Thursday, June 16, 2022

Nëna, e dinte!

 

 Publikuar në Dita dhe Politiko.al

Të kthesh filmin “Festen” (1998) të Thomas Vinterberg në një pjesë teatrale është sfidë, dhe këtë dramë ta vesh në Shqipëri është më shumë se sfidë. Jo vetëm se regjisori Bes Bitraku e ka vepër debut në regji; jo vetëm se çfarëdo të përpiqesh të bësh do ta vënë përballë filmit të një prej autorëve më të mirë danezë të kinemasë; por dhe se Shqipëria duket e topitur përballë dramave dhe publiku duket sikur do vetëm humor, dhe mundësisht sa më pa peshë.

Përvjetori i Datëlindjes i hedh poshtë të tërë këto frikëra, dhe shfaqja është (për mendimin tim modest) një nga më të mirat e vitit vënë në Tiranë, dhe një nga më të mirat që kam parë në shumë e shumë kohë.

Në skenën e dhomës së hotelit, ku regjia ka arritur maksimumin e vet, sytë na i ushqen një vallëzim i ndërthurur i dramave të 3 fëmijëve të mbetur të familjes.  Pas kësaj, çdo gjë që do të vijë bëhet mëse e kuptueshme.

Të vendosur si në një gosti shqiptare, ku publiku është gjithashtu pjesëmarrës në festë, në një darkë si ajo “e fundit”, Përvjetori... ka personazhe të vizatuar qartë: Helge, babai i gjithëpushtetshëm e abuziv; një vajzë e vetëvrarë hija e së cilës është në ajër; nëna e fshehur pas një maske, një jetë e jetuar nën hijen e babait; fëmijët të traumatizuar e që nuk duan të hedhin poshtë mitin; gjyshi – i shkëputur nga realiteti; miqtë e babait që do preferonin të mos dinë gjë dhe gjërat të kalohen me një të rrahur krahësh; dhe mes tyre, Kristiani, (shqiptari) i abuzuar, të cilit në supe i rëndon një barrë e padukshme.

Personalisht shkova për të parë të sjellë në shqip një dramë daneze, dhe dola duke parë dramën e gjithë Shqipërisë. Jo vetëm se ne jemi përplot me drama familjare plot dhunë e përdhunime, por ngaqë Familja Klingenfeldt-Hansen është pikërisht Shqipëria në të cilën jetojmë sot: Një shoqëri që refuzon të analizojë të shkuarën dhe ul kokën përpara një patriarku abuziv - babo-ja i familjes i veshur i tëri në të bardha e që feston 60 vjetorin.

Në shfaqjen e Bes Bitrakut*, regjia dhe aktrimi, arrijnë të kapërcejnë defiçencat teknike të A-Turbinës duke sjellë një dramë të zbërthyer në detaje; një kolektiv aktorësh nga më të mirët e të drejtuar aty ku duhet; Tristan Halilaj (në rolin e Kristianit) në një performancë që të mbledh një lëmsh në grykë përgjatë gjithë shfaqjes; dhe pyetja që të mundon, ”po mamaja, a e dinte”?

Përvjetori i Datëlindjes është një “festë” ku mund të kemi qenë ose mund të jemi prezent të gjithë. Në një vend si Shqipëria, të gjithë e kemi apo do ta kemi një takim me njerëz që kanë dhunuar dhe kanë shkatërruar jetë njerëzish, por janë përsëri të veshur me të bardha e të respektuar.

Dhe po, nëna, e dinte.

* Kjo shfaqje vjen me mbështetjen e UNICEF Albania dhe Financimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar - British Embassy Tirana, në kuadër të fushatës “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit te Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria”.