Wednesday, May 21, 2014

Trashëgimia, si barrë e si samar

botuar te rubrika Komikat Kozmike, Revista KLAN, 14 maj 2014

Çfarë ka trashëguar Rama nga i ati? Çfarë ka trashëguar Berisha nga Vuçidoli? Çfarë do trashëgojnë politikisht PD e PS nga këta të dy? Cilit prej tyre prindi i ka lënë një sahat dore? Dhe, a kanë prona? Trashëgimia – ajo çfarë i lëmë tjetrit/të tjerëve dhe ajo çfarë na kanë lënë, në rrafshin ekonomik, kulturor, social e politik, moral e juridik - pa dashjen tonë ka qenë fija e hollë e filigranit që ka përshkuar ekzistencën tonë traumatike post-komuniste. Nganjëherë nuk ka qenë filigran, por fije e hollë çeliku që pret mishin që e mban lidhur.

Trashëgimia politike

Ka akoma njerëz, sidomos nga të larguarit para 15 a më shumë vitesh që ruajnë koncepte të tipit “komunistët”, sikurse ka akoma që shkruajnë artikuj me terma të tipit: “punisto-marksist” apo “sllavo-komunist”. Marrëdhënia jonë me trashëgiminë ka diktuar dhe retorikën politike. Akoma sot, e djathta përdor termat “etërit komunistë” duke kaluar dhe në emra të përveçëm. Nga ana politike është armë që ka funksionuar. Ngjan absurde që një parti që doli nga rebelimi i atyre që ishin të lodhur me luftën e klasave të vazhdojë të mbajë në lojë këtë luftë, apo t’u përmendë biografitë kundërshtarëve.
Arsyeja pse ndodh është pragmatiste, Berisha ka parë që kjo funksionon. Ka akoma legjione të tëra votuesish mendja e të cilëve është kalçifikuar – dhe jo për faj të tyre – e që funksionojnë me 2-3 koncepte bazë politike, të mësuara në prag të viteve ’90. Këta njerëz, nuk janë armik. Janë për gjynah. Janë pjesë e shtresave të realitetit politik që mban të çimentuar këtë kastë politikanësh. Derisa të vdesin, argumentet e artikulimit “sllavo-punist” do të vazhdojnë të bëjnë blu ujin, si në pishinat ku egoistët bëjnë çiçin.
Vetë PS është e kompleksuar nga e shkuara e saj. Atë e votojnë ata që dikur votonin PPSh, dhe ka akoma në organikën e vet ish-anëtarë të Partisë së Punës. Aq e kompleksuar, sa i ka lënë LSI-së hapësirë të artikulojë më fort se ajo teza konservatore me partizanë, LANÇ, veteranë e Enver Hoxhë. Paradoksi lind kur nga të dyja partitë e majta, LSI është ajo që ka qenë e martuar politikisht me të djathtën. Por, PD-ja sheh punisto-enveristë vetëm në PS-në e moderuar. Teorikisht, ky qëndrim pragmatist por banalisht jo-koherent e i përciptë do duhej ta kish zbehur e zhdukur argumentin, por ja që jo. Ata që e mbajnë janë njerëzit.

Trashëgimia e njerëzve

Çudia e vërtetë është që të gjitha partitë kryesore të politikës kanë në përbërjen e tyre plot ish-anëtarë të PPSh. Madje, dhe votuesit, janë të ndarë. Funksionarë apo komunistë të thjeshtë të djeshëm, votojnë sot PS, PD, LSI.
Çfarë e bën një ish-komunist të PS-së të jetë më fajtor se një ish-komunist i PD-së? Cili prej tyre duhet të mbartë përgjegjësitë krimet e komunizmit? Dhe, cili, duhet të mbajë meritat për zhvillimet ekonomike e sociale (aq sa ka) të asaj epoke? Kjo pjesë, është ende e pazgjidhur, sepse të vetmit që do duhej ta kishin zgjidhur, nuk dinë, nuk duan, e nuk munden ta bëjnë: votuesit. Partitë tona kanë trashëguar të njëjtët votues. Të lindurit e pas ’90 vetëm tani së fundmi kanë nisur të votojnë. Por, dhe ata kanë marrë trashëgiminë e genit politik të prindërve.

Trashëgimia e grushtit

Shqiptarët po u lënë trashëgim fëmijëve traditën e tyre politike. Por, nëse e marrim të vërtetë përkufizimin e Lubonjës që “ne nuk kemi parti, por banda”, atëherë po u lëmë flamurin e një bande. Kam parë fëmijë të vegjël që ngrenë dy gishta, apo që mes dhëmbëve që u mungojnë bërtasin “beritha, beritha”. Sikurse, shoh fëmijë me grushtin përpjetë në varreza dëshmorësh të lënë në mëshirën e barërave të këqija. Kjo “traditë” edhe pse e justifikuar apo stimuluar fort prej disave, nuk bën gjë tjetër veçse krijon trupën e votuesve të papërgjegjshëm të së nesërmes. Është, njësoj me strategjitë e marketingut që përpunojnë të vegjlit – blerësit e nesërm. Keni dëgjuar miqtë tuaj të thonë sesi fëmija 4 vjeç vdes të rrijë para TV e të shohë reklamat? E pra, edhe agjensitë e marketingut e dinë. Pa ju pyetur juve, ata po pregatisin fyellin që do të tërheqë pas vetes 10 vjet më pas fëmijët tuaj. Me gjithë pasurinë që ju u keni lënë.

Morali i pronës

Katrahura më e madhe sociale dhe ekonomike në këtë vend ka lidhje po me pronat. Njerëz që kërkojnë pronat e gjyshërve e katragjyshërve me dokumente të turkut a të italianit. Pavarësisht se rendi ynë shoqëror e garanton shenjtërinë e pronës, lind pyetja: Sa të drejtë një burrë 40 vjeç mbi pronën e lënë nga një stërgjysh i panjohur 100 e ca vjet më parë? Si mund të justifikohet moralisht kjo trashëgimi? Sigurisht, jo përmes genit. Sepse, genet mund të mos i kneë fare të njëjtat. Ajo që i lidh është mbiemri, por, a mjafton që dikush të kërkojë lulishte, toka mbi të cilat janë ndërtuar shkolla e vepra të tjera publike, vetëm se ka mbiemrin e njëjtë me personin që zotëronte në një moment të largët në kohë të drejtën e pronësisë mbi to? Shoqëria njerëzore ka të drejtën e përdorimit të tokës, por është shumë cinike të besosh se njeriu zotëron vërtet tokë! Sigurisht, trashëgimia është dhe emocionale. Ora që babai mund t’i dhurojë të birit ka vlerë emocionale, por toka në një fshat që ti nuk e dije se ekzistonte, jo.
Diktatura e ndërpreu vijën e trashëgimisë së pronës, por fijet u rilidhën pas ’90-s dhe u rilidhën keq. U shfaqën njerëzit me dosje nën sqetull e me shpatulla të ngrohta. Vepra publike u rrënuan me qëllim të përfitimit të pronës nën të. Ajo që vërejmë sot janë njerëz të ngeshëm e dembelë që jetojnë me të ardhurat e qerave apo shitjes së pronave që kuptuan befas që i kishin.
Edhe prona intelektuale zgjat vetëm 100 vjet. 100 vjet pas vdekjes së autorit, ajo bëhet pronë publike dhe asnjë nga stërnipat nuk ka më të drejtë monetare mbi të. Trashëgimia intelektuale pra, ndërpritet. Trashëgimia e pronës ka nevojë për një shndërrim tërësor, por, për fat të keq, ne kemi trashëguar një qasje politike populiste por jo për popullin, demagoge por pa thelb. Ne jemi një vend që nuk lë dot trashëgimi.

Trashëgimia e genit

Po të hapësh gazeta të vjetra, të kohës së Zogut dhe më parë, do të shohësh që qasja e politikës ndaj problemeve nuk ka ndryshuar. Vetëm emrat janë modernizuar disi. Qëndrimi i gazetarëve apo intelektualëve është po i njëjti. Pra, paska një trashëgimi. Nuk do ta quaja trashëgimi kulturore, sepse nuk është kjo. Ne nuk kemi ruajtur dot as trashëgiminë muzikore të muzikës së lehtë. As dhe një lagje të vjetër, të paprekur. As dhe një kishë të lashtë të padhunuar. Ne i kthyem kështjellat në qebaptore, dogjëm libra në ’90 e në ’97, vetëm sepse e kishim mundësinë ta bënim, dhe vjedhim e deformojmë kulturën e të tjerëve, pa pushim. Nuk besoj as te krenaria kombëtare (si trashëgimi) veçse si demagogji liderësh ose si valvul shkarkimi e vegjëlisë. Por, ka diçka që padrejtësisht do ia vija “geneve”, sepse në të vërtetë nuk ka lidhje me genet e një njeriu. Ne ruajmë trashëgiminë e shqiptarëve të vjetër jo se flasim shqip si ata të para 100 vjetëve, as se kemi mbiemrat e çertifikatat tyre në dosje, as (larg qoftë) se ruajmë idealet e tyre. Ne kemi një gjë të përbashkët me ta: papërgjegjshmërinë ndaj së tërës. Dhe këtu nuk po flas për punëtorët e rilindjes apo për disa kokrra nga etërit e pavarësisë. Po flas për pjesën tjetër. Kjo është ajo që në anglisht do të quhej “legacy”. Problemi më madhor është që ne nuk ndërtojmë dot “legacy”, pra trashëgimi.

Trashëgimia e dorëheqjeve

Fakti që nuk ndërtojmë dot një linjë trashëgimie nga brezi në brez, nga një person te tjetri, ëshët lehtësues sa ç’është dhe i trishtë. Ja, të marrim dorëheqjen që i kërkohet Ramës për avionin. Jo se ka ndonjë gjë për të lavdëruar në sjelljen e Kryeministrit apo të Ministrisë përkatëse ndaj rastit. Por, është cinike që kërkon dorëheqje kryetari i opozitës, i cili vetë nuk e pa të arsyeshme as të dilte e të mbante një fjalë për 21 janarin. Nëse Ramën e lidhin me drogën, atë e lidhin me vrasjet. Kur për dorëheqjen përdoret termi “si institucion”, në të vërtet bëhet fjalë për një trashëgimi. Ka dhe cipë, ka dhe përgjegjshmëri ndaj së tërës, ka dhe një “legacy”, diçka që na lidh me një traditë sesi duhet të funksionojë të bërit politikë. Kjo, nuk ka ardhur kurrë te ne. Ne, paraardhësve politikë duam t’u marrim thjesht “pronën” politike, por, kjo nuk është trashëgimi mirëfilli.

Tuesday, May 20, 2014

Fati shqiptar i arushit TED

botuar më 10 maj, 2014, në rubrikën Kozmikomiket të revistës KLAN


Po t’u thuash njerëzve “Ted”, kuptojnë gjëra të ndryshme. Ted, burri i Florianës. Ose Ted, arushi. Ose, Tedi Papavrami, për ata që pëlqejnë ta ngrenë stekën e imagjinatës. Ka dhe një TED tjetër që në Tiranë e njohin pak vetë. Më shumë se Tedi, është interesante arsyeja pse Tedin nuk e njohin. Për ta kuptuar më mirë pse unë po e trajtoj si problem, mjafton t’ju them se studentët në Perëndim, organizohen në mënyrë kolektive për të parë konferencën globale TED, me live streaming. Për ta ndjekur në sallë, pagesa në SHBA është 6 mijë dollarë, dhe për të blerë një biletë duhet të aplikosh me CV. Pjesëmarrja si dëgjues, le më mbajtja e një kumtese është një ngjarje e veçantë akademike.
Ndërsa te ne, 1 në 10 pedagogë e di se çfarë është TED, sipas një vëzhgimi personal, dhe pak, shumë pak studentë kanë interesin minimal për të ditur, për të ndjekur, apo larg qoftë për të dashuruar TED-in. Ted-i, ka fatin e keq që është dije, jo arush.

TED-i, jo arush

TED-i, i përmbledhur shkurt është një nismë jo-fitimprurëse, që ka si mision të shpërndajë ide të fuqishme. Nga të katër harqet e globit, njerëz të spikatur dhe që kanë bërë, studiuar, eksperimentuar apo zbuluar diçka që ia vlen t’u përcillet të tjerëve e bëjnë këtë në TED. Në sajtin e tyre, TED.com, mund të gjenden të gjitha këto ide në formën e kumtesave të shkurtra. Kumtesa e fundit, në momentin që po shkruaj këtë artikull ishte një kumtesë nga D. Epstein, nëse atletët janë bërë vërtet më të shpejtë, më të mirë, më të fortë se një shekull më parë? Nga autizmi te kompjuterët, nga thelbi i suksesit te dështimi e kreativiteti, nga adoleshentët transgjinorë tek pajisjet më të reja revolucionare, kushdo që ka një ide të re e novatore, e thotë në TED. Megjithatë, TED-i nuk ka arritur ta joshë dot studentin shqiptar. As pedagogun, as intelektualin, as gazetarin. Sepse nuk i duhet kujt.

Çakademikja

Standardi i shoqërisë sonë parathotë që rëndësi ka kë njeh, dhe jo se kush je. Këtë nuk e kemi shpikur ne, ndodh kudo në botë. Por, nëse jashtë “kë njeh” bën diferencimin, tek ne është kusht i vetëm i mjaftueshëm për të ecur përpara. Kjo mënyrë e ndërtimit të karrierave, ka bërë që energjitë e atyre që duhet të jetojnë duke vënë në punë trurin, të fokusohen në ndërtimin e rrjeteve, lidhjeve e njohjeve. Kjo i ka zbehur ambiciet profesionale. Në shumë fakultete pedagogët bëjnë kujdes të dëmtojnë me ose pa marifet studentët e shkëlqyer e kërkues, nga frika se pasi të kryejnë shkollën do të vijnë t’u zënë vendin. Shkolla jonë nuk përgatit mendje të hapura, por personalitete të nënshtruara.
Studentët, janë po aq të painteresuar për zhvillimin e vetvetes. Babai, joshja seksuale, paratë ose fati, duket se janë të vetmit aleatë që do t’i ndihmojnë në jetë. Po të dëgjosh bisedat në kafene të studentëve nuk kanë shumë ndryshim nga ato të klasës së 8. Maksimumi i stimulit intelektual është biseda për një film të parë në TV. Por, Shqipëria është vendi i njerëzve arrogantë që mendojnë se i dinë të gjitha. Është kthyer në anekdotë sjellja e studentëve të Akademisë së Artit, për shembull, që në vit të dytë, pyesin me ironi e shpërfillje: “E kush është ky Al Paçino?”.
Varfërimi i jetës akademike duket qartë në produktin shoqëror që marrim nga njerëzit e trurit: 0. Do isha kurioz të dija ku, kush e si, po aplikon ide të reja në një çfarëdo fushë të shoqërisë shqiptare. Çfarë novacioni po ndodh, dhe ku? Çfarë debatesh që do të revolucionarizojnë shoqërinë e mënyrën tonë të menduarit, e kush po i bën? Kjo ndodh në vende ku ka konkurencë idesh. Vetë TED është një platformë idesh novatore. Një platformë që është e lirë dhe e hapur, dhe mund të klikohet në çdo çast në internet. Por, ne kemi një problem të vogël me lirinë, dhe një të madh me hapjen.

As liri, as vdekje

Njeriu që më ka treguar i pari për TED vite më parë, është një miku im inxhinier. Ai nuk ka llogari në Facebook, por, është një mi i vjetër e i etur i rrjetit. Për paradoks, të tjerë të njohur, që kalojnë një sasi të pafundme kohe në rrjet, dhe e kalojnë kryesisht në Facebook. Ndonjëherë shkëputen, për të parë ndonjë teshë a gjësend për të blerë online, për t’u rikthyer përsëri në rrjetin e tyre social. Më kujtojnë atë personazhin e Pirandelos, që ndalej për të vrojtuar një gur të vockël në rrugë, dhe harronte udhëtimin.
Ata që kujtojnë që interneti është mjeti i lirisë, e kanë gabim. Interneti është thjesht material ndërtimi, beton siç do thoshte një kumtues në TED, me të cilin mund të ndërtohen ura ose mund të ndërtohen kulla pa dritare. Se çfarë bëjmë ne me betonin, mjafton ta shohësh. Rrjeti, është një mjet i fuqishëm drejt lirisë. Por, është një mjet për ata që e duan lirinë. Unë nuk shoh ndonjë ambicje të madh përreth, njerëzish që duan të ndryshojnë diçka. Të gjithë duan të ndryshojnë rrogën, shtëpinë, makinën, ndoshta dhe bashkëshortin a bashkëshorten, por, askush nuk do të ndryshojë mënyrën sesi e sheh jetën. Kam frikë, se asnjë nga ato të tjerat (me përjashtim të bashkëshortit/bashkëshortes) nuk shndërrohet dot, pa ndryshuar dot veten. Ne, e kemi harruar udhëtimin. Na intereson një makinë e mirë e parkuar jashtë; për të cilën, duhet një punë e mirë; për të cilën do më ndihmojë filani a fistëku. Ne jemi një shoqëri e mbyllur. Në një qarkore bosh objektesh e nevojash, pa ide.

Një shoqëri e hapur, vetëm për jashtë

Fëmija 14 vjeç ishte i entuziazmuar se së bashku me shokët e klasës kishin vendosur të dalin në ditën e Paradës gej, për t’i qëlluar me vezë. Përtej asaj që mendoj, që komuniteti gej lufton për fonde më shumë se për gjë tjetër, kjo sjellje më le një shije të keqe. 14 vjeç, njeriu në përgjithësi është i virgjër, dashuria është një hap më tej, ti je i varur ekonomikisht, lufta zhvillohet me prindin e me puçrrat, bota është një hapësirë e madhe e panjohur, vetja është qendra e re e ekzistencës dhe nuk mund të jesh shumë i angazhuar me konceptet e lirisë së tjetrit.
Unë nuk e përjashtoj mundësinë që 14 vjeçari në fjalë të shndërrohet pas 5 vitesh në një të ri të hapur ndaj ideve e diversitetit të botës. Por, më duket shumë e vështirë. Edhe po të dojë, nuk ka dritare për të. Ka vetëm Facebook dhe muret e një shoqërie të mbyllur. Ajo që shoh të ndodhë vazhdimisht që prej eksodeve, është që kush kërkon një botë të hapur, ikën jashtë dhe thith atje ajrin e lirisë dhe të shoqërisë së hapur. Jo më kot, ata që e duan dhe e ndjekin TED-in janë ose studentë të shkolluar jashtë, ose lundrues të vetmuar.

Ideja, virusi

Nuk ka virus më të rrezikshëm se një ide, thotë Mr. Smith. Citojmë filmat, në vend të filozofëve, me shpresën që të mund të gjejmë pika të përbashkëta. TED ka dhe bijat e veta, TEDEX-et, variantet e pavarura të konferencës globale TED, e që zhvillohen në qytete të ndryshme të botës. Në Tedex-in e Shqipërisë, bileta është 250 herë më e lirë, dhe shumica e të ftuarve, studentë e pedagogë, joshen me ftesa falas. Shumica e folësve në TED-x të Shqipërisë, janë njerëz të ardhur nga jashtë. Disa, shqiptarë në origjinë, janë realizuar në Perëndim dhe kanë arritje të admirueshme. Por, thuajse asgjë nuk vjen nga Shqipëria. Niveli ynë i ideve ka mbetur në nivel televiziv. Ne prodhojmë emocion, aq sa ç’shfaqim dhe në ekrane, por jo ide. Kemi përvoja dhe njerëz që kryejnë sakrifica e përshkojnë shtigje personale të vështira. Dhe sigurisht që të frymëzojnë. Por, jemi një shoqëri vetëm emocionale, e nuk prodhojmë dot ide. Idetë, që të qarkullojnë kanë nevojë për veshë të etur dhe mendje që duan të hapen.
Në mënyrën sesi e kuptoj unë, kjo do të ndodhë njëherësh, dhe do i qëllojë atij brezi që thyen ciklin e ambicieve të qarkut të mbyllur shkollë-mik-karrierë-mik-punë-mik-shtëpi-makinë-parkim-facebook. NDOSHTA në Ted-x të Shqipërisë, në ndonjë edicion, dikush do të na e thotë sesi mund të thyhet ky zinxhir. Dhe, ndoshta, do të ketë dhe të pranishëm në sallë me veshët ngrehur. Njerëz, që kanë kuptuar që nuk i dinë të gjitha.

A- si Abuzimi (28 prill)

botuar në rubrikën "Kozmikat Komike në Revistën KLAN, 28 prill 2014


Para disa ditësh, një grup njerëzish protestuan te rruga e Kavajës në lidhje me vrasjen e Ilia Karelit. Policia i shpërndau me një dhunë të shpërpjesëtuar (mbase duke testuar shkopinjtë e rinj të gomës, ardhur nga Turqia, ndoshta me CV të pasur në sheshin Taksim). Një gazetari iu fshinë pamjet nga celulari, dhe madje ky edhe u dhunua. Episodi thuajse nuk u dha në media, subjekte e individë rendën për të marrë lavdinë (e një akti pa shumë lavdi, gjithsesi), ndërsa thuhet se vetë drejtori i policisë i kërkoi falje gazetarit. Kjo ngjarje, vlen sidomos për të parë shtresat e abuzimit në shoqërinë, institucionet e individët.

Hallkat e abuzimit, në 1 episod të vetëm
Abuzimi më i dukshëm është ai i policisë, që duket sikur kërkon të testojë mbi njerëz të gjallë aftësitë e veta reaguese. Grupimi, shumica qejflinj Facebooku nuk kishte ndërmend as të shkulte pllakat e rrugës së Kavajës e as të kryente akte vandalizmi. Shkopinjtë e shqelmat mbi Facebookistat, janë shumë cinikë kur të jepen nga një polici e paaftë për të vënë rendin e për të luftuar hashashin e tritolin. Por, jetojmë në një shtet abuziv, një shoqëri abuzive, me rekord të frikshëm abuzimi ndaj protestave (21 janari, qershia mbi tortë), ndaj kush dhe ku mund të ankohet ndaj abuzimit të shkopinjve të gomës? Djegia e një flamuri grek, që është një tjetër lloj abuzimi, abuzimi me urrejtjen. Abuzimi i turmës së verbër që ka dalë në atë shesh e motivuar keq. Çështja Kareli nuk ka të bëjë me nacionalizmin, ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës, me ksenofobinë dhe me paaftësinë e shtetit shqiptar për të dëgjuar hallet e shqiptarëve në një vend fqinj. Abuzimi tjetër ishte me median, njëkohësisht me individin dhe me lirinë e informimit. Policë që të fshijnë pamjet e gazetarit nga celulari? Nuk ka asgjë më shumë në vendet gjysmë-diktatoriale. Kësaj i shtohej edhe abuzimi i vetë mediave me mosdhënien e lajmit. Ndërsa nuk ngurrojnë për të mbushur lajmet të bëjnë live lidhje nga Vlora për 1 orë rresht, vetëm për një ceremoni emërimi prefekteje, asnjë prej tyre nuk ka mundësi jo për lidhje live, por as për kronikë. Kjo tregon që media përfundimisht është palë me më të fortin, në abuzim të misionit të vet, dhe të publikut prej të cilit gjallon. Abuzimi tjetër është i atyre që tentuan ta kthejnë në kapital politik një shfryrje pasionesh kaotike. Ky është abuzim në rradhë të parë me ata pjesëmarrës që dolën aty jo për t’u përdorur si kapital, por thjesht nga ndjeshmëria ndaj një historie njerëzore, si ajo e Karelit. Vetë ngjarja e Karelit, është një tjetër vargan abuzimesh, që kur ishte jashtë e deri në momentin e fundit, çka tregon që abuzimi, është marrëdhënia bazë në shoqërinë tonë të sotme.

Frazat e abuzuara
Çdo gjë tek ne abuzohet. Deri edhe te komunikimi. Një i arrestuar për rekrutimet në Siri nxitoi të thoshte që ky ishte një arrestim politik(!?). Frazat “sulm politik” ose “akt i motivuar politikisht” përdoren aq rëndom, nga kushdo që kapet gafil e nuk ka asnjë argument për të dhënë. Abuzimi me këtë argument nuk ka bërë gjë tjetër veçse të sfumojë edhe rastet kur akuzat vërtet mund të jenë motivuar politikisht. Por përveç raportit me institucionet, abuzimi ka ngërthyer prej kohësh të gjitha format e marrëdhënieve civile.

2 gra në dritare
Rasti më tragji-komik i raportuar në media së fundmi, është ai i dy vajzave të mbetura të izoluara në katin e 4-ërt, sepse nuk kanë me se zbresin. Shkalla është “privatizuar” prej kohësh, që kur pronari i pallatit ia shiti katin e parë dikujt. Ky dikush ka vendosur t’i ndërrojë destinacionin, duke e detyruar një familje të ndërtojë shkallë emergjence nga jashtë pallatit për të dalë nga banesa. Nuk besoj se ka forma më të pastra se kjo të abuzimit mes qytetarëve. Kushdo që e ka një mundësi abuzimi, e përdor, ti vrit veten po deshe. Tashmë shkallët e emergjencës, të konsideruara abuzive nga INUK janë shembur, dhe vajzave ua çojnë ushqimin me litar.

Klasifikimi i abuzimeve
Abuzimi është kthyer në formën parësore të marrëdhënieve njerëzore, qoftë në punë (sa vetë abuzohen, shantazhohen, vihen të punojnë në kundërshtim me kontratën e kodin, e nuk kanë asnjë rrugëdalje veç të pranojnë të ngordhin urie), qoftë në familje (burrat pijanecë, gratë e fëmijët e dhunuar, vajzat e konsideruara si të dorës së dytë, pleqtë e zhvatur e të përzënë nga shtëpitë) në rrugë (dhunë verbale, shkelje të hapësirave, dëmtim prone, grushte e dhunë) në komunitet (hapësirë për t’u mbushur vetë me historitë e komshinjve tuaj) apo abuzim me postin e detyrën (hapni një gazetë të rastësishme). Po si kemi mbërritur deri këtu?

2 kushtet abuzive
Nuk dua të besoj se është varfëria që na bën abuzivë. Jam i prirur të besoj që janë 2 shfaqje të karakterit e formimit njerëzor: Injoranca dhe arroganca, baza mbi të cilën kemi ndërtuar shoqërinë tonë abuzive. Zakonisht këto shkojnë bashkë, dhe nuk para pyesin për gjendje sociale e ekonomike. Përkundrazi, arroganca është një shfaqje ekskluzive e të kamurve të rinj. Por, jashtë karakterit njerëzor, dy mënyrat e vetme për ta mbajtur në kontroll abuzimin e njeriut mbi njeriun - sepse këtu reduktohen të gjitha marrëdhëniet abuzive, qoftë dhe ato ku merr pjesë shteti - janë kultura civile dhe frika.

Kultura qytetare, si abuzim i pa-aplikuar
Kultura civile, është termi i parë që më vjen ndërmend për të përshkruar atë vetëdije qytetare në lidhje me raportet dhe shmangien e abuzimit. Ne kemi trashëguar një koncept që vlerësonte individin që ndërton raporte të shëndetshme me qytetin dhe individët e tjerë, duke e quajtur thjesht “njeri me kulturë“. Mund të quhej dhe edukatë qytetare. Në të vërtetë është vetëdije qytetare. Njeriu që e ka në dorë të kryejë një akt abuzimi, por nuk e bën, sepse është në gjendje të vlerësojë që kjo dëmton shoqërinë, dhe në kthim edhe vetë atë në plan afatgjatë. Ndaj jam i prirur ta shoh më tepër se si kulturë, një mospërdorim i mjetit abuziv. Është më tepër logjikë se frikë. Frika, do të ishte mjeti tjetër efikas i shmangies së abuzimit.

Frika, si mundësi por dhe si frikë
Një shoqëri e suksesshme i ka ndërtuar mjetet e veta të frikës, që nga kuadri ligjor, tek zbatimi rigoroz i tij, raporti i ndëshkimeve me shkeljet, e deri te ndëshkimi moral i një shoqërie që të bën të ndjehesh keq, nëse je një abuzues. Në shoqërinë tonë frika, është mjeti i vetëm kontrollues i abuzimit, por, që nuk është ndërtuar si një marrëdhënie e qytetarit me sistemin, por e qytetarëve mes vetes. E vetmja mënyrë, për shembull, për të garantuar që të të lënë shkallën e lirë kur ti ke apartament në kat të katërt, është t’u fusësh frikën abuzuesve. Tek ne nuk ka frikë nga ligji, por nga individi që mund të ketë në dorë ligjin në një moment të caktuar, për ta përdorur kundër teje. Nëse je në rregull me individët që e kanë këtë pushtet, je i çliruar nga frika e ndëshkimit, dhe mund të abuzosh sa të duash.
Ok, këto dihen sepse jetojmë në këtë realitet abuziv përditë. Lexuesit, si gjithmonë, do të kërkojnë zgjidhje. (Edhe pse, kur vjen puna te votimet, ti mund t’ua tregosh të gjitha zgjidhjet, por kjo s’do të thotë që vota e tyre do ndjekë logjikën e zgjidhjeve). Zgjidhja, vjen vetiu.

Abuzimi, si fund ose fillim
Abuzimi, në thelb do të thotë përfitim. Përfitim nga prona që s’të takon, nga koha, paratë, hapësira, idetë, nderi, puna, që nuk janë të tuat por të dikujt tjetër. Ti e ke mundësinë ta zesh në mënyrë abuzive atë që s’të takon e të përfitosh nga pushteti i përkohshëm i dhunës, i pozitës, i njohjeve a i parave. Por, gjërat janë të fundme. Pronat, tokat, paratë, hapësirat, do të vijë një moment që do shterrojnë, e s’do ketë më çfarë të abuzohet. Ky është momenti ku kanibalët nisin të hanë njëri-tjetrin. Po zgjidhja, do pyesni ju?
Zgjidhja është te ky paragrafi i fundit, vetëm se duhet ta thoni ju e jo unë. Është fjalia e parë që të vjen në mend, pasi ke mbaruar së lexuari.