Monday, February 18, 2013

A është Rama frikacak?

botuar te revista Klan, e shtunë, 16 shkurt

Kandinsky- E Verdha E Kuqja Bluja
....................................

E keni dëgjuar që “Rama është frikacak”? Unë aq shpesh, sa kam filluar ta besoj, edhe pse nuk e njoh fare Ramën. Që dikush është frikacak është mirë të dihet, sidomos në stadium, ku gjakrat ndizen, deptetët zbresin me armë në fushë dhe tipa që s’kanë frikë hyjnë përherë në punë. Por frikacakët në politikë, sidomos kur bëhet fjalë për frikë biologjike, janë diçka shumë më serioze se sherret në stadium. Për të kuptuar se pse Rama është frikacak, fillimisht duhet parë kush tjetër ka frikë në këtë vend.

Frikë falas
Ekziston frika për të nxjerrë fëmijët të luajnë në rrugë. Mund t’i shtypin makinat ose t’i trafikojnë. Ti mund ta dërgosh vajzën me studime në Tiranë, por një ditë do të shohësh në lajme se një vajzë është zhdukur, ose një prostitutë është vrarë, dhe lutesh që të jetë shoqja e dhomës, dhe jo bija jote. Ekziston frika për të dalë natën. Vetëm Bulevardi e Blloku janë ende të sigurta.
Çdo biznes ngrihet me frikën se një më i fortë ose më i lidhur në pushtet mund të vijë të ta marrë me dhunë. Kam dëgjuar për kompani sigurimi që ofrojnë edhe eleminim fizik, përveçse ruajtje fizike. Ka mbi të gjitha, frikë për të ardhmen. Jo ankth, por frikë e mirëfilltë, si ajo e kaprollit që ndjen rrezikun dhe nis e i rreh zemra fort. Kjo frikë buron kryesisht nga politika.

Frika nga politika
Politika është motori më i fuqishëm ekonomik në këtë vend, jo vetëm se të jep punëson, të jep tendera, të ngre traun, të jep lejen e shfrytëzimit, lejen e ndërtimit e legalizimin e shtëpisë, por edhe se në çdo fill e fushë të jetës, e ardhmja jote është e lidhur me politikën. Edhe po të jesh një sekretare e thjeshtë, firma jote modeste me 3 vetë mund të falimentojë nëse njeriu me të cilin shefi ka lidhje, bie nga fiku. Le më, po ra partia! Në këtë aspekt, rotacioni është mëse i domosdoshëm. Jetëgjatësia e çdo partie në pushtet nënkupton zorrë të tharë dhe uri kronike për gjysmën e këtij vendi që është në opozitë. Prandaj, ka gjithmonë një palë që është gjithmonë me frikë, frikën e të ngelurit pa bukë, frikën e shkatërrimit të së ardhmes. Nuk është ankth, është diçka e njohur dhe e pritur.
Në një renditje të shkaqeve të frikës, dikush rreshtonte si më të shpeshtat frikën nga fluturimi, lartësia, klounët, intimiteti, vdekja, refuzimi, njerëzit, gjarpërinjtë, dështimi. Shumë nga këta elementë mund të identifikohen te kasta jonë politike (kasta, jo klasa). Gjarpërinjtë, vdekja, refuzimi e dështimi janë aty, mu në Parlament. Sidomos klounët. Politika është gjenerator i frikërave, dhe ka prodhuar frikëra masive sociale e qytetare. Po askush nuk flet.

Frika për të folur
Askush nuk flet, se ka frikë. Shkonin pyesni kryeredaktorët e gazetave të opozitës, sa kërcënime marrin. Do të habiteshit. Prandaj jo rrallë, edhe e vërteta e opozitës është gjysmake. Një miku im, më thoshte të mos e shaj Kryeministrin me zë në lokalin e vet, se të nesërmen i vijnë tatimet në derë. Nuk i nis Kryeministri. Tatimet e dinë vetë se ç’duhet të bëjnë. Tatimet, janë një instrument frike. Njësoj si policia. Njësoj si maskat. Njësoj si task-forcat. Ardhja e tatimeve, mund dhe të mos jetë e vërtetë. Por, kjo nuk e eleminon frikën. Frika ushqehet me një mundësi rreziku potencial. Sikur miliona baret e këtij shteti të nisin të shajnë Kryeministrin njëkohësisht, nuk ka aq tatimorë për t’ua çuar të gjithëve të nesërmen. Mjafton t’ia çojnë njërit. Dhe askush nuk do të dalë të bërtasë për të. Ne kemi frikë të bërtasim për të drejtat tona. Sepse, ne kemi frikë nga Bulevardi.

Frika nga Bulevardi
Frikë për të bërtitur, sepse, mund të të vrasin me duar në xhepa. Dhe jo vetëm kaq, por ka dhe publik që do të duartrokasë. 21 janari, përveç 4 të vrarëve, na la në derë cinizmin e atyre që u shqetësuan “që ku je këtu ti, të sulmosh institucionet!”. 21 janari na la në derë një kufomë të 5-të: qytetarin. Një vend pa protestues, është ose një vend i lumtur ose një vend pa qytetarë. Nuk e di ju, po unë nuk jetoj në një vend të lumtur. Unë jetoj në vendin ku të gjithë kanë frikë. Edhe Kryetari i opozitës.

Ata që nuk kanë frikë
Para se të flas për frikën e Ramës, nuk mund të rri pa vënë re që ka njerëz që nuk kanë frikë. Disa e kanë defekt genetik. Neuronet e tyre, janë të paafta të përcjellin frikë. Ata, nuk e dinë se ç’është frika dhe jo sepse janë trima. Janë të sëmurë. Por shumë më interesantë janë ata që nuk janë të sëmurë, por prapë nuk kanë frikë. Ata që janë kaluar. Ata që kanë bërë shumë zullume, po kushedi për ç’arsye besojnë se kurrë nuk do vijë momenti që t’i lajnë. Trimëria dhe budallallëku shkojnë bashkë, thonë. Do ta perifrazoja si “Mospasja frikë dhe budallallëku shkojnë bashkë.” Budallallëku i tyre është interesant, sepse, ma do mendja do jemi gjallë për të vrojtuar rikthimin e frikës tek ata. Po le të kthehemi te frikacaku Rama.

Rama ka frikë nga Berisha
Me aq sa mundem të kuptoj termin “frikacak”, i bie që Rama është i tillë në sensin biologjik. Besoj ka frikë për jetën e vet. Edhe unë kam. Politika shqiptare ka marrë në mënyrë groteske atributet e eposit të kreshnikëve. Njerëzit presin nga politika Qerosin që do presë kokën e Kuçedrës. Kjo pritshmëri, ndërton Kuçedra imagjinare dhe Qerosë imagjinarë. Dhe politika, që do të duhej të kishte të tjerë parametra, matet me kutin e qerosit trim. E pra, qerosë nuk ka. Ata që e kuptojnë që Rama është frikacak mund të kenë të drejtë, sepse e identifikojnë dhe te vetja atë ndjenjë. Kanë frikë, por duan që ai të jetë trim.

Frikacaku i mirë, me shokë shumë
Fakti që ka politikanë që kanë frikë biologjike përtej asaj psikologjike, tregon për stadin tribal të politikës. Ky nuk është fenomen shqiptar, por, ballkanik, dhe madje i tërë lindjes. Politika, si asgjësim i kundërshtarit. Ka njerëz që janë futur në politikë për të bërë para. Ka që janë futur se s’dinë të bëjnë gjë tjetër. Ka që futen atje me ca parime, dhe dalin që andej me ca prona. Ka ca që futen për të zënë dashnore. Sharmi i pushtetit. Askush nuk është futur për të vrarë Kuçedra. Por dhe në vendet ku burrat futen në politikë për të aplikuar idetë e tyre përmes pushtetit, nuk u kërkon njeri të vrasin Kuçedra. Teoria e “frikacakut” nënkupton që Rama trembet nga Berisha, kur, Berisha ka vetë frikë.

Nga se ka frikë Berisha?
Rikujtoj Gedafin e shkretë, dhe nuk e mbaj mend me antiplumb, as kur nisi lufta. Kryeministri ynë, i një vendi demokratik e të prosperuar, Zvicër, Gjermani, Norvegji e Kinë bashkë, del me jelek antiplumb. Pra, ka frikë. Frikë biologjike. Njësoj si ajo e Ramës. Nuk ka frikë për fëmijët e vet (edhe pse mund të ketë). Jeleku, është frikë për veten e vet.
Është sa e thjeshtë, aq edhe e komplikuar të shpjegosh frikën e Berishës. Në dukje të parë, i bie që ka frikë nga atentatet ose nga snajperat. Por, jetojmë në një shtet ku ai kontrollon çdo gjë, që nga një burokrat i rëndomtë ministrie, deri te Kryetari në një komunë të humbur. Kush mund t’ia çojë këtë doras në derë? Kush mund t’ia ngrehë çarkun snajperit? Kush mund ta ketë emocionin ose interesin aq të fortë, sa të organizojë vrasjen e njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri? E pra, Kryeministri ka frikë. S’besoj të jetë nga të burgosurit politikë që s’ia falin thëngjinjtë e Lirak Bejkos. Ata, maksimumi mund ta gjuajnë me miell. Vështirë të jetë trembur dhe nga ata që bëjnë thirrje në internet për Avni Rustemër. Ata vetë s’dalin as nga shtëpia. Në Toronto bie borë. Atëherë, nga kush? A mos ka frikë nga njerëz me të cilët ka hesape pa larë? A mos ka frikë nga të vetët? Apo ka frikë nga Rama? Apo ka frikë nga ligji? Apo ka frikë nga CIA? Apo ka frikë nga serbi?
Kam frikë (ja ku na ndihmon dhe shqipja, me delikatesën e vet) kam frikë se Berisha ka frikë nga hijet. Nga kujtimet e veta. Nga ajo çfarë ka bërë. Po të kishim dy Berishë në këtë vend, ai i opozitës do ta kishte vrarë Berishën Kryeministër. Ai ka frikë. Në vendin më pa qytetarë në botë.

Kombi i frikës

Ne jemi kombi i frikës. Frika - si bosht mbi të cilin ngrihen të tëra marrëdhëniet, politike, shoqërore, familjare, tregtare. Titullin abuzues e zgjodha meqë kisha vënë re që nuk po më lexoheshin më artikujt. Në fakt, nuk doja të flisja për frikacakun Ramë. Por për frikën time. Si frikacak që jam, arrij ta kuptoj frikën tuaj. Edhe të Kryeministrit. Edhe të Llupos e Prendit të mbyllur në kullë nga frika e gjakmarrjes. Kjo është shumë e rëndësishme. Të kuptosh që të tërë kanë frikë. Edhe ata që po na vrasin. Pastaj, mund të përpiqemi të ndërtojmë një komb më trim. Më trim, domethënë më të paqtë.

Monday, February 4, 2013

Deformimi i mendjes dhe i shtetit

botuar te Revista Klan, 2 shkurt 2013









Balerina në kokën e vdekjes
Salvador Dali
1932






Ka një deformim të shtetit, që ka sjellë deformimin e shoqërisë dhe mendjeve të individëve. Në mënyrë folklorike, kjo më kujton një tufë drunjsh të shtrembër, që as në zjarr nuk i hedh dot, as stivë bën dot, e as show nuk bën dot duke i thyer një e nga një. Deformimi i shtetit, mund të jetë diçka që ndreqet. Deformimi i mendjeve më duket më problematik.

Kur fundi na shpjegon tërë filmin

Diku kam pasë lexuar që pasi u mposht me votë, Milosheviçi, atëherë President i Jugosllavisë së mbetur, kur i dorëzoi detyrën Koshtunicës, si gjënë më të rëndësishme i tregoi vendet ku duheshin bërë punime në godinën e Presidencës. Si me thënë, “ai muri aty duhet shembur”, “atje tej duhet ngritur një kolibe për veglat”, e gjëra të ngjashme. Millosheviçi pati një humbje që s’e imagjinonte kurrë, pasi kishte perfeksionuar në maksimum sistemin e manipulimit të votës. Si mund ta hidhnin me votë? (opozita e mbështetur fuqimisht nga amerikanët, thuhej) Por, mua më intereson më shumë pikërisht ai momenti i dorëzimit të postit. Besoj se krejt sistemi i centralizuar që kish ngritur iu shkërmoq në sy, dhe sistemi i tij autoritar nuk e kishte parashikuar këtë moment, ndërrimin e pushtetit, duke e lënë të mpirë.
Ndaj në atë mëngjes, duket sikur kapaciteti i tij mendor ishte reduktuar, sikur u gjet befas në një planet tjetër, veglat e administrimit pushtetit nuk i përgjigjeshin, dhe e vetmja gjë për të cilat mund të fliste ishin veglat e bahçes pas Presidencës. Ta shohësh burrin më të fuqishëm të shtetit të katandisur ashtu, duhet të jetë një dramë e vërtetë për ata që e mbajtën në kurriz 20 vjet dhe bënë disa luftëra ballkanike për të. Por, më shumë se degradimi deri dhe mendor i një njeriu, ai ishte degradimi i trishtueshëm i shtetit.

Shteti, i deformuar për t’u shërbyer disave

Në këto kohë që po vriten komisarë policie në mes të ditës dhe grave u këpusin gishtin për t’u grabitur unazën, një mikut tim i ka ndodhur një histori për të qarë e për të qeshur. E kanë thirrur në polici dhe një nga njerëzit më të fuqishëm të policisë së këtij vendi e ka këshilluar “të mos shkruajë më te Facebook-u i filan këngëtari, përndryshe... ” Pa qenë nevoja të zgjatemi në detaje, filan këngëtar na qenkësh acaruar se i kanë sharë këngën në wall, ia ka “qarë” hallin një mikut të vet që është figurë shumë e njohur televizive, ky, ia ka kërkuar si favor këtij burrit të rëndësishëm në polici, dhe ja ku u bë qarku: shteti shpëtoi një këngëtar nga mërzia e komenteve në FB. Ndërkohë që drama e krimit ka shkatërruar jetët e sa e sa njërëzve, ata lart fare, bëjnë qoka Facebook-u. Duket si një histori nga të shumtat, por, është episod që shpjegon shumë qartë deformimin e funksionit të shtetit. Jo thjesht se ky shtet, vihet në lëvizje vetëm me mekanizma jashtë-ligjorë, por edhe se krijon një rrjetë të ngushtë individësh që janë të ndërlidhur me ndere e favore të vogla e të mëdha. Këta individë, e kthejnë gradualisht shtetin në një makinë dhune që mbron vetëm një grusht njerëzit brenda shportës/rrjetës. Favori do të rikthehet herët a vonë në krah të kundërt. Pra, burri i policisë do të mund të mbrohet publikisht në rast se i rrezikohet karriera, pavarësisht se ç’ka bërë, nga një TV e fuqishme, ose mund të ndërhyhet dhe më lart për të. Këngëtari do shkojë të argëtojë falas individët e shportës.
Ana tragjike e kësaj ngjarjeje është, kur djali “që nuk duhet të guxojë të shkruajë te wall-i” i filanit, ka njohje të vetat personale, i përket një rrjete tjetër të fuqishme, dhe le të themi që karikon një burrë tjetër të rëndësishëm në policinë e shtetit për të marrë hak për të. Dhe ja ku u kthye shteti në një luftë gangsterësh.

Qytetari Havel

Rrugës për në Rumani për të marrë një dekoratë, Vacllav Havel i thotë gazetarit në avion: “Kushdo që viziton atë vend, merrka të njëjtën dekoratë si unë”. Duke marrë dekoratën, presidenti, shkrimtari dhe ish-disident i Çekisë, u flet rumunëve për ëndrrat e thyera të çekëve. Havel, u kishte bërë çekëve një premtim: “E vërteta dhe dashuria do të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Njerëzit e duan atë që u ke premtuar sa më shpejt. Frymëzimi është si drogë, të ngre lart e të rrëzon poshtë kur mbaron efekti. Para një jave, presidenti i ri i Çekisë, ish kryeministri i para 20 viteve dhe kundërshtar i Havelit, tha pas njoftimit të lajmit të fitores së tij se “E vërteta dhe dashuria triumfuan mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Kanë kaluar 20 vjet që nga ai premtim. A thua njerëzve në Pragë u kujtohet më? A thua, pas 20 vjetësh, ajo që kërkojnë është ende “e vërteta dhe dashuria”. Deformimi i një populli lexohet tek ajo që do. Unë nuk njoh asnjeri që do të donte që “E vërteta dhe dashuria të triumfojë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Unë njoh njerëz që duan lekë. Unë njoh njerëz që duan punë të mira ku të mos lodhen. Unë njoh njerëz që duan vetëm ta hedhin qelbësirën.

Miti i mitmarrjes

Po më tregonin historinë e një politikani që kërkonte një leje ndërtimi. Leja që kërkonte ishte brenda të tërë parametrave, dhe ai do ta merrte atë sepse asnjë procedurë shtetërore, sado të zgjatej, do mund ta pengonte. Megjithatë, ai kishte kërkuar t’u jepte “kafen” njerëzve që kishin në dorë procedurën. Si një njeri që e di si luhet loja dhe e respekton atë. Në këtë vend, tashmë dihet se ka një tarifë ekstra, një “kafe” rryshfeti, jo vetëm për diçka të paligjshme e që nuk të takon, madje edhe për atë që të takon ta marrësh në të drejtën tënde, të ligjit e madje dhe të Zotit. Ky mit flet për një pjesë tjetër të deformimit të shtetit. Për të marrë atë që të takon, edhe me ligj, ti je i detyruar tua “dish për nder” 2, 3, ose 4 ndërmjetësve.

Fillimi i dramës

Ky është një shkrim i deformuar, i copëtuar, në dukje pa një fill që i lidh. Nuk besoj se ka një formë më të mirë për ta dhënë copëtimin e strukturës shtetërore e shoqërore, dhe deformimin e mendjes së shtetasve që operojnë në këtë strukturë.
Demokracia, shkruan Havel në një dramë të vjetër, i lidh duart atij që beson tek ajo dhe i jep mundësinë të bëjë çdo gjë atij që nuk beson te ajo. Shihni demokracionë tonë dhe identifikoni brenda saj ata që besojnë e ata që nuk besojnë tek ajo. Mund të shquhen me sy të lirë edhe në këto mbrëmje shkurti.
Me Millosheviçin, nuk ikën njerëzit që drejtpërdrejt ose tërthorazi kishin marrë pjesë apo kishin përfituar nga instrumentat që ai ngriti për të drejtuar shtetin e pushtetin. Ata u adaptuan në sistemin e ri. Sistemi i ri nuk ka një Millosheviç, por ka një nomenklaturë financiare e politike që ai la. Gazetari, shefi i policisë dhe këngëtari i acaruar nga komentet në FB do të vazhdojnë të ndërtojnë e funksionojnë me të njëjtat rrjeta që e kanë kthyer shtetin në shërbim të një grupi të privilegjuarish. Ato rrjeta, mbajnë njëri-tjetrin. Vrasja e Xhinxhiçit në Serbi ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e atij që tenton të presë fijet.
Në neuronet tona janë shkruar ligjet e deformuara se njëri punon për të mbajtur 5 të tjerë.
E vërteta dhe dashuria nuk kanë më kuptim, jo vetëm për ata që premtojnë, por dhe për ata që duan të gënjehen. Çfarë mund të ndërtosh me një shoqëri që nuk ka më ambicje të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen? A mund të ngrihet një shoqëri solide me mendje të deformuara? Kjo, nuk ishte pyetje.