Sunday, March 27, 2011

Informacion i Lirë Nuk do të Thotë Njerëz të Lirë II

vijon

botuar te Shekulli, dt 27 mars 2011 me titullin: "Në Gjak me Facebook-un"

Në Tartën e javës që shkoi trajtova faktin që teknologjia, d.m.th., Interneti, nuk do të na ndihmojë për të sjellë demokracinë, bazuar mbi librin "The Net Delusion" të Evgeny Morozov.

Të mbytur në dramat tona të përditshme, kam përshtypjen se pakkush i ka dhënë rëndësinë e duhur këtij shkrimi.
Fundja, ka gjëra që duken më të rrezikshme, tani e këtu.
Piramida do të prishet, pavarësisht debatit të shoqërisë civile. Piramida do të shembet, sepse zëri i askujt në këtë vend nuk dëgjohet. Të fortët, janë në pushtet, të fortë të tjerë do të vijnë në pushtet. Rinia që na propozon politika është thellësisht e korruptuar, nga kjo politikë, dhe nuk premton asnjë shpresë për të ardhmen. 4 të vrarët e 21 janarit, 4 njerëz që rrinin me duar në xhepa në Bulevard, u harruan, si të ishin 4 shishe verë që i lamë hapur e u bë uthull.

Të kapur mes këtyre dramave, duket pak si jashtë kohe të flasësh për problemet e Internetit dhe demokracisë.
Duke rrezikuar të kaloj dhe në përsëritje, dua t'i rikthehem një aspekti tjetër të kësaj teme, sepse për mua është shumë i rëndësishëm.
Unë besoj ata 4 të mjerët me duar në xhepa, Piramidën, shtetin e të drejtës, demokracinë funksionale, shpirtin rebel të rinisë, i ka vrarë Facebook-u.

YOUTH OF THE NATION
Në një takim të rinjsh që i bashkonte një frymë e përbashkët - dëshira për të sjellë ndryshim real në këtë vend - një studente e Filozofisë, ngriti një shqetësim. Ajo konstatoi që pas ngjarjeve të 21 janarit pati një ndjeshmëri të lartë në përdoruesit e Facebook-ut. Kjo ama ndodhi vetëm për punë ditësh, pasi bënë qokat përkatëse online dhe rrahën mendime të zjarrta në rrjetin social më të famshëm në Shqipëri, gjithçka u harrua, dhe flaka e kashtës u fashit.

Sigurisht, këtu problemi kryesor është te rinia, që si faktor rebelimi e ndryshimesh, në këtë vend thuajse nuk ekziston më. Roli i Facebook-ut si arma e vetme e saj, duhet parë me kujdes.
Të rinjtë tanë janë të plakur që në klasë të 8-të. Ata, nuk dinë as të shkruajnë shqip, por kjo nuk i pengon të kalojnë orë të tëra në Facebook.

Sipas të dhënave të fundit, totali i shqiptarëve me një adresë në Facebook është 1 039 860, ose 34.81% e popullsisë.
Nga këta, 48% janë moshat 18-24 vjeç.
Duket sikur mundësitë për të krijuar grupe të reagimit social e politik në Facebook janë të mëdha.
Fjalët e studentes së Filozofisë dëshmojnë për të kundërtën.
Facebook-u gëlon nga njerëz, më falni, jo nga njerëz, por nga profile, ku na pëlqen të gënjejmë nga pak për veten.

GËNJESHTRA TË BARDHA
FB është një pazar i madh, ku me një klikim mund të blesh çdo gjë, që nga qytetet e millioner city-t, tek chips-at e kazinove, deri edhe angazhimin politik.
Në Facebook ka plot të rinj që bashkohen në lloj grupesh e kauzash, nga më të lavdërueshmet. Por, motivimi i këtij bashkimi nganjëherë nuk është real. Shumica e atyre që i bashkohen kauzave të mëdha nuk e bëjnë nga motivet e rebelimit apo dëshirës për ndryshim.

Colding-Jorgensen, një psikolog danez e shpjegon kështu fenomenin e njerëzve që i bashkohen çdo kauze të mirë në Facebook-ut: "Ashtu si ne kemi nevojë të mobilojmë shtëpinë për t'u treguar të tjerëve kush jemi, në Facebook ne kemi nevojë të mbledhim te profili ynë objekte kulturore që të krijojmë një version të vetes sonë para friends-ave". Pra, ne pëlqejmë ato filma, postojmë ato shkrime, dhe bashkohemi në ato kauza politike që na bëjnë ne të dukemi sa më interesantë.

Pra, ne përcaktohemi nga gupet ku bëjmë pjesë. Ne na intereson që të tjerët të na shohin për çfarë çështjesh ne kujdesemi, por jo se ne vërtetë kemi në plan të kujdesemi për këto kauza.
Facebook-u nuk është gjë tjetër veçse mjeti më bashkëkohor për t'u vetëpromovuar, për të ekspozuar narcizizmin tonë, për të shpikur një version të vetvetes tërë vetëbesim dhe sidomos një mjet për të tërhequr vëmendjen.
Dhe kjo, nuk besoj se e shpëton Shqipërinë. Aq sa ç'mund ta shpëtonin turmat e Haxhi Qamilit.

KIERKEGAARD DO TA KISHTE URRYER FACEBOOKUN
Një nga danezët më simpatikë të tëra kohërave, filozofi Kierkegaard, babai i ekzistencializmit, me siguri nuk do të kishte një adresë në FB.
Kierkegaard jetoi në kohën kur sfera publike po zgjerohej së tepërmi, kur gazetat, kafenetë po përhapeshin me shpejtësi. Ndërsa të tërë i shihnin këto në atë kohë si shenjë demokratizimi, Kierkegaard mendonte se të tëra këto vetëm stimulonin një kuriozitet të cekët intelektual te publiku i gjerë, por pengonin angazhimin e thellë, të ndjerë, e me tërë shpirtin në një çështje.
Sipas tij, shtypi ndihmon që njerëzit të kenë opinione të forta për çdo gjë, por nuk ndihmon aspak që njerëzit të veprojnë për të ndryshuar diçka.

Këtë mund ta vini re dhe në FB. Të tërë kanë opinionin e tyre, dhe të fortë madje, për çdo gjë.
Kjo nuk ndryshon asgjë!
Angazhimi i përciptë në kauza të mëdha, që sot FB i bën të mundura me një "like" të vetëm, ishte për Kierkegaardin korruptimi i shpirtit njerëzor.

Të postosh artikuj, të shkruash komente të zjarrta, të dërgosh mesazhe provokative politike në FB është ajo që i mban të angazhuar plot të rinj. Dukshëm kuptohet që ky nuk është angazhim politik. Me këto, ke kaluar nga gjendja e pjesëmarrjes politike në gjendjen e spektatorit politik që bën komente. Ajo që mendove se është një veprim politik, mobilizim, demonstrim, apo dhe votim, NË TË VËRTETË është transformuar në një veprim të padëmshëm argëtues.

TURMA TË ÇMENDURA
Facebook-u krijon turma dhe turmat e bëjnë njeriun dembel.
Turmat, është vështirë t'i kontrollosh, aq më tepër në vende ku mund të mblidhen shumë shpejt e pa asnjë paralajmërim, si në... Facebook. A nuk doli duarsh turma duke ngritur një "hero" si Lekë Plepi? Një hero, që e ngritëm me qëllimin për ta pështyrë, thotë një miku im.

Që në vitin 1882, Ringelmann bëri një eksperiment. Mati forcën tërheqëse në litar. I rezultoi që kur njerëzit e tërhiqnin litarin bashkë, forca e tërheqjes së secilit ishte më e vogël se kur e tërhiqnin veç e veç.
E njëjta funksionon me Facebookun. Të rinjtë që janë politikisht aktivë bien në rendiment, nëse luftën e zhvillojnë në Facebook, sesa po ta zhvillonin jashtë tij dhe të vetëm. Turma ecën me hapin e më të ngadaltit. Lekë Dukagjini (thonë) rrinte në fund të rreshtit dhe e vriste më të ngadaltin.
Facebooku ama i vdes Lek Dukagjinët. Në Facebook, prioritet marrin Lek Plepët.

FACEBOOK-U VDES HERONJTË
Në Facebook, mund të ketë shumë mobilizim, por nuk ka më lider. Dhe mbi të gjitha, Facebooku apo Tweeter, mund të mobilizojnë 1 milion njerëz, por nuk krijojnë dot shpirt proteste. E keqja me rrjetet sociale, është që ata i krijojnë kujtdo mundësinë për të qenë lider, po kjo nuk do të thotë se kushdo do t'i ndjekë.

Sollzhenicini dhe Saharovi do ta kishin pasur punën më të lehtë po të kishin pasur Facebook në kohën e tyre, por sigurisht do të kishin qenë më pak disidentë.
Disidenca politike që ofron Interneti, me qindra kauza ku mund të bëhesh pjesë, me "aktivistë" që bëjnë pjesë në 10-ra grupe, që nga ato për të shpëtuar Balenat e deri tek ato për të liberalizuar drogën e për të mbështetur revolucionin Libian, duke u hapërdarë në kauza pa fund; me faktin që në rrjet, anonimiteti është rregull i përgjithshëm, në vend që të ishte një përjashtim, shansi që të lindë një hero është shumë i vogël.

Që të kemi një hero, dikush duhet të shkojë në burg. Prandaj Kosova e ka një Albin Kurt e ne nuk e kemi. Ne kemi një Nano, në fakt, por ai në mënyrë tragjike shkoi nga burgu në kazino, pa na dhënë mundësinë të mblidheshim rreth tij.
Që kauzat e mëdha njerëzore të marrin frymë, që një hero të frymëzojë qoftë dhe masat e Facebookut, duhet që dikush të shkojë në burg. Një Vaclaw Havel nuk mund të lindë në Facebook.
Askush nuk do të arrestojë askënd që po bën chat luftarak apo shkruan slogane të egra në "wall", nqs nuk ngrihet nga divani, e del në rrugë.


RRUGËT BOSH
Nqs presim nga FB që të promovojë demokracinë e kemi gabim. Evgeny Morozov sjell me shembuj argumentin se pjesërisht prej logjikës së injorancës, ose dhe të fitimit, FB nuk do jetë kurrë ambienti që të favorizojë idetë disidente. Vetë FB kur ka nevojë, mund të të fshijë në mënyrë aspak demokratike disa grupe suporti (si në Marok), apo dhe account-e disidentësh.

A është mirë të kemi rrjete sociale? Kësaj, mund t'i përgjigjem me një kundër pyetje: a nuk ishte Ku Kluks Klani një rrjet social?
Është e ekzagjeruar të besojmë, siç thashë në fillim, që një rrjet social si Faceboook po vret Piramidën, shtetin e të drejtës, demokracinë funksionale, apo shpirtin rebel të rinisë.
Ato po i vrasin të tjerë. Facebook është një bashkëpunëtor i heshtur. Është ai "personi" i caktuar të na mbajë të zënë derisa krimi të kryhet. Ai që fishkëllen në majë të murit.
Njëmilionetridhjetëenëntëmijëetetëqindegjashtëdhjetë shqiptarë në Facebook, po të ishin protestues realë për një Shqipëri më të mirë, do të kishin bërë çudira.

Por, unë nuk u besoj njerëzve që protestojnë në divanin e kuzhinës me lap-top përpara.
Prandaj nuk kam një account në Facebook. Kam frikë se do më pëlqejë shumë divani.
Kur shpirti im mbushet plot nga padrejtësitë do më pëlqente të dal në rrugë e të shoh që plot të tjerë kanë dalë aty si unë, të shtyrë nga e njëjta ndjenjë. Gjë që nuk ka për të ndodhur. Sepse, dikush do ju ketë bërë një koment poshtë fotos së maces e ju duhet t'i ktheni përgjigje.
Ose, më keq akoma, do jeni të zënë duke postuar këtë shkrim në Facebook.

Sunday, March 20, 2011

Informacion i lirë nuk do të thotë njerëz të lirë

Botuar te Shekulli, e dielë, 20 mars 2011

Libri që po e prisja prej kohësh, erdhi. Para pak muajsh ka dalë në shtypin perëndimor (Penguin Books) libri i bjellorusit Evgeny Morozov, "The Net Delusion". Ky libër, përmes argumentesh, statistikash e analizash tregon se Interneti, lodra e re e njerëzimit, nuk është ai që presim. Ne besojmë që kjo lodër do ta bëjë jetën tonë më të mirë dhe njerëzimin më të lirë. E vërteta është që Interneti po i bën njerëzit më të vetmuar (edhe pse në dukje, më të lidhur) dhe mbi të gjitha, jo të lirë. Interneti, po fuqizon akoma më shumë të fortët, e po dobëson akoma më shumë të dobëtit.
Morozov, niset nga fakti që vetë Hillary Clinton, në fjalën e saj të para një viti, e konsideroi lirinë e Internetit si një nga strategjitë kyçe të ShBA. "Liria e informimit," argumentonte më 21 Janar 2010 Znj. Klinton, "mbështet paqen dhe sigurinë që krijojnë bazat për progresin botëror".

Në librin e vet: "Zhgënjimi i Rrjetit: Si të mos e çlirosh botën", Morozov, vërteton që ky entuziazëm është i pabazuar dhe mbi të gjitha, i gënjeshtërt. Interneti, është mjeti më i ri me të cilin të pushtetshmit do konsolidojnë akoma më shumë pushtetin e tyre.

Twitter dhe Revolucioni iranian

Dy janë zhgënjimet e mëdha sipas Morozov: ai që ky e quan "cyber-utopianism", besimi se kultura e Internetit është progresive dhe emancipuese; dhe "internet-centrism", besimi që çdo çështje madhore e shoqërisë sonë moderne apo politikës mund të gjejë veten në Internet.

Ka njerëz që besojnë se revolucioni Iranian i 2009 u shkaktua nga disa njerëz që u organizuan me anë të Twitter (një rrjet social i ngjashëm me Facebookun). Ka dhe ata që besojnë që analfabetizmi në Afrikë do të zhduket nëse bëhen pjesë e një grupi kundër analfabetizmit në FB.

Idealizimi i Internetit dhe besimi që me Facebook e Twitter mund të hidhet çfarëdo qeverie e shteti autoritar, që nga Kina e deri në Venezuelë, nga Irani e deri në Bjellorusi, nga Rusia deri në Kubë, është një kurth.
Nëse prisni që revolucioni juaj të nisë në Facebook, sapo e keni bërë diktatorin tuaj të lumtur.

Pornot, macet në Youtube dhe Revolucioni

Është e vërtetë, Interneti ka tërhequr një masë të madhe disidentësh që nga Vietnami në Rusi. Ata, kanë gjetur mjedisin ideal për të përhapur idetë e tyre. E vetmja gjë që ata nuk e dinë, është që shteti (me paratë e popullit) i ka mundësitë për të punësuar specialistët më të mirë të rrjetit, njerëzit më të aftë që mund të jenë në qarkullim, teknologjinë më të avancuar, për të eleminuar kundërshtarët politikë në Rrjet. Dhe këtë nuk e bën duke u bllokuar sajtet. Sistemi më efektiv i censurës, është jo ai më i sofistikuari, por ai sistem që nuk ka nevojë për aspak censurë.

Morozov sjell rastin e Rusisë, që nuk ka nevojë të bllokojë blogjet apo forumet e disidentëve. Jo. Shteti rus ka krijuar një sistem të tërë argëtimi online që i bën rusët të rrinë larg artikujve të disidentëve për tu argëtuar me porno falas. Kundërshtarët e sistemit në Rusi nuk pengohen. Atyre thjeshtë u hiqen lexuesit, duke i argëtuar me porno, ose çfarëdo argëtimi tjetër online falas. Sasia e njerëzve që e harxhon kohën e lundrimit në Internet duke kërkuar video macesh të cilat shkarkojnë vetë tualetin në Youtube është pabesueshmërisht e madhe. Popullin mund ta gënjesh aq kollaj me video komike.
Lek Plepi, ka zënë më shumë vend në diskutimet në FB sesa nevoja për të ndërruar kastën tonë politike.

Unë, madje, dyshoj që Lek Plepi suportohet nga Këshilli i Ministrave. Për sa kohë Mr. Plepi të jetë sharmant, askush nuk do kujtohet për naftën që na shkatërroi mushkëritë dhe makinat.
Gjëja e parë që mendon një sistem autoritarian është si ta hutojë popullin e tij me argëtim falas. Lady Gaga në shesh! Disidentët, le të shkruajnë sa të duan në blogjet e tyre.
Dhe nëse mendoje që forcat progresiste rrinë në Internet, ndërsa forcat regresiste nuk e njohin atë, e ke gabim. Diktatori venezuelian Hugo Chaves mezi po pret që ti të futesh në Internet. Më saktë, në Spinternet.

Hugo Chaves do që ti të futesh në Spinternet

Me siguri nuk do ju habisë fakti që Hugo Chaves është i apasionuar pas Ipad-it. Diktatorët, kanë shpesh një hobi për teknologjinë. Aq më tepër, kur ajo shndërrohet në një mjet kontrolli.

Kështu Hugo Chaves, diktatori venezuelian, nuk i bllokon Internetin qytetarëve të varfër të vendit të tij. Ai, madje, ka politika për të futur Internet në shkolla (ju me siguri njihni dhe të tjerë liderë me ambicie teknologjike). Internet për të gjithë! Por, me një kleçkë të vogël: Hugo Chaves do që ti të futesh në Spinternet - Interneti me pak censurë por me shumë propagandë.

Barbara Gedis e Univ. Të Kalifornisë në L.A. në një studim të vetin argumenton që ka një pjesë të popullsisë që është shumë e ndjeshme ndaj propagandës qeveritare, dhe kjo është kryesisht klasa e mesme. Klasa e ulët, është shumë injorante për të kuptuar deri dhe propagandën e shtetit, klasa e lartë është shumë e shkolluar për tu mashtruar. Klasa e mesme është krapi që zë rrjeta e qeverisë. Klasa e mesme: ata që kanë njëfarë mundësie jetese dhe që kanë njëfarë shkolle, që nuk janë as të varfër e injorantë, por as të pasur e të sofistikuar.

Ti mund ti ofrosh njerëzve mundësinë të përdorin Internetin, por kjo nuk do të rrisë mendimin e tyre kritik. Të vendosur nën një dozë të përditshme propagande, njerëzit pushojnë së dëgjuari. Ata që nuk dëgjojnë, nuk mund të reagojnë më.
Hugo Chaves do që ta sjellë internetin te shkolla jote. Do që ti të kesh dhe Ipad. Sikurse KGB do që ti të futesh në Facebook.

Pse KGB-ja do që ti të futesh në Facebook?

Ka pasë qenë një kohë kur KGB duhej t`i përgjonte njerëzit, t`i fuste madje në tortura që të tregonin rrjetin e tyre të bashkëpunëtorëve. Tani nuk ka më nevojë. Mjafton të hapë Facebookun. Me një lirshmëri të madhe njerëzit nxjerrin të tëra llojet e informacioneve në Facebook, që nga miqtë, fotot, opinionet, idetë. Disidentët njihen nga kë kanë "friends" në FB.

Facebook-u ndihmon madje që KGB-ja të kuptojë edhe se kush disident është i rrezikshëm. Ata që kanë grupe të mëdha suporti, janë problematikë. Ata me pak "friends" janë të padëmshëm. Sado ide të mira të kenë, rëndësi ka që nuk i lexon njeri.
Kostot e survejimit, janë fare të lira sot.
Por, problemi më i madh i Facebook-ut është që ka krijuar modelin e "aktivistëve" në divan. Kushdo mund të shitet për aktivist i madh, duke ndenjur pranë zjarrit me një lap-top para. "Pjesëmarrja" në kauzë është vetëm një klikim larg. Një "like" dhe ja ku dhe "kontributin" tënd.
Por unë nuk mund t`i besoj njeriut që është fans i Lek Plepit dhe do të shpëtojë fëmijët ushtarë në Kongo. Këta njerëz, nuk marrin dot seriozisht asnjë kauzë.
Shanset që ata të dalin në rrugë për të protestuar, janë shumë të vogla. Ka shumë gjëra më të bukura në Youtube, sesa të bërtasësh për të drejtat e tua në bulevard. Jemi për protestë, por jo në rrugë!

I-REVOLUCIONI

Revolucioni është transferuar në Internet.
Kjo ka bërë që edhe qeveritë totalitare, të zbresin aty për të parë ç'po ndodh.
Interneti ka hapur dyer që më parë nuk ekzistonin!
Tani, është bërë shumë e thjeshtë, vetëm duke parë historinë e lundrimit në Internet (historikun e faqeve që ke vizituar) një agjent qeveritar mund të mësojë për ty më shumë se mamaja jote.

Ka kohë që kompani të caktuara mbledhin të dhëna për përdoruesit e Internetit, për qëllime reklamimi. Askush s'mund të garantojë që këto metoda nuk do të përdoren nga shteti për të gjurmuar opozitarët e tij.
Nga ana tjetër, që Interneti ka ofruar mundësinë që ata që përkrahin shtetin totalitar, për arsye nga më të ndryshmet, të jenë tepër aktivë. Këta janë armata që shteti as nuk ka nevojë ta paguajë, dhe janë mjaft efektivë për të hapërdarë tym mbi të tëra inisiativat e kauzat disidente.
Përkundër ç'mendohej para 15 vjetësh, Interneti nuk i ka zhdukur paragjykimet, as nacionalizmin e sëmurë, as racizmin, vetëm u ka dhënë një lëng të ri ku të gjallojnë.

BLOGGING

Interneti krijon hapësira për tërë llojet e manipulimeve, që nga ata që pretendojnë se dokumentojnë të vërtetën, duke ofruar informacione të rreme, e deri tek organizimet e nacionalistëve, neonazistëve, pedofilëve e të tjerëve.
Turmat agresive në internet hedhin bomba "të dhënash" mbi të gjithë. Sa të përgatitur jemi për t`i përballuar këto turma e për të mos u bërë pre e tyre? Kam frikë se aspak. Ju kujtohet si degjeneroi vidoe e 21 majit me diskutime për plakun kokëbardhë që medemek "diçka bënte"?

Në revolucionin Iranian (2009) shkruan një nga pjesëmarrësit në të, kishte shumë kakofoni dixhitale, për të krijuar mundësinë që kushdo, të udhëhiqte masat. Liderët, është shumë vështirë të fabrikohen në Facebook.
E keqja është që interneti, me blogjet e pafundme, me rrjetet sociale e me forumet, krijon idenë e një lirie virtuale. Në fakt, liria mund të jetë në blog, por tkurret sa kalon pragun e shtëpisë.
Këto blogje, rrjete sociale apo forume, vlejnë më shumë si valvula për të shfryrë tensionin sesa si mjete për të organizuar një opozitë politike. Dhe këtu me opozitë, nënkuptoj mënyrën e vjetër të të bërit politikë.

Informacion i lirë nuk do të thotë njerëz të lirë

Ndoshta, demokracia ka qenë një produkt specifik për kohën kur u krijua, sugjeron Morozov. Ndoshta, është një kafshë më e çuditshme nga sa mendojmë ne. Ata që e patën fatin ta kenë herët, janë të lumtur. Pjesa tjetër e botës vazhdon përpiqet, por sa herë mendon se po e vendos demokracinë, diçka tjetër, një sistem mutant e i korruptuar, vendoset në vend të saj. E pra, sot, supozohet që të jemi më të informuar se kurrë më parë.

A thua informacioni i lirë nuk mund të sjellë demokraci?

Bota autoritare, që nga Kongo e deri në Kinë, që nga Amerika Latine e deri në Rusi, është prapë më e madhe se bota demokratike.
Në kohën dixhitale, njerëzit duken më të hutuar, më të hallakatur e më dembelë për të fituar lirinë.
Karl Marks mendonte që hekurudha do të shuante shoqërinë e kastave në Indi, dhe Daniel Borstin shpallte që TV do të ishte çliruesi i masave. Në fakt, përparimet teknologjike, kanë qenë gjithmonë të mbivlerësuara. Radio, mendohej që do të shpëtonte politikisht botën, por radio, u bë mjeti më i fortë propagandistik i Hitlerit e Stalinit. Çdo teknologji, do të shfrytëzohet edhe nga ata që duan ta skllavërojnë njerëzimin. TV, është mjeti më i fortë propagandistik në qarkullim.

Interneti është arma më e fundit në dorë të të fuqishëmve.

Ka shumë njerëz që mendojnë që Interneti na ka bërë të lirë. Edhe zbulimi i kininës, vërtet zhduku malarjen, por me zhdukjen e malarjes, kolonizatorët evropianë guxuan të kolonizojnë Afrikën.
Miliona njerëz që e kalojnë kohën në Internet duke klikuar për video macesh që shkarkojnë banjën e për të vënë statusin se çfarë hëngrën për mëngjes, nuk më duken të lirë. As të lirë, e as të interesuar për ta ndryshuar këtë vend.

Teknologjia nuk është kurrë neutrale

Interneti është një bishë e re, të cilës askush nuk ia njeh akoma mirë huqet.
Por, historia e teknologjive na ka treguar që një teknologji nuk mund të qendrojë kurrë neutrale. Një thikë, mund të përdoret për të vrarë njerëz, por mund të përdoret dhe për të gdhendur drurin. Interneti është teknologjia e kohës sonë.

"Panopticon"-i i Jeremy Bentham-it po bëhet realitet në epokën tonë virtuale. Panopticon-i - burgu perfekt me një sistem të përsosur kontrolli, ku të tërë të burgosurit mendojnë që janë të vëzhguar, dhe askush nuk e di a janë të vëzhguar realisht apo jo. Online.

Monday, March 14, 2011

Racës Sime

Pas Gërdecit, ngjarja më e rëndë që kam përjetuar në këtë vend, është ajo që u denoncua me mjaft vonesë: spastrimi racor i 45 (a më shumë) familjeve rome në periferi të Tiranës.
Edhe 21 janari është i rëndë, e unë nuk e harroj 21 janarin. Por, romët e djegur te Stacioni i Trenit nuk kanë ardhur kurrë në derën e kryeministrit. Ata ndoshta nuk kanë hyrë kurrë as në qendër të Tiranës, përveçse për të lypur.
Ata janë që në lindje qenie të deklasuara, të përbuzura, të rrahura e të shkelura, të lënë në mjerim në barraka. Fëmijët e tyre lindin pranë gjirizit, e vdesin pranë gjirizit. Kur janë të vegjël lodrat e tyre janë plehrat, e ardhmja e tyre është karroca e plehrave. Fëmijët e tyre grabiten e shiten për pjesë ndërrimi, dhe prindërit kujtojnë se ua kanë çuar në fondacione që tua ushqejnë më mirë. Ata janë valvula ku shkarkohet depresioni i një shoqërie të sëmurë e perverse. Dhe janë valvula më e mirë. Ata mund ti djegim ditën për diell, sepse ne jemi tropojanë e sepse ata janë jevgj.

JEVGJIT

Vetë termi "rom" sot, më duket një hipokrizi mediatike. Për ne, ata janë jevgj, tërë ditën e ditës, në të tëra komunikimet tona të përditëshme, që nga ministri e deri tek vetë jevgjit. (term jo i saktë ky, por që ne e përdorim në mënyrë gjithëpërfshirëse për të tërë shqiptarët me ngjyrë).

Dhe nëse në shtetin tim, ata mund të digjen kaq kollaj në kasollet e tyre, policia të ngulë këmbë që ata u larguan "me dëshirën e tyre" dhe kriminelët të jenë akoma të lirë, unë nuk dua të jem pjesë e kësaj hipokrizie e të vazhdoj me politesën e terminologjisë. Unë nuk mund ti quaj "romë" sa për protokoll, kur ne tërë ditën i trajtojmë si jevgj. Deri dhe i djegim si jevgj.

Këto gjëra, ndodhin si të ishinnormale në shtetin tim.
Po ky nuk është shteti im.
Ky është shteti i tropojanëve.

TROPOJANË E SKRAPARLIOTË

Dua tu kërkoj paraprakisht ndjesë atyre tropojanëve të ndershëm që jetën e tyre e kanë ngritur pa u kacavjerrë në hardhinë e të parit të fisit që pushtoi Tiranën. Dua tu kërkoj ndjesë, se ka shumë prej tyre që Tiranën e kanë fituar me mund, e nuk ua kanë dhënë në pjatë nga torta e pushtetit.

Aq më tepër kur problemi nuk është dhe vetëm te tropojanët. Janë skraparlinjtë. Janë shkodranët. Janë gjirokastritët. Janë dropullitët. Janë kushdo që vjen në pushtet.
Problemi është tek koncepti tribal i ardhjes në pushtet "krahinçe".
Krahina nga vjen, është CV-ja jote.

Mentaliteti qeverisës është se kur vjen në pushtet e quan normale të tërheqësh në punësim në administratën e shtetit të tërë rrethin prej nga vjen, tërë kushërinjtë deri në 4 breza. Bizneset favorizohen në bazë krahine, shokësh klase e kushërinjsh që më parë as i kishe parë kurrë. Çdo ministër, e kthen ministrinë e vet në oaz ku peshkojnë tërë farefisi e krahina që e ka votuar.

Kur një shkodrane është në pushtet, unë si shkodran jam më i mbrojtur nga shteti. Sepse, në këtë shtet punojnë njerëzit e mi. Në tërë hallkat e shtetit, do jenë vendosur njerëz që do të më mbrojnë.
Jo më kot, emrat e të dyshuarve për krimin ndaj jevgjve te Stacioni i Trenit kanë rrjedhë vjedhurazi nga dosjet e shtetit. Sepse, janë nga krahina që është në pushtet. Për policinë, romët kanë ikur me dëshirë.

Ky sistem i administrimit të pushtetit me baza krahinore ka rrënjë të thella, që tek Zogu, klani Kapo, e deri sot. Lufta e famshme e klasave jo rrallë u shndërrua në luftë raciste, mbi bazë feje e krahine.
Tropojanët vetëm se janë më me fat se korçarët, meqë kanë qëlluar më gjatë "në pushtet" se krahinat e tjera.
Jam kurioz të di si do jenë korçarët kur të kenë një kryeministër, president a kryeparlamentar të tyrin.

Kjo mënyrë e ndërtimit të shtetit, ka bërë që të tërë të presim rradhën që bashkëfshatari ynë, të ngjitet në piramidë. Sot ata, nesër ne. Sot tropojanët, nesër vlonjatët. Do vijë dhe dita jonë.
Të vetmit që nuk kanë kurrë shpresë as të lypin (e jo më të ngjiten) poshtë piramidës së pushtetit janë jevgjit.
Prandaj, ata që ndjehen që "janë në pushtet" mund të marrin flakëhedhësen e të bëjnë spastrim racor.

LA RAFFLE

Si për koinçidencë, para pak ditësh, tamam në datat kur ata po digjeshin, policia nuk e deklaronte e media nuk e raportonte, kam parë filmin "La Raffle".
La Raffle tregon spastrimin racor të 10 mijë hebrenjve në Paris gjatë qeverisjes së Vishisë nën pushtimin gjerman. Parizianët shpëtuan 10 mijë të tjerë, por nga këta që u zhvendosën me bekimin e xhandarmërisë franceze, vetëm 4 a 5 u kthyen gjallë. Por, turpi i mbeti përsëri Parisit.

Sigurisht, sot nuk i dërgojnë dot në kampe përqendrimi, edhe pse Mehmet Shehu thonë e pati iniciuar në kohë të vet. Por mentaliteti ynë është i njëjtë me atë të qeverisjes e logjikës spastruese të Vishisë.
Zbimi i tyre me dhunë e me djegie, është një veprim i pastër racor, që mund të ketë dhe prapaskena të tjera.

Nëse ato do të ishin 45 familje pukjane, matjane, skraparliote, aq më tepër tropojane, askush nuk do kish guxuar ti digjte. Por, meqë janë familje jevgjish, dhe shteti nuk është e s'do të jetë kurrë i jevgjve, ata mund të digjen kollaj. Ndoshta, ajo tokë dikujt i duhet e pastër. Mos të guxojnë më të kthehen!

Në një kohë kur tërë Shqipëria është "tokë e xanun" barakat e jevgjve janë më të pambrojturat. Ato nuk kanë peshën e shtëpiave të të ardhurve të tjerë të vendosura dhunshëm në tokë të tjetërkujt këto 20 vjet. Ata të tjerët, janë krahina që nesër pasnesër do të vijnë në pushtet.
Jevgjit mund të përzihen nga banesat e tyre të mjera, të dhunohen e të digjen, sepse, shteti im është një shtet i ndërtuar mbi racizmin.

ÇEÇENË E SKOCEZË

Racizmi ynë si popull as nuk fillon e as mbaron me jevgjit.
Ne kemi shpikur termin "çeçen" për gjysmën e popullsisë. Ne i quajmë "skocezë", me ironi ata që vijnë nga Skrapari. Ne i quajmë me përbuzje "turq" myslimanët e Shkodrës, dhe themi "grekët e ****t" për sarandiotët. Ne, tropojanëve u themi ligësisht "malokë".
Në 97'n në jug të bënin provën e gjuhës së "malokut": po ta shqiptoje "xhashtë" në vend të gjashtë, mund të haje plumbin. Sepse, urrejtja ndaj një personi ishte shndrruar në racizëm ndaj krahinës prej nga vinte.

Ne, që jemi populli i përbuzur i trotuareve të Evropës.
Dhe paradoksi është, që po ata tropojanë që (dyshohet se) dogjën barakat e jevgjve, kur shkojnë në Greqi trajtohen pak më mirë se ata jevgjit e Stacionit të Trenit.

MARSELI I SELITËS

Njeriu më i klikuar në Youtube, është Marseli i Selitës, në një këngë të Aurela Gaçes. Dhe kënga nuk është e klikuar aq prej Gaçes, sesa prej jevgut Marsel.
Ne nuk i kemi dhënë asnjë shans jevgjve të integrohen. Ne nuk kemi bërë asnjë përpjekje për ta kuptuar kulturën e tyre, e cila, në disa aspekte mund të jetë më superiore të paktën përnga vlerat njerëzore, se e jona, që jemi racë e bardhë nga jashtë e e zezë nga brenda.

Unë kam pasur mundësi të intervistoj jevgj, dhe kam parë me habi që dashuria mund të mbijetojë dhe te fusha e plehrave; që përkushtimi, mund të jetë më i fortë mes njerëzve që skanë as bukë të hanë; që mirësia, mund të jetë më e thellë aty ku ngjyra është më e errët.
Ata nuk e kanë humbur gjuhën e nënës, edhe pse tërë jetën kanë qenë të diskriminuar në arsim. Teksa, për të përfituar hiret e një femre në një bar të Italisë, ne, "raca e bardhë", jemi gati të shitemi për çekë e hungarezë.

Ne nuk kemi për ti hasur kurrë ata në Living Room, as në zyrat e Ministrisë së brendshme, as në bankat e shkollës së mesme. Ata, nuk janë kurrë aty, sepse ato dyer janë të mbyllura për ta, falë edhe heshtjes sonë fajtore.
Ne harrojmë që ata ekzistojnë, sepse, i vemti kontakt i yni me ta është ose kur ata lypin, ose kur ne klikojmë videon e Marselit të Selitës.
Ose, kur shohim në lajme shkrumbin e barakave të tyre.

DORA E BARDHË

Unë nuk kam si ta di se çfarë fshihet pas spastrimit racor të jevgjve nga zona pranë Stacionit të Trenit. Policia nuk do të tregojë se ç'po ndodh. Politika ka halle diabeti - secili e do tortën e pushtetit për vete. Do bëhet ca zhurmë, ndoshta, por ata jevgj, sado "skema kafshate" të ngrejë Kryeministri, nuk kanë për tu rikthyer më kurrë aty. Edhe sikur të dalim e të lidhemi me zinxhirë te Ministria e Rendit, edhe sikur të vijnë dhjetëra delegacione nga Evropa, ata, janë tashmë të djegur pa kthim.

Ne nuk i shpëtojmë dot më, sado shkrime të bëjmë në gazetë e kronika në TV. Jetojmë në vendin ku qeverisin shurdhët e ku çudia më e madhe, 3 ditë zgjat.
Në ditë si kjo, e urrej veten që i përkas racës sime. Racës së bardhë, me shpirtin e zi.

Sunday, March 6, 2011

8 Marsi i EMMY-t

botuar te Shekulli, dt 6 Mars 2011

Nuk e di se nga ka dalë një teori që medemek 8 marsi në tërë botën u festoka me luftë, kurse tek ne festohet mbrapsht, me dreka e darka femërore. Dmth, gratë tona që bëjnë “festë” tërë vitin, më 8 mars duhet të luftojnë për të drejtat e tyre!!
Unë them që ato të luftojnë për të drejtat tërë vitin, dhe ta bëjnë pushim në datë 8.
Pastaj, nëse kemi rënë dakort që në datë 8 mars gratë kanë ditën e tyre, më duket po aq e drejtë që atë ditë ato ta kalojnë si t’ua ketë qejfi. Edhe pse, në ditën e vetme të festës së vet, njeriu normalisht kërkon atë që i mungon më së shumti në jetë. Disa hanë dreka, disa i bëjnë dhurata njëra-tjetrës, disa shkojnë në klube striptize. Atyre grave që u kanë ardhur te hunda darkat, dhuratat, striptiza, le të shkojnë edhe në protestë.

Por, ndërsa gratë e dy kampeve politike do nisin të sulmojnë më 8 maj patriarkët respektivë, protesta e vërtetë e grave nuk do të ndodhë.
Protesta për EMMY-n.

EMMY-rat

Unë mund të jem indiferent ndaj këngëtares Emmy (vetëm nga lajmi i vdekjes mora vesh që ekzistonte si këngëtare), por nuk mund të jem indiferent ndaj fëmijës Elsiana Hidershaj.
Meqë dikush ia hoqi Elsianës të drejtën të festonte 8 marsin (edhe pse ndoshta, ajo vetë as që e festonte) më 8 maj gratë do duhej të ngrinin zërin për të.

Më habiti shpejtësia dhe thjeshtësia me të cilën u gjykua nga publiku rasti i saj. Gratë (dhe tërë shoqëria) i bënë një skaner të shpejtë e cinik: “Ç’punë ka një 19 vjeçare me një 44 vjeçar?”, “Ajo vetë e paska kërkuar” Ose “ky paska qenë horr e imoral, ka abuzuar një minorene”, dhe pikë.

Po ne sikur thamë që dashuria nuk njeh moshë? Apo e thamë kot, për gallatë? Apo nuk njeh moshë kur na ndodh ne, dhe është mëkat kur i ndodh dikujt tjetër?

Shqipëria gëlon nga aferat jashtëmartesore. Shqipëria është plot me lidhje me diferenca në moshë. Në momentin që dikush bëhet i pasur ose i pushtetshëm, qoftë dhe 50 vjeç, i hipën epshi për të realizuar dëshirat e paplotësuara djaloshare, dhe kjo ndodh me ministra e biznesmenë.
Ky është një fakt i përditshëm, por ne na shqetëson vetëm kur del në gazetë.

NJË, NJËQIND DHE NJËQINDMIJË EMMY

Gjëja që ka ndodhur me këngëtaren, ndodh me shumë të tjera. Tek ato përzihet dëshira për tu bërë të famshme e të pasura sa më parë; nevoja për t’i ikur anonimitetit social; nevoja për të qenë dikush në një shtet ku askush, që nga zysha e klasës së parë e deri te Ministri i Arsimit nuk është në gjendje të të japë një bosht për t’u rritur; në një ambient ku të tërë abuzohen nga të tërë; në një shoqëri ku paraja është mbret; ku po dole në TV je dikush, po ke makinë je dikush, po je i talentuar je askush; në këtë vend ku të dobëtit vdesin e ku të fortët të shkelin me makinë; në një vend ku nuk jetohet, por mbijetohet; të gjitha këto, kur je 21 vjeç duhet ti kesh mësuar. Disa i mësojnë që 17 vjeç.

Po të mos e kishte shtypur makina, Elsiana do vazhdonte jetën e saj, sikurse shumë shoqe të veta, artiste ose jo, do vazhdonte të bënte videoklipe të sponsorizuara nga ky biznesmen, ose nga ndonjë tjetër, të ishte në qendër të vëmendjes, e të ishte dhe model për të tjerat, siç janë disa këngëtare tashmë në moshë, por që e kanë nisur si ajo.


AZIZËT

Azizi mund të jetë fajtor për vrasjen e një vajze.
Por, vrasjen e kanë pregatitur të tjerë.
Le ti marrim me radhë:

RAI

Fajtori i parë është RAI. Ose Mediaset. Ose Fashion TV. Ose Mtv. Më kujtohen burra 60 vjeç që nguleshin për të parë Ambrën para nja 15 vitesh në TV. Bota që “Non è la RAI” u ka treguar atyre prindërve në provinca, bota që Fashion TV u tregon fëmijëve të tyre është e rreme. Më keq, është kurth. Aty të tregojnë famën e suksesin, po nuk të tregojnë kushtin për ta pasur.

Henry Ford

Njeriu që futi idenë e konsumizmit. Konsumizmi, që më pëlqen të besoj se është shkaku i degradimit shpirtëror e shoqëror i Perëndimit. Të ardhur me vonesë në botën e konsumizmit, sot ne nuk bëjmë kompromis me asgjë. “Nëm”. Vetëm “nëm”*. Propozimi për dashuri na u dashka bërë me një palë çelësa makine dhuratë. Nuk ka rëndësi sa gra ke, mjafton të kesh para mjaftueshëm për t’i bërë të lumtura të tëra. Dhe ato nuk kërkojnë shumë. Vetëm gjëra që blihen.

Berluskoni

Shqipëria vuan nga “Sindroma e Berluskonit”. I pasur, i pushtetshëm, pak plak. Nëse flokët mund të mbillen, atëherë, dashuria mund të blihet. Me ndryshimin e vetëm, se tek ne Berluskonët në miniaturë nuk mbjellin flokë. I heqin fare.
Sipas “Sindromës Berluskon” nëse je e varfër, pa të ardhme, por e bukur, atëherë lidhjet e rëndësishme fitohen. E ardhmja blihet.
Paç fatin e Rubby-t.

Takimet Me Prindër

Prindërit e sotëm, në shumicën e rasteve nuk ia kanë idenë se ç’ndodh me fëmijët e tyre. Ata nuk ia kanë idenë se ç’është e “bardha”, “jeta e natës”, dhe prostitucioni made in Q.S.
Ata e kanë nisur vajzën me shkollë në Tiranë. Ata kujtojnë se është e sigurt në Qytetin Studenti. Ata kujtojnë që vajza është e talentuar. Ata ëndërrojnë që ajo të ketë një fat më të mirë.
Nganjëherë e ka. Nganjëherë nuk e ka. Varet, nga rrotat e makinës.

7 Marsi

Në 7 mars, mësueset do ishte mirë të mos festojnë, se nuk kanë asgjë për të festuar. Ajo makinë ka shtypur sistemin e vlerave që mungon, e që shkolla, bashkë me familjen duhe t’u japë këtyre fëmijëve.
Sistemi arsimor ka dështuar. Fëmijët që ata do duhej t’i ndihmonin të dalin në jetë, po dalin në jetë në sediljen e një Tuaregu, që nuk është i tyri.

Tuaregët

Tuaregët janë fise luftarakë të shkretëtirës. Gabimisht, meshkujt shqiptarë, kur hipin në makina të shtrenjta, automatikisht ndjehen po aq të fortë, si të ishin racë mbijetuese. Madje, ata edhe jetojnë si kapo Tuaregë. Në fakt janë e kundërta. Janë vetëm meshkuj me pasione infantile. Pasione, me pasojë vdekjen.

Scarface

Njeriu me shenjë, ka lënë më shumë se një shenjë në mentalitetin shqiptar.
Femrat, për këtë model meshkujsh, janë investim. “Kam hedhur para për të”.
Vrasësi i Elsianës, nuk është një vrasës par exellence.
Ai, më shumë mund të jetë një burrë xheloz e pasionant, i shkuar në moshë, që ka kujtuar se mund ta ketë tërë botën të vetën. The world is yours.

Shoqja E Bankës

“Një gjë që e ka shoqja e bankës, dua ta kem edhe unë. Nëse ajo merr dhurata të shtrenjta nga një burrë i pasur i martuar, i dua dhe unë”.
Djemtë e rinj kanë humorin, pamjen, emocionet. Burrat e martuar kanë paratë, makinën, dhuratat e shtrenjta.
Prandaj, këto gocat e vogla, te Azizët do të përplasen.
Moshatarët nuk kanë çfarë t’u japin këtyre vajzave, përveçse emocionalisht. Po kujt i plas për emocion?

Mund të ketë dhe të tjerë elementë, që kanë krijuar sterotipin shoqëror EMMY.
Sikur të ishte vetëm 1, 10, 15, apo dhe 100, ky stereotip nuk do përbënte problem. Por janë shumë. Ndoshta 100 mijë. Ndoshta, më tepër. Janë tepër shumë vajzat që aspirojnë të bëhen të famshme që 17 vjeç, dhe janë qindra biznesmenë që po i presin.
Dhe ky stereotip, këto vajza të reja që kanë ndërtuar këtë jetë për veten e tyre, nesër do të bëhen nëna. Nëna, pa një festë gruaje.


8 MARSI I VAJZAVE TË VOGLA

Në 8 mars, ju mund të bëni protesta. Mund të shkoni dhe në klube striptize.
E vetmja arsye për të protestuar, është për një vajzë të vrarë prej sistemit shoqëror-arsimor-vlerash që kemi ngritur.
E vetmja arsye për të shkuar në një kub striptize, është që të ndiheni se të paktën për një ditë në vit, ia jepni ju lekët një mashkulli, e jo ai juve.

Ose, mund të rrini në shtëpi. Po, po, as striptizë, as protestë.
Të paktën më 8 mars, rrini në shtëpi me vajzën tuaj.