Thursday, June 11, 2015

Detajet perverse të abuzimit të një mësuesi dhe ministrja

Përpara se të flasim se çfarë ka ndodhur realisht gjatë atyre orëve në klasë, kur mësuesi mbyllej vetëm për vetëm me minorenen, dua të kërkoj kokën e Ministres së Arsimit. Është më e pakta që shoqëria civile, në një vend normal do të kërkonte. Një rrogëtar i kësaj ministrie, i paguar me paratë tona, madje dhe me paratë e prindërve të viktimës, del që ka abuzuar me një nxënëse të vet, brenda ndërtesës së shtetit, me autoritetin që ia ka dhënë Ministria, dhe për të gjithë koka e Ministres mbase është pak.

Koka e Ministres

Pyetjet që lindin nga kjo dramë sociale janë të shumta. Sa viktima mund të ketë bërë ky njeri për 30 vjet? Cilat janë kriteret e punësimit në arsim? Cila është pozita e Drejtorit, dhe kush e si i zgjedh drejtorët? A ka struktura kontrolli kjo ministri? A ka psikologë nëpër shkolla, dhe çfarë përgjegjësie duhet të mbajnë? Si funksionon ndërveprimi prindër-mësues-nxënës? Dhe, kryesorja, si do të dëmshpërblehet ajo vajzë e vogël për këtë traumë që mund t'i shkatërrojë krejt jetën?
Nuk kam vërejtur ndonjë reagim zyrtar nga Ministria për këtë rast, e largqoftë të japin llogari qoftë dhe për njërën nga këto pyetje. Me sa duket, kjo çështje mendojnë se s'ka të bëjë me ta. Në fakt, ai përdhunim ka ardhur kryesisht për shkak të mosfunksionimit të asnjë hallke të administratës arsimore, është pasojë e frymës, dhe kjo çështje do të mjaftonte jo vetëm për të kërkuar kokën e Ministres, por edhe atë të Kryeministrit.

Koka e Kryeministrit dhe ajo e Blushit

Është kohë fushate dhe Kryeministri e zyrtarët nuk duan të harxhojnë energji, janë të angazhuar për të fituar dhe për të dhënë shpulla. Në një vend ku Kryeministrat ndjehen të paprekshëm edhe kur hedhin fshatra në erë, shumë do të buzëqeshin me idenë që t'i kërkojnë dorëheqjen pse një vajzë e vogël u përdhunua në zyrat e administratës së tij, në atë vend që cinikisht mësuesit e drejtorët e quajnë akoma me patetizëm “tempulli i dijes”. Edhe opozita është shumë e zënë për ët mbrojtur interesa ekonomike e politike okulte për t'u marrë me fatin e një vajze të vogël.
Këtu kemi dalë përsëri te tezat e Blushit, viktima është thjesht një vajzë e varfër e periferive të humbura, dhe, në këtë shtet askujt nuk ia ndjen për të varfërit e për hallin e tyre. Nëse Kryeministri ka luksin të injorojë akuzat e Blushit, ai nuk pyet as për ato të një fëmije. Sidomos, kur ky fëmijë nuk është i biri i një milioneri.
Nëse opinioni publik dhe mediat do ngriheshin për këtë kauzë, ndoshta Kryeministri do ta merrte seriozisht, Ministrja do të shqetësohej për kokën e saj, dikush do jepte llogari e sistemi mund të kishte një shkundje. Por, opinioni ka vetëm një dëshirë, të dëgjojë detajet e turpit.


Detajet e turpit

Një shkrim për të mbrojtur apo sharë Erion Veliajn, do i kishte të garantuar mijëra lexime e dhjetëra komente në faqet web. Por, sapo merret vesh që është thjesht një shkrim “ankues” për një vajzë të përdhunuar, pak kush ka interes të lexojë. Më e shumta, ndonjë shoqatë do ta marrë ta fusë në dosjet e aplikimeve për projekte. Ai fëmijë i periferisë, është i destinuar të lihet në mëshirë të fatit. S'mjafton halli, por vajza është nën presionin e mediave që duan ushqim, duan detaje. Mediat, nuk kanë në plan të ngrejnë asnjë kauzë. Ato duan vetëm të ushqejnë publikun me imtësira pikante, ku e mbylli, sa orë rrinin, ç'i tha në telefon, ç'mesazhe i shkruajti, e të tjera detaje që nuk do duhej të publikoheshin qoftë dhe për të mbrojtur viktimën. Opinioni publik i ngjan tashmë Kryeministrit, cinik, dhe i ndjeshëm vetëm ndaj gjërave që kanë të bëjnë me të pasurit. Ndaj ministrja do të vazhdojë punën sikur asgjë në Lushnjë nuk ka ndodhur. Ndaj, Kryeministri do të vazhdojë fushatën nën ëndrrën eksituese të 1 milionë shpullave. Nuk janë 1 milion. Duhet të zbresë nga numri “shpullat” që ia kanë dhënë prindërit e vajzës dhe sa e sa të tjerë që vuajnë në heshtje, pa guxuar t'i publikojnë abuzimet. Por, për të 2 shpulla më pak janë një detaj i parëndësishëm.

Wednesday, June 3, 2015

Legjendat urbane për 3+ kandidatët e Tiranës

Botuar te gazeta Dita, 3 qershor 2015



Ka shumë argumente që na i shesin për arsye se pse duhet votuar ky apo ai kandidat. Arsyet për të votuar njërin apo tjetrin mund të jenë shumë banale, dhe këtë e respektoj. Por, nuk mund të pranoj që unë dhe ju të shkojmë për të votuar me argumente të pavërteta, që gati-gati janë kthyer në legjenda urbane.

Voto Programin

Ka një sforco të madhe nga 2 kandidatët e partive të mëdha, Kosova e Veliaj për të shpalosur programe madhështore, që do të begatojnë qytetin. Pas tyre, mundohet të rendë Bojaxhiu, ndërsa nuk i shoh në radar 2 të tjerët. E vërteta është që nuk ka asnjë program. Ka vetëm ide të bukura. Se ku i kanë marrë nuk e di, e nuk ka rëndësi. Asnjë nga kandidatët nuk ka pasur kohë të bëjë program. Programi kërkon një vit kohë për t’u përgatitur me një staf tepër ekspert, sepse ndërtohet mbi buxhetin aktual të Bashkisë, dhe jo mbi fantazira fondesh që do të vijnë me shkop magjik. Nuk shoh që asnjëri nga kandidatët t’i ketë të bazuara financiarisht premtimet që bën. Rama dhe Basha u menduan deri disa javë para zgjedhjeve për emrat, duke i lënë kandidatët e tyre pa programe konkrete, të zbatueshme, të llogaritura mbi shifra konkrete. Për shembull, nëse kandidati premton fusha sportive, ku do e gjejë tokën? Ku ka më hapësirë për fusha e parqe në Tiranë? Cilën kullë do prishë për të ndërtuar fushat e basketbollit? Sa do kushtojë? (Meqë ra fjala, në këto çaste që po flasim në Laprakë po ndërtohet mbi një fushë basketbolli një kullë shumëkatëshe, pas disa tjetërsimeve e legalizimeve të pronës. Siç janë zhdukur një pas një të tëra fushat e parqet.) Nëse kandidati premton ajër 20% më të pastër, ku i bazon llogaritë? Sa makina do nxjerrë jashtë qarkullimit, sa rrugë do të mbyllë, sa nënkalime do të hapë, që ajri të pastrohet? Si do t’i bindë njerëzit të hipin në autobus e të mos përdorin makinat? Pra, programet janë veç ëndrra në diell. Jo më kot, përballemi sot me ëndrrat në diell të Lul Bashës së para 4 viteve. Nëse shkoni për të votuar, nuk votoni programin.

Partia në pushtet i jep fonde kandidatit të vet

Kjo logjikë, në të vërtetë është një dhunë politike, e cila do duhej dënuar në mos penalisht të paktën me votë. Ko delegjitimon vetë procesin e votimit, sepse i detyron njerëzit të votojnë nga halli partinë në pushtet. Gjithsesi kjo logjikë është një tjetër legjendë urbane.
E zëmë se është e vërtetë. Pra, të votojmë kandidatin e partisë në pushtet, sepse ai do marrë fonde më të mëdha nga partia. Këto fonde, detyrimisht do t’i hiqen një qyteti tjetër, sepse aq është buxheti i shkretë për pushtetin vendor, paratë nuk do bien nga qielli. Po ç’ndodh nëse të tërë qytetet votojnë kandidatin e partisë në pushtet? Ta zëmë, në rastin konkret, ç’do ndodhë nëse tërë bashkitë vishen në rozë? I bie që qeveria t’ia heqë fondet qytetit të vet X, për t’ia dhënë një qyteti tjetër të vet Y. Çka, e bën të pavërtetë maksimën në rastin e qytetit X. Nëse je qytetar i X, edhe po votove partinë në pushtet, ajo prapë t’i heq fondet e ia jep Y-së.
Në rastin e Bashkisë së Tiranës, çfarë do të ndodhë nëse pas 2 vjetësh pushteti ndërron krah? Pra, nëse në zgjedhjet e përgjithshme Tirana bëhet blu? I bie që 2 vitet e para do kemi fonde mjaftueshëm se kemi qeverinë e bashkinë në një ngjyrë, por, 2 vitet e tjera do e thajmë qytetin! E njëjta logjikë vlen edhe nëse Tirana bëhet blu tani (vuajtje në 2 vitet e para me një qeveri rozë), dhe Shqipëria bëhet blu pas 2 vitesh (bollëk i supozuar blu, me qeveri e bashki blu.)
Kjo legjendë urbane është në të vërtetë një rrugicë qorre.

Këto nuk janë zgjedhje politike

Legjenda e tretë ka të bëjë me argumentin se këto nuk janë zgjedhje politike, dhe se Tiranës i duhet një administrator i zoti. E para administratori është i lidhur me programin, dhe program nuk ka. Nga ana tjetër krejt fryma e fushatës është thellësisht politike. Që nga ndarja e tapive e deri te premtimet për ulje çmimi energjie, janë premtime politike. Këto zgjedhje janë politike, sepse askujt nuk i bëhet vonë sesi do administrohet Tirana, por, që partia e vet të marrë pushtetin e Kryeqytetit e kësisoj të krijojë bazën për përpunimin e korpusit më të madh të votuesve për zgjedhjet “e vërteta”, ato politike. Fakti që askujt nuk i bëhet vonë për administratorin duket edhe tek proceset e dyshimta të përzgjedhjes së kandidatëve në Partitë përkatëse.

Le të vjedhë, por të paktën të bëjë punë

E kemi dëgjuar shpesh këtë frazë dëshpërimi. Jemi gati të pranojmë ta qeverisë qytetin një hajdut, mjafton të bëjë ca punë. E vërteta është që hajduti, sado punë të bëjë, punët e tij do të jenë në funksion të klanit të hajdutërisë, në përputhje me interesat e kërkesat e tyre, dhe, do vijë një kohë pas ca vitesh që do ua shohim hajrin edhe atyre “punëve”. Tirana e sotme, e pajetueshme, është pasojë e kompromiseve të vjetra me “hajdutët që do bënin dhe punë”. Pyesni veten, nëse do ktheheshit pas në cilëndo zgjedhje të kaluar, duke parë qytetin si është katandisur tani, a do hidhnit të njëjtën votë?

I ndershmi / të ndershmit

Ka një propagandë për të na shtyrë të votojmë kandidatin më të ndershëm. Kjo tendencë, le të themi, është e lavdërueshme. Por, në këto vite kemi parë që kandidatët e ndershëm gradualisht të korruptoheshin. Kemi parë djem e vajza të reja që ngjanin idealistë, që u bënë milionerë brenda vitit në postet e tyre. Edhe nëse njëri kandidat është i ndershëm, ai nuk po vjen i vetëm në bashkinë e Tiranës. Ai po vjen me anëtarë këshilli bashkiak që janë tepër të dyshimtë, dhe që kanë dhënë prova që mund të bëhen dhe bashkë për të shqyer Tiranën. Kandidati i ndershëm, po vjen i mbështetur nga lobe ekonomike e biznese të ndryshme. Nuk ka asnjë të ndershëm që t’i bëjë ballë presionit të atyre që e kanë vënë në atë karrige. Qoftë dhe shefi i partisë. Ja ku i keni kandidatët. Shihni kush i mbështet. I pandershëm nuk është vetëm ai që vjedh vetë e merr përqindje ndërtimesh. I pandershëm bëhet dhe ai që toleron shqyerjen e Tiranës nga grupet e presionit, gjë që ka ndodhur në çdo rast, deri tani.

Kandidatët e pavarur

Legjenda e fundit, por nga më interesantet është që kandidatët e pavarur i ka futur dikush për t’u marrë vota partive o majtas, o djathtas, për t’i hequr vota filanit apo filanit. Bojaxhiu, thuhet është futur për t’i hequr vota Kosovës (vota, që në fakt me ndarjen e re administrative as nuk i ka). Tafaj dhe Guri thonë që janë futur për të mos e lënë Bojaxhiun të fuqizohet shumë, dhe për të ndarë më tresh votat e të pavendosurve. Kjo e fundit, nuk më duket fare legjendë urbane.

Forca e sovranit

Diku nga fundi i qershorit, sovrani do drejtohet drejt kutive të votimit. Mediat dhe lobet e ndryshme financiare po përpiqen t’ia kanalizojnë me dhunë votën, duke i ofruar si sedativ legjendat urbane mbi votën. Sovrani, si një qen i rrahur, po shkon të votojë për ata që nuk do donte të votonte, për alternativa që nuk e bindin, për programe që nuk ekzistojnë. Sovrani do votojë, duke bërë sërish një zgjedhje halli, që për nga vetë përkufizimi është zgjedhje e gabuar.
Por, dhe nëse e bën, nuk mund ta lëmë ta bëjë duke gënjyer veten e të tjerët me legjenda urbane. Qeni i rrahur, mund t’i kundërvihet dhunuesit vetëm kur të jetë tërësisht i qartë për gjendjen e vet dhe kur të kuptojë që e kanë vënë pas murit, pa asnjë rrugë shpëtimi. Pra, tregojini qenit, që është i rrahur. Është e vetmja shpresë.