Showing posts with label koloreto cukali. Show all posts
Showing posts with label koloreto cukali. Show all posts

Monday, October 13, 2025

Qyteti pa Patina

 Botuar te Piranjat.al më 13 tetoor 2025

1,

Kam pasur dy aksidente me skuter. Në asnjërin nuk kam pasur faj. As unë, as ndonjë tjetër. në të dy rastet fajin e ka patur shteti. Herën e parë, në rrugën Hoxha Tahsim, ishte një gropë thuajse e padukshme në mes të korsisë së biçikletave. Jo e madhe, por e mjaftueshme. Mjaftueshëm për të më hedhur përtokë. Ndihmën e parë e mora nga shitësi i dyqanit pranë. "Te kjo gropë bien 2-3 skutera në ditë", më tha, duke më kontrolluar kokën për dëmtime si një mjek i sprovuar. "Nuk ke nevojë për urgjencë, më tha" Më uli brenda dyqanit, më solli ujë, më la të qetësohem. Ishte bërë ekspert i përplasjeve.

2. 

Herën e dytë, ishte një hekur që dilte nga një kunjë betoni në mes të trotuarit, diku përballë Maternitetit të Ri. Po ecja në trotuar, sepse aty ishte krijuar një zonë për këmbësore e biçikleta bashkë. Kunji i hekurit me ngyrë gri, ishte mimetizuar me trotuarin. Ndërsa u ula të merrja veten, i thsashë pronarit të tavolinave aty ngjitur: “Pse nuk vë një saksi me lule aty ku është kunji, që të mund ta shohim?” “S’më lë Bashkia tha”. Ndërsa zhvillohej kjo bisedë, një zonjë e vjetër u pengua tek e njëjta kunjë dhe u sakatua.

3. 

Dhe pastaj vjen një ministre e re, që ka vendosur të na rikondfimojë që (ky) shteti nuk të zgjidh hallet, por vetëm të vështiëson jetën. Sipas saj "991 raste të raportuara nga urgjenca janë më shumë se sa mjaft për ta ndaluar menjëherë këtë risi të rrezikshme". Por, ministrja Koçiu nuk përmendi asnjë gropë. Asnjë kunj betoni. Asnjë rrugë të çertifikuar nga bashkia që në të vërtetë është një fushë mine për çdo mjet dyrrrotësh. As motoristët që ecin ekskluzivisht në korsitë e biçikletave. As mungesën e kaskave të sigurisë,  as infrastruktura që të dërgon në urgjencë. Skuteri.

4. 

Është e vërtetë që skuterat, sidomos kur përdoren nga minorenë janë problem jo i vogël në rrugë. sikurse dhe këmbësorët që të dalin përpara rrotës si fantazma, pa paralajmërim. Por, znj ministre, kamikaz është njeriu, jo mjeti. Sipas të dhënave zyrtare, viti 2023 u mbyll me 48 aksidente që përfshijnë monopatinat elektrike, me 31 të plagosur lehtë dhe 1 viktimë. NJË viktimë. Një jetë e humbur është një tragjedi - por a nuk vdesin dhjetëra njerëz çdo vit nga aksidentet me automjete? Ku është strategjia për të ulur këto vdekje? Ku janë fushatat për edukim? Ku është infrastruktura që mbron këmbësorin?

Nëse skuterët janë rrezik publik, atëherë makinat janë armë në lëvizje. Por për makinat, pse nuk del minstrija ti bllokojë derisa të shohën në ëndërr zgjidhjen? Sepse, ministrja nuk ka kurajë të merret me një problem thelbësor. Asaj makina i duket "normale", është "progres", është ajo që na ka dërguar këtu ku jemi: në një qytet të mbytuar nga trafiku, ku çdo mëngjes është luftë për të gjetur vend parkimi.

5. 

Vendimi u njoftua të dielën. Filloi të zbatohej të hënën.  Sot për nesër. Pa paralajmërim. Pa alternativa. Mijëra njerëz u zgjuan, u veshën, dhe në vend që të nxirrnin skuterin nga shkalla, u detyruan të nxirrin çelësat e makinës.

Në një qytet ku autobusi vjen kur të dojë dhe as motori s'bën më punë për shkak të trafikut, skuteri ishte shpëtimi i fundit i qytetarit që donte të mbërrinte në punë në kohë. Tani, edhe kjo u ndalua. Jo gradualisht, as me një periudhë tranzicioni kur njerëzit do mund të organizonin jetën. Por menjëherë, sikur të ishte shpallur gjendje lufte. Sepse, Qeveria shqiptare ka një metodologji të qartë për ushtrimin e pushtetit: arrogancën.

6. 

Por, pse tani? Përvoja na ka treguar që gjërat në Shqipëri ndodhin për dy arsye: Një, kur Kryeministrit i pret një skuter rrugën dhe jep urdhër të zhduken skuterat; Dy, kur dikush ka një ide sesi mund të bëjë para nga skuterat. Dhe si përherë, merret një vendim nga asgjëja.

Vendime si ky, që prekin jetën e mijëra njerëzve merren pa konsultim, pa studim, pa një takim të vetëm me palën e prekur, me ata që do ta vuajnë pasojën. Është një lloj krenarie qeveritare: "Ne (lexo: Ai) e dimë më mirë. Ju duhet të bindeni."

7.

Nëse problemi ishte vërtet siguria, zgjidhja nuk është ndalimi por rregullimi: patenta e detyruar, regjistrimi i mjetit, gjobat, dndalimi e sekuestrimi për shkeljet, rrugët e dedikuara. Por kjo kërkon punë, vizion, menaxhim. Kjo kërkon që dikush në qeveri të merrte përgjegjësi për cilësinë e rrugëve, për gropa që hedhin njerëz përtokë, për kunja betoni që dalin si kurthe në mes të qytetit. Ndërsa ndalimi kërkon vetëm një urdhër. Një konferencë për shtyp. Një shifër (991) që kur e sheh të tingëllon shqetësuese, por që askush nuk e vendos në kontekst.

8.

Gjëja më interesante në gjithë këtë nuk është akti, por heshtja. Ne jemi mësuar me një qeveri që kujtohet për ne një herë në katër vjet, tani edhe pa premtime, e pastaj zhduket. Që nuk e konsideron veten përgjegjëse për dramat që shkakton. Që nuk kërkon falje kur vendimet e saj lënë njerëz pa punë, pa mënyrë për t'u lëvizur, pa mundësi për të planifikuar jetën. Gjëja më interesante është heshtja. Mijëra njerëz ëq preken nga ky vendim, përfshirë mua, dhe heshtin. Zemra do na e donte ti mblidhnim skuterat në bulevard, me mijëra, e tia linim aty Kryeministit, në protestë. Në vend të kësaj, heshtja.

9.

E hëna erdhi dhe iku. Asnjë protestë. Asnjë zë që të thoshte: "Kjo nuk është e drejtë." Qyteti u zgjua, pa një prej mjeteve të tij të lëvizjes, dhe thjesht... u përshtat.

Ky është nënprodukti më i rëndë i gjithë kësaj historie: geni i protestës që vdes. Kur mijëra njerëz preken nga një vendim arbitrar dhe askush nuk ngre zërin, kur reagimi ynë ndaj padrejtësisë është vetëm një përpjekje e heshtur për t'u përshtatur, atëherë diçka thelbësore ka pushuar së qeni.

10.

Sa do të zgjasë ky ndalim? Aq sa zgjati ligji i duhanit (lexo: 1 javë). Skuterët do të zhduken nga bulevardi, por do të shfaqen në periferi. Do të shmangin akset kryesore, do të lëvizin në zona ku policia nuk shhet kurrë. Sepse njerëzit kanë nevojë – dhe nevoja nuk pret legjislacion.

Qeveria do të shpallë suksesin, do të thotë se "ka mbrojtur qytetarët", ndërsa këta të fundit do të vazhdojnë të vuajnë në heshtje. Gropa te Hoxha Tahsim do të mbetet po aty. Kunja e betonit do të mbetet aty. Shitësi që është bërë ekspert i përplasjeve do të vazhdojë të japë ndihmë të parë.

11.

Megjithatë kjo nuk është një problem monopatinash. Është problemi i një qyteti që ka humbur të drejtën dhe guximin të zemërohet. Është problemi i një shoqërie ku kemi mësuar të hamë dru e të mbyllim gojën, ëq kemi rënë dakord për të heshtur, me idenë se pushteti bën çfarë të dojë, dhe ne thjesht duhet ta durojmë. Ne e dimë që protesta nuk ndryshon asgjë. E kemi provuar. Por edhe heshtja nuk ndryshon asgjë – përveç nesh. Na bën më të vegjël, më të frikësuar, më pak qytetarë dhe më shumë vegla. Përveçse, kur heshtja është paralejamërimi i stuhisë.

Sunday, July 27, 2025

9 shpulla për Greta Thunbergun

Botuar te Lapsi.al me titullin: 

1.
Në fillim m’u duk si meme, dhe meqë këtë verë kam marrë pushim nga lajmet, iu drejtova ChatGPT-së për të bërë një kërkim, dhe gjeje çfarë: Greta Thunberg paska qenë VËRTET në Shqipëri! Në protestë! Nëse ChatGPT nuk haluçinon, dhe protesta që dëgjoj se paska ndodhur ka ndodhur vërtet, atëherë mund të themi që kjo verë që ishte mjaftueshëm banale, u banalizua edhe më.

2.
Unë jam një ndjekës i Greta Thunberg. Madje, do doja që fëmijët e mi t’i ngjanin asaj, çka do të jetë praktikisht e pamundur për shkak të pasaportës së tyre dhe për shkak se prindërit e tyre janë lindur në Shqipërinë komuniste. Që të jesh si Greta, duhet të jesh i lindur në një botë ku demokracia funksionon dhe ku që foshnjë ti ke të drejta të pamohueshme, cilësi jete njerëzisht të pranueshme, dhe institucione që të mbrojnë.

3.
Por dhe Greta nuk do e kuptojë kurrë se ç’do të thotë të jetosh në Shqipëri. Ajo mundet, me forcë imagjinate, shkollimi, empatie personale e strukturore të shoqërisë nga vjen, të kuptojë se ç’do të thotë të jetosh në Gaza. Pamjet që vijnë nga Gaza, nuk janë ato që i shkojnë asaj e shumë të tjerëve në Perëndim nga Tirana — pamje herë të kuruara nga propaganda për turizëm e herë pamje autentike të turistëve që vijnë këtej për karkaleca të lirë, diell e rërë të lirë, eskorta të lira, e çmime prapë më poshtë se Ibiza.
Greta është thjesht një vajzë e re që sheh lajme të përzgjedhura në TV, në X, Facebook, Kombet e Bashkuara, apo kudo që i merr ajo informacionet. Shqipëria, falë përkujdesjes edhe të makinerisë së sofistikuar të ngritur nga lideri ynë suprem, nuk besoj se do i dalë në lajme.

4.
Shqipëria nuk është Gaza.
Ajo çfarë po ndodh në Gaza është dhimbje. Përtej nevojës së Izraelit për të ekzistuar i qetë nga shtete që thjesht duan ta zhdukin nga faqja e dheut, përtej nevojës së palestinezëve për të pasur një shtet normal, përtej liderëve me mentalitet fashist si Netanjahu e Trump, përtej nevojës së krejt neve që formacionet terroriste si Hamas, Hezbollah apo Huthis (sa shumë H-ra, TH-ra, e ZBL-ra) thjesht të zhduken nga faqja e dheut, kriza humanitare që shohim, përmes të njëjtave kanale informacioni që i sheh dhe Greta, është një dhimbje.
Kjo nuk e zbeh dhimbjen tonë, dhimbjen e Shqipërisë që vuan.

5.
Shqipëria ka të varfërit e vet. Në Shqipëri ka njerëz që kequshqehen; ka njerëz që nuk arrijnë muajin; ka fëmijë që vishen e ushqehen me ndihma kishash a OJQ-sh; por asgjë nga këto nuk arrin të bëhet subjekt në lajme.
Shqipëria ka dhunë sistematike, fizike e psikologjike, në të gjitha nivelet: në familje, shkollë, në rrugë, në qytet, fshat, rajone policie, vende pune e institucione, në qeveri e parlament, online e offline; ka familje të shkatërruara nga varfëria e mungesa e mundësive; bullizmi është kodi i suksesit; ka fëmijë — ç’them — ka breza të tërë të traumatizuar, e që traumat nuk do u ikin përjetë; nuk kemi asnjë institucion që të funksionojë siç duhet; thelbi i lirisë, vota, në Shqipëri shitet, blihet, modifikohet, griset, falet e mbikëqyret; të rinjtë ikin, gjithnjë e më pak drejt Gjermanisë për punë të ndershme e përherë e më tepër drejt Spanjës e Britanisë për “kopshtari” të pandershme; kemi dhe plot terrorizëm e vatra terrorizmi; sikurse kemi dhe mafian më serioze, të suksesshme e trendy në botë; dhe për të gjitha këto, ne jemi dorëzuar.
Kjo është Gaza jonë.

6.
Problemet e thella të shtetit të dështuar dhe autokrat shqiptar (sa gallatë do ishte të merrja një replikë nga, le të themi B. Kajsiu, ku argumenton për të më hedhur poshtë këtë që them — në fakt që e përjetoj bashkë me ju përditë), nuk janë as faji, as problemi i Gretës.
Greta, më saktë “Gretat”, vijnë në Shqipëri duke kujtuar se halli ynë veror, sikurse preokupimi i vendeve prej nga ato vijnë, është Palestina e Lirë. Kjo i bën qesharake. Kjo i bën dhe të pabesueshme. Kjo më tregon mua që Gretat janë të painformuara realisht për botën që duan të përmirësojnë. Kjo më bën mua që të mos e dua më Gretën.

7.
Ajo çka e bën vërtet banale Thunbergun në sheshin Skënderbej duke bërë protestë, nuk është fakti që ajo bërtet për Palestinën në një shesh të rrethuar nga të gjitha anët jo me tanke por me kullat e drogës e të informalitetit; as fakti që pak km që andej, në Allias, Bregu i Lumit (a si quhen ato barakat me teneqe që shihen me sy të lirë nga autostrada e lumturisë që lidh Alidemin me ish-Shqiponjën), ajo mund të vizitojë Gazën free of charge, se nuk dua që ta sforcoj deri në Theth; ajo çfarë e bën qesharake janë ata qindra aktivistët që tundin flamujt e Palestinës së Lirë
Ata janë banaliteti i madh i Shqipërisë.
Ata që në rastin më të mirë janë të shkëputur nga realiteti dhe kujtojnë se jetojnë në Suedi, ndaj duan të përqafojnë hallet verore të Suedisë e të Thunbergut.
Ata që nuk i tremben vapës për të dalë me flamuj për Palestinën, por nuk e ndjejnë si hall të tyrin që të dalin për votën, për pavarësinë e gjyqësorit, për ligjet klienteliste që po na marrin çdo pronë e hapësirë publike, a për varfërinë ekstreme të një pjese të shqiptarëve (dhe mos më thoni që nuk i lexoni të paktën raportet e Bankës Botërore për këtë), a për njëqind kauza që mund të rreshtoja këtu.

8.
Kjo nevoja perverse për t’u dukur europianë, kur nuk jemi — se të qenit europian është një set vlerash që ne po na i marrin një nga një para syve, ndërsa ne nuk hapim gojën — është bërë tashmë banale.
Ata që kujdesen që asnjë problem real i Shqipërisë të mos dalë në lajme, jo më të botës por as të vendit, sigurisht janë të interesuar që protesta e Thunbergut të ketë sa më shumë jehonë. 

Ne e kemi një gjel që këndon majë plehut, dhe ja, befas merr një bonus — majë plehut vjen dhe një aktiviste e njohur, me megafon, për Palestinën. Ajo protestë, jo vetëm nuk ka të bëjë me hallet tona të vërteta, REALE, jo vetëm që nuk i prek asnjë fije shkaktarëve të vërtetë të halleve të vërteta të Shqipërisë, por, përkundrazi, u fal dhe atyre një vello europianizmi.

9.
Ne jemi një shoqëri e dorëzuar dhe e sfilitur. Ne nuk bëjmë më protesta për hallet tona, sepse kemi kuptuar që ky nuk është një vend demokratik ku protestat përkthehen në vota — çka do të ishte frika e vërtetë e sunduesve. Ne nuk bëjmë protesta sepse, jo protestë, por dhe revolucion të bëjmë, ai nuk do të dalë në lajme. Dhe ajo që nuk del në lajme, për votuesin e fjetur shqiptar, nuk ekziston.

Ne jemi të dorëzuar, dhe thellë brenda vetes mendojmë që është radha e gjithë botës për të protestuar për ne. Vetëm se madmazel Thunberg është e zënë me Gazën, e duhet të presim radhën.

Sunday, September 4, 2011

Njeriu me Toyota

Botuar te Shekulli e diel, 4 shtator 2011

Një pasdite me zheg prisja në semafor me fakirë të tjerë të këtij vendi, ndërsa një polic kruante kurrizin me tabelën e qarkullimit pak më tej. Edhe policët e vuajnë zhegun. Në të tilla raste, argëtimi i vetëm i atyre që presin të dalë jeshilja është të shohin sesi ata më trimat kalojnë me të kuqe pa ua bërë “tërrt” syri. Trimat janë trima edhe kur në semafor ka polic. Me të kuqe kalojnë makinat e “rënda”, BMW-ra luksoze apo makina me targa të huaja, tek tuk edhe ndonjë makinë me targa LA. Po të isha polic, nuk do të doja të ngatërrohesha me asnjërën nga këto kategori.

Por, dhe polici po të ishte unë, do të kishte marrë zemër për t’u futur me të kuqe menjëherë pas tyre, me shpresën se kur kalojnë 2-3 makina, uniforma e trafikut nuk ka ç’të të bëjë… ti je në një vargan të udhëhequr nga ato “të rëndat”. Deri këtu është thjesht një skenë banale që ndodh çdo çast në Shqipëri. Jo çdo orë, por në çdo moment, dikush po kalon me të kuqe edhe kur aty pranë qëllon ndonjë polic. E veçanta e rastit tim është një makinë Toyota. Shoferi i Toyotës, priti kur polici e kishte kokën në anën tjetër dhe rrëshqiti si ngjalë me të kuqe. Njeriu që i jepte makinës është interesant. Po e quaj Burri Me Toyota.

Semafor pas semafori

Gjithmonë pyes veten ç’kuptim ka që njeriu të kalojë me të kuqe, kur do të bllokohet në semaforin tjetër. Qejfi për të thyer rregullin, fakti që s’rrimë dot në një vend, iluzioni se po fitojmë kohë për atje ku do të mbërrijmë, kur në fakt fitojmë vetëm 2 minuta për të vrarë në kafe 2 orë, mund të jenë disa nga arsyet. Në semaforin tjetër, mbërrita ngjitur me Burrin me Toyota, dhe këtë rradhë e pashë dhe në fytyrë. Dukje djalë i mirë, i krehur e i larë, dëgjonte dhe muzikë trendy. Nuk kishte lidhje me qafëleshët e qafëpalarët. Toyota, ndonëse fuoristradë, prapë nuk hyn te makinat me të cilat mund të “hapesh…” rrugëve. Është një makinë me të cilën mund të prezantohesh mirë, që të bën shërbime të mira, dhe që nuk bie as shumë në sy. Është dhe një makinë që tregon që ke para, por nuk tregon medoemos
që ke shumë para. Burri me Toyota, është njeriu i ri shqiptar. Përtej mafiozëve, përtej të fortëve, përtej debilëve që drejtojnë dikastere, përtej familjarëve arrogantë e militantëve vandalë.

Burri me Toyota, e ka kuptuar si funksionon. Ai është i famshmi “P….s….”, njeriu që e respektojnë të gjithë. Ai ka para, ka njohje, shijon jetën dhe nuk i del emri për mafioz në gazeta, prandaj ndryshe nga shumë të tjerë, e shijon jetën i qetë. Burri me Toyota është kandidati për dhëndër që çdo prind do donte. Dhe jo vetëm se ka një makinë të mirë. Ai ka shumë më tepër.

Si e ka blerë Tojotën?

Tani, duhet thënë që ca marifete të vogla i ka bërë. Pavarësisht nga profesioni që ka, nëse punon në shtet apo privat, ai e ka gjetur mënyrën për të bërë para si pa u ndjerë duke shfrytëzuar kaosin e madh të sistemit. Diku ka ndërmjetësuar, diku ka marrë një përqindje,
diku ka hyrë mik, diku ka ndihmuar, diku merr honorare, diku është në një bord… Diku mund të ketë një shoqatë, diku mund të ketë pjesë në një biznes. Ai është një mekanizëm ndërmjetës i informalitetit në këtë vend, dhe nuk është as ai që e shpiku sistemin, as ai që po abuzon dhunshëm mbi të. Është ai që mbledh ca benefite që në një sistem tjetër funksional nuk do të mund ti merrte. Toyota e tij nuk e justifikon rrogën që merr, por, ai nuk i vjedh kujt… të paktën jo në xhep e jo me dhunë. Ai thjesht ka mësuar si funksionon ky shtet, dhe po ngjyen nga pak gishtin. Ai ka identifikuar ku është paraja e vogël, sa për të bërë një jetë borgjezi mbi mesataren, me pushime evropiane, me shoqëri të mirë ku tregohet hovarda, me rroba të zgjedhura të blera jashtë, me një shtëpi në zonë rezidenciale, me një qen e një Toyota. Atij nuk do i vijë rradha kurrë për tu gjykuar.

Në këtë vend grabitqarësh e hijenash, ai të paktën nuk i ka bërë dëm askujt. Ka vjedhur nga pak, por pa dëmtuar askënd drejtpërdrejt e dhunshëm, dhe e respektojnë të gjithë. Ka vjedhur nga pak… sa për të blerë një Toyota. Pse e duan thuajse të gjithë? Në momentin që ke mësuar se si funksionon, di dhe se çfarë duhet bërë. Pak hipokrizi e servilizëm diku, ti buzëqeshësh edhe njeriut të pavlerë por nga i cili mund të nxjerrësh diçka, të shkelësh me këmbë me stil ata që janë poshtë, të shkelësh mbi kufoma po pa bërë pis pantallonat Massimo Cerrutti, të kesh një batutë për të gjithë, dhe të tërë të thonë “Çfarë çuni!”, edhe ata që me stil u ke futur një bërryl.

Në një vend ku dikur të jepnin nuse vetëm po të sillje dëshmi që ishe hajdut i aftë, nuk është çudi që Burrin me Toyota e duan të gjithë. Merita e tij është që të mos ngjall zili ekstreme, por vetëm respekt. Prandaj, me zgjuarësi kufizohet te një Toyota, edhe pse mund të kishte blerë dhe një BMW. Ai dhe policin nuk e respekton, por as nuk e ngacmon. Nuk ka qejf të merret me të e as të përballet, ndaj pret që polici të kthejë kokën matanë që të kalojë vjedhurazi, buzagaz. Si shumë gjëra të suksesit të vet.

Me kë do martohet?

Disa e kanë në punë, në rrethin e njohjeve ose në shtëpi një Burrë me Toyota. Mund ta kenë shef, koleg, ish-shok shkolle (që përherë kujtohet për kafe – është tip që i ruan lidhjet) mund ta kenë dhe të dashur. Mbase nuk ka Toyota, por një Kia, Skoda, ose dhe Citroen. Mbase dhe një Mercedes të thjeshtë. Ai mund të ketë dhe shkollë, por nuk i vë të tjerët në siklet me shkollën e tij. Mund të ketë mbaruar
juridik, ekonomik, ose politeknik, që jo me doemos ka lidhje me punën që bën. Shkolla, si çdo gjë, është mjeti për të arritur te “Toyota”.
Burri me Toyota është i këndshëm, i pëlqen të bëjë jetë të mirë e të ketë shoqëri të ngritur. Kjo ka shumë rëndësi! Ka rëndësi të të shohin me kë rri – çështje standartesh. Në celularin e tij ka dhe ndonjë emër zv-ministri a drejtori të lartë, jo se ai ka ndër mend ta telefonohjë, por, është një listë telefonash që të jep siguri. Ai do e kalonte me të qeshur një polic që e ndalon, sepse i pëlqen ti kapë mizat me mjaltë.
Por, s’do të ngurrojë të përmendë emrin e rëndësishëm që njeh, po qe se polici ngul këmbë për atë gjobën. Gjobë? Jo atij! Ai, ndonjëherë, sidomos kur është shumë në qejf, edhe ndalon për të lënë të kapërcejë rrugën një grua me karrocë fëmije ose një vajzë e bukur. Di të jetë edhe europian (me raste) në timonin e Toyotas.

Sigurisht, shoqërinë e zgjedh që të ketë vlerë: rrethi në të cilin rri të jep edhe ty vlerë. Jam akoma në dyshime, nëse është tip që jep borxh kollaj, apo jo. Mbase, është tip që të jep pak lek borxh, dhe vetëm një herë. Kujdeset të zgjedhë një vajzë të mirë, dhe sigurisht të paraqitshme. Të paraqitshme, sepse ashtu e ka edhe Toyotën. Jo rrallë, shefat të respektojnë dhe për gruan që ke në krah. Një plus më shumë. Pastaj femrat e nuhasin burrin që jep siguri, ndaj ai nuk do vuajë për të zgjedhur një grua vërtetë të mirë. E vërteta është, që ai mund ta mbajë një grua në pëllëmbë të dorës dhe të rrisë fëmijë që s’do tu mungojë asgjë. Për kë voton? Ai voton për atë që i leverdis. Sigurisht, nuk mungon së thëni nëpër tavolina (si ta kërkojë ambienti): “Berisha e ka qelbur fare”, por ajo që thotë nuk ka lidhje se për kë voton. Ai voton aty ku ka lidhjet, miqësitë, opsionet për të bërë paratë ekstra. Ai bën favor me votën sepse nuk është i ngurtë dhe vota nuk paraqet përveçse një mjet fundja, “kështu funksionon”!

Pse voton aty ku ka interes, nuk mund ta paragjykojmë. Cosi fann’ tutte! Por, nëse vota e qafëleshëve, militantëve e të fortëve nuk ka për të pasur ndryshim, vota e tij është fluide. Ai nuk do votojë kurrë idealistët, por interesat. Nëse qafëleshët, militantët e të fortët mund dhe mos të shkojnë të votojnë pikërisht se janë të ngurtë, ai do të votojë përherë. Dhe vota e tij do jetë për të ligën e rradhës. Burri me Toyota shërben si vitrinë e një shoqërie të re e të lumtur, të suksesëshme e arriviste. Nuk është krejt ashtu. Ai është i ri, i lumtur, i suksesshëm dhe arrivist – justifikimi më i mirë i një shoqërie në thelb të kalbur. Sa herë të ankohemi, do na tregojnë atë si model. Do na bëjnë të ndjehemi të paaftë që nuk jemi si ai. Shoqëria, sipas modelit të Burrit me Toyota (do na thonë) funksionon shumë mirë, jemi ne që s’dimë të përshtatemi. Ne, që nuk jemi “P… s…”. ja, shiko atë. Çfarë çuni!

Semafori i fundit

Kur u ndamë në rrugë të ndryshme, ai me muzikën e tij trendi, unë me ato të vjetrat, që s’i hyjnë në punë njeriu. Krahasuar me shumë gjëra të shëmtuara në këtë vend, Burri me Toyota është e keqja më e vogël. Por, është një e keqe që do rrijë gjatë. Të fortët, autokratët, qafleshët, një ditë do zhduken nga panorama sociale. Ai jo. Ai është produkt i sistemit. Prandaj, është garnitura e sistemit dhe justifikimi i tij. Burri me Toyota do formatojë tërë sistemet që do të vijnë. Sepse, sado çun i mirë, ai nuk ka në plan të humbasë statusin e vet, prej “Burri me Toyota”. Prandaj, armiku i vërtetë i lirisë dhe drejtësisë nuk janë të fortët, autokratët, qafleshët, sepse ata janë të përkohshëm, por ai, Burri me Toyota.

Monday, March 14, 2011

Racës Sime

Pas Gërdecit, ngjarja më e rëndë që kam përjetuar në këtë vend, është ajo që u denoncua me mjaft vonesë: spastrimi racor i 45 (a më shumë) familjeve rome në periferi të Tiranës.
Edhe 21 janari është i rëndë, e unë nuk e harroj 21 janarin. Por, romët e djegur te Stacioni i Trenit nuk kanë ardhur kurrë në derën e kryeministrit. Ata ndoshta nuk kanë hyrë kurrë as në qendër të Tiranës, përveçse për të lypur.
Ata janë që në lindje qenie të deklasuara, të përbuzura, të rrahura e të shkelura, të lënë në mjerim në barraka. Fëmijët e tyre lindin pranë gjirizit, e vdesin pranë gjirizit. Kur janë të vegjël lodrat e tyre janë plehrat, e ardhmja e tyre është karroca e plehrave. Fëmijët e tyre grabiten e shiten për pjesë ndërrimi, dhe prindërit kujtojnë se ua kanë çuar në fondacione që tua ushqejnë më mirë. Ata janë valvula ku shkarkohet depresioni i një shoqërie të sëmurë e perverse. Dhe janë valvula më e mirë. Ata mund ti djegim ditën për diell, sepse ne jemi tropojanë e sepse ata janë jevgj.

JEVGJIT

Vetë termi "rom" sot, më duket një hipokrizi mediatike. Për ne, ata janë jevgj, tërë ditën e ditës, në të tëra komunikimet tona të përditëshme, që nga ministri e deri tek vetë jevgjit. (term jo i saktë ky, por që ne e përdorim në mënyrë gjithëpërfshirëse për të tërë shqiptarët me ngjyrë).

Dhe nëse në shtetin tim, ata mund të digjen kaq kollaj në kasollet e tyre, policia të ngulë këmbë që ata u larguan "me dëshirën e tyre" dhe kriminelët të jenë akoma të lirë, unë nuk dua të jem pjesë e kësaj hipokrizie e të vazhdoj me politesën e terminologjisë. Unë nuk mund ti quaj "romë" sa për protokoll, kur ne tërë ditën i trajtojmë si jevgj. Deri dhe i djegim si jevgj.

Këto gjëra, ndodhin si të ishinnormale në shtetin tim.
Po ky nuk është shteti im.
Ky është shteti i tropojanëve.

TROPOJANË E SKRAPARLIOTË

Dua tu kërkoj paraprakisht ndjesë atyre tropojanëve të ndershëm që jetën e tyre e kanë ngritur pa u kacavjerrë në hardhinë e të parit të fisit që pushtoi Tiranën. Dua tu kërkoj ndjesë, se ka shumë prej tyre që Tiranën e kanë fituar me mund, e nuk ua kanë dhënë në pjatë nga torta e pushtetit.

Aq më tepër kur problemi nuk është dhe vetëm te tropojanët. Janë skraparlinjtë. Janë shkodranët. Janë gjirokastritët. Janë dropullitët. Janë kushdo që vjen në pushtet.
Problemi është tek koncepti tribal i ardhjes në pushtet "krahinçe".
Krahina nga vjen, është CV-ja jote.

Mentaliteti qeverisës është se kur vjen në pushtet e quan normale të tërheqësh në punësim në administratën e shtetit të tërë rrethin prej nga vjen, tërë kushërinjtë deri në 4 breza. Bizneset favorizohen në bazë krahine, shokësh klase e kushërinjsh që më parë as i kishe parë kurrë. Çdo ministër, e kthen ministrinë e vet në oaz ku peshkojnë tërë farefisi e krahina që e ka votuar.

Kur një shkodrane është në pushtet, unë si shkodran jam më i mbrojtur nga shteti. Sepse, në këtë shtet punojnë njerëzit e mi. Në tërë hallkat e shtetit, do jenë vendosur njerëz që do të më mbrojnë.
Jo më kot, emrat e të dyshuarve për krimin ndaj jevgjve te Stacioni i Trenit kanë rrjedhë vjedhurazi nga dosjet e shtetit. Sepse, janë nga krahina që është në pushtet. Për policinë, romët kanë ikur me dëshirë.

Ky sistem i administrimit të pushtetit me baza krahinore ka rrënjë të thella, që tek Zogu, klani Kapo, e deri sot. Lufta e famshme e klasave jo rrallë u shndërrua në luftë raciste, mbi bazë feje e krahine.
Tropojanët vetëm se janë më me fat se korçarët, meqë kanë qëlluar më gjatë "në pushtet" se krahinat e tjera.
Jam kurioz të di si do jenë korçarët kur të kenë një kryeministër, president a kryeparlamentar të tyrin.

Kjo mënyrë e ndërtimit të shtetit, ka bërë që të tërë të presim rradhën që bashkëfshatari ynë, të ngjitet në piramidë. Sot ata, nesër ne. Sot tropojanët, nesër vlonjatët. Do vijë dhe dita jonë.
Të vetmit që nuk kanë kurrë shpresë as të lypin (e jo më të ngjiten) poshtë piramidës së pushtetit janë jevgjit.
Prandaj, ata që ndjehen që "janë në pushtet" mund të marrin flakëhedhësen e të bëjnë spastrim racor.

LA RAFFLE

Si për koinçidencë, para pak ditësh, tamam në datat kur ata po digjeshin, policia nuk e deklaronte e media nuk e raportonte, kam parë filmin "La Raffle".
La Raffle tregon spastrimin racor të 10 mijë hebrenjve në Paris gjatë qeverisjes së Vishisë nën pushtimin gjerman. Parizianët shpëtuan 10 mijë të tjerë, por nga këta që u zhvendosën me bekimin e xhandarmërisë franceze, vetëm 4 a 5 u kthyen gjallë. Por, turpi i mbeti përsëri Parisit.

Sigurisht, sot nuk i dërgojnë dot në kampe përqendrimi, edhe pse Mehmet Shehu thonë e pati iniciuar në kohë të vet. Por mentaliteti ynë është i njëjtë me atë të qeverisjes e logjikës spastruese të Vishisë.
Zbimi i tyre me dhunë e me djegie, është një veprim i pastër racor, që mund të ketë dhe prapaskena të tjera.

Nëse ato do të ishin 45 familje pukjane, matjane, skraparliote, aq më tepër tropojane, askush nuk do kish guxuar ti digjte. Por, meqë janë familje jevgjish, dhe shteti nuk është e s'do të jetë kurrë i jevgjve, ata mund të digjen kollaj. Ndoshta, ajo tokë dikujt i duhet e pastër. Mos të guxojnë më të kthehen!

Në një kohë kur tërë Shqipëria është "tokë e xanun" barakat e jevgjve janë më të pambrojturat. Ato nuk kanë peshën e shtëpiave të të ardhurve të tjerë të vendosura dhunshëm në tokë të tjetërkujt këto 20 vjet. Ata të tjerët, janë krahina që nesër pasnesër do të vijnë në pushtet.
Jevgjit mund të përzihen nga banesat e tyre të mjera, të dhunohen e të digjen, sepse, shteti im është një shtet i ndërtuar mbi racizmin.

ÇEÇENË E SKOCEZË

Racizmi ynë si popull as nuk fillon e as mbaron me jevgjit.
Ne kemi shpikur termin "çeçen" për gjysmën e popullsisë. Ne i quajmë "skocezë", me ironi ata që vijnë nga Skrapari. Ne i quajmë me përbuzje "turq" myslimanët e Shkodrës, dhe themi "grekët e ****t" për sarandiotët. Ne, tropojanëve u themi ligësisht "malokë".
Në 97'n në jug të bënin provën e gjuhës së "malokut": po ta shqiptoje "xhashtë" në vend të gjashtë, mund të haje plumbin. Sepse, urrejtja ndaj një personi ishte shndrruar në racizëm ndaj krahinës prej nga vinte.

Ne, që jemi populli i përbuzur i trotuareve të Evropës.
Dhe paradoksi është, që po ata tropojanë që (dyshohet se) dogjën barakat e jevgjve, kur shkojnë në Greqi trajtohen pak më mirë se ata jevgjit e Stacionit të Trenit.

MARSELI I SELITËS

Njeriu më i klikuar në Youtube, është Marseli i Selitës, në një këngë të Aurela Gaçes. Dhe kënga nuk është e klikuar aq prej Gaçes, sesa prej jevgut Marsel.
Ne nuk i kemi dhënë asnjë shans jevgjve të integrohen. Ne nuk kemi bërë asnjë përpjekje për ta kuptuar kulturën e tyre, e cila, në disa aspekte mund të jetë më superiore të paktën përnga vlerat njerëzore, se e jona, që jemi racë e bardhë nga jashtë e e zezë nga brenda.

Unë kam pasur mundësi të intervistoj jevgj, dhe kam parë me habi që dashuria mund të mbijetojë dhe te fusha e plehrave; që përkushtimi, mund të jetë më i fortë mes njerëzve që skanë as bukë të hanë; që mirësia, mund të jetë më e thellë aty ku ngjyra është më e errët.
Ata nuk e kanë humbur gjuhën e nënës, edhe pse tërë jetën kanë qenë të diskriminuar në arsim. Teksa, për të përfituar hiret e një femre në një bar të Italisë, ne, "raca e bardhë", jemi gati të shitemi për çekë e hungarezë.

Ne nuk kemi për ti hasur kurrë ata në Living Room, as në zyrat e Ministrisë së brendshme, as në bankat e shkollës së mesme. Ata, nuk janë kurrë aty, sepse ato dyer janë të mbyllura për ta, falë edhe heshtjes sonë fajtore.
Ne harrojmë që ata ekzistojnë, sepse, i vemti kontakt i yni me ta është ose kur ata lypin, ose kur ne klikojmë videon e Marselit të Selitës.
Ose, kur shohim në lajme shkrumbin e barakave të tyre.

DORA E BARDHË

Unë nuk kam si ta di se çfarë fshihet pas spastrimit racor të jevgjve nga zona pranë Stacionit të Trenit. Policia nuk do të tregojë se ç'po ndodh. Politika ka halle diabeti - secili e do tortën e pushtetit për vete. Do bëhet ca zhurmë, ndoshta, por ata jevgj, sado "skema kafshate" të ngrejë Kryeministri, nuk kanë për tu rikthyer më kurrë aty. Edhe sikur të dalim e të lidhemi me zinxhirë te Ministria e Rendit, edhe sikur të vijnë dhjetëra delegacione nga Evropa, ata, janë tashmë të djegur pa kthim.

Ne nuk i shpëtojmë dot më, sado shkrime të bëjmë në gazetë e kronika në TV. Jetojmë në vendin ku qeverisin shurdhët e ku çudia më e madhe, 3 ditë zgjat.
Në ditë si kjo, e urrej veten që i përkas racës sime. Racës së bardhë, me shpirtin e zi.

Sunday, March 6, 2011

8 Marsi i EMMY-t

botuar te Shekulli, dt 6 Mars 2011

Nuk e di se nga ka dalë një teori që medemek 8 marsi në tërë botën u festoka me luftë, kurse tek ne festohet mbrapsht, me dreka e darka femërore. Dmth, gratë tona që bëjnë “festë” tërë vitin, më 8 mars duhet të luftojnë për të drejtat e tyre!!
Unë them që ato të luftojnë për të drejtat tërë vitin, dhe ta bëjnë pushim në datë 8.
Pastaj, nëse kemi rënë dakort që në datë 8 mars gratë kanë ditën e tyre, më duket po aq e drejtë që atë ditë ato ta kalojnë si t’ua ketë qejfi. Edhe pse, në ditën e vetme të festës së vet, njeriu normalisht kërkon atë që i mungon më së shumti në jetë. Disa hanë dreka, disa i bëjnë dhurata njëra-tjetrës, disa shkojnë në klube striptize. Atyre grave që u kanë ardhur te hunda darkat, dhuratat, striptiza, le të shkojnë edhe në protestë.

Por, ndërsa gratë e dy kampeve politike do nisin të sulmojnë më 8 maj patriarkët respektivë, protesta e vërtetë e grave nuk do të ndodhë.
Protesta për EMMY-n.

EMMY-rat

Unë mund të jem indiferent ndaj këngëtares Emmy (vetëm nga lajmi i vdekjes mora vesh që ekzistonte si këngëtare), por nuk mund të jem indiferent ndaj fëmijës Elsiana Hidershaj.
Meqë dikush ia hoqi Elsianës të drejtën të festonte 8 marsin (edhe pse ndoshta, ajo vetë as që e festonte) më 8 maj gratë do duhej të ngrinin zërin për të.

Më habiti shpejtësia dhe thjeshtësia me të cilën u gjykua nga publiku rasti i saj. Gratë (dhe tërë shoqëria) i bënë një skaner të shpejtë e cinik: “Ç’punë ka një 19 vjeçare me një 44 vjeçar?”, “Ajo vetë e paska kërkuar” Ose “ky paska qenë horr e imoral, ka abuzuar një minorene”, dhe pikë.

Po ne sikur thamë që dashuria nuk njeh moshë? Apo e thamë kot, për gallatë? Apo nuk njeh moshë kur na ndodh ne, dhe është mëkat kur i ndodh dikujt tjetër?

Shqipëria gëlon nga aferat jashtëmartesore. Shqipëria është plot me lidhje me diferenca në moshë. Në momentin që dikush bëhet i pasur ose i pushtetshëm, qoftë dhe 50 vjeç, i hipën epshi për të realizuar dëshirat e paplotësuara djaloshare, dhe kjo ndodh me ministra e biznesmenë.
Ky është një fakt i përditshëm, por ne na shqetëson vetëm kur del në gazetë.

NJË, NJËQIND DHE NJËQINDMIJË EMMY

Gjëja që ka ndodhur me këngëtaren, ndodh me shumë të tjera. Tek ato përzihet dëshira për tu bërë të famshme e të pasura sa më parë; nevoja për t’i ikur anonimitetit social; nevoja për të qenë dikush në një shtet ku askush, që nga zysha e klasës së parë e deri te Ministri i Arsimit nuk është në gjendje të të japë një bosht për t’u rritur; në një ambient ku të tërë abuzohen nga të tërë; në një shoqëri ku paraja është mbret; ku po dole në TV je dikush, po ke makinë je dikush, po je i talentuar je askush; në këtë vend ku të dobëtit vdesin e ku të fortët të shkelin me makinë; në një vend ku nuk jetohet, por mbijetohet; të gjitha këto, kur je 21 vjeç duhet ti kesh mësuar. Disa i mësojnë që 17 vjeç.

Po të mos e kishte shtypur makina, Elsiana do vazhdonte jetën e saj, sikurse shumë shoqe të veta, artiste ose jo, do vazhdonte të bënte videoklipe të sponsorizuara nga ky biznesmen, ose nga ndonjë tjetër, të ishte në qendër të vëmendjes, e të ishte dhe model për të tjerat, siç janë disa këngëtare tashmë në moshë, por që e kanë nisur si ajo.


AZIZËT

Azizi mund të jetë fajtor për vrasjen e një vajze.
Por, vrasjen e kanë pregatitur të tjerë.
Le ti marrim me radhë:

RAI

Fajtori i parë është RAI. Ose Mediaset. Ose Fashion TV. Ose Mtv. Më kujtohen burra 60 vjeç që nguleshin për të parë Ambrën para nja 15 vitesh në TV. Bota që “Non è la RAI” u ka treguar atyre prindërve në provinca, bota që Fashion TV u tregon fëmijëve të tyre është e rreme. Më keq, është kurth. Aty të tregojnë famën e suksesin, po nuk të tregojnë kushtin për ta pasur.

Henry Ford

Njeriu që futi idenë e konsumizmit. Konsumizmi, që më pëlqen të besoj se është shkaku i degradimit shpirtëror e shoqëror i Perëndimit. Të ardhur me vonesë në botën e konsumizmit, sot ne nuk bëjmë kompromis me asgjë. “Nëm”. Vetëm “nëm”*. Propozimi për dashuri na u dashka bërë me një palë çelësa makine dhuratë. Nuk ka rëndësi sa gra ke, mjafton të kesh para mjaftueshëm për t’i bërë të lumtura të tëra. Dhe ato nuk kërkojnë shumë. Vetëm gjëra që blihen.

Berluskoni

Shqipëria vuan nga “Sindroma e Berluskonit”. I pasur, i pushtetshëm, pak plak. Nëse flokët mund të mbillen, atëherë, dashuria mund të blihet. Me ndryshimin e vetëm, se tek ne Berluskonët në miniaturë nuk mbjellin flokë. I heqin fare.
Sipas “Sindromës Berluskon” nëse je e varfër, pa të ardhme, por e bukur, atëherë lidhjet e rëndësishme fitohen. E ardhmja blihet.
Paç fatin e Rubby-t.

Takimet Me Prindër

Prindërit e sotëm, në shumicën e rasteve nuk ia kanë idenë se ç’ndodh me fëmijët e tyre. Ata nuk ia kanë idenë se ç’është e “bardha”, “jeta e natës”, dhe prostitucioni made in Q.S.
Ata e kanë nisur vajzën me shkollë në Tiranë. Ata kujtojnë se është e sigurt në Qytetin Studenti. Ata kujtojnë që vajza është e talentuar. Ata ëndërrojnë që ajo të ketë një fat më të mirë.
Nganjëherë e ka. Nganjëherë nuk e ka. Varet, nga rrotat e makinës.

7 Marsi

Në 7 mars, mësueset do ishte mirë të mos festojnë, se nuk kanë asgjë për të festuar. Ajo makinë ka shtypur sistemin e vlerave që mungon, e që shkolla, bashkë me familjen duhe t’u japë këtyre fëmijëve.
Sistemi arsimor ka dështuar. Fëmijët që ata do duhej t’i ndihmonin të dalin në jetë, po dalin në jetë në sediljen e një Tuaregu, që nuk është i tyri.

Tuaregët

Tuaregët janë fise luftarakë të shkretëtirës. Gabimisht, meshkujt shqiptarë, kur hipin në makina të shtrenjta, automatikisht ndjehen po aq të fortë, si të ishin racë mbijetuese. Madje, ata edhe jetojnë si kapo Tuaregë. Në fakt janë e kundërta. Janë vetëm meshkuj me pasione infantile. Pasione, me pasojë vdekjen.

Scarface

Njeriu me shenjë, ka lënë më shumë se një shenjë në mentalitetin shqiptar.
Femrat, për këtë model meshkujsh, janë investim. “Kam hedhur para për të”.
Vrasësi i Elsianës, nuk është një vrasës par exellence.
Ai, më shumë mund të jetë një burrë xheloz e pasionant, i shkuar në moshë, që ka kujtuar se mund ta ketë tërë botën të vetën. The world is yours.

Shoqja E Bankës

“Një gjë që e ka shoqja e bankës, dua ta kem edhe unë. Nëse ajo merr dhurata të shtrenjta nga një burrë i pasur i martuar, i dua dhe unë”.
Djemtë e rinj kanë humorin, pamjen, emocionet. Burrat e martuar kanë paratë, makinën, dhuratat e shtrenjta.
Prandaj, këto gocat e vogla, te Azizët do të përplasen.
Moshatarët nuk kanë çfarë t’u japin këtyre vajzave, përveçse emocionalisht. Po kujt i plas për emocion?

Mund të ketë dhe të tjerë elementë, që kanë krijuar sterotipin shoqëror EMMY.
Sikur të ishte vetëm 1, 10, 15, apo dhe 100, ky stereotip nuk do përbënte problem. Por janë shumë. Ndoshta 100 mijë. Ndoshta, më tepër. Janë tepër shumë vajzat që aspirojnë të bëhen të famshme që 17 vjeç, dhe janë qindra biznesmenë që po i presin.
Dhe ky stereotip, këto vajza të reja që kanë ndërtuar këtë jetë për veten e tyre, nesër do të bëhen nëna. Nëna, pa një festë gruaje.


8 MARSI I VAJZAVE TË VOGLA

Në 8 mars, ju mund të bëni protesta. Mund të shkoni dhe në klube striptize.
E vetmja arsye për të protestuar, është për një vajzë të vrarë prej sistemit shoqëror-arsimor-vlerash që kemi ngritur.
E vetmja arsye për të shkuar në një kub striptize, është që të ndiheni se të paktën për një ditë në vit, ia jepni ju lekët një mashkulli, e jo ai juve.

Ose, mund të rrini në shtëpi. Po, po, as striptizë, as protestë.
Të paktën më 8 mars, rrini në shtëpi me vajzën tuaj.

Sunday, February 27, 2011

Dita e Parë e Lirisë

botuar te Shekulli, e dielë, 27 shkurt 2011

Në një karikaturë anarkiste që gërmova diku në web paraqitej një tufë delesh. Delet mendojnë se janë të lira, meqë secila prej tyre është e lirë të votojë për bariun që do. Ajo çfarë delet nuk kuptojnë, është se në mënyrë djallëzore u kanë hequr të drejtën për të votuar një dele tjetër.

Sistemi ynë politik, me shumë pak ndryshime është i ngjashëm me këtë karikaturë. Ne jemi delet që votojmë prej 70 vjetësh të njëjtit barinj. 1..., 2..., 3..., 4 barinj në total, në 70 vjet.
4-5 barinj, dhe një tufë qensh ndihmës.

Asnjë dele nuk ngjitet dot falë aftësive të veta në këtë piramidë.
Edhe kur disa të rinj ngjiten në hierarkinë e sistemit, ndodh: ose se kanë parë bariun duke shtypur me makinë një dele, ose se janë gati marrin përsipër të urdhërojnë vrasjen e deleve për llogari të bariut, ose se e kanë ndihmuar bariun për tu bërë i pasur familjarisht. Një pjesë e mirë e të rinjve në politikë sot, janë të bijtë e dikujt, që i ka shërbyer njërit bari apo tjetrit këto 70 vjet. Mjafton të gjurmoni kush është i ati ose e ëma e “gjakut të ri” të politikës.
Por, kjo nuk del kurrë në lajme, as në TV.

Këtë, nuk ka nevojë t’ua them unë. Ata që rropaten përditë për të bërë përpara me ndershmëri ose me aftësitë e veta në këtë sistem, e dinë sa e vështirë është kur je një nga delet.

Pyetja që më intrigon, është, si ia arrijnë ta bëjnë këtë?
Si arrijnë të na bëjnë të besojmë këtë?

Barinjtë, kanë ndërtuar një sistem që na përpunon të djeshmen, të sotmen e të nesërmen, sipas nevojës së tyre. Ata, na bëjnë ne të besojmë atë që duam nëpërmjet 2 mjeteve më të mëdha nga na vjen informacioni e që janë dhe dy kudhrat më të mëdha moderne të shtypjes: shkolla dhe televizioni.

DELET SHKOJNË NË SHKOLLË

Në karikaturën që ju thashë, delet besojnë se janë të lira. Besojnë se janë të lira, sepse, ashtu ua kanë mësuar në shkollë.

Unë vij nga shkollat e Enverit, ku më mësuan se isha i lirë. Më është dashur shumë mund përgjatë viteve të pastrohem disi. Por, mbeturina informacionesh që më kanë mbrujtur me një histori të gënjeshtërt të Shqipërisë, e madje të krejt njerëzimit, janë akoma brenda meje.

Historia, në një farë mënyre është një iluzion, sepse ne nuk kemi jetuar vetë për ta ditur ç’ka ndodhur. Ne besojmë “faktet” që na i servirin librat e shkollës ose studiuesit. Prandaj e shkuara ndryshon vazhdimisht. Njerëz që nuk kemi si i verifikojmë mund të fusin “pak” duart e të ndryshojnë ndonjë detaj mbi të shkuarën. Është si një Party, ku vetëm delet nuk janë të ftuara.
Në “partyn” e përmbysjes së diktaturës, mungonin kryesisht ata që vërtet e përmbysën diktaturën. Por, edhe ata po sfumohen. Pas shumë vitesh, do kujtojmë se diktaturën e ka përmbysur Henri Çili.

Pas shumë vitesh, do besojmë se Gërdeci, ishte një fabrikë këpucësh, ku disa punëtorë të pakujdeshëm dogjën fabrikën duke bërë kafe turke me gazaqe.

Iluzioni ynë mbi historinë ndryshohet vazhdimisht, prej falangave të kompetentëve që shkruajnë librat e historisë ose dalin në TV.
Psh., librin e Shmidit mbi Skënderbeun e kundërshtuan me egërsi sidomos ata që as e kishin lexuar atë ose ata që nuk janë kompetentë të fushës. Historinë e shkruajnë barinjtë, ata që kanë në dorë një kërrabë, jo një libër.

Ndërsa ne tjerrim fjalë, sistemi arsimor, po përpunon breza të rinjsh si një fabrikë parafabrikatesh. Mjafton të lexosh Historinë e Pupullit Shqiptar të klasës së 12 (miratuar nga Ministria e Arsimit) që akoma shkruhet me frymë marksiste dhe ku lavdërohet lideri i madh që na solli lirinë e demokracinë, Sali Berisha.
“... më 2001, vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur... Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë...”

Njeriu është qenie politike. Perceptimi ynë politik është i lidhur me historinë. Historia, është ajo që na mësojnë në shkollë. Sistemin arsimor e kanë në dorë barinjtë.

Atëherë të mos shkojmë në shkollë? Apo të marrim 10-a në Matematikë e 4-a në Histori?
Sistemi i ka marrë masat dhe për këtë. Ne mund ët mos shkojmë në shkollë, por, ne kaojmë orë të tëra para TV.

DELET, SHOHIN TV

Kam dëgjuar njerëz që besojnë se video Prifti-Meta ishte e montuar. Dhe jo njerëz të thjeshtë, por deri dhe artistë.
Ky është shembulli sesi një e vërtetë e dukshme dhe e parë drejtpërdrejt me zë e figurë, mund të deformohet nga sistemi mediatik në shërbim të bariut.
Ne nuk kemi akses të menjëhershëm në ngjarjet që ndodhin, përveçse mes mediave, ku pjesën e luanit në informim e zë TV.

Delet shohin TV? Atëherë, do shohin në TV atë të vërtetë që duam ne.

E vërteta është që publiku manipulohet përmes medias në favor të klasës sunduese. Noam Chomsky thotë se klasa sunduese këtë e realizon përmes interpretimeve mashtruese, përmes përzgjedhjes së lajmeve, duke dhënë vetëm lajme që ilustrojnë qëllimin e tyre e duke heshtur për të tjerat, ose dhe thjesht përmes gënjeshtrës së pastër.

Sepse, delet shohin shumë TV. Dhe e kanë më kollaj të besojnë çirakët e Bariut që gënjejnë duke thënë që me 28 Janar kishte 6 mijë vetë në shesh, sesa syve të tyre, që të tregonin pafundësinë e zezë në bulevardin e vakisë.

Armiku më i madh i yni, është arma e tyre më e fortë. TV. Dhe, televizioni nuk është si depot e 97-s, ku të gjithë mund të shkojmë e të marrim nga një kallash. TV, është i tyri, dhe arma e vërtetë nuk janë antenat, por njerëzit e shitur që u shërbejnë barinjve. Delet, që kujtojnë se nuk janë dele.

Dhe nuk është vetëm TV. Është një sistem i tërë mediatik, që na shoqëron që të vegjël, derisa arrijmë moshën për votim, derisa bëjhemi prindër, e derisa i edukojmë fëmijët ashtu siç sistemi na ka përpunuar.

THE TRUMAN SHOW

Herë pas here, qëllon që rrugët janë të boshatisura, sepse njerëzit janë brenda duke parë një program TV. Programi mund të jetë shumë i dyshimtë në cilësi, por, qëllon që është një show që i tëreqh të gjithë.
Kjo, më tremb.
Fakti që një show ka fuqinë ti ulë njerëzit si me “komandë” para TV dhe të lenë çdo punë tjetër tregon që nuk jemi ne që komandojmë telekomandën. Është TV që na komandon përmes telekomandës që ne mbajmë në dorë. Dhe kur them TV, e kam fjalën për ata që financojnë dhe drejtojnë TV, dhe përmes saj, mënyrën sesi ne informohemi.

Ka njerëz, që kalojnë tërë kohën e lirë para TV.
Ka njerëz, që besojnë çdo gjë që thuhet në TV.
Ka njerëz, që nuk dalin të blejnë ushqimet, sepse nuk duan të humbin një program në TV.
Ka njerëz, që bëhen të famshëm vetëm se kruajnë hundën 3 muaj rresht në TV.
Ka njerëz, që luftën që ndodh jashtë dritare së tyre, preferojnë ta shohin më mirë në TV.

Korruptimi nga pushteti, është i pashmangshëm, sidomos në shoqëritë parademokratike si e jona. Sa më absolut pushteti, aq më i madh korruptimi. Falanga e shtetarëve të këtyre 20 viteve e ka treguar qartë këtë.
Për të mbrojtur pushtetin e korruptuar, historia duhet ndryshuar, njeriu, duhen mbajtur i hutuar me të tëra mjetet.
I duhen nxjerrë njerëz me gishtin në hundë, që ta mbajnë para ekranit 24 orë. I duhen nxjerrë balerina. I duhen nxjerrë gazetarë e analistë me rroba firmato. I duhet përsëritur gënjeshtra non stop, nga sa më shumë të deleguar të bariut.

Në kohët e sotme, ne pretendojmë që skllavëria është zhdukur, por ajo është bërë thjesht më e sofistikuar. Dhe, në pamje të parë, më “argëtuese”.
Ajo që ndodh vërtet, është që në kohët moderne historia manipulohet përmes TV. Historia, e djeshmja, e tashmja dhe e nesërmja.
“Zinxhirë të praruar ty kanë për të ofruar”.

FUNDI I LIRISË

Na kanë bërë të besojmë se jetojmë të lirë. Se Sali Berisha na solli vizat. Se Edi Rama ndryshoi Tiranën. Se jemi të lirë, se për hatër të mbrojtjes së Demokracisë e Lirisë sonë u vranë 4 vetë në bulevard, se policia është aty për të na mbrojtur, se ekonomia po lulëzon, se pa këta barinj, ne nuk mund të ekzistojmë.
Më e keqja, ata na bëjnë të besojmë se cilat janë ngjarjet e rëndësishme, dhe çfarë “mendojmë” ne për to, permes edicioneve të manipuluara e analistëve të shitur.
Dhe ndodh ajo që thotë Chomsky, që ata manipulojnë marrjen e miratimit tonë për çdo gjë që bëjnë, që nga plumbat kundër protestuesve e deri te buxheti i shtetit.
Televizori, është një mjet komunikimi me një krah. Vetëm vjen informacion, por nuk shkon. Vetëm na thonë atë që duan, por nuk na dëgjojnë kurrë.
Dita ime e parë e Lirisë, do jetë dita kur do të hedh televizorin tim nga ballkoni i katit të 3-të.

Sunday, February 20, 2011

MOS NA BËJ FILMA

botuar te Shekulli, 20 shkurt, e diel 2011

"Mos na bëj filma". Kjo shprehje në përdorim të gjerë na tregon 3 gjëra: Ne besojmë që filmat krijohen mbi "mashtrimin"; ne besojmë që filmi është një formë arti që kërkon të na manipulojë; dhe e fundit, ne nuk kemi pikë besimi tek ata që "bëjnë filma".
Ka ardhur koha që të paktën, kjo e fundit të ndryshojë.

Sipas Frankfurter Rundschau, filmi i Bujar Alimanit "Amnistia është një fillim i mirë për kinemanë shqiptare. Amnistia u shfaq premierë më 12 shkurt në Forumin e Berlinales (jashtë konkurimit). Unë e pashë "Amnistinë" e Bujar Alimanit dhe mendoj se ishte një film i mirë. Nuk është filmi që do të bëjë revolucion, po është padyshim një fillim i mirë për regjisorin dhe një shpresë për kinemanë tonë.
Të shfaqesh në Berlinale, edhe pse jo në konkurim, është fat i madh për filmin dhe për autorin.

MES FATIT, FUTJES ME MIK DHE TALENTIT

Është fat i madh, sepse "festivalet janë lotari" më thotë miqësisht editori i filmit turk "Bizim Byuk Çaresizligimiz" ("Dëshpërimi Ynë i Madh"). Pastaj më shpjegon, "Në festivale nuk i shoh kurrë filmat sepse shumica nuk vlejnë". Dhe qesh me mua që shoh nga 3 filma në ditë. Ai vetë shkon në 3 party në ditë.
Dhe, siç marr vesh në Festival ka thjesht një plan: këtë vit na duhet një film kilian, 2 argjentinas, 5 japonezë, 6 gjermanë, 2 çekë... po nguli këmbë dikush, do të marrin edhe 1 shqiptar. Nganjëherë producentët janë aq të fuqishëm, sa me një telefonatë janë në gjendje ta fusin filmin në atë festival ku bingoja nuk nxori numrin e tyre.
"Amnistinë" e kishin edituar (montuar) me ngut për 2 muaj, sepse u kishin thënë, shpejt, se do e çojmë në Berlin. Por, edhe pse e edituar me ngut (që ndjehej) ishte prapë një film i mirë.

AMNISTI PËR SA MË SHUMË VETË

"Amnistia" flet për Elsën nga Pogradeci (Luli Bitri) dhe Shpëtimin nga Tirana (Karafil Shena) që njihen e dashurohen ndërsa vizitojnë ajo burrin dhe ky të shoqen në burgun e Tiranës. Një herë në muaj, në të njëjtën ditë ata kanë të drejtën e një takimi seksual me bashkëshortët në burg. Pas takimit, ata kanë një takim me njëri-tjetrin. Drama arrin pikun, kur shpallet një Amnisti që do ti nxjerrë nga burgu në të njëjtën ditë, të dy bashkëshortët.
Unë e dua shumë këtë histori.
Filmi hapet me një sekuencë që mbart një imazh të fuqishëm: Elsa, e pushuar nga puna kalon në oborr pranë një rreshti të gjatë punëtorësh që presin të pushohen edhe ata. Hijet e tyre në dheun e fabrikës së tekstilit i ngjajnë një hekurudhe që pret trenin e fatit që të vijë ti shtypë.
Për fat të keq, nuk ka shumë të tjera si kjo në film.
Autori ka zgjedhur të na tregojë në plane të ngushta një Shqipëri të shëmtuar nga jashtë e nga brenda, mes patriarkalizmit e pornografisë, me njerëz në dëshpërim dhe në prag të depresionit, me seks pa pasion e me një gjeografi të asfiksuar.
Nuk dua të flas shumë për filmin sepse do dëshiroja ta bëja kur filmi të dalë në kinema(t/n)ë shqiptare, por mendoj që vlen të përgëzohet që autori që ka riskuar duke rikthyer në filmin shqip (ka luajtur tashmë në Greqi) Karafil Shenën ("Dy herë Mat" - polici shahist) dhe Todi Llupin (Estrada e Fierit, njëri nga 2 aktorët e minikomedisë kult "Të na trashëgohesh Malo"). Barrën kryesore regjisori/skenarist e kish lëshuar mbi Luli Bitrin, edhe ajo me disa produksione të kohëve të fundit në shpinë, e që mendoj se e mbajti me mjaft sukses. Pas premierës, regjisori (ndoshta prej emocionit) e pa të arsyeshme të thoshte për publikun në sallë (që fliste kryesisht shqip e greqisht, meqë ky ishte një produksion greko-franko-shqiptar) se ai e kish bëër filmin me aktorë që nuk janë "star" në vendin e tyre. Eventualisht, konferenca për shtyp shkoi e tëra me aktorët që përpiqeshin të sqaronin në mikrofon nëse ishin starë apo jo. Todi Llupi, me të drejtë pretendoi se është star... të paktën në fushën e komedisë.
Filmi, mendoj që është një hap i mirë për regjisorin dhe për kinemanë tonë të varfër (në para e produkte).

Ajo çfarë më shqetëson, është se mos Alimani bie në kurthin tashmë 20 vjeçar të kinemasë shqiptare, që tenton të bëjë eksperimente në film. Tek "Amnistia" Alimani ka zgjedhur që filmi të ketë shumë pak dialog dhe të jetë pa muzikë.
Mua më pëlqen zgjidhja e dialogut të pakët, këta njerëz ndoshta nuk kanë shumë për të thënë, por unë nuk besoj që ndonjë nga këto 2 elementë quhet eksperiment, e aq më pak risi. Filmi japonez "Kozoku X" (2010) i shfaqur po në Forumin e Bienales ishte po ashtu pa muzikë e pa dialog dhe trajtonte po një dramë çifti. Edhe mos shfaqja kurrë me fytyrë e bashkëshortëve në burg, është bërë një herë tek "In the Mood For Love" të Won Kar Wai-t (2000).
Pra, këto "eksperimente" nuk do t'i japin dot Alimanit një zë unik në kinemanë e botës. Madje, mendoj që ato (mungesa e dialogut dhe muzikës) e dobësuan forcën e filmit dhe e vunë në rrezik atë. Për fat, filmi mbeti në ekuilibër duke sjellë një dramë të fortë njerëzore me një skenar të qepur mjaft mirë.

Alimani jep shpresë që në kinemanë shqiptare do fillojë një erë e re, një erë që nuk duhet të jetë eksperimentale, por thjesht një kinema e vërtetë. Një kinema, ku filmin e vlerëson i pari publiku dhe jo kritikët rakitikë të festivaleve. Kur them e vlerëson, nënkuptoj "e dashuron".

FILMAT E FESTIVALEVE

Hajt të bëjmë një film për festival.
Kjo është shndërruar dalëngadalë në sëmundjen e kineastëve të tërë globit. "Film për festival" do të thotë që vetëm fakti që e kanë pranuar aty do i hapë autorit mjaft rrugë. Ndërsa vetë filmin, siç thoshte miku im editor turk, pak vetë do e shohin.
Në të vërtetë, "hajt bëjmë një film për festival" nga shumë artistë është kuptuar si "hajt t'ia veshim si të na vijë, se film eksperimental është". Të tërë duan të bëhen unikë e të veçantë që me filmin e parë. Kjo është një sëmundje që ka kapur edhe shumë kineastë shqiptarë të cilën kanë harruar që filmi bëhet për të kënaqur në rradhë të parë publikun, dhe jo për masturbim reciprok me një rreth të ngushtë "kompetentësh". Prandaj të ashtuquajturit "filma për festival" nuk shihen dot më shumë se 1 herë. Madje, në Berlinalen e këtij viti në shumë filma njerëzit braktisën kinemanë duke lënë brenda vetëm farefisin e autorit e të aktorëve ose njerëz që donin një vend të ngrohtë për të fjetur, të lodhur nga party-t e një nate më parë.
Kësisoj, maqedonasi Milcho Manchewski kishte shkatërruar një film që mund të kishte qenë i jashtëzakonshëm po të mos ishte për maninë e regjisorit që t'i "shokonte" kolegët me një film "eksperimental". "Majki" i tij, në garë për Ariun e Artë, kishte një gjysëm të parë të mrekullueshme, e një gjysëm të dytë llahtarisht të shëmtuar. Kjo e detyroi regjisorin që në konferencë për shtyp të shpjegonte gjatë se çfarë kishte dashur të thoshte në vepër. Një film, ku regjisori detyrohet të dalë për të shpjeguar kuptimin, nuk është më film. Përndryshe për të parë filmin duhet ta ftosh autorin e tij në shtëpi për darkë. Një film i mirë, nuk ka nevojë për shpjegime.

Të tilla dështime eksperimentale Berlinalja kishte plot, në garë ose jo, që nga debuti si regjisor i Ralph Fiennes me "Corilanius", tek braziliani "Os residentes", e deri tek i shumëprituri "The Future" i Miranda July.

Kjo mani, për të bërë filma medemek "autor" ka bërë që edhe kinemaja shqiptare të mbesë pa asnjë identitet të vetin. Po të pyesësh njerëzit e zakonshëm për një film shqiptar të pas komunizmit, maksimumi mbajnë mend "Vdekja e Kalit" të bërë para 20 vjetësh.
Ne, nuk e kemi luksin që të financojmë filma eksperimentalë. Ne na duhet një kinema e sinqertë, që tregon histori të besueshme e që e mbërthejnë publikun. Ne na duhen filma që të tregojnë jetën e vërtetë.

Në kushtet kur kinemaja shqiptare ka prodhuar 14 filma në 20 vitet e fundit, më duket e pavend që të tentojmë të impresionojmë botën e kinemasë me "eksperimente" filmike.
Eksperimentet në kinema i kryejnë vendet si ShBA, Franca, Gjermania apo Japonia që prodhojnë disa qindra filma në vit dhe që kanë shkolla të forta kinemaje. Ata kanë luksin që krahas kinemasë për publikun, të sponsorizojnë edhe eksperimente, për të kërkuar rrugë e mënyra të reja shprehjeje. Por, as ne e as bota nuk pret e as nuk do që Shqipëria të nxjerrë një David Lynch.

BERLINALJA IME

Në pamundësi për të njohur David Lynch, në ditët e Berlinales ke mundësi të njohësh atë që ka qenë në krevat me të, kryetaren e Jurisë së Berlinales, Isabella Rosellinin. E bija e një prej regjisorëve mit të Nouvelle vague, Roberto Rosellinit dhe e Ingrid Bergman, ajo ka sharmin e prindërve dhe klasin e burrave të saj, Scorcesses, Gary Oldman, David Lynch... "David Lynch, thotë ajo, nuk kërkon që ti t'i kuptosh filmat e tij, madje ai as nuk do që ti t'i kuptosh ata."

Bashkë me Rosellinin, Berlini gëlon nga njerëzit e kinemasë. Wim Wenders garon me filmin e tij të fundit, "Pina", në 3D. Antonio Albanese vjen me një komedi shumë të mirë (luan) "Qualunquemente" ("Sidoqoftësisht") e që ngjan shumë shqiptare.
Aty garon dhe një film amerikan (paratë, regjia, stafi teknik) me temë shqiptare (aktorët), "The Forgiveness of Blood" ("Falja e Gjakut") i Joshua Marston.

Vetë festivali i Berlinit vlen më shumë për kontaktet që krijon me ata 20 mijë kineastët që e
vizitojnë gjatë ditëve të festivalit, me 350 talentet e me 4 mijë gazetarët e pranishëm.
Ti hyn në apartamentin tënd, që prapë kushton më lirë se një dhomë në Dhërmi, dhe në mur ka një fotografi të Leninit. Diku ka një rrugë e shesh me emrin Karl Marks, asnjë ndërtesë e komunizmit nuk është prishur, sado e shëmtuar, sepse ato janë pjesë e historisë. Në Berlin njerëzit ecin me biçikleta në mes të të ftohtit dhe qyteti vlon nga muzika elektro, për herë të parë pas kaq vitesh gjeta dhe një mega-party Goa.

Berlini vetë është një magji perëndimore me aromë lindore. Në Aleksandërplatz ti mund të ndjesh akoma madhështinë e perandorisë së vjetër të Traktatit të Varshavës, në Friedrichstrasse Palast ti mund të ndjesh çdo të thotë të shohësh film në një kinema me 2 kate me një ekran të madh sa Faqja e Parlamentit tonë. Tingulli është i pastër kristal, te hyrja ka garderobë, ekrani nuk bëhet me kuadrate nga DVD-ja që luhet në regji, 1 mijë njerëz, dhe askush që ha kokoshka. Aty njeriu kupton që të shijosh një film duhet që të mos ndjehesh si mes lopëve, që vetëm përtypen në një stallë.
Nuk dua të dukem sikur "bëj moral" meqë medemek paskam qenë në Berlinale, por unë nuk do arrij të komunikoj dot me ju për filmin nëse nuk biem dakort për 2 kolonat e mëdha të kinemasë: kokoshkat hahen në pushim të filmit dhe një film mbaron vetëm kur kanë mbaruar titrat në ekran, jo më parë.