Monday, February 27, 2012

Shqipja, gjuhë e nevojtarëve, jo e shërbimeve

Botuar te Shekulli, e diel 26 shkurt 2012

Sa herë vuajmë për t’ia gjetur një ideje a veprimi fjalën e saktë në shqip, duke u ankuar për shqipen? Pastaj, justifikohemi se shqipja është gjuhë e varfër. Fakti është që ndërsa përpëlitemi për të gjetur korresponduesen e saktë në shqip, anglishtja a italishtja na sjell lloj variacionesh. Pa folur për gjermanishten.
Nuk do të merrem me varfërinë e shqipes, sepse është temë simpoziumesh ku ngrihen me dhjetëra vetë, flasin me dhjetëra orë, e nuk nxjerrin dot një përfundim. Mua më intereson shqipja në lidhje me një fjalë të vetme.

Variacione mbi gjuhën

Unë jam i prirur ta mendoj gjuhën si një organizëm të gjallë, që rritet, zhvillohet, cungohet, devijon, sëmuret, harron, vjedh, fshihet skutave e nuk del më, fle e nuk ngrihet nga gjumi, ka nostalgji, është i papërgjegjshëm, i bie për shkurt, rreh fëmijët e tij (dialektet), pastaj e merr malli për ta, shtrihet të flerë këtu e zgjohet atje, lëviz në kontinente e vende, abuzon me trupin, abuzon me të shkuarën e me të ardhmen, ka frikë teknologjinë, ka momentet e veta femërore, qan, përpëlitet, bëhet burrë, plaket, askush nuk i shkruan, përfundon në azil, mund të trashëgojë pasuri, mund të mos ia lërë askujt, mund tëpërfundojë pa asgjë, mund të punësojë vajza të reja që ta pastrojnë e bëjnë inxheksionet, e urrejnë fqinjët, i urren dhe më fort, i shan dhe e fyejnë, e zë gripi, tifoja, kolla... Vdes.

Gjuha, zhvillohet sipas nevojave që ne kemi. Për kinezët, thonë që nuk kanë një fjalë të posaçme për “lirinë” meqë deri vonë, nuk u është dashur, e as e kanë menduar si koncept. Ne nuk jemi vendi që ka zbuluar Novo Mondo-n, as vendi që shpiku teknologjinë. Ne nuk kemi 30 fjalë të ndryshme për borën, siç thuhet kanë eskimezët. Gjuha jonë pasqyron nevojat tona shpirtërore, materiale, bazike, të komplikuara, arritjet e dështimet tona.
Shqipja ngjan si një organizëm i pazhvilluar. Por, jo se është faji i gjuhës, është faji i përdoruesve të saj. Madje nuk është as faj. Aq nevoja kemi, aq ‘gjuhë’ na duhet. Gjuha na “shërben” atë që ne i kërkojmë.

Shqipja e shërbimeve

Marrëdhënia jonë me shërbimet, është ekzemplare. Ne kemi një fjalë të vetme për të tëra format e shërbimit.
Ndërkohë, që në Shqipëri, në të gjitha nivelet e shërbimeve publike, shërbehesh aq keq, sa vetëm ‘shërbim’ nuk mund të quhet. Shqipja e varfër nuk na ofron dot një alternativë të saktë për atë që na bëhet, e që mund të ishte: shkelje, rrjepje, nëpërkëmbje, përbuzje, keqtrajtim, dhunim, përdhosje, cënim.
Shërbimet publike dhe shqipja rrinë në një marrëdhënie të çuditshme, e cila e ka zanafillën në një pikë, tek... psika jonë!

Zyrat ku i pari nuk merr vesh të dytin

Në nivel burokracie shtetërore, duket sikur qëllimi i çdo hallke të shtetit është të të përplasë sa andej-këtej, pa të dhënë kurrë zgjidhje, pa marrë përsipër asnjë përgjegjësi, pa i vënë kurrë emër një problemi, duke e trajtuar qytetarin si një lypës. Shkoni në një zyrë të gjendjes civile, ose kudo tjetër. “Shërbëtorët” e popullit në zyrat e paguara nga taksat e popullit sillen si të ishin duke u bërë muhabet me gratë e lagjes, ose kalojnë në intimitete të çuditshme, ose bërtasin e të krijojnë ndjesinë se po të bëjnë një nder.

Sekretarja-mbret e shkollës

Njeriu më i pushtetshëm në Universitet nuk është dekani, por sekretarja e shkollës. Asaj duhet ti flasësh me të mirë, me buzë në gaz, e të shpresosh që të ka me sy të mirë, përndryshe, nuk ke për të mbaruar kurrë punë. Ka studentë që kanë humbur studimet jashtë sepse sekretaret kanë qenë shumë të zëna duke pirë kafe e kthyer filxhan për t’u plotësuar dokumentet. Dokumente që duan gjysëm ore për t’u mbushur stërzgjaten me javë e muaj, pa përfilluar asnjë detyrim që sekretaritë kanë ndaj studentëve. Kjo është mënyra më e mbrapshtë për një student të dalë në jetë. Jam i sigurt që ata po na e kthejnë në forma të tjera kusurin që kanë hequr nga sekretaret.
Dekanët shkojnë e vinë, sekretaret mbeten. Vitet, vetëm i trashin rrënjët e tyre.

E vetmja formë për të shpëtuar, është të krijohen mënyrat e votimit të performancës së sekretareve, apo dhe zyrave të tjera të shërbimeve, dhe shërbëtorët-mbretër të mund të mbajnë vendet e punës falë performancës e jo rrënjëve që kanë hedhur në karrike.

Shoqja e butikut

Përvoja më tipike e shërbimit tek privati është vizita në një butik. Shitësja, i jep vetes të drejtë të të trajtojë si të të kishte shok banke. Ajo mund t’i thotë blerëses edhe fraza të tipit “nuk të shkon ky fustan, se je e shëndoshë” sepse atë vend pune nuk e ka prej kualifikimit. Ajo paguhet pak, nuk ka asnjë interes të shërbejë, madje mund të jetë e veshur me arrogancën e të preferuarës së pronarit.

Ka bare ku kamerieri të trajton me metodën “ç’ke që më sheh”, ka pika turistike ku të trajtojnë si xhepistë, duke ta bërë vlerësimin se sa do të të rrjepin.

Arroganca e ‘suksesit’ në biznes transmetohet nga pronari tek vartësit e tij. “Daç merre, daç ik” të thotë pronari vetë, me logjikën që ‘nuk kam nevojë për ty’. Dhe nuk ka nevojë vërtet. Në një vend ku mbijetesa e biznesit nuk varet nga cilësia e shërbimit sesa nga faktorë të tjerë (informaliteti, konkurrenca e pandershme, korruptimi i monitoruesve, mospagesa e detyrimeve, etj), klienti nuk mund të jetë kurrë ‘mbret’.
Shërbimet e biznesit të vogël do ngrihen jo vetëm kur të krijohet klima e konkurrencës së ndershme ekonomike si bazë për suksesin, por dhe kur të detyrohen pronarët e bizneseve të punësojnë njerëz të kualifikuar e të liçensuar për shërbimet përkatëse, që të kenë kryer më së paku kurse formative e deri dhe shkolla hotelerie-turizmi.

Sovraniteti i lopës-gomar

Në nivel sovraniteti, ata që duhet ti shërbenin atdheut, ushtarakët a institucionet, e trajtojnë atdheun si një shurdh-memec që nuk ka kujt ti ankohet, sido që të sillen. Mjafton të rilexosh wikileaks-at për ushtarakë që merrnin rryshfet parapagesë rrogën e ushtarëve të Afganistanit, apo ti kthehesh fotove me gardistë që qëllonin drejt e në mish më 21 Janar. Më tej, ambasadat tona jashtë e rrëfimet tragjikomike të atyre që kanë pasur fatin e keq të bëjnë me to (për këtë lexo komentet poshtë këtij shkrimi kur të botohet te shekulli online), apo institucionet e tjera që duhet të mbronin interesat e vendit, integritetin territorial apo ekonomik, janë shembuj pikëllues se atdheu nuk është më as lopë, sepse meqë s’ka më qumësht përdoret si gomar, si qen a si ká.

Gjuha e shërbimit

Qytetarët që kanë të drejtën e përfitimit të shërbimeve, janë, në fakt, nevojtarë. Shqipja, e ka fjalën e duhur për ta. Ne nuk kemi të drejta në këtë vend, sado që paguajmë taksa e shërbime. Ne, na trajtojnë si nevojtarë.
Vetë fjala ‘shërbim’ nuk arriti kurrë të bëhet një fjalë e respektuar, e cila të ngjallë një detyrim moral, ligjor, ekonomik a njerëzor ndaj tjetrit.

Fjala shërbim, te ne ka vetëm një kuptim, atë të shërbëtorit. Një fjalë, që shqipja na e ofron në një version të vetëm: njeri në fundin e hierarkisë shoqërore. Prandaj, përtej retorikës, kushdo, qoftë ministër apo sekretare, shitëse apo polic, NUK pranon të jetë shërbëtor në këtë vend. Madje, nëse ti vërtet pretedon që ata të të shërbejnë, të jesh i sigurt që do të të bëjnë të ndryshosh mendje. Prandaj kjo arrogancë e madhe e kujtdo që duhej të ishte shërbëtor i publikut. Shërbëtor? Çfarë kujton se jam unë? Kamerieri ta përplas gotën me nerv mbi tavolinë, e sekretarja të le pa shkollë. Sepse, ke guxuar ti trajtosh si ‘shërbyes’.

Nuk është faji i tyre. Shqipja, nuk e njeh ‘shërbimin’ përveçse në nivelin përbuzës për atë që e ofron. Dhe nuk është as faji i shqipes së ngratë. Shqipja, ofron atë që psikologjia jonë përpunon:
Shërbimet - shërbëtor - keq.
Të të kemi në dorë - të na e kesh nevojën – mirë.

Ndaj ka një pafundësi alternativash me nevojtar, hallexhi, lipsar, fakir, i ngratë, gjynahqar, fukara, skamës, varfanjak, i vobektë, i shkretë, i gjorë, kokëpalarë, pabuks, dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë.
Psika jonë kombëtare këtë kërkon nga gjuha, e gjuha ato fjalë i shërben.

Sunday, February 19, 2012

Fundi i njerëzillëkut

botuar te Shekulli, e dielë, 19 shkurt 2012


Është një përpjekje e mundimshme të kërkosh të kuptosh se çfarë ka shkuar keq. Komplet struktura shoqërore e politike është dëmtuar deri në pikën ku duket sikur nuk ka kthim mbrapa. Sa më shumë që njerëzve u duket shumë e qartë se pse ka ndodhur kjo, dhe të tërë e drejtojnë gishtin te një njeri i vetëm që nuk do të zbresë nga kali, sa më e qartë duket pra, dhe mua bashkë me të tjerët, aq më i fortë është dyshimi që ndoshta, nuk është kaq e thjeshtë.
Duhen bërë disa pyetje që mund të çojnë drejt kuptimit.


Pyetjet me përgjigje të zbehta

Ku e kemi humbur shtetin? Ku e kemi humbur shoqërinë? Pse i ngjamë më shumë kafshës së demokratizuar, sesa qytetarit të iluminuar?

Në ç’moment vesi e mundi virtytin, e liga të mirën, dhe kodoshi të urtin, që pastaj rrëshkitëm deri këtu?
Pse serbët, kroatët, e deri maqedonasit janë më progresivë se ne, pavarësisht se kanë pasur luftëra civile, ndërsa ne bëmë luftë me veten?

Mos jemi të paqendrueshëm? Mos na erren sytë sa shohim lek? Mos e kemi nga libido e tepërt? Pse e gënjejmë veten si popull i bukur? Mos jemi mesdhetarë dhe orientalë njëkohësisht, duke marrë më të këqiat e të dy popullatave? Mos na e ka fajin moti? Mos jemi të egjër për shkak të pushtimeve? Mos e ka fajin Zogu (Mos duhej ta shkruaja mbret Zogi?)? Epo Enveri? Apo Nexhmija? Apo Nexhmijet e çdo kohe? Apo Nano? Pse ne jemi të vetmit që duhet të na dhunosh nënën që të të thërrasim babë? Apo mos na gënjeu ai që e ri-solli këtë filozofi pluraliste mes nesh? Pse jemi kaq indiferentë? Pse një përqindje kaq e lartë adhuron dhunuesin? Pse duam të shkojmë në Evropë, kur nuk kemi asnjë lidhje me ta? Pse afeksionohemi mbas gjërave sipërfaqësore? Pse hajdutët kanë status respekti? Pse ata që erdhën në pushtet duke na premtuar drita më 1990, janë prapë në pushtet më 2012, e praë nuk kemi drita? Pse, më 2012 ka më shumë njerëz të gatshëm për të justifikuar pse pushteti nuk na sjell dot drita (jo moti, jo bora, jo niveli i ujërave, jo kriza botërore, jo kriza serbe) krahasuar me 1990? Pse jemi më pak të njerëzishëm sot se sa në agun e demokracisë? Pse agu u shndërrua kaq shpejt në muzg, pa u bërëkurrë ditë?

Të tëra këto pyetje, hedhin pak dritë mbi një pjesë të të vërtetës, por, duke e bërë më konfuze atë.
Derisa një ditë, takova një djalë që më ndriçoi.


Djali mes kazinosë e njerëzve

Siç vëren një aktor komik, kazinotë e bankat tek ne janë në të njëjtën ndërtesë. A thua se të dy palët bashkëpunojnë, njëra të jep paratë që të shkosh ti lesh te tjetra. Për mos të të lodhur, dera e bankomatit është ngjitur ose një kat më lart se ajo e kazinosë. Nëqoftë se nuk po gjen bankomat, kërko për një kazino. Bankomatin do e kesh mu ngjitur.

Po rrija një ditë në Bllok duke pritur të lirohej kabina e bankomatit. Për të mos e bezdisur me praninë fizike në kabinën e ngushtë, po prisja në rradhë jashtë, në shi, që gruaja brenda të mbaronte e pastaj të hyja unë.
Nga kazinoja doli një djalë i ri, tek të 25-at. I veshur mirë, i pastër e i qethur normal, pa asnjë shenjë joqytetarie ( e thënë ndryshe “katundarie”) në pamjen e jashtme. Ndoshta dhe me ndonjë shkollë të lartë në CV. Thuajse pa e parë praninë time në rradhë, u fut brenda në kabinë, dhe duke i ndenjur ngjitur pas kurrizit gruas, pa e vënë re fare sikletin që po i shkaktonte, zuri rradhën e bankomatit me të mbaruar ajo.

Ky është një detaj fare i vogël, dhe i rëndomtë.

Jeta jonë e përditëshme është plot me to, aq sa nuk i vëmë më re. Ti je në rradhë, e dikush vjen e i bërtet shitëses ti japë cigare, nga prapa teje, pa të thënë as “më fal pak”. Ti po ecën në trotuar dhe dikush të bie fort me bërryl, si të mos të të kish parë. Ti je me biçikletë, dhe dikush me makinë të pret rrugën duke të hedhur përdhe, pa ndaluar. Jo se është i lig, por, nuk të ka parë! Detaje të rëndomta. Si ai i djalit të bankomatit.
Por mua më duhet të ndalem te ky detaj, se besoj se ka diçka të rëndësishme për të na treguar. Ai djalë, si shumë të tjerë, lajmëron një nga sëmundjet më thelbësore të shoqërisë sonë. Mbase më të madhen. Nënën e të tëra sëmundjeve: vdekjen e njerëzillëkut.

Fundi i njerëzillëkut

Mund të duket gjë pa rëndësi, dhe ka turma të tëra që do donin të më bërtisnin: mjaft me këto, por shiko kush drejton qeverinë, etj, etj.
Por, më duhet tu them që këto janë pasojat. Fundi i shtetit e i shoqërisë, ka ardhur pasi vdiq njerëzillëku. Dmth, kur shoqëria jonë dështoi të jetë së pari shoqëri njerëzore, e jo sh.p.k. hajdutësh, shoqëri ndërtuese e jo shoqëri që shkatërron, dhunon e rrjep.

Njerëzillëku, është një detaj i vockël i sjelljes shoqërore, por është si ajo njësia bazë që mban të ngjitur tërë ngrehinën.

Njerëzillëku – prapashtesa turqisht i jep vlerën reale, si një masë matëse shoqërore e vjetër e që na është përcjellë prej qindra vjetësh – po jep shpirt prej kohësh. Ktheni kokën vërdallë. Në çdo moment, tek kushdo, mund të vëreni detajet e vogla të njerëzillëkut që jep shpirt. Një nënë që e di se e bija e ka fituar vendin e punës duke i bërë peshqeshe në natyrë njeriut me pozitë, dhe që e konsideron normale, madje, përfiton diçka dhe ajo; njerëz që nuk të thonë më mirëmëngjes në ashensor, por të shohin shtrembër, madje dhe pështyjnë mu në dyshemenë e ashensorit ku ti po hyn e nga ku ata po dalin; gruaja e katit sipër që derdh mbeturinat mbi rrobat e tua që thahen në tel; unë që shoh një hajdut xhepash në autobus, e nuk flas; videoja e famshme, por që nuk provon se fakti ekziston, e ku blloku i famshëm, më shumë se korrupsion, është një bllok pa njerëzillëk në secilën nga pikat e tij; e vërteta e manipuluar në çdo medium e nga çdo gazetar që duhej të ndërgjegja e së vërtetës vetë... Në çdo hap, në çdo bisedë, tek çdo njeri, përditë, unë shoh vdekjen e njerëzillëkut.

Dhe ja ku më del një pyetje tjetër, që i duhet bashkangjitur buqetës së pyetjeve më sipër: Nëqoftë se ne nuk jemi më të njerëzishëm, nqs kushdo rrotull nesh është objekt abuzimi e dhunimi, po pse rrimë atëherë bashkë?


Bashkësi njerëzore pa njerëzillëk

Këtu, na duhet të kthehemi përsëri te djali i bankomatit. Një djalë me llogari në bankë, me një ves të vogël kumari, me një pamje të pëlqyeshme, i veshur shumë mirë, besoj se dhe me njëfarë shkollimi, shumë femra do ishin të lumtura ta ndanin botën e tij, është megjithatë një varr për njerëzillëkun. Është një djalë që s’di të thotë “më fal, mos je në rradhë”. Është një njeri që nuk e kupton ku është perimetri i privatësisë së dikujt, e i rri ngjitur gruas që tërheq para në bankomat. Është pra, një njeri që nuk sheh. Jo se nuk do. Unë nuk besoj se ai sillet qëllimisht ashtu, i panjerëzishëm. Ai, thjesht, nuk e ka njohur ndonjëherë njerëzillëkun. Besoj, jo për faj të tij. Ai është si historia e pushtimit të Botës së Re, që mua më pëlqen ta mendoj shpesh.


Indigjenët e Botës së Re

Thonë se kur anijet e Kortezit zbritën në Botën e Re, actekët nuk i panë. Actekët nuk ishin mësuar që nga deti mund të vinte diçka. Syri i tyre, mendja e tyre, nuk e perceptonin dot diçka sado të madhe, që vjen nga deti. Anijet ishin të mëdha, si asgjë që ata kishin parë në jetën e tyre, por, edhe kur ishin fare afër bregut, actekët nuk i vërejtën. Truri i tyre nuk arriti ta merrte kurrë mesazhin. Shqisat e tyre nuk e dërguan kurrë atë mesazh.
Siç e thashë, asgjë nuk vinte kurrë nga deti për ta. Ata, nuk ishin mësuar të prisnin me sytë andej. Sytë e tyre i shihnin, pa i perceptuar, si djali i bankomatit nuk më shihte mua në rradhë.

Si truri i asaj gruas në shkallë që të sheh por nuk të thotë “mirëmëngjes”, apo turi i atij pushtetarit që nuk e kupton pse duhet të ketë njerëzillëk në listën e korrupsionit ditor, kur në atë listë preken jetë njerëzish të tjerë.
Djali bankomatit, nuk e ka ditur kurrë njerëzillëkun. Ai, nuk është mësuar të presë gjë nga ajo fushë, si actekët. Ai, nuk pret që po të ndërronim vendet, unë ti thoja: “më fal, mos po pret në rradhë?”. Ai nuk pret që dikush ta dojë për atë që është, një njeri në këtë bashkësi njerëzore. Ai nuk pret që dikush në këtë vend ta ndihmojë kot, pa marrë shpërblim konkret mbrapsht. Ai nuk pret një ‘mirëmëngjes’ përveçse nga dikush që po kërkon ti serviloset. Atëherë, pse duhet t’ia thotë vetë dikujt?

Ai nuk pret njerëzillëk nga kush, as për vete, e as për fëmijët e tij. Në luftën e përditshme për të mbijetuar në këtë vend, ai nuk rri kurrë me sytë nga ai ‘det’ për të pritur diçka.
Si actekët.


Bota e re

Djali i bankomatit është pjesë e një sistemi ku fajtorët janë të shumtë. Sistemi arsimor promovon të kundërtën e njerëzillëkut; prindërit nuk ia mësojnë, sepse kanë 20 vjet që nuk e përdorin; vlerat që promovon shoqëria jonë TV-dominuese nuk kanë të bëjnë me njerëzillëkun, por me boshllëkun e tij; njerëzit që sheh e admiron në TV janë kampionë arrogance e anti-njerëzillëku. Çfarë ka njerëzore në “duhet tia dhunosh nënën që të të thotë babë”? E pra, kjo është formula e Botës sonë të Re.

Këta janë indigjenët e pafaj.

Unë e urrej Kortezin për mënyrën sesi ua “mësoi” indigjenëve se gjithçka që u duhet, është vetëm ajo që vjen nga deti. Por, tani që sistemi i pa-njerëzillëkut është çimentosur, unë shoh përherë e më pak misionarë në aktivitet.
Madje edhe ata pak misionarë që shoh në qarkullim nuk më duket se kanë edhe vetë besimin e duhur, për të konvertuar në njerëzillëk djemtë e bankomatëve, fëmijët e tyre, prindërit e tyre, mësuesit e tyre, liderët e tyre, deputetët e tyre, shefat e tyre, idhujt e tyre.
Actekët po i konvertojnë misionarët, në vend që të ishte e kundërta. Te kjo fjali jeni të lirë të vendosni pikëpyetje në fund, sipas dëshirës.

Sunday, February 12, 2012

Tirana e ideve të vogla

Botuar te Shekulli, e dielë, 12 shkurt 2012


Duke lëvizur nëpër qytet, ndjesia është që nuk ke më çfarë ti bësh. Horrori ka ndodhur. Në këtë genocid urban King-kongut do ti merrej fryma, Al Kapone nuk do gjente dot ku e ka shtëpinë, Gaudi do të refuzonte të dilte nga shtëpia.

Megjithatë, Tirana mund të ishte një qytet më njerëzor. Unë e kuptoj që projektet e mëdha janë mundësira për të reklamuar më shumë punën, ndoshta dhe vjedhur më shumë, por, qyteti ndryshon jo me megaprojekte, me megandërtesa, me megatramvaje, por me ide më të vogla e më njerëzore.
Tirana nuk ka problem tramesh, por trafiku; nuk ka problem mungese super-kishash e super-xhamish, por probleme thatësire shpirtërore; nuk ka probleme lulishtesh, por probleme njerëzillëku.

Tirana, ka nevojë për idetë e vogla. Mjafton që të jenë njerëzore.

Nga Basora në Bathore

Në fillim duhet të ngremë zërin për tu treguar të pushtetëshmve që Tirana nuk fillon te Kulla e Sahatit e mbaron te Universiteti. Tirana, fillon te Banka e mbaron në Kombinat; nis te ish-Pastiçeri Flora e përfundon në Kodër-Kamzë; shtrihet nga Nëna Shqipëri e deri te ura e Peshkatarit; zë fill nga stadiumi Dinamo e mbaron ehuu.. në atë anë nuk i shihet as fundi.

Nuk është as Blloku e as qendra, por janë periferitë që e përbëjnë Tiranën. Politikat e Bashkisë duhet të fillojnë nga periferitë, ku ka akoma hapësira për të ndërtuar (civilizim, jo pallate), që ajo zonë të mos i ngjajë më Irakut të pushtuar.

Rivitalizmi i periferive, fillon që me ç’zanien e tokës. Mund ta kuptoj legalizimin e shtëpive abuzive, por nuk kam për ta kuptuar kurrë sesi mund të legalizohet toka e grabitur që rrethon shtëpinë. Ajo tokë duhet kthyer në pronë publike, duke zgjeruar rrugët aty ku ka vetëm shtigje dhie, duke shtuar trotuare aty ku ka vetëm baltë, duke mbjellë pemë aty ku ka goma të hedhura e duke vendosur stola aty ku rrisin pula.

Tiranës nuk i duhet një plan i ri për sheshin, por plane specifike urbanizimi për periferitë. Periferitë duhen lehtësuar nga betoni e muret abuzive. Në Periferi duhet çuar jeta.

Parlamenti i Bregut të Lumit

Koncepti i përqendrimit të ndërtesave, qoftë dhe atyre qeveritare në qendër, është gati-gati feudal. Shteti nuk mund të funksionojë si oborr Princi. Ne nuk mund të ndërtojmë një stadium të ri në Qendër, një Parlament të ri në Qendër, e çdo gjë në qendër, meqë dikush, dëshiron që të ndjehet madhështor mes veprave të veta teksa bën 100 metra në këmbë nga shtëpia në zyrë.

Parlamenti dhe Stadiumi duhen ndërtuar në periferi, për ti dhënë jetë zonave ku ka vetëm mure, avlli të paligjshme e kulla gjakmarrjeje.

Dhe jo vetëm mega ndërtesat, por dhe teatro të vegjël, studio arti apo ndërtesa cirku duhen ndërtuar e stimuluar në periferi, për të angazhuar artistë të papunë e për të mbushur me shpirt këto zona ku i vetmi argëtim është Van Dami në televizor e në rrugë.

Instalacionet e Alliasit

Përvoja botërore ka treguar që arti i zbut periferitë e degraduara.

Bashkia duhet të krijojë mekanizmat që piktorët e rinj e të etur për punë të mund të marrin studio falas në periferi. Ato vende ku i vetmi argëtim është loja me thika e me grushte, mund të zbuten më shpejt e më mirë përmes artit. 100 piktorë në Allias, nuk do ta bëjnë zonën më të pasur, por do të krijojnë klimë artistike, vatra kulture dhe zonë qarkullimi artistësh e idesh.

Tirana ka plot hapësira që mund tu jepeshin artistëve vizualë për ti përkthyer në ide artistike. Mijëra piktorët e papunë të Tiranës mund të konkurojnë me ide e projekte për të shndrruar mure të trishtë a masivë ndërtesash çnjerëzore në piktura murale e në vepra arti konceptuale, të cilat do ti bëjnë qytetarët të ndjehen më mirë e piktorët më të vlerësuar, e mbi të gjitha, të punësuar.
Pallatet nuk mund të lyhen nga Kryetari i Bashkisë me shigjeta të shtrembëta. Pallatet, duhen kthyer në koncepte arti nga artistët vizualë.

Sa herë të shfaqen në një zonë periferike shenja të degradimit, të dhunës e depresionit urban, bashkia duhet të ndërhyjë me armatën e piktorëve e artistëve vizualë. Në një Allias me instalacione, është më vështirë të vrasësh.

Muret e Babilonisë

Ne jetojmë mes muresh. Të tërë përpiqen ti kthejnë shtëpitë e tyre në kështjella të papushtueshme. Prandaj, ndërtojmë mure pas muresh, i ngremë dhe nga dy metra, u vëmë dhe xhama të thyer e tela me gjemba sipër. Kështu jemi bërë. Ne jetojmë si në rrethim në këtë qytet, e harrojmë se kështjellat vërtet nuk lënë të hyjë njeri, por janë dhe burgje për ata që janë brenda.

Muret tona e kanë historinë të largët, ndoshta 50 vjet. Dikur, muri të mbronte nga sytë spiunë. Bota nuk kishte pse të shihte antenën tënde, rrobat e tua në tel, çfarë flisje, e çfarë kishe në oborr e shtëpi. por, shumica e këtyre mureve janë ngritur mbi pronën publike.

Ka ardhur koha që këto mure të shemben. Mua do të më pëlqente që vendin e tyre ta zinin kangjella, dhe në vend të pulave të shihja lule, ose të paktën domate në oborret e rrethuara.

Ka ardhur koha që komunitetet të hapen. Asnjë copë trotuar apo lehe bari nuk i përket dikujt, por të gjithëve.

Ishujt, janë filozofia e atyre që mbijetojnë në majë të malit. Në qytet nuk mund të gëzohet në ishuj.

Kinemaja mes trash-kulturës

Në periferitë tona e vetmja jetë është ajo e bilardove. Tirana e para 90-s ka pasur 7-8 kinema nëpër lagje. Sot, kinemaja është bërë luks i qendrës. Në të kundërt, Bashkia duhet të iniciojë e favorizojë ri-hapjen e rrjetit të kinemave në periferi.

Ndërkohë që Bashkia duhet të mbështesë jo një, por dhe më shumë festivale e aktivitete filmi në Tiranë, për të thithur artistë, talente e vëmendje, duke zhvilluar konkurse të filmit të shkurtër e të gjatë, duke hapur inisiativa të tipit “Tirana I Love You”, duke e rikthyer Kinostudion në një zonë preferenciale filmi. (haha, këtë të fundit e thashë për humor. Kinostudio tashmë ka vdekur.)

Bashkia e ka për detyrë që të ndërtojë (ose të rikthejë në origjinë) një kinema bashkiake, ku të trasmetohen vetëm filma të rrallë e autor, filma jo komercialë e që nuk kanë ku të shihen tjetër, që të jetë pikë referimi kulture filmike dhe qendra që mbledh komunitetin jo dhe aq të vogël të të pasionuarve pas kinemasë. Java e filmit rus a çek, java e Fritz Langut, klasikët e kinemasë pa zë, kinemaja kubane, e shumë inisiativa të tjera, duhet të kenë “shtëpinë” e tyre në Tiranë.

Sheshet e gijotinave

Sheshet tona, janë vende ku dilet për të bërtitur se kush duhet të shkojë në litar. Sheshet, janë vendet që e kanë humbur demokracinë, në favor të çjerrjeve. Prandaj, unë do doja në çdo shesh një foltore, ku kushdo mund të hipë e tu flasë qytetarëve, njësoj si në demoset e lashta greke.

Sheshet, gjithnjë e më shumë u duhen shkëputur tymit e makinave dhe u duhen rikthyer njerëzve.

Parkimi i anijeve kozmike

Parkinget abuzive, gjithashtu duhen futur në sistem. Këto inisiativa të egra që kanë zënë hapësira mes pallateve duhen sistemuar në mënyrë urbane. Risistemimi i parkingjeve, duhet bërë paralelisht me një reformë të thellë transporti publik.

Tirana dikur bëhej për 15 minuta me biçikletë nga cepi në cep. Sot, në Tiranë çdo ditë kryhet një krim i madh. Për të ardhur nga Blloku deri në Laprakë mund të të duhet një orë. Pra, ti mund të humbasësh dy orë në ditë në Tiranë nëpër autobusa, njësoj sa po ti biesh Nju Jorkut cep më cep me metro.

Dita jonë nuk ka 60 orë. Ka vetëm 8 orë liri, pos 8 orëve burg pune e 8 orëve koma.
Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto orë të vrara çdo ditë nga jeta e mijëra njerëzve, orë kreative që nuk kthehen dot më pas. Makthi i transportit, nuk prek askënd nga njerëzit me pushtet. Ata vetë e hapin rrugën në trafik me sirena policie.

Music for the masses

Tirana është i vetmi metropol, që nuk ka një ndërtesë apostafat për koncerte. I vetmi vend, Pallati i Kongreseve, është një sallë që e vret muzikën, sepse është bërë për tu dëgjuar një zë, e jo një melodi.

Tirana ka nevojë urgjente për të krijuar një arenë koncertesh, dhe mbi të gjitha për të krijuar një zinxhir festivalesh që të promovojnë artistë e rinj e rrymat muzikore me publik të kufizuar.

Bashkisë nuk i kushton asgjë që të manaxhojë një studio muzikore ku çdi artist apo grup muzikor të mund ta bëjë albumin e vet falas, të distribuar me fondet e Bashkisë.

Panairi i kotësive urbane

Në vend që të thirret tërë periferia në qendër, duhet shkuar në kah të kundërt. Qendra duhet të bëjë vizita në periferi. Panairi i salçiçeve nuk mund të stabilizohet në qendër, por, mund të ishte një panair shëtitës nëpër zona të ndryshme të qytetit. Po kështu panairi i mjaltit, i rrobave të përdorura, i antikuarëve, etj., duhet të jetë një strukturë që lëviz një herë në dy javë në një lagje të re.

Tirana, një vend ku të jetohet e jo thjesht mbijetohet

Që të mbijetosh në Tiranë, duhet të kthesh vazhdimisht kokën majtas-djathtas për tu ruajtur nga King-kongu 4x4. Tirana është parajsa e Al Kaponeve të tranzicionit. Tirana nuk ka asnjë Gaudi.
Tirana mund të ishte një qytet më njerëzor.
Por, nëse për kreun e Bashkisë së Tiranës luftohet me mjete, artileri e financa të ngjashme me ato për pushtimin e Irakut, kushdo që do të vijë në pushtet do të largohet duke lënë pas rafineri në flakë e kamikazë.

Tirana, mund të bëhet edhe me ide të vogla. Por fatkeqësisht, kërkon burra të mëdhenj.

Thursday, February 9, 2012

KOZMIKOMIKET: Mbi burrërinë dhe homoseksualitetin

Bigger, longer and uncut :)

Botuar në version më të shkurtër në Revistën Klan e shtunë, 4 shkurt 2012.

Botuar në version akoma më të shkurtër në respublica.al, e hënë, 6 shkurt 2012.


Ka disa kohë që po përtypja disa ide mbi homoseksualitetin dhe Shqipërinë, por më duhej vetëm një ngacmim për të më bërë të ulem e të shkruaj. Ngacmimi erdhi. Ishte reagimi i Mustafa Nanos te Respublica.al në lidhje me një fenomen televiziv.
Zoti Nano orientoi një kritikë të rreptë duke e konsideruar homofobi batutën e Sidrit Bejlerit në emisionin The Voice of Albania, ku traineri duke folur për një këngë të konkurentit Lundrim, u shpreh që versioni origjinal, ai i Xhorxh Majkllit, nuk ishte dhe aq ‘burrëror’. Aluzioni komik për homoseksualitetin e Xhorxh Majkllit, u nënkuptua përmes frazave të Sidritit, i cili, “kishte kërkuar që versionit të Lundrimit të këngës Careless Whispers t’i vinte era burrë, e jo era manushaqe”.

Kritika e Mustafa Nanos u mbështet online nga përkrahës të çështjes gej, nga gej, heteroseksualë, sigurisht dhe nga njerëz që kanë përherë diçka për të thënë. Por, komentet e çuan në skaj kritikën, duke kërkuar deri edhe pushimin e Sidritit nga puna, etj. Dikush shkruante që 3 trainerët e tjerë që qeshën, duhet të kërkojnë falje publike! Sepse... qeshën!!

Le të flasim pra, pa doreza për Xhorxh Majkllin, gejtë, burrat namuzqarë (siç i ironizon z. Nano) dhe Shqipërinë.

Për lehtësi shkrimi, po i shmangem komplikacioneve në emërtim dhe diskursit se kush është gej, kush lesbo, kush transgjinor e kush biseksual. Po i quaj thjesht dhe miqësisht ‘gej’.

Unë dhe gejtë

E njoh realitetin gej që nga angazhimi im i hershëm me OJQ-të në fillim të viteve ’90 kur disa pak prej tyre luftuan për të hequr ligjin enverist që dënonte gejtë në kohëra vërtet problematike për ta. Kam qenë në konferenca gej evropiane, njoh problematikat, kam shumë miq gej, disa dhe mjaft të afërt, dhe kam në shtëpi albumin ‘Older’ të Xhorxh Majkllit.

Në lidhje me çështjen gej, kushdo e ka kollaj ta përcaktojë veten e tij: pro, kundër, indiferent. Unë, medoj që ka dhe pozita të tjera që, pa qenë kundër, janë jo-aprovuese në mënyrën sesi zhvillohet lufta për tolerancë.

Mbi trekëndëshin e çifutëve

Xhorxh Majklli është gej. Në botë ka shumë gej, por më shumë jo-gej. Ka dhe një pafundësi barcaletash me gej. Një nga gejtë më simpatikë të botës, sir Elton Xhon, bën pafund batuta e tallje me gejtë. Por, Sidriti, duhet të pushohet!

Sepse, siç ma sqaroi dikush, vetëm gejtë kanë të drejtë të bëjnë batuta me “homo”. Vetëm romët kanë të drejtë ti thonë njëri tjetrint “jevg”.

A do të ishte mërzitur z. Nano nëse Sidriti do të ishte gej, e do të thoshte ato kunjat për Xhorxh Majkllin? Sigurisht që jo. Sepse, a mund ta quanim homofob një gej? Dhe, a u lejohet gejve të qeshin me batutën e Sidritit? Apo duhet të dalin të kërkojnë falje nëse qeshin?

Këtu kemi shenjat e para të diskriminimit në krah të kundërt. Paska disa humore që qenkan për disa të privilegjuar për ti bërë e për të qeshur, por jo për ne heteroseksualët e gjorë. Barcaleta me bjondet duhet ti thonë vetëm bjondet, ndërsa barcaleta me kafshët, askush. Përveçse, po pati qejf macja ime të tregojë ndonjë.

Por, edhe sikur vetëm gejve ti tolerohet humori mbi gejtë, në këto kohëra të vështira, kur gejtë nuk dalin hapur, si do ia bënte z. Nano për të dalluar se kush është gej e kush jo? Apo tu vëmë nga një fjongo? Meqë fjongoja do më faturohet si ‘sidritizëm’, mos duhet tu vëmë një trekëndësh siç ua vinin gjermanët hebrenjve? Kush ka trekëndësh le të bëjë batuta. Le të qeshë. Ju pa trekëndësh, dilni kërkoni falje. Dhe, meqë romëve u lejohet të thonë ‘jevg’ mos duhet t’u vëmë dhe atyre një trekëndësh (të themi të verdhë)? Apo... A! A! A! Mos do thonit që ata njihen që janë romë nga... ngjyra? Turp. Kërkoni falje! Unë nuk i njoh nga ngjyra se jam daltonik. Por, dua të di, kush ka të drejtë të përdorë termin jevg, pa qenë racist, e kush jo!

Por, le të kthehemi te Xhorxhi.

Mbi Xhorxh Majkllin

Gjithçka filloi mbi një batutë se Xhorxhi ‘nuk është burrë’. Shprehjen ‘filani nuk është burrë’ ne e përdorim vazhdimisht, në shumë situata. Dikush që nuk na ngre telefonin, dikush që nuk ka guxim tia plasë shefit në fytyrë, dikush që na shkel besimin, dikush që nuk mban fjalën, etj, etj. ‘nuk është burrë’.

Por, çfarë është një ‘burrë’? nga se përkufizohet? Nga zëri i trashë? Sa meshkuj ka me zë të hollë! Nga organi gjenital? Po hermafroditët! Nga mjekrat? Po qoset! Nëse nuk ekziston një përkufizim për ’burrë’ me ç’të drejtë Xhorxh Majklli duhet të mërzitet që dikush i thotë ‘nuk e ke kënduar dhe aq si burrë’?

A ka shumë sens të shtrohet çështja “pse i tha ‘s’je burrë’”, kur shumë homoseksualë me përkëdheli preferojnë ta thërrasin veten ‘ajo’? pa përmendur pjesën tjetër që preferojnë rroba femrash, etj.

Është e pamundur të përkufizosh sot çfarë është ‘si burrë’. Në këtë rast, askush ska pse mërzitet nga batuta. Përveç Xhorch Majkllit.

A duhet të ketë një etikë televizive? Sigurisht që po.

Mbi realitetin verbal

Shumica e komentuesve, sjellin në komentet e tyre një pjesë nga ajri që thithin matanë, pjesë e etikës televizive britanike apo amerikane. Edhe pse ka shumë më tepër homofobi në tekstet e hip-hopit britanik sesa po të përsëritësh 100 herë shprehjen “Xhorxhi nuk është dhe aq burrë”.

Etika e një vendi i përgjjigjet zhvillimit të shoqërisë që atij vendi. Shqipëria është një vend ku figurat publike dalin e shajnë me libër shpie individë të tjerë, akuzojnë, fyejnë, shpifin.

Ligjërimin televiziv, pra standartet, i vendos niveli i shoqërisë. Ne jemi ashtu, prandaj na flasin ashtu në ekran e media. Që të mos flasin ashtu, duhet të refermohemi ne që i shohim.

‘Xhorxhi nuk është dhe aq burrë’ është sigurisht jo shumë korrekte në standartin britanik, në shoqërinë britanike. Por, në kushtet e Shqipërisë, ky është krimi më i madh i etikës në këtë vend? A nxiti ajo batutë urrejtje? A dhunoi një individ konkret (Xhorxh Majklli, është tashmë ikonë, nuk i përket kësaj bote)? A i shpifi gjë dikujt? A akuzoi për diçka që nuk e ka bërë dikë? A na bëri ky humor më të egjër e më të këqinj?

Dhe, fraza ‘burrat namusqarë të Shqipërisë’ a mund të ishte fyese për tërë ata që e mendojnë ashtu për Xhorxh Majkllin? Apo... namuzqarët janë të këqinjtë, ata nuk i mbron as zonja Klinton.

Ne duhet të ecim përpara si shoqëri, dhe etika do të gjejë vetë parametrat e vet. Nëse pushojmë Sidin, çfarë do të ndodhë? Do të behemi vendi më gej-friendly në Evropë, dhe Evropa do na ndjekë nga pas?

Nga reagimi i Mustafait, ndjeva sikur të jesh gej është sëmundje, dhe ti nuk mund të tallesh me vuajtjen e tjetrit! ‘Atë sëmundje, mund ta kishte edhe fëmija yt’ më erdhi fraza në vesh. E di që nuk e tha ashtu, por, kemi hyrë në zonën ku mund të interpretojmë çdo gjë.

Gjithsesi, reagimi në mbështetje të shkrimit të zotit Nanoo nuk është aq i papritur. Vetë bota gej, është shumë komplekse.

Mbi sferën gej

Bota gej është relativisht komplekse në marrëdhënie me botën jo gej dhe me vetveten.
Ndaj gejve ka diskriminim, i cili në shumë raste kalon çdo lloj parametri njerëzor e demokratik. Gejtë, kryesisht ata më të pambrojturit, që s’kanë as shtëpi e as pozitë, as para e as miq, goditen, rrihen, shpesh edhe nga njerëz me uniforma shtetërore. Ata nuk punësohen, nuk kanë shkollim, janë të dhunshëm, mezi mbijetojnë.

Aq më keq kur të qenit gej përzjehet me margjina të tjera, psh, dikush është dhe gej edhe i papunë, gej edhe prostitutë, gej edhe i varfër, gej dhe i pashkolluar. Të jesh gej të shohin shtrembër. Mund të mos të të marrin në punë. Mund të të nxjerrin nga shtëpia. Mund dhe të të godasin.

Por ata nuk janë të vetmit që vuajnë.

Mbi margjinalizmin

Ka shumë kategori njerëzish të margjinalizuar. Po përpiqem të rreshtoj disa.
Gratë e dhunuara. Gratë e përdhunuara. Fëmijët e dhunuar. Fëmijët e përdhunuar. Romët. Egjiptianët. Nënat beqare. Fëmijët e braktisur. Ish të burgosurit politikë. Ata që dalin nga burgu. Gratë që dalin nga burgu. Invalidët (me disa nënseksione). Hemofilikët. Të sëmurët mendorë (me disa nënseksione). Njerëzit në karrige me rrota. Prostitutat. Malokët. Tropojanët. Katundarët. Pastrueset e rrugëve. Hamejtë. Pabuksat (të varfërit). Shumë kategori të tjera të margjinalizuara, që nuk më kujtohen.

Mbi fatin

Gejtë, në aspektin e margjinalizimit janë më me fat. Ndryshe nga romët e invalidët, ata mund ta mbajnë diversitetin e tyre larg botës. Të qenit gej nuk varet nga familja e as nga shkollimi. Ata mund të kenë shkollim të mirë, familje të mira, mund të mos jenë romë, etj. Ata nuk e kanë në ballë ‘damkën’ që të vë kjo shoqëri e prapambetur.

Gejtë janë sot kudo, në majat e artit, shoqërisë civile e politikës. Në rangjet më të larta të drejtimit e të institucioneve. Shpesh të fshehtë, rrallë publikë, por, janë aty. Kanë mundësi të punojnë për kauzën. Kanë mundësi të shkruajnë në forume kundër Sidritit. Romët nuk kanë asnjë njeri atje lart. Nëse Hillari Klinton mbrojti publikisht rastin e një geji shqiptar, këtë fat nuk e kanë shtresat e tjera të margjinalizuara. Nëse ambasadat japin fonde për kauzën gej, vjen sigurisht edhe për shkak të network-ut gej. Lobizmit.

Këtë fat, shtresat e tjera të margjinalizuara në shumicën e rasteve, nuk e kanë. Për ata, nuk flet askush. As online. Ata nuk kanë as lap-topë e as e dinë ku është respublica.al që të mund të shkojnë e t’i bashkohen zërit të protestës. Fati, i përcakton ndonjëherë prioritetet, jo në bazë të nevojës reale.

Mbi anën e errët të sferës gej

Por, bota gej na shfaqet me problematika të tjera, të thella, të cilat ata që i përkasin kësaj bote i njohin mirë. Nuk janë të pakta rastet e nepotizmit seksual, ku një drejtues institucioni gej e mbush me gej të tjerë jashtë parametrave profesionalë vendin e punës. Njësoj si ata meshkujt që punësojnë vetëm vajza seksi, beqare e të reja. Nuk janë të pakta rastet, kur gejtë me përvojë manipulojnë mendjet e njoma dhe seksualitetet ende të turbulluara të 14-16 vjeçarëve për ti tërhequr në sferën e tyre. Ka shumë gej që bëjnë jetë të dyfishtë, duke u martuar e bërë fëmijë thjesht për koperturë. Moralisht e gjykoj të pandershme të marrësh në qafë një grua e fëmijët e tu, për të cilët ke për të qenë përherë bashkëshort e baba ‘part time’. Këto problematika kanë nevojë të adresohen breda botës gej, që lufta e tyre të jetë pastaj e hapur parimore, dhe bota jo gej ti mbështesë.

Mbi luftën gej

Sigurisht që ka një kauzë gej. Kushdo duhet të ketë lirinë dhe garancinë që të thotë atë që është e të mos paragjykohet për atë që është. Edhe pse, në një vend ku të paragjykojnë që nga lagjja ku je rritur e te partia që voton, kjo është një luftë e gjatë. Dhe kjo luftë, nuk bëhet duke luajtur rolin e viktimës sa herë dikush bën një humor.

Shoqëria, zhvillohet si e tërë. Ne duhet të luftojmë duke reformuar krejt shoqërinë, e jo duke ‘reformuar’ humorin. Lufta për të drejtat e një grupi me një zgjedhje të caktuar nuk bëhet duke i hequr të drejtën e të qeshurit cave.

Lufta për të ndryshuar shoqërinë fillon nga vetja. Komuniteti gej, duhet të fillojë të dalë haptas. Shoqëria do të bëhet e hapur kur të tërë gejtë, biseksualët, lesbiket e transvestitët, të dalin hapur e të tregojnë ku janë e sa janë. Duke dalë hapur, ata do i bëjnë vetvetes atë shërbim që nuk ia bëjnë dot as të tëra shoqatat e ambasadat e as të tërë komentet on line.

Gejtë duhet të na çlirojnë ne nga ideja që ata nuk ekzistojnë. Ata, duhet të bëhen burra e të dalin hapur. E vetmja pikë ku Xhorxh Majklli është vërtet burrë. Doli e tregoi kush është.

Mbi botën tjetër. Jo gej.

Një paralele e keqe, është feminizmi. Unë nuk besoj se ato kanë arritur diku. Gratë janë po aq të ndrydhura, e vetmja gjë që feministet ngritën veç urrejtja ndaj burrave është më e madhe. Lëvizja gej duhet të ruhet nga rënia në këto pozita, ku, ata të tjerët, na qenkan “namuzqarët e neveritshëm”

Unë vetë kam qeshur me batutën e Sidit. Dhe nuk kam asgjë për të kërkuar falje. Dhe as nuk pranoj që të më tregojnë se me çfarë duhet të qesh. Unë nuk mund të mbështes një kauzë që synon të sillet si censore batutash humori.

Kjo nuk ka asgjë ndryshe sesa ai rasti kur u ngritën të linçonin 2 artistë se bënë një skeç me papën. Apo lufta për disa karikatura të Muhametit. Linçimet nuk mund të jenë armë lufte për të drejtën.

Lufta e vërtetë është aty jashtë. Dilni, dhe ne të tjerët do të bashkohemi për të drejtat tuaja. Por jo për të vënë kufirin se ku duhet tu vijë të tjerëve të qeshin. E as se çfarë karikaturash u lejohet artistëve të pikturojnë.

Fundi pa luftë

Unë, jam një mik i kauzës gej, por jam shumë i bindur që do të ketë komentues që do të më sulmojnë me egërsi. Ky është pjesë e problemit, që nuk duan ta kuptojnë. Nuk jam unë që duhet të më ndryshojnë me luftë. Është e vetja e tyre.

Sunday, February 5, 2012

Kombi i palumtur

botuar te Shekulli, e diel, 5 shkurt 2012

Unë kam një problem me statistikat. Koncepti më çnjerëzor për mua është ai i PBB, Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bashkë me të dhe defiçiti buxhetor. Jam ndjerë kështu ndaj shifrave sa herë zhvillimin e Shqipërisë së statistikave e krahasoja me Shqipërinë time, atë të përditshmen, të njerëzve, të halleve e lumturisë së tyre. Shqipëria ime me Shqipërinë e shifrave nuk kanë shumë lidhje. Sa më shumë përparon Shqipëria e shifrave, aq më e vetmuar shoqëria shqiptare; sa më i lartë Prodhimi i Brendshëm Bruto, aq më të panjerëzishëm e të ligj njerëzit; sa më stabël inflacioni, aq më shumë dhunë ndaj njëri-tjetrit, deri në asgjësim.

Ajo që unë besoj është se shifrat e zhvillimit, nuk tregojnë të vërtetën për njeriun. Mënyra si e masim zhvillimin është pjesë e një sistemi të kalbur ekonomik e shoqëror, që e tregoi veten vitet e fundit.

Këtu është çasti që komentuesit nervozë, fillojnë e përmendin vendet që kanë parë, “shko në filan shtet/qytet e shih ç’bëhet” “mos kujto se ky problem është vetëm te ne”, etj.
Sigurisht. Në asgjë që shkruaj nuk kam besuar që është problem vetëm i berndshëm. Shoqëria njerëzore kalon sfida të ngjashme në të tërë planetin. Sistemi, ai që propagandohet si më i suksesëshmi, është jo-funksional gjithandej. Ndryshimi është që këtu tek ne, sistemi nuk pikon depresion. Pikon gjak.

Kombi i palumtur

E tërë dita jonë shkon mes pyetjesh që na brejnë.
A thua do na vonojnë rrogat? A më dalin 10 mijë lek për sonte? A do gjej parkim? A do ma thyejnë xhamin? A do mi vjedhin tasat e rrotave? Kushedi sa na kanë ardhur dritat? Ku ta vëmë një fëmijë të dytë? Kush do ma marrë vajzën nga shkolla? Çfarë dhurate ti bëj mësueses së djalit? Ku ti gjej një mik profesorit? A thua e ha lekun? Të ketë luajtur prapë bixhoz? Ku ti gjej paratë për borxhin? Si s’kam një femër beqare te puna? Do na e ndërrojnë shefin, se sapo e rregullova muhabetin? Sa ditë pushim mund të bëj me kaq kursime?
Këto pyetje, janë njëkohësisht dhe përgjigje. Përgjigjet e një kombi të palumtur.

Shqetësimi im është se, nëse në teori ne i gëzojmë të drejtat bazë njerëzore, pse, jemi përherë e më të frustruar? Nëse vendi ecën përpara, qoftë dhe me milimetra, pse jemi të palumtur? Nëse gëzojmë fjalën e lirë, garancinë e strehimit e ushqimit, pse jemi përherë e më të pasigurt?

Kam gjetur një merak të ngjashëm në punët e Martha Nussbaum, filozofes amerikane. Idetë e saj, janë ndoshta një pikënisje e re për një kohë të re. Idetë e saj kanë mbi 10 vite në qarkullim. Por, ndoshta, tani koha për to ka ardhur.

Kapacitetet tona

Zhvillimi, nuk mund të jetë thjesht PBB-ja. PBB-ja çuditërisht rritet së bashku me përqindjen e vetëvrasjeve. Një popull i zhvilluar, është një popull i cili i përdor në mënyrën më të mirë kapacitetet e veta. Shihni pak përreth, sa nga njerëzit që ju njihni bëjnë atë që kanë vërtet qejf të bëjnë?

Ne nuk i shfrytëzojmë kapacitetet tona, sepse askush nuk na e ka mësuar që mirëqenia, është E DREJTA jonë. Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik nëqoftë se njeriu nuk ka mirëqenie, le të jetë si e sa të dojë inflacioni.

Martha Nussbaum, ka përpunuar një listë të kapaciteteve të njeriut. Plotësimi i tyre, është në fakt një program ekonomik zhvillimi.

10 kapacitetet e njeriut

Më duket me vlerë ti rendis të dhjetë kapacitetet që përcaktojnë mirëqenien e njeriut. Kështu, mund të kuptoj më mirë, pse nuk ka mirëqenie në këtë vend.

1. Jeta. Sipas filozofes, është shumë e rëndësishme që njeriu të jetojë një jetë të plotë, deri në fund të jetëgjatësisë normale. Njeriu, ka të drejtë të mos vdesë para kohe.
2. Shëndeti i trupit. Njeriu ka të drejtë të ketë shëndet të mirë, shëndet riprodhues, të ushqehet ashtu siç duhet, të ketë strehë të përshtatshme.
3. Integriteti i trupit. Njeriu duhet të jetë në gjendje të lëvizë i lirë nga një vend në tjetrin; të jetë i mbrojtur nga dhuna, sulmet, përdhunimet; të ketë shanse për të marrë e dhënë kënaqësi seksuale dhe të ketë mundësi zgjedhje riprodhuese.
4. Shqisat, imagjinata, mendimi. Kushdo duhet të jetë i aftë të përdorë shqisat e veta; të imagjinojë, të mendojë e të arsyetojë. Për këtë i duhet arsimimi i përshtatshëm. Të ketë eksperiencat që zgjedh vetë; të përdorë mendjen i mbrojtur nga liria e të shprehurit, të jetë i lirë të gjykojë për fenë dhe votën e vet; të marrë eksperienca që i falin kënaqësi.
5. Emocionet. Njeriu ka të drejtë të lidhet me njerëzit e me sendet jashtë vetes; të dashurojë e të qajë për mungesën e atyre që do, të përjetojë mallin, mirënjohjen dhe deri inatin e justifikuar; njeriu ka të drejtë që emocionet e veta të mos i shkaktohen nga frika e ankthi prej dikujt a diçkaje.
6. Arsyeja praktike. Njeriu ka të drejtë të jetë i aftë të formojë idetë e veta mbi të mirën e të keqen dhe të reflektojë mbi planifikimin e jetës së tij. Njeriu ka të drejtën e lirisë së ndërgjegjes.
7. Bashkimi. Njeriu ka të drejtë të jetojë për dhe me të tjerët; të shqetësohet për qeniet e tjera njerëzore, të ndërlidhet me ta në forma të ndryshme ndërveprimi social; të preket nga hallet e të tjerëve: të jetë i aftë për drejtësi dhe miqësi; të trajtohet si i barabartë e i njëvlershëm me këdo qenie njerëzore mbi tokë.
8. Qeniet e tjera. Kushdo ka të drejtë të jetojë për dhe në bashkëjetesë me kafshët, bimët, dhe botën natyrore.
9. Loja. Njeriu ka të drejtë të qeshë, të luajë, të gëzojë aktivitete rekreative.
10. Kontroll mbi mjedisin e vet.(A)Politik: të marrë pjesë në mënyrë efektive në zgjedhjet politike që drejtojnë jetën e tij; pjesëmarrje e lirë, liri shprehjeje, liri krijimi partish. (B)Material: të ketë të drejtën të zotërojë pronë; të drejtën të gjejë punë, i barabartë me të tjerët.
Këto kapacitete shkojnë përtej të drejtave bazë të njeriut. Ato janë një program ekonomik, që askush nuk ka ndër mend ta vërë në praktikë. Shqipëria ime është vendi ku thuajse askush nuk i praktikon kapacitetet e tij. Madje, një pjesë prej nesh nuk gëzojnë asnjërën nga ato liri thelbësore. Prandaj jemi një komb i palumtur.

Politika e kapaciteteve

10 kapacitetet e Martha Nussbaum, janë më shumë sesa tekste librash e intervistash. Ato janë një program politik dhe ekonomik për vitet që vijnë. Ato janë një përkufizim i lirisë.
Liria jonë substanciale sipas Amartya Sen, është përmirësimi i jetës që bëjmë dhe lirisë që gëzojmë. Jetët tona duhet të jenë më të pasura, dhe ne duhet të jemi njerëz më të plotë nga ana sociale.
Qëllimi i shumë njerëzve sot është të heqin një person ose grup politik nga pushteti. Kur, duhej të ishte lufta për të sjellë në pushtet një lidership i cili vjen mbi këtë program: ti garantojë çdo shqiptari se do të kujdeset për kapacitetet e lirisë së secilit.

Liderët nuk mund të jenë më njerëz që gënjëjnë. Liderët, do duhej të ishin njerëz që e dinë se çfarë i nevojitet njeriut dhe na thërrasin ta ndërtojmë së bashku botën.

Politika duhet të vijë e frymëzuar. 10 kapacitetet e filozofes Nussbaum, duhet të jenë baza mbi të cilat të ngrihet shteti e politikat shtetërore. 10 kapacitetet i duhen mësuar fëmijëve në shkollë e në familje, për t'i bërë gati për të jetuar në një kohë të re.

Një kohë e re për politikën, për arsimimin dhe për jetën është pas murit. Ne mund të ngelemi të fundit. Por, ajo do të vijë për të gjithë herët a vonë.

Jeta, si film ku nuk luajmë ne

Në të tërë filmat amerikanë, flas për filmat komercialë me happy end, njerëzit bëjnë punë interesante, të këndëshme. Ne i mbajmë kanalet te filmat e gëzueshëm e me happy end. Në nëndërgjegjen tonë, të gjithë do donim të ishim ata personazhet e filmit, me një punë që ta bënim me qejf, do donim të takonim njerëz interesantë, të binim në dashuri me persona të veçantë, të flasim idenë tonë mbi botën. Të udhëtonim. Të ishim të lirë, e të lumtur.

Shihni pak rrotull.
Filmi ynë, nuk është nga ata me happy end.
Pak kush nga ata që njoh bën atë punë që ka qejf, voton atë që vlen, dashuron atë që e plotëson, konkuron i lirë për projekte, jeton aty ku ndjehet më mirë. Askush nuk thotë të vërtetën apo atë që beson.
Në Shqipëri ka akoma shumë njerëz që nuk kanë parë akoma as Tiranën. Ka njerëz të frustruar që nuk e dinë ç’është dashuria, veç kur e marrin me dhunë. Ka njerëz që nuk dinë të qeshin veç të kërcënojnë. Ka njerëz që nuk dinë të lexojnë por kanë marrë mastera e phd. Në Tiranë qentë rrugaçë i vrasin, breshkat i kontrabandojnë. Protestuesit, i pushkatojnë. Votën e blejnë. Fëmijët nuk luajnë dot në rrugë. Romët i djegin. Shqipëria, si pronë e paluajtëshme i përket shumë pak njerëzve.
Në Shqipëri ka njerëz që nuk kanë asgjë për të humbur, veç prangave.

Koha e re

Jemi në agimet e një kohe të re. Edhe pse, qielli përmbi ne është kryesisht i zi. Por ky nuk është Matrix dhe nuk na drejtojnë makinat.

Njeriu ka të drejtën të mos vdesë para kohe, të jetojë në shëndet, të lëvizë e lirë të riprodhohet, të marrë edukimin e duhur e të shprehë kreativitetin e vet, të ketë lidhje afektive, të ketë konceptin e vet kritik mbi botën, të jetojë në raport me të tjerët e në harmoni me qeniet e tjera, të luajë, të qeshë e të jetë kreativ, të ketë zgjedhje politike e të zotërojë prona.

Ky është ligji i ri njerëzor dhe flamuri i ri i pranverave të reja arabe.
Zhvillimi, vjen pavarësisht se shumë njerëz ishin kundër makinave me avull apo kundër kompjuterëve.
Qielli ynë është akoma i zi. Por, nuk ka mijëra rrugë për zhvillimin. Ka vetëm një. Dhe, qoftë dhe me milimetra, ne, nuk mund të shkojmë dot në rrugë tjetër.

10 kapacitetet, janë dimensioni i ri i lirisë.
Dhe - më duket se e ka thënë Gorki - lirinë nuk e meritojnë ata që nuk janë gati çdo ditë të dalin në rrugë e të luftojnë për të.