë në gazeta e TV për një arsye personale, pa lidhje me qytetarin e preokupuar për të ardhmen.

Tani, mbase jo të gjithë, ka ca përjashtime si Lubonja. Por dhe ai në këtë rast ish thjesht një individ që kishte ngelur në trafik.

Pra, angazhimi publik pro e kundër grevës është i madh, por unë shoh në të një indiferencë të fshehtë.
Por mua, në të vërtetë jemi të tërë INDIFERENTË.
Greva, shyqyr që na dha një shans për të shfryrë! Të dalim e të bërtasim para bashkisë ose para çadrës, nëpër gazeta ose në emisione TV. Të nxjerrim ca mërzi.
Ka 20 vjet që shfryjmë emocionet tona dhe kjo nuk ka prodhuar asgjë.
Po kjo nuk na shqetëson më. Çfarëdo që të ndodhë, hapen kutitë ose jo, ndërrohet pushteti ose jo, bie njëri apo tjetri, nuk ka rëndësi, prapë në rrotën e pushtetit do të vërtiten të njëjtët njerëz në rotacion e që do të na imponojnë të njëjtin sistem vlerash. Dhe me këtë, kemi rënë prej kohësh dakort. Thellë, jemi indiferentë.

Ju do thoni, që ama, një herë në 4 vjet, ne kemi pushtetin, para kutive të votimit.
Ajo që ne bëjmë në ditën e zgjedhjeve është që të zgjedhim të keqen më të vogël. Kur vjen në pushtet, e Keqja Më e Vogël, shndërrohet gjithmonë në të Keqen më të Madhe. Në zgjedhjet e tjera, e njëjta gjë. Prej 20 vjetësh! Dhe ne kemi rënë dakort me këtë. Jemi shndrruar në indiferentë që herë herë bërtasin kundër njërit ose kundër tjetrit.

Shpirti i qytetarit (që sipas meje u përpoq të çelte pa sukses vetëm në vitet 90-94) ka vdekur prej kohësh. Kemi kaluar, pa e kuptuar, nga komunizmi në fashizëm. Fashizmi na ka pushtuar shpirtin e trupin: jemi thellësisht indiferentë. Indiferentë ndaj asaj që do bëhet nesër, ndaj ndryshimit të vërtetë, ndaj tjetrit. Duam vetëm veten tonë, bëjmë tifo për heroin tonë, dhe bërtasim për interesin tonë.

Falangat e atyre që shkruajnë pro e kundër grevës më ngjajnë me tifozët e Besës dhe Vllaznisë. Kanë nevojë të shfryjnë ca emocion të mbledhur, por thellë-thellë rezultati nuk ka rëndësi, edhe pse dihet se fituesi do të vendoset në tavolinë.
E vërteta, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka të bërtasim ca, se plasëm!

PRAGU I INDIFERENCËS

Secili ka pragun e vet, një moment kur fillon bëhet indiferent. Indiferent ndaj shtetit, Republikës (a ça është kjo që jetojmë), komunitetit, komshiut, atij që po ngordh urie, atij që bën filma skandalozë, asaj që vret veten, atij që na bllokon rrugën para shtëpisë. E ç’të lodhemi kot? Prapë do bëhet ajo që duan më të fortët.
Vetëm 3 vitet e fundit ka pasur nja 4 greva urie. E askush s’ka vdekur. Dhe kjo, na bën shumë qesharakë si komb e si qytetarë.

Fashizmi i ndryshon gjërat me urdhër. Do ndodhë kjo gjë, sepse ashtu duan ata lart. Kjo, i bën njerëzit në fashizëm të jenë indiferentë ndaj komunitetit dhe individit tjetër, siç thotë Stephen Holmes.

Pragu i indiferencës sime, ka qenë para 2 vjetësh. Në të njëjtin vend ku janë sot çadrat, shtrirë në trotuar bënin grevë urie ca njerëz që kanë lindur të vdekur, sepse fati i ka lindur në Bulqizë. Minatorët. E vetmja grevë, ku do doja të futesha me shpirt, ishte ajo e tyre. Po nuk e bëra. Sepse, si për gjithë të tjerët, ajo nuk ishte greva ime. Interesat ose pasionet e mia, nuk lidheshin me atë grevë.
Si përfundoi ajo grevë urie? Askush nuk e mban më mend.
Do kenë vdekur të tërë. Fundja, minatorë janë. Në mos nga uria para Kryeministrisë do vdisnin prapëseprapë nga uria në Bulqizë.
Që nga ajo ditë, jam bërë INDIFERENT.
Po habitem. Pse të tjerët bëjnë sikur janë kaq aktivë?

Monday, May 10, 2010

KONCERTET E MAJIT DHE VJEDHJA E TORNATORES

Botuar te Shekulli më 9 Maj 2010

KONCERTET E MAJIT

“Më përpara ekzistonte respekti. Të majtët e të djathët përshëndetnin me respekt njëri-tjetrin, edhe pse i përkitnin barrikadave të kundërta. Mbase i majti po shkonte në demostratë e i djathti po shkonte në punë, polic, që të shtypte demonstratën. Por, përshëndeteshin me respekt. Është respekti për TJETRIN me bindje ndryshe prej teje.”
Kështu u shpreh Tornatore, nga të paktët italianë që ka marrë Oscar, në takimin me studentët e filmit në Tiranë në datën 2 maj.
Sa keq që s’na e tha që më datë 1 maj!
Imagjinoni në 1 maj: një njeri të veshur me pantallona teritali, me flamurin e Natos në dorë e që po shkon te koncerti i Elita 5, dhe një njeri të veshur me firmato, që po hyn në grevë urie po me flamurin e Natos në dorë.
Kjo është Shqipëria. Këta janë njerëzit që nuk kanë për tu përshëndetur kurrë.
Pantallonat e Teritalit kundër Calvin Clein. Çiljeta kundër Rosa Luxemburg. Koncertet e Majit kundër grevës së Urisë. Ata që nuk marrin dot viza kundër atyre që kanë pasaporta diplomatike. Flamuri i Natos kundër flamurit të Nato.

Si tia shpjegoj këtë Tornatores?
Nuk munda ti flas Xhusepe Tornatores! Sepse Tornatore (për mua regjisori më i mirë italian i gjallë) u vodh. E vodhën vetë ata që e sollën.

VJEDHJA E TORNATORES

Këto javë kanë qenë më të bukurat në Tiranë, falë evenimenteve të shumta e shpesh cilësore në kuadrin e nismës kulturore “...një det, një miqësi” të organizuara nga Ambasada Italiane.
Në 2 Maj, na sollën Tornatoren. Çfarë mund të kërkojë më shumë një tirans që nuk i japin dot vizë Shengen?

Mbasi vuajtëm ca për të gjetur vende, se vendet më të mira ishin ruajtur për ambasadën, dhe jo pak po krejt rreshtat e parë, ndenjëm në pritje.
Me nja 20 minuta me vonesë, po punë e madhe, shqiptarë jemi dhe jemi mësuar me vonesën, shpura erdhi.
Një aktor shqiptar që ka luajtur disa role të vogla diversantësh nëpër filmat e para 90-s, dhe që më gëzoi kur e pashë, se e kisha zhdukur nga memorja, hapte rrugën mes karrikeve të teatrit me të bërtitura. Mbase, i dukej vetja në audicion para regjisorit të madh.

Në podium u ulën 3 vetë, një përfaqësues i Ambasadës, vetë regjisori i madh, dhe në krah dikush tjetër që nuk u mor vesh deri në fund kush ishte.
Bodigard nuk mund të ishte, se nuk kishte staturën. Përkthyes nuk mund të ishte, se përkthim nuk pati. Deri në fund, më mbeti enigmë: kush ishte djaloshi me mjekër pincetë në krah të Tornatores? Të ishte spiun i Shikut? Të ishte Monika Beluçi? Të ishte ai djali i vogël i Cinema Paradiso-s që ishte rritur?

Djaloshi në podium zuri treçerekun e kohës me pyetjet e veta. Unë, vetëm një pyetje desha të bëja: “Më falni, po ju, kush jeni?”.
Po ngaqë nuk dija italisht shumë mirë, e përkthyes nuk kishte, plus që djaloshi nuk na la radhë të pyesnim, nuk e bëra dot. Se nuk desha ti turpëroja organizatorët.

Më vonë morëm vesh që organizatorët e evenimentit, që mos të turpëroheshin duke e sjellë fituesin e një Oscari në 89n mes njerëzve të egjër, kishin importuar edhe publikun! Madje, jo thjesht publik, po kishin importuar nga Italia një (me numërim) publik të zgjuar!

Pra, ky, që më vonë mësova se ishte student kinemaje në Itali, na qenkej i ftuar posaçërisht për të bërë pyetje.
Djali me mjekër pincetë mbase nga meraku për të përmbushur misionin historik që i kish caktuar Perëndia, më shumë se pyetje deshi ti tregonte Maestro Tornatores se sa i kulturuar ishte e sa shumë dinte për vete. Mërzia e Tornatores që sigurisht në jetë ka parë ca më të zgjuar se ai, e që priste të fliste me shqiptarë jo me italianë të importuar, ishte shumë e lexueshme.

Falë këtij organizimi, askush nuk e shijoi dot prezencën e Tornatores, as ai vetë e as ne që mezi e kishim pritur. Prandaj dhe takimi ishte një “qokë” e aq.

MIQËSI MES DY VENDEVE APO INVAZION KULTUROR?

Takimi nuk kishte përkthim, se kështu kishin vendosur organizatorët. Kështu që të paktën gjysma e të pranishëmve u la totalisht jashtë bisedës. E pra, “...një det, një miqësi... një gjuhë!”
Pyetje nuk bëmë dot, se pyetjet i bënte një pispiruq i importuar nga Italia.

“Respekti për Tjetrin ndryshe” tha Tornatore, por unë dhe të tjerë aty nuk u ndjemë të respektuar. Dhe ne ishim Tjetri, kultura ndryshe!

Ne u ndjemë të pushtuar.

Se, nëqoftëse italianët na shohin si një popull që nuk dimë të bëjmë as pyetje, çfarë jemi ne? Mbase jemi vërtet ashtu. Po nëse jemi kaq popull i parregullueshëm, cili është qëllimi pas gjithë këtyre aktiviteteve? Pse lodhen italianët? Për t’u ndjerë mirë me veten që po sjellin civilizim në këtë breg të egër? Apo për të sponsorizuar artistët e tyre në këto kohë të vështira për Artin?

Pushtimi, sado që mund të sjellë gjëra të mira, mbetet prapë pushtim.
Ushtarët e këtij invazioni, edhe nëse janë regjisorë, koreografë apo baritonë të mëdhenj, prapë, nuk mund të sillen ndryshe përveçse si ushtarë. Dhe ushtarët, zakonisht vinë me mendjen “të shkojmë të zbrazim ndonjë pushkë, të marrim rrogën e luftës, dhe punë e madhe për tokën e djegur mbrapa.”
Nëse misioni është keqkuptuar që në bazë, në terren ne marrim vetëm çamaçakiza nga ato që merrnin vajzat e vogla italiane nga ushtarët amerikanë pas WWII.

SI PËRFUNDOI FILMI I TORNATORES?

Sigurisht, me happy end.
Pas takimit, Tornatoren e morën për ta shpënë, siç dëgjuam, në takim te Presidenti i Republikës.
A thua të kishin importuar dhe një President nga Cinecitta-ja për të dalë sa më mirë takimi?

Monday, May 3, 2010

LEONARDO DI CAPRIO DHE ÇUNAT E FUSHËS SË ZEZË

Botuar te Shekulli dt. 2 Maj 2010

Arbeit Macht Frei

Një nga gjërat më të bukura të filmit të Scorsese-s, Shutter Island, që u dha 2 muaj pas premierës amerikane edhe në Tiranë, ishte imazhi i regjisorit për Dakaun, kampin e shfarosjes naziste ku kaluan “pushimet” mbi 200mijë të burgosur prej të cilëve 31 000 vdiqën.
Pas “Pianistit” të Polanskit, nuk e besoja të shihja më një përvojë filmike aq bukur të realizuar për kampet e shfarosjes.

Në film, Leonardo di Caprio-s i kujtohet hyrja e tij dhe ushtarëve amerikanë në Dakau, kurse mua mu kujtua një kronikë TV e para disa javëve ku ishin intervistuar naziskinë shqiptarë.
Kronika në vetëvete sillte një realitet qesharak, ku ca tipa që fshihnin fytyrën flisnin për Fyhrerin e për racat, për urrejtjen e tyre ndaj jevgjve, homoseksualëve, etj.
Para nja 2 vjetësh në faqet e para të gazetave lexuam për trakte me kryq të thyer, të shpërndara në mos gabofsha në Elbasan.
Po a ka naziskinë në Shqipëri? Më saktë, pse ka?

Naziskinët dhe naziskinucët
Ajo që kemi parë në TV ose lexuar në gazetë nuk është lëvizje, nuk bëhet fjalë për ideologë e as për intelektualë filo-nazistë. Bëhet fjalë për ca çuna mamaje që kanë parë nja 2 filma me luftë, që s’kanë lexuar asnjë libër dhe kiameti kanë bërë ca search në Internet.
E përmendin Mein Kampf-in si biblën e tyre, por vështirë se u ka rënë në dorë ndonjë kopje e tij.
Ata thjesht, duan të duken dhe të ndihen.
Këtë, u vjen që ta bëjnë duke adhuruar një person me model flokësh të shëmtuar dhe (siç thuhet) gjysëm impotent - Fyhrerin.

- Heil Hitler!
- Heil! Ika çuna se u bëra vonë e më bërtet mami.

Por, dikush duhet t’ua thotë që neonazismi nuk është më në modë siç qe para nja 20 viteve. Dhe nuk bëhesh dot më interesant.

Por, nuk është vetëm snobizmi.
Kur njeriu është 15-18 vjeç, sigurisht ka impulse rebele.
Por më tremb fakti që këta adoleshentë, në vend që të kishin impulse pozitive për t’u rebeluar, të donin të bëheshin komunistë, ekologjistë, che guevaristë, marksistë, moanapocistë, rokosifredistë, budistë, zenistë, tajkondoistë, kitaristë, anarkistë, etj., gjejnë formatin më çnjerëzor në praktikë dhe më idiot në teori: nazizmin.

Janë adoleshentë të virgjër, të varfër, e të frustruar.
Ata po rriten në një ambient ku dikush “tjetër” po merr diçka që ata e ndjejnë që nuk e marrin dot. Dikush po merr pa të drejtë femrat e bukura, makinat e shtrenjta, shkollat e zgjedhura dhe punët e mira.
Por inatin nuk ia nxjerrin “tjetrit”, se ndryshe do ishin bërë marksistë, mllefin e tyre ia nxjerrin atij që është më në hall se ata.

- Do vish nesër nga Gabi të rrahim ndonjë jevg?
- Uu, po! Se do blej dhe një palë atlete se kam ngelur pa gjë.

Ata po rriten pa të dashura, pa para, dyshoj që po rriten dhe pa gjyshe. Se një fëmijë që e ka rritur gjyshja, s’mund të mbartë kaq urrejtje.
Arbeit Macht Frei – “Puna të bën të Lirë” – parrulla cinike në hyrje të Auschwitz-it, nuk u thotë asgjë, sepse ata nuk punojnë.

Këta adoleshentë nuk duan të jenë pjesë e turmës. Por, falë sistemit të mrekullueshëm të edukimit që kemi, ata nuk gjejnë dot një idhull.
Kurt Cobain është harruar, Che ishte kriminel, Beyonce ngjan si trans, Skënderbeu është demode, Nano është në Vjenë, nga Kadareja kanë frikë, Al Paçino është 70 vjeç, Prustin nuk e dinë kush është, Niçe është përkthyer keq. Kush ngelet? Hitleri. Ose, Enveri.

Neonazismi nuk është një problem shqiptar. E as ka për të qenë.
Janë vetëm ca kalamajë të papjekur që duan të ndjehen që kanë vlerë, të paktën më shumë se një jevg ose homoseksual.
Do të ishte mirë që mediat, të mos i ofrojnë snobizmit të tyre asnjë hapësirë, qoftë dhe duke i përqeshur. Sepse, do kujtojnë që dalja në TV para një flamuri të sjellë nga refugjatllëku e duke folur budallallëqe i bën interesantë.

Mbase duhen dërguar në Greqi të rrinë rrugëve nja 2 javë, të hanë dru e të torturohen vetëm se flasin shqip, e pastaj të vinë ta ringrenë shoqatën e tyre ashtu siç duhet, bazuar mbi përvojën perëndimore.

Shutter Island dhe regjisori më i mirë i gjallë

Kam 4 ditë që e kam parë Shutter Island të Martin Scorceses dhe akoma rri e mendoj për të. Jo vetëm për regjinë e aktorët. Martin Scorsese konfirmoi që është më i miri regjisor i gjallë. Personalisht mendoj që Di Caprio vlen më shumë se Brangelina bashkë, ndërsa në këtë film mbështetej shumë mirë nga Ben Kingsley e Mark Ruffalo.

Ai film 2 orë e 18 min më kapi për fyti që në 5 minutat e para e nuk më lëshoi më.

Filmi tregon historinë e dy marshallëve federalë (Di Caprio dhe Ruffalo) që kanë ardhur në ishullin ku ruhen kriminelët e sëmurë mendorë për të hetuar arratisjen e një prej të burgosurave.
A janë të gjithë duke luajtur një rol para tij? Mbase. Teddy Daniels (Di Caprio) nuk do largohet kurrë nga ky ishull.

Kurrë më parë s’më kishte rastisur që një skenë stuhie që zgjaste 2 minuta, të më fuste një ankth e emocion si në këtë film.
Gjatë filmit, dikush në sallë reagoi me britmë: “Ky na çmendi neve, si të mos çmendë atë”.
Sepse, nëqoftë se të gjithë bien dakort që të thonë që je i çmendur, atëherë ti fillon dhe e beson me të vërtetë. Kur them ti, dua të them TI! Ti që po sheh filmin.

Ndërsa gazeta do jetë në print, unë do e kem parë për së dyti filmin. Gjë që nuk do më ndodhë ndonjëherë me Avatarin.