Saturday, April 26, 2014

KOZMIKOMIKET: Djali ynë në dorë të fqinjit

Botuar në Revistën Klan, 13 prill 2014



Sa më shumë që dalin në sipërfaqe detaje nga jeta e Ilia Karelit, aq më shumë ai person fillon e merr para nesh trajta njerëzore. Në fillimi ishte shqiptari kriminel që vrau një polic. Pastaj ishte shqiptari që nuk e lanë të takonte nënën, pastaj doli letra e tij, dhe shpërpjestimi i ndëshkimit me krimet që kishte bërë, pastaj detajet fatale, torturat si të Gestapos. Ai që ishte një kriminel, në fund, nuk paskësh qenë tjetër veç një nga djemtë tanë në tokën e fqinjit, që na vjen që andej në kuti.
Fati tragjik i Karelit, është momenti i katharsisit, për të parë brenda nesh dhe brenda tyre.

Një djalë si mijëra të tjerë

Ngjarja e Ilias nuk lë më asnjë pikë dyshimi për situatën ku ndodhen disa mijëra shqiptarë në burgjet greke. Nëse një person i vënë në fokus rastësisht mund të jetë i keq-gjykuar e keqtrajtuar, kushdo mund të jetë. Secili nga ata mijëra mund të ketë marrë një dënim të shpërpjesëtuar me krimin, secilit prej tyre mund të mos i jetë dhënë asnjë shans të rindërtojë një jetë. Secili prej tyre, mund të jetë hipur pa dashjen e tij në një tren që shkon vetëm në një drejtim, që nuk ndalon në asnjë stacion. Janë mijëra jetë njerëzore të çuara dëm, dhe ndaj të cilëve shoqëria mund të jetë në borxh. Ky është së pari problem i shoqërisë greke. Një shoqëri perëndimore e cila mburret edhe si djep i demokracisë, nuk mund të sillet me ata mijëra shqiptarë si me qenie të dorës së dytë.
Por ky është po aq shumë dhe një problem shqiptar. Në këtë rast, Shqipëria është një prind i papërgjegjshëm, praktikisht inekzistent. Shqipëria vetëm prodhon kriminelë, sa rriten i hedh matanë, dhe nuk i quan më për të vetët.

Djali pa prind

Shqipëria ka një ambasadë dhe madje dhe konsullatë në Greqi. Unë nuk e di se çfarë bëjnë atje. Por një gjë është e dukshme, ata nuk kanë ndihmuar apo në ndikuar në përmirësimin e jetës së këtyre mijëra Iliave që vuajnë në burgjet greke. Do të thonë s’ka fonde. S’ka fonde? Mund t’i vënë drynin Ambasadës e të kthehen. Por deri më sot, sado ankohen, nuk kam dëgjuar për një Ambasador që të japë dorëheqjen sepse nuk i kanë mundësuar fonde apo mjete për të bërë punën e vet. Thjesht, asnjë prej tyre nuk e lidh punën me fatin e shqiptarëve si Ilia.
Funksioni kryesor i Shqipërisë do duhej të ishte si pikë tokëzimi për qindra mijëra emigrantë, të larguar pikërisht se kjo tokë e ka të pamundur t’i mbajë. Historia e secilit nga ata të burgosur do duhej të ishte një dosje në atë Ambasadë apo konsullatë. Me përjashtim të Avokatit ë Popullit, nuk u ndje njeri, përveç një deklarate të vakët të shtetit. Por, ambasada e konsullata janë vetëm një nga format që shteti shqiptar ka në dispozicion për t’u kujdesur për shtetasit e vet. Greqia nuk është në fund të botës. Është fqinji ynë i drejtpërdrejtë, me të cilin na lidhin mijëra fije. Por fqinji, sillet si i fortë. Fqinjit, i dukemi më të dobët, dhe na fyen e na godet sa herë kalojmë para derës së tij.

Një fqinj, me duar me gjak

Historia e Ilias është vetëm një nga historitë e tmerrit që dalin nga burgjet greke. Nuk është se papritur, disa gardianëve grekë u iku truri dhe vendosën të luajnë lodra prej Gestapoje me një kriminel. Që nga periudhat e hershme të fshesave greke, sistematikisht, në mënyrë institucionale ose brenda suazave të institucioneve, grekët i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore ata me gjak, pasaportë apo gjuhë shqiptare. Shteti shqiptar nuk arriti kurrë të gjejë ekuilibrat politikë, mekanizmat ndërkombëtarë e kombëtarë për të mbrojtur qytetarët e vet nga dhimbja. Nuk është punë dijeje e as punë fondesh e strukturash. Thjesht, shteti ynë funksionon si një anije pirate që e merr më i forti për një periudhë kohe dhe e përplas sa andej-këtej. NUk ka asnjë strategji, as moral, as vizion e as dhimbsuri.
Shqipëria është një mjet që vlen vetëm për pasionin për pushtet të më të fortëve, ndaj dhe nuk ka ndërtuar asnjë mekanizëm për t’u mbrojtur nga fqinji ynë me duart me gjak. Fundja, këtu brenda, ka njerëz që u kanë bërë e bëjnë shqiptarëve më shumë se ç’u bën “greku” shqiptarëve nëpër burgje.

Midis shqiptarit e grekut

Më kujtohen ca raporte tashmë të varrosura që tregonin se si u trajtuan të arrestuarit e 21 janarit. Vetë 21 janari ishte një burg grek, ngjarjet e të cilit i patëm para sysh, por që edhe sot, shumë preferojnë versionin all-pirat të asaj historie. Mediat tona me korrespondentë vetëm në bllok nuk na kanë sjell dot historitë e Iliave, aq më pak të arrijnë t’i kthejnë në çështje kombëtare, dhe ajo histori nuk do kish ardhur kurrë po të mos ishte për mediat greke. Matanë, tek fqinji ynë me duart me gjak, ka media që luftojnë për të vërtetën. Ndërsa shkruaja artikullin, kanë dalë lajmet për arrestimin e disa prej përgjegjësve dhe vënien në kërkim të të tjerëve. Pra, shteti me duart e përlyera, paska media që arrijnë të bëjnë presion, dhe struktura që vihen në funksion të drejtësisë.
Ndërsa epilogu i vërtetë i 21 janarit është një ditëlindje e kohëve të fundit në Gjirin e Lalzit me 600 të ftuar. Nuk do habitesha që për Ilia Karelin të vendoset drejtësia, gjë që nuk e pres për 4 të vrarët e 21 janarit. Dhe në fund të fundit, Ilia Kareli ishte një kriminel.

Një djalë kriminel

Ilia është një nga të shumtit që lindin e rriten këtej në kushtet e një arsimimi të vobektë dhe pa asnjë të ardhme, e që më pas katapultohen tek fqinjët si të ishte problem i tyri. Edhe kur janë të lindur andej, ata mbartin problemet e familjeve shqiptare ku janë lindur e rritur. Shoqëria jonë duhet të heqë dorë nga lënia e kopilit në derë të tjetërkujt. Këta kriminelë janë shqiptarë, mbartin një problem shqiptar me vete, dhe janë pjesë e secilit prej nesh. Dhe nuk mund të maskohemi pas shprehjes “nuk ka pyll pa derra”. Ata janë derrat tanë, dhe nëse janë derra, janë sepse kjo shoqëri pjell asish. Kareli ka vrarë një polic, dhe kjo nuk është gjë e vogël. Këtej nga ne qarkullojnë plot lajmet për të vrarët në përleshje me policinë, që shpesh janë ekzekutime nga ana e policëve për kriminelë që kanë vrarë policë.
Bashkëvuajtësit shqiptarë të Karelit, janë të tërë brenda për krime që shkojnë nga vjedhjet me dhunë, te plagosjet, vrasjet e kanosjet. Dënimet, mund të jenë të ekzagjeruara. Por krimet kanë ndodhur. Dhe janë krime shqiptarësh. Ne duhet të mbajmë përgjegjësi për ta, dhe ne duhet të ulim kokën të turpëruar para krimeve të tyre. Por, mbi të gjitha, duhet të kërkojmë një zgjidhje.

Që Ilia Kareli të mund të kish jetuar

Një nga nevojat më urgjente që soli në vëmendje rasti “Kareli” është nevoja për të ditur. Ne duhet të dimë ç’ndodh në burgjet greke, kush është brenda dhe për se vuan dënimin. Unë jam i bindur që të gjithë ata kanë ankesa, shumica ankohen për gjykim të padrejtë e dënime të rënduara. Shteti shqiptar e ka për detyrë t’u krijojë mundësitë e asistencën që ata të mund të verifikohen ligjërisht.
Paratë e derdhura për gjasme pensionistët grekë të lindur e rritur në Himarë e Breg mund të ishin përdorur në mënyrë më efiçente duke ndërtuar struktura që të mund t’i sillnin të burgosurit tanë në burgjet tona. Siç e thashë, ata janë së pari problem shqiptar. Por, janë dhe një problem europian. Ata gjenden të burgosur brenda kufijve të Europës së Bashkuar, dhe për më tepër trajtohen si shtazë. Dikush duhet t’i tregojë Europës që brenda kufijve të saj ka të burgosur që vriten me metodat e Gestapos, dhe këtë gjë duhet ta bëjë shteti shqiptar. Por mbi të gjitha, duhet asistencë europiane për të adresuar problemin e tyre, qoftë ky dhe një burg tjetër, por në tokë shqiptare.
Dhe, e kotë të thuhet, por mënyra më e mirë për të reduktuar numrin e Iliave është t’u krijohet mundësia për shkollim, për të bërë një jetë normale e për të pasur shanse normale për t’u realizuar. Them e kotë, sepse këto shanse nuk po u jepen më as atyre që kanë pasur një start më të favorshëm në shoqërinë shqiptare, se shokët e Ilias.

Friday, April 25, 2014

Murgeshat dhe mamatë single (mars 2014)

Botuar në REvistën Klan, E Shtunë, 29 Mars 2014



Kam parë njëherë në rrugë nevojtarë që protestonin të ulur në trotuar. Më duket se ishin minatorë. Pas nja 10 ditësh grevë urie në trotuaret para Kryeministrisë, askush nuk kishte shkruar e as bërë rubrika për ta. Më ka pas bërë shumë përshtypje heshtja e tyre, dhe heshtja mbi ta. Ndoshta, të jesh një urith vrimash të thella me jetën në dorë të zotit të nëntokës, nuk është një shans oratorie. Por, të jesh gazetar që kafet i pi në një rreze 500 metrash prej Kryeministrisë, e të heshtësh për ato koka të vuajtura e me cepa, për ato qafë të trashura prej halleve e zgjedhës (zgjedhë dhe zgjedhje, dy fjalë kaq të përafërta për të njëjtin koncept), kjo është diçka për të cilën nuk kam fjalë për t’ia vënë si emër. Nuk do i kisha kthyer këtij kujtimi, po mos më kishte sulmuar në të gjitha mediumet protesta e katolikëve kundër abortit.

Gishtat e protestës

Në pamjet e fotot e protestës nuk kishte shumë njerëz. Pa dashur të spekulloj me shifra - në protesta të tilla, shpesh sehirxhinjtë janë më të shumtë se protestuesit - por ishin shumë pak, ndoshta mund të numëroheshin me gishtat e një njeriu të vetëm. Por, më shumë sesa numri, gjëja që më ra në sy ishte përmbajtja: Protestuesit ishin disa murgesha, dhe shumë të moshuar, shumica e të cilëve nuk është më në moshë riprodhuese. Që këtu, lind absurditeti i protestës, protestojnë njerëz për një hall që nuk është i tyri, por i dikujt tjetër. Ata nuk do kenë kurrë më shansin që jeta t’i vërë para zgjedhjes së dhimbshme, të abortosh apo jo. Ama, kjo nuk i pengon të kërkojnë të marrin pjesë dhunshëm (ligji kundër abortit, është një detyrim i dhunshëm për të mbajtur fëmijën) në zgjedhjen e dikujt tjetër.
Jam i sigurt që edhe nja 100 herë më shumë njerëz po të dilnin, vështirë të ndikonin dot vendim-marrjen shtetërore në lidhje me këtë temë, qoftë dhe thjesht për faktin që këto lloj projektligjesh i vendos Europa për ne. Por, ajo që më ngacmon është “kauza”. Nuk është as e para e as e fundit kauzë ku njerëzit dalin të luajnë me jetën e tjetrit.

Jeta, në duart e tjetrit

Ato vajzat e vogla që duan t’i detyrojnë të mbajnë fëmijën e padëshiruar të një marrëdhënieje të pambrojtur, janë njerëz. Nuk janë as ikona e as iniciale, pavarësisht se dalin me T.M. a P.N. në titrat e lajmeve. Janë histori njerëzore. Janë njerëz që arrijnë në një vendim të dhimbshëm të kushtëzuar nga dhjetëra rrethana të cilat ato murgeshat e mira e naive në protestë nuk kanë si t’i dinë.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Më kujtohen protestuesit pro-shtypjes së protestave me dhunë nga Erdogani para më se një viti. Ishte një gjë aq qesharake që ndodhte në Tiranë, sa nuk ka asnjë fjalë për ta përshkruar. Të tilla janë edhe protestat kundër së famshmes paradë gej. Është qesharake të ndalosh njerëz të dalin për të bërë një xhiro tematike në bulevard! Të cilën as organizatorët nuk duket të kenë ndonjë qejf të madh ta mbajnë, nëse nuk do dalë të kundërshtojë njeri. (Këtu është një tjetër çështje gazmore: protestë për t’u treguar ndërkombëtarëve që ka njerëz që nuk e duan atë protestë). Por, këto protesta nuk janë më gazmore, kur amplifikohen në media.

Media, mes dembelizmit dhe tymit

Nuk mund të resht së përsërituri që media nuk është aleat i publikut. Arsyen e dini, më shumë para paguajnë kompanitë në formë reklamash, të pasurit përmes financimesh okulte dhe pushteti përmes favoresh se ç’paguajnë ata pensionistët që blejnë gazetat çdo ditë apo ata që shohin free tv çdo natë. Por, media nuk është as aleate e vajzave të vogla që mbeten shtatzëna që në klasë të 9-të e as e atyre murgeshave që nisen me idenë se do t’i bëjnë një shërbim njerëzimit (brenda kritereve të fesë së tyre) duke i detyruar ato vajza të vogla të mos abortojnë.

Nuk dua t’ia faturoj shitblerjes morale e ekonomike të mediave çdo budallallëk që amplifikohet në shtyp. Jo gjithçka është e kontrolluar dhe e blerë, vetëm çështjet e ndjeshme, ku preken interesa vitale të inidvidëve a grupimeve të caktuar. Pikërisht për këtë, media duhet të mbushë faqet e ekranet e veta me diçka, mundësisht sa më ekzotike, dhe sa më larg problemeve reale. Dembelizmi i bën të mos shtrëngohen shumë, mungesa e fantazisë e shpesh e profesionalizmit, i bën që t’i kenë të shterruara ato pak gjëra që u lejohen të thonë. Dhe ndaj turren kur flitet për një protestë të disa dhjetëra të krishterëve që nunërohen me gishta. Më shumë sesa të ngrejë kauza, media përdor subjekte. Viktimat janë më shumë murgeshat sesa vajzat e vogla. Në të vërtetë, këto të fundit kanë vërtet nevojë për një kauzë, por ndryshe nga ajo e murgeshave.

Dështimet në një shtet të dështuar

Të dhënat mbi abortin janë shokuese. Sipas INSTAT, 3.5 për qind e adoleshenteve në shkollat e mesme, pohojnë se kanë mbetur shtatzënë e më pas kanë abortuar. Kjo shifër, bëhet akoma më trembëse nëse vërehet që vetëm 1 në 8 gjimnaziste është seksualisht aktive. Më tej, nga dosjet e aborteve rezulton se vajzat e pamartuara zënë rreth 14 për qind të aborteve. Është tragjike dhe komike bashkë që për çështjet e abortit merakosen më shumë murgeshat sesa mamatë. Por nëse murgesha e sheh problemin në shkeljen e principeve fetare, mamaja duhet të preokupohet për sakatimin e trupit të vajzës; nëse për murgeshën e drejta për të vendosur për jetën e fëmijës i takon zotit, mamanë duhet ta shqetësojë vendimi i së bijës, së pari për të mos u mbrojtur; nëse për murgeshën ka rëndësi mëkati shpirtëror, mamaja duhet të shqetësohet për lidhjet e së bijës të ngritura mbi gabime fatale.
Ka shumë për të folur për këtë temë. Dhe, ndoshta duhet t’u themi faleminderit murgeshave të asaj proteste që pavarësisht qëllimit të tyre, formës e zgjidhjes që mendojnë se duhet bërë, po na japin shkas të hapim debat për një temë për të cilën të tëra palët e interesuara, shteti e mediat nuk kanë pasur as ndjeshmërinë, as vizionin e as interesin për të ngritur. Kjo ndodh, sepse kjo dhimbje - dështimi i një fetusi - ndodh në heshtje, mes lotëve, ndjenjave të fajit, presionit, dhe mungesës së opsioneve për vajzat e vogla ose të pamartuara.

Jeta e fetusit

Tezat teologjike se a quhet fetusi qenie a po jo, i përkasin njerëve të ngeshëm e që vetë nuk do ta përjetojnë atë tmerr. Vajzat e vogla, nuk ndihen. Por, diçka mund të bëhet për to. Në vend që t’i trembim me mëkatin, bëjmë mirë t’i informojmë. Mamatë shqiptare bëjnë mirë që në vend që të shohin telenovela, t’u tregojnë vajzave të tyre se nuk i gjykojnë kur bëjnë seks, por kur e bëjnë të pambrojtur. Edhe djemtë e papërgjegjshëm (ka shumë raste kur vajzat nuk përdorin prezervativë se nuk na na dashka djali) nuk duhen lënë jashtë skemës. Ata janë po aq përgjegjës, edhe pse trupi që sakatohet është i një vajze. Ata duhen jo vetëm informuar, por, dikush duhet t’ua ndëshkojë atë kapadaillëkun kur kujtojnë se aborti është vetëm çështje lekësh, dhe “lekë ka babai plot, abortojmë sa herë të duam”. Shkolla, vendi ku konsumohen mëkatet, bisedat, dashuritë e frikërat janë vendi ku duhet mbjellë një sjellje tjetër ndaj abortit e seksit të pambrojtur. Sesi, nuk mund ta them sot, e as me një shkrim. Aq më tepër, kur nuk jam as mama, as vajzë shtatzanë e as ministër Shëndetësie. Unë sikurse murgeshat nuk jam ai që duhet ta nisë këtë luftë, por mund të mbështes sa mundem, për një qëllim të vetëm: Mbrojtjen e jetës, në rradhë të parë të atyre vajzave të vogla.

Wednesday, April 23, 2014

Korporata

botuar te gazeta Dita, e martë 22 prill 2013

HYSTERIA

Kam vetëm një pyetje. A thithin të bardhë gjykatësit? Ne jemi të mirë-informuar për politikanët, artistët, pasanikët. Dimë veset e njërit, dashnoret e tjetrit, deri edhe pasuritë e borxhet e tyre. Ne dimë kazinotë e preferuara, metrat katrorë, deri dhe batutat e tyre. Por, nuk dimë asgjë për gjykatësit. Asgjë. Nuk i njohim as për fytyrë, përveçse nëse përballemi me ta në gjyq. Ata jetojnë jashtë rrëmujës, jashtë vëmendjes së opinionit publik, si ata gjynafqarët që po hanë një copë përshesh me kos në cep. Përveçse nuk po hanë përshesh me kos. Hanë përshesh me gjak.

UPRAISING

Para ndonjë muaji, një grua, u afrua te Zyra e Këmbimit pranë gjykatës të kthente 1 milionë lek të vjetra në Euro. “Nuk na i do gjykatësja në lek”, tha me një psherëtimë. Korporata nuk ushqehet me qumësht, e as prodhon e qarkullon bylmet në treg. Ajo tregëton drejtësi. Paratë që qarkullojnë në të nuk janë të ardhura mollësh importi, as bileta koncerti. Janë para të lyera me gjak. Sepse edhe ata që duan të blejnë drejtësinë, shpesh nuk shesin bileta koncerti e as mollë.
Sigurisht, nuk dua t’i fus të gjithë në thes. Mund të ketë dhe gjykatës që nuk bëhen pis. Përjashtimi përforcon rregullin. Por korporata nuk të jep shumë mundësi zgjedhjeje.
Ne e dimë shumë mirë se ç’ndodh me sistemin tonë gjyqësor, që së fundmi po përkufizohet gjithnjë e më shumë me termin “korporatë”. Korporatat në vetvete janë një mekanizëm i pashpirt, dhe kur janë mafioze, janë maja e piramidës së krimit – janë shumë, të organizuar, kanë rrjet, janë të legalizuar, dhe janë shfrytëzues.
Avantazhi i Korporatës së Drejtësisë është i thjeshtë. Të pushtetshmit kanë nevojë për të. Nevojtarët i tremben. Media nuk merret me ta. Askush nuk i njeh. Ata, nuk e kanë përjetuar gjykimin moral të publikut. Akoma.

RESISTANCE

Çmontimi i Korporatës është i vështirë. Aq më tepër, kur qeveri dhe opozitë janë plot me ata që i kanë rrëshqitur më shumë se një herë gjykimit, apo drejtësisë. Por fillimi është i thjeshtë: Nxjerrja e portreteve të tyre ditë për ditë në faqen e parë të gazetave. It’s time the fat cats had a heart attack. Media shqiptare, është po ashtu një partner i korporatës. Sa prej frikës, sa prej interesave të pronarëve, sa prej burracakërisë së gazetarëve e kryeredaktorëve.
Lajmet e kanaleve të mëdha janë të mbushura me aktivitete partish, dhe nuk kanë guxim të nxjerrin fytyrat e bosëve të korporatës, orët e tyre të forinjta, shtëpitë e pasuritë e tyre. Nëse kjo do të ndodhte, nëse media do bënte detyrën e vet për të denoncuar korporatën mafioze të Drejtësisë, ata nuk do të mund të rezistonin gjatë. Nuk është kollaj t’i rezistosh fytyrës tënde në lajme. Edhe vrasësit e mbulojnë fytyrën me mëngë para kamerave që i presin te dera e gjykatës. Gjithçka ata kanë bërë e bëjnë duhet të bëhet publike e të përsëritet me zë të lartë. Ne duhet të dimë gjithçka. Edhe sa dashnore kanë, edhe nëse marrin kokainë, edhe nëse luajnë bixhoz. Denoncimi dhe gjykimi i tyre moral duhet të vazhdojë pa ndërprerë.
Dhe le të shohim si do e mbajnë korporatën në këmbë, kur që nga sekretaret e deri te rojet të pëshpërisin pas krahëve per portretet e tyre në lajmet e një nate më parë. Nëse media do ishte partneri i qytetarëve, gjithçka do ishte më e lehtë. Situata nuk do kishte mbërritur deri këtu. Por, le të fillojë me një gazetë, me një blog a dy.
Kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të shkruaj në këtë gazetë, dhe pa u paguar. Është nga ato fare pak mediume që ndoshta nuk mundet t’i thotë të gjitha, por, të paktën thotë diçka. Dhe nuk ka shpërblim më të madh, se kur në kopertinën e numrit ku gjendet një shkrimi im, janë fytyrat e bosëve të korporatës.

Monday, April 21, 2014

Karnevalet e vesh-prerëve (mars 2014)

botuar në revistën KLAN - mars 2014



Dikush më pyeti nëse di gjë a po zhvillohen karnevalet në Shkodër, një pyetje që më kapi jo vetëm të pa-informuar por dhe të habitur. Kujt i interesojnë karnevalet? Po zhvillohen karnevalet në Brazil, por, në tavolinat tona nuk para flitet për karnevale. Flitet, çuditërisht shumë për Ukrainën. Ndoshta po bëhen karnevale dhe në Shkodër, kushedi. Karnevalet kanë vdekur prej kohësh, bashkë me ata që i bënin dikur. Shoh ndonjëherë më të rrallë ndonjë bisht kronike për diçka të organizuar nga Bashkitë, një përpjekje e trishtueshme për të ngjallur një traditë që e kemi vrarë me vetëdije. Në vend të karnevaleve, tani ka Ditë Vere e Halloween. Nuk po them se është keq. As që është mirë. Thjesht, kështu është.

Vendi i njerëzve jo-seriozë

Një gjë është e sigurt, ne nuk i braktisëm karnevalet ngaqë nuk kemi gjenin e humorit. Ne jemi një popull shumë gallataxhi, që asgjë nuk marrim dot seriozisht, as shtetin.
Është e vështirë të gjesh arsyet e vërteta pse kjo traditë vdiq. Kostot- karnevalet kushtojnë shumë së kostume e skena; tradita- pse duhej të mbijetonte në një vend të veshur nga NPV Korça; nevoja-karnevalet nuk hahen, pse duhet të preokupohemi; shkollat- ne nuk kemi një shkollë tonën për as gjë, larg qoftë për samba... Ndoshta Karnevalet vdiqën për të njëjtën arsye se pse shqiptarët që dolën matanë nxituan t’u vënë fëmijëve emra italianë e grekë, e deri hebraikë: çështje integriteti e krenarie për atë që është e jotja. Thjesht, e lamë të vdesë për të përqafuar festën e kungullit të tetorit. Siç lamë emrin Dafina për t’i quajtur kalamajtë Deborah.
Megjithatë ne kemi sot shumë nevojë për karnevalet. Pikërisht, ngaqë e vetmja mënyrë e mbetur për të përballuar realitetin është të qeshim me të. Unë, do kisha maskat e mia të preferuara për këtë maskeradë.

Maska e Presidentit

Maska e parë do të ishte ajo e Presidentit të Republikës. Unë ende nuk e di se çfarë ka nën maskën e përditshme të Presidentit, dhe është e vështirë të mund t’i bësh një gjyq moral kujtdo në këtë vend, ku ka kaq pak informacion e aksioni zhvillohet nën rrogoz. Por, mua më mjafton një gjë e vogël për të gjykuar një post të madh. Dhe kjo gjë e vogël, quhet Nazime Visha. Nazimja, është shembulli tipik i fatit të një vajze shqiptare të periferive, të cilën bota që e rrethon, meshkujt abuzues, shoqëria indiferente i lënë vetëm 2 opsione, dhe një prej tyre është vrasja. Edhe unë kam pritur pas inisiativës së disa personaliteteve, mes tyre Kadare e Agolli, që në listat e amnistisë presidenciale ku dëgjojmë për kandidimin e lloj-lloj njerëzve të rrezikshëm, të futet dhe emri i saj. Emri i Nazimes mungoi dhe në listën e fundit. Duket, lobimi i artistëve nuk është aq gudulisës për Presidentin. Mjafton vetëm një Nazime për të zbuluar një President, dhe për të shkuar më tej, dëgjoj nga goja e Eni Vasilit, autores së një shkrimi të guximshëm për fatin e Nazimes në duart e Presidentit (“Nazime Visha, viktimë e shoqërisë dhe e Presidentit të saj”; Panorama, 2014/03/04) që thotë publikisht në TV kishte marrë edhe presione për atë shkrim. Duhet të kenë qenë fansat e Presidentit.
Nuk e di se çfarë u dashka bërë për të lobuar lirinë e dikujt në këtë vend. Di që amnistohen dhjetëra e qindra vetë. Por, di që ti nuk amnistohesh nëse je një vajzë e varfër nga fshati që të mbështesin ca shkrimtarë e gazetarë.
Mjafton pra, një rast për të zbuluar një President. Ndaj, maska e Presidentit është një maskë që do e vishja për karnevale. Nën atë maskë mund të ishte cilido, përderisa Presidenti sillet njësoj si të ishte cilido.

Një maskë politike

Jam i bindur që në karnevalet tona të Brazilit, nuk do të mungonin maskat e politikanëve. Është thjesht perceptimi i të fortit. Kushdo që konsiderohet i pushtetshëm, e ka të sigurt një maskë. Komikja e maskave të politikanëve është që mund të visheshin nga të gjithë: nga ai që e vesh për ta tallur, dhe nga ai që e vesh se e do. Edhe pse, jam kurioz, sa shumë mund të durojë njeriu nën maskën e Berishës e Ramës, apo dhe të Metës.
Ka dhe një tufë maskash- maskat e “gjynafëve”, politikanë të cilët, për një arsye a një tjetër shihen nga publiku si gjynahqarë, edhe pse janë njerëz që çojnë jetë të mirë, kanë grumbulluar para e pushtet, por, nuk ia kanë dalë dot të zhveshin imazhin e njeriut që gjendet rastësisht në majat e pushtetit e të parasë. Basha është i pari i tyre, ndjekur nga Nard Ndokët e Ferdinand Xhaferrët.
Dyshoj se dhe maskat e feudalëve të periferisë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen, por janë si emra perëndish në pjesën tjetër të vendit që nuk është “Tiranë”, deputetë e kryetarë qyteezash, do të vishen. Do të vishen, sa prej hallit e sa prej fisit. Por, janë maska që të tërë do u rrinë larg. Janë maska, të destinuara për të pasur një hapësirë bosh rreth tyre madje dhe karnevalistët me maska Rame, Mete e Berishe. Sa për mua, nëse do duhej të vishja një maskë politikani, do ishte ajo e Fatos Nanos.

Një maskë si e Nanos

Nuk është thjesht legjenda prej gallataxhiu e Nanos që e bën atë fytyrën më të përshtatshme në një karnevale. Është krejt filozofia e tij e të vegjetuarit në krye të shtetit.
Thonë që është i zgjuar, me vese e qejfli, kritere totalisht të papërshtatshme për timonierin e një varke me vrima si e jona. Por, ndërsa kam qenë krejtësisht jo-pranues i filozofisë së një shtetit gallate, në retrospektivë, shoh që këtë varkën tonë e kanë pasur ndër duar ose timonierë të dhunshëm, që të përplasin pas shkëmbinjve për kokëfortësi e padije, ose timonierë arrogantë, ose timonierë me qëllime të vockla pesonale. Në këto kushte, kam nisur të mendoj që më mirë udhëtohet në një varkë ku timonieri është tapë ose në pab, sesa me këdo tjetër që mendon se timoni është i tiji përjetë. Kam përshtypjen, se njeriu me maskën e Nanos është ai që do kalonte më lumtur në festë. Përveç maskës së Lek Plepit.

Maska jetëgjatë e Lek Plepit

Nuk e di nga bëhet Lek Plepi, por vetë fakti që e dëgjoj si referencë herë pas here, qoftë dhe për humor, më bën të kuptoj që ai e ka përmbushur misionin e vet: Kthimin në simbol të asgjësë që kthehet në qendër të vëmendjes. E di që ka njerëz që mendojnë se tallen me Lek Plepin. Po të bëjnë llogaritë pro e kundër, mund t’u dalë që Lek Plepi ka marrë më shumë nga kjo shoqëri se shumë prej nesh. Mbi të gjitha, na ka marrë kohë. Nëse mendoni që Lekn Plepi ka dalë nga qarkullimi, më duhet t’ju kujtoj që ky vend nxjerr nga një Lek çdo muaj. Madje, ka programe apostafat për të na furnizuar me njerëz pa vlerë që na marrin kohë e vëmendje.

Maska e një pitbulli

Pit-bulli është simboli i Shqipërisë moderne: Qeni që shqyen edhe racën e vet, nëse e kanë mësuar keq apo e kanë përgatitur për luftë. Pak kush e di që pitbullëve ua presin veshët me një qëllim makabër, kur të vritet me qentë e tjerë, ata të tjerët të mos mund ta kafshojnë nga veshët. Kështu është dhe Shqipëria. Jemi të rrethuar nga qytetarë veshprerë. Gati për t’u therur për egot e sëmura ato maskat e kategorive më sipër. Mund të vishni një maskë pitbulli, po aq sa një maskë Llupoje a Prendi.

Maska e analistit

Pavarësisht tundimit, Maska që do kisha kuriozitet të provoja është ajo e një analisti apo gazetari. Në vitrinë, rrinë maskat që nga Fevziu tek Dudushi, nga Çani te Çim Peka, nga Henri Çili te Artan Hoxha, nga Frrok Çupi te Ylli Rakipi. Nuk e shoh në vitrinë maskën e Lubonjës. Besoj nuk shitet, e kanë magazinuar. Cilën duhet të vesh?
Jam shumë kurioz të shoh reagimin e njerëzve kur të shohin, për shembull, dikë të veshur me maskën e Fevziut në karnevale. Ose të Henri Çilit. Në fakt, këto nuk janë maska karnevalesh. Nuk ka asnjë arsye që analistët të bëhen personazhe të rëndësishme në jetën shoqërore, përveçse kur kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Në fakt, analistët e gazetarët tanë, pa përjashtim, e kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Kanë zëvendësuar në ekran çdo gjë tjetër. Edhe të vërtetën.

Pa karnevale

Pas një shëtitjeje për të blerë një maskë, mund të kuptoj pse nuk kemi Karnevale. Karnevalet janë një impuls i fortë feste, me kostume vezulluese, mes figurash e legjendash që i thonë diçka atyre që festojnë. Legjendat tona të vetme janë: Kush bëri sa lek, kush vrau kë, kush ka në dorë çfarë. Këto “legjenda” bashkëkohore, janë në të vërtetë një boshllëk pa shpirt, pa përmbajtje e pa domethënie. Janë një hiç kalimtar. Sikur kostumet më të bukura të botës e DJ-të më të famshëm të botës të investoheshin për të organzuar një palë karnevale alla-braziliançe te ne, unë s’do e merrja mundimin të dilja as në ballkon. Jo për të parë përsëri, dhe në rrugë, maskat e bajlozët e vitrinave më sipër.

Wednesday, April 16, 2014

Ku fillon Shqipëria e ku mbaron z. Rama?

botuar më 7 prill 2014 në gazetën Dita

Nga vizita e Kryeministrit tonë në Gjermani, mora dy mesazhe: një mbresë pozitive për diçka që nuk e dimë akoma (por do e marrim vesh më vonë) dhe që “Shqipëria nuk është Gjermania”. Pyetjes se pse në Shqipëri drejtësia nuk funksionon si në Gjermani, ku edhe Presidenti po të sheklë ligjin futet në burg, Kryeministri ynë i qe përgjigjur me një frazë sofiste: “sepse Shqipëria nuk është Gjermania”.
Këtu lind pyetja e parë, ku nis Kryeministri e ku mbaron Shqipëria?

Çfarë është Shqipëria?

Çfarë është kjo “Shqipëria” e kryeministrit që nuk na qenka Gjermania? Vend majmunësh? Vend hajdutësh? Vend të paaftësh për të bërë drejtësi? Vend ku çdo gjerman po të vijë do të detyrohet të shkelë ligjin?
E vërteta është që në Shqipëri janë të 2 fytyrat, edhe Shqipëria edhe Gjermania. Ne kemi njerëz, ligje dhe forca kreative që nuk i lënë mangut Gjermanisë. Ne kemi njerëz ligje dhe forca të errëta, që kanë krijuar këtë imazh të Shqipërisë, si një jo-Gjermani.
Më duhet t’i them kryeministrit që njerëzit që më rrethojnë mua janë të denjë për të jetuar dhe në Gjermani: jetojnë me djersën e ballit, punojnë fort, përpiqen të respektojnë ligjet e të jetojnë sipas rregullave. Nuk mund të them të njëjtën gjë për shumë nga njerëzit që rrethojnë Kryeministrin. Ata janë “Shqipëria” për të cilën flet ai: të akuzuar për korrupsion, të përfolur për lloj-lloj aferash, kanë blerë drejtësinë, kanë blerë votat. Kështu thuhet për ta, dhe pavarësisht se drejtësia nuk merret me ta, ne të gjithë e besojmë se ashtu është.
Shqipëria ime zoti Rama është e pastër. Shqipëria juaj, jo dhe aq. Ajo e juaja, e meriton plotësisht atë që keni thënë.
Por, sa të drejtë ka Kryeministri të shkëputet nga Shqipëria e tij?

Shqipëria e 1-shave

E vërteta është që Shqipëria është vendi i 1-shave, liderëve që komandojnë me dorë të fortë e përqendrojnë tek vetja të tërë pushtetet. Në këtë rast, nxjerrja e vetes jashtë “lojës” së pisët që luhet në Shqipëri nga ai që është në krye, është një rrëshkitje nga përgjegjësia. Nëse Shqipëria nuk është dot Gjermani, përgjegjësi kryesor është lideri. Që nga mënyra si zgjedh njerëzit, ekipet, sesi e mbush listën e deputetëve me lloj-lloj kandidatësh për në bankën e drejtësisë, gjithçka tregon me gisht liderin. Lideri dhe Shqipëria e drejtuar prej tij, janë një simbiozë bashkëfajësie. Nuk mundet edhe të drejtosh këtë vend, dhe ta gjykosh apo justifikosh atë si të ishte diçka jashtë teje.
Nuk edi nëse sofizma të tilla arrijnë të prekin Merkelin a këdo tjetër. Por, nuk më prekin mua.
Kur është puna për të marrë benefitet e pushtetit apo për të pritur se ç’do ndodhë me këtë vend shihet me sy lart, drejt Kryeministrit. Kur është puna për të treguar pse nuk ecën ky vend, atëherë na qenka faji i kësaj, Shqipërisë.

Tuesday, April 15, 2014

ME SE E NGATËRROJMË DASHURINË

(botuar te revista Grazia, shkurt 2014)
Dashuria është e përbërë nga tre elementë, më shpjegonte para shumë kohësh një miku im që studionte çështjet e çiftit e të familjes jashtë shtetit. Dy vjet më vonë u nda nga gruaja. Njeriu mund t’i dijë teorikisht elementët e dashurisë, por kjo nuk e pengon fundin e saj.

Zbehja e dashurisë
Nganjëherë më qëllon që edhe përqendrohem tek tekstet e këngëve tona në radio. Thuajse të gjitha i këndojnë dashurisë, dhe pothuajse njësoj. Të njëjtat fjalë të varfra, të njëjtat fraza të ujshme e bosh. Varfërimi i teksteve të dashurisë në të vërtetë tregon sa paaftësinë e atyre që shkruajnë tekste për të shkruar diçka të vërtetë, aq edhe faktin që këngët tona thjesht përcjellin një shtirje të madhe. Ditët tona janë mbushur me thashetheme për tradhëtitë bashkëshortore. Gratë e vjetra, mesogratë, madje dhe gratë e reja shprehen tërë zili, admirim e mbështetje për “tradhtarkat”, ato që i vënë burrit brirë. Për njëqind arsye ato nuk kanë guxim ta bëjnë, ndaj dhe bëjnë tifo për atë që e kalon atë kufi të padukshëm, kufi që duket sikur do të vdesë dashurinë.
Duket sikur dashurinë sot e përjetojnë vetëm ata që nuk janë pjekur akoma nga trutë.

Dashuria mes logjikës e instinktit
Gjasat më të shumta për të dëgjuar histori dashurie është ndër njerëz të “papjekur”. Për shembull adoleshentët, njerëz që nuk kanë dalë akoma në jetë, që nuk kanë arritur të ndërtojnë akoma diçka a të bëhen dikush, shkurt, që nuk janë pjekur. Duket, sikur dashuria kap pa mendje ata që janë ende të hutuar në udhëkryqet e jetës; dikë në muzgun e vet e kap një dashuri rinore.
Duket, sikur dashuria u ndodh atyre që jetojnë pa plan. Ka njerëz që e dinë çfarë duan, një profesion të mirë, një shtëpi, një qen dhe një grua të bukur a një burrë me punë të mirë. Është e vështirë të kuptosh nëse dashuria u ndodh, apo e kanë pjesë të projekteve të tyre të jetës.
Por ndoshta, bëhemi vetëm konfuzë me mënyrën sesi duhet ta jetojmë dashurinë.

Dashuria mes modeleve
Jo dashuria, por mënyra si e jetojmë dashurinë varet nga modelet që na rrethojnë. Faktin që prindërit kanë ndenjur 40 vjet bashkë, nxitimi i jetës rrotull nesh, përrallat me princër kaltëroshë, stereotipet e dashurive të filmave, humnera e kastave me atë që të pëlqen, frazat e vjetëruara e të dala mode, shkurtesat e fjalëve të dashurisë në sms, bota e përkthyer keq e telenovelave, bombardimi me jetë VIP-ash, luksi i panevojshëm i bareve ku rrinë çiftet, apo romanticizmi kitsch që shkëlqen në lumturinë e dikujt tjetër, të tëra këto modele na çorodisin. Secila prej tyre mund të duket si dashuri, edhe pse dashuria mund të jetë më e thjeshtë, dhe, tmerr ëëë, po mund të mos jetë as në jetën e natës!!

Elementët e dashurisë
Nëse një kimist (e jo një shkrimtar) do përpiqej ta zbërthente dashurinë në pjesë, do zbulonte se janë tre, elementët e dashurisë. Pasioni. Mirëkuptimi. Dhembshuria. Ajo që na ze sytë e para është pasioni. Thonë se dashuria zgjat tre vjet. Në fakt, pasioni zgjat tre vjet. Kur pasioni vdes, nëse në një lidhje nuk gjenden dhe dy elementët e tjerë, atëherë vdes dhe dashuria.
E vetmja mënyrë për të gjetur veten në këtë katrahurë globale është të identifikosh me zgjuarsi nëse ajo që ke para syve i përmban të tre këto elementë. Dhe kjo mund të jetë drama e të “papjekurve” që bien në dashuri, një pas një, vazhdimisht.

Monday, April 14, 2014

Partitë tona, të gjitha të jashtëligjshme

Botuar në rubrikën Tarta T'Arta, Gazeta dita, 14 prill


Kërkesat për të nxjerrë jashtë ligjit partitë komuniste, pavarësisht një sensibiliteti të gjerë shoqëror në lidhje me vetë termin “komunist” (apo dhe “marksist” e “enverist”) përmban shumë kundërthënie në vetvete. E para qëndron në krahasimin me partitë “naziste” në Gjermani, po ashtu të kundërligjshme. Partitë naziste janë jashtë ligjit sepse programet e tyre përmbajnë elementë antikushtetues dhe bazë ideologjike raciste. Partitë komuniste, në Europë jo vetëm janë të ligjshme por marrin dhe bajagi vota, dhe jo rrallë kanë shkuar deri pranë pragut elektoral qeverisës. Nëse një parti komuniste ka një program antikushtetues, ajo Parti nuk do ekzistonte si e tillë, sepse gjykata nuk do e kish miratuar. Por, këto parti duan të restaurojnë Enverin…

Krimi i partive komuniste

Çfarë krimi përbën ideologjia e partive komuniste shqiptare? Të duash të restaurosh Enverin, sikurse të duash të shkosh në Hënë, apo të duash të ndryshosh kufijtë, janë thjesht retorikë, e pamundur të realizohet nga një apo shumë shqiptarë. Madje, më parë do shohim një shqiptar super-miliarder që paguan për të udhëtuar në Hënë, sesa 2 alternativat e tjera. Ndryshimin e kufijve ballkanikë e ka potencuar në retorikën e tij politike dhe një figurë e lartë e së djathtës, dhe nuk di që partinë e tij të ketë kërkuar dikush ta nxjerrë jashtë ligjit. Pastaj, që kur Enver Hoxha qenka i jashtëligjshëm dhe i vdekur? Që kur është ndaluar përmendja e emrit të tij, apo e librave të tij që gjenden në shitore në mes të Tiranës? Nëse një Parti Europiane do që të restaurojë Maon, nuk besoj se francezët e nxjerrin jashtë ligjit. Ata nuk nxjerrin jashtë ligjit as partitë që kërkojnë të dalin nga Euroja. Por, komunistët bënë ca vandalizma…

Zogu kundër Enverit

Nuk dua të hyj në debatin se ç’bëri Zogu e ç’bëri Enveri, por mund të them që të dy bënë diçka të mirë për Shqipërinë (njëri shtetin e parë, tjetri elektrifikimin, sa për shembull) dhe të dy bënë diçka të turpshme për shoqërinë shqiptare (vrasjet e patriotëve, apo neni 55, sa për të dhënë një shembull).
Nëse komunistët hodhën një kavo rreth bustit të Zogut, më kujtohet se ca të tjerë tërhoqën me skodë bustin e Enverit, para nja 23 vitesh. Kjo e fundit, nuk do të thotë që PD-ja duhej nxjerrë e jashtëligjshme.
Nëse dikush do dojë të rikthehet përsëri te krahasimi ç’bëri Zogu e ç’bëri Enveri, që të tërhiqeshin me kavo, dua t’i kujtoj se ajo që ndjejmë për Enverin më 2014-n, është identike me atë që ndjenim për Zogun më 1984-n. Duke njohur mentalitetin tonë bust-hedhës, nuk do habitesha që të njëjtën të ndjejmë për Sali Berishën më 2034-n. Madje, Enverin më 1984-n ky popull e ka dashur goxha më shumë se Zogun në 1934-n. Madje, dhe çik më shumë se Berishën më 1994-n.
Nëse dikush do të dojë të thotë që partitë komuniste janë kundër kapitalizmit, duhet t’i kujtoj që rendi ynë politik nuk është kapitalizmi, por demokracia. Kapitalizmi është një marrëdhënie ekonomike, e cila te ne ekziston në formën më të egër të mundshme. Nëse një parti na e mbush mendjen se do na sjellë një marrëdhënie tjetër të suksesshme ekonomike, qoftë model kinez a suedez, bujrum! Mbase na shpëton!
Ndjeshmëria e popullit lëviz, dhe kjo nuk përbën bazë ligjore për të nxjerrë parti jashtë ligjit. Apo, më mirë të nxjerrim ndonjë?

Partitë jashtë ligjit

Ajo çfarë duhet të mbrojmë është rendi ynë politik, ajo që ne e quajmë demokraci sa për të larë gojën, por në fakt është autokraci dhe oligarki. Dhe, Marko Dajtët me shokë nuk di të kenë në plan për të hedhur demokracinë.
Paradoksi madhor, qëndron te fakti se kur vjen puna te Shqipëria, 3 partitë që qarkullojnë në pushtet, e kanë shkatërruar e dëmtuar më shumë Shqipërinë sesa partia e vobektë e Marko Dajtit. Partia e Dajtit, është thjesht një vazhdim emocional për inerci i një realiteti të para 25 viteve, që ka 2 pika sa qesharake aq dhe të padëmshme në program: të legalizojë hashashin e të ri-vlerësojë një figurë a periudhë historike. Ndërsa gjithë sistemin e korruptuar politik, juridik, moral, ekonomik e burokratik që gëzojmë sot, e kemi peshqesh nga lubitë e mëdha. Ndaj, nuk është thjesht paradoks, por qesharake të kërkojmë të nxjerrim jashtë ligjit partinë gazmore të Marko Dajtit. Edhe pse, në një demokraci oborri si kjo e jona, vetëm me momente politike komike si kjo, mund t’ia dalim ta shtyjmë disi jetën.