Wednesday, April 24, 2013

Banketi i Të pasurve

botuar në Revistën Klan - e shtunë 20 prill 2013

banketi i të pasurve, ndërsa tëvarfërit luftojnë - José Clemente Orozco - 1923 - afresk mural
......................................................................................................

“Po ta dish se kush i ka paratë në këtë vend, të ikën truri”. Kjo është një frazë që e kam dëgjuar më shumë se një herë e që nënkupton që paraja në Shqipëri gjendet (në shumicën e rasteve) në xhepa njerëzish që po t’u heqësh paranë, nuk do ishin të denjë as për të ndenjur ngjitur me ta në autobuz. Të pagdhëndur, të paaftë, të pashkolluar, njerëz që në shumicën e rasteve janë aty ku janë falë rastësisë, dhunës, shkeljes së ligjit (shpesh dhe me dhunë), trafiqeve, evazionit fiskal, grabitjes së biznesit të dikujt, shitjes së vizave, gjobëvënieve, etj. Shkurt, njerëz që nuk kanë treguar as aftësi e profesionale, as zgjuarësi individuale e as cilësi sipërmarrëse, për të fituar atë pasuri që kanë (duke mos quajtur aftësi shkeljen e ligjit).
Deri këtu, nuk ka asgjë të keqe. Madje, fjala e parë që të shkon ndër mend është “bravo u qoftë”, një frazë që tregon sa pafuqinë për të bërë të njëjtën gjë si ata, aq edhe mirëkuptimin që në jetë ka rëndësi mbijetesa. Dhe ata, ia kanë dalë të mbijetojnë më së miri.

Bravo u qoftë... deri diku

Por ka një detaj të vogël. Ata nuk është se thjesht mbijetuan për veten e tyre. Ata kanë shtënë në dorë shtetin. Shumë prej tyre kanë përvetësuar pasuritë dikur të përbashkëta. Ata vendosin për ne. Ata, na zotërojnë. Pra, le t’i vëmë vizën asaj “bravo u qoftë” e të themi, “pa prit njëherë!” Politika është vazhdimisht, në çdo vend, nën ndikimin e grupeve të interesit. Por ky ndikim është i strukturuar dhe ka mekanizma që e mbajnë nën kontroll. Duket e pamundur të zhduket ndikimi i të pasurve në politikë, por, balancat mund të mbahen. Balanca që t’ua kufizojnë mundësinë e pronësimit të shtetit. Mundësinë për ta përdorur shtetin për të çuar rrugën te mulliri i tyre. Qoftë dhe duke lëvizur plane urbanistike apo duke shkatërruar parqe. Nuk është puna thjesht për të mbrojtur 2 pemë. Por, siç thotë një këngë e vjetër e Metallica-ve, “one man's fun is another's hell”. Në një botë që mbahet në një pafundësi ekuilibrash makro e mikro - ekuilibra ekonomikë, ekologjikë, socialë e kulturorë – prishja e këtyre ekuilibrave në favor të dikujt, shtrëngon lakun në fytin e dikujt tjetër. Gjejeni se kujt ia shtrëngojnë?? Bujkrobërve.

Pragu i feudalizmit

Politika shqiptare gjithnjë e më shumë i ngjan një fenomeni feudal, me arbitraritetin madje dhe modelin e marrëdhënieve. Ky vend, ngjan të ketë përherë e më shumë bujkrobër sesa qytetarë dhe të qeveriset më shumë nga feudalë arrogantë e të gjithëpushtetshëm sesa nga të zgjedhur. Sjellja prej feudalësh, vjen nga ndjesia e zotërimit. Politikanët-pasanikë ndjehen zotër të vendit e të gjtihçkaje që gjallon këtu brenda, përfshirë ty.

Si u bënë të pasurit zotër të politikës

Nuk e di, por besoj se ka qenë Nano i pari, strategu që vendosi që politikën ta mbushte me biznesmenë. Një legjendë urbane thotë se një deputet dhe aktor tashmë 10 vjeçar në politikën shqiptare, u bë i tillë, sepse i zgjati i pari një tufë me lekë nga pas në një kazino. Pastaj, loja u hap. Në mënyrë të papërgjegjshme, padronët e politikës i hapën dyert për biznesmenët që të merrnin pjesë drejtpërdrejt në politikë. Ndoshta për t’i pasur nën kontroll, ndoshta të paaftë t’ua kufizonin kontrollin.
Mangësitë apo deformimi i qëllimtë i kuadrit ligjor bëri të mundur që biznesmenët të depërtojnë në çdo moment të vendimmarrjes, duke e shndërruar vetë të bërit politikë në të bërit biznes. Kushdo që ka një gjë në dorë në shkallët e ndryshme të pushtetit në këtë vend, e mendon si biznes personal. Fenomeni i blerjes së votës me para në dorë në parlament, tanimë nuk i bën përshtypje askujt. Edhe politikanë profesionistë e shesin tashmë votën pa iu skuqur faqja (për votimet e fundit pëshpëritet për shifra tek gjysmë milioni euro).
Nuk më shqetëson fakti që dikush ka shumë para. Më shqetëson fakti që ata që ka shumë para janë “zgjedhur” për të ndërtuar një shtet social, një shtet për ata që s’kanë. Nuk e kanë ndërtuar, nuk do e ndërtojnë e as kanë për ta ndërtuar kurrë. Nuk kanë pse! Ata janë aty, për hir të marrëdhënieve që nuk kanë lidhje me demokracinë e as me përfaqësuesit e popullit.

Mos-përfaqësuesit e popullit

Polarizimi ekstrem i shoqërisë, është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij fakti: Të pasurit kanë shtënë në dorë në mënyrë të drejtëpërdrejtë pushtetin. Aq më tepër kur nuk e kanë marrë si përfaqësues të zgjedhur. Bëjmë teatër sikur i zgjedhim. Mënyrat sesi ata janë futur në ato lista janë shumë të dyshimta, dhe janë biznes i mirëfilltë. Kanë investuar për t’u zgjedhur sepse presin të fitojnë mbrapsht paratë e investuara. Duke qenë përfaqësues të të varfërve!
Një nga elementët që ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë gjendje është dhe ky kod elektoral që ka shkëputur edhe fijen më të fundit lidhëse që ekzistonte mes votuesit dhe të zgjedhurit. Ti nuk e njeh më kandidatin tënd. Tani, votohet sh.p.k.-ja e rradhës. Mospasja e kësaj lidhjeje të drejtpërdrejtë me votuesin çon në mungesë përgjegjësie. Mungesë përfaqësimi. Mungesë ideologjie. Njeriu i rri besnik atij që e ka zgjedhur. Nëse të kanë zgjedhur paratë që ke hedhur për fushatë, ato janë sovrani yt. Nëse të ka zgjedhur favori i dikujt, ai është zoti yt. Por kurrë të varfërit. Të varfërit, janë balta nën këpucët e tyre.

Partia e të varfërve që nuk do bëhet kurrë

Atëherë, pse nuk ngrihen të varfërit të bëjnë një parti të tyren? Një parti që t’i përfaqësojë, dhe që të mbrojë interesat e tyre në çdo ligj që miratohet?
Sepse, ua kanë hequr mundësinë. Për të bërë një parti, duhet një sasi parash që askush nuk e ka, as tërë skamnorët e Shqipërisë të mbledhur së bashku. Për të bërë fushatë elektorale, duhen më shumë para se të tërë kreditë e këqija të mbledhura së bashku. Pastaj, fushata tashmë funksionon vetëm si show mediatik. Duhet të hysh në hatrin e gazetarëve, të cilët zgjidhin disa kredira shtëpish, pushimesh e qejfesh me raste zgjedhjesh. Duhet të hysh në lajmet e televizioneve që ndërkohë janë pronë e grupeve financiare të interesit. Zëri i të varfërve aty, nuk i intereson askujt.
Krejt mënyra si funksionon politika, si ngrihen partitë e si bëhen zgjedhjet tashmë është në funksion të parasë. Nuk ka shpresë për asnjë grup pa fonde që të mund të marrë pjesë. Shkurt, politika është pronë ekskluzive e të pasurve.
Siç thoshte një gazetar, mund të bësh parti vetëm nëse fiton llotarinë. Ose nëse shet drogë. Por, këtu do dalim prapë tek pika e fillimit. Ata që shesin drogë nuk kanë nevojë për të bërë partinë e të varfërve. Mjafton t’u bashkohen partive ekzistuese. Mjafton t’i bashkohen politikës aktuale duke kënduar himnin “voto të keqen me të vogël”.

Marka e së “keqes më të vogël”

Dëgjoj vazhdimisht frazën “E keqja më e vogël” që ridel në dritë sa herë vijnë zgjedhjet. Është thjesht droga e rradhës. Duke e shtyrë atë që ka në dorë votën të votojë të keqen më të vogël, e kanë lënë votuesin peng të një grupi njerëzish që qarkullohen gjithmonë, jo vetëm politikisht por dhe financiarisht. Ideja e ndryshimit është iluzore dhe momentale. Në plan afatgjatë, votuesit e të keqes më të vogël kanë votuar thjesht çimentimin e një grupi politiko-financiar që nuk ka më individ e as lëvizje që ta zhvendosë për disa dhjetë-vjeçarë. Duke votuar të keqen më të vogël i kemi dhënë të keqes shansin që të kthehet në establishment. Kemi votuar gjithmonë të keqen më të vogël. Por, askush nuk interesohet të masë se si kjo e keqja më e vogël e kësaj rradhe qëndron në raport me të keqen më të vogël të rradhës së kaluar. Po të kishim një njësi matëse, ndoshta do të na rezultonte se e keqja më e vogël, në të vërtetë është shumë e madhe. Shumë më e madhe se të këqijat e kaluara.
Dhe së fundi, kjo është fraza me të cilën na detyrojnë të bashkëjetojmë. Kur vlen vetëm për të pasurit. Për pushtetin e tyre që duhet ta ndajnë mes dy të këqijave. Nuk besoj që për ata që jetojnë në baltë ka shumë rëndësi marka e çizmes që i shkel. Për të kujtuar një burrë me mjekër, ata nuk kanë asgjë ç’të humbasin. Veç prangave.

Friday, April 12, 2013

Pragmatistë, si ty!

botuar te Gazeta Dita, e enjte, 11 prill 2013

Nuk ka mbetur shumë për të thënë për koalicionin e 1 prillit, thuajse të gjitha janë thënë. Kam vetëm copëra mendimesh.

Ne e kemi reduktuar qenien tonë qytetare në ngopjen e barkut, qoftë edhe me “një gjellë që ta shpif” (siç e quan Muç Nano). Më kujton edukatoret e kopshteve të Enverit, që ua ushqenin me zor gjellën e shpifur 3 vjeçarëve. Që e villnin. Kur rritesh, mëson ka dhe një alternativë tjetër: një gjellë që ta shpif mund të mos e hash. Mund të vuash urie, por më mirë se të vjellësh tërë jetën. Mund ta refuzosh në heshtje, mund dhe t’ua përplasësh pjatën ballit. Koha e liderëve-edukatore që ushqejnë me zor fëmijët në çerdhe duhet të ikë.

Duan ta shesin idealizmin për moralizëm. U bie më mbarë. Moralizmi, mban mbi vete stigmën e atij që bën dërr-dërr. Nuk është moralizëm, dhe nuk po ua shet njeri. Është idealizëm, pavarësisht se s’dua ta kuptojnë.

Duket sikur ka pak për të bërë për të kundërshtuar aleancën e 1 Prillit. Jemi si rusët, kur panë që Medvejev-Putin u bënë një lojë kushtetuese për të mbajtur pushtetin përjetësisht. Na e kanë futur, por, duan të na thonë që janë në rregull. Dhe nuk ka më mirë se cinizmi dhe arroganca për ta bërë këtë.

Cinizmi dhe arroganca, më kujton garipat e shkollës që persekutojnë çunat e urtë e studiozë, vetëm pse e ndjejnë se janë më të mirë. Me forcën e pandëshkueshmërisë së atij që ka përkohësisht pushtetin. Pragmatistët, i urrejnë idealistët.

Rilindja është vepër idealistësh e jo pragmatistësh. Rilindja e hershme shqiptare na e ka treguar këtë.

Nuk ka asgjë për ta çbërë këtë që ka ndodhur. Por, ana pozitive e kësaj është që mund të shohim më qartë kush është kush. Kjo është një kohë e mrekullueshme për të parë cilët gazetarë e cilët politikanë janë gati të hanë gjellën e prishur, veç të jenë në grup me garipat e shkollës. Ka dhe nga ata që e shohin realitetin me dylbi, dhe gariplliku u duket seksi. Kjo është një kohë për të njohur përfundimisht njerëzit. Kush janë dritëshkurtrit, kush janë servilët, kush janë ata që janë gati të lehin për kockën e premtuar (a të imagjinuar), kush janë të fortë në aritmetikë. Rrobat e reja të mbretit i nxorën të tërë lakuriq.

Në 21 janar, kam qenë në shesh, ndërsa dikush tjetër shihte nga dritarja. Nuk kam qenë në shesh për të hedhur një mbret e për të bërë mbret një tjetër. Asnjëri nga ata të dy nuk e di akoma pse kemi qenë në shesh.

Shqipëria është ajo që thotë Konica, dhe shqiptarët janë ata që thotë Noli. Mund të qeverisen si turmë e bindur, por mund të të hedhin befas dhe në pleh. Kurrë s’mund ta dish. Prandaj e dua këtë vend. Është i paparashikueshëm. Tashmë, është dhe e vetmja shpresë.

Dëgjova që z. Rama e ka akoma në axhendë 21 janarin. Dua të di si. Dua të di, në detaje, si e ka në axhendë. Çfarë do të bëjë konkretisht, me hapa, dhe dua të ma thotë tani. Para zgjedhjeve.

Krimi më i madh, është përdorimi i një koncepti aq të shenjtë si “rilindja”, aq frymëzues si “Rilindja” për të ilustruar ardhjen në pushtet të “çunave”. Kështu janë djegur “mjaft”, “katharsis”, “duart e pastra”, koncepte qytetare e njerëzore frymëzuese, që përfunduan në mega-mashtrime. “Rilindja”, pati të njëjtin fat. Trishtohem kur shoh që epoka e atyre që shkrinë jetën e pasurinë për Shqipërinë u përdor si tagline për ata që shkrinë Shqipërinë për pasurinë e vet.

Pragmatistët, ata që e kanë katandisur Shqipërinë kështu, duan të na tregojnë se mjeti justifikon qëllimin. Bëjnë aritmetikë komisionerësh. Citojnë dhe libra. Paskan dhe argumente historike. Unë s’kam punë me ta, se nuk dua ta zbres idealin tim në nivelin e llogjeve të kafeneve.

Nëse nuk e mund dot Berishën (meqë këtu u katandis Rilindja, në heqjen e një njeriu) me forcën e të drejtës dhe të idealit, ik. Ik. Ik! Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Liderë kompromisi mund të nxjerrim sa të duash. Hap gazetat dhe shiko sa shumë janë. Janë të tërë pragmatistë. Njësoj si ty.

Thursday, April 11, 2013

Ata që Shpikën Besën

botuar te Revista Klan, e shtunë 6 prill, 2013


xhirafa në flakë" Dali
................................

Para nja 15 vjetësh, kam dëgjuar për herë të parë nga një gazetar i huaj shprehjen “nevoja për besë lind aty ku nuk ka besë”. Edhe ju do e keni dëgjuar apo menduar shumë herë. Përkufizimi vetë është joshës dhe bindës: Njeriu krijon një element rregullator social, aty ku ka çrregullim. Aty ku ka hajdutë, bëhen kryqëzime, aty ku ka totalitet, shpiket falja publike, aty ku ka perversitet krijohet opinion shoqëror, aty ku ka skllevër, ngrihen diktatorë. Aty ku ka pabesi, lind nevoja për të krijuar besë. Në kohërat pa kod ku jetojmë, gjithçka shkërrmoqet. Pabesia është aty, element i përditshëm i ekzistencës shoqërore. Shqiptarët janë komuniteti më pa komunitet në botë.

Jepni për nënën

Në perëndim ka plot komunitete. Rumunët, kinezët, marokenët, nigerianët. Tërë emigrantët e botës së varfër mblidhen shpinë më shpinë me njëri tjetrin për të përballuar dallgët e një qytetërimi të huaj. Përveç shqiptarëve. Ata nuk kanë arritur kurrë të krijojnë komunitete. Shqiptarët, integrohen mirë në komunitetet e të tjerëve, por jo në të vetin. Ata nuk i kanë besë njëri-tjetrit. E gjejnë gjuhën shumë mirë me këdo tjetër, sesa me të vetët. Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n'Amerikë.
Ka shumë shqiptarë që nuk prezantohen si shqiptarë kur janë në dhé të huaj. Jo dhe aq prej hallit, sesa prej mosdëshirës për t’u identifikuar me komunitetin shqiptar. Asgjë nuk e ilustron më bukur sesa takimi i dy këngëtarëve te porta e një hoteli në Nju Jork, ku kishin dalë për të pirë cigare. Njëra, këngëtare e muzikës së lehtë, tjetri këngëtar i tallavasë. Dy emra të njohur të muzikës përkatëse, por që nuk e kishin parë kurrë njëri-tjetrin. Tregje të ndryshme - prerje të ndryshme muzikore - por të barabartë në NY, te porta e një hoteli, në barazinë e atij që pi cigare në të ftohtë e i duhet një çakmak. Çakmaku del, cigaret ndizen, dhe këngëtari prezantohet si malazez, këngëtarja prezantohet si italiane. Dy shqiptarë, që nuk duan të jenë shqiptarë në sy të një të huaji. Kjo është një prerje e lehtë në besë ndaj çdo gjëje që i ka bërë ata të jenë ata që janë. Ndaj tregut të tyre. Brenda tyre fle një shqiptar i pabesë e mercenar. Si tek të gjithë të tjerët.

Syrgjyn vdekur

Marrëdhëniet tona të vogla njerëzore, janë ngritur mbi pabesira të vogla. Vrimat e sistemit kanë bërë që me ca shkelje të vogla në besë mund të ndërtosh marrëdhënie pune e karriere të qëndrueshme. Lehtësia e rrjedhjes së informacionit dhe relativiteti i së vërtetës, kanë krijuar klimë mosbesimi dhe kanë krijuar përshtypjen që çdo gjë është e lejuar. Nëno moj, vajto, merr malin…
Shpifjet e kurthet, bëhen shumë më efektive në një vend ku dyshimi është parimi bazë i marrëdhënieve. Individualizmi i egër, që nuk merr parasysh as rregullat e as nevojat e të tjerëve, ka krijuar një shoqëri ku vëllezërit vriten për një vijë uji, dhe ku çdo njeri do të jetë mirë vetëm. Jo të gjitha kanë lidhje me “besën” por, pabesia si faktor i vazhdueshëm në marrëdhënie dhe frika nga pabesia kanë ndihmuar në disfunksionalitetin e shoqërisë.
Të pabesët, ata që kanë kuptuar që ky sistem mund të milet më mirë duke i prerë të tjerët në besë, kanë marrë në dorë timonin e anijes. Pa e kuptuar që një anije e krimbur, nuk arrin dot në asnjë port. Jo më kot, në poezitë e Nolit, “liberatorët” janë ata që përdhosen në fund. Se të deshte dhe s'të deshnin/ Se të qante kur të qeshnin/ Se të veshte kur të çveshnin… Është kohë të ligjsh. Pabesia është marshi i tyre.

Marshi i Barabajt

Mënyra më e pastër e pabesisë është transmetuar në marrëdhëniet e biznesit. Marrëdhëniet e biznesit në Shqipëri shpesh ndërtohen me premisën që fitimi vjen vetëm kur “ia fut” dikujt. Historia e tranzicionit kapitalist shqiptar është e mbushur plot me biznesmenë që ua kanë rrëmbyer bizneset partnerëve të huaj, të mbështetur nga një sistem burokratik që e lehtëson pabesinë në të tëra hallkat dhe nga një sistem gjyqësor që e sanksionon pabesinë përmes përkuljes së ligjeve e deri thyerjes së tyre. Shtroni udhën me hithr' e me shtok turfanda…
Njoh shumë njerëz që ndjehen të dhunuar nga bankat. Të futur në një marrëdhënie kredimarrëse me kushte që nuk u janë shpjeguar, ose u janë shpjeguar keq më parë, ata përpëliten me këstet e pafundme të kredive. ...Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma... Në çdo marrëdhënie, është gjithmonë njëra palë që sheh me dyshim. Ku po ma fut ky? Ky mentalitet e ka bën të vështirë, thuajse të pamundur, bashkëpunimin. Shqiptari jeton në mënyrë konstante nën kompleksin se po “ia fusin”.
Marrëdhënia njerëzore është e ngritur mbi dyshimin e vazhdueshëm. Dyshimi, lind prej frikës nga të pabesët. Ndaj, në Shqipëri, ti bën marrëveshje me dikë, dhe ai sa ndahet prej teje, nis të dyshojë. “Mos ma futi?” dhe marrëveshja vdes. Të nesërmen ai rikthehet me një pretendim të ri.
Procesi i negociimit “alla shqiptarçe”, është që të thuash po sot, e të thuash jo nesër. Kjo duhet t’i ketë çoroditur dhe amerikanët. Ata nuk dinë ç’të bëjnë me politikën tonë.

Moisiu në mal

Amerikanët dhe perëndimorët duhet ta kenë të vështirë të trajtojnë sipas parametrave diplomatikë ndërkombëtarë situatat shqiptare. Mua më pëlqen shumë termi “bizantinizëm politik”. I shkon kaq shumë politikës shqiptare dhe besoj se elementi më solid brenda kësaj mënyre të të bërit politikë ësëht pabesia. Pabesia ndaj elektoratit, pabesia ndaj kushtetutës, ndaj principeve politike, dhe mbi të gjitha, pabesia në relatat ndërkombëtare. Ndaj nuk habitem që të huajt të jenë lodhur me këtë mënyrë bizantine të të bërit politikë. "Nëm Dhen' e Lirë! Zot ku m'a ke?"
“Besa” në politikë qëndron tek prinicipet, tek koherenca dhe konseguenca. Amerikanët e europianët nuk besoj se gjejnë ndonjë nga këto tek parterët shqiptarë. Ndjehet lodhja e tyre. Politika jonë infantile, e pabesë e bizantine nuk do na fusë dot kurrë në Europë. Kush do donte të kishte në Parlamentin Europian europarlamentarë shqiptarë? Çfarë do i jepnin këta Europës? Asgjë. Veç do i lodhnin me metodat tona bizantine të të mos bërit asgjë. Të të lodhurit të tjetrit, pa ofruar kurrë perspektiva zgjidhjesh të problemeve. "Shiko, i tha, dhe ja ku e pe." Ne e shohim botën, por, pavarësisht se është “bota e të pabesëve”, ne jemi të pabesët. Neve, nuk na e kanë besën!

Shën Pjetri mbi mangall

Ndërsa po ulesha për të shkruar artikullin, nisi të shpërfaqet publikisht aleanca PS-LSI, në të cilën, besoj se shumë njerëz janë të prerë në besë. "S'ka e s'ka si heroizma, edhe si idealizma/ Po kur dimër del behari, s'ka si zjarri." shkruan Noli. Drejtohem te Noli, sikurse te Konica e të tjerë, sepse nuk ka asgjë ku të mund të besosh sot. Mua më duket se klasikët, sot na duhen më shumë se kurrë. Aq më tepër kur për një moment menduam se vërtet mund të ketë Rilindje. Rilindje, siç u pa, nuk mund të ketë. Do të ketë rotacion. Por jo të sistemit, rotacion njerëzish. Sistemi i pabesisë do të mbetet. Rilindja nuk bëhet për të përmbysur persona, por sisteme. Jam ndjerë shumë i vetmuar (dhe jo vetëm unë, me sa konstatoj) ndërsa shkruaj prej kohësh që Berisha nuk është problemi. Problemi është sistemi. Dhe kur them “sistem” përfshij edhe standardet e pabesisë. Sistemin që mund “t’ia fusësh” të tjerëve, sepse nuk kanë ç’të të bëjnë. Kruspull mbi mangallin mblidhet/ Po djek gjuhën dhe përdridhet/ Se ç'këndon bandill këndezi, nga qymezi…

Anës lumenjve

Kjo lëvizje politike, i jep fund shpresës se mund të ketë dhe për shumë kohë shans të rindërtohet sistemi, bazuar mbi besimin te insitucionet dhe tek të tjerët. Bazuar mbi principet, mbi besimin se jo kushdo që kërkon diçka nga ty, do të “ta fusë”. Besimin se sistemi u jep mundësi të tërëve të prosperojnë, duke marrë e duke dhënë. Besimin, se institucionet që ruajnë “besën” janë, por besën më shumë se institucionet, e mban mosnevoja për të dhënë e marrë “besë”. Besa duhet shndërruar në besim tek të tjerët. Jemi një vend që kemi shpikur besën, sepse kemi shumë pabesi. Jemi një vend që josh diktatorë, sepse jemi shumë skllevër. Jemi një vend plot me ditirambe lirie, sepse nuk kemi liri. Jemi shpirtra të etur, ndaj për fat, kemi ende poezi.