Sunday, September 25, 2011

Falja e gjakut


botuar te Shekulli, e diel, 25 shtator 2011

Më është dashur ta mendoj shumë gjatë se çfarë nuk më pëlqen te Falja e Gjakut, filmi i Xhosh Marston që po shfaqet në kinema Millenium. Sepse, ngado që ta kthesh, filmi ka elementë shumë pozitivë, teknikë e regjisorialë. Megjithatë, që në shikimin e parë para 3 muajsh, kishte diçka që, sikur s’më ngjiste. Më ngjau si nihilizëm, përderisa filmi nuk mund të mos bjerë në sy pas shumë produksioneve të dështuara shqiptare ndër vite që nuk mbajnë as era film, të cilat e kanë larguar publikun nga dëshira që të shkojë në kinema se do kënaqet me një film shqiptar. Dhe, kur vjen një film që është film, të dashuruarit pas kinemasë i duket sikur ka ardhur fundi i botës.

Falja e Gjakut është film i mirë, por ka diçka që i mungon të jetë film i madh.

Dramë shqiptare

Falja e Gjakut flet për gjakmarrjen. Kanuni. Besa. Që këtu, njerëzit rrudhin buzët. Ne na lodhin historitë me gjakmarrje, madje, kemi dëgjuar aq shumë, sa nuk presim gjë të re nga ai front.

Regjisori Marston, për çudi (duke qenë i huaj) e ka mbërthyer për zemre problemin. Ai, e ka zbërthyer pastaj saktë e vërtetësisht dramën e gjakmarrjes. Dialogjet janë të vërteta, personazhet janë të vërtetë. Madje, në gegnisht! Kjo nuk ndodh prej shumë vitesh në filmin shqip.

Puna që regjisori ka bërë me aktorët e rinj amatorë, (thonë që ka marrë në audicion mbi 3000 të rinj të shkollave të veriut) është e lavdërueshme. Ai ka sjellë dy portrete të vërtetë e të dashur: Nikun (Tristan Halilaj) dhe Rudinën (Sindi Laçej).

Më pëlqen mënyra sesi ngjarja fillon, me dy gurë në rrugë, me një karrocë me kalë. Dramat tona kombëtare fillojnë përherë kështu: përse më zure rrugën.

Më pëlqen dinamika e fillimit, e prerë, e ngushtë: burrat ngacmohen në lokal, dhe tensioni ngrihet. Ndodh vrasja për shkak të atyre gurëve, dhe aty fillon drama për Nikun e Rudinën, të dy të burgosur – Niku nuk del dot më nga shtëpia, Rudina nuk shkon dot më në shkollë, se detyrohet të bëhet burri i shtëpisë.

Regjisori përpiqet të na japë dramën e Nikut të mbyllur, që kërkon me çdo kusht zgjidhjen, qoftë dhe duke ‘shitur’ babën, por, çuditërisht, publiku del i dashuruar me Rudinën. Kjo, sepse – dhe ky është një nga problemet e filmit - Nikut nuk i ndodh thuajse asgjë, Rudinës ‘i ndodhin’ gjëra. Nja dy krisma, nja 2 momente simpatike me shtangën e me celularin, por, në thelb, përveç bisedave ‘si t’ia bëjmë’, ‘ç’thotë kanuni’ e ‘nuk na duhet një ndërmjetës’ nuk ndodh thuajse asgjë. Është thjesht monotonia e zymtësia e të qenit i ‘ndrymë’. Por, jo gjithmonë kjo zymtësi mund të jetë artistike. Gërvishtja e murit, nuk mund të quhet as ngjarje, e as gjetje, nga pikëpamja e origjinalitetit. Filmi është një ngjarje e pasqyruar saktë, por, mbetet një ngjarje që nuk ka ndonjë gjë të veçantë.

Filmi, del nga monotonia e merr një ritëm dramatik të bukur që nga momenti i arrestimit të babës. Më tej, filmi është emocionues, të mban pezull, dhe pjesa e ballafaqimit me gjakësin është një moment i mrekullueshëm, i fortë, intensiv, me dialog të saktë e ndjeshmëri të lartë nga aktorët. Aty, del në pah vlera e regjisorit. Pa folur për cilësinë e xhirimeve, fotografisë, audios e skenografisë. Cilësi maksimale.

Kjo, nuk ka sesi mos të të gëzojë kur e sheh në ekran të madh. Një katund i Shkodrës në ekranet e botës, dhe i xhiruar bukur!

Kanunar, rimon me katunar

Ndërsa fillon filmi, njëra te rreshti para, nga ata që në film vijnë për të ngrënë më shumë se për të parë art, me dhjetëra qese e kanoçe ndër duar, pyeste me zë të lartë, ‘a është i përkthyer në anglisht’. Medemek, kemi nevojë për titra në gjuhë të huaj për të kuptuar gjuhën e ‘këtyre malokëve’.

Filmi është i tëri në dialektin gegë, çka, rrit vlerat e regjisorit, sepse ta bësh një film të vërtetë në gjuhë të huaj e për më tepër në dialekt, është një sipërmarrje shumë e madhe dhe me rrezik. Aq më tepër, kur flitet për një temë pak të njohur në botë.

Kjo, do tia heqë shanset që ngjarja të mund të rroket nga publiku botëror, që besoj se do ketë nevojë për më shumë sqarime paraprake për të kuptuar ç’është ky Kanun, e ç’është kjo Besë, e ku ndryshon kjo gjakmarrja nga hakmarrja e zakonshme.

Filmi vlen për tu parë, qoftë dhe për të kuptuar realisht ç’dramë ka në një familje të ngujuar. Kjo dramë, siç e thashë, është pasqyruar me shumë besnikëri. Mbase, më me besnikëri se sa duhej.

Ky është dhe problemi i filmit.

E ashtuquajtura gjakmarrje ndodh prej 20 ,vjetësh pak orë larg Tiranës, por, pak kujt i intereson më. Ajo është aty. Nuk është e mirë. Është, e ke-qe! Por, kjo nuk është shtysë që të shohësh një film me të. Nuk ka gjë të re.

Mua nuk më pëlqen filmi, për të njëjtat arsye që nuk më intrigojnë historitë me gjakmarrje. Janë të tëra gatin njësoj, dhe, përveç vuajtjes së njerëzve të përfshirë dhe anomalisë sociale që përfaqësojnë, nuk kanë asgjë që të më bëjë të kthej kokën. Marston, e pasqyron shumë saktë realitetin, ‘si të ishte një dokumentar antropologjik’ thoshte një producente gjermane në Sarajevë pasi e pa, ‘por, një dokumentar i varfër në detaje artistike’. Ajo çfarë e bën një film ‘të madh’, është një penelatë më shumë, një detaj artistik më shumë nga ai që na jep realiteti i thatë. Këto, mungojnë. Historia e treguar vjen e vërtetë, e saktë, gazetareske, por i mungojnë ato penelatat që e bëjnë autentike, ndaj nuk ka gjë të veçantë për ti ofruar publikut.

Jo, të paktën atyre që të nominojnë për Oskar.

Oskari i munguar

Më trishton debati në lidhje me caktimin e Faljes së Gjakut për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oskar. Më trishton, në shumë aspekte. E para, që është shkelja e dukshme e kritereve e që është trajtuar në media. Siç vinte në dukje Elsa Demo në një shkrim të kësaj jave te Shekulli, filmi u zgjodh të përfaqësohej për të njëjtat motive që u zgjodh të mos mbështetej në fillim të prodhimit nga Qendra. Ky film, e thënë me zemër në dorë, përveç historisë e aktorëve, nuk ka asgjë shqiptare. Produksioni është tërësisht i huaj, paratë janë tërësisht të huaja, ideja e filmit është tërësisht e Marstonit, aktorët profesionistë janë gjysmat shqipfolës të jashtë kufijve, muzika (origjinale) e huaj… Ne kemi një gjysmë skenari (gjysmën e dytë, madje), një katund e ca aktorë amatorë që kanë dalë në një film… E kjo, jo për meritë të ndonjë individi a institucioni shqiptar.

Trishtimi tjetër, më vjen prej ëndrrave të çuditshme për Oskar. Kjo, nuk është gara. Është turi para-eleminator. Fakti që ne po çojmë një film mes dhjetëra të tjerëve nga dhjetëra vende, nuk nënkupton kandidimin. Sigurisht, ky film ka gjasa më të mëdha se Amnistia, fjala që bie, meqë vjen prej një kompanie produksioni të fortë, e cila i ka ca mekanizma të fshehtë për ta shtyrë filmin fshehtazi sa më pranë vijës së startit. Në këtë aspekt, llogaritë janë ‘të sakta’. Me këto prurje që kemi, shanset për tu afruar sadopak te Oskari, mbase janë me këtë film. Por është shumë e trishtueshme, që, Shqipëria tenton të bëjë bujë në botë me gjëra që nuk janë të vetat.

Ne mburremi që kemi 2 Nobelistë shqiptarë, Nënë Tereza e ai burri i mjekësisë që zbuloi Viagrën, kur në fakt, ata janë në një përqindje shumë të vogël shqiptarë, e asnjëri nuk di shqip. (Vini re, që për të rikujtuar emrin e atij burrit, do më duhej të bëja guglim, e të zbuloja që quhet Ferid Fistëku). Ne mburremi me 2 aktorë Hollivudi, që prapë nuk dinë shqip, e Shqipëria në venat e tyre përzihet me shumë gjak tjetër.

Ne duam të marrim Oskar, duam Nobel, duam çmime, por kacaviremi me zor pas ca të huajve që nuk janë brumë Shqipërie! Le të marrë Oskar Xhon Belushi, por nuk mund të jemi krenarë, se ai nuk ka asgjë shqiptare. Nuk e kemi rritur ne, nuk ka thithur ajrin tonë, nuk ka marrë një pjesë tonën për ta futur në rolet e veta, sepse, ne nuk kemi qenë kurrë pjesë e jetës së tij, përveçse kur e paguam majmë për një reklamë. Po kështu Nënë Tereza, apo burri i Mjekësisë. Nuk janë tanët. Për fat të keq. Prandaj unë doja që ti jepej një shans Alimanit, apo qoftë dhe një tjetri, sado i keq, por, të paktën shqiptar prej vërteti.



Fund


Ikja e Nikut është prekëse. Edhe pse nuk e kam kuptuar kurrë, pse, një djalë që e ka lirinë të ikë, nuk ikën nga rrugae asfaltit, por ikën mes fushave. Na po shkon andej? Ngaqë ngjan bukur në kamera? Rri e shoh sfondin nga po ikën, andej s’ka asgjë. Kur, mu te dera e shtëpisë kalonte rruga, prej nga mund të ikësh në tërë botën.

Më duket se, sa të mbarojë xhirimi, ai do kthehet e të thotë, “uf, ngatërrova rrugën. Duhet të iki nga xhadeja”.

Monday, September 19, 2011

In Da Ghetto

botuar te Shekulli, e dielë, 18 shtator 2011


Gjatë vizitës në shtëpinë e një miku, u gjenda para një dere metalike. Miku, banon në një lagje të ashtuquajtur rezidenciale. M’u desh të sqaroja dashamirësisht rojen që më shihte me dyshim, se ku do të shkoja, kush isha e ç’punë kisha aty. Kur hyra brenda në lagje – dikur aty nuk ka pasur asnjë ndërtesë e fëmijët mund të loznin të lirë në një zonë të gjelbër atëherë jashtë qytetit – një tjetër burrë me uniformë më kërkoi që të zbatoja rreth-rrotullimin. Ishte ora 2 e natës, në lagjen e re me ajër të pastër nuk lëvizte asgjë, dhe ja ku është një njeri me uniformë jo-shtetërore që për mua s’do të thotë asgjë (roje private, e ndoshta pa asnjë tagër për të ruajtur rendin e as trafikun) por që unë i bindem pa fjalë. Është qesharake, se asnjë nga të dy burrat nuk ka të drejtë as të më ndalojë të eci në një rrugë të qytetit e as të më vërë gjobë për kundravajtje. Por, i gjendur përpara një realiteti post-urban iu binda të dyve.

Jemi në lagjet e reja të pasura të qytetit – rezidencializmi i ri urban. Ato zakonisht janë të qeta, qarkullimi është i kufizuar, kanë roje private, janë të rrethuara me mure e kangjella, nuk u mungon as uji e as dritat, kushtojnë një djall e gjysmë dhe ngjajnë me oaze paqeje, ku fryma e keqe e qyteti nuk depërton dot.

Këto lagje, si shumëçka në Shqipëri përfaqësojnë 3 elementë thelbësorë të tranzicionit tonë: të pasurit janë e ndjehen si kastë e mirëfilltë dhe ndarja e tyre është reale tashmë dhe fizike; ndarja manifestohet me pompozitet, me kangjella e roje private me uniformë, “show off” i domosdoshëm i pasurisë e forcës; Tirana ka kaluar tashmë në getizim.


Getoja e vjetër

Jetoj që kur kam lindur në të njëjtën lagje në periferi. Besoj, aty do jetoj gjithmonë. Unë e ruaj nostalgjinë për mikro-kozmosin që kanë krijuar lagjet shqiptare në vite. Mbaj mend që ngjitur me pallatin tim kishte lloj-lloj njerëzish, që nga gabelët e deri tek profesorët. Më pas, disa u bënë kriminelë me nam të lartë, disa të tjerë kapën majat e politikës.

Përjashto njerëzit e Bllokut komunist, që prapëseprapë nuk ishin dhe aq shumë, ne të tjerët jetonim në një bllok të madh jashtë. Si me thënë të tërë ishim të barabartë. Ai grupi i vogël më i pabarabartë se ne atje në Bllok, ishte i paperceptueshëm, gati-gati i fshehtë, asgjë nuk depërtonte jashtë. Pra, ishte si të mos ekzistonte. Përzierja e të tërë llojeve të njerëzve në një lagje, që nga punëtorët e deri te drejtorët e uzinave, i jepte diversitetin aq të nevojshëm lagjes e për rrjedhojë qytetit. Lagjet tona, ishin njerëzore.

Në 10-12 vitet e para të tranzicionit, kjo frymë u ruajt, kush mundi, bëri një shtëpi më të mirë në lagjen ku kishte lindur e rritur. Berisha 1, jetonte në shtëpinë e vjetër, Berisha 2 jetoi në një zonë në qendër, Berisha 3 e ka bllokuar rrugën para pallatit me roje e me blloqe sigurie. Edhe jeta e të tjerëve ka ndjekur pak a shumë këto etapa. Faktikisht, tani kemi “getot” e reja të të pasurve, lagjet rezidenciale apo fshatrat turistikë, ku nuk hyhet aq kollaj. Teorikisht janë tokë shqiptare, por faktikisht duhet të hysh me vizë.


Getoja e re

Problemi më i madh i Tiranës, është që e ke të pamundur të ndjehesh i pasur. Sepse, ti shkon në një lokal ku ke në plan të harxhosh pa masë, e aty të bie tavolina ngjitur me studentë që kanë para sa për një pije tërë natën, ose me emigrantë që kanë ardhur për pushime me para borxh. Ti ecën me makinën tënde luksoze në Bllok, por nuk bie dot në sy, sepse aty të tërë kanë makina luksoze, madje ka nga ata që e lënë parkuar tërë kohën se nuk kanë para për benzinë. Për të mos folur për ata që marrin Bentley me qera jashtë për t’u “hapur” për 2 javë këtu brenda. Pamundësia për ta ndjerë standartin e jetesës që ke ndërtuar e që je “ndryshe” nga shumica, si dhe nevoja për të mos u njehsuar me masat janë shtysa të forta për tu mbyllur brenda kangjellave të lagjeve të reja.

Frika, një frikë ndoshta jo shumë e justifikuar e të pasurve, i ka bërë që të kërkojnë izolimin brenda llojit. Nuk e di nga se kanë frikë. Mbase nga ajo që kanë bërë. Mbase nuk i besojnë më askujt. Ndoshta, kanë filluar të kenë frikë nga getot tona. Sepse lagjet e vjetra po kthehen në geto. Pasi i masakruan nga ana urbanistike për vite me radhë duke u marrë barin, lulishtet, kopshtet, kinematë, deri dhe trptuaret për ti kthyer në urbanicid, sot, vendosën ti lënë ashtu siç janë, madje dhe ti legalizojnë, dhe të ndërtojnë për vete geto ‘speciale’ në vende me ajër të pastër e larg smogut që vetë e shkaktuan në lagjet e vjetra. Getot e reja të të pasurve, afër detit ose afër mbretit.


Geto zezakësh dhe hebrenjsh

Hebrenjtë, lexova në Wikipedia krijuan getot e para, 500 vjet më parë, geto që ishin pranë mbretit, që të mos mund t’i sulmonte njeri. Ajo që po ndodh me krijimin e rezidencave të reja është që bërthama e vjetër e lagjeve, po vdes. Nëse më parë ti mund të kishe komshi Ismail Kadarenë, sot, ke komshinj vetëm hallexhinj të të njëjtit nivel si ty. Lagjet e vjetra që po kthehen ngadalë në geto monokromatike. Lagje, ku rrinë vetëm ata që nuk kanë mundësi të ikin. Ndarja sociale sa po vjen e bëhet më e thikët. Të pasurit, duan të rrinë vetëm mes të ngjashëmve, ndërsa të varfërit, ëndërrojnë një ‘colpo di fortuna’ që të ikin që andej. Meqë makina këtu te ne nuk e diferencon dot standartin e jetesës, këtë mund ta bëjë lagjia ku ti jeton.

Unë jam i pandjeshëm ndaj të pasurve, sido që ta kenë vënë pasurinë, dhe kam respekt të theksuar për ata që e kanë vënë vërtet me djersën e ballit. Por getizimi i tyre më pikëllon. Sepse, është shenja më e fortë që ata po kërkojnë divorcin, po kërkojnë divorcin nga pjesa tjetër e Qytetit. Ata, po e ndajnë Tiranën në dysh, në Tiranën e tyre dhe në Tiranën tjetër, të pisët, pa ujë, me pluhur, me qen rrugaçë e me hajdutë që të vjedhin celularin nga dora. Kjo, është shenja më e fortë për degradimin e këtij qyteti. Deviza ‘secili për vete’ tashmë është bërë moto jetese në Tiranë.

Sikur të mbyllurit në zona rezidenciale të zgjidhte hallet e një grupi njerëzish të pasur, do ta mirëkuptoja nevojën e tyre për t’u vetë-izoluar. Por, dyshoj që kjo nuk vlen në plan afat-gjatë. Kur në getot tona të periferive të vjetra të mbeten vetëm të varfërit, cilësia e jetës do të bjerë pikiatë. Grupet e dhunës e të malavitës do të shtohen e do të bëhen thelbi i jetesës aty. Konflikti social do të bëhet edhe vizualisht i qartë: populli këtej, paria andej. Nuk do të ketë shumë për të grabitur e vjedhur në lagjet e varfra, dhe krimi do të depërtojë te të pasurat. Nuk do ketë kangjella e burra të vjetër me uniformë që bëjnë sikur ruajnë rendin në rezidenca që t’i mbajë. Vetëizolimi i të pasurve në lagjet rezidenciale, vetëm se do ti ndërgjegjësojë shtresat e tjera që tashmë kemi klasa antagoniste. Dhe klasat antagoniste nuk kanë shumë mjete sociale a politike për tu marrë vesh, veç konfliktit.

Koncepti i vjetër i “lagjes” do të ndryshojë. Nuk ka më komunitet të larmishëm – ‘lagjia’, do të jetë damka e disave dhe fati i disa të tjerëve. Disa lagje do të prodhojnë krim. Disa të tjera prenë e krimit. Bashkia, që mezi zgjidh hallet e tanishme do të gjendet përpara kënetave sociale që nuk mund të thahen angari me të burgosur. Bashkia, dhe kjo nuk ka nevojë për lexues falli për ta kuptuar, do të mbajë anën e atyre që kanë pushtetin ekonomik.


Bashkia e getove

Që tani, thuhet që Unaza e Madhe, apo “Diagonalja e Karfurit” siç e quan Klosi në një shkrim dje te Shekulli, po ndërtohet për t’u ofruar akses të standartit të lartë lagjeve rezidenciale jashtë qytetit. Ndërkohë që një pjesë e mirë e tiranës së vjetër vazhdon e vuan për ujë. Fondet tona që shkojnë në të mirë të një grupi që është ndërkohë i privilegjuar, dhe me standart jetese mbi normalen. Ky është vetëm fillimi.

Do më kish pëlqyer që kur të bëhej ai plani urbanistik i ri i Tiranës, të kishim parë pak kontot bankare të “intelektualëve” që ulen aty në podium. Unë nuk besoj që ata që janë vetë brenda mentalitetit rezidencial të bëjnë një plan që të shuajë disnivelet në cilësi jetese midis lagjeve. Unë kam frikë, se çdo plan urbanistik do reflektojë getizimin e mëtejshëm. Unë dua që plani urbanistik të rikthejë bërthamën e vjetër të konceptit të “lagjes” në Tiranë. Unë dua, që Tirana të jetë e jetueshme për të gjithë.

Për momentin ajri është më i pastër në zonat rezidenciale. Por, siç e kam thënë dhe diku tjetër, ai jaër nuk mund të mbetet i pastër për shumë gjatë. Ajri i periferive tona të pista e të varfëra do tu shkojë shumë shpejt te kangjellat, e s’do të mund të hapin as dyer. Qytetet, zhvillohen si e tërë, e jo si copëra torte. Sepse, qytetet nuk hahen. Ato, jetohen. Dhe, jetohen të tërë bashkë.

Cilësia e një qyteti, nuk matet me lagjet e veta të pasura, por me lagjet e veta të varfëra. Ndaj dhe Tirana, vlen sa Kodra e Priftit. Por, për këtë nuk i bëhet vonë askuj. Por,kjo s’do të thotë që ata që jetojnë në ‘Kodrat e Priftëve’ nuk do e dinë, apo nuk do e kuptojnë. Herët a vonë.

Monday, September 12, 2011

Furgoni me fëmijë drejt greminës

botuar te Shekulli, e diel, 11.09.2011 Donald Kokona, aktori i vogël i “Taulanti kërkon një motër” në një intervistë të para disa ditëve te Shekulli, lëshoi një frazë që mund të perifrazohet kështu: “Në atë kohë, kishe besim te shteti, edhe kur ta merrte fëmijën me furgon”. Kjo frazë vinte në kuadrin e rrëfimit që në moshën 4 vjeç e gjysmë, një furgon i merrte në kopësht, i çonte në Kinostudio për prova e prindërit nuk dinin gjë. Më vonë e morën vesh që djali luante në film. Pyetja që më lindi duke lexuar këtë rrëfim, ishte: pse shtetarët e sotëm që janë rritur në shtetin e djeshëm, kanë krijuar këtë farë shteti ku mund të kesh besim edhe te mafia, por jo te vetë shteti? Shteti i djeshëm Nuk është krejt ashtu si në kujtimet e Donaldit. Më kujtohet që im atë nuk shkonte të më bënte analiza gjaku sepse një thashethem që qarkullonte thoshte që u merrnin ilegalisht gjak fëmijëve për t’i bërë transfuzion Enverit, në atë kohë të sëmurë rëndë. Si në përrallat me vampirë, duhej gjak i njomë fëmijësh. Kjo, mund të mos ketë qenë e vërtetë. Por, fakti që ky thashethem qarkullonte tregon që kishte njerëz që ngrinin dyshime mbi sistemin. Madje, duhej të kishte dhe të tjerë që, ndryshe nga im atë, kishin informacion të saktë nëse gjaku i foshnjeve të shqiptarëve merrej ilegalisht për të mbajtur në jetë diktatorin. Rrethi i parë i parajsës ishin ata që mund ta merrnin informacionin të saktë, pastaj rrathët e të tjerëve ku mund të depërtonte thashethemi. Në nivele të tjera, shteti i djeshëm ishte tepër i sigurt. Fëmijët luanin tërë ditën rrugëve, shkonin deri në cepin tjetër të qytetit e mund t’i lije të qetë pa merak. Në shkollë mund të hanin dru, por ishe ti që inkurajoje mësuesen: “e ke lejen nga mua, po bëri zhurmë, këllcitja!”. Sepse, institucioni ishte edukatori ligjor. Ishte shteti. Vras mendjen, kush nga mësuesit do guxonte t’ia këllciste qoftë dhe me leje, nipave a mbesave të Enverit? Pra shteti i djeshëm kishte dy standarte. Atë për masat, dhe të për rrethin e parë të parajsës. Disa kishin besim te shteti e i çonin fëmijët për analiza gjaku. Disa, nuk i çonin se kishin informacion. Këtu ridel pyetja, kush në atë kohë kishte informacion? Shteti i sotëm Shtetin e sotëm e kanë ndërtuar ata që kishin informacion në shtetin e djeshëm. Ata që kishin mundësi ta merrnin vesh nëse vërtet foshnjeve u merrnin gjak për transfuzionin e një plaku të sëmurë. Nëqoftëse nuk ju kujtohen, Bledi Mane do ketë mirësinë t’jua kujtojë emrat ndonjë ditë. Janë ata që e dinin më mirë se kushdo që ky shtet është i sigurt, si për fëmijët e për të rriturit, por, POR, deri në një farë mase. Dhe “masa”, është problemi. Asnjëherë, askush, në atë shtetin “tjetër” nuk e dinte cila ishte masa: si mund të matej niveli i sigurisë që mund të përfitoje. Deri ku, fëmija yt ishte i sigurt?! Fëmijës nuk i ndodhte gjë në kopësht. As në rrugë. Por, fëmija mund të shndërrohej në leproz brenda natës, nëse do të kalohej me ose pa e ditur masa e panjohur e peshores së sistemit. Në fakt, më shumë se peshore, ai sistem ishte një barrë në kurriz. U thyeve, ike. Ti dhe fëmijët e tu. Çështje “mase”: Deri në ç’masë… Masa ishte shija e diktatorit. Masa, nuk ishte racionale. Më kujtohet rrëfimi i një zonje (ish-valltare në Ansamblin e Shtetit), që më pat thënë, deri sa isha 40 vjeç, jetuam të lumtur. Pastaj, ferri… një grup njerëzish ia arritën të mbijetojnë. Ata nuk mundën të ndërtojnë as vetë koncepte racionale për atë shtet. Nuk arritën t’i jepnin logjikë. E vetmja gjë që mundën të bënin është që me instinkt, me hipokrizi, me djallëzi, me zgjuarësi a me pak fat, të mbronin fëmijën e tyre nga transfuzioni. Dhe të mbijetonin edhe vetë. Pa u thyer nga barra. Duke ia ngecur barrën të tjerëve. Vazhdoj të flas për shtetin e djeshëm, kur te kreu i këtij paragrafi u nisa të shkruaja për shtetin e sotëm. Pa merak, nuk ka shumë ndryshim. Madje më keq. Shteti i djeshëm gamën e sigurisë e kishte pak më të gjerë. Dhe rrethin e parajsës së abuzuesve “të informuar” e kishte më të ngushtë. Nëse dje kishte të internuar që varnin veten sepse nuk i mbijetonin dot kushteve të renda të internimit, sot, në të njëjtat zona e fshatra, ka njerëz që varin veten se nuk përballojnë dot jetesën e borxhet. Nëse dje kishte një zonë që quhej Bllok, ku jetonin të pasurit, sot ka një rrugë pas Ambasadës maqedone që ruhet me roje njësoj si blloku, aty ku jeton familja e Kryeministrit. Nëse dje mund të të pushkatonin si armik të Partisë edhe po të ishe Ministër, sot të hedhin në erë në mes të qytetit edhe po të jesh gjykatës. Madje, dje, fëmijët mund t’i merrnin nga çerdhja me furgon, dhe ti të mos kishe merak, sot, po ta morën me furgon, fëmija mund të mos vijë më. Dje, të paktën fëmijët ishin të lirë të luanin, siç thotë edhe Donaldi. Sot, nuk luajnë dot më. Nuk luajnë dot më se, ose do i shtypin makinat që i shkelin çdo rregull qarkullimi duke mbajtur një tabelë polici në kroskot, ose do t’i fusin në fuoristradë luksoze, e ti nuk do e shohësh më. Dje, një diktator kishte nevojë për gjak fëmijësh për transfuzion. Sot, qindra mijëra njerëz në botë janë gati të blejnë një veshkë fëmijësh shqiptarë për fëmijën e tyre. Krejt shteti i sotëm, është ndërtuar mbi një padrejtësi sociale. Kanë aplikuar “masën e djeshme” të fshehtësisë së informacionit, të dhunës së shtetit, të abuzimit të të pushtetëshmve, mbi të njëjtin grup njerëzish që kishte besim te siguria e shtetit të djeshëm. Janë të njëjtët njerëz që vuajnë thundrën e shtetit të ri. Kanë ndërruar vetëm sloganet propagandistike. Shqipëria, nga “fanar ndriçues i socializmit” është kthyer në “Zvicrën e Ballkanit”. Dhe, për hir të konjukturave teknologjike, ka nevojë që rrethi i “të informuarve” të jetë ca më i gjërë. Nuk do isha marrë shumë me shtetin e sotëm, sikur të mos jetoj nën terrorin e idesë se si do jetë shteti i së nesërmes. Shteti i nesërm Rrethi i “të informuarve” të sotëm do të ndërtojë shtetin e së nesërmes. Të informuarit e sotëm janë ata që e dinin historinë e bllokut të Metës që para se ta merrnim vesh ne, që gjendemi në rrathët e ferrit. Nuk është vetëm një bllok. Ka shumë blloqe për të cilat maksimumi na vjen informacion vetëm në rrathë thashethemi. Problemi i shtetit të nesërm, do të vijë ngase shteti i sotëm e ka rrethin e “të informuarve” shumë të madh. Për të marrë një metaforë nga “Ferma e Kafshëve”, ka më shumë derra sesa ushqim. Masa – e famshmja “deri në një farë mase” e kohës së Enverit – është prishur më tej. Babëzia që dje fshihej nën petkun e “Dhomës së Pritjes”, sot justifikohet me të ashtuquajturën “ekonomi tregu”. Shteti i së nesërmes nuk do ketë ndryshim. Do të jetë si i sotmi, por më i sofistikuar. Do të ketë të aplikuara metodat e Enverit me teknologjitë kapitaliste. Propagandën enveriste me TV kombëtare. Paranë e pisët me favoret shtetërore. E sheh? Jam nisur të flas për shtetin e së nesërmes, por vazhdoj të flas për shtetin e Enverit, atë të djeshmin. Nesër, i vetmi ndryshim do jetë te rrethi i “të informuarve”. Ata që e dinë se fëmijëve do u merret gjaku për të mbajtur në jetë vampirët. Ky rreth po zgjerohet – në shtetin e së nesërmes do të jetë aq i madh, sa nuk do shkojë asnjë fëmijë për të dhënë gjak. Duke e marrë si metaforë, vampiri do të vdesë ose do të plasë lufta. Imagjinoni që shtetin e së nesërmes do të pretendojnë ta ndërtojnë këta që kanë qenë pjesë e që keqes, e korrupsionit, e abuzimit, në këtë shtet sot. Ata e dinë ç’po ndodh sot, më mirë se ne. Ata, janë të “informuarit”. Ata që edhe në këtë shtet ia dolën mbanë falë djallëzisë, intrigës, dhunës, korruptimit, hipokrizisë, konformizmit e më rrallë fatit, me forcën e parasë e të miqve, me mbështetjen e krimit e të injorancës. Ata që ndryshe nga ne poshtë, e dinë ç’po ndodh. Furgoni po vjen të marrë fëmijët në kopësht Lexoj grafittit në periferi të Tiranës, “Welcome to Saligrad”. Më duket gjetje interesante. Më vjen edhe për të buzëqeshur. Por, nuk dua ta identifikoj shtetin me një person, qoftë dhe ky një Kryeministër që e ka kthyer rrugicën e shtëpisë së tij në një bunker të Gadafit. Ndryshe nga shumë njerëz që duan ta identifikojnë (ose ashtu e perceptojnë) të keqen tek një person, e keqja matet me rrathë, jo me pika. Ka rrathë të të keqes, siç ka rrathë të ferrit. Madje, Dantja vetëm Ferrin kishte me rrathë. Ngrehina e ndërtuar mbi këta rrathë do të shembet, herët a vonë. Furgoni i shteti mbledh akoma fëmijë. I mbledh dhe i kthen në ushtarë të Saligradit. Po të kisha fëmijë, nuk do e hipja në atë furgon, sado besim të kisha te ky shtet. Shpëtoni fëmijën tuaj.

Sunday, September 4, 2011

Njeriu me Toyota

Botuar te Shekulli e diel, 4 shtator 2011

Një pasdite me zheg prisja në semafor me fakirë të tjerë të këtij vendi, ndërsa një polic kruante kurrizin me tabelën e qarkullimit pak më tej. Edhe policët e vuajnë zhegun. Në të tilla raste, argëtimi i vetëm i atyre që presin të dalë jeshilja është të shohin sesi ata më trimat kalojnë me të kuqe pa ua bërë “tërrt” syri. Trimat janë trima edhe kur në semafor ka polic. Me të kuqe kalojnë makinat e “rënda”, BMW-ra luksoze apo makina me targa të huaja, tek tuk edhe ndonjë makinë me targa LA. Po të isha polic, nuk do të doja të ngatërrohesha me asnjërën nga këto kategori.

Por, dhe polici po të ishte unë, do të kishte marrë zemër për t’u futur me të kuqe menjëherë pas tyre, me shpresën se kur kalojnë 2-3 makina, uniforma e trafikut nuk ka ç’të të bëjë… ti je në një vargan të udhëhequr nga ato “të rëndat”. Deri këtu është thjesht një skenë banale që ndodh çdo çast në Shqipëri. Jo çdo orë, por në çdo moment, dikush po kalon me të kuqe edhe kur aty pranë qëllon ndonjë polic. E veçanta e rastit tim është një makinë Toyota. Shoferi i Toyotës, priti kur polici e kishte kokën në anën tjetër dhe rrëshqiti si ngjalë me të kuqe. Njeriu që i jepte makinës është interesant. Po e quaj Burri Me Toyota.

Semafor pas semafori

Gjithmonë pyes veten ç’kuptim ka që njeriu të kalojë me të kuqe, kur do të bllokohet në semaforin tjetër. Qejfi për të thyer rregullin, fakti që s’rrimë dot në një vend, iluzioni se po fitojmë kohë për atje ku do të mbërrijmë, kur në fakt fitojmë vetëm 2 minuta për të vrarë në kafe 2 orë, mund të jenë disa nga arsyet. Në semaforin tjetër, mbërrita ngjitur me Burrin me Toyota, dhe këtë rradhë e pashë dhe në fytyrë. Dukje djalë i mirë, i krehur e i larë, dëgjonte dhe muzikë trendy. Nuk kishte lidhje me qafëleshët e qafëpalarët. Toyota, ndonëse fuoristradë, prapë nuk hyn te makinat me të cilat mund të “hapesh…” rrugëve. Është një makinë me të cilën mund të prezantohesh mirë, që të bën shërbime të mira, dhe që nuk bie as shumë në sy. Është dhe një makinë që tregon që ke para, por nuk tregon medoemos
që ke shumë para. Burri me Toyota, është njeriu i ri shqiptar. Përtej mafiozëve, përtej të fortëve, përtej debilëve që drejtojnë dikastere, përtej familjarëve arrogantë e militantëve vandalë.

Burri me Toyota, e ka kuptuar si funksionon. Ai është i famshmi “P….s….”, njeriu që e respektojnë të gjithë. Ai ka para, ka njohje, shijon jetën dhe nuk i del emri për mafioz në gazeta, prandaj ndryshe nga shumë të tjerë, e shijon jetën i qetë. Burri me Toyota është kandidati për dhëndër që çdo prind do donte. Dhe jo vetëm se ka një makinë të mirë. Ai ka shumë më tepër.

Si e ka blerë Tojotën?

Tani, duhet thënë që ca marifete të vogla i ka bërë. Pavarësisht nga profesioni që ka, nëse punon në shtet apo privat, ai e ka gjetur mënyrën për të bërë para si pa u ndjerë duke shfrytëzuar kaosin e madh të sistemit. Diku ka ndërmjetësuar, diku ka marrë një përqindje,
diku ka hyrë mik, diku ka ndihmuar, diku merr honorare, diku është në një bord… Diku mund të ketë një shoqatë, diku mund të ketë pjesë në një biznes. Ai është një mekanizëm ndërmjetës i informalitetit në këtë vend, dhe nuk është as ai që e shpiku sistemin, as ai që po abuzon dhunshëm mbi të. Është ai që mbledh ca benefite që në një sistem tjetër funksional nuk do të mund ti merrte. Toyota e tij nuk e justifikon rrogën që merr, por, ai nuk i vjedh kujt… të paktën jo në xhep e jo me dhunë. Ai thjesht ka mësuar si funksionon ky shtet, dhe po ngjyen nga pak gishtin. Ai ka identifikuar ku është paraja e vogël, sa për të bërë një jetë borgjezi mbi mesataren, me pushime evropiane, me shoqëri të mirë ku tregohet hovarda, me rroba të zgjedhura të blera jashtë, me një shtëpi në zonë rezidenciale, me një qen e një Toyota. Atij nuk do i vijë rradha kurrë për tu gjykuar.

Në këtë vend grabitqarësh e hijenash, ai të paktën nuk i ka bërë dëm askujt. Ka vjedhur nga pak, por pa dëmtuar askënd drejtpërdrejt e dhunshëm, dhe e respektojnë të gjithë. Ka vjedhur nga pak… sa për të blerë një Toyota. Pse e duan thuajse të gjithë? Në momentin që ke mësuar se si funksionon, di dhe se çfarë duhet bërë. Pak hipokrizi e servilizëm diku, ti buzëqeshësh edhe njeriut të pavlerë por nga i cili mund të nxjerrësh diçka, të shkelësh me këmbë me stil ata që janë poshtë, të shkelësh mbi kufoma po pa bërë pis pantallonat Massimo Cerrutti, të kesh një batutë për të gjithë, dhe të tërë të thonë “Çfarë çuni!”, edhe ata që me stil u ke futur një bërryl.

Në një vend ku dikur të jepnin nuse vetëm po të sillje dëshmi që ishe hajdut i aftë, nuk është çudi që Burrin me Toyota e duan të gjithë. Merita e tij është që të mos ngjall zili ekstreme, por vetëm respekt. Prandaj, me zgjuarësi kufizohet te një Toyota, edhe pse mund të kishte blerë dhe një BMW. Ai dhe policin nuk e respekton, por as nuk e ngacmon. Nuk ka qejf të merret me të e as të përballet, ndaj pret që polici të kthejë kokën matanë që të kalojë vjedhurazi, buzagaz. Si shumë gjëra të suksesit të vet.

Me kë do martohet?

Disa e kanë në punë, në rrethin e njohjeve ose në shtëpi një Burrë me Toyota. Mund ta kenë shef, koleg, ish-shok shkolle (që përherë kujtohet për kafe – është tip që i ruan lidhjet) mund ta kenë dhe të dashur. Mbase nuk ka Toyota, por një Kia, Skoda, ose dhe Citroen. Mbase dhe një Mercedes të thjeshtë. Ai mund të ketë dhe shkollë, por nuk i vë të tjerët në siklet me shkollën e tij. Mund të ketë mbaruar
juridik, ekonomik, ose politeknik, që jo me doemos ka lidhje me punën që bën. Shkolla, si çdo gjë, është mjeti për të arritur te “Toyota”.
Burri me Toyota është i këndshëm, i pëlqen të bëjë jetë të mirë e të ketë shoqëri të ngritur. Kjo ka shumë rëndësi! Ka rëndësi të të shohin me kë rri – çështje standartesh. Në celularin e tij ka dhe ndonjë emër zv-ministri a drejtori të lartë, jo se ai ka ndër mend ta telefonohjë, por, është një listë telefonash që të jep siguri. Ai do e kalonte me të qeshur një polic që e ndalon, sepse i pëlqen ti kapë mizat me mjaltë.
Por, s’do të ngurrojë të përmendë emrin e rëndësishëm që njeh, po qe se polici ngul këmbë për atë gjobën. Gjobë? Jo atij! Ai, ndonjëherë, sidomos kur është shumë në qejf, edhe ndalon për të lënë të kapërcejë rrugën një grua me karrocë fëmije ose një vajzë e bukur. Di të jetë edhe europian (me raste) në timonin e Toyotas.

Sigurisht, shoqërinë e zgjedh që të ketë vlerë: rrethi në të cilin rri të jep edhe ty vlerë. Jam akoma në dyshime, nëse është tip që jep borxh kollaj, apo jo. Mbase, është tip që të jep pak lek borxh, dhe vetëm një herë. Kujdeset të zgjedhë një vajzë të mirë, dhe sigurisht të paraqitshme. Të paraqitshme, sepse ashtu e ka edhe Toyotën. Jo rrallë, shefat të respektojnë dhe për gruan që ke në krah. Një plus më shumë. Pastaj femrat e nuhasin burrin që jep siguri, ndaj ai nuk do vuajë për të zgjedhur një grua vërtetë të mirë. E vërteta është, që ai mund ta mbajë një grua në pëllëmbë të dorës dhe të rrisë fëmijë që s’do tu mungojë asgjë. Për kë voton? Ai voton për atë që i leverdis. Sigurisht, nuk mungon së thëni nëpër tavolina (si ta kërkojë ambienti): “Berisha e ka qelbur fare”, por ajo që thotë nuk ka lidhje se për kë voton. Ai voton aty ku ka lidhjet, miqësitë, opsionet për të bërë paratë ekstra. Ai bën favor me votën sepse nuk është i ngurtë dhe vota nuk paraqet përveçse një mjet fundja, “kështu funksionon”!

Pse voton aty ku ka interes, nuk mund ta paragjykojmë. Cosi fann’ tutte! Por, nëse vota e qafëleshëve, militantëve e të fortëve nuk ka për të pasur ndryshim, vota e tij është fluide. Ai nuk do votojë kurrë idealistët, por interesat. Nëse qafëleshët, militantët e të fortët mund dhe mos të shkojnë të votojnë pikërisht se janë të ngurtë, ai do të votojë përherë. Dhe vota e tij do jetë për të ligën e rradhës. Burri me Toyota shërben si vitrinë e një shoqërie të re e të lumtur, të suksesëshme e arriviste. Nuk është krejt ashtu. Ai është i ri, i lumtur, i suksesshëm dhe arrivist – justifikimi më i mirë i një shoqërie në thelb të kalbur. Sa herë të ankohemi, do na tregojnë atë si model. Do na bëjnë të ndjehemi të paaftë që nuk jemi si ai. Shoqëria, sipas modelit të Burrit me Toyota (do na thonë) funksionon shumë mirë, jemi ne që s’dimë të përshtatemi. Ne, që nuk jemi “P… s…”. ja, shiko atë. Çfarë çuni!

Semafori i fundit

Kur u ndamë në rrugë të ndryshme, ai me muzikën e tij trendi, unë me ato të vjetrat, që s’i hyjnë në punë njeriu. Krahasuar me shumë gjëra të shëmtuara në këtë vend, Burri me Toyota është e keqja më e vogël. Por, është një e keqe që do rrijë gjatë. Të fortët, autokratët, qafleshët, një ditë do zhduken nga panorama sociale. Ai jo. Ai është produkt i sistemit. Prandaj, është garnitura e sistemit dhe justifikimi i tij. Burri me Toyota do formatojë tërë sistemet që do të vijnë. Sepse, sado çun i mirë, ai nuk ka në plan të humbasë statusin e vet, prej “Burri me Toyota”. Prandaj, armiku i vërtetë i lirisë dhe drejtësisë nuk janë të fortët, autokratët, qafleshët, sepse ata janë të përkohshëm, por ai, Burri me Toyota.