Friday, September 12, 2014

Maks Velo, cjapi dhe Doktori

botuar te Dita, 10 shtator 2014

3 gjëra më bien në sy te “çështja Maks Velo”, e thënë ndryshe tek stuhia e shkaktuar nga një intervistë e tij, titulli i së cilës ishte “Maks Velo: Pse jam anti-verior e anti-mysliman”

Një Velo, njëqind dhe njëqindmijë të Tjerë

Jetojmë në një vend jo thjesht me probleme. Jetojmë në një vend në prag të të qenit shtet i falimentuar, ku inkriminimi (i niveleve të ndryshme) ka kapur thuajse gjithkënd që ka ose ka pasur pak pushtet. Jetojmë në një vend me kriminelë të zgjedhur me votë si përfaqësues në parlament, ku biznesmenë të caktuar kanë shtënë në dorë në mënyrë mafioze shtetin e pasuritë e shtetit, ku gazetarë e politikanë, biznesmenë e zyrtarë kanë krijuar një rrjetë të padepërtueshme pajtimi e bashkëpunimi me të keqen. Në këtë mishmash, ka emra për secilën kategori që përmenda. Për shumë vetë janë të ditura se çfarë ka bërë njëri e çfarë ka bërë tjetri.
E pra, ajo që më habit është fakti që me përjashtime të rralla, askush nuk flet për ta, përfshirë dhe unë. Askush nuk “u bie kokës”. Ama, një fjali thotë Velo, dhe mprehin shpatën të gjithë. Sigurisht, Velo nuk është tipi që të vret apo ta mbyll gojën me dhunë, siç mund të bënin shumë nga kategoritë e kriminelëve. Sa më të pamundur e kanë të flasin për të keqen e vërtetë të vendit, aq më shumë përndizen ndaj një piktori në pension. A thua, se e keqja e këtij vendi vikërka nga Velo. Pasi kemi stërvotuar njerëz që jo kanë thënë një fjali, por kanë ndezur praktikisht urrejtjen krahinore, madje të mbështetur gjerësisht nga mercenarë mediatikë, e gjetëm “anti-shqiptarin”, dhe ky na qenka Velo.
Ja të shohim ç’ka thënë antishqiptari Velo.

Titujt dhe bëmat

Fraza e Velos, dyshoj se është nxjerrë nga konteksti, madje ndoshta dhe lehtësisht është përdorur. Si shumica e njerëzve në këtë vend nuk e kam lexuar intervistën, por kam parë titullin. Madje, nuk kam lexuar as shumicën nga artikujt kundër Velos, u kam lexuar vetëm titujt. Për fat, titujt ishin shumica mjaft eksplicitë. Dhe, për më tepër, asnjë nga artikujt nuk shkonte përtej komentimit të titullit. Asnjëri nuk merrej me 2 tema që dalin, qoftë dhe pa lexuar intervistën, pikërisht nga titulli.
Le ta gjykojmë pra, Velon, pa ia lexuar intervistën. Le ta gjykojmë, vetëm nga titulli, si shumica.

Anti-mysliman dhe anti-verior

Ka dy probleme madhore Shqipëria, përtej halleve të përditshme e imediate. Problemi i parë është barbarizmi i shkaktuar nga migrimi i pakontrolluar, nga abuzimi me pronën e me hapësirën, me gjuhën e me normat qytetare. Ky problem, i ngjizur falë papërgjegjshmërisë, padijes e ligësisë në administrimin e shtetit në fillim-viteve ’90, ka lënë pasoja edhe sot. Një nga pasojat, sa për të bërë një shembull, quhet “Kamzë”. Mjafton të shkoni e të jetoni 3 ditë në Kamzë, dhe do të shikoni nivelin më të ulët të cilësisë së jetesës e të qytetarisë. Ju ftoj të shkoni e të organizoni një aktivitet kulturor atje, që të prezantoheni thellësisht me problemin. Ndoshta ju kujtohet edhe klani i Tropojanëve i fillim-viteve ’90 që u bë problem nga qyteti Studenti e deri në çdo qelizë të shtetit. Tani, hiqini barbarisë qytetare termin anti-verior dhe vërini një tjetër, si të doni ju.
Problemi tjetër, pasojat e të cilit do i ndjejmë pas pak vitesh, është hyrja e pakontrolluar e miliona eurove për të blerë influencë besimi. Njerëz të veshur me mantele fetare që propagandojnë lloj-lloj idesh deri dhe në kundërshtim me kushtetutën e vendit; depërtim në zonat e thella e të varfra për të mbushur vakuumin që ka lënë shteti në arsim me një alternativë të dyshimtë shkollimi; krijimi i komuniteteve në web që merren jo vetëm me propagandë por dhe me linçimin e kujtdo që ka një mendim shekullar (vetë Velo ka ngrënë dru nja 2 herë, për ca intervista që ka dhënë – shenjë e qartë e “tolerancës” që propagandohet); deri edhe te rekrutimi i kamikazëve që marrin fëmijët me vete e shkojnë e presin koka njerëzish në vende të huaja, ky është një problem pasojat e të cilit do i ndjejmë në të ardhmen jo shumë të largët. Tani, këtij problemi, hiqjani termin anti-mysliman, dhe vërini çfarëdo termi që ju vjen për shtat.

Anti-t e tjera

Titulli i intervistës së Velos, na thotë vetëm 2 gjëra kundër të cilave është. Duke rimarrë fjalët e një miku gazetar, jetojmë në një vend, ku e vetmja gjë normale është të qenit anti-çdo gjëje: anti-ministër, anti-kapitalizëm, anti-jugor, anti-skraparli, anti-gjirokastrit, anti-bankë, anti-bankierë, anti-fullanizëm, anti-himariot, anti-lezhjan, anti-Dhërmi, anti-asistencë, anti-7501, anti-mormon, anti-orthodhoks, anti-katolik, anti-tram, anti-kullë, anti- shumë gjëra. Në mungesë të shtetit të stabilizuar, çdo komunitet, sidomos kur motivohet për një fragment nga një komponent i dhunshëm përbrenda vetes, ka tendencën të kthehet në një rrezik të lartë për shoqërinë. Velo, ka perceptuar vetëm 2. Ju, mund të gjeni dhe diçka më shumë ose tjetër. Por, është koha për të parë brenda vetes, jo brenda Velos.

Cjapi dhe Doktori

U detyrova t’i vë një titull absurd shkrimit, pa asnjë lidhje me përmbajtjen, në përpjekje për të shmangur paragjykimin që në titull. Madje kam bindjen që shumë vetë do kenë “identifikuar” edhe se kush është “cjapi”, edhe se kush është “Doktori” në këtë shkrim, dhe do e kenë përgatitur shabllonin ku të më klasifikojnë.