Tuesday, April 7, 2020

Ditari i karantinës / dita 27 e kiametit

Shqiptari i Kombinatit: 

a e meriton mbreti i mirë një popull të keq?

 botuar në DITA dhe Politiko.al

Ka një indinjatë të përligjur (nga frika për veten, kuptohet) të njerëzve që rrinë mbyllur nëpër shtëpi kur shohin fotot e tregut të Kombinatit. Fjalia e parë që dëgjoj është: ne “nuk bëhemi njerëz”, çka nënkupton që nuk do mund të civilizohemi dot kurrë.
Po u përgjigje që ata janë të varfër dhe nuk është faji i tyre që sfidojnë karantinën, fjalia pasuese është “pse, edhe për këtë e ka fajin Rama?” çka nënkupton që Kryeministrit po i veshin dhe përgjegjësi absurde, si mosqytetaria e popullit që qeveris prej 17 vitesh në rang lokal e kombëtar plus nja 3-4 vjet qeverisje kulturore.
Do doja t’ju argumentoja pse është thelbësisht faji i z. Rama që njerëzit sfidojnë distancimin në Kombinat.
Mund të ngjajë sikur kritikët e z. Rama, përfshirë dhe unë, e kemi kthyer në tabelë qitjeje në këto kohë kur lideri po “lufton” të na shpëtojë të tërëve.
Nuk dua të flas për të tjerët, por unë kam 2 motive për t’u marrë personalisht me z. Rama.

Generalissimo R.
E para, kam vënë re një problem të madh në mënyrën si funksionon z. Rama në raport me pushtetin, dhe e kuptova vetëm falë COVID-it.
Z. Rama, beson që “ushtria” (lexo, mjeti i forcës) është një mjet për të trembur popullatën kur nuk bindet.
Në perëndim, ushtria është një mjet ndihme i popullatës që futet vetëm në misione humanitare aty ku shteti nuk ka resurse e ku fatkeqësia godet fort e papritur. Ushtarët, kthehen në infermierë, zjarrfikës, shoferë, kujdestarë e deridhe dado, për të ndihmuar popullin.
Në vendet ku pushteti merret e mbahet me dhunë, mashtrim, vjedhje e blerje votash, puçe e grushte shteti, ushtria në fakt shërben për të mbajtur popullin nën trysni frike. Z. Rama anoi nga këta të dytët.
E bëri në mënyrë instinktive ose jo kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që kuptuam mentalitetin që ka ai për shtetin. Shqipëria nuk ka nevojë për një Ramiz të dytë (meqë, ironikisht, ai nuk e ka as karizmën e Enverit që të mund ta përqasnim).

Sistemi, si fabrikë prodhimi anti-qytetarie
Problemi tjetër, që unë e konsideroj problem madhor të Shqipërisë faktin që z. Rama e ka personalizuar pushtetin në një masë të tillë, saqë po i afrohet asaj të Ramiz Alisë së viteve ‘86-‘90. Në të tilla raste, jo vetëm pushteti personifikohet tek një njeri, por dhe institucionet shndërrohen de facto në zgjatesa të egos së një personi; pasojat që lë ky akt mbi shoqërinë janë të lidhura derjtpërdrejt me vullnetin e një individi; dhe përgjegjësitë shkojnë përsëri tek ky njësh.
Më i ndershmi nga e tërë kjo racë uzurpatorësh mbetet Hitleri, që mori përsipër personalisht gjithçka që kish ndodhur në Gjermaninë naziste. Ky i yni, Enveri, djallëzisht induktoi në popull idenë që “Enveri nuk di gjë”. Në fakt, Enveri nuk kishte pse dinte me doemos çdo gjë, sepse kish ngritur një sistem sipas imazhit të tij. Levat, punonin për të. Edhe pse, ka shumë indicie që Enveri dinte pothuajse çdo gjë!
Para se të vinte në pushtet si Kryeministër dhe të ikte nga pushteti dhjetëvjeçar si Kryetar Bashkie (ku u fut për të shpëtuar nga pushteti si Kryeinxhinier i Kulturës) z. Rama tha që faji “është i sistemit”. Sikurse historia jonë na mëson, sistemin e bëjnë njerëzit. Ndaj, sistemi i ri drejtësisë, pra reforma, është deformuar kaq keq pas ndërhyrjes së “inxhinierëve” shqiptarë të politikës, ku z. Rama është ai me ndikim më të madh, gati absolut.
Kjo përvojë, sikurse eksperimenti i Zogut me oborr, ai i Enverit me shokë apo ia i Berishës me klan, tregoi edhe një herë që sistemet më të mira në letër mund të shkatërrohen nga aplikimi përmes njerëzve të papërgjegjëshëm.
Aq më tepër që Shqipëria, për shkaqe jo vetëm historike por dhe strukture të trashëguar ekonomike e politike, ka një traditë vertikale të shoqërisë.

Z.Rama, dhe pasqyra e borëbardhës
Kur z. Rama del para kamerave ai imagjinon popullin që po e dëgjon. Kamerat e Klanit, Vizionit e TCH, janë sot pasqyra e Borëbardhës e Kryeministrit. Ai dëshiron të dëgjojë atë që do nga pasqyra.
Në një farë mase, është e vërtetë që masa e popullit që ai imagjinon që po e ndjek, i ngjan atij. Sepse, në Shqipëri, ka kohë që liderët e formatojnë masën e popullit (ata që unë me dhimbje e trishtim, e disa me zemërim, i quajmë “dele”) sipas modelit të tyre.
Sot, shqiptarët janë bërë më arrogantë, sepse ky është modeli që ofron Kryeministri. Shihni mënyrën si komunikon me publikun, në rrugë, apo dhe në FB.
Sot, shqiptarët janë bërë më të dhunshëm, sepse e tillë është jo vetëm gjuha politike e Kryeministrit, por dhe mentaliteti i tij, dhe njerëzit që ai mban afër – një pjesë të kërkuar në Europë për përdhunime, vrasje e trafiqe. Shikoni dhunën me të cilën kalon ligje anti-kushtetuese, thjesht sepse “mundet”.
Sot, shqiptarët nuk e duan njeri-tjetrin, sepe kanë një Kryeministër që nuk do askënd vetëm vetes së tij dhe atyre 10 oligarkëve që ka rrotull. Shikoni tërë ligjet që ka bërë, që nga ai i faljes së taksës mbi dividentin, që i hoqi Shqipërisë miliona Euro për t’ua dhënë 10-15 oligarkëve e deri tek ai i marrjes së pronave në bregdet me dhunë, për tua dhënë “për zhvillim” po ati grushti njerëzish.
Të ecësh përpara pa meritë, por vetëm duke shërbyer është standarti që z. Rama ka vënë në Partinë e vet, në qeverinë e vet, në administratën e vet, në Parlamentin e vet. Them Parlamentin e “vet”, sepse është i veti. Sepse, kur i duhen votat ai vë në rresht edhe “opozitën e re” për të votuar atë që do ai.
Injoranca e mesatares së shqiptarëve është produkt i drejtpërdrejtë i cilësisë së programeve televizive, ku z. Rama është vazhdimisht protagonist, vetë ose përmes oborrtarëve të vet.
Interesi kulturor i masës së popullit është produkt i politikave kulturore të ish Ministrit të Kulturës, Kryeministri aktual dhe atyre para tij, politika që e thanë artin aq shumë sa i vetmi gjëmbaç që mbin në artin tonë është tallavaja në të gjitha fushat dhe telenovelat turke.
Me fjalë të thjeshta, shqiptari i kombinatit është imazhi më i saktë psikologjik i z. Rama, por pa vilë në Surrel e pa kravata trendi.

Shqiptari i karantinës
Ndaj, pse prisni që Shqiptari i Kombinatit të respektojë rregullat, në një shtet që luhet pa rregulla?
Pse kërkoni që Shqiptari i Kombiantit të vërë interesin e të tjerëve mbi atë të vetin, kur askush në majën e pushtetit nuk e bën këtë?
Pse prisni qytetari nga ai që tërë ditën ushqehet me imazhin e arrogancës?
Pse, ankoheni kur një qytetar i thjeshtë përdor aksiomën “e bëj, sepse mundem” kur kemi vite që bombardohemi me dhunën e Kryeministrave që e bëjnë diçka, sepse munden?
Pse befas, kërkoni nga një shqiptar i periferisë të sillet si Europian, kur vëllai politik i Kryeministrit shqiptar është një diktator lindor?
Shqiptari i Kombinatit është pasqyra psikologjike më e saktë e z. Rama, por jo vetëm aq.

Shteti i pak vetëve
Shqiptari i Kombinatit, gjithashtu nuk ka marrëdhënie me shtetin shqiptar.
Kur ka hall mjekësor, i duhet të bëjë derman vetë. Kush ka pasur të bëjë me sistemin shëndetësor, e di shumë mirë që shteti i z. Rama nuk të lë rrugë tjetër veç të plasesh te privati, ose, për të varfërit – të plasesh nën shtet duke paguar nën dorë.
Njëjtë dhe me sistemin arsimor. Njëjtë me drejtësinë. Njëjtë me rendin. Njëjtë me ushqimin. Njëjtë me varfërinë.
Padrejtësitë e thella ekonomike e sociale, në këtë vend zgjidhen vetëm me para nën dorë, ose me njohje personale. Ndryshe vdes, ikën në Gjermani ose i bashkohesh krimit. Shteti shqiptar u përket vetëm atyre që kanë para.
Mund të vazhdoja gjatë, po ju këto i dini. Thjesht, ju rikujtova, për të treguar që shqiptari i Kombinatit është i tëhuajëzuar nga shteti i vet. Shteti shqiptar është në shumicën e rasteve diçka e huaj për qytetarin e thjeshtë të këtij vendi dhe jo rrallë, është armiku i tij.
Këtu kanë kontribuar të tërë Kryeministrat nga pak, por z. Rama, është treguar ekselent në shkatërrimin e një shteti të shumicës në favor të shtetit të pakicës.
E vetmja gjë që ne presim nga shteti shqiptar është të bëjë rrugët. Kaq.
Këtu ka reduktuar shteti. Kaq ka kuptim shteti për ne. Për asgjë tjetër nuk na duhet, madje, në çdo hallkë të vetën na vjedh, grabit, dhunon, favorizon, abuzon në favor të atij që është më i pasur.

Shqiptari i Netflixit
Ndaj, pse prisni që qytetari i Kombinatit ta marrë seriozisht shtetin shqiptar? Pse shpresoni që Shqiptari i Kombinatit t’i japë diçka me dëshirë një shteti që vetëm merr e merr me dhunë? Pse doni nga një njeri i lënë mes katër rrugëve, të mendojë për ju që mbase e keni zënë një qoshe të ngrohtë?
Pse pretendoni që një shtetas që trajtohet non stop si qytetar i botës së tretë në vendin e vet, të sillet si qytetar suedez brenda 2 javësh? Pse kërkoni kulturë nga ata që (janë të detyruar) të hanë vetëm telenovelat e Sandrit, Vjollcës e Dulakëve, ndërsa ju keni hallin e sezonit të ri të Casa De Papel?
I keni parë kutitë e shkrepseve ku ata jetojnë, të zhytur në kredi, borxhe e veresi, pa mundësi për të blerë as portokaj e pa shanse për të jetuar me punë e dinjitet?
Ndaj, Shqiptari i Kombinatit nuk i ka borxh askujt, përkundrazi.
Nëse shtëpia juaj është e ngrohtë, shihni Netflix, shtrydhi limona e bëni fwd non stop meme për gallatë, mbylleni gojën e thoni faleminderit!
Shqiptari i Kombinatit duhej të ishte jo duke bërë pazar, po duke i vënë flakën sistemit.
Thojini faleminderit, jo atyre në Kombinat, por z. Rama, që ka modeluar qytetarë të tillë që vetëm e injorojnë shtetin, por nuk kanë guxim (as proteina mjaftueshëm) për t’i vënë flakën.
Ai ju ka dhuruar dhe juve (që merrni proteina) një shënjestër për t’u ankuar: ata që janë shqiptarë, po në 30 vjet nuk kanë patur kurrë pjesë në Shqipëri. Që dhe ju të rrini të qetë, me bukë e djathë e Netflix, e mos lëvizni shumë nga divani.

Friday, April 3, 2020


Ditari i Rezistencës / Dita 21 e kiametit

Kurorë-mbreti, kurorë-frika dhe kurorë-reklama

botuar më 2 prill 2020 në DITA dhe Politiko.al 

Kurorë-frika
Një nga shqetësimet më të mëdha që po artikulohet sot në botën e lirë është fakti që frika nga kurorë-virusi po ngre nevojën e marrjes së masave të paprecendenta, dhe në këtë rast, liderë populistë po përfitojnë për të përqendruar edhe më shumë pushtete në duart e tyre. Një prej tyre është Viktor Orban, në zemër të Europës që po e përdor situatën për të ndërtuar përfundimisht një mbretëri ku ai është mbreti i padiskutueshëm.
Në Parlament Partia e tij Fidesz ka shumicë absolute dhe merr vendime anti-kushtetuese. Orban mund të qeverisë tashmë vetëm me dekrete që nuk ka kush i konteston; ai mund të fusë në burg gazetarët që AI konsideron se përhapin lajme “të rreme”; informacion “i vërtetë” është vetëm ai që vjen nga Qeveria. Mediat dhe analistët pro tij janë mëse dakort që kjo të ndodhë.
Kjo situatë, është pa afat. Nëse shtete si Britania apo Franca masat që kanë marrë i kanë me afat (2 muaj në Francë) në Hungari ato mund të zgjasin përjetësisht.
Këtu mund të ngremë 3 pyetje: Me çfarë ju ngjasojnë metodat e Orban-it? A po qeveris “byrazeri” në Ankara akoma me ligjin e gjendjes së jashtëzakonëshme pas grushtit të shtetit të para 4 viteve? Dhe, a ka përfunduar “gjendja e emergjencës” e shpallur për tërmetin e Nëntorit nga qeveria në Tiranë?

 Shqipëria mes tërmetit e Covid-it
Mënyra më e mirë për të mbajtur një popull nën zgjedhë është frika. Ne e kemi provuar për 45 vjet, por kjo nuk do të thotë që kemi imunitet.
Frika nga kurorë-virusi është thelbësore dhe unë kam parë me trishtim që ka shumë njerëz, të gatshëm për të “tregëtuar” frikën nga vdekja me heqjen e lirisë. I kuptoj, por, gjëja që frika nuk i le të kuptojnë është që heqja e lirive nuk garanton mbrojtje më të mirë ndaj virusit.
Kjo frikë po pasurohet me “lajme” si ato me “polici spanjolle” që rreh protestuesit, apo me video që qarkullojnë me gjoja tanke në mes të New York-ut, video që nuk kanë asnjë vërtetësi. Ata që e kanë lexuar këto ditë NY Times dhe The Guardian e dinë që edhe kur flitet për “futje të ushtrisë” bëhet fjalë ose për angazhim të spitaleve/mjekëve ushtarakë ose për ndërhyrje humanitare (si në Itali ku ushtria po transporton të vdekurit). Jo për show dhune si diagaçët në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Me fjalë të tjera, këto lloj lajmesh, për tanke në Londër apo në NY, qarkullojnë vetëm në hapësirën virtuale shqiptare.
Frika e kombinuar me PR (që në rastin e fushatave të z.Rama do quheshin shqip: vetëreklamë) mund t’i japë një lideri autokrat edhe më shumë pushtet nga sa aktualisht ka. Pak ditë më parë qeveria shqiptare mori kompetenca që janë shqetësuese: të drejtën për të tu futur në shtëpi pa urdhër gjykate, për të të marrë pronën e për të të ndaluar protestën nëse të heqin paligjshmërisht nga puna (grevat).
Por, arsyeja pse po e risjell “frikën” si argument është një tjetër: Ka një ide që vetëm 5% e popullsisë është e vetëdijshme për batakun ekonomik e politik, për humbjen e lirive civile e të pronës publike, për një shtet që tashmë qeveriset me Ajfon e Uatsap, për një realitet të manipuluar thellësisht nga propaganda dhe me liri shprehjeje të cunguar, por z. Rama mund të qeverisë lirisht përjetësisht falë manipulimit të 95%-shit tjetër.
Ky, është një debat i rëndësishëm.
Kurorë-reklama
Të tërë e mbajmë mend “gjetjen e Ramës” që të shfaqej në protestën e solidarizimit me viktimat e Charlie Hebdo-së në Paris, ku tërhoqi me vete si dekor dhe përfaqësues fetarë. Një nga gjetjet më të mira të tij publicitare.
Por, i njëjti person që protestonte kundër dhunës ndaj medias në Francë ka disa vjet që është një nga armiqtë më të mëdhenj të medias, që e ka tejkaluar në nivel Orbanin, Vuçiçin dhe despotët e tjerë të lindjes pas-sovjetike.
Kam patur rastin që të verifikoj nga afër dhe përimtësisht strategjinë denigruese, shpifëse, gënjeshtare, keqinformuese e manipuluese të tij në rastin e ligjit të medias, të përforcuar nga një fushatë e gjërë PR-i dhe një lumë oborrtarësh. Mosmiratimi i atij ligji  është prapë një nga kushtet për hapjen e negociatave.
Brenda vetë partisë së tij, njoh njerëz që bien dakort që ai për PR (shqip: vetëreklamë) është “më i miri” dhe po të njëjtët njerëz e pranojnë që ai ka një problem “të vogël”: nuk di të bëjë shtet.
Por, PR-i i Ramës në krahasim me “3 lapsat” tani ka shkuar në citime imamësh (që dalin të jenë terroristë), në fjali të tipit “thuajini zotit faleminderit që më keni” dhe deri tek qeshakja si skenografia e veshjes së 30 mjekëve me maska pune që në Rinas.
Ka vërtet një frikë që z. Rama po e karikon frikën dhe masat pasuese për Covid-in (ku nuk ka asnjë meritë personale, për sa kohë janë masa standart të kërkuara nga OBSH) për të ndërtuar në fushatë politike që ngulit idenë se ai është “babai i kombit” dhe pa të, ne jemi të mbaruar.
Përdorimi i skajshëm i termave si “jemi në luftë” tenton të ndërtojë nga ana tjetër imazhin e prijësit trim dhe luftëtar në raport me terrorin që ngjallin po këta terma në publik. Në fakt, ne nuk jemi në luftë, dhe armiku i vërtetë është shkatërrimi i sistemit shëndetësor publik dhe mungesa e personelit dhe mjeteve, në veçanti ventilatorëve.
Kjo fushatë është e orientuar për atë që do të ndodhë pas Covid-it.

Kurorë-mbreti
Në një analizë në DITA, z. Genc Burimi argumenton që intensiteti i propagandës sot po ndërton justifikimin për nesër që të mos kemi gojë t’i kërkojmë llogari për ekonominë e rrënuar kurorë-mbretit dhe kurorë-babait që na mbrojti nga rreziku i kurorë-virusit.
Kur e gjitha të ketë mbaruar, do shihet çfarë ka mbetur nga një ekonomi e shpërdoruar prej vitesh e nga një shtet kartoni.
E vërteta duhet bërtitur fort. Që kur të dalim nga kjo situatë, thellimi i varfërisë dhe tirania të mos shndërrohen në një makth tjetër akoma më të gjatë; që kur Shqipëria të dalë lakuriq ashtu siç është, ekonomikisht e dreqosur – të mos jetë edhe e zhveshur krejt nga liritë e saj politike dhe civile.
Detyra e atij 5%-shi që nuk po e manipulojnë dot është të vazhdojë të flasë, të argumentojë e të mbajë gjallë të vërtetën tjetër, atë që tiranët duan ta zhdukin me propagandë e ta mbysin me frikë.
Kjo përpjekje për lirinë nuk ka përballë vetëm propagandën, oborrtarët e lakejtë e përhershëm të pushteteve dje dhe sot. Ka edhe reagimin e një publiku të terrorizuar, një pjesë e të cilit linçon në emër të frikës këdo që ngre pikëpyetjet për lirinë
Nëse sot z. Rama për propagandë citon Anwar al-Awlaki-n, unë preferoj Nolin: “Se pas vdekjes ndriti jeta, dhe kudo gjëmon trumbeta…”
Asaj trumbete duhet t’i biem që tani, në mënyrë të vazhdueshme e sado pak të jemi.