Monday, November 21, 2016

Lindita e salcës, dhe ajo tjetra

botuar te Lapsi.al më 20 nëntor 2016

Jetojmë në një vend të ndarë më copëra 2-she, dhe nuk ke shumë për të zgjedhur: o me Ramën o me Metën; o me pushtetin, o me opozitën; o me ata që po vjedhin sot o me ata që vodhën dje e që do vjedhin nesër; o me të pasurit, o me viktimat; o shef policie që administron territoret me hashash, ose shef policie i qarkulluar; o me Trumpin o me njerëzimin; o me Ministren, o me atë që i hodhi salcë në kokë; o me... o me...
Praktikisht, këto dyshe-nga-dyshet, janë 2 anë të së njëjtës monedhë.
Janë 2 Lindita sot, që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, sepse nuk lidhen kurrë, janë në 2 anët e kundërta të barrikadës, dhe të gjithë solidarizohen e i japin mbështetje njërës Linditë, asaj të salcës.

Lindita e të gjithëve
Është trishtuese (çdo ditë të re, një trishtim i ri) të shohësh sa e sa nga ata njerëz me akses në media që rendën për t'u solidarizuar me Ministren e Arsimit, Nikolla, nga një protestë moderne, që të bën pis pa të vrarë, që të përbuz pa të lënë shenja, që të tregon se ke shkatërruar jetët e studentëve duke të shkatërruar vetëm modelin e flokëve.
Në fakt nuk po mbronin ministren, po mbronin veten e vet. Kanë frikë se pas ministres, do jetë rradha e tyre. E dinë, që kanë edhe më shumë pengje e faje se ministrja.
Nuk kam fjalë për të përshkruar krupën kur shoh sesi njerëz që kanë qenë (thuajse) në ballë të protestave të 21 janarit, protesta ku kam qenë vetë prezent e ku në praninë e këtyre individëve (ne) protestuesit shkulëm pllaka e dogjëm makina, befas, na i konsiderojnë rrugaçërira protestat e studentëve me lëngje ushqimore.
Ajo protestë në të vërtetë nuk është ndaj gruas Linditë, po ndaj Ministres Nikolla.
Nuk e njoh ministren Nikolla. Nuk kam, e as dua të kem ndonjë mendim për të si person. E vetmja ide që kam për të janë informacionet nga brenda për mënyrën sesi keqfunksionon sistemi arsimor, që nga drejtoritë arsimore, emërimet, konkurset e deri te reforma në arsim. Ah, po, e njoh edhe nga citimet prej vetë asaj të sms-ve të së bijës që shkollohet në Francë, atje ku nuk të fut njeri në burg po të qëllosh kryeministrin me vezë.
Di dhe pasojat që kanë lënë reformat e saj, (nëse janë vërtet të saj) dhe këtë e njoh në terren, ku për këtë të fundit kam dëgjuar personalisht shumë raste studentësh të detyruar të shkojnë te privati duke paguar mijëra euro sepse koha kaloi e sistemi nuk ua dha mundësinë të regjistroheshin në kuotat bosh të shtetit. Asnjë nga këto informacione nuk më bën të solidarizohem me Ministren. Përkundrazi. Mendoj se nuk mjafton një shishe salcë për të treguar mllefin e protestën. Madje, më dhimbset më shumë salca. Ka njerëz në këtë vend që jo vetëm nuk shkollojnë dot kalamajtë, po makaronat i hanë pa salcë. Por, kjo pak rëndësi ka për rilindaset me çanta firmato dhe për deputetët psikologjisht të dhunuar të komandantit të tyre, i cili dhe në mes të Nju Jorkut në vend që të japë llogari se pse studentët që godasin me vezë (lexo: salcë) burgosen, (nuk) u përgjigj me arrogancën e vet tashmë të rilindur se “vajza të rrijë e qetë, se nuk do i ndodhë gjë pse i dha ca si shumë gojës”. Sa fat që ajo vajzë jeton në Nju Jork, përndryshe, në Shqipërinë e Majkos, Braçes e Nikollës, ajo frazë është e barazvlerëshme me “suksese në jetë”. Madje dhe më keq.

Lindita e askujt
Lindita tjetër, është Lindita Çela, gazetarja e BIRN që sapo fitoi një prej çmimeve më prestigjioze të gazetarisë, çmimin CEI SEEMO për Merita të Jashtëzakonshme në Gazetari Investigative për vitin 2016 në kategorinë “Gazetarët Profesionistë”. E ka fituar në një vend ku juritë nuk korruptohen, ku provimet nuk blihen, ku çmimet nuk jepen për lajkatarët e shefit, dhe ku çdo shkrim investigativ nënkupton që e ke punën e jetën nën rrezik.
E njoh pak Lindita Çelën, sa për të ditur se në ç'presione ka punuar e punon prej aq sa e njoh unë, duke nisur me shkrimet investigative të korrupsionit të Berishës, për të vazhduar me këto të korrupsionit Rama. Por, nuk pashë as entuziasëm, e larg qoftë mbështetje e solidaritet nga establishmenti për punën e saj. Ky lajm nuk shumohet në media. Fevziu nuk bën emisione për të. Braçet e Majkot, nuk shkruajnë statuse solidariteti për këtë. Shqetësimi i tyre është Lindita tjetër, ajo që për një moment mori mbi kokë lëngun e kuq në emër të tërë keqmanaxhimit e korrupsionit qeverisës.

2 Linditat
Nuk kam dëgjuar më lajme për çështjen e Ardit Gjoklajt. Askush nuk e përmend, asnjë media nuk e ndjek më. Ishte një çështje që duhej të kishte hedhur bashkinë e qeverinë bashkë. Ata që guxuan të investigojnë u lanë pa punë. Jo vetëm pushteti e bizneset e lidhur me të janë të interesuar ta zhdukin gazetarinë investigative, por edhe shumë gazetarë të pozicionuar, që e kanë kthyer profesionin në propagandë dhe nuk ndjehen rehat kur ndonjë koleg bën punën e vet. Shumë prej këtyre e injoruan çmimin për gazetaren e Birn-it. Sikurse dhe në redaksitë a emisionet ku punojnë, injorojnë shkrimet investigativ të Birn-it. Shumë njerëz në këtë vend duan që askush të mos investigojë. Duan, që Ardit Gjoklajve t'u harrohet edhe emri e mos t'ua përmendë askush.
Dy Linditat, në fakt janë 2 Shqipëritë: Shqipëria e atyre që e kanë shaluar këtë vend dhe Shqipëria e atyre pak (sa pak... po sa shumë pak) që ende luftojnë. Shqipëria e atyre gazetarëve që po na mbysin me propagandë, dhe Shqipëria e atyre që rrezikojnë punën e pse jo edhe jetën për të sjellë tek ju të vërtetën; Shqipëria e atyre që kanë në dorë gjithçka dhe Shqipëria e atyre që kanë vetëm një gjë, rezistencën. Në këtë vend ka shumë pak njerëz që protestojnë, e akoma më pak që bëjnë rezistencë.
Shqipëria sot është pronë e Linditë Nikollave. Ndaj merremi me kavanozin e salcës, duke denigruar protestuesen e duke injoruar gazetaren investigative.
Por, në botë askush nuk e njeh ministren Nikolla. Në botë, sot Shqipëria përfaqësohet vetëm me gazetaren investigative, Lindita Çelën. Kësaj të fundit, unë, dua t'i them, të paktën, një faleminderit. Në emër të Shqipërisë tjetër, asaj times, e të atyre që nuk kanë zë. Shqipërisë së Ardit Gjoklajve.

STAMBOLLI, NJË PËRRALLË VJESHTE

Botuar te Lapsi.al më 8 nëntor, 2016


Kur duan të flasin për politikë, stambollitët i vendosin telefonat në një tavolinë larg. Tashmë dihet, edhe kur janë të fikur smartphone-t mund të kthehen në vegla përgjimi. Dhe shteti i Erdoganit nuk ka skrupuj të përdorë të gjitha mjetet, edhe të paligjshme, për të futur brenda disidentët dhe për të betonizuar pushtetin. Në biseda, aq njerëz sa pranuan të shprehen, mund të kuptosh se sa shumë ua ka ulur kokën diktatori atij populli, dikur aq të gjallë. Ai i shtyp protestat me dhunë, ai mobilizon militantë islamikë që e duan më shumë se babanë fizik për t'i ndërsyer ndaj protestuesve, ai bllokon rrjetet sociale, ai përgjon këdo dhe arreston këdo, ai do të rivendosë dënimin me vdekje. Madje, ka vendosur të mos ndërrojë as orën, ndoshta thjesht për karshillëk ndaj pjesës tjetër të botës. Fotot e Kemal Ataturkut janë rralluar nëpër vende publike. Erdogan do preferonte, si gjithë diktatorët, si dhe Edi K. Rama, që historia nis me të.
Erdogan është pjesë e një vale regresi që duket e pandalshme në vendet e pakonsoliduara të lindjes, të të gjitha lindjeve, asaj europiane, të mesme apo të largët, ku njerëz me prirje autoritariste ia dolën të shartojnë modelin e diktaturave komuniste me demokracinë, duke e mbajtur diktaturën në këmbë me vota. Problemi është që pasi i ke vënë një herë prangat në dorë, qoftë edhe për shaka, qenka shumë vështirë t'i heqësh.
Më kujtohet Mero Baze i datës 3 Prill 2013, që në editorialin “Më kokulur”, u shkruante Ramës dhe Metës, të sapofejuar, “...më kokulur kur dilni para kamerave. Aq kokulur, sa të paktën të mos na shihni në sy, se ndoshta ua falim, ngaqë rradhën për të ikur e ka Berisha.” Ky ishte kanalizimi i zhgënjimit pas aleancës amorale të 1 prillit se pasi të heqim qafe Berishën, i cili kishte rradhën, do heqim qafe këdo tjetër që do të na marrë nëpër këmbë si ai. Dhe ja ku jemi, me prespektivën që diktatori i vogël i Ballkanit, byrazeri i Erdoganit, t'ia tejkalojë edhe Berishës në pushtet.

Tirana brenda Stambollit
Stambolli i sotëm më kujtoi Tiranën. Në vende pa qytetarë, si ne, shpresa mbetet që vendet me qytetarë të ndërhyjnë. Evropa, me një fjalë, ose Amerika. Në Turqi, të pamundur për t'ia dalë diktaturës me vota ose me protesta, sepse ajo i manipulon të dyja, njerëzit kanë filluar të ikin me mijëra. Si tek ne. Alternativa tjetër është të presin vdekjen e Erdoganit siç prisnim ne të Berishës. Siç do presim ne të Ramës, pastaj do presim të Veliajt, e me rradhë... Siç presin të sëmurët terminalë heqjen e tumorit, duke mbajtur shpresë. Enveri na tregoi që diktatorët vdesin shumë vonë, më vonë se ne.
Sjellja e Erdoganit pas grushtit të shtetit i ngjan shumë asaj të Berishës pas 11 janarit. Sjellja e tij para grushtit i ngjante si dy pika asaj të Edi K. Ramës tani. Agresioni ndaj mediave, blerja e mediave, injorimi i protestave, zhdukja e të vërtetës dhe ngritja e kultit të njeriut që punon dhe po ndërton “shtet”. Ndërkohë me mijëra turq e shqiptarë ikin në perëndim, dhe mbeten vetëm ata që nuk kanë mundësi të ikin, ose ata që janë nënshtruar tashmë dhe përpiqen thjesht të mbijetojnë.
Rama nuk ka nevojë të arrestojë kryeredaktorë mediash opozitare, sepse thjesht ata nuk ekzistojnë. Mjaftohet që të heqë nga ekrani çdo lajm që nuk i pëlqen. Dhe askush nuk proteston. Por dhe po të protestonte, ju nuk do ta merrnit vesh, sepse nuk do të dalë në lajme. Krahasuar me Erdoganin, Edi K. Rama është me fat. Nuk ka fare ushtri që të mund t'i bëjë puçe, e as traditë sekulariste ose opozitare që t'i dalë përballë. Ne nuk kemi as filozofë (skolastikë ose urbanë) që të na shërbejnë si pika referimi.

Turpi i Europës
Ndërsa isha atje, Erdogan arrestoi kryeredaktorin dhe gazetarët e Cumhuriyet, si pjesë e strategjisë për të shuar çdo zë opozitar. Kjo është ekuivalente sikur Theresa May të arrestonte kryeredaktorin e Guardian, apo Merkel të fuste në burg krejt stafin e Der Spiegel. Megjithatë Merkel hesht.
Deri më tani, Erdogani ka arrestuar 37 mijë njerëz, pas grushtit të dështuar të shtetit, ka pushuar mbi 100 mijë nga puna në administratën shtetërore, ka mbyllur 170 media opozitare. Dhe Europa hesht.
Ajo që po ndodh në Turqi është shumë Europiane, por Europa hesht. Kompromisi i Europës me Erdoganin më kujton kompromiset që ambasadorët amerikanë e liderët europianë bëjnë me diktatorin tonë të rradhës, për arsye që nuk do i marrim vesh kurrë. Ata që dinë të lexojnë ngjarjet e kanë kuptuar që ligji për plehrat ishte një qokë për kushedi se kë nga ndërkombëtarët. Ndaj nuk e pamë as Ambasadorin amerikan e as ndonjë europian të dalë e të shprehet. Shpresa që ne mbajmë tek Europa është një tallje me veten. Europa na ka lënë e do të na lërë në baltë për një diktator që u jep atë që duan. Si Erdoganin. Europa ka depresionin e vet, dhe nuk ka kohë as energji të merret me depresionin tonë.

Bella Ciao
Depresioni lexohet qartë në rrugët e Stambollit, një qyteti ku kam qenë me dhjetëra herë, po kurrë nuk e kam parë kështu. Hotelet e mrekullueshme me emra që evokojnë kohët e Agata Kristit tani lëshojnë dhoma me çmimet e një moteli të zvjerdhur në Tiranë. Dyqanet, thuajse bosh. Allçaku, një shitës flokëgjatë që ka jetuar në Këln, nuk mund ta besojë se ne kënaqemi kur e vizitojmë Stambollin. “Pse vini këtu?” është pyetja e atij që jeton brenda burgut. Në rrugicat e Istiklalit 3-4 të rinj, po shumë të rinj, këndojnë pas mesnate “Bella Ciao”. Edhe në Tiranë këndohej Bella Ciao përpara mostrës së betonit në park. Por diktatorëve nuk u bëhet shumë vonë për këngët e revolucionit. Ata kanë mbështetjen e kompanive të betonit me të cilat blejnë mediat dhe të vërtetën. Bashkia e Tiranës arriti ta kthente një krim urban e ekologjik në një propagandë për gjoja një park fëmijësh. Rama, shembi stadiumin në mënyrë të jashtëligjshme, kundërshtuar nga të gjithë e dukshëm për aferë korruptive. E bëri fakt të kryer, sepse mendimi juaj e i imi nuk kanë vlerë për të. Këto janë Gezi parku jonë, por ne nuk jemi turq, dhe ne nuk protestojmë. Ne jemi dembelë, sipas Kryeministrit, dhe këtu ka të drejtë, jemi shumë dembelë për të rezistuar.
Eyüp, është një lagje që e shëtisim më këmbë. Më habisin rrugët e mbushura me vajza e deri fëmijë të mbuluar me ferexhe. Kurrë nuk kam parë kaq shumë ferexhe në Stamboll, sa këtë herë. Përveç arkitekturës, ajo lagje e ata njerëz ndjellin trishtim. Më këshillojnë të mos puthem me gruan në rrugë: lagjia e Erdoganit, më thonë për këtë lagje ku partia e tij fiton shumicën. Edhe ne i kemi “lagjet e Ramës”. Zonat, ku nuk ka rëndësi e vërteta, ku votohet gjithmonë njëlloj, ku ndryshimi nuk bën sens e ku e ardhmja është vetëm nën liderin.
Duke i blerë mediat, duke deformuar të vërtetën, duke shpërfillur ndjeshmëritë publike e duke na vjedhur atdheun, duke paketuar para e milionerë të dyshimtë për zgjedhjet, duke i mbajtur masat në injorancë diktatorët kanë të njëjtën fytyrë.
Sfida jonë e fundit, është që ose të luftojmë për kaq pak sa na ka mbetur, ose të shkojmë e ta këndojmë Bella Ciao-n diku tjetër. Atje, ku nuk ka nevojë, sepse nuk ka as Ramë e as Erdogan. Miku im, Allçak, do ju sugjeronte Këlnin.

Saturday, March 19, 2016

Fashizmi, Parku dhe zotëria Mini-Me



Betonierat bëjnë me dhjetëra rrugë gjatë natës brenda Parkut të Tiranës për të ndërtuar monstrën e Betonit, që kryetari i Betonit dëshiron të na e shesë si ëndërr fëmijësh. Ditën, betonierat nuk duken. Betonierat janë të zgjuara. Nuk kanë pse tërheqin vëmendjen e padëshiruar.
Rreth 200 protestues këndojnë Bella Ciao përpara 300 policëve të dërguar aty për të mbrojtur punimet e kompanisë private që vazhdojnë të ngrenë skela e të zgjerojnë vendin. Një BMW me 2 punonjës të Bashkisë ecën serbes brenda parkut, ku me ligj nuk lejohet asnjë automjet privat. Më pas, dhe një fuoristradë tjetër. Një tjetër punonjës i bashkisë fotografon çdo person në protestë. Nuk dihet se ç'do të bëhet me këtë informacion, por nuk është e vështirë ta imagjinosh. Një tjetër protestues më tregon sesi policët, pasi e kishin fotografuar i kishin shkuar në qendrën e punës dhe e kishin thirrur për pyetje. Një formë presioni, që ta detyrojnë mos të dalë më në protestë. Sigurisht, sipas logjikës së tyre, një djalë që punon në Bankë gjatë javës e në fundjavë është qytetar i angazhuar mund të trembet nëse në qendrën e punës i shfaqen uniforma që e marrin në pyetje.
Rreth 10-15 protestues kanë kaluar natën me çadra para kantierit. Janë studentë, që në një kohë tjetër mund të kishin qenë shumë mirë dhe fëmijë të luleve.
Njëri prej tyre tregon sesi pronarët e kompanisë private, me një grup gangsterësh dhe me disa dhjetëra punëtorë i kanë goditur e dhunuar gjatë natës, në sy të policëve të Bashkisë. Edhe sot (e shtunë) duket qartë që shefi i policëve komunikon vazhdimisht, për të mos thënë që merr urdhëra nga drejtues të kompanisë private që po hedh betonin. Si betonierat, privatët e ushtrojnë dhunën natën. Si betonierat, edhe Kryetari i betonit që ditën bën si populist, natën flirton me të fortët e të pasurit. Të gjitha shenjat që një stinë e re fashizmi po vjen.

Fashizmi

Kur diskutohej për të zgjedhur mes të keqes më të madhe e të keqes më të vogël, e vetmja diferencë që ngjante mes Berishës e Ramës ishte se ai i pari “të vret” kurse ky i dyti jo. Kjo diferencë, mua më duket që sa vjen e po zvogëlohet. Madje, kam filluar të besoj që kur qullacët e djeshëm shoqërohen më të fortë, bëhen më të rrezikshëm se vetë të fortët.
Fashizmi nuk është vetëm blerje e mediave, por dhe asgjësim i ngjarjeve. Nëse të tëra mediat japin “live” me orë të tëra deri edhe konferenca të rëndomta të institucioneve të shtetit, shumë pak kamera ishin te Parku. Asnjë kamera nuk ishte gjatë natës, dhe anjë kamera nuk guzon të futet brenda rrethimit në pronën publike ku ligjin që tani po e bën privati.
Fashizmi, fillon me mbushjen e Parlamentit me të fortë dhe të pasur dhe nguljen këmbë me arrogancë që kjo nuk është e vërtetë. Fashizmi nuk ka argument, fashizmi thotë: “ç'i ke këto pyetje”. Fashizmi gënjen ditën për diell. Fashizmi ka një makinë të tmerrshme propagande që paguhet nga të pasurit. Qëllimi i saj është të zhdukë të vërtetën. E mbani mend videon e Ramës që godet me grushte podiumin me mikrofona? Nuk ka ndodhur. Dmth, ajo ka ndodhur, se ne e kemi parë të gjithë. Por, dikush është kujdesur që ta zhdukë nga Interneti. Nesër, mund të mos ketë më asnjë kopje të saj, dhe në një botë dixhitale, kjo do të thotë se nuk ka ndodhur.
Fashizmi dërgon qindra policë për të rrethuar dhjetëra protestues. Policët, për ironi paguhen nga protestuesit, dhe nga ne të tjerët. Fashizmi, fillon me indiferencën e njerëzve që e shohin dhunën e shkatërrimin, por besojnë se nuk kanë “pse të ngatërrohen”. Fashizmi vjen në emër të të varfërve, por mbahet në këmbë me paratë e të pasurve dhe me një administratë servile e të dhunuar. Fashizmi, ka kryetarë të përjetshëm që kanë monopolin e së vërtetës.
Fashizmi vjen me arkitekturë totalitare e delirante: të fshijmë atë që është, se ajo që do ndërtojmë ne është më e mirë.
Fashizmi është pjellë e frikës. E frikës dhe e apatisë.
Fashizmi, sot po strukturohet politikisht në Pallat të Kongreseve. Dhe për fatin tonë të keq, fashizmi sot ka krijuar dhe një Mini-Me, Kryetarin e Betonit.

Bella Ciao

Nesër (e dielë) do të ketë përsëri protestë. Duke parë ritmin e betonierave, shumë shpejt do të jetë vonë.
Në atë protestë nuk do të jenë ata që kanë frikë; që kanë frikë për biznesin, për vendin e punës, apo frikë nga fashizmi në përgjithësi.
Nuk do të jenë ata, jeta e të cilëve është kafe dhe fejsbuk. Nuk do jenë as ata që do të interesohen për biografitë e atyre që protestojnë. Nuk do jenë as ata që i fusin një mendje të lehtë, hajt se bukur ngjan. Nuk do jenë as ata që thonë “unë kam 10 vjet pa dalë nga Parku, pse ta mbroj”. Nuk do jenë as ata që u kanë mbjellë kaktuset e propagandës në kokë. Nuk do jenë as ata që besojnë se në këtë vend nuk bëhet dot asgjë. Nuk do jenë as shumë prej atyre që shpërndanë mijëra likes për Gezi Parkun dhe u entuziazmuan pafund për protestat e Stambollit.
Por, unë do jem. Edhe pse lufta ime është duke shkruar, nesër, do jem ballë për ballë me policët e fashizmit, dhe nuk do shoh se kë kam në krah për t'i bërë biografinë. Do jem atje, sepse duhet të jem atje. Sepse nesër, do të jetë tepër vonë. Ky është testi që fashizmi po tenton t'i bëjë qytetit. Nëse qyteti nuk reagon, atë që do ndohë nesër “nuk kemi parë gjë akoma”.
Stambolli ka dhjetëra parqe, ne kemi vetëm 1.
Ky është Gezi Parku jonë. Dhe do më bëhej zemra mal, të të shihja edhe ty, atje.

Saturday, March 5, 2016

Aleanca e Qelbësirave për Parkun

botuar te Lapsi.al
Po luftohet rrugicë më rrugicë, shtëpi më shtëpi... këto janë fjalët me të cilat hapet Radiostacioni, filmi i vetëm që flet për çlirimin e Tiranës. Sot, e gjejmë veten në të njëjtën situatë. Po luftojmë pemë për pemë, lulishte për lulishte. Ndërsa preokupoheshim për shkatërrimin e Parkut Rinia, priten pemët e shtrohet beton në mes të parkut të Tiranës. Ndërsa luftojmë për Parkun e liqenit, një monstër betoni po ngrihet përballë Ekonomikut, në vendin ku dikur ishte park. Ndërsa monstra tjetër 17 katëshe po ngrihet poshtë te Diga. Jemi në luftë. Ata që kanë paratë kundër atyre që kanë vetëm ajrin. Dhe sikur mos mjaftonte fakti që një grup protestuesish ka kundër tërë mekanizmin e propagandës (jemi strukur të gjithë në një sajt të vetëm), vjen edhe PD-ja dhe e piraton lëvizjen.

Piratë, vandalë e qelbësira
Është e turpshme që pasi dha leje ndërtimi mbi lulishte e deri dhe në trotuare, z. Basha të ngrihet për të mbrojtur parkun. Protestuesit e tij me autobusë mund t'i dërgonte tek monstra që po ndërtohet përballë ekonomikut, mund t'i dërgonte edhe tek monstra tjetër te Diga. Por jo, ndërtues- shkatërruesit e monstrave janë miq me të dy palët. Projektet, i kanë bekuar si partia e Erionit edhe partia e Lulit. Krimi është bërë në bashkëpunim. Pra, qëllimi nuk është të mbrohet ajo pak hapësirë që ka mbetur, qëllimi është të duket sikur po mbrohet. Ndaj është hipokrite piratimi nga PD-ja i lëvizjes për parkun. Ky piratim i bëri njerëzit që vërtet shqetësohen për atë që po i ndodh parkut (e nuk janë pak) që të rrinë larg lëvizjes, duke i bërë automatikisht shërbimin më të mirë shkatërrimit.
Nga ana tjetër, mediat pranë pushtetit- sa shumë që janë bërë- u morën me CV-në e atyre që ishin në protestë. Pushteti tentoi të denigrojë protestën duke treguar me gisht disa pjesëmarrës. Por, pushteti nuk ka të drejtë morale të tregojë me gisht z. Malltezi, përderisa ka në gjirin e vet z. Kokëdhima. Palët, janë të barabarta në këtë pikë. Mediat reciproke janë kujdesur të na ofrojnë informacione të gjëra për këdo prej tyre. Për çdo njeri që mund të tregojnë me gisht këtej, ai ka të ngjashmin e vet që mund ta tregojë me gisht andej. Shqipëria nuk është vendi i ëngjëjve dhe askujt nuk i hiqet e drejta e protestës, pavarësisht kush është. Nëse ishte e drejtë aleanca e qelbësirave për të hedhur Berishën, atëherë është e drejtë edhe aleanca e qelbësirave për të mbrojtur parkun.
Për të denigruar protestën pushteti gjeti edhe tjetër argument: vandalizmin. Pra, t'i heqësh sharrën pemëvrasësve, qenka vandalizëm. Të mbrosh pemët nga rruspat, qenka krim ndaj pronës publike. Por, nëse ishte e drejtë të prishnim bulevardin e të digjnim makina me 21 janar për të hedhur Berishën, atëherë është e drejtë të prishim dhe rruspat për të mbrojtur parkun. Edhe armët e gardistëve janë pronë publike, sikurse ushtarët paguhen nga ne, por, ja që ato armë pamë se mund të vrasin edhe popullin sikurse rruspat e Bashkisë vrasin pemët. Ndaj, nuk ka mëshirë për vrasësit dhe armët e tyre.

Cirku i Bashkisë
Ndoshta e keni parë tabelën që lajmëron për Cirkun Belluci, mbështetur nga Bashkia e Tiranës. E pra, cirqe si ai nuk i lejojnë në Europë sepse keqtrajtojnë kafshët. Cirqet moderne nuk kanë kafshë. Ata që kanë vajtur kanë dalë të traumatizuar nga rrahja e tigrave. E pra, mbështetet nga Bashkia Tiranë. E njëjta Bashki që ka premtuar të mbështesë shoqatat e kafshëve. S'kam dyshim se Bashkia po bën e do bëjë diçka për të ndihmuar kafshët e rrugëve, por jam i qartë që Bashkia nuk i do kafshët.
Rasti i Cirkut të Bashkisë më lë të kuptoj së pari që Bashkia nuk ka parime, as frymë, as koncepte. Nëse i do kafshët, ai cirk nuk do lejohej në Tiranë. Njësoj sikurse po t'i duash fëmijët, nuk ua pret pemët. Por, Bashkia nuk punon me parime, punon me interesa të momentit, punon me çfarëdo gjëje që bën show.
Gjëja tjetër që kuptoj është se kush punon në atë Bashki. Aty, nuk punojnë profesionistë. Profesionistët nuk e do kishin lejuar këtë punën e cirkut që të ndodhte. Profesionalizmi i Bashkisë duket edhe te fakti që po gërmon projekte të vjetra e po i aplikon deri dhe gjysmake si projekti i të ashtuquajturit park lodrash që doli se do aplikohet i pjesshëm, pa kafenenë. Nuk besoj se aty ka një urbanist me integritet që të guxojë e të dalë e të mbrojë atë që po i bëhet Parkut Rinia e Parkut të Liqenit, apo atë që po bëhet nën sytë e Bashkisë te Diga po te Ekonomiku. Vetë Bashkia është një cirk. Vetëm se tigrat janë projekte prej letre.

Aria- Dormi amore- La situazione non e buona
Jam përpjekur të kuptoj veprimet e Bashkisë, qoftë dhe duke u përpjekur të mos jem i padrejtë apo tendencioz.
Por, më shqetësojnë shumë dy fakte. Së pari, fshehtësia me të cilën Bashkia po i bën gjërat. Ky projekt nisi pa bujë dhe ishte fat që disa aktivistë panë pemët që po priteshin në fshehtësi. Gënjyen për numrin e pemve të prera, derisa shiu nxori cungjet e dhjetëra pemëve të mbuluara me dhe për të mos u dukur. Akoma nuk kanë treguar projektin por një reel që nuk të lë të kuptosh asgjë, as hapësirën e vërtetë ku do bëhet betonizimi. Ata që janë përpjekur ta shtrijnë reel-in e Bashkisë, kanë llogaritur që hapësira që do betonizohet nuk do jetë 4.000 m2, por mbi 11.000.
Shqetësimi tjetër është arroganca. Ndërsa ftoi për dëgjesë për Parkun Rinia, ajo vetë nuk ka në plan të dëgjojë dhe projekti tashmë ka marrë rrugë. Tek Parku i Liqenit, Pemë- vrasësi del e me arrogancë njofton që projekti do të vazhdojë. Në të dyja rastet i janë ofruar alternativa- parkingje në vende të tjera, pa dëmtuar parkun Rinia; kurse për tek Liqeni ndërtimi me lodra kalamajsh prej druri, e deri tek realizimi i projektit pak më poshtë, aty ku janë hapësirat e Gardës. Por, Bashkia nuk ka vesh për të dëgjuar alternativa, aq sa të krijon përshtypjen që vendimet nuk i merr më kryetari i Bashkisë, por të tjerë, që qëndrojnë pas. Për Parkun te liqeni i vetmi argument për të mos e zhvendosur diku tjetër ishte se “se do bëhet vetëm aty sepse fëmijët kanë nevojë për hije”. Dhe këtë po e bën duke prerë pemët që do bëjnë hije për kalamajtë e duke e shtruar me beton përvëlues.
Ndërkohë, akuzon protestuesit se janë kundër fëmijëve. Fëmijët, edhe talibanët i nxjerrin gjithmonë para kur duan të hedhin njerëz në erë.

Arroganca e frikës
Arroganca e Kryetarit të Bashkisë, është frika e tij. Ai ka frikë se mos ata 50 protestues i bëhen 50,000 ndaj tenton t'i mbajë larg protestave duke përcjellë idenë se ata do bëjnë atë që duan, dhe se nuk pyesin njeri. Për këtë sjell si argument ata që e kanë votuar. Por, ata e kanë votuar për premtimet që ka bërë, dhe prerja e pemëve nuk figuron si pretim, as shkulja e Pakut Rinia. Pra, Kryetari është I PAMANDATUAR për të prerë pemë aty. Sikurse, është i PAMANDATUAR për të shkatërruar Parkun Rinia.
Diçka po përvijohet qartë, nuk është dhe aq ky park lodrash, por ajo që do bëhet më pas. Ky është testi jonë, testi juaj. Ky është Gezi Parku jonë. O ne o ata. O krimi, o ajri i pastër.
Arroganca e Bashkisë, nuk është thjesht fenomeni Veliaj. Është sindroma e Rilindjes që mendon se “i di të gjitha”, edhe pse në vend të profesionistëve kanë punësuar tigra të rrahur. Kjo arrogancë shoqërohet me delirin përkatës.

Deliri
Deliri, i përzierë me arrogancë, po na shfaqet kudo, në forma projektesh “artistike” si ajo që po bëhet para Galerisë, apo dhe “arkitekturore” urbanistike si shkatërrimi i rrugicës anash Pallatit të Kongreseve. Ajo pedonale e vogël e lezetshme ku kalojnë përditë mijëra njerëz, po bëhet rrugë makinash. Por, Pallati i Kongreseve është i projektuar bashkë me rrugicat, pra, nuk është vetëm ndërtesa, është një e tërë. Nuk ka arkitekt që do e lejonte që t'i shkatërrohen rrugicat anash, sepse cënohet arkitektura e saj, por, ja që ashtu po bëhet. Dhe lind pyetja, kush i ka mandatuar kryetarët e Bashkive që të “transformojnë” Tiranën duke prishur “landmarks” të qytetit? Kush u ka thënë që kanë leje të shkatërrojnë çdo gjë, qoftë dhe vila 120 vjeçare për të dhënë leje ndërtimi pallatesh? Kush u ka mbushur mendjen që mund ta ri-pikturojnë Tiranën sipas qejfit të tyre e shijeve të dyshimta duke fshirë pa teklif arkitekturën dhe urbanistikën mbi gjysëm- apo një-shekullore të qytetit? Parkun e Liqenit e kanë ndërtuar vullnetarisht me dhjetëra mijëra njerëz, ndër ta edhe im atë, bashkë me mijëra njerëz që janë akoma gjallë. Kush e ka mandatuar kryetarin Veliaj të fusë rruspat aty pa përfillur ata që e kanë ndërtuar e të deklarojë me arrogancë se nuk tërhiqet? Unë jo. As ju. As ata dhjetëra njerëz që dalin për kafe te liqeni dhe shohin me kuriozitet pasiv luftën e Taninit e disa dhjetëra të rinjve që nuk pranojnë t'i hapin rrugë arrogancës.

Bob Marley- antinjeriu i vitit
Një mik gazetar, shkruante se anti-njeriu i vitit 2015 ishte “vetëdija shoqërore” që është aq e ulët sa nuk na lejon të vetëmbrohemi nga arroganca e pushtetit.
Për fat të keq, miqtë gazetarë janë bërë palë me pushtetin duke ua mpirë vetëdijen njerëzve. Njësoj si një pjesë e shoqërisë tha me 21 janar: “mirë ua bënë atyre që protestuan” dhe justifikonin gardistët “që ishin në krye të detyrës”, sot fotokopjet e tyre të krahut tjetër thonë: “nuk ka kauzë, ç'kanë këta që protestojnë?”. Nuk mund të ketë vetëdije shoqërore kur nuk ka gazetarë të lirë e media të lira. Ndaj arroganca pretendon se nuk ka frikë. Mendon se i ka krahët të ngrohtë me medie të blera e me ndërtues- shkatërrues të pasur. Por, heshtje nuk do të ketë. Kur të ngelet edhe blogu i fundit, edhe pema e fundit, edhe llogaria e fundit e Twitter-it apo e FB, lufta për parkun dhe për qytetin, do të vazhdojë. Propaganda do të vazhdojë, shumë njerëz do të shohin apatikë sesi po na e marrin Parkun e po ua japin ndërtues- shkatërruesve, bashkë me tërë qytetin.
Do të vazhdojë të ketë njerëz që do të presin bileta për te Cirku Belucci dhe do të shohin tigrat që rrihen me kamzhikë. Por, ata 50 djem të rinj do të jenë në protestë. Unë do jem këtu duke shkruar. Ky është Gezi Parku jonë. Dhe nuk kemi tjetër veç atij.
Është e vërtetë, Z. Veliaj, mund të gënjesh tërë popullin për pak kohë, mund të gënjesh edhe një pjesë të njerëzve për tërë kohën. Por, nuk mund ta gënjesh tërë popullin, për tërë kohën.

Monday, February 1, 2016

Një libër për Erion Veliajn dhe debili Lubonja

Botuar te Lapsi.al

U bë ca që botën perëndimore, pjesë e së cilës nuk jemi, e ka ngacmuar e bërë të dridhet një libër i shkruar nga një rojtar pyjesh në Gjermani. Libri i titulluar “Jeta e Fshehtë e Pemëve: Çfarë Ndjejnë, Si Komunikojnë Ato – Zbulime nga Një Botë Sekrete” është një nga librat më të shitur në Europë vitin e kaluar dhe i ka mrekuluar lexuesit me lajmet – e njohura prej kohësh nga biologët – se pemët në pyje janë krijesa shoqërore. Pemët mund të numërojnë, të mësojnë e të kujtojnë; të kujdesen për fqinjët e sëmurë; të njoftojnë njëra-tjetrën për rreziqet duke dërguar sinjale elektrike përmes një rrjeti kërpudhor të quajtur “Wood Wide Web”; madje, për arsye ende të pashpjeguara, ato i mbajnë gjallë cungjet e pemëve të tjera të prera apo të thyera për shekuj me rradhë duke ua ushqyer rrënjët me një lloj lëngu sheqeror që ua përcjellin përmes rrënjëve të tyre.
Ky libër, sipas Nju Jork Tajms, të ndryshon përgjithmonë mënyrën sesi ti i sheh pyjet e pemët.
Po e sjell këtë libër në vëmendje, pikërisht në kohën kur Bashkia e Tiranës ka vendosur të shkatërrojë Parkun Rinia (dhe jo vetëm) me gjithë pemët që ka sipër për të ndërtuar një parking nëntokësor. Ideja gjenitale e injorantëve dhe shpirtharëve të Bashkisë është që pemët e Parkut Rinia do i shkulin që andej dhe do i rimbjellin më vonë (pas 2 a më shumë vitesh, kur të mbarojë parkingu), çka është më e pakta një idiotësi (edhe pa e lexuar këtë libër) sepse rrënjët e atyre pemëve janë me dhjetëra metra të thellë, sepse ato kanë ngritur për dhjetëra vjet komunitetin e tyre dhe dëmtimi i tyre pas kësaj “zhvendosjeje” do jetë i përjeshëm. Por, shpirti i tharë i anëtarëve “të majtë” të Këshillit Bashkiak (plot biznesmenë e anëtarë partie të fryrë me vjedhje në postet paraprake) nuk do t”ia dijë për zemrën e qytetit e aq më pak për komunitete pemësh.

Kriminelët pasivë
Ka një lëvizje intelektualësh për të mbrojur Parkun, por ju nuk lexoni për të e nuk e shihni në kronika lajmesh. Arsyeja është e thjeshtë: media është palë me krimin, në mënyrë aktive ose pasive. Të pasurit, ata që bëjnë ç'të duan me këtë qytet, ua kanë mbyllur gojën të gjithëve me para, me dhurata, me kredi, me aksione pronarësh, apo me hijen e pushtetit shumicës së portaleve, të gjitha gazetave e televizioneve. Më shumë se lufta për të mbrojtur Parkun, ajo që më intereson sot është diçka tjetër.

Debili
Ik o plere burgu; kafshe parahistorike; o toç; kur s'te vrau Enveri ty, shpetove mor qen; njeriu me i pavlere, superidiot dhe ronxhobonxho shembullor; berishian; zoti analist i shqyer; budallalleqe injorantesh; protesta idiotesh pa logjike; llapaqen; sharlatan i ndyr; kafsh; njerez te pafytyr, sikur t'ju ket shkerdhy djalli, te hane ndonje plumb pas koke; debil...
Këto janë rëndom komentet e lexuesve (gabimet ortografike SIC) nën shkrimet e Lubonjës e që unë i mblodha nga vetëm nga 2 shkrime të fundit, njëri prej të cilëve për mbrojtjen e Parkut. Lubonja, që as ka vrarë njeri, as ka prerë pemë, as ka dhënë konçesione, as ka rritur biletën e të varfërve me 33%; që vetëm ka shkruar e lexuar libra, që vetëm shkruan e jep ide nëpër blogje. Madje, ndër të paktët që po ngre zërin aty ku shumicës së gazetarëve nuk ua mban. Nuk ka rëndësi të analizohen se kush i bën komentet, nëse janë shqiptarë të frustruar në emigracion, nëse janë të rinj të punësuar në shtet për të bërë luftë me komente në rrjetet sociale, njerëz që jetojnë në një botë paralele, apo thjesht cungje socialë...
Cungje, që ashtu si pemët, ne të tjerët i ushqejmë pafundësisht me lëng sheqeror për të mos i lënë të vdesin, por që ndryshe nga pemët ata duan që i gjithë pylli të jetë vetëm me cungje si ata. E vërteta është që në rrjetet sociale këta përmbysin gjithçka me mllefin e tyre, justifikojnë çdo krim, dhe armiku i tyre është ai që shkruan libra dhe që mbron pemët. Këta janë ata që të japin një milionë shpulla, ose të zgjedhin Kryetar Bashkie pa të lexuar asgjë, as programin. Këta, për fatin e keq të atyre pak njerëzve të ndjeshëm, janë ata që vendosin. Kuazi-qytetarët.

Kuazi-qytetarët
Në pamundësi për ta ulur nga poltrona pemë-vrasëse Veliajn, apo për ta detyruar atë të lexojë një libër për pemët; në pamundësi për të bërë që pronarët e mediave të bëhen palë me qytetin e jo me krimin; e vetmja shpresë mbetet që qytetari i Tiranës të ngrihet vetë për të mbrojtur atë që është e tij. Por, kam frikë se qytetari i Tiranës është i njëjti popull që tribunin e vet e përdhos me fjalët më të ndyra (nën anonimitetin online) dhe që dhunuesit e vet i rivoton pareshtur. Njeriu i Sindromës së Stokholmit. Kuazi-qytetari. Ai që ka të drejtë vote por jo shpirt vote, ai që helmin e nxjerr ndaj Lubonjës, jo ndaj atyre që vrasin qytetin. Dhe më kujtohet vargu i një tribuni tjetër që këta që kanë uzurpuar dhe shkrimin e historisë po përpiqen ta dhunojnë me harrim: “Skllevër bij skllevërish, s'e meritoni. Se liri s'doni...”

* I botuar në Anglisht me titullin “The Hidden Life of Trees: What They Feel, How They Communicate — Discoveries From a Secret World”, nga Peter Wohlleben.

Wednesday, January 6, 2016

Njeriu dhe Anti-njeriu i vitit 2015

Kërkuar nga gazeta DITA për të dhënë një opinion mbi Njeriun e Antinjeriun e vitit 2015, më poshtë është shkrimi i plotë

Mes njeriut e antinjeriut
Ndërsa nuk kam asnjë lëkundje për anti-njeriun vitit, kam një boshësi të skajshme për Njeriun e 2015-s. Këtë vit, nuk gjej dot asgjë e asnjë që të më frymëzojë. Madje, në 2015-n edhe njerëz që i kam pasë admiruar apo respektuar në mjekësi, administratë, muzikë, kinema e kudo tjetër më kanë zhgënjyer thellë. Nuk mund t'ia jap Njeriun e Vitit as trainerit e as kombëtares, sepse më së paku më duken thjesht njerëz që bëjnë punën e tyre e jo sakrifica të skajshme. Nuk mund t'ua jap atyre përderisa rruga jonë drejt Francës ka ca njolla të errëta për të cilat pseudonacionalistët gojëndyrë të rrjetit nuk lënë gjë pa të thënë po i zure në gojë. Mund t'ia kisha dhënë atij njeriut të panjohur që shpëtoi një fëmijë që po mbytej në Liqenin Artificial e që humbi jetën sikur ngjarja të mos kishte ngjyra aksidentale; mund t'ia kisha dhënë atij lojtarit që mbrojti flamurin në stadiumin e Partizanit të Beogradit (fundja e vetmja gjë që na ka mbetur është ajo copë beze) sikur të kishte qenë vërtet flamur; mund t'ia kisha dhënë Albin Kurtit sikur të kish qenë pak më sekular e jo në aleancë politike me Haradinajn. Në mungesë të diçkaje që realisht të më frymëzojë, më duhet të shpik një Njeri të Vitit.

Njeriu i Vitit
Njeriu i Vitit 2015 për mua është Ikanaku. Ai që iku për të mos u kthyer më, i qartë për të pastruar banjot e botës sesa për të jetuar tërë jetën në një gropë thithëse pa shpresë. Juve mund t'ju duket se ai që ikën bën zgjedhjen më të thjeshtë, unë mendoj se bën zgjedhjen më të vështirë. Gjëja më e vështirë – sidomos për njerëz si ne kaq të lidhur mbas tokës e njerëzve – është të ikësh pa e kthyer kokën pas. E trishtueshme është që ata po ikin në kërkim të një jete më njerëzore në një kohë kur asgjë në botë nuk të josh më si ëndërr. Por prapë, çdo vend i lodhur në Evropë duket më i mirë se ky ku u lindën e u rritën. Bashkë me ata që po ikin me mijëra përditë, janë edhe Njerëzit e këtij Viti e Viteve të tjera, njerëz që mund të kishin bërë diçka fryëzuese për ju e për mua e për këtë vend, por, nuk ishin e nuk do jenë këtu për ta bërë. Ikanaku është Njeriu im i Vitit, me lot në sy.

Antinjeriu
Në çdo rast do kisha qenë kundër përdorimit të emërtimit Anti-njeri, sepse për të merituar këtë damkë çnjerëzore duhet të jesh Hitleri ose Mollosheviçi, dikush që ka tentuar të çrrënjosë bazat e elementit njerëzor. Por, në këtë rast mendoj se janë pjekur kushtet që të mund të flasim pikërisht për Anti-njeri të vitit në Shqipëri, për njerëz që po heqin bazat e çdo gjëje njerëzore të jetës në këtë vend. Nëse Ikanaku është Njeriu im i vitit, ai që po e përzë atë, jo me stil Millosheviçi por në mënyrë më perfide, thjesht duke ia vrarë shpresën, është Anti-njeriu. Do ishte shumë e thjeshtë të përfshija klasën politike e t'i quaja Anti-njeriu. Por, unë mendoj që krimi ka gjithmonë emër dhe duke e trajtuar në grup vetëm u kemi dhënë mundësinë fajtorëve të fshihen pas asaj ose atyre që vetë kanë krijuar. Mes Edi Ramës e Ilir Metës, të dy të kualifikuar me notë maksimale për këtë post, vendin e Antinjeriut të Vitit ia jap Ilir Metës. Thjesht sepse në përceptimin tim e shumë të tjerëve ka më tepër pushtet real sesa Edi Rama, por edhe për faktin që ai ka arritur në finale të Anti-njeriut herë tjetër edhe me lojtarë të tjerë klasikë të Anti-njerëzimit si Sali Berisha. Shteti prej nga ku Ikanaku arratiset është i dështuar dhe faji për këtë ka një emër, emrin e atij që ka më tepër pushtet në këtë vend. Mund t'ju kisha folur për banditizmin e plaçkitjen në nivel shtetëror, për deformimin e drejtësisë, për shitjen e votës, për blerjen e medias, për rininë fashiste, për krijimin e një koncepti të ri shkatërrues për një shtet, atë të votuesit-klient... Por ju këto i dini. Duhet vetëm t'i vini emrin sipër.