Thursday, August 29, 2013

Udha e shkronjave dhe shtegu i Djallit

botuar në Revistën Klan, 24 gusht 2013


Willem de Kooning - pa titull
...............................................

Para se të dal në temë, do bëj nja dy xhiro jashtë teme. Është verë, dhe ne prodhojmë prapë shumë ngjarje. Problemet, nuk shkojnë kurrë me leje te ne. Po të vësh re, çdo problematikë, bluhet e konsumohet fort për disa ditë, maksimumi një javë, dhe harrohet sapo hapet një diskurs tjetër. Nuk ka nevojë shumë për të kuptuar se debati publik nuk pjell thuajse asgjë, as reforma, as politika qeveritare, as ndryshim të sjelljes institucionale, as dorëheqje e as hetime. Kam frikë se Rama nuk lexon publicistikë më prej kohësh, ndërsa Berisha lexon jo për të kuptuar problemin por atë që e ka shkruar. Nga institucionet e tjera të shtetit, e kotë të presësh. Pra, prodhojmë ngjarje, por veç sa për “muhabet” e jo për të zgjidhur gjë. Jemi si ajo makineria që pret dru me furi në pyll, dru që kalben se askush nuk vjen t'i mbledhë. Kjo makineri, është media.
Diskursi i hapur nga Baton Haxhiu mbi sjelljen e Top Channel me të majtët në pushtet në raport me sjelljen e Klanit në pushtet me të djathët, është një debat i mprehtë. Ky debat u mbyll për pak ditë, dhe si normalisht u kalua tek prerja e druve të tjera. Unë mendoj se ky debat është thelbësor. Madje më shumë, është një debat për jetë a vdekje. Jo se të tjerat, nuk kanë rëndësi - Basha që zëvendëson Berishën; LSI në një qeverisje rilindjeje; SHQUP-i si abuzimi i fundit i pushtetit; kisha në Përmet si faktor lufte i Greqisë; fashistët e Agimit të Artë që recitojnë poezi në kishat e Himarës - por, janë (edhe) nënprodukt i makinerisë.
Dolëm në temë. Armiku më i madh i qytetarit. Media.

Media si armik
Në librin “Viti ‘97” Mero Baze shpjegon sesi u krijua lajmi për paratë që dilnin me gomone nga Shqipëria, një lajm i paverifikuar dhe i dalë prej pushtetit me ndihmën e gazetarëve mbështetës. Pavarësisht se në libër shpjegohet se ky lajm është i rremë, akoma në psikën tonë jemi të bindur që paratë e Vefa-s dilnin me gomone jashtë shtetit. A mos e kam përdorur me ekzagjerim cilësimin “armik”? Fundja, po të lexosh “makinerinë që pret dru” ne jetojmë mes armiqsh. Media, vetëm veten e vet nuk e konsideron armik.
Asgjë nga këto që kanë ndodhur në këto 23 vjet (koha e Enverit do të meritonte një konsideratë më vete, lidhur me median) nuk ka ndodhur pa pasur bashkëpunimin, ku të heshtur ku bërtitës, ku pjesëmarrës e ku miratues, ku të blerë e ku të marrë me dhunë të medias. E vërteta, fshihet dhe deformohet, dhe gjella jonë mediatike funksionon (siç është thënë më parë) përmes gjysmë të vërtetave. Gjysmë të vërtetat - janë armiku më i madh i së vërtetës, më shumë dhe se injoranca.
Kjo ndodh, sepse media mbahet me para dhe paraja bën ligjin në mungesë të ligjeve.

Media dhe paraja
Para disa vitesh, kur punoja në radio, dhashë informacion për një ngjarje në lidhje me bankat që e dinte gjithë Tirana, por që censurohej gjithandej. Vetëm e përmenda ngjarjen, por kaq mjaftoi që Banka të pezullonte reklamat në radio, të kërkonte pushimin tim nga puna, madje, të betohej se unë nuk do punoja më në këtë qytet. Për disa vjet, emri im nuk dilte në titrat e produksioneve televizive, nga frika e hakmarrjes së Bankës. Banka, mund të kishte zgjedhur të më hidhte në gjyq nëse e kisha cënuar diku, por jo, zgjodhi armën e arrogancës.
Rasti im është gjithsesi i parëndësishëm para presioneve që bëjnë “ata me lek” ndaj mediave. Në rastet më të mira, “bankat” e mbushin një media me reklama për ta censuruar çdo lajm. E keni vënë re që kur ndodhin grabitje në një bankë, të qëllon mos ia lexosh dot emrin Bankës përkatëse në asnjë media? Banka nuk preferon të trembë klientët e saj! Sa hetime gazetarësh ka mbi abuzimet e kompanive celulare? Thuajse asnjë. Tërë media mbahet me paratë e telefonive. Që, për ironi janë paratë e publikut që ka të drejtë të informohet. Por, pushteti i koroporatave është vetëm njëra pjesë e manipulimit të së vërtetës. Ka individë super-të pasur që nuk lejojnë të dalë asnjë fakt rreth tyre, larg qoftë të bëhen investigime.
Dosjet me krime të përbindshme flenë në sirtarët e kryeredaktorëve të gazetave a TV-ve, e nuk kanë për të dalë kurrë. “Ata me lek” kanë aq pushtet (shpesh të dhunshëm) sa ta bllokojnë gazetën në shtypshkronjë e të mos e lënë të dalë në tezga.

Gazetarët – Tunxhët
Kam punuar disa muaj në një gazetë të përditshme. Aty, gazetarët paguheshin me dy bordero: “paratë e bankës” e “paratë e dorës”, dmth, paratë e deklaruara e ato të padeklaruara. Dhe ju prisnin që media të denoncojë evazionin fiskal? Apo prisni që gazetarët e trajtuar si skllevër, të dhunuar nga porositë e shefave e nga dhuna e “atyre me lek” të gjurmojnë për ju të vërtetën?
Dhaskali dhe Tunxhi, një dyshe bardh-e-zi e kinemasë socrealiste, janë dy krijesa në një Udhë Shkronjash. Nëse duam të bëjmë një paralelizëm thjeshtëzues, Dhaskali do duhej të ishte gazetari, por në të vërtetë, gazetari shqiptar, sa vjen e bëhet një tunxh i paskrupullt në një udhë mbijetese. Gazetarët janë klientë të forcave politike apo të individëve të veshur me pushtet e para. Në kohë zgjedhjesh qëllon të shohësh të njëjtën figurë non stop në një ekran. E pra, “figura”, e ka blerë nën dorë prezencën e vet. Madje më keq, ai mund të diktojë edhe që kundërshtarët e tij të mos shfaqen në atë ekran.
Nëse gazetari tenton të ruajë integritetin e vet e të emisionit, nuk do ishte çudi t’i vinte pronari i medias e ta urdhëronte ta bënte. Po nuk u shite ti, shitet ai sipër teje. Po t’i dinin adresën Zotit, edhe atë e blenin. Dhe e i kanë bërë aq para. Numri i madh i TV-ve dhe gazetave mbahet vetëm me favore financiare të pahetuara. Le të flasim pak për tempullin e të vërtetës, median.

Tempulli i farisejve
Mungon një investigim shtetëror mbi financimet e mediave. Mungon, sepse, askujt nuk i intereson. Pushteti dhe opozita, drejtuesit e mediave, pronarët dhe bizneset janë të interesuara të bëjnë lojërat e tyre të fshehta për të “bërë sa më shumë lek”. Informacioni, edhe pse janë media, nuk del jashtë. Lëveret (lexo: paratë) e pista lahen brenda shtëpisë. Ka gazeta që shiten me 200 kopje. Askush nuk investigon si mbijetojnë. Nga u vijnë paratë. Gazeta të mëdha botojnë tirazhe të mëdha, dhe shesin vetëm gjysmën, sepse raportojnë para donatorëve apo politikanëve vetëm tirazhin por jo shitjet reale. Kjo dëmton mbi të gjitha mediat që përpiqen të mbahen vetë, të pavarur. Mision i pamundur.
Transparenca financiare është shpëtimi i vetëm për publikun. Transparenca e audiencës është shpëtimi i vetëm për vetë median. Kur të publikohen çdo javë shitjet reale dhe audienca reale e programeve TV apo radio, vetëm atëherë do mund të priten paratë informale apo të pandershme që sponsorizojnë media apo gazetarë të caktuar. Kush mund ta bëjë këtë? Sigurisht, ata që nuk u intereson. Mazhoranca e djeshme dhe ajo e nesërme.

Rama dhe media
Para zgjedhjeve, po përpiqesha t’i tregoja dikujt se Berisha ka në dorë mediat. Mora t’i numëroja, kush ishte me pushtetin e kush me opozitën. Tek numërimi ngeca. Më dilnin më shumë media që mbështesnin opozitën!Nuk dua të jem paragjykues. Dua shumë që maxhoranca e re të mund të kapërcejë traditën (edhe të vetën) dhe të bëjë një Shqipëri tjetër. Por, dëshira nga shpresa, e për më tepër besimi, janë larg. Nuk mund të harroj sesi u zhduk nga ekranet Kreshnik Spahiu (pavarësisht se kush është e çfarë bëri), pasi u konfliktua me opozitën. Një pushtet i tillë është i frikshëm. Nuk do e dimë kurrë sa para janë derdhur në media dhe nga kush para e gjatë fushatës. Akoma nuk dimë sa do të paguhet Toni Bler. As nga do vijnë paratë. Nuk do e dimë kurrë deri në çfarë niveli na manipulojnë. Ky sistem manipulimi ka vetëm një rrugë shpërndarjeje: median. Ajo është armiku. Është armiku, sepse është bërë palë me pushtetin. Pushteti korrupton. Tanimë ato kanë krijuar një pushtet absolut.
Z.Rama nuk besoj se lexon gazetat, dhe e kuptoj përse. Pushteti absolut (e nuk e kam thënë unë) korrupton në mënyrë absolute.

Friday, August 2, 2013

Kundër Zotit të Majmunëve

botuar në Revistën KLAN, fund korriku 2013

murale revolucionare në rrugët e Kairos
.................................................................

Kam vënë re se artikujt me “rilindje” në titull nuk klikohen më. Kjo është shenjë e mirë dhe e keqe. E mirë, sepse propaganda me “rilindje” nuk josh më. E keqe, sepse frigohem se bashkë me një farë neveritjeje me mbipërdorimin e termit politik “rilindje”, njerëzit thjesht kanë hequr dorë. Më ka shqetësuar gjatë mungesa e protestës reale në Shqipëri, përveç ndonjë shkreptime të veçuar e të dhimbshme si 21 janari.
Kemi pasur liderin më jetëgjatë komunist në pushtet, dhe kemi liderin më jetëgjatë (po komunist) të pas rënies së murit më gjatë në pushtet. Për paradoks, të gjithë bërtasin kundër komunizmit, ndërsa krejt lidershipi përbëhet o nga ish-komunistë o nga bij të tyre (deri dhe biologjikë). Ndaj askush nuk ka pse nxehet nga një metaforë marksiste.

Dy fantazma e autoritarizmit
Dy fantazma vërdallisen sot nëpër Shqipëri. Në fakt, janë dy opsione ‘demokracie’: Qeverisja e kësaj copë Shqipërie që ka mbetur përmes grupit “të shokëve” të rilindjes, dhe ripozicionimi (në mënyrën e vetme se si di të bëjë opozitë) i Kryeministrit në ikje Berisha – nuk i njeh zgjedhjet. Dy opsione që shkojnë nga oligarkia drejt autoritarizmit. Këto kushte më bëjnë të trembem se edhe po të mos jemi dakort me manaxhimin nga ’rilindja’ mbas 4 vitesh, nuk do duam të shkojmë të qahemi te opozita. Me fjalë të tjera, do jemi prapë duke zgjedhur mes të këqiash.
Si një vend që ka kultivuar varietete diktaturash që nga shtet-formimi, ne jemi një komb shumë i brishtë ndaj vullneteve të grupeve apo individëve që, me të marrë pushtetin, vendosin mos ta lëshojnë më. Madje, kemi kaluar në një zinxhir variantesh autoritariste. E ardhmja duket e zymtë. Siç thotë një mik i imi, janë vetëm dy grupe që riciklohen: kur sundon e vjedh njëri, tjetri bën pauzë. Pastaj, nis të sundojë e vjedhë grupi tjetër, dhe i pari bën pushim. Ky zinxhir oligarkik duket vështirë i thyeshëm. Por, Aristoteli thoshte se oligarkia dhe tirania janë më jetë-shkurtra se çdo konstitucion tjetër. Tiranitë anë e kënd nuk kanë pasë jetë të gjatë.

Nga Diktatura në Demokraci i Gene Sharp
Nën diktaturë popullata dhe institucionet civile të shoqërisë kanë qenë shumë të dobëta, dhe qeveria shumë e fortë. Pa ndryshuar këtë mungesë baraspeshimi një regjim i ri mundet, nëse do, të jetë po aq diktatorial sa regjimi i vjetër. Këtë shkruan akademiku amerikan Gene Sharp në esenë e tij “Nga Diktatura në Demokraci” që do doja t’ju përcillja sot.
Ky libërth, që mund të titullohej edhe “guidë thelbësore për rezistencën paqësore” u shkrua më 1993 për të mbështetur opozitën në Burma, dhe dënimi për këdo që kapej me të në dorë ishte 7 vjet burg. I fotokopjuar ka lëvizur nga Burma në Serbinë e Millosheviçit, nga Egjipti në Kinë, dhe ka qenë një nga tekstet e përkthyera e shpërndara ilegalisht në shumë vende gjatë Pranverës Arabe. (Unë vetë po e përkthej me atë timen në shqip.) Në këtë kohë fantazmash, më pëlqen të flas për këtë libërth, sepse ndjej që duhet të jemi vigjilentë. Diktaturat, fundja, ekzistojnë falë nesh.

Pragu i diktaturës
E vërteta është se diktatorët ekzistojnë vetëm prej shpërndarjes së pushtetit në vendin e tyre, thotë Sharp. Ata arrijnë t’i dobësojnë institucionet politike, ekonomike e shoqërore apo grupet sociale. Popullsia “atomizohet”, kthehet në një masë individësh të izoluar. Shpirtrat thyhen, shpresa nis të fishket. Askush nuk ka besim se do të mund ta heqim qafe ndonjëherë “katallanin”. Njerëzit kanë frikë edhe të flasin. Më kujtohet një mik që ulte zërin në lokalin e vet kur shante “atë” nga frika se mund ta dëgjonin e tatimorët mund të vinin t’i mbyllnin dyqanin.
Edhe kur bie një diktaturë, shpesh ajo le pas varfëri, krim, inefiçencë burokratike dhe shkatërrim mjedisor. Gjurmë të tilla vërej sot pas rotacionit të 23 qershorit. Aftësitë e rigjenerimit politik e shoqëror kanë dritë-hije dyshimi. I vetmi që do të mund t’i bënte ballë një neo-diktature, është nën administrim droge. Populli i ‘rilindjes’.

Drejt një rezistence paqësore
Problemi është që ne e kemi humbur popullin gjatë rrugës. Do të duhet të rifitohet pushteti demokratik mbi popullin, në radhë të parë. Është një popull që ka dhuruar disa dhjetëra deputetë të blerë. Me nga 50 deri në 200 Euro për kokë. Lufta e dhunshme ndaj sistemit, është deri diku e pashpresë. Nuk mund ta luftosh diktaturën me armët ku ajo ka superioritet. Ajo pak dhunë e protestuesve më 21 janar, u përdor si kartë morale për të justifikuar dhunën policore. Ndaj, edhe një 28 janar i dhunshëm mund të mos ishte zgjidhja. Por, një 28 janar paqësor e jo për ‘qokë’ mund të na kish kursyer disa vite.

Puçi-puçet
Pasi ka analizuar regjimet e shumta anëkend botës, Gene Sharp arrin në përfundimin se as puçet ushtarake, as zgjedhjet nën kujdesin e diktatorit e as të huajt nuk mund ta shpëtojnë një vend. Diktatorët nuk janë aty për të lejuar që dikush t’i heqë si pa të keq nga pushteti. Vështirë të sfidohen në pikën ku janë më të fortë - te dhuna!
Shqiptarët vetë kanë pritur gjithmonë që të huajt të preken nga shqiptarë të tjerë që u vënë çizmen në fyt e të vijnë t’i shpëtojnë. Por shtetet e huaja, thotë Sharp, mund të përfshihen në mënyrë aktive vetëm nëse shkundja e diktaturës ka nisur. Mënyra më efikase është mosbindja civile e politike. Jo dhunë, por rezistencë.
Mosbindja besoj se ka qenë elementi që e rrënoi diktaturën e Ramiz Alisë. Askush nuk punonte, “arritjet” falsifikoheshin, të tërë vidhnin. Askush nuk jepte maksimumin. Ky ka qenë kolapsi i atij sistemi. Diktatura shembet vetëm duke shtrënguar rradhët me popullsinë e shtypur, duke forcuar aftësinë e tyre për rezistencë, vetbesim dhe vetëvendosje; duke forcuar grupet sociale të pavarura dhe institucionet e organizmat e popullsisë së shtypur; duke krijuar një forcë të brendshme rezistence; dhe, kryesorja, duke zhvilluar një Masterplan të rezistencës.

Masterplani i rezistencës
"Të gjitha diktaturat kanë dobësitë e veta, mungesa efiçense të brendshme, rivalitete personale, joefektivitet institucional dhe konflikte midis organizatave dhe departamenteve”. Identifikimi i tyre është hapi i parë i këtij Masterplani. Fuqia e shtetit totalitar, vëren Karl Dojç, është e madhe vetëm kur përdoret rrallë. Nëse u duhet ta përdorin gjithë kohën, kundër një populli të tërë, nuk mund të qëndrojë e tillë për kaq gjatë.
Përmes formave të mos-bindjes politike dhe të sabotimit pasiv, pushtetit i hiqen mjetet e sundimit. Pushteti bëhet konfuz. Mos-bindja politike ëshët një “armë”, dhe kryen një “luftë”, por ndryshe nga dhuna, operon në shumë forma: psikologjike, politike, sociale, ekonomike. Imagjinoni një popull që vendos të mos punojë 1 ditë ose 1 javë. Shteti vdes. Policët e diktatorit nuk kanë as autobusë për të dalë në punë. Si tek një përrallë kineze.

Zoti i Majmunëve

Gene Sharp rrëfen historinë kineze të Zotit të Majmunëve. Në provincën feudale Chu, një burrë i quajtur Ju Gong (zoti i Majmunëve), nxirrte çdo ditë majmunët të punonin, nën udhëheqjen e më të vjetrit. Sipas rregullit, çdo majmun i jepte një të dhjetën e ushqimit të mbledhur. Në të kundërt, dënimet ishin të rrepta. Majmunët vuanin, por nuk ankoheshin dot. Derisa një ditë një majmun pyeti një tjetër, “plaku i ka mbjellë pemët e shkurret?”. “Jo, ato rriten vetiu”. “A mund t’i mbledhim frutat vetë, pa pasur nevojë për lejen e plakut?” “Sigurisht”. “Po atëherë, pse duhet t’i shërbejmë plakut?” Dhe majmunët ikën e nuk u kthyen më te plaku, i cili vdiq nga uria.
Filozofi Yu-Li-Zi, ai që e shkrojti historinë, vëren se ka shumë burra që sundojnë mbi popullin e vet me truke e jo me principe. Njësoj si Zoti i Majmunëve. Madje, as vetë nuk e kuptojnë. Derisa populli i vet ndriçohet dhe truket nuk punojnë më.

A ju kujtohet vota e bardhë?

Vota e bardhë thuajse është harruar. Mua më është dukur një përpjekje shumë fisnike. Më ka habitur kundërsulmi i egër ndaj idesë dhe ideatorëve. Ne, një komb që kemi votuar shtrembër në gjithë historinë tonë, duam t’i tregojmë disave se si e pse duhet të votojnë. Por, vota e bardhë kishte një defekt të madh. Ajo nuk i përgjigjej dot pyetjes, “po pastaj?”. Ka një planifikim në çdo rezistencë. Nuk zhduken oligarkitë me “oburra”. Por vota e bardhë, tregoi se ka njerëz që nuk janë nën administrim drogash, e nuk pranojnë rotacionin e së keqes. E keqja është kasta politike në tërësinë e vet. Lufta jonë (paqësore) është dhe do të vazhdojë të jetë me atë.