Saturday, March 8, 2014

Mes të jetuarit shpejt e ngadalë (Grazia, dhjetor 2013)

Botuar në revistën Grazia #2 (dhjetor 2013)
..................................................................................

Kam parë vetëm një Fast&Furious, të parin. Të tjerët më pas, më krijuan përshtypjen se thjesht krijuan një produkut komercial bazuar mbi shpejtësinë. Dhe ja ku Paul Walker, ylli i filmit vdes në moshë të re, po nga shpejtësia. Jetojmë në një kohë të shpejtë. Nuk ke kohë as të takosh miqtë, sepse jeta lëviz shumë shpejt.
Njeriu që jeton në Londër a Nju Jork, kur vjen në Tiranë e ka të vështirë të mësohet me lëvizjen e njerëzve në rrugë. I duket se lëvizim shumë ngadalë. I duket sikur e kanë e kanë futur në një ngadalësues kohe. Por gjithçka rrotull nesh na fton të jetojmë më shpejt. Reklamat televizive, interneti dhe shpejtësia e informacionit, njohjet e reja, klubet e reja, VIP-at e rinj, ofertat celulare, gjithçka ndodh me shpejtësi duke na detyruar (më shumë se duke na ftuar) që të nisim të vrapojmë. Por jo të gjithë vrapojnë. Ca nuk duan, ca nuk munden. Ndërsa në raste të tjera, e shpejta dhe e ngadalta përplasen ose rrinë ngjitur në mënyrë groteske.

Sa e bukur, sa e mirë, sa e ëmbël sa e... ngadaltë!

Gjithë instrumentet e shoqërisë sonë lëvizin shumë ngadalë. Politika emancipohet ngadalë. Sedra, preket shumë shpejt. Gjyqet kryhen shumë ngadalë, impulsi kriminal, në të kundërt ndodh në një çast. “Degjenerimi“ televiziv nuk përputhet fare me mentalitetin e atyre që shohin nga 2-3 telenovela çdo ditë. Krijimi i famës është aq i shpejtë ndërsa ndërtimi i talenteve, shumë i ngadaltë. Ne shkojmë në restorant, dhe hamë shpejt. Vrapojmë edhe kur kemi dalë për të bredhur kot. Duket sikur mënyra jonë e jetesës lëviz shpejt, por në të vërtetë Shqipëria, është një vend që ecën shumë ngadalë.

Shqipëria si emigranti i fundit

Shqipëria ka ritmin e emigrantit të fundit. Shoqëria ecën me hapin e më të avashtit, thoshte dikush. Këtë bën dhe Shqipëria. Merrni emigrantët. Ndër ata miliona emigrantë që kemi shpërndarë nëpër botë, disa janë integruar plotësisht. Në mënyrën e jetesës, të punës, suksesit e realizimit, ata kanë arritur të përshtaten shpejt. Të ecin shpejt. Ka emigrantë të tjerë që edhe pas 20 vitesh nuk kanë mësuar akoma mirë gjuhën, kanë mësuar si t’i dredhojnë sistemit andej, por nuk arritën kurrë ta përballojnë atë. Ritmi i Shqipërisë, është pikërisht ritmi i këtyre. Shqipëria ecën aq sa ç’ecën qytetari më i avashtë i saj. Integrimi ynë i vërtetë, do të ndodhë kur të jetë integruar emigranti ynë më i ngadaltë.
Megjithatë, jo gjithmonë e jo të gjithë duan të vrapojnë. Disa do preferonin të lëviznin ngadalë ose me shumë pushime në mes. E para që nuk përputhet mirë është koha e meshkujve dhe e femrave.

Koha e femrave

Para pak ditësh, një lajm u përhap në mënyrë virale: Historia e aziatikut që u hodh nga kati i 7 i një qendre tregtare nga stresi se e shoqja pas shumë orësh pazari, vendosi të futej dhe në një të fundit, pavarësisht kundërshtimeve të tij. Çështje kohësh.
Të kalosh një pasdite në një shopping mall është thuajse e njëjta gjë me meshkujt që kalojnë një pasdite duke parë televizor . Palët mund të detyrohen ta pranojnë, por nuk janë të detyruar ta përjetojnë. Njerëzit duan kohën e tyre. Femrat, të tyren. Shopping mall-et dhe ndeshjet e pafundme në TV janë një mënyrë për të ngadalësuar kohën. Ne futemi brenda një sfere interesi dhe harrojmë sa gjatë jetojmë aty. Që aziatiku të mos hidhet nga kati i 7-ë duhet që të sinkronizojë orën e vet me të gruas.
Lidhjet tona krijohen shumë shpejt dhe vdesin po aq shpejt. Njoh njerëz që rendin për t’u martuar dhe ndahen pas 6 muajsh. Miqësitë në FB janë ura të pakoaluduara komunikimi. Ndodhin shumë shpejt. I humbim miqtë po aq shpejt sa i zëmë. Konflikti më i madh me shpejtësinë është kur përplaset ritmi që kemi brenda me atë jashtë. Unë e quaj shpejtësi televizive.

Shpejtësia televizive

Deri dje jetonim ritmin biologjik të jetës. jeta ka një ritëm të vetin, që besoj matet me rrahjet e zemrës. Sot, ritmi ynë është televiziv. Ne kujtojmë se bota ecën me shpejtësinë e televizionit, me të njëjtin ritëm që ndërrojmë kanalet televizive, me të njëjtin ritëm që ndërrohen planet e një filmi.
Shoh vazhdimisht makina që i bien burisë me urgjencë. Disa të tjera parakalojnë shumë shpejt. Pjesa më e madhe e këtyre shoferëve nuk ka ndonjë punë për të bërë. Ecin me shpejtësi për të mbërritur te kafja ku do të rrinë 3 orë pa bërë asgjë, ulur.
Njerëzit që humbin jetën nga shpejtësia, ne gabimisht i konsiderojmë si njerëz që “kanë jetuar me shpejtësi”. Unë mendoj që thjesht kanë dashur të jenë më të shpejtë se të tjerët, në mjetin e gabuar. Ndoshta, njeriu më i shpejtë në botë është në një karrige me rrota: Stephen Hawking. Ka të bëjë me shpejtësinë e të menduarit. Ne vrapojmë shumë, por për fat të keq mendojmë ngadalë.

Shpejt dhe ngadalë

Nuk besoj se ka ndonjë recetë nëse duhet ecur shpejt apo ngadalë. Stresi krijohet kur ti je njeri i avashtë, dhe të detyrojnë të ecësh shpejt. Ose e kundërta. Kur do të ecësh shpejt dhe të kanë dhënë një mjet të avashtë.
Ky stres, na bën të jetojmë përciptas dhe pa ndjerë në të vërtetë asgjë. Edhe pse, na duket se jetojmë shpejt.

KOZMIKOMIKET: Ndreca na duhet, por jo në Vatikan! (shkurt 2014)

Botuar në revistën KLAN, 15 shkurt 2014

..............................

Rasti i shkrimtarit e gazetarit Ardian Ndreca, është i fundit i një serie njerëzish që unë i vlerësoj, dhe që i bashkohet korpusit qeverisës. Ai (siç pritet) do të jetë Ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Me sa lexova, ndërsa diskutoheshin kandidaturat kish lindur edhe një debat, se paska fyer Presidentin, apo se rrezikon të shkruajë në gegnisht (!). Në fakt, debati i vërtetë do të qe: A duhet që njerëz si Ndreca t’ia heqim shoqërisë civile e t’ia japim shtetit? Por para se të shkojmë atje, do doja të vlerësoja nga ana personale se çfarë humbas e çfarë fitoj nga ky emërim. Çfarë fiton Shqipëria nga emërimi i Ndrecës?

Shqipëria dhe Vatikani

Nuk e di se sa të rëndësishme konsiderohen në nivel dy-qeveritar marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin, por nga një vështrim i shpejtë nuk më duket se shkojnë përtej marrëdhënieve “shumë të ngrohta e miqësore”. Jemi afër, por në të vërtetë jemi larg. Prerjet e interesave dhe mundësive konkrete gjeopolitike nuk na lejojnë të bëjmë shumë përveçse t’i buzëqeshim pa shumë fjalë njëri-tjetrit, si shtet, kur hasemi në rrugët e gjeopolitikës.
Nuk besoj se Vatikani vlen për marrëdhëniet tona ekonomike; as për strategjitë tona rajonale nuk është ndihmë e madhe (me sa di unë nuk ka njohur as Kosovën); për ambiciet tona ushtarake po ashtu nuk na hyn në punë dhe e vetmja marrëdhënie e fortë ka të bëjë me komunitetin fetar katolik të Shqipërisë. Pra, një Ambasador në Vatikan nuk është ndonjë hall i madh që ky shtet duhej të zgjidhte, siç do të ishte për shembull zgjedhja e Ambasadorit tonë në Greqi, Serbi, Itali, Francë, Amerikë a Angli, vende që ne nuk kemi mundur t’i shfrytëzojmë kurrë maksimalisht falë ambasadorëve të paaftë, meskinë e dembelë. Sigurisht, të kesh një intelektual të njohur në krye të një Ambasade më së paku i bën nder shtetit, edhe pse një intelektual nuk është e thënë se do të jetë një diplomat gjithaq i mirë. A duhet për kaq të konsumojmë Ndrecën?

Ndreca i shtetit

Ardian Ndreca hyn nga të paktët kolumnistë që unë i lexoj vazhdimisht dhe me ëndje. Personalisht, do doja që Ndrecën të vazhdoja ta lexoja. Jam i sigurt që ai do të vazhdojë të shkruajë, por nuk do jetë më ai i pari. Sado të përpiqet të jetë i baraslarguar nga ngjarjet, ai do të jetë një ambasador që shkruan publicistikë dhe jo një mendje e lirë që shkruan për njerëzit. Detyra e intelektualit në një vend si ky është që të qëndrojë jashtë sistemit. Kam frikë se sado t’i japim guxim vetes se posti shtetëror nuk do na ndryshojë, kjo ndodh, pa e dashur ne.
Rasti më domethënës i një publicisti të aftë që u konformua në sistem është ai i Edi Ramës, që pasi u bë pjesë e sistemit nuk dha asnjë kontribut publicistik për publikun, madje, në gjykimin tim personal, u bë palë me të pasurit kundër qytetit. Shembuj të tillë ku intelektualët konformohen në sistem janë të shumtë, dhe sidomos bien në sy në kohën e ndërrimit të pushteteve, ku sistemi përpiqet t’u “blejë” heshtjen gazetarëve, intelektualëve apo kolumnistëve me integritet. Sistemi jo thjesht të blen me poste. Sistemi nuk të lë asnjë rrugë tjetër.

Intelektualët përherë të varur

Është e kollajtë të japësh mend mbi jetën e dikujt, siç po bëj unë në këtë rast, të gazetarit Ardian Ndreca. Të gjtihë pretendojmë prej gazetarëve ndershmëri, pavarësi e guxim, të gjithë presim prej tyre të thonë për herë të vërtetën (nganjëherë atë që duam ne të dëgjojmë si të vërtetë), por asnjëherë nuk bëhemi merak, a i ushqen ata e vërteta?
Si do jetojnë gazetarët? A e di publiku (se unë e di) sa paguhen shkrimet në gazeta? Para se të gjykojmë, fjala bie, Lubonjën që del te Klani, a e pyesim veten si do jetojë ai, nëse nuk merr honorare për pjesëmarrje televizive? Pse u dashka të kërkojmë që intelektualët të jetojnë, shkruajnë e veprojnë jashtë sistemit, kur e dimë mirë që aty nuk ka kushte për mbijetesë?
Ky shtet, ka bërë të pamundurën që intelektualët për të jetuar të kenë nevojë për bukën e shtetit. (Këtu, sa për procesverbal, duhet thënë që ish-Kryeministri mban titullin kampion për shterrimin e burimeve financiare të kujtdo që nuk konformohet në sistem, qofshin grupe mediatike apo individë, i ndjekur pastaj dhe nga Kryeministrat e tjerë, Nano e Meta). Akoma shoh të vijë vërdallë i papunë prej vitesh, Moikom Zeqon, një nga eruditët e paktë që njoh (dhe do vazhdoj ta përsëris këtë rast). Shteti, i bën “karshillëk” Moikomit. Po të dojë, shteti ia gjen një punë. Por, ja që shtetit, nuk i do...
Në këto kushte, është e padrejtë e ndoshta e pandershme të kërkosh prej kujtdo t’i thotë jo një posti qeveritar, që garanton së paku një jetë më të qetë e më pak probleme financiare. Unë vetë, druaj se nuk do i thoja dot jo. Ndoshta prandaj janë shuar intelektualët e pavarur, sepse ky shtet s’të jep asnjë mundësi të jesh i pavarur. I vetmi shans që të jep është “o me të, o të vdesësh urie!”

Një shtet që të shtrëngon

Dhe ja ku u kthyem përsëri te shteti dhe makineria e tij perverse për të blerë pavarësinë e individit. Në momentin që shteti blen heshtjen, ai i ka bërë një shërbim të përkohshëm vetes. Ka heshtur një zë, dy zëra, ndoshta të gjithë zërat. Në plan afatgjatë mungesa e zërave kundër sistemit bën që shteti të degradojë si një pijanec që mbytet në të vjellat e veta, pa pasur njeri pranë që të flasë. Ndaj, shtetet moderne gjejnë forma për të mbajtur gjallë elitën e tyre intelektuale, pa qenë nevoja as t’i detyrojnë të shtrijnë dorën për bukë, e as të lypin “punë në shtet”.
Ka me dhjetëra grante, institute studimore e kërkimore, qoftë dhe borde, përmes të cilave intelektualët mund të nxjerrin bukën e përditshme, të botojnë librat pa qenë nevoja të jenë në mëshirën e privatit komercial, të ligjërojnë në Universitete pa qenë nevoja të trokasin te universiteti i Pushtetit. Kur them ka, dua të them “ka” si mundësi. Por, ky shtet duket krejt i paaftë për të ndërtuar instrumente korigjuese të vetvetes, i ngopur me arrogancë, dritshkurtësi e ligësi. Ndaj, e vetmja mënyrë që ndjek është konformimi përmes shtrëngimit i intelektualëve për të hyrë në sistem. Për t’u kthyer te posti i Ambasadorit në Vatikan.

Ambasadat

Më kujtohet që të punoje në Ambasadë ishte një luks i rrallë në kohë të Enverit. Nuk kishe ndonjë gjë për të bërë, ne ishim vend i izoluar, dhe në Ambasada; i ikje mjedisit mbytës në Shqipëri; bëje dhe ca jetë jashtë. Vazhdon, me trishtim të jetë njësoj. Më kujtohet një sërë shkrimtarësh e artistësh, këngëtarësh e piktorësh, që, të përkëdhelur prej Partisë që vinte në pushtet, katapultoheshin në Ambasadat tona jashtë. Dhe këtu nuk po flasim për serinë e kunetërve, dajave, vajzave të tezes, nipave e dhëndurëve që merrnin si pajë, një vend në Ambasadë. Po flasim thjesht për artistë pa lidhje gjaku me Partinë.
Se çfarë mund të bëjë një këngëtar-ambasador për të joshur vëmendje ekonomike, kulturore e politike ndaj Shqipërisë, nuk e di. Por, mund dhe ta imagjinoj. Dhe ajo që imagjinoj është mediokre. Ndaj, prisja që politika jonë e jashtme të fillojë të ndërtojë një sistem tjetër përfaqësimi. Ndoshta, duhet që në Ambasada të mos shkojnë njerëz të shquar e as të ditur, por diplomatë të mirëfilltë, ata që e kanë zgjedhur këtë profesion që në shkollë, që kanë një karrierë në administratë, dhe që kanë ambicie për t’u rritur e plakur në sistemin tonë diplomatik. Prej tyre, më pas Kryeministrat mund të përzgjedhin funksionarë të lartë shtetërorë e ministra. Njësoj si sistemi ushtarak i një vendi, dhe ai diplomatik duhet të jetë një organizëm i komplikuar, i puthitur, funksional e ku kriteret janë më se të qartë që në fillim. Një organizëm që ushqen e riparon vetveten.
Dhe kjo nuk bëhet me kolumnistë si puna ime. Unë nuk do i thoja dot jo një posti në Ambasadën tonë në Danimarkë. Por është detyra e shtetit të mos më fusë në mëkat. Për të mirën e vet. Për të mirën time. Për të mirën e atyre që duan të më lexojnë.

KOZMIKOMIKET: Tipari ynë kombëtar (KLAN, Shkurt 2014)

Botuar në revistën KLAN, Shkurt 2014
...................................

Kemi kaluar këto ditë një përvjetor të dhimbshëm dhe për pak vjen 1 prilli, një tjetër përvjetor i trishtë. Por, përtej përvjetorëve, ne kemi një hall më të madh kombëtar: Policia rrugore po vë gjoba. Befas, na u ndez geni i indinjatës individuale. Emisionet TV, shkrimet në gazeta, statuset në rrjete sociale dhe komentet në blogje u mbushën me njerëz të indinjuar. Befas, nuk po kuptoj më ku jetoj. Deri dje isha i bindur që jetoja në vendin ku shoferët janë raca më arrogante ndaj më të dobtëve (këmbësorëve, biçikletave), më kanibale (në dhunën asgjësuese brenda racës) dhe më shpërfillëse ndaj shtetit. Sot, po shoh që jetoj në një vend ku shoferët qenkan viktimat. Viktima e sistemit. Jemi mësuar ta marrim atë fletën e gjobës e ta flakim tërë nerva në kanal, madje dhe duke sharë trimërisht atë që na e ka vënë. Por, ja ku u ndjemë viktima dhe ja ku u shndërruam në indignados. Zëdhënës të njerëzve të indinjuar janë bërë figura publike, politikanë, gazetarë, aktivistë. Kushdo që ka një makinë, është ndjerë sot viktimë e sistemit. Sistemi na ka dhunuar.

A ka dështuar sistemi?

Pyetjes nëse sistemi ka dështuar a jo, figurat publike, kushdo që ka dhe 1 mijë fansë në FB i është përgjigjur që “po”. Sistemi nuk i ka kompjuterat e përditësuar. Ti paguan gjobën sot në Tiranë dhe nesër në Kukës rezulton e pashlyer e ti nuk mund të shkosh për peshk në Prizren. Mund ta kishe mbajtur mandatin me vete, por ja që nuk e ke këtë instinkt në marrëdhënie me dokumentacionin. Në sportelet e postës të është dashur të presësh 2 orë dhe gjobat nuk korrespondojnë. Befas ky qenka një shtet që merrka prej teje - të merr kohën, paratë dhe sedrën. Është i njëjti sistem jofunksional si deri dje, por, me ndryshimin që deri dje nuk ia varje ti sistemit, bëje sikur nuk ekzistonte e as e llogarisje. Po ky sistem grin kohën e nervat e qytetarëve të thjeshtë prej vitesh, por ja që tani kur duhet të ndjehemi të tërë qytetarë të thjeshtë, doli që nuk funksionuaka.
Ky sistem nuk ka “dështuar” sepse ka qenë i tillë dështak që në ngjizje. Nuk ka qenë kurrë njerëzor e asnjëherë funksional.

Të indinjuarit famozë

Në shumicën e emisioneve TV, perceptohet indinjatë e qartë ndaj gjobave të policisë rrugore. Në bisedë dëgjon njerëz që ata paskan vite pa paguar gjoba, e dinë që i kanë marrë, madje e pohojnë që i kanë grisur a hedhur, dhe prapë ankohen për orët që po detyrohen të presin për të paguar. Pra, njerëz që janë shkelës dhe e pohojnë në TV, kanë prioritetin e vet të qaravitjes, kundër prioritetit të shoqërisë.
Po të bëhej një listë e gjatë e atyre që kanë përfituar nga sistemi i deformuar (specifikisht në lidhje me shkeljet e kodit rrugor) ajo do të ishte e gjatë. Personalisht, do doja të diskutoja më parë për shkeljet e tyre, pastaj për dëmin që kanë pësuar. Janë ata që ankohen më shumë, ata që deri dje kanë përfituar më shumë nga sistemi. Gazetarë, politikanë, këngëtarë e artistë, kushdo që kishte një njohje lart, deri dje ishte një arrogant i pandëshkuar në rrugë.

Të indinjuarit e përjetshëm

Ka njerëz që rrinë me orë duke pritur autobusin, duke pritur për të paguar dritat, duke humbur ditë të tëra për lloj-lloj hallesh në sportelet e këtij shteti burokratësh. Por, nuk di të jetë bërë njeri kaq merak për ta. Humbja e kohës në sportelet e shtetit është një gangrenë që godet më parë qytetarët e thjeshtë. Qytetarët “e shquar” e gjejnë përherë një formë për të anashkaluar pritjet. Ndaj në këtë rast, më duket kaq patetike ankesa për vonesat në sportele, kur, asnjë nga ata që po ankohen sot publikisht, nuk kanë dalë një herë publikisht për t’u merakosur për dhunën dhe arrogancën e shoferëve të rrugëve të këtij shteti, arrogancë, që mund të konstatohet përditë.

E vërteta e rrugës

Le të kthehemi në rrugë. Më kujtohet vajza me mercedez që përplasi te sheshrrotullimi i Shqiponjës një fëmijë, përdore me të ëmën. Nëna dhe fëmija po kalonin te vijat e bardha. Fëmija fluturoi në ajër dhe ra pak më tej, ku disa kalimtarë e ngritën, të traumatizuar. Vajza me mercedez, doli nga vetura dhe gjëja e parë që bëri ishte të kontrollonte mos i qe gërvishur mjeti. Pastaj, kur u sigurua që nuk kishte gjë, hipi në makinë e tentoi të ikte. Me njerëz të tillë janë plot rrugët tona.
Në rrugët e Shqipërisë ndodhin krime të vazhdueshme. Personalisht nuk njoh askënd, as edhe një person të vetëm që të mos bëjë një shkelje në ditë. Dikush do të thotë që ka dhe “njerëz të ndershëm” që nuk i thyejnë rregullat. Unë kam frikë se jo. E vërteta është që këtu ka shumë njerëz që nuk kanë shtypur (ende) me makinë një njeri, por ne nuk jemi mësuar t’i shohim “shkeljet e vogla” dhe mendojmë se jemi në rregull. Jemi të gjithë dëshmitarë të shkeljes së çfarëdo lloj rregulli rrugor, që nga parkimi, rrugët 1-kahëshe, prioriteti në rrethrrotullim, ndërrimi i korsive në semafor, shkelja e zebrave e vijave të pandërprera, zënia e korsive me kthesë të detyruar për të ecur drejt, rënia e borive brenda në spital, shpejtësia skëterrë në rrugë fshati a qyteti, parakalimet kamikaze, dërgimi i sms-ve në timon, kalimi me të kuqe (deri në 3 makina një pas një), mos hapja rrugë ambulancës, dhunimi i vijave të bardha, dhunimi i korsive të dedikuara, e sa të tjera. Jemi një komb dhunues në rrugë. Atëherë, pse ankohemi?

Komb ankimtarësh

Ankohemi shumë. Nuk ka asnjë problem me ankesën, përveçse kur ankesa zëvendëson aksionin qytetar, dhe prish balancat e prioriteteve të shoqërisë. Ankohemi dhe për t’i shpëtuar analizës së vetvetes. Për shumë njerëz, edhe ‘97-ën e ka bërë një njeri i vetëm. Kaq, dhe asnjë përgjegjësi më shumë, edhe pse ajo ngjarje ka pjesëmarrje të gjerë individësh, interesash, politikanësh e më gjërë akoma. Por, analiza e vërtetë na heq mundësinë për t’u ankuar. Ankesa, na heq qafe sikletin e madh të vetëkorrigjimit. Edhe 21 janari u kalua me patetizëm dhe pa një analizë të thellë. Foltoret ofrojnë vetëm propagandë, jo analizë, as vetëkorigjim. E vërteta për 21 janarin është akoma në trup të pushtetit aktual. Në këtë qerthull ankesash, nuk besoj se ka gjë më të gabuar se identifikimi i Problemit të Lartë Kombëtar (gjobat) me një apo dy individë.

Heroin, apo sistemin

Pjesën tonë të qaravitjes na e ndihin shumë dhe individët që i vënë “gjoksin” situatës. Edhe drama e madhe e gjobave nuk është as përgjegjësi e një njeriu e as e një grupi njerëzish, qofshin dhe reformatorë. Ndaj, nuk ka pse Ministri apo Kryeministri të dalë në ballë të luftës, çdo natë për të bërë dyluftim me ankimtarizmën. Sistemi nuk është një njeri, dhe duke e identifikuar atë me 1 person kthehemi pas në modelin e shtetit ku përgjegjësia tkurrej tek 1 emër, ku justifikimi kishte 1 fytyrë publike, ku funksionaliteti përfundonte në shpatullat e një njeriu të vetëm, dhe ku zyra e ankesave kombëtare kishte një dalëzots, i cili merrte përsipër të ishte ai rrufepritësja e të pakënaqurve. Nëse ka diçka që e pengon sistemin të konsolidohet dhe “të ndihet”, është shfaqja e heroit në kohën, shi në kohën kur kemi nevojë për një sistem që të bëhet funksional. Sepse, deri ku mund të funksionojë heroi?

Heronj dhe sherifë

Më kujtohet para disa vitesh një oficer policie me një sjellje gati prej sherifi që tentoi të vërë rregull në Far East-in tonë. E vërteta është se funksionoi për një periudhë kohe, u shtuan gjobat, makinat e bllokuara, dhe shumë prej shkeljeve nuk bëheshin dot më hapur. Nëpër periferi kodi rrugor shkelej rregullisht, por në qendër të Tiranës motorët nuk dilnin dot pa kaskë. Problemi në filmat me sherifa është se gjithmonë del dikush më i fortë, ose më i shumtë, ose më i pushtetshëm brenda piramidës sesa një sherif. Përballja e sherifit me këta të fortë në përgjithësi është një bast kundër sherifit, siç edhe (thuhet se) ndodhi me oficerin në fjalë. Ai u qarkullua, rendi u kthye brenda pak ditësh në derexhenë e vjetër. Testi i vërtetë për sistemin nëse funksionon do të jetë një tjetër. Dhe ai ka të bëjë me të pushtetshmit.

Sistemi testohet kundër më të fortit

Shoh vazhdimisht njerëz me pushtet (dhe nuk e kam fjalën për gazetarë që thjesht kanë akses në pushtet meqë pinë kafe me ministra, me deputetë e kryetarë) që vazhdojnë të jenë po aq shpërfillës e arrogantë në rrugë me mjetet e tyre, duke filluar nga maja fare e piramidës. Një polic i thjeshtë mund t’ia marrë patentën Arian Çanit, por do kisha dyshime nëse do kishte guxim t’ia bllokonte Ilir Metës. Unë e kuptoj, që po të dalë ministri vetë në rrugë, mund ta bllokojë edhe lejen e qarkullimit të Kryetarit të Parlamentit, alias King maker-it. Sikurse jam i bindur që për hir të show-t politik dhe ky i fundit do pranonte “me gëzim” t’ia merrnin.
Por, reforma e mirëfilltë dhe shenja e parë e sanimit së sistemit do të ishte vetëm kur çdo polic i thjeshtë të ndjehet king-maker në atë udhëkryqin e vet me pluhur, dhe kur pushteti i kujtdo tjetër në këtë shtet, në atë cep rruge ku ka bërë shkelje të jetë i barabartë me 0.

KOZMIKOMIKET: T’i hash m... paraardhëses (KLAN, janar 2014)

botuar në revistën KLAN, janar 2014
.....................

Do ju kisha kërkuar ndjesë për vulgaritetin, por nganjëherë duhet zbritur poshtë për të gjetur emrat e përshtatshëm për realitetin. Pastaj, ky është më i pakti etiketim që ai që vjen i bën punës së atij që ka ikur.
Ja një copëz realiteti e treguar duke shmangur emra konkretë: pas ndërrimit të pushteteve në Ministrinë F. u bë një kontroll. Të tërë të punësuarit që ishin me diploma të Kamzës, u pushuan nga puna me një copë letër në dorë që shkruante, ti nuk ke kualifikimin e duhur për atë vend pune. Për t’i dhënë këtij veprimi (pushim masiv nga puna, a mos vallë quhet “shkelmicid”?) një aromë Shqipërie, u pushua edhe ndonjë që nuk ishte i “Kamzës”. Kur u sqarua situata, i thanë, “ups, na fal. Po, ç’u bë u bë! Hajt, mos u mërzit”. Medemek, të shkatërruam jetën, planet e të ardhmen, por, ti mos u mërzit. Dhe, për t’i shtuar dhe një lugë banaliteti në fund, vendi u zu nga një person po aq i paaftë dhe i hequri nga puna thirret një herë në javë të mësojë të riun sesi të bëjë punën, kuptohet, falas dhe si “për nder”.
Ngjarje tragji-komike si kjo, besoj se dëgjoni çdo javë. Gjëja që i bashkon është modus operandi i shtetit, asgjë e re nga metodat e vjetra. Ne e kaluam pa shumë fjalë, vetëm me një qortim me tundje koke masakrën në administratë. Na është regjur lëkura. Edhe unë nuk do i isha rikthyer, sikur të mos dëgjoja premtimin zulmëmadh se tani “do bëhet shtet”.
Këtu nis rilindja e anti-shtetit.

Më mirë një shtet i ri, apo një shtet i vjetër?

Përtej poetikës së frazës “tani do bëjmë shtet”, vetë fraza të lë me një dyshim të vagullt. Ka pak naivitetet, pak megallomani e shumë nihilizëm kjo frazë. Do bëhet shtet nga e para? Shembja e një shteti për të ngritur një tjetër, në botën moderne është vërtetuar që nuk funksionon, madje, në botën moderne funksionon vetëm në rast juntash ushtarake që bëjnë rrokadë njëra pas tjetrës pa bërë dot shtet. Unë nuk mbaj mend të kem kërkuar një shtet të ri. Kam kërkuar këtë shtet, por më të mirë.

Shtetin nuk e bëjnë njerëzit, sikurse korrupsionin

Kjo “bërja e shtetit”, nuk është çështje njerëzish. Vetë kreu i qeverisë së sotme kur ishte në opozitë artikuloi frazën më rrëshqitëse në lidhje me korrupsionin: Korrupsioni nuk ishte çështje njerëzish! Pra, as kalbja e shtetit nuk mund të jetë çështje njerëzish. Por, ja që në këto 100 ditë doli që paskësh qenë vetëm çështje njerëzish! Nuk ka mbetur drejtor i lartë, i mesëm e i vogël pa u ndërruar. Pra, ose ka mungesë strategjie, por nuk na e kishin thënë, ose na manipuluan sa të mbledhur ato 1 milionë shpullat. Kjo që po ndodh me administratën ka ndodhur dhe më parë. Nëse kishte njeri që mendonte ndryshe, le të rritet ca. Por, kjo vë në dukje një problem tonin me shtet-formimin. Ne, nuk kuptojmë konceptin e vazhdimësisë.

Vazhdimësia si bazë e shtetit të ri, dmth të vjetër

Më kujtohet që pikërisht kur Ramiz Alia shpalli Kongresin e Vazhdimësisë (1986), ai ndodhi të ishte i fundit e nuk pati kurrfarë vazhdimësie. Historia jonë tragjikomike (një maksi-skemë e asaj mini-situatës që përshkrova në fillim) është histori segmentesh. Nuk kemi vazhdime. Kemi vetëm kalorës që hedhin një gjë, për të ngritur gjënë e tyre. Pafundësisht. Vazhdimësia, është thembra jonë delikate. Sepse nuk e kemi. Nuk kemi thembër delikate, e kemi lëkurën shollë dhe dyst.
Ministrat që vijnë, rrafshojnë atë që ka bërë para-ardhësi dhe e nisin nga e para, deri dhe nga mobilimi. Fshijnë çdo inisiativë të paraardhësit, se mendojnë se të tyret janë më me vlerë.
Vazhdimësia, në thelb ka të bëjë me titullin tim banal: çdo qeveri e ka për detyrë të hajë m... që ka bërë ajo tjetra.

Qeveritë, një pas një

Para se të futem më tepër në konceptin themelor që duhet të kishte qeveria Rama, më duhet të sjell dhe një histori tjetër banale me protagonist “shtetin”. Në një nga periferitë bastione të PD, para zgjedhjeve, për të fuqizuar votën pro qeverisë së vjetër, u rritën pagesat e asistencës, nga 2 në 5 mijë lek të vjetra për familje (në vend që t’u japin punë, u shtojnë lëmoshën). Qeveria e re që erdhi dërgoi kontrollin e vet. Asistencat ishin rritur në mënyrë të paligjshme, ndaj qeveria e re ua preu fare. Tani atje ka një tufë gojësh të uritura e të papuna. Qeveria e parë ishte çnjerëzore që i linte në gradën e mos-vdekjes, duke i ushqyer me aq para sa të mund të hash vetëm bukë-vaj-e-kripë. Qeveria e vjetër, i la të lirë të vdesin.
Për t’u kthyer tek ajo që duhet të hante qeveria Rama. Baza e ngritjes së shtetit nuk është të zëvendësosh qindra e mijëra njerëz. As të bësh shkelmi-cid. Baza është të njohësh të tërë m...at që ka bërë qeveria tjetër, e t’i respektosh. Për ato çfarë ajo qeveri bëri, mori ndëshkimin e vet. Kjo qeveri ka për detyrë të ngrejë shtet mbi ngrehinën që la qeveria paraardhëse. Jo ta rrafshojë, por ta riparojë.
Të zerosh gjithçka që ata e kanë bërë gabim, me qëllimin për “të bërë shtet” që ka të bëjë me jetën e njerëzve është si një revolucion të bardhësh, për fat të keq i drejtuar kundër më të varfërve. Sepse, daç besojeni daç jo, ndërsa ato familjet që jetonin me 5mijë lek të reja në muaj në periferinë e vjetër tani nuk dinë si të mbijetojnë në Rilindje, ka një grup tjetër që konvertohet qetësisht nga sistemi në sistem. Një pjesë, janë ata që “korrupsioni nuk është punë njerëzish por sistemi”

Të pandryshueshmit

Brenda sistemit, mbeten të pandryshueshmit. Ata “të urtët” që pinë qumësht nga të gjitha lopët që vijnë në pushtet. Pa qenë në gjendje t’ju jap dosje, fakte e arkiva (kërkojuani gazetave të lidhura me 100 fije me partitë që keni votuar, investigimet), mund t’ju them me bindje se e vetmja mënyrë për t’u konvertuar nga ndërrimi i pushteteve është rryshfeti. E vetmja monedhë që konvertohet nga shteti i ri tek i vjetri, është zarfi. Nuk kam as merak e as mllef me këta të shkathëtit që ia dalin mbanë të mos i kapë stuhia në annjë sistem. I vetmi merak që kam, është se kjo komponente e pandryshueshme shkakton mungesën e vazhdimësisë për çdo gjë tjetër. Ata janë peri që mban rruazat e këtij sistemi bashkë.
Ata janë të aftë të lobojnë interesa të caktuara, jo se kanë lobe të forta, por se i kanë të stabilizuara. Lobimi, do duhej të bënte një ekuilibër ndërmjet ndjeshmërisë së masave, vullnetit të qeverisë dhe hapësirave në ngërç rrotull tyre. Por, lobimet e njerëzve të vazhdimësisë janë thjesht vazhdimësi korruptive. Për t’u kthyer te teza e fillimit, nëse korrupsionin e bëjnë njerëzit apo sistemi, nëse shtetin –nënprodukt i të cilit është korrupsioni – e bëjnë njerëzit apo sistemi. Shtetin, e bëjnë njerëzit.

Shteti në fakt bëhet me njerëz

E vërteta është që shtetin, sistemin, a quajeni çfarë të doni, e bëjnë njerëzit. Por, jo njerëzit e shkelmi-cidit. Jo rinia e shkathët që i ndenji pas liderit në opozitë. As militantët, e as shoqnia e vjetër. Jo ata që po mbushin çdo vend vakant.
Për të vazhduar me anekdotat për qeverinë e re, po më tregonin se në ministrinë M., këshilltar i lartë paska ardhur një person i njohur si agjent i një shteti fqinj. Më kujtohet kur nja 2 media (asokohe opozitare) ngritën alarmin për praninë e nja 3 agjentëve në qeverinë e shkuar. Por siç thamë, modus operandi njihet. Vendet bosh të agjenturave, nuk ngelkan vakantë për gjatë.
Qeveria e re duhej të kishte ardhur në pushtet me një analizë të qartë të çdo hallke që nuk funksionon ose dhe që funksionon mirë. Sistemi i vjetër (po e quaj sistem, se nuk di ç’emër të përdor për ngrehinat e ndërtuara, të lëna përgjysmë, të shembura e të ngritura në vite të këtij shteti) duhej analizuar si sistem e si njerëz, bashkarisht. Në 8 vjet opozitë, apo dhe 1 vit fushatë, opozita e vjetër mund të kishte identifikuar hallkat e dobëta, të dëmtuara nga njerëz mediokër e të paaftë. Për këto hallka duhej të kishte pregatitur strategjinë jo vetëm financiare, por dhe nominale për rregullimin e këtyre hallkave. Por, zëvendësimi në masë i të gjithë njerëzve, në çdo nyje drejtuese të atij sistemi nuk krijon shtet të ri. Thjesht shemb karkasën e vjetër, me pretendimin arrogant se do ngrihet më në fund një ngrehinë e fundme, funksionale. Dhe krijon një ngrehinë të re që mezi rri në këmbë, eshtrat e të cilës nuk përforcohen duke emëruar vajza të reja beqare.
Për t’u kthyer tek m... që duhet ngrënë nga kjo qeveri. Nuk ka rrugë tjetër. Duhet vazhduar aty ku e lanë ata të tjerët. Për ndryshe, kjo ngrehinë do jetojë vetëm 8 vjet.