Sunday, October 13, 2013

KOZMIKOMIKET: Ndërrimi i pushtetit në kushtet e fantashkencës

botuar në Revistën Klan, e shtunë 5 tetor 2013


"Mos lëviz, të lutem" nga Hayv Kahraman



................................................................
8 vitet e PD-së në pushtet duket sikur kanë qenë 20. Gati, e kemi harruar që bëmë një pitstop 8-vjeçar me Metën e Nanon. Është dhe ai 3-vjeçari i parë, aq i varfër, por ndoshta më i bukuri i tranzicionit. Na duket sikur PD ka qenë në pushtet përgjithmonë, edhe prej gjurmëve që ka lënë në ekonomi, në diskursin politik, cenet historike, marrëdhëniet me pushtetet. Kjo, përzierë me një frikë se ““Ai” nuk e lëshon pushtetin pa dhunë”. Nuk do e dimë kurrë se sa e bazuar ka qenë ajo frikë. Si njeriu që kalon buzë humnerës nëpër natë. Dhe ja ku jemi, matanë natës. Dhe nuk dimë ç’të bëjmë. T’ia pranojmë të gjitha opozitës së re? Ta sulmojmë si më parë ish-pozitën? Befas, jemi gjetur para një fakti që mund të na dukje një fanta-shkencë. Ka ndërrim pushteti.

Rregullat e reja të fantashkencës
Të parët që duhet të ndërrojnë diskursin politik janë opinionistët. Ky është një realitet tjetër. Rama nuk është më “Rama”. Është Kryeministri. Berisha nuk është më “Berisha”. Nuk e dimë akoma ekzaktësisht se çfarë është, sepse ajo çfarë ai është, përcaktohet nga maxhoranca, nga të vetët në parti, dhe nga mediat. Duket se të gjithë e kanë të vështirë ta “shfuqizojnë” si figurë politike. (Edhe pse, demokracitë perëndimore mund të rrudhnin vetullat për këtë rast).
Por nuk është çështja vetëm se ku pozicionohet Berisha. Krejt diskursi politik duhet të bëhet me forma të reja, në përshtatje me kushtet e reja politike. Të parët që duhet të ndryshojnë janë opinionistët dhe gazetarët e pozicionuar në të djathtë.

Shkrimtarët e fantashkencës
Nuk mund të mos vë re valën e paragjykimeve ndaj individëve që imponohen në media si opinionistë, qofshin këta edhe gazetarë. Blogosfera gëlon nga njerëz që mjafton të lexojnë emrin e filanit, dhe t’i bëjnë një koment çarçaf mbi jetën e tij, familjen e tij, zakonet e tij, dhe lloj-lloj epitetesh qesharake e fyese, edhe pa e lexuar çfarë ka thënë.
Gur të madh në kurriz kanë opinionistët e gazetarët e djathtë. E para, ngaqë prej vitesh mbrojnë një kauzë thuajse të humbur, dhe e mbronin shpesh pa argument të qendrueshëm, në mënyrë jo inteligjente, e me dhunë verbale. E dyta, se janë “të djathtë” jo ngaqë kanë ndonjë filozofi politike të djathtë, por, se “kur i shpërndau, ranë djathtas”.
Problemi i madh i një pjese të tyre është që janë djathtas për inat të Ramës. Në një vend kaq të vogël sa yni, mundësia që të përplasesh në person dhe për çështje vetiake me këdo është e madhe. Shumë prej tyre janë përplasur diku, dikur me Ramën, dhe nuk ia harrojnë akoma. Për ta, Rama është ai, që u bëri atë gjënë, atëherë. Mund dhe të kenë të drejtë. Nuk e përjashtoj mundësinë që atë që i bën një njeriu të vetëm tia bësh dhe një kombi, por, mbetet gjithsesi subjektive.
E njëjta gjë ndodh majtas, me njerëz të përplasur në kohë të ndryshme me Berishën. Më saktë, Berisha është përplasur me ta në kohë të ndryshme. Këta ose ikën jashtë e rinisën jetën në emigracion, ose nuk ia harruan kurrë e vazhdojnë ti dalin kundër. E vetmja mënyrë të shpëtosh pa mbartur maraz është të jesh si Enveri. Të “përplaseshe” dikur me Enverin nuk dilje gjallë. “Shkëmb graniti” nuk qe metaforë e pagjetur. Pra, luftë parimore mbi koncepte të lirisë së majtë ose lirisë të djathtë, çfarëdo që termat liri “e majtë” a e “e djathtë” të nënkuptojnë për artikuluesit tanë, mendoj se ka shumë pak.
Janë dhe ata që hanë o djathtas o majtas, dhe thjesht lehin për të mbrojtur pjatën ku hanë.
Interesi i madh publik qendron mbi këta që e quajnë veten “djathtas”. Nëse nuk kaluan majtas me pushtetin e ri, do thotë që kanë arsye të mjaftueshme për të mbetur me partinë e vjetër. Arsyet më interesojnë. Më intereson, si do i mbrojnë këta interesat e opozitës, dhe për rrjedhojë edhe të popullit nga maxhoranca.

Duhet nisur një roman i ri fantastikoshkencor politik
Gabimi i parë i madh i tyre është që sulmojnë Ramën nga pozitat e vjetra. Ramën në opozitë mund ta sulmoje dhe si Ramë. Tani, i duhet bërë oponencë serioze si Kryeminsitër. Ky që kemi përballë është kryeministri. Nuk është më ai, që u bëri atë gjënë, atëherë. Vërej që marazet individuale i heqin vlerën çdo argumenti të tyre. Problemi tejtër i tyre është “lufta frontale”. Po e sulmojnë Ramën për çdo gjë. Për çdo status në Facebook. Për çdo foto. Për çdo emërim. Mua më duket strategji e gabuar. Shoh në artikulimin e tyre ndonjë argument që qendron, por ata e mbysin me totalitetin e “luftës”, e mbysin me sasinë e argumenteve të tjera qesharake e foshnjarake.
Në rast se vjen me frymëzim nga Berisha (më vështirë nga Basha), më duhet tu them që kanë zgjedhur një strateg që e provoi veten humbës para nja 2-3 muajsh. Gazetarët e PD-së duhet të kenë argumentin e vet, jo ato të PD-së. Kryetari i partisë, duhet të bëjë opozitë tjetër nga gazetarët pranë partisë. Në rast se nuk është strategji, por secili po bën “luftën e vet”, mendoj se po harxhojnë frymë e municion kot. Dikush duhet t’u thotë që edhe Napoleoni mblidhte forcat pas një humbjeje, e nuk nisej direkt për luftë frontale. Jo më PD-ja!
Kam frikë se po bërtasin fort që në ditën e javën e parë të qeverisë së re, sepse këtë filozofi u kanë përcjellë. Mbase u kanë thënë, “t’ia bëjmë jetën ferr që mos e mbajë më shumë se një mandat”. Nëse është kështu, besoj se nuk do u funksionojë. Ne nga ferri po vijmë. Por, më e keqja, do të thotë se ata nuk duan që Shqipëria të qeveriset. Gazetarët e opinionistët e djathtë do duhej të ndihmonin për t’i treguar Ramës ku po qeveris keq. Nëse kanë për qëllim vetëm ta pengojnë të qeverisë, atëherë janë armiq të këtij kombi, dhe shërbëtorë të këqinj diku tjetër.
Nganjëherë, dyshoj se nuk e bëjnë me qëllim. Thjesht, ashtu e kuptojnë punën e tyre. T’i shërbejnë dikujt të marrë pushtetin. Ata që duan të marrin pushtetin kanë probleme dhe më të mëdha.

Fantashkenca e spektatorit të rradhës së parë
Opozita, më duket mua, po tenton të marrë pushtetin me të njëjtat forma që tentoi ta mbante pushtetin. Të njëjtët argumente. Mero Baze shkruante pak ditë më parë se opozita ka dy probleme: “E para, që i shpik faktet, dhe e dyta, që i vendos shpikjet në gojë të Berishës.” Në një masë të madhe kjo është e vërtetë.
Por, unë do shtoja që kur këto “argumente” apo kjo lloj forme e luftës politike nuk i mbajtën në pushtet, dhe vështirë t’i risjellin në pushtet.
Britma që opozita u vodhi votat, është një kalë i ngordhur që nuk e çon minorancën asgjëkundi. As që “i bleu votat”. As “etërit” e “bllokmenët”. Zhurma, çirrjet, britmat, akuzat nominale, nuk do i japin asgjë. Duhet të ndërtojnë urgjent një strategji tjetër. Fjalor tjetër. Nuk mund të çirret opozita për çdo emër të emëruar nga Rama. Siç shkruan Baze: “Bile duket sikur edhe Endri Puka nuk është vartës i Koços kur e thotë Berisha”. Nuk mund të sulmosh me të njëjtin zell z. Puka si znj. Harito. Duhet diskriminim në argumente, dhe kauza të mbështetura. Nuk mund të luftohet për perdet njësoj si për administratën. Nuk është koha e as mundësitë e as argumentet për luftë totale.
Kjo do ishte në të mirë të Shqipërisë. Nëse, dikush në PD, e konsideron ende opozitën si vlerë të Shqipërisë e jo të një grupi klanor.

Fantashkenca mediatike
Mjetet mediatike do duhej të ndërrojnë qendrim. Po këtu, përtoj të flas. Është çështje biznesi, trafik influence e ndoshta dhe paresh të pista. S’ia vlen të vrasim pemët.

Pak për fantashkencën e majtë
Batuta aq cinike që “anti-berishistët” do të ngelen tani pa punë, ka brenda një dozë të madhe të vërtete. Për ato që thashë më sipër, duhet që tashmë, gazetarët e majtë të merren gjerësisht me opozitën, por në mënyrë konstruktive. Por jo me Berishën si individ. Pa dashur të fyej me krahasimin, por PD do të sillet si një qen i rrahur, që i vënë pas murit do të të hidhet në fyt. Jepini mundësi të lëpijë plagët. Por, pa e hequr shkopin nga dora. Fundja, edhe kjo kafshë e plagosur, është e jona si shoqëri.
Sa për shkopin, do na duhet ta mbajmë gjatë në dorë.