Sunday, June 26, 2011

Shënime udhëtimi

botuar te Shekulli, e diel, 26 Qershor 2011

Në rrugën e Bregut, gjatë javës kalojnë më shumë betoniera se turistë.
Me ikjen e Bollanos nga Bashkia e Himarës dikush po tenton të ndërtojë në mënyrë të ethëshme sa në Jal, në Himarë a Dhërmi, pikat më të bukura të bregdetit. Përshtypja që të krijohet është që po nguten të ndërtojnë sa më parë, për sa kohë vëmendja është te zgjedhjet e te Kryetari ende i paditur i Kryeqytetit. Dmth, për sa kohë askush nuk e ka mendjen të merret me hallet e përditshme e për më tepër të zbatojë ligjin, është mirë që ca gjëra të bëhen fakt i kryer.

Bashkë me betonierat, zonën po e rrahin tani ekipe të tatimorëve, që sipas banorëve kanë ardhur për t’u dhënë një “mësim” zonave apo dhe bizneseve që votuan majtas.
Kjo mund të jetë e mund të mos jetë e vërtetë, por, në një shtet poturegrisur si ky i yni, është më e thjeshtë dhe më e sigurt t’i besosh zëra të tillë.
Por, edhe nëse nuk është e vërtetë, është problem madhor fakti që këtë shtet, njerëzit e perceptojnë (qoftë dhe pa të drejtë) si një shtet që herët a vonë do vijë të hakmerret.
E thënë ndryshe, shteti ka probleme me imazhin, siç kishte edhe Bollano.

BOLLANO NË DRITË

Tani që Bollano nuk është më, do të duket më qartë nëse ishte ai faktori problematik i bregdetit apo jo. Çuditërisht, fshatarët e bregut e vlerësojnë. Edhe ata që me krenari thonë “nuk di greqisht” edhe kur dinë.
Bollano, me sa duket, ka bërë për ta më shumë se të gjithë Kryebashkiakët para-ardhës. E kujt do t’ia merrte mendja? Në Tiranë u gëzuam më shumë me ikjen e Bollanos sesa me 2 alternativat dramatike që mund të qeverisin kryeqytetin.

Bollano, thonë, gjatë tërë qeverisjes së tij i bëri rezistencë të madhe presionit të biznesmenëve tiranas (dhe jo vetëm) për ta shndërruar bregdetin në kështjellë të pamposhtur betoni me hotele shumë-katëshe. Ende sot, përgjatë plazheve e fshatrave të bregut gjen vetëm ndërtime druri – të vetmet – siç thonë, të lejuara nga Bollano.

Sot që Bollano nuk është më, në rrugën e Bregut kalon një betonierë çdo 20 minuta. Betonierat, për ata që nuk duan kurrë të besojnë atë që po ngjet, nuk mbajnë lule brenda tyre por beton.
Ka shumë fshatarë që besojnë që pas Bollanos vjen kiameti.

APRÈS MOI, LE DÉLUGE

Është për tu habitur si e sa shpejt Bollano u demonizua nga media e Kryeqytetit për t’u bërë një prej figurave më të urryera të opinionit publik.
Pjesërisht, kjo ndodhi sepse media u tregua e cekët në vlerësimin e problemeve komplekse të zonës së Bregut, e pjesërisht ngaqë gazetarët raportojnë nga kafenetë e jo nga terreni. Pastaj, retorika nacionaliste, shpesh ka shërbyer si valvulë për të hequr vëmendjen nga problemet reale.

Nga ana tjetër, Bollano bëri gjithçka që nuk duhej të bënte për të ndërtuar një imazh të zi rreth vetes.
Personalisht mendoj që Bollano ishte më tepër një politikan jo shumë i zgjuar dhe i paaftë për të ndërtuar një imazh pozitiv.

Ai zgjodhi që publiku përtej fshatrave të Bregut, publik që e njeh vetëm nga gazetat e TV, ta njihte për fanatik filo-grek e të mos njihte anën tjetër të tij, atë që fshatarët e vlerësojnë tani. Faktin që ai i mbrojti nga uzurpimi i betonit e i parasë e nga njerëzit që “e duan” bregun vetëm për 6 javë në vit, 8 korrik - 22 gusht.

BOLLANO MËKATARI

Bollano, ka plot mëkate.
Në një vend të stërmunduar nga racizmi e ksenofobia e fqinjit, me pasaporta të grisura në kufi, me shqiptarë të dhunuar shpesh deri në perversitet nga policia e ushtria, ai vendosi me kokëfortësi të ngrejë flamuj grekë në majë të shtëpive, të ndërronte tabela rrugësh, të ftonte konsuj që flasin për toka greke brenda kufijve të njështeti tjetër, e të shkruante me sprey Ellas nëpër mure, aty ku nuk kishte nevojë. Identitetin e Himarës nuk mund ta përcaktonin as flamujtë, e as shkrimet greqisht, as konsujt. Identitetet kombëtarë trashëgohen, nuk shpiken.

Tendenca për të imponuar imazhin e një etniteti të dhunuar grek në Himarë, nuk i ka sjellë Himarës asgjë të mirë përveçse acarimit të pjesës tjetër të popullsisë. Himara nuk bëhet greke sepse ashtu do Bollano. As sepse ashtu i shajmë ne.
Duke mos dashur ta kuptojë, duke dashur ndoshta të bëhet hero aty ku nuk ka luftë, duke dashur t’i shërbejë dikujt në një kauzë të dështuar që në fillim, Bollano u bë tabela e qitjes nacionaliste.

Bollano, është sigurisht një personazh mëkatar. Një mëkatar, që e ka mbrojtur bregun nga shkatërrimi i njerëzve me vetura të shtrenjta e me shtetin nga pas.

Bollano ra, për t’ia lënë vendin një figure të re.

E REJA

Njerëzit me të cilët flas nuk kanë besim që Kryetari i ri i Bashkisë do të mund ta mbrojë Bregun nga ujqit, nga ata që deri dje shihnin vetëm malin, e sot, kanë vendosur të shohin detin.
Njerëzit e Bregut, për veten e tyre tërë jetën janë zgjuar duke parë detin. Nesër, mund të zgjohen duke parë beton.

Tentoj t’i pyes për Jorgo Goron, dhe thonë që është djalë i mirë. Djalë i mirë... me një “por” nga pas. Dikush më thotë që shumë vota janë blerë, një tjetër më shpjegon që Goro dhe Bollano janë kushërinj, fushatën e bëri në greqisht, dhe mbi të gjitha, i shqetëson fakti që ai e bëri fushatën me njerëz që nuk mund tu zihet shumë besë.
- Kështu është gjithë Shqipëria - u them - Më mirë kur i blen votat një djalë “i mirë”.

HIMARA

Edhe para 50 vitesh, himariotët sa ngriheshin në mëngjes hapnin sytë për “vapor”. Vaporë, që vinin t’i mblidhnin e t’i çonin në Greqi. Që kur fshatarët mbajnë mend, himariotët i kanë mbajtur sytë nga “vaporët”. Përjetësisht me sytë nga Greqia.

Barba Pilua, ngul këmbë të dijë pse mua duhet të më shqetësojnë ata që flasin greqisht. Përpëlitem me argumente. Barba më kujton fëmijët e kuksianëve, tropojanëve e dukagjinasve të lindur në Greqi që nuk dinë jo të shkruajnë, por as të flasin shqip. Atëherë, pse, vetëm ata shtetas shqiptarë në Himarë që flasin greqisht, duhet të jenë një problem?
Shqiptarët e Bregut, nuk e kanë problem greqishten e himarjotëve.

Duke bredhur rrugëve të Himarës, as unë nuk e kam. Të gjithë më përgjigjen shqip, që nga shitësja e markatës kamerierët, rojet, e deri te berberi. Ky i fundit, më thotë që pasi ka bredhur tërë Greqinë, ka vendosur që nuk ikën më prej këtu. Në këndin e dyqanit ka një TV të vogël të fiksuar te një kanal dokumentarësh i Dixhitalbit.

Sigurisht, flasin edhe greqisht. Por, greqisht mund të dëgjosh të flitet edhe në Grand Central të Nju Jorkut. Mua, më përgjigjen përherë në shqip.

Rrugët e Himarës janë të qeta. Shpirtrat tanë jo.
Përpiqem të kujtoj si mbërritëm deri këtu. Kush e shndërroi në problem të madh greqishten e himariotëve.

Kujtoj që nacionalizmi ushqehet nga mediat e blogjet në Internet. Të dyja këto, që vuajnë për profesinalizëm dhe vërtetësi.
Kujtoj që më pasionatët për të mbrojtur Himarën nga “grekërit” janë ata që nuk kanë qenë kurrë aty.
Kujtoj që Himara konsiderohet “problem” sa më shumë largohesh diametralisht prej saj.
Sa më drejt Veriut të ngjitesh aq më shumë patetika nacionaliste rritet. Në Kosovë, arrin kulmin. Sa e urrejnë kosovarët Bollanon!

E ARDHMJA

Në fshatrat e bregut, ka shumë punëtorë që flasin me theks verior. Fshatrat janë thuajse bosh, por muratorët kanë punë plot. Emigrantët po i ndreqin shtëpitë, edhe pse nuk jetojnë aty. Fshatrat janë të populluar me pleq vendas dhe me të ardhur nga zonat ku ka vetëm mal pa det. Të tërë duken në paqë, madje këta të fundit, duken dhe të lumtur.

Lula, pronarja e kafenesë, u thotë “si keni njehë” në gegnishte të vjetër ndërsa vetë punëtorët flasin me terma dialektorë të bregut. “Gjitonia” thotë mes fjalive një tip tek të 20-tat për atë që tërë jetën e ka thirrur “kojshike”.

Burrat e mençur të bregut, parashikojnë që pas 10-20 vitesh nuk do të ketë mbetur asgjë. Do të ketë vetëm ndërtime e fshatra turistikë. Që tani, Drimadha e ka humbur pafajësinë. Edhe fusha e Vunoit do ketë fundin e Qeramidhes në Jal. Në Himarë pritet bum kullash të larta.

Në darkë vonë, e vetmja zhurmë janë betonierat që ndërtojnë night-clubet e javëve të mos-shtetit.
Tek tuk fshatarët kanë tentuar ta ndalojnë vetë këtë mostruozitet, por, siç thonë, pas ndërtuesve janë njerëz të mëdhenj në Tiranë. Madje, dëgjoj që ndërtimet mbrohen me forca të Reneas.

Në këto kushte, më duket absurde që t’u flas njerëzve për lirinë e për ndëshkimin e të keqes me votë.

Greqia u jep 350 euro në muaj, Shqipëria i shemb me rruspa e u zë plazhet me betoniera. “Nacionalizmi” dhe “shqiptarizmi” tashmë, janë kthyer në pasione të snobëve të kryeqytetit e njerëzve të Internetit.

Tani, në rrugën e Bregut kalojnë non-stop betoniera. Betoniera që do ta kthejnë gradualisht Jalin, Dhërmiun, Drimadhën, Livadhjanë, e më tej Himarën, Qeparoin, Borshin në vende të pajetueshme, në bukuri të përdhunuara.
Fshatarët janë pasivë. Duhet të jetojnë.
- Kështu është tërë Shqipëria – më përgjigjen.

“Nacionalistët” e Facebook-ut e të diasporës do të vijnë fundjavave për të snobuar në Beach Bar-et trendy mbi prona të përdhunuara e mbi plazhe të denatyruara. Do të bëhen tapë, do dëgjojnë haus, e do shajnë Bollanon.

Pakica e heshtur, pak nga pak do pushojë së ardhuri në Breg, sepse i dhemb.

Sunday, June 19, 2011

Ky nuk është vend për pleq!

botuar te Shekulli, dt 19 qershor 2011

KY NUK ËSHTË VEND PËR PLEQ

Nga titulli, do keni menduar që në këtë Tartë do qaj halle pleqsh, jo varfëria, jo mungesa e vëmendjes sociale, etj. Në fakt jo. Është e njëjta ngatërresë që kam patur me filmin e vëllezërve Coen “No Country For Old Men” që do të përkthehej “Ky s’është vend për pleqtë”. Ngaqë edhe unë kujtoja se fliste për pleq, e kam neglizhuar që në fillim këtë fitues të 4 Oskarëve, derisa, rastësisht pashë që nuk ishte me pleq po me me vrasje e me trafik droge.
Ne, përherë e shoqërojmë idenë e pleqërisë me një lloj urtësie, pafuqie a përvujtmënie, deri dhe “gjynahqarllëk”. Këtë e bëjmë a duke konsideruar gabimisht që me pleqërinë vjen falja e mëkateve, a duke besuar që një plak nuk është më në gjendje të bëjë keq, madje, dhe duke u prekur që dikush është aq plak sa është përtej ndëshkimeve të kësaj bote.

Më kujtohet që ndërsa ish drejtues të Partisë së Punës dënoheshin me burg përjetoja ndjesinë “Hajt, se pleq janë. Ç’tu dënosh pleqve...”

E vërteta është që në botë ka plot pleq që kanë qenë në të ri të vet (madje dhe deri fare planë pleqërisë) diktatorë, oficerë SS, kriminelë, senatorë e deputetë të korruptuar, njerëz të mafias, shefa të mafias.

Prandaj, duhet të jemi të qartë se çfarë do të ndodhë me pleqtë. Jo me pensionistët. Me KËTA pleq! Me këta, që kur janë në pushtet veshin togën e gjyqtarit dhe kur dalin në pension veshin tunikën e pafajësisë.

Dhe kryesorja, çfarë do të ndodhë me ata që sot janë të rinj?

JETA PA TË NESËRME

Të rinjtë janë pjesa më e habitshme e realitetit tonë. Jetojnë sikur nuk do ketë të nesërme. Jetojnë, sikur do të jenë përjetësisht në pushtet, përjetësisht të mbuluar nga miqtë, përjetësisht të shpëtuar nga andrallat. Përditë përballemi me njerëz që abuzojnë me pushtetin në të tëra nivelet, përdhunojnë ligjin, shpërdorojnë fare pa kujdes postin a vendin e punës, shkaktojnë dëme të pariparueshme të pronës, mjedisit, jetës së të tjerëve, pa u kujdesur madje as që ti mbulojnë zullumet, të dalldisur nga një ndjenjë pandëshkueshmërie.

Kjo që ndodh, mbase vjen për faktin që jetojmë sot për sot, sikur të mos ketë të nesërme. Mbase vjen nga dehja me pushtetin, e shoqëruar me pak naivitet, injorancë e budallallëk. Mund të jetë iluzioni i të qenit i paprekshëm, iluzion që logjika e shëndoshë dhe përvoja e përbotshme e hedh poshtë.
Pavarësisht pse ndodh, më duket e habitshme që abuzuesit e sotëm kujtojnë se nuk do ketë të nesërme. A thua se nesër, gjithçka është bërë sot do jetë fshirë.

LIBRI I TË KEQES

Ajo që për shkak të dehjes nuk arrijnë të kuptojnë, është që të tëra shkruhen në libër.
Gjithçka e bërë, çdo veprim a letër e firmosur, çdo urdhër i dhënë me gojë a bisedë e bërë tête à tête, çdo vjedhje a vrasje, deri dhe çdo neglizhencë, shkruhet diku.
Nuk është një libër i zakonshëm që mund tia blesh të tëra kopjet (siç blejnë kopjet e gazetave me turpet e tyre në faqe të parë për ti zhdukur nga qarkullimi). Është libri i memorjes kolektive dhe i arkivave të shtetit, libri i jetës dhe i gjurmëve që të gjithë lëmë në të. Është libri i shërbimeve sekrete, wikileaks, raporteve, komenteve në blogje, artikujve, faksimileve, fotokopjeve, shënimeve me dorë mbi letra faksi, fotografive, çipave e mikrofilmave, si dhe mijëra dokumente që përditë qarkullojnë në zorrët e shtetit. Është libri i fshatrave dhe i tokave, i detit e i kujtimeve, i varreve e dashurisë për ata që shkuan “për lesh” për faj të dikujt që është ende gjallë.

Në një botë me këtë lloj teknologjie, nuk mund të ketë më Templarë me sekrete të fshehura. Të paktën, jo për një kohë të gjatë. Të tëra shënohen diku.
Është një libër, që herët a vonë do të hapet.

S’ka 2-3 vjet që një oficer i lartë nazist u kap ndërsa fshihej në Indi, pas 50 vitesh arrati. Ishte 84 vjeç. Iu dorëzua drejtësisë. Gjërat që kishte bërë në rini ishin shënuar në libër.

Nëse Masakra e Tivarit mund të hapej sot, atëherë kjo është një shenjë që çdo gjë do të hapet nesër.
Edhe varret mund të hapen pas 50 vitesh. Edhe dokumentet e atyre që e shitën këtë vend duke e bërë “si kullojëse makaronash” siç i quan Çelentano.
Gjithçka shkruhet në libër.

MOS U PLAKSH SI SEPP BLATTER

Mendimi se ç’do të ndodhë me pleqtë më erdhi duke parë Sepp Blater të rizgjidhje në krye të FIFA-s, mu në mes të akuzave.
Që në zgjedhjen e tij të parë më 1998, Blatter u akuzua për dhënie rryshfeti federatave që do e votonin. Blatter, është një person që askush edhe sot nuk e di se sa e ka rrogën.
Duke qenë në krye të një organizate të majme financiarisht si FIFA, ai ka arritur të krijojë një perandori të vetën ku arrin të zgjidhet me vota i vetëm, pa pasur konkurent.

Nuk dua të zgjatem te hallet e futbollit, sa tek mënyra se si e shoh unë rastin e plakushit Blatter.
Mënyra si e ka krijuar pushtetin, si është zgjedhur e ri-zgjedhur, mungesa e transparencës financiare dhe mbi të gjitha shkatërrimi i futbollit. Sigurisht, futbolli sot është më i ndjekur por kjo falë teknologjisë, ama është bërë më i turpshëm e i korruptuar e kjo falë menaxhimit të “familjes së madhe të Fifa-s”.
Duke e parë të rizgjidhet, të krijon idenë e një Kumbari që i ka ndrequr pipat me organizatat anëtare, që ka gjithçka nën kontroll, që askush nuk mund të hetojë për mungesë transparence brenda organizatës, që mediat i tremb me padi në gjyq, që është i përjetshëm.
Ai, me siguri e beson dhe vetë këtë. Nuk ka as pikëpyetje.
Megjithatë, gjithçka shënohet në libër.

Kur flas për pleq dhe për Sepp Blatter, nuk e kam fjalën te 1 plak i vetëm e kapedan i një anijeje të madhe. Sepp Blatter-a kemi gjtihandej, që në komunat e vogla e deri te godinat e rënda të shtetit, ka pleq që kanë ngritur piramidat e tyre të vogla a të mëdha të pandëshkueshmërisë e të korrupsionit.
Ata neglizhojnë faktin që drejtësia hyjnore mund të vonojë, por ajo njerëzorja shpesh mbërrin në kohë. Libri, është atribut njerëzor.

Shikoni Pinoçetin, që i kaloi vitet e fundit të jetës në gjyqe bashkë me familjen. Vdiq në arrest shtëpie, dhe u desh të merrej vendimi për ta liruar nga arresti që të mund ta çonin në spital për t’u zhdukur përfundimisht nga kjo botë pak ditë më vonë.
Çausheskun e dini, nuk ka nevojë t’jua kujtoj.
Shikoni Craxin, yllin e politikës italiane të viteve 80, ish-Kryeministër jetëgjatë që vdiq në arrati në Tunizi.
Shikoni Andreotin, ish-Kryeministër italian në gjyqe të gjata për lidhje me mafian.
Shembujt janë të gjallë e janë plot.
Pleqëria nuk është zgjidhja nga mëkatet. Është koha për të bërë llogaritë me librin.

Kjo është njëra nga arsyet pse pleqtë përpiqen ta përjetësojnë sundimin e tyre duke krijuar dinastitë e pushtetit. Gjithsesi, edhe kur ia dalin, hesapet me librin nuk mbyllen, vetëm transferohen. Nuk besoj se ka krim më të madh në demokraci se denatyrimi i saj në një demokrasti - një dinasti e fituar me anë të votës së ashtuquajtur të lirë.

FUNDI I DINASTIVE

Nuk jam unë që nuk i dua dinastitë, është bota e re.
Ajo që po ndodh në Greqi është pasoja e dinastive politike të krijuara prej dekadash. Politikanë që ua lënë Partinë bijve, gjyqtarë që ua lënë skeptrin fëmijëve, administratorë që ua lënë çelësin pinjollëve.

Ja si e përshkruan Stefanso Konsta situatën e krijuar falë politikanëve të çimentuar në pushtet që nga gjyshërit: “Fjalët si kleptokraci (që për ironi ka rrënjë greke), korrupsion dhe greva, tashmë janë përbërës integralë të sektorit publik. Duket si një dramë greke, ku aktori kryesor është i biri i Krye-zuzarit. Andreas Papandreu... Statistikat e Greqisë në një dekadë janë testamenti i dështimit të tij kolosal si Kryeministër.”

Dinastitë, nuk janë zgjidhja e kohëve moderne. Ato vazhdojnë të ekzistojnë e do të vazhdojnë dhe për ca kohë, sepse investimi i pleqve për të mbajtur në pushtet linjën e tyre të gjakut është i madh. Sigurisht, në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera, jo gjithmonë bijtë rebelohen. Bijtë, e kanë më kollaj ti gjejnë të tëra gati. Edhe pushtetin. Por, kjo nuk ka për ta përjetësuar atë.
Për fat të keq, aftësia për të mbajtur pushtetin nuk është e trashëgueshme. Dinastitë bizantine e më këtej, kanë treguar që bijtë zuzarë i kanë bërë rrush e kumbulla perandoritë e trashëguara.

Pleqtë, kujtojnë se bota e sotme është ajo e vjetra. Nuk e vënë re që metodat e vjetra nuk funksionojnë më aq mirë, ligjet e vjetra të mbajtjes së pushtetit nuk janë më operative. Edhe filmi Godfather III është më pak interesant se Godfather I.

BOTA E RE

Ky nuk është vend për pleq.
“No country for old men” – ka fituar 4 Oskar dhe nuk flet për pleqtë, po për botën që po ndryshon. Një botë, ku TË VJETRIT nuk mbijetojnë, sepse nuk gjejnë dot rregullat e kohës së tyre, sado të fortë të kenë qenë në të rinë e vet.
Titulli i filmit, ka një kuptim të thjeshtë: bota nuk është ajo që ka qenë. Edhe ata që janë të rinj duhet ta ngulin mirë në kokë këtë. Një epokë e re është në prag, edhe pse në gjirizin tonë ende nuk ndjehet.

Gjithshka, shkruhet në libër. Gjithçka do të mbahet mend.

Sunday, June 12, 2011

Thuaji Drogës "Po"

botuar te Shekulli, e dielë 12 qershor 2011, me titullin: "Droga, a duhet legalizuar?"

Tre fakte më detyrojnë t’i them drogës “Po!”:
(thuajse) të gjithë përdorin drogë, dhe, politikanët përdorin edhe më shumë se të tjerët; ndalimi i drogës vetëm ka ndihmuar që trafikantët e drogës të shndërrohen në grupet më të pasura të botës së krimit; dhe e fundit, luftën me drogën e kemi humbur.

Dua ta nis kjo e fundit.

LUFTA KUNDËR DROGËS ËSHTË HUMBUR

Më 2 Qershor, Komisioni Global për Drogën, për herë të parë, shqiptoi seriozisht faktin që lufta kundër drogës, kjo politikë mëse 50 vjeçare, është e humbur.
Shifrat globale tregojnë që në 10 vitet e fundit, përdorimi botëror i cannabis-it u rrit me 8.5%, i kokainës me 27%, dhe opiumit me 34.5%.
Komisioni këshilloi që të eksperimentohet me liberalizimin e drogave dhe krijimin e tolerancës në legjislacion për ata që kapen me sasi të vogla. Ai u shpreh, që lufta shumë-vjeçare kundër drogës mund të konsiderohet e humbur.

Në fakt, lufta Kundër Drogës, konsumon fonde të mëdha (vetëm në SHBA ha 150 miliardë dollarë në vit), mban të angazhuar shumë njerëz, policë e zyrtarë, që mund të përdoreshin me efikasitet diku tjetër, dhe mbi të gjitha, rrit koston e përdoruesve.

Situata është shumë e thjeshtë. Ai që do të përdorë drogë, do ta gjejë se s’bën, qoftë dhe duke vjedhur paratë e familjes ose të të tjerëve, qoftë duke shitur objektet shtëpiake e deri dhe trupin. Në club-et e Tiranës ka sa të duash femra që janë gati të të ofrojnë shërbime seksuale për tu qerasur me një dozë kokainë. Në celularët e shumë njerëzve, krahas numrit të picerisë e të kinemasë, është dhe numri i shpërndarësit të drogës.
Prandaj, duke e ndaluar tregëtimin e saj, nuk e ke penguar njeriun që do ta përdorë. Aq sa mund të ruhet nderi i grave duke i mbajtur mbyllur, aq mund të pengohet ai që ka vendosur ta përdorë drogën.

E vërteta që nuk e thotë njeri, është që (thuajse) të gjithë kanë provuar të paktën një herë drogë. E kam fjalën për brezat e të rinjve të demokracisë. Shifra zyrtare prej 40 mijë përdoruesish në Shqipëri më duket qesharake. Unë besoj se shifra është shumë më e madhe se kaq. Askush nuk ka shkuar të bëjë një sondazh në Parlament.

KUSH DROGOHET?

Të gjithë dinë që “drogë” përdor dikush, po askush nuk do ta mendojë që fëmija i vet, shefi i vet deri dhe deputeti i vet, përdor drogë. Shumicës së njerëzve të thjeshtë, atyre që vitet 90 i kapën në një moshë që nuk mund të ishin më trendi, u duket se droga ekziston, po diku tjetër, jo pranë tyre.
Droga, është shumë afër secilit prej nesh.

Nga të gjithë njerëzit që më rrethojnë, shumë të paktë janë ata që nuk e kanë provuar qoftë dhe një herë. Gjimnazistët, piktorët, DJ-të, njerëzit e jetës së natës, këngëtarët, politikanët e të gjitha anëve, ministrat, doganierët, studentët, konviktorët, plazhistët, refugjatët e kthyer, të burgosurit, vetë trafikantët, prostitutat e serës së lartë, prostitutat e sërës së mesme, turistët, zyrtarët e huaj, punonjës të administratës, në përgjithësi, çdokush që “merr vesh nga jeta” e heq një cigare hashash herë pas here, sa për të ardhur në qejf. Për çdo ditëlindje trendi, ka dhe një kek me marihuanë.

Ata më të pasurit apo ata më të famshmit, ata që kanë krijuar imazhin e njerëzve që i kanë të tëra në rregull, i fusin dhe ndonjë vizë kokainë, herë pas here. Pikërisht, ngaqë i kanë punët në rregull!
Kokaina është droga e vip-ave.
Droga, të bën të ndjehesh modern dhe trendi. Droga është “cool”.

Por, nëse të gjithë përdorkan drogë, atëherë përse është e ndaluar?
Nëse politikanët, deri dhe në instancat më të larta, përdorin në masë hashash e kokainë, atëherë pse e ndalojnë për të tjerët?

KUJT I INTERESON TA MBAJË DROGËN TË NDALUAR

Dikur droga, ka qenë e lejuar.
Të gjithë e kanë dëgjuar legjendën që gjyshet tona na vinin në gjumë me pak çaj hashashi që e rrisnin posaçërisht te cepi i bahçes. E pra, nuk është legjendë, është e vërtetë.
Dikur, droga ishte si kamomili. Derisa e ndaluan.

Droga është e ndaluar, sepse, duke qenë e ndaluar shumë njerëz mund të bëhen të pasur.
Politikanë të cilët marrin hisen e tyre nga tregëtia e paligjshme, segmente të policisë që u rri e vockël rroga e shtetit, kriminelë që duan të bëhen të pasur e të ndjehen të pushtetshëm, të papunë që nuk gjejnë diçka më të mirë për të mbijetuar, fermerë që nuk ia dalin dot të mbijetojnë duke mbjellë domate, dhe zgjedhin hashashin.

Asnjë nuk do që droga të liberalizohet. Nëse, kushdo do të mund të blinte drogën që do në farmaci, i vetmi që do përfitonte është përdoruesi – do e blinte lirë, dhe do e blinte të pastër. Ndalimi i drogës nuk e ndalon atë, vetëm e shtrenjton.

Liberalizimi i drogës do të zhdukte një herë e mirë tregun informal e trafikimin, do të zhdukte baronët e drogës që kontrollojnë deri dhe politikën, dhe krimin e lidhur me trafikun e shpërndarjen e saj. Mbi të gjitha, do e lejonte njeriun të ishte i lirë.

DROGA DHE E DREJTA NJERËZORE

“Mano Negra clandestina/Peruano clandestino/Africano clandestino... Marijuana illegal” këndonte Manu Chao, para disa javësh në koncert në Tiranë.

Ata që na detyronin deri para 1 viti edhe ne shqipëtarëve të ishim klandestinë në botën e lirë, ata kanë 50 vjet që ndalojnë drogën.
Interesat e mëdha mbi trafikun ilegal të drogës kanë paralizuar për një kohë të gjatë vendimmarrjen në Amerikë e Evropë. Marijuana është si kurdët apo libianët që kalojnë detin në gomone.

Marijuana ilegal!

Por, e drejta për të përdorur drogë është një e drejtë e patjetërsueshme njerëzore, njësoj si e drejta për të përdorur valium, vaj soje apo kamomil.

Para pak kohësh lexova që e drejta për të përdorur Internetin tashmë konsiderohet si një nga të drejtat e njeriut. Interneti, është një lloj droge. Televizioni është një lloj tjetër droge. Seksi, po ashtu. Ka një listë të gjatë gjërash ndaj të cilave jemi të varur në jetë. Kafeja, është tek lista e drogave të mirëfillta. Me 100 kafe kalon në overdozë!

Atëherë përse shteti lejon Internetin, TV, seksin e kafet, dhe ndalin hashashin e kokainën?
E drejta bazë njerëzore është që secili të bëjë çfarë të dojë me trupin e vet.
Njeriu ka të drejtë të pijë bar miu, të hajë sanduiçe që të shëndoshin, të thithë dhe pluhur suvaje po të dojë. Njeriu ka të drejtë të gëlltisë të tëra drogat që ekzistojnë, ato që janë shpikur e ato që nuk janë shpikur akoma. Njeriu supozohet se është qenie e lirë!
"Bari është përbashkuesi i njerëzimit" këndonte Bob Marley.

Sigurisht ky problem global lirie, vështirë të gjejë zgjidhje lokale në një vend si i yni. Ne jemi vendi që deri para 22 vitesh, i detyronim njerëzit të qetheshin sipas modelit të përcaktuar nga Partia dhe dënonim ata që ndiqnin modën e pantallonave kauboj.
Sot, e kemi kollaj ti gjykojmë përdoruesit e ti duam larg syve tanë, mundësisht në burg.
Sot jemi vendi ku dënohet me nga 6 muaj burg një djalë pse i kapen 10 gramë më shumë sesa lejohet në xhep.

Lufta kundër drogës ka krijuar 2 standarde. Goditen të vegjlit, e livadhisin të lirë peshqit e mëdhenj.
Sistemi i drejtësisë diku do të vendosë balancën. Nga ligjet kundër drogës do ta hanë përherë të pambrojturit, ata që janë bishtat fundorë të një sistemi ala “Piovra”. Ata që drogën e transportojnë ose shpërndajnë, sepse nuk kanë punë e të ardhme, ata që mbajnë marihuanë në xhep për vete e e për shokët, ata janë të penalizuarit e mëdhenj të sistemit, një sistemi ku (thuajse) të gjithë përdorin drogë.
Shikoni politikanin tuaj në TV. A i ka sytë e kuq? Po? Atëherë, sapo vinka nga një festë ditëlindjeje me kek...

PROBLEMI YNË...

Liberalizimi i drogës ndoshta nuk do të pakësojë numrin e përdoruesve, por, të paktën, përdorimi i saj nuk do jetë më trendi, apo “cool”. Të shkosh të blesh drogë në farmaci nuk është aq interesante sa ta blesh nën dorë në Klub e ta pish fshehurazi duke shkelur nga pak ligjin. Kjo mund të ndohonte për ti mbajtur njerëzit larg drogës.

Liberalizmi do bëjë që të tëra energjitë e fondet të përqendrohen te trajtimi i narkomanëve, e jo tek pajisja e policëve me kosa për të korrur parcelat majë malesh.

...E PROBLEMI I TYRE

Në hallet që ka Shqipëria, në një vend ku vetëm votat i vjedhim vetë, po të tëra ligjet e tjera presim të na i detyrojnë ti bëjmë, ngjan qesharake të flitet për liberalizim të drogave apo për politika eksperimentale. Kush jemi ne, Hollanda?
Në një vend si ky i yni është e pamundur të presësh vizione apo legjislacion të përparuar. Aq më pak që dikujt, ti bëhet vonë për përdoruesit, të vetmit që shkatërrohen nga lufta kundër drogës.
E di që ka halle të tjera, e askush nuk do të merret me drogën. Aq më tepër që droga, konsiderohet sikur nuk është problemi ynë, meqë është problem global.

Por unë besoj që është shumë dhe problemi ynë. Trafiku i drogës është përgjegjës për kapje të shtetit, për inkriminim të segmenteve policore, për dënime selektive, për shkatërrimin ekonomik të përdoruesve. Prandaj, duhet të fillojmë të mendojmë dhe për këtë.
Ne nuk mund të zgjidhim hallet e botës, por mund të fillojmë të pregatitemi për një epokë të re të lirisë njerëzore. Komisioni Global për Politikat e Drogës i përbërë nga ish-presidentë e ish-kryeministra të disa vendeve të botës sapo ka dhënë shenjën e parë.

Nëse jemi Hollanda te legjislacioni i martesave gej, mund të jemi Hollanda edhe në një fushë edhe më problematike. Por, në këtë rast luhen para të mëdha të pista dhe asnjë pushtetar nuk ka për ta ngritur seriozisht çështjen e drogës. Megjithatë, ne duhet të fillojmë të flasim për të.
Kohët po ndryshojnë. Njeriu është i destinuar të jetë i lirë, dhe mbretërisë së trafikantëve duhet ti vijë fundi. Duhet të fillojmë të flasim për të.

Sa për fillim, ti themi drogës “Po!”.

Monday, June 6, 2011

RI-AMNISTIMI

RI-AMNISTIMI
botuar te Shekulli (print) më 5 Qershor 2011


Në kinema, ka mbërritur filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit.
Kam pasur rastin ta shoh në premierë, kur u shfaq jashtë konkurimit në festivalin e Berlinit, në Forumin e Berlinales.
Madje kam shkruar për këtë film në Tartën “Mos Na bëj Filma” të botuar te Shekulli dt 20 Shkurt 2011, por me rezerva, meqë po flisja për një film që nuk kishte ardhur akoma para publikut.

Tani që filmi erdhi, vendosa ta rishikoj edhe një herë, pavarësisht rrezikut që paraqet hyrja në një kinema shqiptare.

HORRORI PARAPRAK

Eksperienca në kinema, i përngjan një filmi horror.
Pa filluar akoma filmi, kanë filluar mbllaçitjet. Njerëz që përtypin gjithçka të mundshme, zhurma qesesh patatinash, thithje kanoçesh me pip sikur po i shkulin gurët nga tëmthi dikujt, burra e gra që bëjnë muhabet lirshëm si të ishin në Bulevard, celularët që kërcasin si të ishin në klub, mosrespektimi i askujt e asgjëje.

Sjellja jonë barbare vjen pjesërisht prej mungesës së edukatës të të shkuarit në kinema. Një personazh në një film thotë që nuk e mban mend femrën që puthi për herë të parë, por mban mend filmin që po shihte me të. Kjo nuk mund të ndodhë te ne. Njerëzit shkojnë në kinema për të vrarë kohën, jo për të hyrë në një botë tjetër magjike për 2 orë.

Nga ana tjetër, ne kemi 20 vjet që kemi “fituar” të drejtën për të përdhosur gjithçka. Dallimi mes të përditshmes e të veçantës, mes veshjes së mbrëmjes e asaj ditore, mes institucionit e rrugës, mes përshëndetjes e pështyrjes, mes të bukurës e vulgares, mes sanduiçit e creme brule, nuk ekziston më. Ne i japim vetes të drejtë të përdhosim gjithçka. Meqë shoqëria nuk ka më norma, gjithçka është e lejuar. Kudo mund të pështyhet. Edhe aty ku shkruan “mos pështyni përtokë”.

Në këtë frymë shoqërore të pandëshkueshmërisë, kushdo mund të përgjigjet me zë të lartë në celular në pikën kulminante të filmit dhe askush nuk e pengon dot, as njerëzit e caktuar për të mbajtur qetësi në sallë.
Madje, këta të fundit më duket që as nuk ekzistojnë. Manaxhimi i kinemave është gjithashtu joprofesional: filmi s’ka mbaruar akoma, titrat nuk kanë nisur akoma, kur stafi ndez dritat e hyn pastruesja pa u ngritur akoma njerëzit.
Ekipi manaxhues sigurisht nuk mund ti pengojë njerëzit që sa kuptojnë që filmi po mbaron të ngrihen për të dalë tërë zhurmë e gati duke vrapuar. Sikur i kanë sjellë me zor në kinema. Por, menaxhuesit, së paku mund të edukojnë stafin e vet në respekt të rregullave shekullore të kinemasë: nuk ndizen dritat pa mbaruar titrat. Nuk mund të hyjë pastruesja, ndërsa njerëzit janë akoma në karrike.

Kinemaja te ne është njësoj si të tëra shërbimet e tjera publike e private: pasi ët knaë marrë lekët, duan të të përzënë sa më parë.

Pavarësisht se është më e sigurt ta shohësh filmin pirat nga videoteka, për hir të respektit për një film shqiptar, mora në sy rrezikun për të parë përsëri Amnistinë. Në kinema!

AMNISTIA IME 2

Deri në momentin e fundit, kisha mbetur pa film. Pa u bërë 5 vetë, kinemaja nuk e shfaqte filmin, pavarësisht se dikush mund të ketë sakrifikuar diçka tjetër për të ardhur aty. Në kafenetë e Tiranës nuk gjeje vend për tu ulur në atë orë, plot me njerëz që rrinë me orë në kafe e i tregojnë njëri-tjetrit muhabete Fejsbuku.

Në kinema, mund të mos e shihnim filmin, sepse në çastet e fundit, ishim ende 4 vetë, një çift dhe unë vetë i dytë. Shanset që të vinte një i 5-të ishin të pakta. Në Shqipëri është turp të shkosh në kinema i pashoqëruar.

Vendosa ta blej biletën e 5-të po vetë (pra bleva 2 bileta) që të mund të niste filmi. Çifti, pa nisur akoma filmi bënte fotografi brenda në kinema. Ndoshta për dokumentacion Fejsbuku.

Doja ta shihja patjetër “Amnistinë” me idenë që kur e sheh në një kinema shqiptare, me publik shqiptar (dmth, çifti tjetër), perceptimi është ndryshe. Në Berlinale, “Amnistia” nuk ishte film që binte shumë në sy – për fat të keq në festivale ka me dhjetëra filma si ai – të tëra tentativa për të bërë kinema autor.
Po kur e sheh kështu, si ishull të veçuar, në fund të një jave stresante plot dhunë televizive, eksperienca është tjetër.

Kam shkruar një herë për të, por “Amnistia” është një film për të cilin mund të flitet edhe 2 herë.

GJETJA E BUKUR

Pasi dola nga filmi, rilexova Tartën e vjetër, për të krahasuar emocionet.

"Amnistia" flet për Elsën nga Pogradeci (Luli Bitri) dhe Shpëtimin nga Tirana (Karafil Shena) që njihen e dashurohen ndërsa vizitojnë ajo burrin dhe ky të shoqen në burgun e Tiranës. Një herë në muaj, në të njëjtën ditë ata kanë të drejtën e një takimi seksual me bashkëshortët në burg. Pas takimit, ata kanë një takim me
njëri-tjetrin. Drama arrin pikun, kur shpallet një Amnisti që do ti nxjerrë nga burgu në të njëjtën ditë, të dy bashkëshortët.
Unë e dua shumë këtë histori.
Filmi hapet me një sekuencë që mbart një imazh të fuqishëm: Elsa, e pushuar nga puna kalon në oborr pranë një rreshti të gjatë punëtorësh që presin të pushohen edhe ata. Hijet e tyre në dheun e fabrikës së tekstilit i ngjajnë një hekurudhe që pret trenin e fatit që të vijë ti shtypë.
Për fat të keq, nuk ka shumë të tjera si kjo në film.
Autori ka zgjedhur të na tregojë në plane të ngushta një Shqipëri të shëmtuar nga jashtë e nga brenda, mes patriarkalizmit e pornografisë, me njerëz në dëshpërim dhe në prag të depresionit, me seks pa pasion e me një gjeografi të asfiksuar.


Besoj që pika më e fortë e filmit, është gjetja. Personalisht mendoj që është një nga gjetjet më të bukura të këtyre 20 viteve kinema shqipe.
Imagjinoni dy të burgosur që presin bashkëshortët në qelitë e pista, me lavamanët e leskrosur, me sustat e ndryshkura, për takimin seksual të përmuajshëm.
Imagjinoni 2 të tjerë, që jetojnë në një burg më të madh përjashta, mes halleve, monotonisë, papunësisë e stresit të një jete pa ngjyrë, që një herë në muaj, në datë 5, vijnë për të kryer detyrimet e tyre bashkëshortore ndaj 2 njerëzve që nuk i duan më.
Siç kam shkruar atëherë, unë e dua shumë këtë histori.

Është kaq kuptimplotë kur i sheh tek kryejnë marrëdhënien me bashkëshortët e burgosur, pa pasion, për detyrë. Por, kur Elsa dhe Shpëtimi lidhen bashkë, edhe marrëdhënia aty brenda ndryshon. Ata i mbyllin sytë. Ata janë aty fizikisht me bashkëshortët, por shpirtrat e tyre janë jashtë, me njëri-tjetrin.

Çifti në kinema nuk e arriti këtë pjesë. Dolën sapo u shfaq skena seksuale mes të burgosurit dhe gruas së tij. DikUsh duheT të vërë një shenjë te afishet: “S/N – ky film përmban pjesë me seks, dhe pak nuditet”.

“Amnistia” është një përpjekje serioze dhe për tu lavdëruar. Për mua, është një nga filmat më të mirë të këtyre 20 viteve, dhe regjisori jep shpresë për shumë më tepër.

Por, ka nevojë për të vënë gishtin në plagë. Në film ka gjëra që nuk funksionojnë.

KRITIKA

Së pari, do kisha dashur që Karafil Shenës t’i qe dhënë më tepër skript për ta ndërtuar personazhin e vet.

Unë mendoj që dëmi më i madh filmit nga pikpamja e stilit i vjen nga dëshira për ta bërë film “memec”. Filmi ka shumë pak dialogje. Shumë pak!
Më pak nga sa flet një njeri normal në një ditë, personazhet e flasin në 1 vit.
Sigurisht, personazhet janë njerëz që nuk kanë shumë për të thënë. Por, vend për dialogje kishte. Ato do kishin ndihmuar që filmi të kishte pak më shumë lëng jete. Shikoni jetën rrotull nesh: ka vetëm njerëz që flasin, për çdo gjë.
Ngjarjet vinin të copëzuara ngaqë gjuha vizive nuk i mbulonte dot e vetme, pa dialog. Për hir të “memecërisë” kishte personazhe që duhej të sforcoheshe shumë të kuptoje kush ishin. Vëllai i Elsës, vetëm në fund merret vesh që është i vëllai sepse filmi nuk të jep mundësi ta kuptosh. Vetë marrëdhënia e Elsës me të vëllanë është e cungët, e pazhvilluar, për mua krejt e panevojshme në film.
Ngjarja ngjan si një këngë me stakato – këputje. Përshtypja ime është që janë detyruar të shkurtojnë shumë në montazh për të eleminuar barqet në ritëm dhe kjo ka cunguar ngjarjen.

Skena e policisë që ka rrethuar detin, me varkën e djegur që pluskon pak metra larg bregut, dhe mbi të gjitha dialogu Elsë-polic është më i dobëti i tërë filmit.

Por, defekti më i madh në skenar është që momenti i njohjes mes çiftit vjen shumë vonë në film, aq vonë, sa nuk i jep kohë të zhvillohet si çift e as publikut që të lidhet fort me ta.

Gjeografia mungon. Nuk kuptohet kur jemi në Tiranë e kur në Pogradec. Stinët nuk perceptohet që po kalojnë.

Një piano (?!) në shtëpinë e një shpërndarësi gazetash dhe një nëpunëseje bashkie është një tentativë e dobët për të shtuar mish në tavën e ngjarjeve.

Një diçka që ngjan si moment lesbik mes Elsës dhe shoqes së saj, është gjithashtu i panevojshëm. Thjesht huton publikun.

Por, filmi përmban një vërtetësi që kinemasë sonë i mungon.

REALIZMI

Aktorët, me në krye Luli Bitrin kanë krijuar karaktere të forta që ne i shohim përditë në rrugë. I keni parasysh ata njerëzit e zakonshëm që na kalojnë përbri, fytyra të përditshme, “ordinere”, që i shohim vazhdimisht në rrugë e nuk u flasim kurrë? Ata janë aty, për të na folur me dramën e tyre, me vuajtjet, paragjykimet, patriarkalizmin, konjakun e lirë, klubin me era gjellë, cepat e rrënuar të asaj ane të qytetit që ekziston, edhe pse ne e shmangim. Këta personazhe jua përplasin juve jetën e tyre nga ky film.

Ky film është realist. Aq realist, sa të ngushton zemrën herë pas here. Aty është jeta e vërtetë, me kutitë e shkrepseve që ne i quajmë shtëpi, e në të cilat, realisht banojnë njerëz.

E dua shumë dhe finalen. Pa stërhollime, pa cic-mice të tepërta. Një dashuri pa happy end, dy krisma të thata, dy jetimë, një plak i gërryer nga morali i provincës, dhe një llosh i madh e tullac që del i mbuluar vetëm me peshqir në oborr.