Sunday, August 28, 2011

Një pivo me Karafil Shenën

botuar te Shekulli, 28 gusht 2011

Në një nga burgjet e vogla të Aeroportit të Vienës, burgje që ngjajnë si kabina telefoni – të vetmet vende ku lejohet duhani, pra që kryejnë funksionin e oxhakut – shoh një fytyrë të njohur.

Është Karafil Shena. Njerëz si Karafili janë të rëndësishëm në jetën time përderisa shoh me nostalgji të paktën një film në javë nga ata të kohës së Enverit. Karafili, për ata që emri nuk u lidhet me fytyrën këtë çast, është Fotaqi tek “Në çdo stinë”, personazhi që thotë një nga batutat klasike të filmit: “dhe në takimin e parë të dashurisë së parë, u ndamë për arsye parimore… Ajo nuk njihte Danten… Molierin…!”.

Karafili piu cigaren, doli nga qelia-oxhak, dhe u ul në banakun e Strauss Caffe të aeroportit. Këmishë e bardhë, mëngë të përveshura, porosit një kafe duke hedhur sytë përhumbshëm përreth.

Shoh Karafilin, ndërsa rrufis dhe unë një kafe, 3 tavolina më tej e ndër mend më vjen Shqipëria e para ’90.

Minus ‘90

Vras mendjen pse shumë njerëz, të paktën nga ata që njoh unë, i kthehen përherë me nostalgji filmave të kohës së Enverit. Më pak, ose aspak besoj, librave. Një nga arsyet është se që nga vitet ‘90 lëngu përcjellës i filmit është shtuar, ndërsa ai i librit, thuajse shterrur. Dikur çdo familje kishte etazher, por jo me doemos televizor. Tani, ndodh e kundërta. Kemi nga 2-3 televizorë në shtëpi dhe ndonjë libër, shpesh dhe ai është libër telefonash. Nuk flas për të gjithë, por për një masë të madhe. Por, arsyeja kryesore besoj pse i kthehemi filmave të realizmit socialist, edhe pse në to dukshëm depërton propagandë partie, është nevoja për të pasur kujtesë. Dhe këtë kujtesë, më mirë se filmi nuk mund ta bëjë asnjë medium tjetër. Ka 20 vjet që herë në mënyrë të pandërgjegjëshme e herë të qëllimshme, kujtesën po na e bjerrin. Mënyra sesi e tregojnë historinë në shkolla, si e përcjellin komunizmin në TV, dokumentarë e biseda, perceptimi që na vjen për 50 vite të jetës së një kombi, është aq i përçudnuar sa nuk ka më. Duket, sikur në atë periudhë njerëzit nuk kanë jetuar. Njerëz me akses në mediumet publike duan të përçojnë me forcë versionin e tyre të jetës së asaj kohe. Në fakt, çdo jetë e jetuar, ka vlerën e saj, dhe duhet treguar. Por, jeta e para ’90 nuk tregohet e plotë. Ka 20 vjet. Përveçse në filmat e realizmit socialist.

Në filmat e para ’90 vijnë ngjyra, tinguj dhe vende që nuk janë më. Gati më vjen të pëlcas nga inati që regjisorët atëherë kanë punuar shumë pak me plane të gjera. Diku, mund të kapësh një plan shumë të shkurtër të Lanës, siç ka qenë. Në një film tjetër, një copë rruge që nuk është më. Tiranën e vjetër, atë të masakruarën në këto 20 vjet, mezi e mbledhim me pikatore nga këta filma. E pastaj njerëzit. Gjuha. Fytyrat e dashura të një kohe kur kemi qenë fëmijë, e që na e kanë shkulur me të tëra format. Jeta, jo krejt siç ka qenë, por prapëseprapë jeta e këtij populli, arrin të depërtojë nga këta filma. Jo mes propagandës, por, e fshehur poshtë saj. Mes muzikës së filmave, mes karaktereve autentikë, në ato dhomat e vogla me bufetë e kanapetë, të tëra njësoj, për të gjithë. Ka një Shqipëri të para ’90, dhe ajo, ka mbetur vetëm aty.

Strauss Cafe

Kur e pata parë Karafilin, (Fili – për miqtë), në filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte, “Gjallë qenka ky?”. Sepse, meqë ajo kohë na duket e vdekur, edhe ata aktorë që kanë luajtur atëherë duket sikur kanë ikur bashkë me kohën. Karafili ka mbaruar kafen dhe ngrihet për të ardhur vërdallë, në një nga aeroportet më të mërzitshëm të Europës. Duhen të paktën dy orë derisa avioni që me sa duket presim të dy të bëhet gati për nisje.

Do kisha qejf ti flisja, por, më kujtohen artistët tanë, ata që nuk ikën kurrë nga vendi, me komplekset e tyre, e kjo më ndal. Po sikur ta bezdis?

Shoh edhe një herë orën. Fili sheh orën e nisjes në tabelën e orareve. Ka shumë kohë përpara dhe unë vendos ti flas. Ajo që më dukej shumë e vështirë, del, që ishte shumë e thjeshtë. Brenda pak sekondash, ja ku jemi, dy shqiptarë, në mes të një babeli gjuhësh ku mbizotëron sllavishtja.


Një pivo, dy pivo, shumë pivo

Kamarieri e merr Filin për serb. I drejtohet në serbisht, dhe unë mezi kap vetëm disa fjalë. Fili tenton ti sqarojë që nuk është serb, po kamerieri nuk bindet. I buzëqesh, e i flet ‘opet’ serbisht. “Më ngatërrojnë shpesh për serb”, thotë Fili. “Mbase nga mbiemri…” i them unë… “ose nga profili”, thotë ai.

Kamerieri ngul këmbë me serbishten. Madje, duket sikur mërzitet që Fili ia kthen në anglisht.

“Mbase mendon që jam nga atas serbët e rritur jashtë që bën tangërllik” thotë Fili me të qeshur. Për ti rënë shkurt, porosisim nga një pivo, mallo pivo, me ato dy fjalë të pakta që njohim nga fqinjët dhe unë mezi pres të flas me të për filmat.

“Bujari është trim” më rrëfen Fili për regjisorin e filmit Amnistia. Ai film është bërë me shumë mundime, dhe donte trimëri të çohej deri në fund. “Kur lexova skenarin, e vetmja gjë që i thashë është, ta bëjmë. Vetëm na siguro një tas groshë e një krevat në shesh xhirimi, asgjë më shumë”.

I rikthehemi filmit, unë me vërejtjet e mia, ai me kujtimet e veta. Kujtojmë skenën e burgut. Një skenë rrënqethëse në film. Alimani e kishte kërkuar me qiri atë vend, dhomën e takimeve intime të të burgosurve, ku dhe qentë do ndjeheshin keq të kishin një marrëdhënie, dhe e ruajti origjinale. Fili kujton entuziasmin e regjisorit që i tregonte për qelinë e takimeve që kish gjetur, të ndryshkur, të lagësht, të mykur, çnjerëzore. “Më tha, eja shihe se e kemi si yll… Nuk dua ta shoh i thashë Bujarit. Vajta direkt në xhirim. Ishte një skenë që nuk kishe nevojë të luaje. Vetë ai vend, origjinal e aspak i krijuar, të detyronte të ishe ai personazh!”

Roli i Filit, është roli më i vështirë në film. Aq sa, mua më gërryen përbrenda fakti që regjisori nuk i ka dhënë më shumë hapësirë që të zhvillohej. “Drama kryesore ishte e vajzës” thotë Fili për Luli Bitrin. Personazhi i Filit është ai i një burri i cili jeton një jetë boshe, mes depresionit social, alkoolit të lirë, filmave porno ëq i sheh në mënyrë pasive, e punës në shtypshkronjë. Një burrë, në jetën e të cilit nuk ndodh asgjë, përvese vizitat seksuale një herë në muaj tek e shoqja në burg. “Më ka mbetur merak që nuk më ka dalë një detaj, thotë. Personazhi im, tërë kohën pastron bojën me thonj nga gishtat”.

Vijnë pivot e dyta, dhe Fili, që ka dështuar të mos duket si serb para kamerierit, vetëm i buzëqesh. Ai ka vite në Greqi, ku punon si manaxher shpërndarjeje në firmën e disa miqve të vet. herë pas here luan dhe në Teatër, ka bërë dhe disa filma. Por, Greqia është si Shqipëria, me teatër nuk jeton dot. Dhe në këto kohë krize, është akoma më keq. Në Greqinë e 17 filmave në vit, këtë vit mezi janë prodhuar 3. “Festivali i Selanikut, thotë Fili, nuk do ketë më filma grekë”. Ai vetë nuk e ndjen luksin e të refuzuarit të roleve. Të vetmet role që nuk do të pranonte të luante janë ato ku denigrohen shqiptarët. Në teatër, kujton, ka refuzuar vetëm një rol të tillë. Por, shumica e artistëve janë korrektë, dhe shumë dashamirës ndaj nesh.

E pyes nëse është i martuar. “Jam shumë i martuar, vetëm unë nga kursi im kam ndenjur me të njëjtën grua”. Dhe qesh. Më vonë, kur ti vijnë miqtë me të cilët do të niset në festival, do fillojnë të flasin për fëmijët e tyre, për jetën që bëjnë në Greqi, dhe aty do të mund të shoh copëza jete njerëzore në emigrantët e integruar.

Pivot e fundit

“Tirana, më priti si një talent të ri” kujton Fili premierën në Tiranë. Është e çuditshme. Polici i filmit “2 herë mat” që rikthehet në një kohë tjetër, me një film, në të njëjtin vend. Në fakt, nuk është i njëjti vend. Vendi që ai ka lënë, është shndrruar ngadalë në një tjetër. Mua më duket sikur ata aktorë të “minus 90-s” apo ata artistë, nuk do të kthehen dot më. Ja, psh., Arben Imami, shok kursi i Filit. Për mua ka 2 Arben Imamë. Ai që luante tek “Në Çdo Stinë” dhe Imami tjetër, i “plus 90-s”, Imami i kohës së demokracisë. Shumë njerëz, kohët e reja i kanë ndarë në dy pjesë. Një pjesë e kanë lënë andej, para ’90-s, dhe në kohën e re kanë ndërtuar njeriun e ri të tranzicionit. Prandaj Tirana e priti si talent të ri aktorin e vjetër. Ne kemi vënë një perde me atë kohë e me ata filma.

Por, Filit nuk ia them këtë, tani që pivot na bëjnë të na duken të tërë rreth nesh, serbë që buzëqeshin me dashuri. Ky film, duket sikur e ka ringjallur aktorin për publikun dhe komunitetin artistik të Tiranës. Kjo i mjafton. Me modestinë e tij nuk kërkon më shumë. Vetëm të luajë filma, e njerëzve tu pëlqejnë.

Orët kanë ikur duke folur për filmat e për njerëzit, dhe mua më vjen zor ta pyes për jetën para ’90-s. Kamerieri, na e sjell faturën e na thotë me të qeshur diçka në serbisht.

Unë jam i vendosur të paguaj. Jo se jam tip xhymert. Por, po paguaj detyrimet që kam ndaj asaj epoke që njerëz si Karafil Shena e kanë marrë me vete dhe e mbajnë akoma të paprekur atje ku jetojnë, larg Shqipërisë. Njerëzilliku i asaj kohe, për aq sa ka qenë, është akoma, diku. Në emigracion. I paprekur nga etja për të bërë gropa e për të ngritur pallate i epokës sonë të tranzicionit.

Sunday, August 21, 2011

Ankthi i Panevojshëm i Gushtit

botuar te Shekulli, 21 gusht 2011

Këto ditët e fundit ka qenë e pamundur të mos ndjesh ankthin në rritje të njerëzve ndaj letrës së hapur të Edi Ramës, ku përcaktonte kursin e ri të vetin e të Partisë së vet.

Është pak e vështirë të ndash me vijë se sa ndikon letra e sa ndikojnë efektet e vapës së gushtit. I keni parë ata njerëzit që edhe pse janë në makina me kondicioner, i japin makinës çuditshëm në rrugë, me veprime të pamenduara e të papritura, duke rrezikuar veten e ty? E keni vënë re sa keq i bën vapa shoferëve?

Imagjinoni tani një person që e kanë vënë të ngasë një autobus me njerëz në një rrugë që nuk i shihet kreu, nën vapën e presionit popullor. Ky autobusi, mirë që është i mbushur plot me njerëz që kanë midera të çuditshme e nuk u dihen orekset, por ka fatin e keq të jetë i vetmi që e bën atë rrugë e plot njerëz të jenë kapur pas tij si kalamajtë te spondet e skodave dikur. Dhe tani, njerëzve u thuhet me një letër, zbrisni nga autobusi, se nuk shkon për “atje”.

Mbi letrën

Ta shohim pak këtë letrën. Nuk dua as ta analizoj, e as të shpjegoj. Më intereson më tepër reagimi ndaj letrës sesa “letra”. Thelbi i gjësë është pak a shumë e kundërta e asaj që të gjithë prisnin prej Edi Ramës. Kjo letër, vjen pas mijëra “letrave” virtuale të hedhura nëpër blogje nga njerëz të frustruar nga realiteti politik e ekonomik i këtij vendi, në intervista aleatësh e nga pretendime militantësh.

Është fare i dukshëm presioni i ngritur mbi Edi Ramën për ta çuar luftën deri në fund, me mjetet e deri tanishme, revolta, greva urie e etjeje, bojkotime parlamenti, denoncime zgjedhjesh, etj. Ishte ajo çfarë prisnin njerëzit prej tij, kur, tani marrin vesh se “iku vapa me gushtin”. Prandaj kursi i ri, ai i bashkëpunimit institucional për kodin, i ka lënë të gjithë të trashur, të pezmatuar e irrituar.

I reduktuar, mesazhi i letrës erdhi në veshin e shumë vetëve, i tillë: “protestat bëjini vetë po deshët, se unë nuk kam ndër mend ti udhëheq. Pushtetin do e marr kur të më vijë rradha”. Nuk do shumë mend për ët kuptuar pse shumë njerëz gjykojnë se ky nuk është frymëzimi i duhur për një “Shqipëri tjetër”.

Në sytë e shumë vetëve ajo letër është një tradhëti, tradhëti ndaj fëmijëve të Ziver Veizit, tradhëti ndaj atyre që u gjakosën me 21 janar, tradhëti ndaj atyre që dolën për zi më 28 janar, tradhëti ndaj atyre që ia dhanë me pahir votën së fundmi, të bindur se Rama është e keqja më e vogël.

Ka nga ata që besojnë se një marrëveshje nën tavolinë duhet të jetë bërë, dhe se diçka i është premtuar. Ka të tjerë që besojnë se më shumë kanë ndikim tek ai fjalët e ambasadorëve sesa interesat e elektoratit të majtë.

Shkurt, të tërë ata që njoh e plot që nuk njoh, janë pezmatuar keq. Ata ndjehen të tradhëtuar.

Por jo unë.

Mbi tradhëtinë

Arsyeja pse nuk jam aspak i zhgënjyer, e aq më pak i pezmatuar, është se nuk kam pritur kurrë asgjë nga Edi Rama.

Ajo që po u ndodh njerëzve është zhgënjimi nga një ëndërr që nuk ka ekzistuar në të vërtetë. Ata kishin vënë pritshmëritë e gabuara tek njeriu i gabuar. Me këtë nuk dua të them që Edi Rama është burrë i keq e as frikacak. Nuk kam informacionin e mjaftueshëm për ta gjykuar. Thjesht, ai nuk ishte personi ku duhej shpresuar.

Duke i kërkuar që të bëhet luftëtar, të marrë përkrenaren e të zhveshë pallën (atë prej metali) për të udhëhequr protestat (edhe të dhunshme) njerëzit i kanë kërkuar atij diçka që ai nuk mundej atëherë e nuk mundet tani ta bëjë. I gjendur nën presion, ka shumë kohë që ai është përpjekur ta luajë atë rol. Por, nuk është roli i tij dhe për këtë ai nuk ka asnjë faj.

Arsyeja pse njerëzit i kishin vënë të tëra shpresat te Edi Rama, mund të jenë disa. Madje, disa kishin vënë dhe më shumë se shpresat, kishin vënë NJË shpresë, të vetmen! Si njeriu që luan fishën e vet të fundit në kazino me të cilën i merr të tëra ose humbet gjithçka.

Disa e kanë bërë sepse në mënyrë të pandërgjegjëshme e shohin zgjidhjen për hallet e Shqipërisë në mënyrë institucionale. Presin që zgjidhja të vijë brenda establishmentit politik. Dhe në këtë varfëri politike, mundësitë e zgjedhjes janë të mjera.

Disa, i kishin hedhur shpresat aty, sepse, mendojnë bardh e zi. Ka njerëz që e shohin politikën si fushë shahu, ku luajnë vetëm gurë të bardhë e të zinj. Meqë ka ca vjet që po fiton i ziu, i vunë shpresat tek i bardhi. Nuk e di se çfarë i bën të besojnë edhe pas 20 vjetësh drama politike se, establishmenti politik i majtë është më i aftë ta ndërtojë këtë vend se i djathti.

Këtu politika nuk luhet me gurë të bardhë e të zinj, por luhet në fushë me dritë e fushë pa dritë, prej nga vijnë iluzionet e të bardhës e të zezës. Fituesi, luan në fushë të errët. Kundrështari, pret ti zërë fushën. Prandaj ngjajnë përherë të zinj kur janë në pushtet. Luajnë në të errët.

Disa, i vunë shpresat tek Edi Rama duke qenë pragmatistë. Është e vetmja figurë në opozitë, dhe sigurisht nuk ka kohë as për të shpresuar e as për të punuar për të sjellë kalorës të rinj. Duhet ndërruar pushteti tani, e le të shpresojmë që në qeveri do jetë ndryshe sesa në bashki.

Ka dhe të tjerë që për fat të keq, nuk shohin dot më larg se hunda e tyre.

Të tërë këta, ca me gjysmë zemre e ca me shpresë të plotë i ngritën pritshmëritë nga Edi Rama shumë lart. Dhe tani ndjehen të zhgënjyer. Për mua, i vetmi zhgënjim është që Edi Rama ka humbur sensin e humorit e të batutës, ka humbur të qenit “interesant”. Kjo po që është një humbje reale, një zhgënjim real. Por jo se humbi kalin dhe shpatën!

Ai, nuk ka pasur asgjë prej luftëtari me shpatë. Sigurisht, do kish qenë më e udhës të mos i bënte njerëzit të ëndërronin, por, me zermëgjerësi edhe mund ti falet. Fundja, deshi të ishte në lartësinë e një heroi postmodern. Nuk ishte rradha e tij.

Letra e tij është akti i sinqeritetit të parë, pas shumë kohësh. Ai, nuk mundet dhe e di që nuk e luan dot atë rol. Mendja ma do që për shumë kohë ka besuar se edhe mund ta luajë. Piktorët, nuk mund të luajnë “doktorash”.

Edi Rama ka lënë pas një shëtitore para ish-pallatit të pionierëve – gjëja e vetme e bukur në këtë qytet mostruoz – dhe ca vizatime mbi ftesat e seminareve ku ka marrë pjesë. Boll kërkuat prej tij më shumë. Lëreni të qetë.

Si tek filmi Matrix, ai nuk ishte “the One” dhe nuk ka pse mban ankth për këtë.

Mbi njeriun

Unë nuk kam votuar këtë radhë. Më saktë, kam votuar kundër të 2 kandidatëve. Të dy kishin kaluar vite në pushtet dhe na kishin dhënë mundësi të shihnim sesi dinë të qeverisin. Sigurisht, plot njerëz votuan për interesat personale, po unë s’kam punë me ta. Kam punë me ëndërrimtarët. Me ata që, me gjysmë-zemre, por prapëseprapë me shpresë, e hodhën votën këtë radhë. Unë nuk kam votuar. Sepse, nuk kisha e nuk kam pritshmëri për asnjërin nga kandidatët.

Atëherë, ku duhet shpresuar? Nëse ky jo, ai tjetri jo, atëherë kush do të vijë me shpatë në dorë ta çajë këtë lëmsh të pistë në mes e ta bëjë këtë vend më të njerëzishëm?

Nuk e di. E vetmja gjë që mund të them me siguri është se kush nuk mundet ta bëjë. Asnjë nga këta që keni në listat e votimit. Sa më të qartë të jeni për këtë, aq më të ulëta pritshmëritë, aq më i vogël zhgënjimi, dhe aq më shumë do rrini duke parë në horizont për një shpresë tjetër. Një shpresë, jashtë këtyre emrave e këtyre partive.

Ajo që na duhet tani nuk është thjesht një hero. Është ca më shumë. Është një mbinjeri në kuptimin niçean të fjalës. Rrjeta e pistë është bërë e frikshme, gradualisht po ndyhet çdo funksion shtetëror e qytetar. Thuajse çdo qelizë e funksionimit të shtetit është e korruptuar. Prandaj druaj se thjesht një hero nuk mjafton.

Për të mos i hyrë edhe më thellë përrallës së mbinjeriut, e vetmja gjë që mund të them është që unë besoj se një njeri do të vijë herët a vonë.

Ky vend nuk ka ardhur deri këtu mes shekujve, kot. Diçka, një ekuilibër i çuditshëm mes të mirës e të keqes në disa pika të historisë sonë ka bërë që e keqja mos e fundosë dot këtë vend. Historia ka treguar që ne kemi qenë në këtë pikë më shumë se një herë. Ata njerëz me flamuj e si të dehur nëpër rrugë janë parë edhe para 90 vitesh. Atëherë bërtisnin “Dum Babën”.

Koha për një njeri ka ardhur. Nuk e di sesi, por, do ta njohim.

Mbi pyetjen

Shumë njerëz do donin ti bënin shumë pyetje Edi Ramës. Disa me të ngecur, disa të drejtpërdrejta, disa njerëzore, disa pa përgjigje. Dis mbi të ashtuquajturën “tradhëti” e disa naivë “sa para ke?”.

Unë nuk e kam pasur e as e kam kërkuar fatin që ti bëj ndonjëherë ndonjë pyetje. Nuk kam se çfarë ti pyes. Siç ju thashë nuk kam pritur kurrë që ai të ishte heroi dhe nuk ndjehem i zhgënjyer nga ai.

Pyes veten se çfarë i mban këta njerëz këtu? E kam fjalën për këta që kanë vjedhur dhe janë bërë të pasur brenda muajsh pasi morën një post. I dimë të gjithë me emra, shumë i njohim dhe personalisht. Pasi kanë fituar aq para (“sa për 3 breza” thuhet), më lind pyetja, “pse rrinë akoma këtu”.

Pse rrinë të durojnë baltën në fytyrë, përfoljet në media e në tavolina për korrupsion, si mundet të jetojnë ata e fëmijët e tyre mes një energjie negative urrejtjeje që i rrethon? E vetmja përgjigje e pakënaqëshme dhe e paplotë që më vjen, është, “se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër”. Përveçse të vjedhin e të kenë pushtet të pamerituar, nuk do dinin ç’të bënin. Qoftë dhe me disa milionë euro në bankë.

Ndryshe nga këta që si profesion të vetëm në jetë kanë “pushtetarin”, Edi Rama është piktor. Mbase, po të ikte diku tjetër, ka një profesion që mund të rifillojë. Ka diçka me të cilën mund të merret, ta zemë, në Francë.

Tani që e mendoj, mund ti kisha bërë një pyetje. Vetëm një, që kam frikë se as ai vetë nuk e ka përgjigjen.

“Pse, do që të bëhesh kryeministër?”

Sunday, August 14, 2011

Shock To The System

botuar te Shekulli dt 14 gusht 2011

Perandoritë po bien. Njeriu, po ngrihet. Diçka ka në ajër.

Në fillim vendet arabe, tani Anglia. Nuk dua të them, Britania. Dua të them Anglia. Nuk jam britanik dhe e kuptoj vetëm së jashtmi nevojën e tyre për të thënë “jemi britanikë”, në vend të “jemi anglezë” apo “skocezë”, apo “uellshë”. Perandoritë, po bien. Kombet po ngrihen.

Ka diçka që më tremb e ka diçka që më ngjall shpresë në tërë këtë që po ndodh, dhe desha ta ndaj me ju.

Në fillim desha ta quaja këtë Tartë, “leksione angleze”. Por, meqë po e shkruaj duke dëgjuar një cyberpunk të lashtë të vitit 1992 nga Billy Idol, mendova, në dreq me titujt politikisht korrektë. Le të flasim për shpirtin. Për shpirtin e zjarrit, të revoltës, e të huliganizmit. Për gjërat që po digjen e që do të digjen. Në 1992, revoltat në Los Angeles ishte një shock për sistemin. Tani është më shumë. Mund të jetë fundi i sistemit. Fillimi i fundit.

Ahh riot, rape, race and revolution…

Kështu e fillon Billy Idol, këngën që e ngriti fill pasi Los Anxheles u dogj nga protestat disa ditëshe më 1992, nëse nuk gaboj. Në atë kohë, sistemi ka qenë ndryshe. Bota ka qenë tjetër dhe muzika po ashtu. Vitet ‘80, të cilat përkufizuan një nocion tepër të lartë të lirisë po mbylleshin e bashkë me to edhe përkufizimi i lirisë. Sikur perëndimi të mos kishte qenë ai që ishte në vitet ‘70 e ‘80, ndryshimi i madh politik në lindje mund të mos kishte nisur. Por, magneti i lirisë ishte shumë i fortë. Perëndimit i duhej ky magnet për të thithur lindjen komuniste e për të dëshmuar superioritetin e sistemit. Kur flas për sistem, e kam fjalën pikërisht për atë, perëndimorin, që u standartizua në vitet ’80 me demokracinë dhe kapitalizmin, lirinë dhe të drejtën e revoltës, me sindikatat e studentët.

Pa qenë ekspert, e pa dashur të stërholloj teorira të përgjthshme, s’mund të rri pa vënë re që në lindje demokracia nuk arriti të funksionojë. Dhe kur them për lindje, nuk e kam fjalën për ne. Politikisht, ne jemi në lindje të lindjes së Lindjes. Ne jemi dhe më në lindje se Kina, po qe për atë punë. E kam fjalën për vendet e lindjes europiane, me një traditë të mëparshme qytetarie e demokracie, me lidhje organike të vjetra me kontinentin. Me vende, ku demokracia ka lindur, e nuk është importuar. Nëse dhe Hungaria e Çekia nuk arritën ta marrin standartin e lirisë e ta aplikojnë pa probleme, atëherë vetë sistemi ka probleme.

Pasi magneti i thithi, i la aty. Sot, ato kanë probleme. Jo si tonat, por kanë.

Pas viteve ’90, sistemi nisi të përsosej. Jo për njerëzit, por kundër njerëzve. Edhe vetë perëndimi nuk kishte nevojë për aq shumë liri sa në vitet ’80. Magneti nuk i duhet më edhe aq. Kina është tepër larg për tu menaxhuar me magnetë. Gjiri persik manaxhohet me metoda të tjera. Sistemi, pas viteve ’90 filloi ta mbyllë pak nga pak dritaren e lirisë edhe në Perëndim. Makineritë me rreze X në aeroporte, e drejta për të të hyrë në emailet e tua pa të pyetur, Londra – qyteti më i survejuar në botë, ku dhe në banjë të ndjekin kamera sigurie, e plot të tjera, gjëra në dukje të vogla, gjëra “për të mirën tënde”, vetëm se e kufizuan lirinë. Ndërrimi i kitaristëve flokëgjatë me femra shalëgjata, i teksteve kundër sistemit me pop e R’nB, imponimi i asaj muzike që dëgjoni sot dhe i zhdukjes nga qarkullimi i rebelëve si Billy Idol, është pjesë e sistemit që po përsoset. Sistemi as në muzikë nuk promovon më rebelizmin, se nuk i duhet. I duhet një rini idiote që e sjell për hunde dhe një elitë intelektuale e mbytur në kredira bankare. Sistemi, po tenton të mbyllet që pas viteve ’90 dhe pasojat e saj po i shohim sot.

Më 1992, revoltat e Los Anxhelesit lindën për arsye të ngjashme me këto të Anglisë. Policia, e cila vret një zezak që mund të ishte dhe hajdut, dhe trafikant. Por, liria e nënkupton revoltën.
Sot debati i zjarrtë mes shumë njerëzve, është ky: A lejohet revolta e atyre që djegin. Huliganët që dogjën Totenhemin e më pas krejt Londrën, a duhen lejuar të protestojnë? Nëse një grua vdes nga flakët, a ka kuptim e drejta e tyre për të bërtitur.

Ky debat, është i rremë. Ky debat, nuk është thelbi i asaj që po ndodh. Ky debat, tenton t’ju çojë në rrugë pa krye.

21 janari i Londrës

Arsyeja pse shumë vetë duan ta ngrenë në plan huliganizmi revoltën e Londrës, është ose se janë naivisht racionalë, ose, sepse kërkojnë tërthorazi të legjitimojnë 21 janarin. Po hodhe gurë, do hash plumba! Kjo është logjika. Në Londër të tolerojnë se “ashtu e kanë ata”, por e kanë gabim. “Ç’faj kam unë mor zotëri, se ti do të protestosh e më djeg makinën që kam parkuar poshtë?”. Ruhuni nga ata që përdorin fjali me “mor zotëri” brenda, sepse do të thotë që kanë dëgjuar shumë fjalime të një diktatori.
Duan ta drejtojnë debatin tek “a duhet policia të vrasë”. Dikush thotë, policia e Londrës është standarti që duhet aplikuar. Një polici që nuk të vret, por të arreston. Sigurisht, duke nënkuptuar 21 janarin tonë jashtë çdo stadarti njerëzor. Dikush tjetër, bindet se revoltat të çonkan te huliganizmi, e huliganizmi të djeg makinën tënde. Pra, ti duhet të jesh kundër huliganizmit.
Por, ky është debati i gabuar.
Tema, nuk është kjo.

Vërtetë, ngjarjet e Londrës kanë huliganizëm. Ato janë akte huliganizmi, por revolucionet nuk vijnë me dorashka të bardha. Revolucionet vijnë nga poshtë, në to ka llum e erë të keqe. Por, askush nuk ka faj se e kanë lënë të jetoj në llum e ndyrësi. Rebelizmi, të ndihmon të shohësh çfarë ka në të vërtetë në themelet e kësaj shoqërie.

Ngjarja e Londrës, sipas dikuj që jeton në Londër është pak a shumë kjo:
“Motivi fillestar ishte që u vra një baba me katër fëmijë (i cili ishte i armatosur në fakt po nuk e kishte nxjerrë armën drejt policëve). Familja nisi një protestë paqësore që u injorua nga policia e Totenhamit- njëra nga lagjet më të varfra në Londër. Meqë s`po bëhej asnjë deklaratë, protesta nisi të bëhej e dhunshme. Më pas nëpër gjithë Shtëpitë e Këshillit (shtëpitë në të cilat shteti strehon ata që kanë nevojë) nisën papritur të organizohen banda dhe grupe gangstere nisën ta përdorin këtë për anarki, për të sulmuar e vjedhur nëpër dyqane etj. Jo rastësisht, vendet më problematike nga këndveshtrimi i rendit kanë qenë ato më të varfrat. Familja e viktimës nisi ta dënojë dhunën por tashmë gangsterët e kishin marrë kontrollin duke vjedhur dyqanet e shtrenjta, elektroshtëpiake, bizhuteri, celularë, etj. Depoja e Sony-t pasi u dogj iu vu flaka. Në ditën e dytë problemet nisën në Manchester, Birmingham dhe qytete të tjera. Rebelët thonë që qeveria – e cila po përpiqet të mbajë nën kontroll borxhin publik – me uljen e defiçitit po godet më shumë klasën e ulët duke ulur ndihmat dhe kështu ata nuk mund të përballojnë më jetesën e shkollën dhe detyrohen të vjedhin. Shteti nuk po kujdeset më për shtetasit ndaj plasi anarkia. Dhuna e policisë ishte arsye në fillim, por kur protesta u bë e dhunshme të gjithë harruan për të.”

Revolucione me dorashka të bardha nuk ka. Me dorashka të bardha janë vetëm hajdutët VIP, ata që po e shtrydhin sistemin në mënyrë të ligjshme. Ata me dorashka të bardha nuk kanë nevojë të bëjne revoltë, se u trembet lopa që po mjelin. Fëmijët e pashkollë a të rinjtë e papunë, nuk kanë para për dorashka të bardha, madje, s’besoj se ua ndjen. Ata kanë një mllef kundër sistemit. Vjedhjet, djegiet, mund të quhen edhe huliganizëm, por, tregojnë një të vërtetë të madhe. Njerëzit, e urrejnë sistemin.

Nga lajmet londineze, më interesanti ishte njëri që tregonte se ndër të arrestuarit nuk ishin të tërë “huliganë”. Kishte mësues, studentë, madje dhe e bija e një milioneri apo njerëz të tjerë që nuk kanë arsye të vjedhin.
Sepse, çështja nuk është “a kanë të drejtë të djegin e të vjedhin”. Çështja është, se sistemi nuk funksionon, nuk riparohet, dhe se e vetmja mënyrë e mbetur është ta djegësh.

Ata që djegin e që vjedhin, ata që godasin policinë, kanë me vete një të vërtetë të verbër:
Ky sistem nuk funksionon më.

Manipulimi i sistemit

Ka një barcaletë italiane, jo shumë etike, por që unë do ta shkruaj. “Një rus, ngrihet në mëngjes, mbush shishen me vodka e shkon në punë. Një skocez, ngrihet në mëngjes, mbush shishen me uiski, e shkon në punë. Një italian, mbush shishen me urinë, e shkon të paguajë kredinë.” Kështu ndjehen italianët, ndrësa Italia mban rradhën për krizë. Në fakt, ajo shishja e veçantë vlen për të tërë ata, për tërë botën.
Ajo makinë që digjet në Londër dëmton një njeri që nuk ka asnjë faj. Një njeri, që ndoshta po e paguan akoma ATË MAKINË me kredinë që nuk mbaron kurrë.
Dhe vera angleze, po ndodh, shi për këtë!

Njeriu i viteve 2010-të po vdes nën çizmen e të pasurve pa e kuptuar pse. Nuk ka njeri nga ata që unë njoh që mos ketë të paktën një kredi. Bankat, janë skllavopronarët modernë. Ndërkohë që populli gjerman paguan taksa që bankat gjermane mos humbasin para në falimentimin grek. Ndërkohë që Obamës, republikanët ia lidhën këmbët, e detyruan që barrën e borxhit ta mbajnë prapë të varfrit. Një grup i paidentifikuar të pasurish lëvizin fijet e botës, dhe fijet e informacionit tonë me anë të mediave. Shteti u shërben vetëm të pasurve, dhe masat kundër krizave mbrojnë vetëm ata që kanë shumë para. Në Somali po vdesin me mijëra në javë nga uria. Po vdesin tani. Tani! Tani që ti po lexon. Ky është sistemi global.

Duket qesharake kur unë ankohem për muzikën. Kjo muzikë që mbizotëron sot, është një rraketake boshe e që nuk të thotë asgjë. Dëgjoni tekstet e Rihanës e krahasojni qoftë dhe me ato të Madonës në vitet ’80 (që mos them me tekstet e Pink Floyd). Sistemi, e ka përsosur rrjetin shtypës.

Londra është shumë afër qendrës, por dhe aty, media mund ta injorojë vrasjen e një babai apo të revoltës së familjarëve. Atëherë, të digjet Londra!
Një shkrim interesant tek saktivista.com ngrinte problemin se pse media hesht për revoltat që vazhdojnë në Egjipt? Sepse medias, ose dikujt pas saj i interesonte të hidhte Mubarakun, por nuk i intereson të tregojë që Egjipti zien akoma. Atje, protestat vazhdojnë. Sepse, pranvera arabe nuk ishte kundër një njeriu, ishte kundër sistemit. Por, mediat janë bërë palë me sistemin.

Tani, trazirat po mbërthejnë zemrën e tij. Vera angleze, jep shpresë dhe dhimbje.

Londra shqiptare

Deri para pak ditësh, isha nga ata që thonin, “të kesh të ikësh nga ky vend e të jetosh në Londër”. Londra, është parajsë krahasuar me këtë Miss-in tonë pabukse. Por ja që dhe në Londër, sistemi nuk funksionoka. Edhe në Londër, mund të digjet makina jote.
Shumë londinezë, njerëz të trembur nga ideja e dhunës, janë në të njëjtin qerthull debati, sa na duhet dhuna.

Këta që sundojnë botën e shtetet, me atë e përjetësojnë pushtetin, duke i trembur njerëzit me idenë e dhunës. Me frikën, se ja, do të ta djegin makinën. Kjo frikë gjendet kudo ku ka njerëz, por, kjo nuk e fsheh të vërtetën. Sistemi, është i kalbur. I tërë sistemi. Dhe në tërë këtë kalbësirë, ne jemi cepi më i kalbur i ngrehinës, ku çfarëdo të ndodhë, nuk i intereson kujt, në zemër të sistemit.

Kam qenë i pezmatuar deri dje me paaftësinë e njerëzve të mi për të qenë qytetarë, para se të jenë partiakë, për të qenë të lirë, para se të jenë militantë. Më habit fakti që nuk ndjej reagim qytetar ndaj problemeve të shumta të sistemit. Më tremb mungesa e solidarizimit me kauza njerëzore si ajo e minatorëve, me kauza ekonomike si abuzimi i vazhdueshëm i kompanive të mëdha me abonentët e klientët, me kauza shpirtërore si fëmijët e Ziver Veizit, apo me kauza të së ardhmes si ajo e derdhjes së naftës në Zvërnec. Heshtja e tyre, më tremb.

Por pranvera arabe dhe vera angleze, treguan që sistemi nuk ka ende armët perfekte për ta dhunuar shpirtin, dhe se durimi njerëzor ka një kufi.
Londra ishte një parajsë para pak ditësh. Shqipëria është një oaz qetësie tani.

Vizione

Nuk dua të bëj si profet e as si vizionar, por ka gjëra që mund të ndjehen. Kur vjen tërmeti, të parët e ndjejnë peshqit. Jo breshkat që mban dikush në zyrë, por peshqit. Nëse dikush në këtë vend ka mend, do kuptojë që peshqit e kanë dhënë sinjalin. Tërë kjo qetësi e rreme, nuk është e mirë. Nuk e di a ka akoma kohë për të ndrequr diçka në këtë sistem. Kohë mbase ka, po s’di a ka më njerëz në këtë shtet që të kuptojnë se duhet bërë diçka që mos të presim verën tonë angleze. Dhe kur them “diçka” jo të blejmë helikopterë. Helikopterë kishte dhe Mubaraku.

Vera angleze nuk është çështje huliganizmi, është çështje e sistemit. Nuk do habitesha, po të shihja ndonjë ditë mësuesen time të vjetër të letërsisë duke hedhur molotov. Edhe ajo, duhet të jetë kundër sistemit.
Siç këndon Billy Idol, It was a night / Hell of a night, L.A., it really was / Oh what a riot / I said yeah, come on / It makes my life feel real / Fear police and civil corruption oh yeah / Is there a man who would be king / And the world stood still…
You can rock this land baby!
Nuk ka nevojë t’jua përkthej. Kur të vijë dita, do ta kuptoni se çfarë është.
Ti mund ta shkundësh këtë tokë!

A nuk i vrasin edhe kuajt kështu?

Botuar te Shekulli, më 07/08/2011


Ky është titulli një filmi që jepej edhe nga TVSh-ja në kohë të Enverit ku luan Xhejn Fonda me regji të Sidnej Polak. Më ka habitur fakti se si, filma të nominuar për Oskar, prodhime amerikane të Hollivudit, shfaqeshin pa të keq në ekranin e mbicensuruar shqiptar. Filmi, flet për një garë vallëzimi ku për të fituar ca para, njerëzit janë gati të vdesin në këmbë. Nuk dua të futem më shumë në film sesa të mbetem tek titulli, që në shqip vjen shumë poetik: “A nuk i vrasin edhe kuajt kështu?”.
Civilizimi i një shoqërie dallohet nga mënyra sesi sillet me kafshët.
Për të gjykuar shoqërinë tonë, mjafton të shohim se si sillemi me dy lloje kafshësh: arinjtë dhe minatorët.

Arusha e Voskopojës

E pra, shumë prej jush, kur kanë qenë fëmijë kanë marrë pjesë në ekspedita lyerje macesh me benzinë e vënie shkrepsesh, deri dhe parashutim macesh prej katit të 5-të për të parë sa durojnë pa ngordhur. Asokohe dukej si lojë, “hajt se fëmijë janë”. Por fëmijët e asaj kohe janë qytetarët e të sotmes. Ata që digjnin dje macet, sot djegin Shqipërinë. Dhe jo vetëm në kuptimin metaforik. Por nuk po ndalem te macet e djegura me benzinë, se felinët mund t’ju duken krijesa të vogla. Kjo është dhe një nga shtyllat (e shtrembëra) bazë të shoqërisë sonë: sa më i vogël, aq më shumë e meriton të nëpërkëmbesh e të abuzohesh. Nuk e di sa kombe mund ta kenë atë shprehjen: “më mirë mace, se i vogël”.
Tashmë abuzimi ka arritur edhe në shkallët e sipërme, tek arinjtë.

Në Voskopojë është një kafaz bosh. Për ta bërë atraktiv resortin, dikush mendoi të kapte një arush të egër e ta mbyllte në kafaz. Tipike shqiptare, a thua se njeriu shkon në mes të natyrës së egër për tu kënaqur me arinj në kafaz. Na dalin e na teprojnë arinjtë e mjerë të mbyllur në kushte depresive në qytete.
E morën bebe, e panë të rritet, në kafaz… në kafaz. Historia e arushës së Voskopojës shkon deri në momentin që kafsha rritet e arrin pjekurinë seksuale, dhe aty mbaron. Meqë britmat e saj joshnin arinjtë e egër, zgjidhja që i dhanë shqiptarët kësaj pune ishte e thjeshtë, i futën një plumb arushës. Mos po pyesni veten, pse nuk i hapën derën që të ikte? Nuk ia hapën derën e kafazit se kishin frikë. Dhe përtuan të mendojnë një zgjidhje më njerëzore se plumbi.
Thuajse e njëjta ngjarje përsëritet dhe në Krrabë, ku një qejfli, porositi arinj për ti mbajtur në kafaz në lokalin e tij, dhe pasi e mbylli lokalin, i braktisi arinjtë mu në kafaz. Më kujtohet sesi një spanjolle që ishte për punët e veta në Tiranë, i ngjitej çdo ditë Krrabës për të ushqyer arinjtë. Një spanjolle.

Siç ju thashë, qytetërimi i një shoqërie përcaktohet nga mënyra sesi i trajton kafshët.
Të kalojmë te kafsha tjetër. Minatorët.

Maratona e urisë

Për tu rikthyer brenda filmit “A nuk i vrasin edhe kuajt kështu”. Filmi, i bazuar mbi një libër (“They shoot horses, don’t they?” Horace McCoy, 1935) flet për mbijetesën. Në kohën e Depresionit të Madh, deri sa mund të durojë një qenie njerëzore gjallë? Nuk do shumë mend për të kuptuar pse ky libër u bë shumë i lexuar më vonë në Francë e sidomos mes rretheve ekzistentialiste franceze.

Nëse besoni që nuk jemi në kohët e Depresionit të Madh e që krahasimi me filmin/librin s’ka vend, atëherë numëroni sa janë shtuar këtë vit ata që flasin me vete në rrugët e Tiranës. Numëroni sa greva urie bëhen në muaj në të katër cepat e vendit. Fakti që kushdo, qoftë shoqatë, sindikatë, individ, familje, fshat apo lagje e sheh grevën e urisë si të vetmen mundësi për të tërhequr vëmendjen mbi hallin e vet, flet shumë.

Shqiptarët futen në grevë urie se nuk kanë besim te asnjëlloj drejtësie, as ligjore, as njerëzore, as ndërkombëtare.
Shqiptarët futen në grevë urie sepse nuk i dinë, ose nuk besojnë se ka mekanizma të tjerë për të zgjidhur hallet, përveç njërit, atij të fundit.
Shqiptarët futen në grevë urie, sepse e vetmja shpresë që u ka mbetur është mëshira, mëshira e atyre që do i shohin duke vdekur.
Shqiptarët futen në grevë urie për çfarëdo lloj halli, qoftë ky edhe problem që nuk meriton të zgjidhet me forma drastike. Kjo mund të jetë çështje stili kombëtar, ne na pëlqen të këpusin dhe kumbullat me kallashnikov.
Shqiptarët futen në grevë urie, nganjëherë, duke e ditur që aty edhe mund të hahet një diçka e vogël, e duke besuar se mund ta gënjejnë botën.
Shqiptarët futen në grevë urie për një mijë arsye. Ndoshta, edhe për të shpëtuar për 2 javë nga hallet e botës jashtë grevës.

Por, pavarësisht se grevat e urisë kanë pësuar rënie të kuotave në bursën tonë morale, ata minatorë që nuk dalin nga dheu për së gjalli janë viktima të vërteta të depresionit të madh. Vuajtja e tyre, si kalë i destinuar për tu vrarë, akuzon pa emër.

Akuzon pa emër, se emra s’ka. Kjo tregon që shteti ynë është prej guri.

Shteti prej guri

Shteti është prej guri, edhe ngaqë neve na duket sikur shteti është prej guri.

Gjithë ata njerëz që e përkthyen 21 Janarin si tabuja e dhunimit të një ndërtese prej guri, nuk duan ose nuk dinë, që shteti nuk janë ndërtesat. As rendi, nuk janë ndërtesat. As drejtësia, nuk janë ndërtesat. As faji, nuk janë ndërtesat. Prej aq kohësh sa mund të mbajmë mend, shteti ynë ka qenë përherë ndërtesa prej guri, në emrin e së cilës veprojnë njerëz me zemër prej guri.

Minatorët kanë një problem me shtetin. Pa dashur ta parashtroj hallin e tyre këtu, mund tju them që kërkesat e tyre janë njerëzore. Mëse njerëzore. Meëq minierat janë pasuri kombëtare e administrohen prej shtetit, ata kërkojnë që të jenë gjallë. Të paktën, kur të hyjnë aty, të mos ndjehen si urithë por si njerëz. Kur të futen atje poshtë, të kenë vetëm një gjë të sigurt, që do të dalin prapë sipër. Këtë gjë, ia kërkojnë shtetit të tyre, pronarit real të minerave.

Kur disa minatorë mbetën të bllokuar në Kili, i tërë shteti kilian u ngrit në këmbë dhe nxjerrja e tyre gjallë ishte çështja parësore. Një shtet, nuk është shtet nëse disa nejrëz i vdesin në galeri, por ne nuk ndërpresim dot pushimet, plazhin dhe notin. Aq më tepër kur ky not qëllon dhe i gjatë.

Në Kili, qeveria mund të binte nëse ata minatorë nuk shpëtonin. Por, dhe Kili paska qëlluar shtet i një lloji tjetër.

Shteti ynë, ka qëlluar prej guri. Nuk i bëhet vonë për minatorët e nuk i është bërë vonë kurrë. Mjafton vetëm të dëgjosh historikun e atyre minierave, pasuri kombëtare, për ta kuptuar. Këtë mund ta kuptojmë të gjithë, por, kur vjen puna për të vënë gishtin mbi fajtorin, para gishtit tonë ka vetëm ndërtesa prej guri. Dhe ndërtesave as u skuqet e as u zbardhet faqja. Duke qenë se shteti është shkëmb që nuk dëgjon, shpresa tjetër është opinioni publik. Meqë vuajtja e atyre minatorëve nuk arrin në veshët e ndërtesës prej guri, ndoshta, dikush që është më pranë, opinioni publik e media mund të bënin diçka.

Por, për shumicën e mediave, minatorët nuk ekzistojnë. Se, edhe mediat po bëhen prej guri.

Opinioni publik është i mpirë, trupi shoqëror nuk reagon më as kur i dhemb zemra, e jo më se dhimbka një gisht i largët në ekstremitetet e shoqërisë.

Tashmë, lajmi që një minator vdiq poshtë se u shemb galeria nuk çudit më askënd. E kemi harruar dhe numrin e tyre. Halli i tyre nuk na prek, ne tashmë nuk na prek më as halli jonë. Gjynah janë, sigurisht. Por, secili në hallin e vet. Nuk kemi ç’u bëjmë. Nuk i ndryshojmë dot konçesionet. Nuk e zbatojmë dot ligjin për sindikatën. Nuk kemi ç’i bëjmë të huajve. Nuk i heqim dot as nga minierat, se nuk kemi ku i çojmë…

Por, ata nuk duan që ne ti çojmë diku tjetër. Ata duan të rrinë aty, si njerëz. Jo si arinj në kafaz.

Arinj dhe njerëz

Mos ju ka bezdisur gjë krahasimi i minatorëve me kafshët? Mua më duket se minatorët që vdesin çdo dy muaj nëpër galeri, na prekin aq pak, sa nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga ajo arusha e Voskopojës. Madje, në këtë shkrim, historia e arushës ndoshta ju ka ngacmuar më shumë ngaqë është më ekzotike.

Nëse i krahasoj ose jo në gazetë, nuk ka fare rëndësi nëse realiteti ku ata jetojnë do të vazhdojë të jetë i njëjtë me atë të kafazit. Dhe mos harroni, shumë nga ata që kanë fatin e tyre në duar sot, kanë djegur mace kur kanë qenë të vegjël.

Duket sikur miniera është mallkimi i tyre. E çuditshmja, është se ata vetë e duan minierën. Ata, nuk dinë të jetojnë një jetë tjetër, nuk dinë një profesion tjetër. E vetmja gjë që kërkojnë është që aty, në minierë të ndjehen pjesërisht kafshë e pjesërisht njerëz, e jo totalisht kafshë.

Ata kërkojnë të paktën që të mos vdesin atje poshtë. A nuk i vrasin dhe arinjtë kështu?

They shoot horses, don’t they?


Mua më dhembin ata njerëz. Siç më kanë dhembur arinjtë. Për tu kthyer te gishti që tregon fajtorin. Ai diku duhet të drejtohet. Asnjë nga ne nuk mund të fshihet pas gishtit.

Është kollaj të dalim për vetë duar-jashtë. Bulqiza është larg. Minatorët janë gjynah, por ne nuk kemi çfarë tu bëjmë. Shteti e ka fajin. Duke ia lënë fajin gjësë prej guri, kemi larë dhe duart. Unë nuk pres që njerëzit të dalin për të protestuar për ta, në një vend ku ka vetëm gjëra për të protestuar e asnjë që ka dëshirë të protestojë. Vetëm se nuk më pëlqen që dramën e tyre, bashkë me fajin, ta lëmë te porta prej guri.

“Jo zotëri”, do thoshte Kryeministri kur ishte akoma mjek. Nuk mund tia hidhni kaq kollaj. Nuk mund tia lini në derë shtetit. Sepse, ata njerëz që i japin frymë e që lëvizin gjymtyrët e shtetit prej guri janë ata njerëz që i keni votuar ju, që i keni suportuar ju, për të cilët jeni ngjirur ju. Ata njerëz që kanë hipur në qerren e shtetit e që e zënë edhe ariun me qerre, kanë hipur aty sipër duke përdorur si shkallë kurrizin tuaj.

Nga kjo që ne kemi bërë, nuk ka justifikim e nuk ka dorëheqje.
Nuk ka mbyllje sysh.
Këto shkrime mund të ta kenë prishur dhe rehatin e pushimeve. Madje, mund ta kesh mbyllur gazetën e mos ta kesh çuar deri në fund shkrimin. Dava minatorësh.

Por, sytë e fikur të atyre minatorëve atje poshtë do të të ndjekin tërë jetën nga pas. Deri në vdekje. Ty! Ty, që votove.

Saturday, August 6, 2011

Sarajeva shqiptare

botuar te Shekulli, dt 31 Korrik 2011

Duke ecur rrugëve të Sarajevës, gra vendase ndalojnë Karafil Shenën për të bërë një foto me të. Është ylli i momentit. Kanë parë “Amnistinë” e Bujar Alimanit, ku Shena luan një nga dy rolet kryesore dhe tani e ndalojnë në rrugë. “Amnistia” është filmi i parë shqiptar që nga viti 2003 në festivalin e Sarajevës, festival ku në garën zyrtare janë filma të Evropës Juglindore. Këtë vit, turqit kanë shpresa për të fituar me “Broken Mussels”, kroatët kanë sjellë “Spots” dhe hungarezët kanë një film të Bela Tarr, “The Turin Horse”, për të cilin regjisori thotë që do të jetë filmi i fundit i tij. Deri edhe malazezët mbajnë shpresa të mëdha me filmin “The Ascent” filmi i parë i madh që ky shtet i ri prodhon.

Në korridoret e Festivalit, kritikja bullgare e filmit Joana (me një mbiemër që pasi e harrova 3 herë, më vjen zor tia pyes më) më tregon sesi, sa zbriti nga avioni, u mërzit kur i thanë që i pari projeksion që e priste ishte një film shqiptar, “Amnistia”. Joana nuk ka shumë shpresë te kinemaja shqiptare.

Kur merr vesh që jam shqiptar më flet për filmin pa më pyetur as për emrin. “Për mua, ai duhet të fitojë”, më thotë. “Po hajde gjeja midenë kryetarit izraelit të jurisë!”

E takoj disa herë gjatë mbrëmjes, dhe sa herë e ndesh, ajo më thotë diçka të re për Amnistinë. Pastaj, i qepet regjisorit Alimani për të ditur për projektin e tij të ri. Pas Amnistisë, vlera e tij në treg është rritur. “Amnistia”, është tashmë një favorit serioz, gjë që do të merret vesh këtë të dielë.

Zemra e Sarajevës

Në kafenenë “Bill Gates” pinë kafe një grup me pleq. Pleqtë në Bosnjë janë si pleqtë tanë, pinë kafe e flasin për politikë. Kafeneja ndodhet në rrugicën pas Hotel “Europe”, hoteli ku janë vendosur të tërë yjet e festivalit, që nga Nani Moretti e deri te Wim Wenders, e ku janë vendosur dhe aktorët e regjisori i “Amnistisë”.

Sarajeva, më shkrep herë pas here me Tiranën, përveçse është më e pastër dhe shoferët më të edukuar në rrugë. Ajri është më i kthjellët dhe rinia argëtohet edhe duke ndenjur në rrugë me një birrë në dorë. Madje, më shumë rrinë në rrugë sesa brenda në bare.

Në rrugë mund të shikosh fytyra që të duket sikur i ke parë për ditën e verës, ose për Shën Valentin. Sarajeva më kujton Tiranën, me shitësit e paedukatë në dyqane, me muzikën house që buçet thuajse në çdo klub, me shiun që aty fillon e aty pushon.

Ndryshimi fillon te lagjia turke, ku fillojnë restorantet tradicionale, me rrugica karakteristike ashtu siç duhet të kenë qenë “Pazaret e vjetra” të qyteteve tona e që tani nuk janë më.

Në tezga shoh plot libra me tekste e akorde për kitarë të Bjello Dugmes e të Bob Marlejt. Bjello Dugme, Rolling Stonsat e ish-Jugosllavisë, këndojnë live në një nga sheshet po atë ditë që fillon festivali.

Ka ndërtesa që ruajnë akoma predhat nëpër mure, që nga koha e luftës në Bosnje, ndërsa rrugën kryesore e përshkon një tram i pistë e i vjetër. Disa qytete nuk kanë lidhje me tramin. Thjesht, e kanë humbur kohën për të pasur tram. Ky është një i tillë. Dyshoj që edhe Tirana, është po ashtu.

Ndryshimi i madh mes Tiranës sime e Sarajevës, është që këtu i tërë qyteti e ndjen festivalin. Ndryshe nga Tirana, ku TIFF snobohet gjërësisht nga mediat e institucionet, këtu të tërë jetojnë për të.

Sigurisht, TIFF është festival shumë më i vogël se i Sarajevës, por është eventi i vetëm i madh filmik i qytetit. Dhe Tiff-in, Tirana e snobon. Në Sarajevë, posterat e festivalit i gjen deri dhe në farmaci, eventet janë të panumërta, media bën mbulim total, në kafene gjen që nga gazeta e festivalit tek programet. Njerëzit, mbajnë rradhë për të parë një film, qoftë ky dhe nga një autor i panjohur ballkanas. Njëherë mendoj me xhelozi se duhet të jenë të huajt që i mbushin kinematë, por jo. Gjithandej dëgjoj shikuesit të flasin serbo-kroatisht.

Eksperienca kinematografike është unike. Pak ditë më parë, u projektua filmi 3D “Pina” i Wim Wenders në një pallat sporti ku ishin mbledhur mbi 3 a 4 mijë vetë. Më kujtohen ditët e Tiff-it, kur kinemaja rri thuajse bosh ndërsa ata pak qejflinj zdërhallen në kafe.

Kur Wim Wenders hyri për të prezantuar filmin e vet Pina, i tërë publiku u ngrit në këmbë për ta nderuar. Vras mendjen, sa vetë do të shkonin në një kinema në Tiranë vetëm se është një film i Wim Wendersit? Llogarinë, mund ta bëni dhe vetë.

Mijëra njerëz shohin filmin e Wenders-it në një fushë basketbolli të kthyer në sallë projeksioni 3D.

Ndërsa shoh punët e Pina Bosch, balerinës me famë, injorant total ndaj kësaj figure të baletit bashkëkohor, ca për faj timin e ca për faj të vendit tim, ku maksimumi vijnë ca kalamaj rumunë për të kënduar hitet e shpëlara verore, ngushëllohem me faktin që ka edhe më keq se ne. Bangladeshi, psh. As atje, Pina Bosch nuk ka dhënë shfaqje më parë. Filmi vetë, nuk është edhe aq film, sa një formë dokumentari 3D mbi punët e artistes. Punë, që të lënë pa frymë.

Falja e Gjakut

Në kinemanë verore “Ljetno Kino !hej” mbi 2 mijë njerëz ndjekin “Falja e Gjakut” të Xhoshua Marston. Një histori shqiptare e gjakmarrjes në qendër të së cilës janë 2 aktorë amatorë (Tristan Halilaj, 19 vj, Sindi Laçej, 15 vj) projektohet nën qiell të hapur në Sarajevë. Mbi ekranin e stërmadh tutje, duken avionët që ngrihen e ulen në aeroportin e Sarajevës. Kushton më shtrenjtë të fluturosh nga Tirana në Sarajevë, sesa në N.Y.

2 mijë njerëz, vetëm cigare që fiken e ndizen dhe asnjë zë. Asnjë zile celulari.

“Jeta ime është n’duart tuaja. Po qe për të më vrarë më vritni tani, se s’dua të jetoj i mbyllur” i thotë Niku plakut të fisit gjakmarrës. Ky është një nga momentet më të forta të filmit, me intensitet të lartë dramatik. Një histori gjakmarrjeje që fillon si përherë me një sherr për një gardh.

Kur mbaron projeksioni, gjëja e vetme që më lodron ndër mend, është sesi një regjisor i huaj, ka arritur t’i bëjë aktorët amatorë shqiptarë të luajnë aq mirë dhe aq vërtetësisht, gjë që nuk na e dhurojnë dot më as aktorët me përvojë. Sarajevasit duartrokasin gjatë Tristan Halilajn dhe Sindi Laçejn, si dhe Refet Abazin, aktorin shqiptar të Maqedonisë, i cili kishte një paraqitje shumë të mirë në film si babai vrasës.

Duke dalë, dëgjoj “dober, dober” “mirë, mirë” mes spektatorëve. Kritika është ca më pak entuziaste për filmin. Kurse unë kam nevojë ta shoh dhe një herë në Tiranë.

“Falja e Gjakut” do të vijë si premierë në shtator dhe në kinematë shqiptare.

Bela Tarr nuk është femër

“Të bësh filma është si të jesh borgjez. Është jetë e bukur. Po nuk dua të bëj më.” Kështu thotë Bela Tarr, që (për ata që nuk ia njohin punët meqë asnjë kinema në Shqipëri nuk do ia projektonte ndonjëherë) nuk është femër e aq më tepër i bukur, por ka një zë të thellë e të ngjirur që të mpin.

Filmi i tij “The Turin Horse” është një film tepër i gjatë për ta parë një të shtunë mbrëma.

“Ç’doni këtu të shtunën në darkë?”, thotë regjisori gjysëm me shaka. “Ikni në disko, se është 2 orë e gjysëm i gjatë”.

“Nuk kam çfarë t’i mësoj njeriu për kinemanë”, thotë. “Kinemaja, është të kesh një kamera dhe një ide. Nuk ka nevojë për leksione profesorësh”.

Në vendin tim, njoh studentë që harxhojnë disa vjet për t’u bërë kineastë. Nganjëherë, edhe disa mijëra euro.

Perandoria e së Keqes

Al Franken, shkruante para disa vitesh për pronarin më të madh të medias në botë, Rupert Murdoch: “Murdoch i përdor kompanitë e tij të ndryshme... për të promovuar interesat e veta financiare në kurriz të mbledhjes së vërtetë të lajmit, neneve ligjore e rregullatore, dhe të etikës gazetareske. Ai e vringëllin median e tij si një instrument për të krijuar influencë tek politikanët që më pas i përdor dhe i rrënon kundërshtarët përmes rradhëve të lajmeve të veta. Nëse ekziston ndonjëherë rasti kur dikush ka të përqëndruar tërë pushtetin e masave në një palë duar, atëherë ky dikush është Murdoch.”

Murdoch është shembulli konkret i ndërtimit të një marrëdhënieje perverse mes medias, masave popullore dhe politikës, ku ai që dëmtohet përherë, ai në kurriz të të cilit ngrihet pushteti i të tjerëve, është populli.

Arsyeja pse më interson kjo ngjarje britanike, është paralelja që mund të heq me Shqipërinë. Kur një vend si Britania mund të gjunjëzohet, qoftë dhe përkohësisht nga një pronar medie, po Shqipëria, që ka treguar me shembuj që e shkërmoq dhe një Sude?

Rasti britanik

Nëse nuk jeni shumë familjarë me rastin, mund t’jua shpjegoj sa më shkurt, si të ishim duke bërë bisedë në kafe.

Murdoch, në 2010 renditej i 13-i në botë për nga influenca, sipas revistës Forbes. Kjo falë qindra gazetave anekënd globit, mes të cilave dhe Wall Street Journal, The New York Post, Times, Sunday Times, Sun, etj., disa rrjeteve televizive, si Fox apo Sky, etj., shtëpi botuese, kompani filmike e plot të tjera.

Problemet britanike të Murdokut (ia ktheva shqip atë “ch”) kanë nisur që para disa vitesh kur u mor vesh që gazetarët e gazetave të tij përgjonin telefonat e njerëzve të famshëm për të nxjerrë pastaj në dritë sekretet e jetës së tyre, duke mbërritur deri në detaje të dhimbshme a intime, si sëmundja e fëmijës së një deputeti e shtatzania e një personazhi VIP. Megjithatë, në shumicën e rasteve hetimet janë mbyllur, si për faktin që media e tij i trembte se do tua ekspozonte jetën ashtu edhe për faktin që Murdoku kishte ndikim të madh në politikën britanike, duke qenë njeriu që mund të të ngrinte ose të të përplaste, falë mediave të tij.

Një ish Kryeredaktor i News of The World – e përjavshmja e skandaleve - u bë drejtor për mediat i partisë së Kryeministrit David Cameron. Vetë Kryeministri britanik është në qendër të akuzave sepse ka pasur gjatë 14 muajve të fundit 26 takime sekrete me drejtuesit e mediave të Murdokut.

Shpërthimi i skandalit, nisi me publikimin e fakteve që gazetarët e News of The World kishin përgjuar edhe familjen mbretërore, edhe familjet e ushtarëve të rënë në Afganistan, dhe arriti kulmin kur u mor vesh që ata kishin fshirë mesazhe zanore nga telefoni i një vajze 13 vjeçare të përdhunuar e të vrarë më pas nga një maniak, vetëm për të mbushur faqet e gazetës me dhimbjen e prindërve. Ato mesazhe nuk u lexuan kurrë nga viktima, por policia nisi të besonte se vajza ishte gjallë. Me këtë rast, toleranca e publikut britanik shkoi në zero. Sponsorët u tërhoqën. News of the World pushoi së botuari pas 168 vitesh. Këshilltari i Cameron, ish-Kryeredaktori i saj dha dorëheqjen dhe u arrestua. Kryeredaktorja aktuale u arrestua dhe u mor në pyetje për mbi 7 orë.

E gjitha kjo, sepse kishin përgjuar telefonat e njerëzve për të shitur një gazetë thashethemesh.

Gazetat e thashethemeve

I tërë pushteti i News of the World (NoW) apo simotrës së saj, The Sun, qendronte në faktin që ato i jepnin njerëzve atë që njerëzit donin: Thashethemet e VIP-ave e politikanëve.
Vetë Murdok pati shpallur devizën e re të gazetarisë, t’i shërbejmë popullit atë që do të dijë.

Duke i dhënë popullit atë që populli do, ata arritën të ndërtojnë një armë të fortë mediatike. Aq, sa të kishin ndikim të zgjidhnin edhe kryeministrin. The Sun, pas fitores së David Cameron një vit e ca më parë, hapej me titullin: “The Sun fiton zgjedhjet”. Gazeta e thashethemeve e kishte mbështetur, dhe Cameron kishte fituar. Pra, gazeta kishte fituar.

Populli britanik është po aq fajtor për këtë që ka ndodhur. Fajtor për verbërinë e tij. Mediat, bëhen aq të fuqishme sepse njerëzit i lexojnë. Teorikisht, duhej të ishin qeni roje i interesave të publikut. Por, nëse publiku argëtohet me mediat-qen-roje kur trembin vajzat në rrugë apo kur zihen në beteja qensh, ky qen, nuk është më qen-roje. Është qeni që kafshon të zotin e vet.

Një gazetë thashethemesh duket si diçka e padëmshme. Ashtu si duket dhe një TV me spektakle. Rrjeti kabllor Fox (po i Murdokut) kishte 9 nga 10 programet më të ndjekura të argëtimit në Amerikë. Argëtimi është vetëm karremi për lexuesit e shikuesit. Më kujtohet para do vitesh, një spikere që nuk pranonte të lexonte si lajm kryesor një “lajm” për Paris Hilton, ndërsa liheshin si të dorës së dytë lajmet e luftës në Afganistan.

Një gazetë thashethemesh nuk është kurrë e padëmshme. Ajo e orienton vëmendjen e publikut në ngjarje e njerëz që nuk kanë vlerë. Fakti që në listat për deputetë të Partive gjenden të tërë hiç-ët e Big Brotherit tregon se deri ku mund të shkojë marrëdhënia e sëmurë “publik-media thashethemesh”.

Populli është përherë i panginjur për thashetheme, dhe gazeta duhet ta ushqejë. Deri dje NoW merrej me VIP-at e politikanët. Kur këta nuk jepnin më, iu sul njerëzve të malavitës, kriminelë e emigrantë. Kur dhe këta s’mjaftonin, iu sul njerëzve të thjeshtë. Atyre që Murdok pretendon që media u shërben. Pre e përgjimeve u bënë ata që e lexonin gazetën, prindërit e një vajze të përdhunuar e vrarë, familjarët e ushtarëve të rënë në Afganistan, viktimat e sulmit me Bomba në Londër më 2005.
NoW ka përgjuar mbi tridhjetë mijë telefona për t’i dhënë publikut thashethemin e mezipritur, sensacionin, scoop-in.


Përgjimet

Çështja se deri ku duhet të shkojë një media, vlen shumë dhe për Shqipërinë. Në kohën kur asnjë nga strukturat e këtij vendi nuk e kryen detyrën e vet, as prokuroria, as gjykata, as institucionet e monitorimit, kush do na e thotë të vërtetën?

A jemi gati që të pranojmë që një media të publikojë “përgjime”?

Imagjinoni sikur një gazetë të kishte përgjuar shitjen e detit, ta zemë. Një bisedë telefonike mes një funksionari të lartë të shtetit, atij që ka organizuar a ndihmuar tërë projektin, dhe “blerësit” të detit. Një bisedë e regjistruar në mënyrë të paligjshme, por që hedh dritë mbi realitetin politik të këtij vendi.
Ju, do donit që të shfaqej apo jo?

A ka rëndësi për ju fakti që ky përgjim është bërë në zyrën e tij, që kjo zyrë ka humbur “shenjtërinë” e vet?
Cilat janë parametrat që duhet të vendosim? Kush duhet ti vendosë? Nëse në Parlament janë miqtë, shokët, bashkëpunëtorët e ortakët e atij që bën shitjen, çfarë ligji do të kalonin në lidhje me përgjimet? Çfarë do nxirrte komisioni i tyre parlamentar për shitjen e detit? A do dënohej njeri?

Në një dilemë të tillë, mes interesit të kombit dhe paprekshmërisë së privatësisë së individit, unë do të isha për individin. Teorkisht, duke ruajtur qelizën, kemi mbrojtur të tërën.
Problemi është, që kufijtë e individit në një vend si i yni do të ruheshin vetëm për disa të privilegjuar. Aktualisht, individë të rëndomtë përdoren nga media në mënyrë të paskrupullt, pa asnjë lloj etike, identiteti i tyre përdhoset pa të keq, e askush nuk i mbron. E as ka për t’i mbrojtur. Prandaj, sado të përpiqemi ta ruajmë privatësinë e individit, ajo do të vlejë vetëm për të privilegjuarit e këtij vendi.

Në mungesë të instrumenteve të tjera për të zbuluar të vërtetën, i vetmi vend ku (gënjehemi) se mund të falemi është media. Media, që është martuar prej kohësh me pushtetin.

Martesa e medias me pushtetin

Ajo që Lubonja e bërtet në shkretëtirë prej vitesh, është transparenca e vetë medias. Ne nuk kemi, dhe kushedi kur do kemi transparencë të medias. Shqipëria është i vetmi vend europian ku mediat shiten e askush nuk e di kush i ka blerë. Jo rrallë kemi dëgjuar që pas kësaj gazete është filani, ose pas këtij TV është një eminencë gri, që askush nuk i njeh. Me pronarë që nuk njihen, me gjasme-pronarë fasadë, është e vështirë ët kuptosh nëse kjo medie i shërben publikut apo disa interesave të fshehta. Askund nuk raportohet, as në institucionet që e kanë për detyrë, se a janë të lidhura mediat e bizneset, bizneset e politika, gazetarët e pushteti.

Në një vend ku shumica e popullsisë lexon vetëm titujt në pasqyrën e shtypit në TV, askush nuk kërkon përgjegjësi mediatike e as etikë gazetarie. Ka shumë gazeta ku titulli në faqe të parë është i rremë e nuk ka lidhje fare me artikullin, veç për të tërhequr vëmendjen.

Media mbahetr me sponsorë, të cilët fitohen me përqindjen e lexuesve. Por, te ne sponsorët ndahen në mënyrë selektive e preferenciale duke i prerë këmbët mediave në opozitë, prej 20 vitesh. Sponsorët nuk ndahen në bazë të shitjeve. Në fakt, shitjet janë sekret. Gazeta që dalin me 200 kopje qendrojnë “të forta” në tezga e marrin reklama njësoj sa ato që shiten me 2 e 10 mijë kopje, në mos më shumë. Dh ejo më kot këta sponsorë janë në gjendje të diktojnë politikat editoriale e madje edhe të heqin shkrime e kronika nga lajmet, nëse nuk u vjen përmbarë.

Për aq sa mund të gjykojë njeriu, në këtë vend të tëra mediat mund t’i ketë blerë një njeri i vetëm, ose një grup shokësh të pasur, e ne të mos dimë gjë. Sepse, ne nuk na njofton askush. Ne, vetëm fryjmë sytë duke lexuar titujt e thashethemeve në pasqyrën e shtypit në TV.

Media e pushtetit, që në gjenezë duhej të ishin në dy pole të kundërta e të papajtueshme, këtu te ne gëzojnë një martesë të lumtur. Ndërsa populli, që duhet të kishte të paktën një qen roje – median – është lënë në gojë të ujqërve. Se, media jonë nuk është qeni roje i publikut, por qen-ujk i pushtetit.

Këshilltarët e rremë

Një nga pjesët e rënda të ngjarjes britanike është fakti që Kryeredaktori i kësaj gazete thashethemesh u bë një këshilltar me influencë i tij. Sa plasi skandali, dha dorëheqjen. Vetë Kryeministri mund të ketëpasoja të rënda në karrierën e tij. Nuk duan tia falin ato 25 takime në 14 muaj që ka bërë me shefat e korporatës. Vetëm për kaq! Bëri një zgjedhje të gabuar. Punësoi Kryeredaktorin e një gazete e cila sot është mes skandalesh!

Kjo normë nuk i përket Shqipërisë.
Normalja do të ishte që kushdo që zgjidhet në një post të rëndësishëm, sidomos lidhur me mediat dhe komunikimin në shtet, t’i bëhej një rezyme e debat publik. Atëherë do shihnim që njerëz që kanë punuar më parë në aksh gazetë e filan TV janë bërë të rëndësishëm në strukturat e pushtetit. Dyshimi i madh, është që a mundet më ajo gazetë, ku ka qenë “kokë” ky gazetar, të jetë ndonjëherë kritike me qeverinë e tij? Sa i besueshëm mund të jetë një gazetar që kalon kaq kollaj nga redaksia që i kërkon transparencë pushtetit, në zyrat e tij? Po të kishim mundësinë e debatit publik, këta njerëz që operojnë në hije në favor të pushtetit do kishin frikë, të paktën nga ekspozimi.
Për të mos folur për gazetarët-këshilltarë në hije, ata që nuk kanë post real, por që kanë ndikim në vendimmarrje në instanca të ndryshme të pushtetit.

Ata nuk mund të jenë qeni yt. Ata, janë qeni që leh vetëm për kockën e vet.

Në Britani mund t’i kenë mjetet për t’i bërë ballë Perandorisë të së keqes, në Shqipëri, Perandoria e së keqes mund të mposhtet vetëm po të kthehemi në origjinën e largët: në epokën e gurit, pa letër, pa elektricitet, pa kompjutera, pa thashetheme VIP-ash e politikanësh. Ose... në origjinën tonë më të afërt. Të kthehemi tek Rilindja jonë, tek ata burrat e pakompromis e idealistë që e donin me të vërtetë këtë vend, dhe t’ua heqim audiencën këshilltarëve të rremë me kockat e tyre.