Pjesa më e madhe e njerëzve që takoj, nuk e kanë shijuar edhe aq këtë verë. Një stres i pakapshëm, i veshur me pluhur, vapë e zhurmë na mundon vazhdimisht, dhe s’marrim vesh nëse po mërzitemi kot apo plot.
Tani që iku vapa me Paul van Dyk-un, është koha për të bërë një rezyme të verës që kaluam.
Moda e re e DJ-ve
Këtë verë u pa një garë e shfrenuar se cili night club do të sillte më shumë DJ, në Tiranë a në plazh. Madje, edhe atyre që kanë klube barishtesh ku hahet mish në hell, u hipi qejfi të ftonin ndonjë DJ me emër, për të mos ngelur prapa të tjerëve.
Kryesonte DJ Tiesto e Paul Van Dyk, që me përjashtim të nja 200 qejflinjve, pjesa tjetër e popullsisë, përfshi edhe mua, nuk besoj se janë në gjendje t’i dallojnë nga Sandy Riviera përsa i përket stilit të DJ-llikut. DJ-i me famë mund të vinte edhe një miksim të parapërgatitur e askush s’kishte për ta marrë vesh. Dmth, se e vuri remiksin DJ Gimi apo e vuri DJ Molella, ata njerëzit super tapë, vështirë se e marrin vesh...
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit apo dhe të Evropës, ne kishim argëtimin kulturor më të pasur në DJ, por më të varfrin në larmi e në kulturë. Sepse, DJ që vijnë për koncerte, janë argëtim, por jo medoemos aktivitete kulturore. Të mblidhesh në Dhërmi për të bërë bar, për të prishur lek e për të parë femra me bikini deri në 8 të mëngjesit, e për të mos marrë vesh çfarë ndodhi ngaqë ishe tapë, është goxha qejf, por jo aktivitet kulturor.
Tirana, për nga larmia e aktiviteteve kulturore nuk krahasohet në verë as me një qytet si Ohri, e larg qoftë me metropolet evropiane. E vetmja gjë që ndodh janë DJ-të.
Megjithatë, secili ka të drejtën të zgjedhë drogën..., pardon, jetën kulturore që i pëlqen.
Çështja nuk është as tek kultura, e as tek gara mes bareve. A kanë mundësi ta marrin edhe për kamerier Sandy Riverën për ti rritur namin klubit? Bravo!
Çështja është kostoja e këtyre DJ-ve e mbuluar me sponsorë, që në rrugë private kam mësuar se kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë. Dhe lind pyetja, sa e drejtë është që kompanitë e mëdha të investojnë nga paratë e mbledhura nga konsumatorët shqiptarë për DJ të huaj, të cilët marrin dhjetëra mijëra euro që të hipin 2 orë në majë të dërrasave të një beach bar-i? Sa e moralshme është që fitimet e mbledhura nga harxhet e njerëzve të thjeshtë të shkojnë për të argëtuar 1 mijë të rinj të bërë thumb e dru në Dhërmi?
Ndoshta, ato para, meqënëse qenka e thënë të investohen në art, mund të investohen më me mend tek artistët e rinj, që janë plot me projekte në kokë e që përplasen sa andej këtej për të marrë 1/10 e asaj që mori një DJ për 2 orë të venë një shfaje teatri.
Ose, nëse teatri nuk konsiderohet edhe aq trendi, ka plot projekte të tjera. Më e pakta do të qé të investohen në DJ shqiptarë, dhe ka prej tyre që mund të luajnë po aq mirë sa Tiesto me shokë.
Rreziku i vetëm është se ca qindra snobëve të Tiranës, do u duket vetja që janë vërtet në Dhërmi, ndërsa vdesin të shtiren sikur janë në një vend ekskluziv e luksoz.
Moda e Vjetër e Dasmave
Nga ana tjetër, DJ-të shqiptarë, e panë të arsyeshme që ta nxirrnin bukën e gojës në evenimente më pak mundane. Nga e hëna deri në të premten, lagjet e Tiranës buçisnin nga dasmorë të eksituar e nga ai lloj muzike që ta shton dëshirën të emigrosh në Kurdistan.
DJ-të shkonin në një dasëm në drekë, në një tjetër në darkë e në tejtër akoma të nesërmen, duke luajtur të njëjtat këngë e duke prodhuar të njëjtën zhurmë. Dasmat konkuronin njëra tjetrën me foni stadiumi.
Policia e njoftuar nga të katër anët për prishje të qetësisë publike, nuk reagonte dhe ngrinte supet... “Po kanë dasëm”.
Moda e Heshtjes
Ti sheh TV me zë të lartë për të mbytur zhurmën e përbinshme që vjen nga jashtë. Por, sado që sheh TV, duket se përveç aksidenteve, dhe akuzave për korrupsion nga të katër anët – gjëra që s’kanë të bëjnë me ty që po sheh TV – asgjë nuk ndodh.
Në fakt, kanë ndodhur gjëra, por që nuk janë thënë.
Kjo verë, nuk ka qenë fare pa ngjarje, por ja që ata që drejtojnë këtë vend dhe informacionin e tij e kanë parë të arsyeshme të mos i thonë. Opozita dhe pozita kanë qenë me pushime, pastaj, pse duhet ti thonë të gjitha? Do i thonë vetëm po t’u duhet, kohë më vonë.
Akuzat e ndërsjella për korrupsion, a nuk kanë qenë aty prej kohësh? Pse po dalin vetëm tani? Të djya palët kanë hapur thesin e kërcënojnë: “Ou? E the, ëë? Shih pra ç’do të nxjerr nga thesi kundër teje!”
Mullinjtë me erë që bluajnë lajme, u kujdesën që publiku të marrë dozën e duhur të valiumit, me lajme e emisione që të përgjumin vëmendjen.
Televizionet tona i mbushnin edicionet e lajmeve me voks-pope për shalqinjtë e rërën, dhe orët e drekës me ritransmetime emisionesh. Emisione që janë të pagëlltitshëm edhe kur jepen live, jo më të ritransmetuar pas shumë muajsh në mënyrë monotone, si ajo kënga e shëmtuar që pasi e ke dëgjuar nja 100 herë fillon ta këndosh me vete, se të bëhet krimb në kokë.
Kjo është mënyra sesi media e manipulon publikun.
Kjo është ajo që do shndërrohemi së shpejti. Një komb i mpirë, i paaftë të reagojë e të kuptojë. Një komb, në trurin e kalbur të të cilit lëviz vetëm një krimb.
Ka gjëra që kanë ndodhur e nuk janë thënë. Media nuk ka raportuar. As unë s’jua them! Do ju duket, sikur ka ndodhur një aksident më shumë, në lajme.
Moda e targave ZYCFMSFGDFTZTZJH
Në lajme, pjesa më e madhe e aksidenteve që dëgjoj ndodhin në makina emigrantësh. Kanë ardhur në Shqipëri, vetëm për pak javë dhe sillen si të jenë të zgjidhur prej hekurash.
Makinat me targa LA ose KR, që tradicionalisht mbajnë lart namin për abuzimin me të drejtën që kushdo mund të ketë një makinë, u ndjenë të turpëruara para shkeljeve, agresivitetit dhe abuzimeve të vazhdueshme të makinave me targa të huaja në rrugë.
A nuk duhej të ishin emigrantët ata që sjellin një copë perëndimi? Ata që sjellin qytetari dhe qetësi? Në fakt, ata kishin ardhur vetëm për të gjetur nuse, për t’u ankuar në vox-pope e për të shfryrë ndrydhjen që u shkakton qytetaria e imponuar në Evropë. Duket sikur vijnë në Shqipëri për tu ndjerë mirë, për tu ndjerë të lirë, për të kaluar me të kuqe sa herë tu dojë qejfi, e për t’u ndjerë të pandëshkueshëm.
Kur të kthehen në vendet përkatëse, i pret vuajtja e qytetërimit, ecja e qetë e brenda rregullave. Të shkretët. I dhunojnë andej. I detyrojnë të jenë qytetarë. Rroftë Shqipëria, ku mund të bëjnë ç’të duan.
Në fund të gushtit, makinat me targat TZJTNFVBSDCVSDCB largohen, duke u ankuar për Shqipërinë, dhe për rrugët e pasigurta dhe për plazhin që s’të ofron asgjë.
MODA E Vjetër e RËRËS
Bregdeti ka arritur deri te fshatrat e Tepelenës. Të paktën për çmimet. Ishin të njëjtat në një fshat tepelenas, si të ishe në bregdet.
Çmimet e ekzagjeruara, patatinat që kushtojnë në dyqanin e fshatit më shumë se në dyqanet në qendër të Tiranës, snobet që vijnë me taka të larta në rërë, motorët që të çajnë ballin, muzika që të hap kokën. Ky qe plazhi sivjet. Njësoj si vjet. Edhe si parvjet. Me një ndryshim. Çmimet, dhe “luksi” i shtuar.
Kishte plazhe publike ku ti nuk ndjeheshe publik, se duhej të paguaje e nuk të linin të ngulje çadrën tënde.
Kishte vende ku çadrat e plazhit paguheshin me euro me çmime si në Bora-Bora.
Dhe të mendosh që plazhi ishte po ai... njerezit po ata..., vetëm se pronarit i duhen ca më shumë lekë për të bërë pushimet e veta në Barcelonë.
Në çadra nuk bisedoje dot, sepse kamerierët e bërë dru tërë natën, dëgjojnë hauz që në 9 të mëngjesit.
Dhe plazhi ishte po ai... njerëzit po ata..., vetëm se qejfi tentonte të ishte më luksoz.
Gjërat më të mira në botë janë falas, kanë thënë. Por, jo për ne. Ne na duket një gjë e mirë vetëm nëse na e shesin shtrenjtë. Dmth, nëse ne marrim atë që tjetri s’ka ta paguajë. Qejfi jonë është me të dukur.
Më patë ku isha? Isha aty, te vendi më i shtrenjtë! Më patë ku isha? Aty, tek DJ Tiesto. Si qé DJ Tiesto? Nuk e di. Më duket se ishte ai që luajti i fundit... apo i mos qé ai i parafundit?
Këtë vit plazhet tona qenë gjysëm të boshatisura, dhe një popull i zgjuar kupton që diçka po shkon mbrapsht. Thashë një kombi zgjuar, jo ne. Ne jemi kombi me krimb në kokë!
Megjithatë, e gjitha ka një anë të mirë. Nuk do na kapë depresioni i pas pushimeve.
Wednesday, September 8, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment