Sunday, September 26, 2010

DITA PA NJERËZ

Botuar te Shekulli, 26 Shtator 2010

Dita pa makina, ishte ditë me smog, me stres, me komunizëm, me majmunëri, me dhunë, me abuzime, me tallje dhe me spam. Ajo prodhoi të kundërtën e asaj që në perëndim është konceptuar të prodhojë. Në thelb ishte një ditë çnjerëzore.

DITA ME SMOG
Nëse dikush ka menduar që dita pa makina do na i lironte vrimat e hundës nga bloza e përditshme, e ka patur shumë gabim. Makinat e bllokuara në trafik, për shkak të devijimit të detyrueshëm që shumë njerëz nuk e kishin marrë vesh ose ishin pak të informuar, prodhuan më shumë smog se çdo ditë tjetër. Pa folur për ndotjen akustike të borive të acaruara dhe sharjeve me gjithë shpirt të shoferëve. Pra, dita pa makina prodhoi të kundërtën e vet, një ditë më të pisët.
Në një Tiranë kaq të pisët, i vetmi vend ku ndjehesh i mbrojtur është makina jote. Kush mund të jetë aq budalla që për një ditë të heqë dorë nga mbrojtja e fundit që na ka mbetur? Kurrë! As po të na sulmojë King Kongu. Madje, King Kongu këtu e ka fundin të sigurt. Mjafton të bllokohet mes tymrave 10 minuta te 21-shi ose te Banka.

DITA ME STRES
Dita pa makina prodhoi stres ekstra, përveç dozës normale që kemi përditë. Me njerëz që ishin nisur për të kryer punët e tyre dhe që nuk kishin për të arritur dot dhe me autobusë të ngecur si balena në breg të detit, Dita Pa Makina u perceptua si një ditë torture.
Përpara se të realizohet një ditë pa makina, duhet organizuar transporti publik si mundësi alternative. Rrugë për biçikleta nuk ka. Pse duhet të harxhosh para për fotoksinë? Do të vrasësh veten? Bli një biçikletë, e bëj një xhiro te rruga e Durrësit.
Autobusët e Tiranës janë kampe përqendrimi me rrota. Aty të vjedhin, aty të shtyjnë, aty fatorinoja bie erë sikur sapo ka dalë nga stalla e derrave, aty ka njerëz që hipin me pula në dorë, aty të molestojnë, madje, ka molestues që kanë mësuar stilin që kur një vajzë ankohet me zë për ngacmimin, ngrenë zërin dhe e shajnë me fjalë të ndyra nën sytë apatikë të njerëzve që po vdesin. Sepse, autobusët transportojnë hallexhinj shoqërisht të vdekur. Të hipësh në autobus është turp.
Autobusët në Tiranë i kanë stacionet me 3 km distancë, si stacione treni. Shanset që të mund të organizosh rrugën tënde me 2 ndërrime autobusi, janë zero.
Për të shkuar diku me autobus në Tiranë të duhen minimalisht 30 minuta. Plus pritja në stacion. Autobusi që ecën si xhenaze, se i kanë vënë orar. Kush mban përgjegjësi për atë 1 orë që na vdes në autobus, për ditë, për 40 vjet? Apo, punë e madhe, janë orët e vdekura të hallexhinjve!

DITA ME KOMUNIZËM
Dita Pa Makina, më kujtoi të dielën e pastrimit komunist. Edhe një të dielë që njeriu mund të flinte deri vonë, binte dera që në 7. Duhej të dilje me detyrim të pastroje, ose...
Një ditë pa makina, duhej të ishte një kërkesë që vjen nga një grup i ndjeshëm komuniteti, ose OJF-sh, për nga anëtarësia dhe për nga pesha në komunitet. Por, si në komunizëm, direktiva vjen nga lart, nga Komitetet e Reja Qendrore.
Edhe organizimi binte erë komunizëm. Një Ditë qytetare, që ruhet me policë. Ca kalamaj shkolle të nxjerrë me biçikleta. Ca kalamaj që shumë shpejt babi do u blerë makinën e tyre, e do na dhunojnë nesër në rrugë. Ca personalitete që dalin sa për të dalë në TV.

DITA ME MAJMUNËRI
Atëherë pse? Në një vend ku nuk dëgjoj të flitet kurrë për ekosistemin, ku biznesi i biçikletave (për inat të Norvegjisë) është në rrënim dhe biznesi i varrezave të maknave është në lulëzim, atëherë, pse?? Mos po kopjojmë si majmunët perëndimin, si me ligjin qesharak anti-duhan apo ligjin anti-celular në timon? Në një vend ku Fabrikat e Çimentos konkurojnë Platformat e lëshimit të shuttle-ve të NASA-s, kush do që të duket më perëndimor se perëndimorët?!

„Ta mbrojme natyrën“. Sa qesharake kjo thirrje e gënjeshtërt, në një qytet ku kultura e luleve s’ka ekzistuar ndonjëherë, përveçse në varreza dëshmorësh. E përjetësuar mrekullisht në batutën e “Koncert në vitin 36”: “…në këtë qytet lulet i hanë gomerët…”.

I vetmi që më dhimbsej në tërë atë majmunëri, ishte më duket se Ambasadori Hollandez, me ndjenjën e tij naive të kontributit qytetar. Tha diçka të tipit: “Kurrë nuk dal dot në rrugë me biçikletë, është shumë e rrezikshme, po sot dola se ishte dita pa makina...“

DITA ME ABUZIME
Shteti tentoi të na nxirrte në rrugë pa makinë. Dmth, na la në shtëpi. Ky shtet, që nuk mbron dot këmbësorët e vet, të nxjerr në rrugë pa makinë.
Askush, nga ata që kanë makinë, nuk doli në këmbë. Ose nuk doli fare, ose la pa bërë punët, ose vendosi të tentojë me makinë. Another one bites the dust!

DITA ME TALLJE
Në tërë këtë histori njëditore tallja e madhe me të tërë ne është fakti që po ky shtet, promotori i ditës pa makina, është i paaftë të heqë nga rruga veturat e dumdumet që tymojnë si oxhakë fabrikash. Po ky shtet është i paaftë të aplikojë standardet e mosndotjes. Kontrolli i makinave, vazhdon të jetë një magazinë qesharake ku edhe një furrnaltë mund ta fusësh për kontroll teknik dhe ta nxjerrësh të miratuar me leje qarkullimi një vjeçare. Mjafton që shteti të marrë lekët, vit për vit.
Tallja është që ky shtet nuk ka asnjë strategji. Nuk kam parë askënd të mendojë të bëjë diçka që të paktën, pas 10 vjetësh, ky qytet të jetë më njerëzor e më miqësor me ambientin. Ky shtet ka vetëm leje ndërtimi për të dhënë.

DITA ME SPAM
E fundit, por jo më pak e rëndësishme. Ku e gjejnë të drejtën kompanitë celulare të na dërgojnë sms promovuese, qoftë dhe për një kauzë “të drejtë”? Pasi na kanë dërguar non stop reklama për shitje makinash, edhe këto, të pakërkuara.

DITA ME DHUNË
Duan të na mësojnë me dhunë, të mos përdorim makinën. Kush? Pushtetarët që nuk bëjnë më asnjë hap në këmbë. Kam vite që nuk e shoh në rrugë Kryetarin e Bashkisë. Sepse, nuk ecën në këmbë, përveçse kur ka kamerat nga pas te ndonjë rrugicë tregëtarësh!! Kryeministri, që e ka shtëpinë 2 minuta larg nga puna, herë pas here shkon në këmbë në zyrë. Herë pas here?! Ai DUHET të shkojë PËRDITË në këmbë!!

A thua, përmes dhunës, qoftë dhe një person do të ndryshojë? A mundet që me këtë formë të ndërgjegjësojmë qoftë dhe një person të vetëm nga 1 milionë që ka Tirana? Dyshoj se jo. E vetmja gjë që po bëjmë, është se po i shtyjmë njerëzit të urrejnë inisiativat qytetare. Duam tu heqim makinën, kur makina është i vetmi simbol statusi për shumë njerëz. Para se ta bëjmë të lërë makinën me përdhunë, duhet ti ofrojmë një qytet njerëzor. Dhe, Tirana, nuk është më njerëzore.
Në fakt, dita pa makina, është ditë pa njerëz.

Monday, September 20, 2010

Ferra E Vogël Dhe Lepuri I Madh

botuar te Shekulli, e Dielë, 19 Shtator 2010

Para pak javësh, një mik më solli një kopje të gazetës londineze “Metro”, ku lexova që Miss Shqipërinë e kishin klasifikuar në 5 të veshurat më keq të kompeticionit Miss Universe.
Kjo më ktheu vëmendjen në një temë të vjetër: pjesëmarrja jonë jashtë, dhe imazhi që na përcillet nga media këtu brenda.
Herë pas here në media promovohen ngjarje që ndodhkan jashtë, festivale, çmime, publikime, dhe ajo që perceptojmë ne këtu brenda duket sikur është bërë nami, dhe ne themi, po ky... artist, nga na doli?

Në përpjestim të zhdrejtë me besueshmërinë e medias, paradoksalisht qendron besimi tek ajo që shohim në TV apo lexojmë në gazetë. Librat, filmat, aktorët, miss-et, gjithçka trumbetohet sikur diku jashtë në botë po bën namin.
Dmth, nga një ferrë e vogël, media ia arrin të nxjerrë një lepur të madh.

Njerëzit që punojnë brenda redaksive e dinë shumë mirë sesi vjen lajmi, dhe rrugën që kalon para se të dalë si silash për tu mbllaçitur nga publiku. Thuajse përherë, sidomos për gjëra të parëndësishme si arti, askush nuk e verifikon informacionin. Larg qoftë të pyetet një njohës i fushës. Mjaftohen me një telefonatë ose një intervistë në kafe me vetë të interesuarin.
Pra, si u prit libri juaj në Francë? U bë nami! Po vrasin veten! Ku do e vendosni statujën e Pjeprit të Artë që fituat në festival? Te koka e skrivanisë, aty ku u mbarsa me skenarin. A keni pasur oferta, pas kurorës së “Miss Kokrra e Grurit” në Meksikë? Po, kam pasur oferta shumë serioze për një reklamë prefësesh thonjsh!

Besimi ynë se një lajm është i vërtetë, “përderisa e dha në TV”, ose se “s’të nxjerrin kot në gazetë”, nxjerr në pah nja 2 probleme të voçkla që kemi ne me mjetet e komunikimit.
Kushdo mund të publikojë atë që ka qejf, e të kalojë pa u verifikuar.
Po doli në media, do të thotë që ka ndodhur. Pyetje, s’ka!

KU? NË HOLLANDË
Ndodh vazhdimisht, në vende ku shumë prej nesh s’kanë qenë. Media përcjell informacione për autorë shqiptarë të botuar jashtë. Autorë që përpara se të botojnë në Shqipëri, e ti njohë vendi i tyre i vockël, rendin të botojnë në Perëndim, e ka raste dhe në dy gjuhë. Libër 2 gjuhësh me poezi, shqip dhe hollandisht! Kushedi sa me vlerë, përderisa dikush është lodhur duke e përkthyer. Bravo!! E paskan botuar në Luksemburg! Ku? Sa hyn në Luksemburg, rrugica majtas.
Media këtë lajm dhe këtë autor, shpesh thuajse totalisht të panjohur, e përcjell si arritje të letërsisë tonë nëpër botë.
Por, arritje të letërsisë tonë nëpër botë nuk ka.
Ajo që po i ripropozohet botës nga Shqipëria, është i njëjti që i propozohej edhe në 68-n, Kadareja.
Sigurisht, libri i autorit X, është botuar. Një student, ose kushdo që di flamandisht, mund ta ketë përkthyer, ashtu si ka ditur. Puna është, KU boton. Cila Shtëpi Botuese prestigjioze në Itali apo Francë e ka blerë librin? Se, mund të botosh edhe në shtëpinë botuese të qytezës N., 300km larg Stokholmit, qytezë me 400 banorë e ku shtëpia botuese boton vetëm gazetën e qytezës dhe lajmërimet për humbje qensh. Vetëm Italia i ka nja 400 shtëpi botuese. Por, prestigjiozet, janë vetëm shumë pak, sa gishtat e njërës dorë.

KUSH? MAJMUNI I ARTË
Herë pas here, në media shpërten njoftimi që aksh aktor apo shfaqje, paska fituar një statujë të artë në vende ekzotike, në Gdansk, në Antalia, apo në Machu Pichu. Majmuni i artë, Lajthiza e Artë, Jeniçeri i Artë.
Festivalet e filmit e të teatrit në botë janë me qindra. Por bota i ka ndarë në kategori A, B, C dhe Zh. Festivalet anonime dhe majmunët e artë anonimë që fitohen, janë rrobat e reja të mbretit, një mbreti, që për fat të keq e kemi jo vetëm lakuriq por dhe të shëmtuar.
Kinemaja shqiptare këto 20 vjet ka nxjerrë shumë pak filma të mirë, dhe pothuajse asnjë film shumë të mirë. Shitjet e biletave, e tregojnë këtë.
Ndodh që ndonjë film të pranohet dhe në festivale prestigjioze. Arsyet janë të shumta, nga ato politike, deri tek ato personale. Por, kjo, nuk u shton dot vlerë filmave që nuk e kanë atë.

ÇFARË? MISS FARA E LULEDIELLIT
Një tjetër arritje e madhe shqiptare, është pjesëmarrja në Misse të organizuara në katër anët e globit. Nga Afrika e Jugut, në Sierra Leone, nga Shangai në Peru. Emra të padëgjuar përfaqësojnë Shqipërinë, dhe ti pyet, Çfarë? Çfarë përfaqësojnë, kush i zgjodhi, si i zgjodhi? Se, spektaklet më të rëndësishëm në botë, janë a s’janë nja 3 gjithsejt. Pavarësisht që organizohen Miss-e deri në qytezat më të humbura të Italisë e deri në Kinë. Miss sponsorizon dhe një importues Lulelakre, me kusht që Missi të quhet Miss Lulelakra International.
Çfarë? Moda e miss-eve, ka kohë që ka perënduar. Bota ka gjetur forma shumë më efektive për të vlerësuar bukurinë për biznes. Vetëm një plakush si Donald Trump, emocionohet aq shumë nga vajzat e reja, sa të vendos të blerë e të ringrejë një show si miss Universe.
Shumica e miss-eve që zhvillohen në cepat e botës, janë me vajza të mbledhura me Facebook, me juri të ndërtuara me biznesmenë, dhe ku fitueset, nuk marrin (në rastin më të mirë) asgjë. Shumë ëndrra të ngritura mbi një truall moçalor.
Por, era e moçalit nuk mbërrin deri te ne. Për ne, bukuria shqiptare po bën namin nëpër botë.

SI? PAPARAZZI
Ndërkohë që, në faqe gazetash, ca edhe të rëndësishme, publikohen foto alla-Paparazzi.
Të thotë mendja, që një fotograf me rrogën 300mijë lek, ndoqi një këngëtare që ka nxjerrë 2 këngë gjithsejt, deri në Haruba, për ta fotografuar teksa bënte plazh.
Se në Tiranë, është shumë më komode. VIP-i/VIP-ja i bën një telefon fotografit. “Eja, se jam në filan vend.” Dhe Papparazz-i vjen dhe e kap në foto “pa mendje.” Halli është kur jemi jashtë, kush të na i bëjë fotot.
Në fakt, fotot i bën shoqja/shoku i të “kapurës në flagrancë” duke lozur me valët. Ose, “çuni na bëj pak një foto, se na i kërkon një gazetë në Tiranë”.

PSE?
Pa folur për ata, që vërtet besojnë se me një botim në një qytezë franceze të sponsorizuar nga babi, kanë bërë revolucion, përgjigja që të vjen në majë të gjuhës është që, narcizismi, nevoja për t’u ndjerë mirë, për t’u ndjerë të famshëm e të vlerësuar para publikut shqiptar, qoftë dhe pa e merituar, është shumë e fortë. Aq e fortë, sa të shtyn të servirësh në media sikur jashtë po bëkemi namin. Kjo, shërben edhe për vetëmbrojtje. Të sulmojmë, që mos u lëmë kohë të na kritikojnë.
Në fakt, të bësh një film të keq, nuk është faj. Nuk është asgjë. U bë i keq, aq. Ashtu doli! Bëj më të mirë tjetrin. Ose, mos bëj më filma. Këtu ka njerëz që kanë bërë Gërdec, e prapë, askush nuk mban faj. (Ç’do Gërdeci këtu, do thoni ju. Kot. Sa për të thënë që unë, nuk e harroj Gërdecin).
Por, për fat të keq, në mungesën e një sistemi vlerash mbi punën, në mungesë të kritikës profesionale, në mungesë të një publiku që ta shohë filmin tënd e ta lexojë librin tënd e ta diskutojë në kafene, e vetmja gjë që ngelet si vlerë, është “emri”, që ndërton virtualisht. Një “emër” që është shumë kollaj ta ngresh me një kafe me një gazetar. Sepse, media, është më keq se ne që e lexojmë. Çdo gjë që duket sikur shndrit jashtë, këtu brenda besohet se është flori.

Sunday, September 12, 2010

FEMRAT

Botuar te Shekulli, 12/09/2010

Kur u përkthye së pari “Femrat” i Bukowskit shumë vetë rrudhën buzët. E quajtën libër shovinist. Në fakt, ajo që shkruante ai burri në libër ishte një përshkrim i thatë deri në brutalitet i marrëdhënieve të femrave me të. Por, Bukowski është shumë “vitet 70”...
A thua? A thua femra shqiptare, që nuk pati mundësinë të kalojë procesin e revolucionit seksual të viteve 60, të feminizmit të 70’s e konsumizmit të 80’s të ketë thyer kodet e Bukowskit?

Duke qenë të vetëdijshëm për maskilizmin e theksuar të shoqërisë shqiptare ku akoma ka zona ku lindja e një femre konsiderohet ters; për pabarazhinë gjinore në familje, në arsimim, në punësim; për abuzimin verbal e deri fizik në qendrat e punës apo të shkollës e deri në rrugë; ka një pikë përtej së cilës nuk ka justifikime për cilësinë e kontributit që femrat shqiptare sjellin në civilizimin e shoqërisë sonë. Ka një pikë, përtej së cilës lind pyetja, mirë të tjerat, po këto gra, vetë, çfarë po bëjnë? Çfarë po japin për ta bërë më të paqtë, të jetueshëm, e normal këtë vend?

Femrat kanë në dorë edukimin e fëmijëve të tyre, djem e vajza, prej nga do të dalin shovinistët ose xhentëllmenët, nënat ose prostitutat e së ardhmes. Femrat kanë në dorë dhe shkollimin e fëmijëve, përderisa pjesa më e madhe e mësueseve në fillore e deri në gjimnaz janë gra.
Në një vend të ngarkuar me tension seksual, ku për pak seks kemi parë që burrat janë gati t’i vënë ferrën vetë shtetit, femrat, kanë në dorë shumë. Kanë në dorë, burrat!
Në kohët e vjetra, meshkujt bënin atë që donin të bënin. Në kohët moderne, meshkut bëjnë atë që femrat u lejojnë atyre të bëjnë.
Nëse femrat shqiptare do të josheshin nga meshkujt trupbukur, tërë burrat do rendnin në palestër. Nëse kërkojnë meshkuj të pasur, të tërë me vrap të bëjnë para. Nëse femrat duan një burrë me makinë të shtrenjtë, secili do përpiqet ta sajojë një, qoftë dhe të vjedhur, qoftë dhe borxh. Nëse do donin meshkuj inteligjentë, s’do kishte më lavazhe por biblioteka.

1. KOPRRACIA
Ajo që vërej, është se ato kërkojnë shumë pak: Një burrë, që të paguajë për to. Nuk kam takuar akoma një femër shqiptare që të mos i pëlqejë ta qerasin. Madje, edhe ato që fitojnë më shumë se burrat me të cilët ulen për kafe.
Pa folur për modën e takimeve pas njohjes në Facebook. Në takimin e parë (në kafene, sigurisht, mos kujtuat në në Ekspozitë pikture?), djali porosit kafe, ajo - Mohito. Në 11 të paradites!
Statusi vendoset që në fillim: “unë, kushtoj shtrenjtë!”
Problemi i këtij statusi qendron te fakti që djemtë e rinj, me humor e inteligjentë, nuk e kanë kuletën e fryrë. Ndërsa, burrat me kuletën e fryrë, shpesh, i ka kapur dikush tjetër më herët. Shpesh, kanë fëmijë dhe grua. Por vajzat e Bllokut e pranojnë kompromisin, me një kusht të panegociueshëm: Nëm! Nëm!! NËM!!!

2. MENDJEMADHËSIA
Femrat në timon më krijojnë ndjesi pozitive. Një makinë duket gjë e vogël, por është në fakt, gjë e madhe. Është simbol i pavarësisë së individit.
Shpesh, shoh dhe femra në timone makinash luksoze, të cilat, gjasat janë që nuk i kanë blerë vetë. Makina që tregojnë standartin e të pasurit, e herë të garipit dhe të fortit. Ato femra, në ato lloj makinash, edhe në rrugë ngasin si të fortë. Xhirojnë gomat në kthesë. Futen me arrogancë me të kuqe. Sepse, këto femra i japin makinës si ai që ua ka mësuar. Gjëja më e trishtueshme në asfalt janë femrat lace.

3. ZEMËRIMI
Duket sikur moralin e përcaktojnë burrat. Në fakt, moralin e përkufizojnë gratë. Fjalën “Kurvë” e përdorin më me urrejtje e përçmim femrat për femrat e tjera, sesa meshkujt. Madje, meshkujt e përdorin dhe me njëfarë respekti.
Femrat, i përcaktojnë normat e moralit në bazë të asaj që nuk guxojnë t’i bëjnë apo arrijnë dot vetë. Të ngecura në një jetë që mund të mos u japë shumë, përpiqen të krijojnë status për veten e tyre, duke vendosur gardhin e “normës” për femrat e tjera.
Vendosja e statusit është agresive dhe e dhunshme, mes vetë femrave. Më ka rënë rasti të dëgjoj një studente që i klasifikonte “zhulse” vajzat që vinin në shkollë të veshura thjesht e me atlete. Për vete, vinte në shkollë me takën 10 pond e me minifundin më të shkurtër se të Gishtëzës. E kështu diskriminimi mes femrave vazhdon pa pushim, pa sens e pa masë.

4. EPSHI
Problemi më i dukshëm i femrave shqiptare shfaqet te kodet e deformuara të veshjes. Shohim përditë vajza që shkojnë në punë e në shkollë të veshura sikur po shkojnë në pub, madje edhe me xixa me yje në fytyrë; femra që punojnë manaxhere lokalesh dhe ngjajnë sikur janë në vitrinat e rrugës së kuqe të Amsterdamit; gra me deformime trupore që veshin gjëra të papërshtatshme të ngushta. Këto nuk tregojnë që femrat shqiptare janë me komplekse. Tregojnë të kundërtën. Tregojnë një mentalitet banal e të thjeshtë. Meqë seksi është motori kryesor i shoqërisë, meqë është e vetmja gjë që i bën burrat të ngrihen nga kafja a divani, atëherë, duhet të jemi seksuale në çdo orë. Jo sensuale. Seksuale!
Sepse, seksi, është arma kryesore.

Sigurisht, seksi ka qenë në të tëra kohërat një armë shumë e fortë. Por, ka qenë NJËRA nga armët. Joshja femërore ka brenda inteligjencë, sharm, feminilitet e sensualitet, humor e buzëqeshje, finesë e indiferencë.
Sot, has femra që nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël të jenë interesante, të zgjuara apo sharmante në tavolinë. E manifestojnë hapur, vend e pa vend, që të gjithë ua kanë nevojnë sepse ato kanë “çelësin”. Ato besojnë se të kesh “çelësin” e një kumbaraje bosh mjafton për të pasur status të priviliegjuar kudo, qoftë dhe në një tavolinë të thjeshtë kafeneje.
Tentojnë të shiten shtrenjtë pa pasur asgjë tjetër për të ofruar, veç seksit.
Dhe ke parë që, shiten! Bursa e seksit është gjimthonë lart! Ato kanë vendosur një standart.

5. PLOGËSHTIA
Njohja, flirtimi, krijimi i lidhjeve seksuale, kanë qenë motivi pse lindi jeta e natës. Një vend ku njerëzit e lodhur nga puna të mund të takohen me qenie të tjera e të flirtojnë, të ndërlidhen.
Në jetën e natës së Tiranës rrotullohen disa qindra-mijëra femra që s’dinë ç’kërkojnë.
Rrinë 2 ose 3 vajza ulur në stol, pa folur, për orë me radhë, me një pije përpara. Pastaj ikin në shtëpi, të kënaqura që bënë jetë nate. Kështu prej vitesh.
Pse dalin atëherë në këto institucione flirtimi, nëse nuk kanë në plan të flirtojnë?
Që të duken! Më shumë se të argëtohesh, ka rëndësi të dukesh që je aty ku të gjithë thonë që bëhet qejf. Kaq është. Të kenë mundësinë të Hënën të mburren: “unë isha aty”. Kaq u mjafton. Edhe pse “aty” ato vetëm vegjetojnë.

Por, modeli më interesant, janë ato që paguhen për të qenë “aty”, pranë banakut, si karrem për klientët.
Pije falas, për ekspozim falas. Narcizismi i tyre e pranon me kënaqësi marrëveshjen. Ato janë femra joshëse që kanë qejf të tregohen.
Por, shumica, s’ka kuptuar një gjë: Jeta e natës ka natë, por edhe jetë. Këto femra, kanë vetëm natën. Nuk bëjnë jetë.

Duket sikur jeta e natës e Tiranës, në mënyrë absurde, është plot femra që kanë dalë të kërkojnë burrë për tu martuar.

6. LLUPËSIA
Burri, do të thotë kompromis. Tarta e kompromiseve në martesë, do të ishte e gjatë e me seri.
Jemi të rrethuar nga njerëz dhe histori që dëshmojnë se martesa është kthyer në një institucion kompromisi të frikshëm për shumë çifte.
Për sa kohë gruaja ka para për të prishur, burri ka leje të mbajë dashnore. Ditën bëj ç’të duash! Në darkë kthehu në shtëpi! Mjafton që unë të mos e di!

7. ZILIA
Për të kuptuar dualizimin dhe çoroditjen e standarteve të sjelljes shoqërore te femrat shqiptare, mjafton të shohësh fotot e tyre në Facebook. Vajza të cilat kanë frikë të flasin për seksin edhe me shoqet e ngushta, të rritura mes tabush të frikshme, dalin në FB në poza seksuale nga më të çuditshmet, e madje edhe të sikletshme për atë që i sheh. Një transformim total në një botë virtuale. Një lëshim nga zinxhirët, që si çdo çlirim i këtij llojit ka tendencën ti çojë përtej kufirit të kundërt. Gjithmonë në web. Në jetën reale, kthehen në statusin origjinal.

Ndrydhja, bën që ato vajzat e mbledhura e konform normave të mesatares së “moralit” shoqëror, sa dalin jashtë kufijve të shtetit për konferenca, shkollë a çfarë do tjetër, jetojnë fenomenin e çlirimit nga zinxhirët. Kjo i ka shndërruar gardhet e moralit në një farsë shoqërore si puna e tezgjahut të Penelopës: të gjithë e thurim ditën, dhe e shthurim natën. Ose, e thurim në Atdhe, e shthurim në Perëndim.

E njëjta gjë ndodh me vajzat nga rrethet kur vijnë në Tiranë. Vajzat e urta të 2 muajve të parë të shkollës, kthehen në përbindsha të dëfrimit të pafre. Nevoja për të përballuar një jetë të shfrenuar që kursimet e babait në rrethin e largët e të varfër nuk ia mundësojnë, i shndrron këto vajza në një pre të lehtë. Dikush duhet të paguajë për to, në mos, ato vetë. Jo më kot, rekrutuesit e prostitutave on call, xhiron parë të “shopping-ut” e bëjnë nga Qyteti Studenti.

DIO DELLE CITTÀ, E DELL'IMMENSITÀ

Vediamo se si può/imparare queste donne/e cambiare un po' per loro/e cambiare un po' per noi...
Femrat, mbeten gjysma jonë më e mirë. Kuptohet, që përjashtimet nga 7 kategoritë më sipër janë të shumta. Ka gra, të cilat durojnë shumë dhe sakrifikojnë jetën e tyre, për të rritur fëmijët. Ka vajza, që qorrohen mbi libra, për të arritur një profesion a vend pune që të tjerat e kapin duke vajtur në intervista me kurrizin përjashta. Ka dhe vajza të tjera, që mbahen mbyllur, për ti “ruajtur” nga “degjenerimi” i Bllokut. Ka dhe fshatra, ku fejohen, pa u pyetur që të mitura, ose arratisen nga mjerimi me të parin mustaqelli që kalon.

Gratë, duhet të përpiqen fort që të bëhen gjysma jonë akoma më e mirë. Në një botë ku meshkujt yshtin luftën, ato mund të impononin paqen. Aty ku burrat urrejnë, ato mund të dhurojnë dhembshurinë. Seksi, do duhej të ishte gëzim, jo pengmarrje sociale.

Përtej komplekseve personale e përtej pabarazisë gjinore, femra shqiptare duhet të rishpikë vetveten.

Wednesday, September 8, 2010

NJË VERË E GJATË DHE E THATË

Pjesa më e madhe e njerëzve që takoj, nuk e kanë shijuar edhe aq këtë verë. Një stres i pakapshëm, i veshur me pluhur, vapë e zhurmë na mundon vazhdimisht, dhe s’marrim vesh nëse po mërzitemi kot apo plot.
Tani që iku vapa me Paul van Dyk-un, është koha për të bërë një rezyme të verës që kaluam.

Moda e re e DJ-ve

Këtë verë u pa një garë e shfrenuar se cili night club do të sillte më shumë DJ, në Tiranë a në plazh. Madje, edhe atyre që kanë klube barishtesh ku hahet mish në hell, u hipi qejfi të ftonin ndonjë DJ me emër, për të mos ngelur prapa të tjerëve.
Kryesonte DJ Tiesto e Paul Van Dyk, që me përjashtim të nja 200 qejflinjve, pjesa tjetër e popullsisë, përfshi edhe mua, nuk besoj se janë në gjendje t’i dallojnë nga Sandy Riviera përsa i përket stilit të DJ-llikut. DJ-i me famë mund të vinte edhe një miksim të parapërgatitur e askush s’kishte për ta marrë vesh. Dmth, se e vuri remiksin DJ Gimi apo e vuri DJ Molella, ata njerëzit super tapë, vështirë se e marrin vesh...
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit apo dhe të Evropës, ne kishim argëtimin kulturor më të pasur në DJ, por më të varfrin në larmi e në kulturë. Sepse, DJ që vijnë për koncerte, janë argëtim, por jo medoemos aktivitete kulturore. Të mblidhesh në Dhërmi për të bërë bar, për të prishur lek e për të parë femra me bikini deri në 8 të mëngjesit, e për të mos marrë vesh çfarë ndodhi ngaqë ishe tapë, është goxha qejf, por jo aktivitet kulturor.
Tirana, për nga larmia e aktiviteteve kulturore nuk krahasohet në verë as me një qytet si Ohri, e larg qoftë me metropolet evropiane. E vetmja gjë që ndodh janë DJ-të.
Megjithatë, secili ka të drejtën të zgjedhë drogën..., pardon, jetën kulturore që i pëlqen.
Çështja nuk është as tek kultura, e as tek gara mes bareve. A kanë mundësi ta marrin edhe për kamerier Sandy Riverën për ti rritur namin klubit? Bravo!
Çështja është kostoja e këtyre DJ-ve e mbuluar me sponsorë, që në rrugë private kam mësuar se kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë. Dhe lind pyetja, sa e drejtë është që kompanitë e mëdha të investojnë nga paratë e mbledhura nga konsumatorët shqiptarë për DJ të huaj, të cilët marrin dhjetëra mijëra euro që të hipin 2 orë në majë të dërrasave të një beach bar-i? Sa e moralshme është që fitimet e mbledhura nga harxhet e njerëzve të thjeshtë të shkojnë për të argëtuar 1 mijë të rinj të bërë thumb e dru në Dhërmi?
Ndoshta, ato para, meqënëse qenka e thënë të investohen në art, mund të investohen më me mend tek artistët e rinj, që janë plot me projekte në kokë e që përplasen sa andej këtej për të marrë 1/10 e asaj që mori një DJ për 2 orë të venë një shfaje teatri.
Ose, nëse teatri nuk konsiderohet edhe aq trendi, ka plot projekte të tjera. Më e pakta do të qé të investohen në DJ shqiptarë, dhe ka prej tyre që mund të luajnë po aq mirë sa Tiesto me shokë.
Rreziku i vetëm është se ca qindra snobëve të Tiranës, do u duket vetja që janë vërtet në Dhërmi, ndërsa vdesin të shtiren sikur janë në një vend ekskluziv e luksoz.

Moda e Vjetër e Dasmave


Nga ana tjetër, DJ-të shqiptarë, e panë të arsyeshme që ta nxirrnin bukën e gojës në evenimente më pak mundane. Nga e hëna deri në të premten, lagjet e Tiranës buçisnin nga dasmorë të eksituar e nga ai lloj muzike që ta shton dëshirën të emigrosh në Kurdistan.
DJ-të shkonin në një dasëm në drekë, në një tjetër në darkë e në tejtër akoma të nesërmen, duke luajtur të njëjtat këngë e duke prodhuar të njëjtën zhurmë. Dasmat konkuronin njëra tjetrën me foni stadiumi.
Policia e njoftuar nga të katër anët për prishje të qetësisë publike, nuk reagonte dhe ngrinte supet... “Po kanë dasëm”.

Moda e Heshtjes

Ti sheh TV me zë të lartë për të mbytur zhurmën e përbinshme që vjen nga jashtë. Por, sado që sheh TV, duket se përveç aksidenteve, dhe akuzave për korrupsion nga të katër anët – gjëra që s’kanë të bëjnë me ty që po sheh TV – asgjë nuk ndodh.
Në fakt, kanë ndodhur gjëra, por që nuk janë thënë.
Kjo verë, nuk ka qenë fare pa ngjarje, por ja që ata që drejtojnë këtë vend dhe informacionin e tij e kanë parë të arsyeshme të mos i thonë. Opozita dhe pozita kanë qenë me pushime, pastaj, pse duhet ti thonë të gjitha? Do i thonë vetëm po t’u duhet, kohë më vonë.
Akuzat e ndërsjella për korrupsion, a nuk kanë qenë aty prej kohësh? Pse po dalin vetëm tani? Të djya palët kanë hapur thesin e kërcënojnë: “Ou? E the, ëë? Shih pra ç’do të nxjerr nga thesi kundër teje!”

Mullinjtë me erë që bluajnë lajme, u kujdesën që publiku të marrë dozën e duhur të valiumit, me lajme e emisione që të përgjumin vëmendjen.

Televizionet tona i mbushnin edicionet e lajmeve me voks-pope për shalqinjtë e rërën, dhe orët e drekës me ritransmetime emisionesh. Emisione që janë të pagëlltitshëm edhe kur jepen live, jo më të ritransmetuar pas shumë muajsh në mënyrë monotone, si ajo kënga e shëmtuar që pasi e ke dëgjuar nja 100 herë fillon ta këndosh me vete, se të bëhet krimb në kokë.
Kjo është mënyra sesi media e manipulon publikun.
Kjo është ajo që do shndërrohemi së shpejti. Një komb i mpirë, i paaftë të reagojë e të kuptojë. Një komb, në trurin e kalbur të të cilit lëviz vetëm një krimb.

Ka gjëra që kanë ndodhur e nuk janë thënë. Media nuk ka raportuar. As unë s’jua them! Do ju duket, sikur ka ndodhur një aksident më shumë, në lajme.


Moda e targave ZYCFMSFGDFTZTZJH

Në lajme, pjesa më e madhe e aksidenteve që dëgjoj ndodhin në makina emigrantësh. Kanë ardhur në Shqipëri, vetëm për pak javë dhe sillen si të jenë të zgjidhur prej hekurash.
Makinat me targa LA ose KR, që tradicionalisht mbajnë lart namin për abuzimin me të drejtën që kushdo mund të ketë një makinë, u ndjenë të turpëruara para shkeljeve, agresivitetit dhe abuzimeve të vazhdueshme të makinave me targa të huaja në rrugë.

A nuk duhej të ishin emigrantët ata që sjellin një copë perëndimi? Ata që sjellin qytetari dhe qetësi? Në fakt, ata kishin ardhur vetëm për të gjetur nuse, për t’u ankuar në vox-pope e për të shfryrë ndrydhjen që u shkakton qytetaria e imponuar në Evropë. Duket sikur vijnë në Shqipëri për tu ndjerë mirë, për tu ndjerë të lirë, për të kaluar me të kuqe sa herë tu dojë qejfi, e për t’u ndjerë të pandëshkueshëm.
Kur të kthehen në vendet përkatëse, i pret vuajtja e qytetërimit, ecja e qetë e brenda rregullave. Të shkretët. I dhunojnë andej. I detyrojnë të jenë qytetarë. Rroftë Shqipëria, ku mund të bëjnë ç’të duan.

Në fund të gushtit, makinat me targat TZJTNFVBSDCVSDCB largohen, duke u ankuar për Shqipërinë, dhe për rrugët e pasigurta dhe për plazhin që s’të ofron asgjë.

MODA E Vjetër e RËRËS


Bregdeti ka arritur deri te fshatrat e Tepelenës. Të paktën për çmimet. Ishin të njëjtat në një fshat tepelenas, si të ishe në bregdet.

Çmimet e ekzagjeruara, patatinat që kushtojnë në dyqanin e fshatit më shumë se në dyqanet në qendër të Tiranës, snobet që vijnë me taka të larta në rërë, motorët që të çajnë ballin, muzika që të hap kokën. Ky qe plazhi sivjet. Njësoj si vjet. Edhe si parvjet. Me një ndryshim. Çmimet, dhe “luksi” i shtuar.

Kishte plazhe publike ku ti nuk ndjeheshe publik, se duhej të paguaje e nuk të linin të ngulje çadrën tënde.
Kishte vende ku çadrat e plazhit paguheshin me euro me çmime si në Bora-Bora.

Dhe të mendosh që plazhi ishte po ai... njerezit po ata..., vetëm se pronarit i duhen ca më shumë lekë për të bërë pushimet e veta në Barcelonë.

Në çadra nuk bisedoje dot, sepse kamerierët e bërë dru tërë natën, dëgjojnë hauz që në 9 të mëngjesit.
Dhe plazhi ishte po ai... njerëzit po ata..., vetëm se qejfi tentonte të ishte më luksoz.

Gjërat më të mira në botë janë falas, kanë thënë. Por, jo për ne. Ne na duket një gjë e mirë vetëm nëse na e shesin shtrenjtë. Dmth, nëse ne marrim atë që tjetri s’ka ta paguajë. Qejfi jonë është me të dukur.
Më patë ku isha? Isha aty, te vendi më i shtrenjtë! Më patë ku isha? Aty, tek DJ Tiesto. Si qé DJ Tiesto? Nuk e di. Më duket se ishte ai që luajti i fundit... apo i mos qé ai i parafundit?

Këtë vit plazhet tona qenë gjysëm të boshatisura, dhe një popull i zgjuar kupton që diçka po shkon mbrapsht. Thashë një kombi zgjuar, jo ne. Ne jemi kombi me krimb në kokë!

Megjithatë, e gjitha ka një anë të mirë. Nuk do na kapë depresioni i pas pushimeve.