1.
Në fillim m’u duk si meme, dhe meqë këtë verë kam marrë pushim nga lajmet, iu drejtova ChatGPT-së për të bërë një kërkim, dhe gjeje çfarë: Greta Thunberg paska qenë VËRTET në Shqipëri! Në protestë! Nëse ChatGPT nuk haluçinon, dhe protesta që dëgjoj se paska ndodhur ka ndodhur vërtet, atëherë mund të themi që kjo verë që ishte mjaftueshëm banale, u banalizua edhe më.
2.
Unë jam një ndjekës i Greta Thunberg. Madje, do doja që fëmijët e mi t’i ngjanin asaj, çka do të jetë praktikisht e pamundur për shkak të pasaportës së tyre dhe për shkak se prindërit e tyre janë lindur në Shqipërinë komuniste. Që të jesh si Greta, duhet të jesh i lindur në një botë ku demokracia funksionon dhe ku që foshnjë ti ke të drejta të pamohueshme, cilësi jete njerëzisht të pranueshme, dhe institucione që të mbrojnë.
3.
Por dhe Greta nuk do e kuptojë kurrë se ç’do të thotë të jetosh në Shqipëri. Ajo mundet, me forcë imagjinate, shkollimi, empatie personale e strukturore të shoqërisë nga vjen, të kuptojë se ç’do të thotë të jetosh në Gaza. Pamjet që vijnë nga Gaza, nuk janë ato që i shkojnë asaj e shumë të tjerëve në Perëndim nga Tirana — pamje herë të kuruara nga propaganda për turizëm e herë pamje autentike të turistëve që vijnë këtej për karkaleca të lirë, diell e rërë të lirë, eskorta të lira, e çmime prapë më poshtë se Ibiza.
Greta është thjesht një vajzë e re që sheh lajme të përzgjedhura në TV, në X, Facebook, Kombet e Bashkuara, apo kudo që i merr ajo informacionet. Shqipëria, falë përkujdesjes edhe të makinerisë së sofistikuar të ngritur nga lideri ynë suprem, nuk besoj se do i dalë në lajme.
4.
Shqipëria nuk është Gaza.
Ajo çfarë po ndodh në Gaza është dhimbje. Përtej nevojës së Izraelit për të ekzistuar i qetë nga shtete që thjesht duan ta zhdukin nga faqja e dheut, përtej nevojës së palestinezëve për të pasur një shtet normal, përtej liderëve me mentalitet fashist si Netanjahu e Trump, përtej nevojës së krejt neve që formacionet terroriste si Hamas, Hezbollah apo Huthis (sa shumë H-ra, TH-ra, e ZBL-ra) thjesht të zhduken nga faqja e dheut, kriza humanitare që shohim, përmes të njëjtave kanale informacioni që i sheh dhe Greta, është një dhimbje.
Kjo nuk e zbeh dhimbjen tonë, dhimbjen e Shqipërisë që vuan.
5.
Shqipëria ka të varfërit e vet. Në Shqipëri ka njerëz që kequshqehen; ka njerëz që nuk arrijnë muajin; ka fëmijë që vishen e ushqehen me ndihma kishash a OJQ-sh; por asgjë nga këto nuk arrin të bëhet subjekt në lajme.
Shqipëria ka dhunë sistematike, fizike e psikologjike, në të gjitha nivelet: në familje, shkollë, në rrugë, në qytet, fshat, rajone policie, vende pune e institucione, në qeveri e parlament, online e offline; ka familje të shkatërruara nga varfëria e mungesa e mundësive; bullizmi është kodi i suksesit; ka fëmijë — ç’them — ka breza të tërë të traumatizuar, e që traumat nuk do u ikin përjetë; nuk kemi asnjë institucion që të funksionojë siç duhet; thelbi i lirisë, vota, në Shqipëri shitet, blihet, modifikohet, griset, falet e mbikëqyret; të rinjtë ikin, gjithnjë e më pak drejt Gjermanisë për punë të ndershme e përherë e më tepër drejt Spanjës e Britanisë për “kopshtari” të pandershme; kemi dhe plot terrorizëm e vatra terrorizmi; sikurse kemi dhe mafian më serioze, të suksesshme e trendy në botë; dhe për të gjitha këto, ne jemi dorëzuar.
Kjo është Gaza jonë.
6.
Problemet e thella të shtetit të dështuar dhe autokrat shqiptar (sa gallatë do ishte të merrja një replikë nga, le të themi B. Kajsiu, ku argumenton për të më hedhur poshtë këtë që them — në fakt që e përjetoj bashkë me ju përditë), nuk janë as faji, as problemi i Gretës.
Greta, më saktë “Gretat”, vijnë në Shqipëri duke kujtuar se halli ynë veror, sikurse preokupimi i vendeve prej nga ato vijnë, është Palestina e Lirë. Kjo i bën qesharake. Kjo i bën dhe të pabesueshme. Kjo më tregon mua që Gretat janë të painformuara realisht për botën që duan të përmirësojnë. Kjo më bën mua që të mos e dua më Gretën.
7.
Ajo çka e bën vërtet banale Thunbergun në sheshin Skënderbej duke bërë protestë, nuk është fakti që ajo bërtet për Palestinën në një shesh të rrethuar nga të gjitha anët jo me tanke por me kullat e drogës e të informalitetit; as fakti që pak km që andej, në Allias, Bregu i Lumit (a si quhen ato barakat me teneqe që shihen me sy të lirë nga autostrada e lumturisë që lidh Alidemin me ish-Shqiponjën), ajo mund të vizitojë Gazën free of charge, se nuk dua që ta sforcoj deri në Theth; ajo çfarë e bën qesharake janë ata qindra aktivistët që tundin flamujt e Palestinës së Lirë
Ata janë banaliteti i madh i Shqipërisë.
Ata që në rastin më të mirë janë të shkëputur nga realiteti dhe kujtojnë se jetojnë në Suedi, ndaj duan të përqafojnë hallet verore të Suedisë e të Thunbergut.
Ata që nuk i tremben vapës për të dalë me flamuj për Palestinën, por nuk e ndjejnë si hall të tyrin që të dalin për votën, për pavarësinë e gjyqësorit, për ligjet klienteliste që po na marrin çdo pronë e hapësirë publike, a për varfërinë ekstreme të një pjese të shqiptarëve (dhe mos më thoni që nuk i lexoni të paktën raportet e Bankës Botërore për këtë), a për njëqind kauza që mund të rreshtoja këtu.
8.
Kjo nevoja perverse për t’u dukur europianë, kur nuk jemi — se të qenit europian është një set vlerash që ne po na i marrin një nga një para syve, ndërsa ne nuk hapim gojën — është bërë tashmë banale.
Ata që kujdesen që asnjë problem real i Shqipërisë të mos dalë në lajme, jo më të botës por as të vendit, sigurisht janë të interesuar që protesta e Thunbergut të ketë sa më shumë jehonë.
Ne e kemi një gjel që këndon majë plehut, dhe ja, befas merr një bonus — majë plehut vjen dhe një aktiviste e njohur, me megafon, për Palestinën. Ajo protestë, jo vetëm nuk ka të bëjë me hallet tona të vërteta, REALE, jo vetëm që nuk i prek asnjë fije shkaktarëve të vërtetë të halleve të vërteta të Shqipërisë, por, përkundrazi, u fal dhe atyre një vello europianizmi.
9.
Ne jemi një shoqëri e dorëzuar dhe e sfilitur. Ne nuk bëjmë më protesta për hallet tona, sepse kemi kuptuar që ky nuk është një vend demokratik ku protestat përkthehen në vota — çka do të ishte frika e vërtetë e sunduesve. Ne nuk bëjmë protesta sepse, jo protestë, por dhe revolucion të bëjmë, ai nuk do të dalë në lajme. Dhe ajo që nuk del në lajme, për votuesin e fjetur shqiptar, nuk ekziston.
Ne jemi të dorëzuar, dhe thellë brenda vetes mendojmë që është radha e gjithë botës për të protestuar për ne. Vetëm se madmazel Thunberg është e zënë me Gazën, e duhet të presim radhën.
No comments:
Post a Comment