Sunday, July 25, 2010

Si Fabrikohet Një Vrasës

Botuar te Shekulli, dt 25 korrik 2010

SI FABRIKOHET NJË VRASËS

Kongoli, tek “I Humburi” e ndan botën në të bardhë e të zinj, në bastardë e të fisëm. Kjo ndarje, do të na ndjekë përjetësisht.
Më tej, Shqipërinë mund ta ndash në të tjera nënkategori: në piktorë dhe doganierë, në të djathtë e të majtë, në njerëz me uniformë e në njerëz të dobët, në njerëz me viza e në njerëz pa viza, në blegtorë që prodhojnë mjaltë e në asish që prodhojnë hashash, në burra që rrahin gratë dhe në asish që s’kanë fjetur akoma me nje femër.

Në Tartën “A është shoqëria jonë një shoqëri në depresion?” vura re që edhe mbi këtë temë ekzistokan 2 kategori opinionesh, ata që e marrin me optimizëm dhe ata që e shohin me pesimizëm (ku më futën dhe mua). E thënë me një metaforë tashmë popullore, ata që e konsiderojnë gotën gjysëm plot e ata që e shohin gjysëm bosh.
Më duhet t’u them që metafora me gotë mund të merrte vlerë po të pinim të tërë nga e njëjta gotë. Por, jetojmë në një vend ku ca pinë me gotë qelqi, ndërsa të tjerët me gotë kauçuku.

Megjithatë, i entuziasmuar nga prania e optimistëve në shoqërinë tonë, i vura vetes një qëllim. Ajo çfarë dëshiroj të bëj në këtë Tartë, është të marr për dore një, vetëm një, person që e përkëdhel veten si “optimist” e ta bind të bëhet një vrasës.

BLUZAT E BARDHA

Para ca kohësh u godit një mjek. Aktin e dënuan të gjithë, njerëzit e thjeshtë dhe ata të komplikuarit, analistët e gazetarët, komuniteti mjekësor dhe intelektual, por jo Withers (ai tashmë e ka një kungull nën sqetull, çështjen “to Gej or not to Gej” për të mbrojtur). U quajt dhunë ndaj bluzave të bardha. Pa qenë fare në dijeni të detajeve të kësaj çështjeje specifike, edhe unë në parim e dënova këtë akt.
Akoma nuk jam në dijeni të detajeve. Por, sot, kam një motiv për të vrarë vetë një bluzë të bardhë. Madje, më mirë akoma, dua të angazhoj një “optimist” që ta bëjë këtë.

SE TI JE MOTIVI I JETËS TIME

Mos u bëfsh për spital, më tha mjekja te 5-a, ku kisha shoqëruar për vizitë një person, le ta quajmë familjari T. Dhe, me “mos u bëfsh për spital” nuk e kishte fjalën për sëmundjen, po për spitalin!
E thënë nga mjekja, nuk është njësoj si parashikim moti që jalla del, jalla s’del.

Tani, ti që je optimist do të vish me mua, do bëjmë një xhiro në një spital të këtij vendi. Të dy bashkë të përpiqemi për jetën e familjarit T.

MOS U BËFSH PËR SPITAL
Tek 5-a, një vend ku vinë edhe plot të paralizuar (që nuk duhet absolutisht të ecin) ashensori nuk punon. I paralizuari duhet të ngjitet vetë deri në katin e 4-t, sepse asnjë infermier, ose kushdo punonjës i spitalit nuk e merr përsipër ta bëjë këtë punë.
Kam parë me sytë e mi një grua të merrte në kurriz kalipiç një plakë, sepse askush në spital nuk e ndihmonte ta ngjiste plakën e paralizuar deri te urgjenca.

Familjarin T. e ngjitëm me ndihmën e 2 personave të rastësishëm, njëri prej të cilëve i sëmurë për vete e që desh na mbeti në duar.

Në korridore, njerëz që pinin duhan për shtatë palë qejfe, mu te tabela “ndalohet rreptësisht duhani”. Infermieret, roja, mjekët, kalonin ngjitur, po me sa dukej nuk ishte puna e tyre.

Te dera e jashtme e spitalit, roja, që në 9 të mëngjesit bërtiste se me urdhër nga ministri, nuk lejohej të hynte njeri deri në 5 pasdite. Në ora 10 filluan të futeshin të gjithë me urdhër të Naim Frashërit (për ata që operojnë vetëm në valutë është fytyra e 200lekëshit shqiptar). Në drekë, roja i bënte fresk vetes vet, ndërsa në spital hynte kush të donte. Mund të hyjë dhe optimisti me elefantin e vet. Apo ke qejf të sjellësh një surikat? Sille, spitali ka vend për të gjithë!

DIE DIE MY DARLING
Ajo që na thanë te urgjenca, që dhoma nuk ka, doli që ishte një gënjeshtër. Dhoma kishte, madje, krevati ngjitur në dhomën e familjarit T. qendroi tërë javën bosh.

Dhoma e të sëmurit ishte e lyer me gëlqere me bllana lagështire, totalisht e zhveshur, si dhomë morgu. Gjithçka, të fuste në depresion. Një mbeturinë gazete e ngelur që kushedi se kur mbi tavolinën e rrjepur; një dollap i ngrënë nga molat që kish shërbyer edhe si kosh mbeturinash; uji që vinte me orar.
Në xhama kishte letra të bardha që funksiononin si perde. Dhoma ishte me pamje nga tregu i rrobave të përdorura prej nga vinte gjatë ditës zhurma dhe tafti i teshave firmato të të vdekurve që ne i blejmë lirë, i lajmë, i veshim.

As perde, as lule, as mbulesë tavoline, asgjë që ta bëjë një njeri të ketë dëshirën të shërohet.

PJETËR BOGDANI

Në korridor, një mjek që po ia lypte një studenteje. Studentja, qante.
Atraksioni turistik i spitalit ishte një dhomë xhami, ku vazhdimisht shikoja të paktën 5-6 infermiere të mbledhura bashkë. Pinin kafe turke, bënin ndonjë muhabet. Ishte e vetmja dhomë që nuk ngelej kurrë bosh.
Pse nuk qendisnin çentro ose perde infermieret, rrinë që rrinë, do sugjeronte optimisti, miku ynë.

Nëse për të hyrë brenda duhej urdhri i Naim Frashërit, për të siguruar shërbim cilësor duhej urdhri i Pjetër Bogdanit (për ata që fati i keq i detyron të operojnë vetëm me valutë, kjo është koka që zbukuron kartëmonedhën 1000L). Mund dhe të mos paguash. Askush nuk të detyron. Vetëm se familjari T do mbetet në mëshirën e fatit.

Na kërkuan ta mbanim familjarin T edhe një ditë në spital, për ti bërë kontrollet e tensionit. Askush, nuk bëri asnjë matje për 24 orë. Askush nuk u duk të pyeste, përveç vizitës mëngjesore të mjekes. Spitali kishte vetëm 1 aparat tensioni, dhe e vetmja infermiere që (qëlloi) nuk ishte paguar, ngriti një shamatë të turpshme e anti-profesionale në dhomën e familjarit T., duke e akuzuar pacientin “pse nuk më the të vija të të masja tensionin!”. Familjari T, i sëmurë, e që e kishte të ndaluar dhe të ngrihej nga krevati!

Rezonanca magnetike duhej bërë urgjent, por në laboratorin e vetëm të shtetit radha ishte 6 javë. Privati, na e bëri për 30 minuta, me kosto 25 herë më të lartë se në shtet. Privati kish 5 laboratorë, në 5 qendra, në 5 qytete. 5 herë më shumë se shteti im.

Ditën e fundit, mjekja konstatoi që një infermiere, na kish udhëzuar ti jepnim ilaçe të gabuara familjarit T. Më vonë, infermierja, nga ana e saj, u nxeh me mjeken dhe doli e indinjuar: “Ça thonë këto more? Si të bënka keq aspirina??? Po ne aspirina kemi pirë tërë jetën! Këto s’janë në rregull!” Një infermiere optimiste, siç shihet. Dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të të ndodhë mes atyre mureve... aspirina!

MJEKËSIA ALTERNATIVE

Ne, jemi një popull që kurrë nuk kemi pasur alternativa. Ne nuk e njohim, për default, alternativën. Gomari që vdiq se nuk dinte kë të zgjidhte, të shuante etjen apo urinë, ishte një gomar shqiptar.
E tërë jeta jonë është: o me mua ose vdis. Shikoni politikën. Shikoni sistemin mjekësor.
Me Arqile Botin, ka ikur i fundit i mjekësisë alternative. Ndërsa bota ka krijuar hapësirë që të mund të mbijetojnë bashkë disa lloje mjekësish, që nga ajo popullore, kiropraktika, agopuntura, hipnoza apo mjekësia kineze, ne e kemi lënë veten me vetëm një alternativë, mjekësinë konvencionale.
O me atë, o vdis! Vdis, optimisti im i vogël, vdis.

FUNDI I OPTIMIZMIT DHE NJERIU I FUNDIT

Kush janë pra, optimistët në këtë shoqërinë tonë? Dhe, pse?
Qeveritarët e rangjeve të larta, të rinjtë me prespektivë që kanë njohjet e duhura, pehlivanët që dinë të kërcejnë me çdo lloj sistemi, ata të rangjeve të ulëta por që njohin njërin te rangjet e larta, ata që u bënë milionerë brenda natës... Këta, kanë tendencën e të qenit optimistë. Kryeministri, por dhe Rama, besoj se janë optimistë. Meta, dopio optimist.
Optimistët e vërtetë, janë ata që nuk kanë qenë kurrë në spital. Ose, ata që kur u dhemb gishti shkojnë e vizitojnë në Austri, Greqi, Itali a Turqi. Pastaj, kthehen e na bëjnë moral neve, pesimistëve që vizitohemi te 5-a.

Ky sistem, fabrikon vrasës. Edhe më optimistit nuk i le asnjë shans për jetën.
Pastaj dëgjojmë në lajme se një njeri që e njihnim për natyrë të qetë e optimiste, një ditë mori një pistoletë, hyri te dera e spitalit, roja sigurisht që ishte duke bërë fresk, dhe vrau të parin që i doli përpara, pavarësisht se kush ishte, pavarësisht nëse ishte mjekja që vërtet u kujdes për ty, apo një infermiere që të braktisi se nuk mori lek, apo sanitarja që nuk e lau kurrë banjën.
Mjafton të ketë një bluzë të bardhë. Bang, bang.

Sunday, July 18, 2010

A jemi ne, shoqëri në depresion?

Botuar te Shekulli, e diel 18 korrik 2010


Nuk guxoj të pyes me zë të lartë “a jam i lumtur” sepse një i djathtë do më thotë që jam i lumtur, ndërsa një i majtë që jam i palumtur. Çfarë deshët të pyesni ju? A na do Europa? Pozita thotë që po, opozita thotë që jo. Apo mos deshët të pyesni nëse George Clooney është gej? Opozita sigurisht do thotë “jo”, ndërsa maxhoranca jep garanci që është gej e shkuar geut.
Kjo ndodh për çdo gjë. E vërteta, na shfaqet me 2 fytyra krejt të kundërta në këtë vend. Fytyrën e atyre që janë mbi pushtet, dhe fytyrën e atyre që janë nën pushtet.
Them mbi e nën, se s’mund ta them në pushtet, meqë pushteti kohët e fundit nuk është asgjë përveçse vija që ndan ata që kanë gurin dhe arrën në dorë, nga ata që e kishin dhe që po vdesin që ta kenë prapë gurin dhe arrën në dorë.
Si përherë, nuk bëhet fjalë që të bien dakort, të mbajë njëri arrën e tjetri gurin.
Po, për të mos u larguar nga tema, “A jemi ne të lumtur?”

GJITHÇKA SHITET
Që mos duket si dialog telenovelash, po e bëj pyetjen ndryshe.
“A jemi ne shoqëri në depresion?”
Njerëzit me simpatira/bindje/interesa të njërit krah do konfirmonin “po”! Ata me simpatira/bindje/interesa të krahut tjetër politik, do ngulnin këmbë ”sigurisht që jo!”

Për ta analizuar nëse shoqëria jonë i ngjan apo jo shtëpiakeve të dëshpëruara, kam zgjedhur dy elementë: jeta dhe prona - vetëvrasjet dhe gazetën Çelësi.

Lexoj nganjëherë Çelësin, sa për të parë çfarë shesin njerëzit. Po shesin gjithçka, që nga qenushët e deri tek brisqet e rrojës. Shitet një biçikletë shumë e përdorur, një parafangë benzi e para 12 viteve, një karrige shumë e përdorur berberi, shitet një hartë Shqipërie (e ç’e duam hartën, kaq shpejt sa po e shesin këtë vend ajo Hartë pak vite jetë ka), shitet tharëse flokësh (i thajmë në diell), shitet një libër, shitet kornizë, shitet çdo gjë që mund të sjellë lek. Shiten linja të tëra prodhimi: shenjë që dikush u nis të bënte një biznes, investoi, e pastaj hoqi dorë. Qeratë janë shumë të ulëta, ndryshe askush s’do merrte shtëpi me qera. Ka vetëm kërkesa për punë, e pothuaj aspak oferta për punë. Kërkojnë punë inxhinierë, mësuese, administratore, ekonomiste, të tërë me shkollë të lartë. Madje, dhe një bodigard me shkollë të lartë.
Shiten shumë qen. Sakrifica fillon nga fundi i zinxhirit. Dhe nuk ka dëshpërim më të madh se kur je i detyruar të shesësh qenin tënd.

FLUTURIMI NGA KATI I 5-TË
Nga ana tjetër, gati çdo ditë vret veten një person, nganjëherë dhe dy. Pata menduar që me ardhjen e verës, ky numër do të pakësohej, ca ngaqë vera sikur të këndell e të jep ca shpresë, e ca duke menduar që ata nuk do donin që të bëjmë figurë të keqe para turistëve.
Por jo. Njerëzit me të cilët ndajmë këtë vend, vrasin veten përditë, kush me armë, kush me fluturim nga kati 5, kush me helm, kush me varje. Sipas medias, në shumicën e rasteve vetvrasja është për shkak të varfërisë.
Të mbytur nuk kemi, sepse, Tirana nuk ka lumë. Nuk ua kemi dhënë shansin që të hidhen nga ura. Por ama, shteti, i njëjti që i le në mëshirën e fatit, ua jep një shans tjetër. I ka furnizuar me armë; me kulla të larta prej nga të mund të hidhen pa pasur frikë se shpëtojnë gjallë, qoftë dhe rastësisht; i furnizon rregullisht me helm për minj...
Vetë shteti i vret qentë rrugaçë, ndërsa për minjtë ta le helmin ty.

Ka kohë që nuk lexoj për vetëvrasje nga dashuria. Njerëz që kur të thonë “vdeksha për ty” e kanë seriozisht.
Kohët depresive do të kenë marrë fund dhe ne do të jemi një komb i lumtur vetëm kur të lexojmë që njerëzit po vrasin veten nga dashuria e jo nga varfëria.

VDEKJA E FUTBOLLIT
Ekziston dhe kategoria e atyre që vrasin veten pasi kanë lënë gjithçka në baste. Këta, vdesin nga dashuria për sportin që mund ti kish bërë të pasur.
Nuk kam shumë për ti shtuar asaj që ka shkruar Besnik Dizdari e Fatos Lubonja, apo etiketës së Johan Krujf për Kampionatin Botëror si anti-futboll. Personalisht, mendoj që ishte një kampionat i shëmtuar, ku e vetmja ndeshje e bukur, Gjermani – Uruguai, ishte ndeshje jashtë konkurimi, tradicionalisht e krijuar vetëm për marketingun e FIFA-s.
Tifozë që brohorasin jo për futbollin po për lekët që kanë vënë në lloto; Hollanda që luan si Interi; tifozë që bëhen me Portugalinë se K. Ronaldo është çun seksi.
E gjitha kjo, ka kohë që po e vret futbollin.
Ky kampionat i shëmtuar, megjithatë, e ka bërë FIFA-n akoma më të pasur. Prandaj e urrej futbollin më shumë se ç’urrej Bankat.

FUTBOLLI SI URREJTJE
Ju kujtohet Gjermani – Spanjë? Kishte tifozë të çmendur për Gjermaninë dhe tifozë të çmendur kundër Gjermanisë. Thuajse asnjë tifoz i Spanjës.
Po kështu kur luante Italia apo Brazili. Kam parë njerëz të hidheshin përpjetë për golin e Koresë së Veriut si t’u kish lindur djalë. Dhe nuk kishin vënë as bast.
Tipike e jona. Ne nuk jemi pro këtij, po jemi kundër atij tjetrit. Ne bëjmë tifo që Tjetri të mos gëzojë.

Ne edhe me sportin, na lidh urrejtja.
Jo urrejtja për gjermanët. Urrejtja për shqiptarët. Urrejtja për shqiptarët tifozë me Gjermaninë. Me Italinë. Me Brazilin. Urrejtja për ty, për mua, për fqinjin tonë që është tifoz i tyre. Ne e kemi halë në sy gëzimin e tjetrit.

Nga ana tjetër, festa e tij - festa jonë - në rast fitoreje është e dhunshme. Fqinji, po fitoi do na shqetësojë me gëzimin e tij. Sepse, edhe kur festojmë, festojmë si për inat të tjetrit. Gëzimi jonë ka brenda urrejtjen për atë që u mund. Pa folur që gëzimet tona janë me të thyera stolash, me shkrepje armësh, me britma e me të shara.
Gëzim i ekzagjeruar për diçka që në të vërtetë, nuk na përket. Është i njëjti emocion negativ që ndjejmë kur militantët festojnë para kohe fitoren e Partisë së tyre me buri makinash e flamuj nëpër rrugë. Më varfanjakët gëzojnë që pasanikët po bëhen deputetë!
Dhe në futboll, kombi i fundit i mbetur jashtë Evropës bën tifo si i çmendur për Italinë, Anglinë ose Gjermaninë, madje gëzon më fort se vetë ata.

VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË
Ka vdekur futbolli, ka vdekur Arqile Boti, dhe, të tjerët hidhen përditë nga ballkoni.
Arqile Botin nuk di me se do mund ta zëvendësojmë. Mbase me Elton Dedën, që është kthyer për pak ditë nga mërgimi.

Por, për futbollin diçka mund të bëjmë.
Futbolli nuk besoj se shërohet nëse ndalohen kompanitë e basteve. As nëse Murinjo internohet sepse ndërtoi një Inter që e ruan portën si derë burgu. As nëse Bekam ndahet nga Viktoria.
Futbolli rilind, kur ne të refuzojmë të shkojmë në stadium për kampionatin tonë me rezultate të shitura apo për të parë seancën stërvitore të Real Madridit me Gramozin.
Futbolli rilind, kur ne të refuzojmë të ndjekim edhe në TV kampionatet e anti-futbollit, apo të bëjmë tifo për ekipet që bëjnë rezultat por jo lojë.
Futbolli rilind, kur ne të dalim te fushat e rrjepura e të ndjekim ekipin që vërtetë na përket, atë të lagjes.

Dal nganjëherë te fusha e sportit pranë pallatit tim dhe shoh ekipet e 14 vjeçarëve që luajnë futboll, me atlete gabi e me fanella të sajuara si kanë mundur.
Por, luajnë futboll të vërtetë. Futboll për pasion e jo për tu bërë miliarderë e çuna kopertinash.
Futbolli që luhej para 100 vjetësh te Shallvaret.

Sunday, July 11, 2010

KEMI SHITUR GOMERËT E KEMI BLERË MAKINA

Botuar te Shekulli, dt 11 korrik 2010

Çdo ditë, kur dalim nga shtëpia me makinë e derisa arrijmë në destinacion shajmë të tjerët të paktën 3 herë. Sepse, në trafik ka vetëm njerëz që na acarojnë.
Ne, i japim makinave ashtu si jetojmë. Në kaos, jashtë rregullave, me arrogancë, me dhunë e duke sharë të tjerët.

MAKINAT SI STATUS
Në një vend ku nuk ka më sistem vlerash të stabilizuar e vetmja gjë që na ka mbetur për të na përcaktuar kush jemi, është makina.
Edhe karrocieri me kalë ka një targë makine gjermane në dërrasën prapa karrocës.
Makina, na bën këta që jemi. Pavarësisht se statusi do duhej të përcaktohej paralelisht nga disa elementë. Një makinë e shtrenjtë duhet të shoqërohet me një shtëpi luksoze, me një punë a profesion shumë fitimprurës, me një status të lartë social, etj.
Shqipëria është vendi ku njerëz me makina 100mijë euro, pinë kafe 30lekëshe në klube të ndyra lagjesh, s’kanë punë, kanë një dhomë e një kuzhinë, dhe shpesh s’dinë të shkruajnë as shqip.

MERCEDESI ME 200 LEK BENZINË
Burri i karburantit po më tregonte historinë e një Mercedesi luksoz që i jepnin 2 të rinj të cilët kishin kërkuar që t’u hidhte 300 lek të reja benzinë. Aq lek kishin në xhep, pavarësisht se udhëtonin me makinë 40mijë euro.
Ashtu si jetojmë:
Ne jetojmë për t’u dukur. Rëndësi ka si dukemi, jo si jemi.

TIMONI ANGLEZ
Shija për makinat ndjek një modë të caktuar. Në fillim doli moda e X5-sës. Kjo të bënte të dukeshe tip me lek dhe i zoti. Po X5-a të grinte nga kredia. Pastaj erdhi moda e Hummerit. Kjo të bënte të dukeshe garip, e jashtë formatit. Po Hummer-i të grinte nga benzina.
Tani ka dalë moda e timonit anglez. Shoh në rrugë një sasi çuditërisht të madhe makinash me timon nga e kundërta. Shoh Wolksvagen, BMW madje kam parë dhe një Fiat me timon nga e djathta!!
Ti japësh asaj makine në rrugët që janë projektuar për timon kontinental është siklet. Megjithatë, komoditeti ka pak rëndësi. Rëndësi ka ta kemi timonin mbrapsht, ndryshe nga normalja.
Ashtu si jetojmë:
Bëjmë gjithmonë, gjithçka mbrapsht.

E KUQJA
Shkelja e të kuqes, mjafton që polici të jetë me kurriz, është mënyra sesi ne e ndërtojmë gjithë jetën tonë.
Ashtu si jetojmë:
Jemi gati t’i shkelim ligjet, mjafton që të mos na shohë ai që na ndëshkon.

FERRARI KUNDËR FIAT
Sa më e shtrenjtë të jetë makina, aq më e madhe është arroganca e atij që e ka.
Sa më luksoze makina, aq më shumë pretendon ai që e ka që të tjerët duhet ti hapin rrugë, edhe kur është kundra-vajtje.
Mjerë ai që është me Fiat. Është i detyruar ti hapë rrugë arrogancës, pavarësisht ka të drejtë a jo.
Ashtu si jetojmë:
Sa më i madh pushteti, sa më i madh posti, aq më të paprekur e mbi ligjin ndjehemi.

MAKINAT KUNDËR KËMBËSORËVE
Arroganca më e madhe është ajo që njeriu në makinë shfaq ndaj atij që është në këmbë.
Një vajzë që pret autobusin, pra që nuk ka kush ta përcjellë me makinë, na duket për mëshirë.
Shoferët ankohen që njerëzit këtu ecin si lopët. Kur ne vetë u japim makinave si të ishim krokodilë.

Qytetet në fakt, janë ndërtuar për njerëzit, jo për makinat. Makina është vetëm një nga objektet që lehtëson eksitencën, si sapuni, tamponi apo hekuri i hekurosjes.
Qyteti i përket njeriut, jo makinës. Por në rrugët tona makina është mbreti që duhet ti hapim rrugë.
Këmbësorët e kapërcejnë rrugën duke vrapuar si lepuj. Edhe në vijat e bardha duhet të presësh 20 minuta që të mund të kalosh, se askush nuk ka respekt për atë që ecën në këmbë. Ai që ecën në këmbë, na duket i papërfillshëm. E çfarë mund të na bëjë? Ne jemi të rrethuar me 1 ton hekur, ai peshon 65 kile me gjithë këpucë!
Shtype! Shih si vrapon! Sa gallatë!!
Dhe më e keqja, ata që vuajnë si këmbësorë nga makinat, sapo marrin makinë bëhen po aq të këqinj. Këmbësorët vetë janë pajtuar me fatin e të qenit inferiorë në këtë qytet.

Ashtu siç jetojmë:
Çdo njeri i veshur me sadopak pushtet e shpërfill pa mëshirë atë nuk ka pushtet. Ky i fundit, po erdhi në pushtet të bëri gjëmën!

Njeriu me makinë shpërfill atë me biçikletë; njeriu me biçikletë, atë në këmbë. Njeriu në këmbë shpërfill qentë e rrugës. Qentë, na duan të gjithëve, pavarësisht nëse jemi në këmbë, me biçikletë a me Mercedes.

ÇELËSAT NË DORË
Shprehja “çelësat në dorë” ilustron më mirë se çdo gjë mënyrën sesi ne e kemi ndërtuar shoqërinë.
Pa pritur shqyrtimin zyrtar të çështjes, pa u sqaruar fare, ne ia lëmë në dorë çelësat atij tjetrit, medemek “bëj ç’të duash, unë e mora vendimin”.
Ashtu siç jetojmë:
Vetëgjyqësi. Arrogancë. Dhunë. Abuzim.

FEMRAT NË TIMON
Patriarkalizmi jonë pasqyrohet edhe në atë që medojmë për femrat në timon.
Siç i gjykojmë inferiore në jetë i gjykojmë edhe në makinë.
Madje edhe polici e le të kalojë një femër shkelëse. E konsideron si një të penguar mendore.
- Lëre, femër. Aq di!
Personalisht, të tëra incidentet i kam pasur me shoferë meshkuj. Jo se femrat nuk bëjnë gabime, por në pamundësi të statistikave zyrtare mendoj që femrat janë po aq të paafta sa dhe meshkujt në të njëjtën përqindje.

MIX TO MIX
Shikoni makinat e ndaluara në semafor. Asnjëra në vijë. Asnjëra në korsi. Shumica mbi vizë.
Të vendosura shtrembër, si opinionet tona, si politika jonë, si qendrimi jonë ndaj gjërave.

Makina para jush që bllokon dy korsi. Ruan cila të lëvizë më shpejt, ai të ketë mundësinë të futet në të. Ashtu siç jetojmë: i duam të tëra për vete, asgjë mos të lëmë për të tjerët.

Makina të parkuara në radhë dyshe.
Punë e madhe se nuk ka si të dalë ai tjetri. Punë e madhe se mund të ketë një urgjencë në spital e nuk ka si nxjerr makinën. Punë e madhe se pret dy orë që ti lirojmë rrugën.
Ashtu siç jetojmë:
S’na bëhet vonë për tjetrin. Dhe tjetri, sa i vjen rasti na e kthen njësoj.

“Shofer i ri”. Kjo letër është absurde në xhamin e makinës. Në momentin që të kanë dhënë patentën të kanë konsideruar të aftë për ti dhënë makinës në çdo rrethanë.
Ashtu siç jetojmë:
Ne e mësojmë dorën rrugës. Futemi të papërgatitur në një profesion apo detyrë, dhe ia marrim dorën rrugës në kurriz të atyre që s’na kanë asnjë borxh. Kështu dhe mjekët, dhe politikanët, dhe juristët.

“NË RRUGË BREDHIN KLUBE E MAKINA”
Trafiku në Tiranë është vrasës. Këtë e përdorim si justifikim për mënyrën si sillemi, si parkojmë, si futemi kundravajtje, si dhunojmë shoferët e tjerë e këmbësorët.
Dhe harrojmë që trafikun e bëjmë ne.
Ne jemi vrasësit.
Ne vrasim shpirtin e të tjerëve, dhe e bëjmë këtë qytet stresant e të urryer. Stresi që i shkatojmë shoferëve të tjerë, këmbësorëve e biçikletave me sjelljen tonë të papërgjegjshme është vrasje e ngadaltë. Ne i plakim të tjerët para kohe e ata na e kthejnë po njësoj.
Ne i japim makinave ashtu si jetojmë.
Në këtë qytet, ne jetojmë duke mosrespektuar njëri-tjetrin. E duke ua nxirë jetën.

Sunday, July 4, 2010

PANGO DHE REVOLUCIONI SEKSUAL

Botuar te Shekulli, 4 Korrik 2010


Çështja Pango është një çështje seksi, jo vetëm për majanë që shkaktoi ngjarjen, por dhe në ndjeshmërinë publike. Na ka prekur te seksi.
Le të fusim pra dorën në thesin e madh me mbrojtës e kundërshtarë të Pangos e të shohim çdo na nxjerrë. A thua do na e zërë dora të vetmen gjë që s’duhet ta kapim në thes?

Vërej 4 grupe njerëzish që e mbrojnë Pangon.
1. Kategoria e atyre që e mbrojnë si person, që e njohin, e kanë mik, bashkëpunëtor, simpati ose thjesht identifikohen me të.
2. Ata që mbrojnë çdo gjë të PD-së. Edhe bombën atomike po ta kish lëshuar PD-ja, do gjenin argumente pse bombën e provokoi Edi Rama.
3. Ata që duke mbrojtur “privatësinë” e Pangos në fakt mbrojnë zullumet që bëjnë vetë në zyrat e tyre ose jo, seksuale ose jo.
4. Ata që kanë inat Top channel dhe/ose Edi Ramën (ka njerëz që bëjnë shumë gjëra për inat të Edi Ramës, qoftë edhe të urrejnë kombëtaren franceze meqë zoti Rama ka jetuar në Paris)

Dalloj 5 kategori që e sulmojnë Pangon.
1. Ata që e kanë inat se ishte Ministër i PD. Ata që do sulmonin edhe vetë Dalai Lamën po të bënte gafë të vishej me blu.
2. Ata që do donin të bënin atë që bëri Pango po nuk kanë as pushtetin e as guximin ta bëjnë.
3. Ata që po të panë poshtë, të vunë shqelmin.
4. Ata që kur janë në opozitë janë parimorë, por në pushtet do të jenë Pangot e rinj.
5. Ata që kanë frikë se mos grave të tyre u ndodh e njëjta gjë në zyrat e këtij shteti që të kap me zor.

Ajo që mungon mes këtyre 2 grupimeve është ajo gjëja që s’do na e kapë dora kurrë në thes, sepse në thesin tonë plot urrejtje ajo gjëja nuk gjendet.
Sensus communis!

SENSUS COMMUNIS OSE COMMON SENSE
SENSUS COMMUNIS na vjen nga Aristoteli: Principet dhe gjykimet që vijnë prej tyre, e që gjenden në të tëra mendjet njerëzore.
Kanti e mori më tej dhe e përkufizoi si diçka që, kur ne gjykojmë, merr për bazë dhe mendimet e tërë njerëzve të tjerë. E thënë trashë, si një emërues i përbashkët i tërë gjykimeve njerëzore.

Duhet të ketë në jetën tonë disa gjëra mbi të cilat ne shqiptarët të biem dakort. Diçka që të gjithë e marrim si të mirqenë njëkohësisht. Një SENSUS COMMUNIS. Mes të zezës e zë bardhës ka një fashë gri. Sa më e gjërë kjo fasha gri, aq më tolerante është shoqëria. Sa më e hollë fasha gri, aq më konfliktuale e pa pika të përbashkët jeta jonë shoqërore.

Vërej që në çështjen Pango, si në shumë aspekte të shoqërisë sonë SENSUS COMMUNIS mungon. Dhe ky, do të jetë problemi ynë i përjetshëm. Kjo do të jetë arsyeja pse një shtet qytetar që grekët e vjetër të Aristotelit e kishin, ne s’do ta kemi dot.

POSHTË SENSUS COMMUNIS
Mungesën e SENSUS COMMUNIS mund ta gjejmë kudo.

Te njeriu që me moskokëçarje futet kundravajtje duke bllokuar kalimin e gjithë të tjerëve.
Tek ai që lag me zorrë rrugën para dyqanit ndërsa kati i 5-të thahet për ujë.
Te kompromisi i munguar politik.

E vetmja gjë ku ne kemi common sense, është e keqja.
Unë e shoh që komshiu po ndërton pa leje. Por nuk e denoncoj, se ai e di që unë vjedh korrent dhe mund të më padisë. Pra, ka një SENSUS COMMUNIS këtu. E di që ti nuk flet për mua, se dhe unë do bëj sikur s’di gjë për ty.
Heshtja e opozitës pas Gërdecit, është një common sense i politikës.
- Ç’do Gërdeci këtu?
- Kot, sa për t’ju thënë që unë nuk e harroj Gërdecin!

Por, a mund të ketë një SENSUS COMMUNIS debati mbi çështjen Pango?

Nqs gratë tona janë të pasigurta nëpër dikastere sepse për të mbajtur vendin e punës duhet “t’ia japin” një zyrtari, a duhet të vendosim një standart, një “common sense” të asaj që të gjithë bashkë, pa përjashtim, do ta quajmë të moralshme apo jo, pavarësisht se zyrtari mund të fshihet pas arnave të ligjit?

PANGOS COMMUNIS
Hapësirë ka, po askush nuk do. Në jetën tonë SENSUS COMMUNIS është si lepra.

Dëgjoj të flasin tërë zell për privatësi pikërisht njerëzit e marrosur pas Big Brother, i cili është emisioni që bazohet mu mbi thyerjen e privatësisë së një grupi individësh.

Në çështjen Pango, janë 2-3 gjëra që do duhej të merreshin të mirëqena nga të gjithë.

Një figurë publike (jo Çiljeta, por një funksionar i shtetit) nuk mund të ketë privatësi. Ai është një i zgjedhur që na përfaqëson. Figura e tij do shqyrtuar non stop me të tëra mjetet mediatike për të parë a i përmbush parametrat për të drejtuar shtetin. Nëse një ministër rreh gruan, ose luan kumar, ne duhet ta dimë. Edhe po të duhet të futemi nën tavolinën e bukës a nën krevatin e tij.

Pavarësisht nga vrimat e arnat që ka ligji i shkruar, gjykimi jonë moral shoqëror duhet ta pranojë që njeriu ka të drejtë të xhirojë veten e vet kur e dhunojnë.

Një njeri që është në vëmendjen morale të shoqërisë (psh, Zoti Mediu apo zoti Pango) nuk mund të kandidojë apo të zgjidhet në poste të larta, pa u bërë realisht një gjyq.

Kaq. Këto do duhej të ishin sensus communis në një shoqëri të shëndetshme. Mbi të tjerat mund të debatohet.

Argumenti që Pango e hëngri kot, se ashtu funksionon krejt shteti s’më duket bindës. Pango e hëngri plot, të tjerët s’po e hanë kot. Ky shtet është plot me abuzues të postit që nuk i nget njeri, e as ka për t’i ngarë.

RASTI PANGO DHE REVOLUCIONI SEKSUAL
Rasti Pango është një intervistë për punë e bërë në dhomën e gjumit.

Ky rast flet për atë që ndodh në Shqipëri këto 20 vjet. Revolucioni seksual.
Revolucioni seksual i atyre burrave që e vetmja mënyrë që të mund të bënin seks ishte të martoheshin.
Tani janë në pushtet, në lloj-lloj zyrash e biznesesh. Tani, kanë mundësi të zenë dashnore.
Njerëz që nuk u realizuan kurrë seksualisht sa ishin pa post, tashmë burra të vjetër apo me kalamaj, abuzojnë me vartëset në të tëra format. Nganjëherë s’kanë as nevojë të abuzojnë. Vartëset e dinë përmendsh rolin e viktimës e presin të qeta radhën për ta luajtur.

Një fshatar i zgjuar në fshatin SH. të Elbasanit më rrëfeu se të tëra gratë e fshatit i kish “shtënë në dorë” kandidati për deputet. Edhe pse, secili shpresonte që “e tija” kish shpëtuar. Kandidati ishte më i pushtetshmi, e jo rastësisht edhe biznesmeni i fshatit.

Në dyqanin më të thjeshtë të rrobave, këpucëve a të byrekëve, pronari e quan të drejtën e vet “ti kapë” të tëra shitëset. Sepse, ai i mban me bukë.

Deputetë të pasur, të shëmtuar e totalisht josharmantë shtien në dorë gjimnaziste duke u premtuar bursa për jashtë shtetit.

Raste si këto ka plot. Janë aty. Pyetja juaj, pse Fiksi nuk i kap këta e nuk i nxjerr, është shumë legjitime.

SHTETI I PANGOVE
Lexova diku që ky është Shteti i Pangove. Nuk e mendoj ashtu. Edhe pse “Pangizmi” është një tendencë e zyrave të shtetit.
Ky, vazhdon të jetë një shtet bodigardësh.
Madje, duke parë inefiçencën, injorancën, arrogancën e abuzimin e zyrtarëve të të gjitha niveleve, me një Pango që është elokuent, simpatik e beqar duhet të jemi dhe të lumtur.