Tuesday, January 7, 2014

Pasqyra jonë e Dorian Greit (20 Dhjetor 2013)

Botuar në revistën KLAN, 20 Dhjetor 2013


Kur vjen dhjetori, si pa dashje na vë para sprovave të vështira. Përballemi me shtetin, tymin, ata që kthehen, dhe me shpresat që viti tjetër do të jetë ndryshe. Dhjetori (e përsëris: pa dashje) na bën të përballemi me veten tonë. Në dhjetor para na del një pasqyrë që ne përpiqemi ta shmangim. Nuk duam ta shohim veten tonë. E para gjë që shohim janë ata që vijnë nga jashtë.

Ata që nuk jetojnë këtu

Përballem çdo dhjetor me ata që nuk jetojnë këtu. Vijnë për 1 javë, 2 javë ose dhe 15 ditë. Kam bindjen që e mendojnë dy herë. Kam bindjen që i merr malli për vendin, për njerëzit, për të shkuarën. Më duket se, pasi rrinë ca ditë, nuk dinë ç'të bëjnë më. Kaosi ynë i brendshëm është ngazëllyes për pak ditë, por të rrish shumë të sëmur. Shoh në dhjetor fytyra të reja, të freskëta. Shoh fytyra të harruara që dikur merrnin frymë e nxirrnin ëndrra në rrugët e Tiranës. Nuk i di hallet që kanë në vendet ku jetojnë e shkollojnë, por kur kthehen ata kanë një lloj vezullimi që përmban të ardhmen e të shkuarën tonë. Serendipity. Por, ata nuk kanë shumë lidhje me të tashmen tonë. Ata që vijnë në dhjetor në Tiranë janë një shëmbëllim i largët i asaj që ne mund të ishim bërë dhe i asaj që ne kemi qenë. Qytetarë të botës, dhe shqiptarë të humbur në botën e madhe. Nëse mendoni se i idealizoj, po ju kujtoj që dhjetori na vë para pasqyrën e rinisë.

Pasqyra e rinisë së '91-shit

Nuk ka ditë më të lodhshme sesa Dita e Rinisë. Për aq sa mbaj mend, Dita e Rinisë është një ditë e caktuar nga një grup njerëzish që assesi nuk ka qenë të rinj. Nuk mbaj mend të kishte debate, as që një grup ta kërkonte këtë ditë përkujtimore, as debat, ia vlen apo nuk ia vlen. Ca mesoburra u mblodhën, e caktuan, dhe aq. U duhej. Tani çdo 8 dhjetor jam i detyruar të dëgjoj retorikën boshe të atyre njerëzve që në të vërtetë nuk kanë asnjë lidhje me 8 dhjetorin 1990.
Nuk ka asgjë rinore në fjalët e Berishës, Bashës, Topallit, Metës, dhe sigurisht tashmë as Ramës. Kjo nuk i pengon të përfitojnë nga rasti e të vjedhin skenën. Ruaj ende ca kujtime të dhjetorit '90. Pak dekadencë, pak Teodor Keko e Kongol, pak hapje kishash, pak bulevard, ikja e Kadaresë, shpresa dhe ëndrra, plenume. Asgjë nga ato nuk ka mbetur. Këta burrat që më flasin për idealet e dhjetorit janë ca derra e dosa të majmura me pushtet e para të pista. Ky është dhjetori i tyre. E gjitha çfarë kanë me vete nga këto 23 dhjetore janë paratë e pista dhe epshi i pafund i pushtetit. Ndaj lodhem kur i shoh të dalin të palodhur me fjalime e kujtime për ditën e rinisë. Më duken si fjalime të pacipa mbi varrin e një fëmije që nuk u bë kurrë i ri - e kam fjalën për dhjetorin 1990.
Këta karizmatikë të parasë më kujtojnë që dhjetori, ka të bëjë dhe me paratë. (Shumë prej tyre do ikin jashtë kaosit të Tiranës për të shijuar paratë e këtyre 23 viteve në Zvicrat, Dubajtë (e dreqi e di se ku) të tyret.

Dhjetori i parasë

Dhjetori është i bukur në Tiranë. Shoh njerëz që dalin nga guaskat e vendosin të shpenzojnë ca. Kuptoj se paraja, në të vërtetë sillka gëzim. Rroba, njerëz që lëvrijnë si milingonat duke kërkuar ku e si të shpenzojnë ca më shumë se kursimi normal. Çmimet që rriten, importet që shtohen, njerëzit që bubrrojnë. Gjithçka e veshur me një vello konsumizmi të pafajshme e njerëzore. Të blejmë diçka që ja kursyem vetes tërë këtë vit.

Dhjetori është tym

Dhjetori mban era tym në pedonale. Pedonalja e Tiranës mbushet me kioska e me jetë. Pastaj nisin zgarat, tymi. Lokalet janë plot me njerëz që tymosin duhan. E di që nuk lejohet. Ministra, zv/ministra, djem e vajza të reja të promovuar nga fryma Rama, pijnë duhan lirshëm në vendet e ndaluara të bindur që ky shtet nuk e lufton dot duhanin. Rrobat mbajnë era tym, flokët mbajnë era tym, femrat mbajnë era tym. Kompromisi është i thjeshtë: Ose rri në shpi, ose jeto në tym.

Dhjetori i gardeve

O Bella Donna... muzika e vjetër luan në radio, ndërsa shkruaj këtë shkrim. Te tavolina ngjitur janë një grup djemsh që flasin “mo plako” dhe dikush “o bos”. Miksimi i të ardhurve. Janë artistë që flasin për gajden. Pastaj flasin për një koncert në Mitrovicë. Pastaj për metrotë. Pastaj për Vodkën e Fërnetin (para se të dilnin në skenë). Pastaj për Krishtin. Pastaj për një shokun e tyre. Pastaj një kitarë që kanë parë në një dyqan në Paris. Pastaj për lokalin ku do shkojnë më pas. Pastaj për një bjonde që kanë parë. Ka kaq shumë bjonde në Tiranën mesdhetare. Janë biseda që nuk i gjen në asnjë muaj tjetër të vitit në Tiranë. Vetëm në dhjetor. Janë kaq të “lehtë” në komunikimin e tyre sepse nuk kanë qenë këtë vit në Shqipëri.

Viti i mbrapshtë

2013-a është ende një vit me bilanc të paspecifikuar qartë. Mua më duket tragjik, të paktën përsa i përket shifrave. Ndryshe nga ç'prisnim, pas ri-qeverisjes, krimet ende vazhdojnë. Shoh në rrugë duke u ngrirë nga të ftohtët fëmijë-skllevër. Ministri Tahiri duhet të jetë në zyrë me kondicioner. Ose duke marrë veten nga lodhja bri zjarrit. Nuk do ndonjë vështirësi për të kapur tutorët e për të sistemuar fëmijët-skllevër. Por, kanë qenë të zënë duke kapur të arratisurit nga burgu. Sa herë kaloj pranë këtyre fëmijëve, më dhimbsen aq shumë sa mezi përmbahem pa u dhënë lek. Janë lakuriq, në trotuar, dhe qajnë. Por, e di që lekët që jap unë i mbajnë ata skllevër. Ç'të jetë duke bërë vallë ministri im? A ecën më në këmbë? A u jep më lek lypësave? A ka ndonjë projekt? Apo, nuk është puna e tij? Mos jam kapur me ministrin e gabuar? Këto janë pyetje që vijnë në dhjetor. Sidomos, kur kalon bri trupave që dridhen lakuriq, herë 8 e herë 12 vjeç mbi trotuar. Bukuria që vret, thoshte Migjeni. Por, KËTA kanë vrarë dhe Migjenin. Pak kush ankohet.

Njerëzit që ankohen

Jeta është bërë shumë bazike. Njerëzit kërkojnë gjëra të thjeshta. Për shembull, dhjetori na dha shansin të shohim nxënësit e ekselencës, dmth, më të mirët e më të zgjuarit në vend në një përballje me Kryeministrin. Ndoqa nga larg pyetjet e tyre. Pyetën për veten e vet. Pastaj, e pyetën për kuriozitete kalamajsh. “Cili ministër të ka ndihmuar më shumë? Po më pak?” Ose, “A janë të vërteta atë që thuhen për taksën mbi rrogën?” Unë, do kisha dashur që nxënësit e ekselencës të kishin pyetur se pse taksohen rrogat e jo dividentët? Pse bosët e mëdhenj të parasë mund të marrin rrogë 0 lek e të mos taksohen, ndërsa rrogëtarët me rroga të mira do taksohen një më një? Por, është e tepërt të presësh pyetje reale nga një brez virtual. Shkollim virtual, rini virtuale, jetë virtuale, zotime virtuale. Sepse, (theksoj: pa dashje, instinktivisht) në dhjetor të tërë ndjejnë nevojën për të marrë një zotim.

Viti i zotimeve

Dhjetori, është një muaj kur të gjithë besojnë se mund të marrin një zotim për të ardhmen. Në fakt, mua më ka ndihmuar për të kuptuar ku jam. Tashmë e di. Tirana është një njeri i bukur e i ri, por portreti i vet është i kalbur e i plakur. Rama e të tijtë nuk kanë për ta thënë e as për ta kuptuar. Berisha e të tijtë s’e kanë kuptuar kurrë. Këta që erdhën për festa, do ikin prapë duke marrë me vete kitarat, verën e mallin. Pastaj do jemi ne, përballë portretit tonë veshur me letër mbështjellëse ngjyrë kafe. 2014-ta duket si një tjetër vit ku unë do duhet të rri në trotuar përballë shtetit, politikës, vanitetit e mjerimit. Edhe në 2014, do jem i detyruar t'u them “jo”.

TVSH, bretkosa që askush s’e puth (dhjetor 2013)

Botuar në revistën Klan, E Premte, 06 Dhjetor 2013


Besoj nuk ka shumë vetë që do mohonin se ka një çakordim mes publikes e privates në Shqipëri. “Ç’akordisje”, madje, çakërdisje. Nganjëherë vetë shteti më duket sikur është një biznesmen i madh, burokratik, i keqmanaxhuar dhe inefektiv. Për shembull, jemi krejtësisht të pandjeshëm ndaj një gjëje që quhet Televizioni publik shqiptar. Dëmi emocional, artistik dhe informativ që vuajmë për shkak se i vetmi TV që është vërtet i yni nuk mundet e nuk di të sillet si i tillë, më duket shumë i madh. E pra, TVSH është një institucion i krimbur në para.


Kush, dhe sa

Është e vështirë të gjykosh për mbarëvajtjen ekonomike të një mediumi, sepse nuk ka asgjë transparente. Bilancet vjetore të televizioneve si të gjithë bizneseve do duhej të ishin transparente, dhe jo vetëm për shtetin, por dhe për publikun. Auditeli, që pak vetë ndoshta e dinë, ka nisur të bëhet. Shifrat mbahen sekrete dhe u shkojnë vetëm atyre që paguajnë për t'i parë. Nuk më interesojnë modalitetet, por do doja t'i shihja dhe unë. Mirë do qe t'i shihte edhe prokuroria. Nëse një program me audiencë të ulët përfiton të ardhura sa shumëfishi i një tjetri me audiencë më të madhe, këtu diçka ka.
Por, mbi të gjitha më intereson të di bilancet dhe audiencën e të vetmit TV që e financoj unë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për fat të keq, marrëdhënia ime me TVSH është thuajse si me Suden. Ne fusim lekë aty dhe nuk marrim asgjë. Për më tepër, nuk dimë as se ç'bëhet me ato para.


TVSH, si punë fajdexhiu

TVSH mbahet me paratë e shtetit e të sponsorëve. Madje, kam dëgjuar që Kina derdhka nja 3 milionë dollarë në vit si punë qeraje për ca antena. TVSH është një institucion në të cilin çdo rrogë paguhet prej nesh (dhe Kinës, me sa duket), edhe pse tranzicioni dy dekadash na bëri ta harrojmë një herë e mirë se kemi pushtet ekonomik mbi diçka, edhe kur e kemi. Në këtë pikëpamje, TVSh është si një Sude që merr paratë tona e nuk na jep asgjë.


TVSh-ja rurale

Sot, TVSh-ja është një mjet tërësisht rural. Unë nuk njoh asnjë person në rrethin tim të punës, miqve apo familjes që ta ketë pjesë të telekomandës. Nuk kam lexuar asgjë mbi TVSh e produktet e tij as online e deri as në gazetat bulevardeske. Nuk ka asnjë diskutim a debat publik a mediatike mbi produktet e TVSh-së me përjashtim të Festivalit, që tashmë nuk është i TVSh-së por i Eurovizionit. Edhe nëse ndonjë personazh i TVSh-së shfaqet në ndonjë gazetë rozë, kjo vjen falë investimit personal e jo fuqisë së ekranit.
Është e habitshme sesi keqmenaxhimi (kryesisht me qëllime politike) i këtij institucioni ka prodhuar një produkt kaq mediokër. Nuk flas për njerëzit. Shumë nga këta që shkëlqejnë tek TV-të private vijnë nga TVSh-ja. Flas për produktin final. Jetojmë në një vend ku të tërë duam të identifikohemi me “qytetarin”. Jetojmë në një kohë ku TV-ja krijon një standard jete që duam ta imitojmë. Në këto kushte një TV rurale nuk i duhet askujt. As njerëzve të provincës. Numëroni produktet e suksesshme në Shqipëri, që nga Portokallia e deri te Kënga Magjike, nga Zonë e Lirë te Opinion, nga The Voice te Dancing With the Stars, asnjë prej tyre nuk ka logon e TVSh-së.


Me lekë, por i varfër

TVSh-ja ose nuk di ose nuk do që të blejë të drejtat televizive të franchise-ve ndërkombëtare. Nuk po u kërkoj Champions League-n. Por, si është e mundur që TV-ja më i pasur në vend nuk ka fuqi të blejë as ndeshjet e kombëtares? Si është e mundur që nuk futet në garë për të blerë programe me sukses botëror, një pjesë prej të cilave kanë përmbajtje mjaft cilësore? Nuk po them të blejnë Big Brother. Por mund të blejnë plot formate të tjerë të mëdha e cilësorë. Po them edhe që ka mijëra formate simpatikë, më të vegjël, që përmbajnë argëtim e kulturë, që u drejtohen shtresave të ndryshme, e që një gjigand financiar si TVSh e ka për detyrë t’i blejë. Për të mos folur për produktet e veta, si informacioni.


Informacioni në kohërat e kolerës

Kam patur një përvojë rrënqethëse me një edicion informativ të TVSh-së pak kohë para zgjedhjeve. Nuk mbaj mend sa kohë kisha pa parë diçka aq joprofesionale, dhe aq të pozicionuar (shëmtuar) politikisht. Përveçse 4 lajmet e para ishin si video personale të kreut të Shtetit, të Qeverisë, të Bashkisë Tiranë e të Kuvendit (të tërë në pushtet), ato nuk mbanin fare era lajm. Ishte, si të raportoje që Kryetari i Shtetit lau duart me sapun, si ai tjetri hëngri byrek, si ky foli me komshinjtë.
Kishte një përpjekje po aq fëminore që kohën që mund t’i takonte opozitës së asaj kohe ta shfrytëzonin për ta nxjerrë sa më keq kreun e ish opozitës, sa edhe një fëmijë e kuptonte që montazhi i frazave dhe vetë xhirimet ishin bërë qëllimisht për propagandë negative. Megjithatë, ne e duam TVSh-në. Më saktë, kemi dëshirë ta duam TVSh-në.


Si e përjetojmë TVSH-në

TVSh-ja është një medium me të cilin akoma shumica prej nesh (për sa kohë të lindurit pas 1997-s do jenë shumicë demografike) ka kujtimet e veta. Spektaklet e vitit të ri, festivalet, mbrëmjet poetike, Krasta i fillimit, ngjitja e Grabockës, ardhja e Gjebresë, fillimi i Fevziut e Xhungës, teatrot e kukullave të dielave, kanë ndodhur në atë medium. Pa dashje, por TVSh do të mbartë përjetësisht një pjesë të historive tona individuale.
Këtë element të jetës sonë na e kanë dhunuar, herë nën rrogoz, herë ashiqare e herë me forcë. Me sa di unë, në Britani çështjet e BBC-së janë të të gjithëve. Po u preke BBC-në, është më keq se t’u prekësh Mbretëreshën. Por, ndryshimi i TVSh-së NUK mund të fillojë nga mënyra sesi ne e shohim TVSh-në. Ndryshimi i TVSh-së nuk besoj se është më as çështje ndërrimi njerëzish. Një TVSh e re duhet të fillojë me një frymë të re.


Një TVSh e re

Në krye të TVSh-së mund të vihet një vajzë e re ambicioze, ose një djalë i mirë, ose një tip i hedhur, ose një gazetar i njohur, i lidhur me pozitën, ose kushdo tjetër që Kryeministrit mund t’i duket OK për arsyet e veta jo dhe aq të kuptueshme nga ana manaxheriale ose politike. Por, edhe ky do ta ketë vështirë të nxjerrë një princ nga një bretkosë. Jo vetëm ngaqë nuk njoh ndonjë shqiptar që do ulte hundën t’i bënte një nder të tillë një bretku, por dhe se askush nuk po kërkon për bretkosë. Edhe sikur të ndërrojnë tërë njerëzit që punojnë aty, siç po ndodh në institucionet e tjera, kjo nuk e zhbën TVSh-në e vjetër. Sepse, nuk është punë njerëzish. Është punë konkurueshmërie.


Si

TVSh-ja është çështje konkurueshmërie. Që të bëhet konkuruese me privatët duhet të ngrejë një sistem konkurimi brenda vetes. TVSH e re duhet t’i japë mundësi kujtdo që ka ide të konkurojë. Si? Është e thjeshtë. TVSh nuk duhet të miratojë programe që janë të mira në letër, apo se moderatori e regjisori janë emra të shquar, apo se i ka qejf drejtori i ri. Në TVSh nuk duhet të ketë njerëz që rriten e plaken aty duke tundur zinxhirin. TVSh duhet t’u japë mundësi të paguhen mirë atyre që bëjnë gjëra të mira.
TVSh e re duhet të miratojë vetëm pilotë projektesh, me kosto edhe modeste, dhe ato t’ia paraqesë publikut, në web, youtube apo dhe on air. Vetëm emisionet Pilot që marrin miratim nga audienca që i sheh ose i voton duhet të futen në prodhim.
Më duket e vështirë në një shtet që nuk po ngrihet mbi konkurueshmërinë, TVSh-ja të bëjë përjashtim. Sado djalë i mirë të jetë drejtori i ri, sado avantgard të jetë bordi i ri, në rast se këta nuk zgjidhen as vetë mbi baza konkuruese, nuk ka shpresë që do krijojnë shinat e konkurueshmërisë. Ndaj s’ka pse habitemi, do kemi një TVSh që do vazhdojmë ta harrojmë se paguhet me paratë tona. Derisa të shuhet tërësisht lidhja emocionale që kemi me të, , çka do të ishte dhe fundi i vet.

Fragmente proteste (22 nëntor 2013)

Botuar në revistën Klan, 22 nëntor 2013



-Ç’kemi? Si kalon?
-Çka. S’i kemi fort mirë punët me këto armët kimike.
Ky ishte dialogu im i para disa ditëve me një të saponjohur, në tavolinë me të cilin më kishte sjellë filmi e jo politika. I mësuar me mënyrën sipërfaqësore të të përshëndeturit, kur ti e pyet dikë si je për edukatë, e jo se vërtet do të dish se si është, kjo përgjigje më la pa tekst. Aq më tepër kur bashkëbiseduesi nuk të flet për hallin e vet po për hallin e vendit. Është hera e parë që më ndodh, dhe më dha përshtypjen që është shenja e një ndryshimi të madh social në Shqipëri. Ka njerëz që ka filluar t’u bëhet vonë. A thua?

Njerëzit që u bëhet vonë

Ndoshta një vit më parë një inisiativë e jashtëzakonshme civile, “Aleanca Kundër Plehrave” (për të mos u ngatërruar me “Aleancën e të Gjithë Qelbësirave”) mblodhi shumë njerëz që u bëhet vonë për shëndetin, plehrat toksike dhe helmimin e tokës e të mjedisit. Disa njerëz harxhuan nga koha e tyre, paratë e tyre, emri i tyre për t’i dalë zot atij halli të madh. Me aq sa di unë, pavarësisht mundit nuk i mblodhën dot as 1 të 10-ën e firmave që duheshin për referendum. U detyruan t’i drejtoheshin një partie për të shfrytëzuar anëtarësinë e saj, edhe pse do kishin preferuar që referendumi të ishte vullnet real qytetarësh të prekur sesa militantësh lepe-peqe. Firmat u mblodhën, referendumi u kërkua.
Në distancë prej një viti, përpiqem të kuptoj çfarë ka ndryshuar. Djali më sipër, nuk e kishte firmosur (kërkesën për) referendumin e vjetër. Po atëherë, kujt i bëhet vonë sot që nuk i bëhej vonë dje?

Atyre që nuk u bëhej vonë

Shoh sot të angazhuar shumë njerëz që nuk u ndihej zëri dje. Shkruajnë gazetarë që nuk kritikonin dje, ose e mbrojnë “sarinin” gazetarë që ishin në vijë të parë të luftës para një viti. Dikush thoshte që “ç’rëndësi ka”. Mjafton që të bëhemi shumë për të mbrojtur vendin. Unë nuk e mendoj ashtu. Kjo, nuk mund të kalojë pa u vënë re, e as në heshtje. Kam një përshtypje se ka shumë pjesëmarrës në këto protesta, në ballë e në fund të rreshtit, që nuk kanë të drejtën morale për të qenë aty. Më duket se ka shumë që janë o për numër, o se i kanë thënë “dil”. Kjo m’u përforcua kur pashë një protestë në Mjekës.

Mjekësi i protestës ekologjike

Banorët kishin dalë në protestë kundër mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike në uzinën (fabrikën? repartin?) e Mjekësit. Pashë foton e protestës dhe pashë disa fshatarë të lodhur, që rrinin si të varur, duke mbajtur ndër duar fletë të printuara (identike) kundër “vrasjes”, “gazit sarin”, etj. Bëhej fjalë për një deklaratë të një kryetari Bashkie (Elbasan) që unë nuk e kisha dëgjuar, por që me sa dukej kish kërkuar prerazi që për shkatërrimin të mos përdoret uzina e Mjekësit, siç ishte përfolur.
Përshtypja e menjëhershme është që ata i ka nxjerrë dikush aty. U ka dhënë dhe fletët e printuara njësoj, nga i njëjti kompjuter. Ka sjellë dhe ca fotografë a media. Por, protesta kur është e vërtetë, kur kauza të djeg brenda, nuk mbresohet si në këtë foto. Krahasojeni me çdo protestë ekologjistësh europianë, edhe kur janë vetëm një grusht njerëz. Krahasojin makar dhe me protesta e fshatarëve në Kakome, Jal, e kudo tjetër kur atyre u ka dhembur fort padrejtësia. Nuk ka asgjë të përbashkët, sepse motivimi nuk është i njëjti në thelb. Protestuesit e Mjekësit, ngjanin sikur kishin dalë për qokë.
Sa i vlen protestës kjo foto? Sa i vlen kauzës kjo protestë? Kush ka marrë tërë këtë mundim për të sajuar një farsë proteste, siç besoj se ishte? Çfarë ka pra, ndryshe?


Ne dhe gazi sarin

Nuk e përjashtoj faktin që impakti mediatik në lidhje gazin sarin të ketë luajtur njëfarë roli. Por ne jemi ata, që siç na përshkruan Kadareja rrimë në kafe e flasim shtruar për Luftërat Botërore. Nuk e përjashtoj edhe një frymëmarrje lirie. Pas 23 qershorit, besimi i njerëzve se mund të ndikojnë zhvillimet e vendit, ma do mendja është rritur.
Por, ne nuk jetojmë në një vend të ri. E, as me njerëz të rinj. Jetojmë përsëri në një vend ku shumë njerëz kanë probleme mbijetese, ku shumë të tjerë janë mbyllur në guvat e tyre të izoluara duke mos dashur të shohin ç’bëhet jashtë, kur media shplan masivisht trurin, ndjesitë e vlerat, ku për shumë njerëz ka më shumë rëndësi t’u thyhet hunda “atyre” të partisë tjetër se të kërkojnë t’u përmirësohet mësimdhënia nxënësve në shkolla, nuk duket shumë e vështirë se çfarë motivimi ka pas shumë njerëzve që brenda javës u bënë ekologjistë. Më shumë se ekologjistë, janë anti- diçkaje a dikujt.

Kauza e “Qelbësirit”

Ne duhet të shkëputemi nga filozofia e “Aleancës së Qelbësirave” që mblidhen për inat të një “Qelbësiri”. Ata që kanë në plan të dalin në protestë kundër “Qelbësirit”, pavarësisht motivit, kam frikë se do ta lodhin shpejt motivimin e atyre që dalin për plehrat. Shumë njerëz do të dekurajohen kur të shohin me kë janë për krah. Madje, edhe po të duam “aleancë të të gjithë qelbësirave” nuk bëjmë dot më. Jo dhe për ca vite. Një pjesë e tyre janë në pushtet. Pra, do kohë që të bëhen kaq shumë qelbësira të acaruara këtu jashtë për t’u ngritur kundër atij “të madhit”. Një kauzë është një dhe vetëm ajo. Dhe duhet të jetë parimore dhe e pastër.


Kauza që bëhen pis

Kauzat janë kauza, dhe ato duhet të jenë të pastra. Edhe kur janë kauza për plehra e për gaz vdekjeprurës. Unë besoj se kauzat bëhen me zemër e jo me hile. Të paktën, kauza qytetare si kjo. Kam frikë, se personalizimi i kauzës nga individë dhe grupime që në thelb duket se kanë axhendë tjetër nga gazi sarin, do e dëmtojë fort jo vetëm këtë kauzë, por dhe të tjerat që vijnë më pas.
Beteja me këtë qeveri duket se do të jetë e gjatë. Gazi sarin është vetëm e para nga një sërë betejash të tjera. Betejat në këtë vend nuk është akoma e mundur që t’i udhëheqë shoqëria civile. Po t’i heqësh protestës ata që printuan fletët e katundarëve të Mjeksit, kam frikë se do mbesim atje ku ishim para një viti: Me ca aktivistë që sado të drejtë kanë, nuk arrijnë të marrin as 4 mijë firma për një kauzë kaq jetike. Dhe që do u duhet nesër një parti nga pas me makinerinë e saj. Ndaj, nuk do isha kundër që kjo betejë të udhëhiqej nga opozita. Nga ana tjetër, jam i bindur që qytetarët e ndjejnë atë që fshihet pas maskës së protestës. Ndaj mendoj se opozita ka nevojë të na udhëheqë jo me një imazh të pastër, por duke e pastruar atë para nesh.
Nuk e di nëse duhet të gëzohem apo të merakosem për një djalë që pa më thënë si e ka emrin, më flet për gazin sarin. Mbase duhet të gëzohem, por me rezervë. Ka nja njëzet vjet që shoh dritëza të lindjes së një mendësie qytetare protestash. Ti thua, ja, po bëhet. Po bëhemi qytetarë. Dhe pas njëzet vjetësh, kur u dogjën dy njerëz prej vërteti për një kauzë të vërtetë, pashë që askush nuk lëvizi. As ekologjistët e rinj të merakosur për djegiet (e presupozuara) me gaz sarin.

Rama, idioti dhe turqizmat e mia (nëntor 2013)

botuar në revistën KLAN, 13 Nëntor 2013

Ka një lloj lirie në ajër për të folur, për të kontestuar, për t’u grindur e për t’u ankuar. Jo se nuk ndodhnin para 23 qershorit. Por, atëherë ishin më shumë grindjet e atyre që flasin për forcë zakoni, të bindur që nuk ua varte njeri. Kjo ndjesi lirie është pak konfuze, por edhe kur është “grindavecllëk”, për mua është prapë gjë e mirë. Shoqëria civile dhe media duhet të gjejë vendin e vet. Fjala e tyre, duhet të krijojë impaktin e vet. Por, tamam kur unë ndjej lirinë për të shkruar, kontestuar, grindur e ankuar, marr vesh se jam idiot.


Çfarë mund të jetë kryeministri i një vendi idiotësh?

Me çdo parametër bashkëkohor ta masim, nuk besoj se një Kryeministër mund t’i lejojë vetes të quajë idiotë ata që.... prit, ata që nuk kritikojnë atë! Ai quan publikisht idiotë ata që sulmojnë një Kryeministër tjetër! Të një vendi tjetër! Kjo gjë po ndodh shumë shpejt. Mund të ndodhte kur qeveria të ishte lodhur e tendosur nga përplasjet me kritikët, ose kur Kryeministrit t’i binin kritika shumë më të rënda. Më e keqja është që njoh gazetarë (pro-tij) që vërtet ndajnë të njëjtin mendim me të. Që ka plot (kolegë) që po tregohen idiotë, të paktën në lidhje me “Turqinë”. Gazetarët tanë, kanë nisur të logjikojnë nga pozitat e hallexhiut.


Gazetarët-hallexhinj

Qarkullon një fjalë se Erdogani do na japë nja 2 miliardë, që do zgjidhin krizën e rëndë ekonomike. Le të themi që është ashtu. Shumë gazetarë e kanë kuptuar këtë hall të kombit e të qeverisë, dhe e kanë bërë hallin e tyre. Nuk e di a është qëndrim i drejtë. Gazetaria ka tjetër mision, dhe jo të zgjidhë se ku do merren paratë e kush do e mbushë gropën. Gazetaria, ka për detyrë të bëjë atë që është e drejtë. Është i njëjti Erdogan që shtypi me dhunë protestat në Gezi Park jo shumë kohë më parë. Por, gazetarët që deri para do kohësh u eksituan me Gezi-parkun, tani dalin për të mbrojtur “byrazerin”. Papritmas, për të njëjtët njerëz, Erdogani-diktator na u bë Erdogani-byrazer. Dhe para këtij byrazeri nuk vlejmë ne të tjerët, idiotët.


Byrazerët dhe katilët

Kam një neveri të lehtë për fjalën byrazer. Më duket një gjetje cingërisëse që të përdoret aq më tepër për të “coin”-ur një marrëdhënie të tërë politike. Është tepër e vjetër, tepër otomane, tepër prej njerëzish që i ka zënë dashuria për shokun e pijes, dhe tepër “me të futme”. Por, unë besoj se lëvizja diplomatike e qeverisë së re drejt Turqisë është një veprim i zgjuar e i guximshëm, që tejkalon apatinë deri në anti-kombëtarizëm të qeverive më parë në lidhje me vendet e rajonit. Do doja t’i shtrëngoja dorën me sinqeritet atij që e ka menduar i pari, dhe atij që ka guxuar ta bëjë këtë lëvizje.
Por, Erdogani, është po ai person që shkel të drejtat e njeriut, është po ai autokrat që stërbythi të rinjtë protestues në sheshin Taksim. Sigurisht, nuk jemi në pozitën t’i tregojmë Erdoganit se ç’duhet të bëjë në vendin e vet, edhe pse ai vetë e sheh të arsyeshme të merret në një takim qeveritar 1 orë rresht me një xhami në Prishtinë, siç shkruan në artikullin e vet të guximshëm e të mrekullueshëm Alma Lama (një idiote, sipas parametrave të Kryeministrit tim). Kjo vlen për politikën, ajo bën lojën e vet. Por jo për gazetarinë. Mua nuk më vjen keq ta shoh Turqinë si vëllai i madh, e as të na shohë si vëllai i vogël. Por, jo rrallë i vogli heq abuzime të mëdha nga i madhi, po për hir të “byrazerllëkut”. Atëherë çfarë fituam? Fituam 3 prostituta, thotë një barcaletë e vjetër.


Barcaleta me pullë të kuqe

Flirtimi me Erdoganin për nevoja jetike të qeverisjes e të ekonomisë mund të jetë një zgjidhje e mirë për të mbushur gropat, por dhe për balanca ndaj fqinjëve grabitqarë. Politika mund të jetë ajo femra e përdalë, por - dhe këtë z.Rama duhet ta kuptojë - gazetaria ka detyrë tjetër.Të kundërtën e politikës. Gazetaria ka për mision të MOS prostituojë. Është një barcaletë e vjetër, ajo e babait që i shpjegon të birit ndryshimin mes teorisë dhe praktikës. Pasi pyet dhe zbulon që mamaja, gjyshja e bija, do të shkonin me dikë për 10 mijë euro, ai i thotë të birit: “Teorikisht duhet të kishim 30 mijë euro në shtëpi. Po praktikisht kemi 3 prostituta”. Ju mund të mendoni që gjuha ime po bëhet e ashpër, por, nuk e thoni dot. Sepse, kryeministri e ka më të ashpër, ai quan idiotë, ata që (ai mendon, besoj) nuk duan të kuptojnë strategjinë e tij të jashtme. Në fakt ne e kuptojmë, por puna jonë është kërkimi i së vërtetës dhe të drejtës, dhe jo flirtimi. Ai i takon politikës, dhe shpesh ka rrezik të kthehet në një prostituim.


Ç’mendim ka Ministri i Jashtëm për genocidin armen?


Shtysë për këtë shkrim, më shumë se etiketimi “idiotë”, ishte një lajmth i vogël që përcillej nga agjensia azere e lajmeve në anglisht, Azertac. Ministri ynë i jashtëm z. Bushati, i ka kërkuar Armenisë të njohë integritetin territorial të Azerbajxhanit, duke i bërë thirrje dhe që të tërheqë trupat dhe duke kërkuar një zgjidhje paqësore në bazë të ligjit ndërkombëtar për konfliktin mbi rajonin “Nagorno-Karabakh”. Sipas Ministrit, Shqipëria është shumë e interesuar për Kaukazin Jugor për shkak të rëndësisë strategjike të këtij rajoni. Sipas tij, rajoni luan një rol të rëndësishëm për plotësimin e nevoja të Evropës për energji duke iu referuar projektit të TAP-it.
Gjëja e parë që më habiti, është që dikush nga Azerbajxhani, me të cilin vetëm një grusht shqiptarë i ka lidhur jeta, biznesi e paraja, është munduar të vijë e t’i marrë intervistë Ministrit shqiptar. Edhe Kina ka interesa gjithandej, por nuk e kam dëgjuar të bëjë thirrje. Dhe, mbi të gjitha, nuk e dija që Shqipëria paska “një qëndrim” për konfliktin azero-armen. Në këtë rast, do doja të pyesja Ministrin, se çfarë grupesh pune ia kanë paraqitur raportet e atij konflikti? Do doja ta pyesja ministrin se çfarë qëndrimi ka qeveria shqiptare për genocidin armen, ku turqit shfarosën dhjetëra mijë të pafajshëm jo më larg se nja 100 e ca vjet më parë?
Apo, byrazerit ia falim genocidet? Deri ku mund të shkojmë për hatër të byrazerit? Si komb që ka vuajtur padrejtësitë ndërkombëtare, a kemi fytyrë ne të sulemi në tym për t’u bërë palë në çështje të panjohura ku luhen fate kombesh e njerëzish? A duhet të ketë politika jonë e jashtme ndonjë fije pavarësie? Madje, pa e vrarë mendjen, mos po bëhemi palë në një kauzë që nuk na përket, të koklavitur, dhe kushedi të padrejtë, ku të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për spastrim etnik? A e di Ministri që deklaratën e OKB-së (që i referohet) e kanë kundërvotuar SHBA, Rusia dhe Franca?
Ka shumë mundësi, që përgjigja e vetme që do marr është, që jam idiot. Vetëm një idiot do arrinte në konkluzionin që ne po i bëjmë një favor Turqisë, e angazhuar fort në atë kauzë.

17 fjalë për 500 vjet

Unë e dua Stambollin, edhe pse jo aq sa e donte (këtu ka nevojë për një nënqeshje) Erdogani Prizrenin. Kam përdorur 17 turqizma në këtë artikull. Dikujt mund t’i hipë t’i numërojë vetë, e t’i dalë numër tjetër. Ne, edhe gradën e “turqizmës” brenda nesh e perceptojmë në mënyra relative e subjektive. 500 vjet pushtim – këtë çdo kryeministër i këtij vendi duhet ta ngulë mirë në kokë, ai ishte pushtim – lënë diçka pas. Ama, jo dinjitetin. Për mua, edhe kombet kanë një dinjitet. Por, unë jam një idiot, para syve të Kryeministrit tim.

Sikur Rama të ishte një taksixhi i maskuar (tetor 2013)

botuar në Revistën KLAN, dt 25 tetor 2013

E vërteta e breshkës dhe e lepurit

Malli më i shtrenjtë në botë, në kohën e teknologjisë digjitale është e vërteta. Një onc të vërtete shpesh paguhet me jetë. Nganjëherë, paguan dhe një komb i tërë. Ka një perceptim, që Rama do të hedhë themelet e shtetit. Nisemi nga një premisë e gënjeshtërt, ajo që na mësojnë që të vegjël si vlerë të madhe, sesi breshka ia futi me zgjuarsi lepurit. Në një garë shpejtësie, lepuri ia futi gjumit i sigurt në fitore, breshka ia kaloi dhe arriti e para. Ka dhe një version tjetër, që breshka vuri të motrën binjake në finish dhe lepuri kur shkoi e gjeti atje. Në xhiron e kthimit, gjeti breshkën e parë te nisja, e kështu në çdo xhiro, ai gjente breshkën që kish “mbërritur” para tij. Kjo përrallë është krejtësisht e gënjeshtërt, pavarësisht moralit të shëndoshë që përcjell. Nuk dua të merrem shumë me përrallën, sesa me marrëdhënien me të vërtetën.

Po ç'hyn Rama këtu? Rilindja në vetvete ka shumë poezi, shtet-ndërtimi ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të vërtetën.



Kush ia komplikon të vërtetën Ramës

E vërteta mbërrin te një lider përmes mediave, përmes njerëzve të besuar dhe përmes sondazhit personal në terren. Ky i fundit duket i pamundur, sepse edhe sikur ta kishte ndër mend, do më dukej e vështirë që Rama të bënte si kryeministrat nordikë, të maskohej si taksixhi për të marrë vesh se çfarë duan njerëzit. Njerëzit e besuar, kushdo qofshin, kanë tendencën të filtrojnë informacionin me filtrat e tyre. Edhe berberi i besuar. E vërteta e një berberi çfarëdo ndryshon nga ajo e berberit të Kryeministrit. Vetë liderët, i fusin një filtër personal çdo këshilltari. Këshilltarët vetë janë të kufizuar në përthithjen e informacionit mbi të vërtetën. Ata mund të qarkullonin si taksixhinj të maskuar, por as duan e as ia kanë ngenë. Ata mjaftohen me atë që u thonë njerëzit që janë në kontakt, ose mediat. Njerëzit në kontakt, kryesisht janë ata që kanë të vërtetat e tyre. Për shembull, një këshilltar mund të marrë informacion nga biznesmeni, nga regjisori i oborrit, nga njerëz që kanë akses dhe ky akses vetiu kufizon informacionin që sjellin. I vetmi burim që ngelet është media.



Çfarë i thonë mediat Ramës

Janë thënë e stërthënë, por ka gjëra që duhen përsëritur vazhdimisht, për t'i rezistuar tru-shpëlarjes. Media, është armiku më i madh i shoqërisë shqiptare. Shteti vetë është makinë shtypëse, por, njeriu e di që e ka shtetin përballë. Media, është e presupozuar të jetë aleati i publikut, në të vërtetë është aleati i pushtetit, për të shtypur publikun. Për të vazhduar me metaforat me kafshë, media është gjarpri në gji. Unë dyshoj që Kryeministri aktual të ndjekë mediat. Dhe mirë e bën. Por, kam frikë se janë mediat që e ndjekin atë. Ai mund të mos e dijë se cila gazetë është më e shitura në treg, por, dikush ia pëshpërit këtë informacion nga pas në vesh, dhe kurrë s'do dimë se si ia përcjell. Ai mund të mos e dijë se çfarë tha filani në intervistë, por, dikush do i bëjë përmbledhje me sms, dhe kurrë nuk do ta dimë se çfarë mbeti pa u shkruar në atë synopsis me 160 karaktere.

Kur them që media i shkon nga pas Ramës, nuk nënkuptoj një edicion lajmesh, një kryeredaktor apo një lajm specifik që ndjek nga pas Kryeministrin për t'i diktuar një prioritet informacioni. Media, është një tren i tërë ku udhëtojnë interesa të forta biznesi, interesa personale, fshehje të vërtetash, deformim realiteti, i cili synon të jetë mjeti i vetëm informativ me të cilin udhëton Kryeministri. Në atë tren mund të takosh shumë njerëz, që nga kaligulat e deri te damirfazlliçët e rinj. Kryeministri, duket si i detyruar t'i hipë atij treni.



Treni mediatik për në polin e veriut

Kryeministri, dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për këtë kryeministër, është i detyruar të hipë në atë tren, sepse trenisti, njëkohësisht dhe pronar, biznesmen, politikan, njeri me lidhje, me lobingje, me interesa të tjera veç medias, dikton (ose besohet se dikton) të vërtetën e vet te zgjedhësit. Unë vetë e shoh me dyshim këtë maksimë, sepse, pavarësisht mbështetjes së mediave më të mëdha në vend, z.Rama arriti të zgjidhet Kryeminsitër, kur publiku vendosi jo të mbështesë imazhin e tij për shtetin e pushtetin, por të godasë imazhin e z.Berisha për shtetin e pushtetin. Unë ndjej që mosbesimi ndaj mediave është i madh, sepse, ndryshe nga ç'mund të besohet, ky popull nuk është idiot e nuk tërhiqet dot (i tëri) prej hunde. Megjithatë, media bën sikur e ka zënë këtë popull prej hunde, sepse, ka arritur ta mbjellë këtë perceptim te politikanët.

Ai tren mund të çojë drejt ëndrrës ekonomike apo të pushtetit disa njerëz, por në të vërtetë çon për një Aushvic të vërtetën e shoqërisë. Ka një mënyrë që Rama të mos hipë në atë tren.



Shpëtimi i drurëve duke “prerë” mediat

Mediat mbahen në këmbë falë financimeve, shpesh okulte që marrin nga privatët dhe nga shteti. Kemi pasur mundësinë të ndjekim në të shkuarën e afërt denoncimin e mediave të persekutuara për fondet shtetërore që merrnin mediat e privilegjuara. Kemi dëgjuar sesi pronarë të këtyre të fundit po tentojnë të kalojnë matanë, kur përmbyset pushteti. Mediat dikur të persekutuara, tani po e kthejnë klepsidrën përmbys. Por, klepsidra funksionon vetëm duke e përmbysur vazhdimisht. Pra, pushteti tjetër që do vijë, do e përmbysë përsëri dhe pushtetin mediatik dhe të ardhmen e tyre financiare. Klepsidra, në fund të fundit është thjesht “dava rëre”. Media është shndërruar në “dava rëre”. Ato konsumojnë drurë duke harxhuar letra me gënjeshtra, ato krijojnë kancer në tru duke mbushur ajrin me valë të dëmshme, ato shkatërrojnë të vërtetën me edicionet mashtruese. Z.Rama mund ta ndryshojë këtë. Ai, mund të mos hipë në atë tren kompromentues e korruptues njëkohësisht, duke ndryshuar raportin e vet dhe të shtetit me të vërtetën.



Mëngjeset me gazetarë, jo me gazeta

Gjëja e parë që mund të bëjë kryeministri nuk është të nisë të lexojë gazetat. Ai nuk ka pse të lexojë shkrime që duan të çojnë “ujë” në një mulli të caktuar. Por z.Rama mund të nisë të hajë një mëngjes në javë me gazetarë apo eksponentë sa më të pavarur. Mund të ftojë dhe Kadarenë, dhe Visar Zhitin. Gjëja e dytë është të nisë një investigim politik të vërtetë, për të parë lidhjet e politikës me mediat. Sa konflikte reale interesi ka aty. Këto lidhje mund të këputen shumë kollaj. Kushdo i di këto lidhje, përveç shtetit shqiptar.

Kryeministri duhet të iniciojë hetimin e burimeve informale të financimit, kostot e fshehura, punën në të zezë, lidhjet okulte financiare. Kryeministri duhet urgjentisht të transformojë mënyrat e financimit mediatik. Transparencë totale mbi shikueshmërinë dhe lexueshmërinë. Gazetat që shtypin 5 mijë kopje dhe shesin 300, nuk mund të pretendojnë se kanë tirazh 5000 kopjesh. Televizionet duhet të maten me auditel, dhe shpërndarja e parave të privatit e të shtetit duhet bërë në bazë të shikueshmërisë, dhe jo në bazë të njohjeve personale të gazetarëve me biznesmenët.

Tirazhet, shitjet, audienca duhet të matet në mënyrë të përjavshme dhe transparente për këdo. Për shtetin, për agjensitë e reklamave, për z.Rama.

Nëse Kryeministri ka guximin ta bëjë këtë do shpëtojë jo vetëm shtetin, por edhe veten.

Ai mund t'i heqë vetes mbështetjen okulte të grupeve mediatike, por, njëkohësisht, do ndihmojë që presioni i mafias ekonomike ndaj politikës dhe publikut të ulet shumë. A nuk është kjo që ai do? Nëse e vërteta perceptohet jo si ajo që pronari do t'u shesë shikuesve e lexuesve, jo si heshtja që pasanikët e kompanitë blejnë nga media, ai ka ndihmuar publikun të çlirojë mendjen. Një publik pozitivisht perceptiv, mund t'i bëjë punë atij më shumë sesa një publik me shami në sy që duan ta heqin prej hunde.

Pasi ta ketë bërë këtë, ai mund të nisë të lexojë gazeta.



E çfarë është e vërteta?

Shumica e manipulatorëve mediatikë, kanë arritur të besojnë edhe vetë ato që fabrikojnë. Madje, nuk janë as thjesht gjysmë-të vërteta.E vërteta e tyre e deformuar, akoma mban emrin “e vërtetë”.

Është e vështirë ta shpjegosh se çfarë të vërtete pres unë nga mediat, kryeministri, apo mafia.

Duke prerë lidhjet financiare që diktojnë atë çfarë gazetarët shkruajnë apo thonë, përmes transparencës së shifrave e audiencës, është njësoj si të ngasësh një taksi duke dëgjuar të gjitha palët, pa diskriminim. Dhe ku, kostoja e taksisë është e njëjtë për të gjithë.