Saturday, July 23, 2011

Kur fyelli ka vetëm një vrimë

botuar te Shekulli, e Dielë, 17 korrik 2011

E keni parasysh atë shprehjen “i bie fyellit në të njëjtën vrimë”? Atë gjë kam ndër mend të bëj edhe unë tani. Në rastin e kësaj shprehjes unë jam ndjerë gjithmonë mbështetës i këtij njeriut që i bie fyellit në një vrimë për dy arsye. E para, fyelli nuk ka aq shumë vrima, sa të kesh luksin ti biesh tek vrima e 100-të, dhe e dyta, ky fyelltari mbahet mend pikërisht për këtë: që i binte në të njëjtën një vrimë. U dashka që në këtë vend ti biesh në një vrimë, që të kesh dëgjohesh.
Vrima ime, është piramida (do shkonte më shumë fjala gropë se vrimë).

Të shumëzuarit me zero

Çështja e piramidës është interesante sepse të krijon mundësinë të kuptosh sesi funksionon pushteti në Shqipëri.
Kam folur me juristë të cilët nga njëra anë të thonë që vendimi për shembjen është i paligjshëm por nga ana tjetër të shpejgojnë që nuk ka mundësi për të bërë asnjë betejë ligjore për ta mbrojtur, sepse janë marrë masat që vendimi të mos mund të çohet në gjykatë. Pra, pushteti ka ndërtuar mekanizma me të cilët i heq publikut dhe shoqërisë civile të drejtën e betejës ligjore.
Nga ana tjetër, betejën morale në media pushteti e përballoi vetëm me nja 2-3 fytyra që i shihnim e i shohim përnatë në ekrane. Ky është një tjetër mjerim i hapësirës së debatit publik. Sa për të larë gojën, dërgohen 2-3 zhurmues që përsërisin në mënyrë monotone të njëjtat argumente pa mish. Ndërkohë, pushteti i ka marrë masat që debati publik të rrijë jashtë derës së vendimmarrjes. Ti bëj gam-gam pas dere, ja ku i ke dhe 2-3 vetë me të cilët të shfrysh, por vendimi është marrë. Debati publik i jepet shoqërisë civile si valvul për të shfryrë, jo si mjet për të materializuar ide e për të ndikuar në vendime.
Siç e kam thënë dhe në Tartën e 31 tetor 2010 (botuar te Shekulli me titullin “DVX”) ata na kanë shumëzuar me zero.
Arsyeja pse po i bie fyellit në një vrimë, është, çfarë duhet të bëjnë të “shumëzuarit me zero”?

Lufta e tyre

Duhet analizuar së pari armatimi i kundërshtarit, në këtë rast i pushtetit. Pushteti ka Parlamentin e të tredhurve politikisht. Një vend ku bëhet luftë me topa balte e ku ushtrohet dhunë me kartona. Ka edhe gjykatat. Gjykatës që kanë gëlltitur dikur një lugë çorbë të prishur e janë të detyruar të vjellin tërë jetën.
Ka edhe mediat me të cilat mund të mpijë trurin e shumë njerëzve. Duket sikur janë shumë, por këto nuk janë armë, janë thjesht ushtarë.
Arma më e madhe që ka pushteti është që na ka hequr shpresën se në këtë vend mund të ndryshohet gjë. Formula “bëj gam-gam se prapë do bëhet si dua unë” kjo është pika më e fortë e pushtetit. Të tjerat, gjykatat, gazetarët e shitur, parlamentarët e tredhur, janë vetëm shërbëtorë të veshur ushtarë. Ushtarëve, po ti heqësh uniformën dhe armën e vërtetë, janë njerëz si ne, madje, edhe më të dobët se ne. Sepse nuk janë mësuar të luftojnë me duar, si ne këtu poshtë. Ne kemi vetëm duart dhe një fyell.
Prandaj, lufta jonë fillon duke i rënë fyellit në një vrimë.

Lufta jonë

Ka shumë njerëz që nuk donin e nuk duan të shembet Piramida, por, tashmë përtojnë të merren më me të. U duket çështje e vdekur.
Meqë në këtë vend pëlcet nga një bombë sociale çdo 3 muaj e nga një bombë politike në 6 muaj, është e vështirë të caktosh prioritetet e luftës. Sa herë del diçka e re, hapet një front i ri. Madje, kam përshtypjen që qëllimisht pushteti hap vatra të reja konfliktesh qytetare, për të shpërqendruar energjitë dhe prioritetet.
Çështja e votave dikujt mund ti duket çështje më e rëndësishme se Piramida.
Të tilla kauza për luftë, pushteti do na ofrojë shpesh. Por, nuk besoj se e dobëson më shumë trupin qytetar sesa betejat e lëna në mes. Këto janë beteja të pafituara, dhe pas tyre vjen frika se ne nuk kemi mundësi të bëjmë asgjë.
Prandaj, një betejë të paktën, duhet ta çojmë deri në fund.
Mos mendoni që nuk ka më asgjë për të bërë, dhe se Piramida është e vdekur. Nëse bëhen 10 mijë vetë rrotull saj, fadromat nuk do mund ta prishin. Mund të ngremë çadra, mund të bëjmë koncerte, mund të pjekim qofte, mund të marrim 100 mijë firma, që noterët mund të na i bëjnë falas, mund të lidhemi dhe me zinxhirë, mund të dalim në gazetat e tërë botës.
Luftërat jo gjithmonë i fitojnë më të fortët. Luftërat, fitohen nga ata që qendrojnë deri në fund. Dhe kjo është punë qendrese.

Lufta ime

Ka akoma njerëz që shkruajnë për Piramidën. Lubonja ngrinte me të drejtë çështjen e Piramidës si test për Kryetarin e ri të Bashkisë i cili premtoi që nu do të shembet. Ky është testi i tij i parë, dhe po u shemb Piramida, do jetë dhe testi i fundit.
Lame, e krahason rrënimin e Piramidës me frymën e barbarëve që pasi e pushtuan Romën, shkatërruan Koloseun. Mero Baze, beson që aty nuk do ndërtohet asnjë parlament i ri, thjesht duan ta prishin për të nxjerrë hasmin që andej, Top Channel-in, e më pas të marrin dhe tokën.
Fakti që shkruhet ende për të, më jep shpresë që “hallva” nuk është ftohur akoma.
Piramida nuk është thjesht një ndërtesë, është një simbol i pjesëmarrjes qytetare në vendim-marrje. Nëse sot na e prishin nën hundë, nesër, çdo gjë mund të na e bëjnë nën hundë. Prandaj, nuk dua ta konsideroj të vdekur. Gërdecin, minatorët, 21 janarin, të tëra i kemi lënë të bëhen hallva të ftohta.

Unë kam shkruar një herë, vjet, për Piramidën.
Është shumë kollaj që të mendoj se unë s’kam ç’të bëj më shumë. Në fakt, kam. Unë mund ti bie fyellit në të njëjtën vrimë.
Një fyell nuk e shqetëson sistemin. Por dhjetëra fyej, qindra fyej, e, me shpresë, mijëra fyej që i bien të tërë në të njëjtën vrimë do ta lënë pa gjumë.
Po fituam me Piramidën sot, nesër, mund të fitojmë çdo gjë. Edhe lirinë.

Monday, July 11, 2011

Some like it hot!

botuar te Shekulli, e dielë, 10 korrik 2011

Dy gjëra më kanë shqetësuar këtë javë (në nivele të ndryshme). Përdhunimi për të disatën herë i një fëmije në Devoll nga njerëz pranë familjes dhe një videoklip pornografik i Genta Ismailit. Duket sikur nuk kanë lidhje, por për mua lidhja mes tyre është shumë e fortë.

Kam shkruar te “Shekulli” për një rast të ngjashëm përdhunimi të ndodhur në Mborje, në Tartën e 17 Prillit 2011, të titulluar “1 Ditë si Kryeministër” pa pasur thuajse asnjë lloj feedback-u. Përshtypja që m’u krijua ishte që askush nuk e konsideron rast të vetin. Këto ngjarje ndodhin në fshatra të largët, ku jetojnë “monstra”, dhe fëmijët tanë janë më të sigurt. “Gjynah” ai djali i Devollit, “gjynah” dhe ato 2 vajzat e vogla në Mborje. Por s’ka lidhje me ne! Ne kemi halle më të mëdha, si p.sh., përdhunimi politik.

Nuk dua të flas për ata që konsideroj si përgjegjësit e vërtetë për përdhunimet e të miturve, se e kam bërë një herë. Dhe ju, ndoshta, e keni harruar.

Ajo që unë dua të them, është që edhe përdhunimi politik ndodh në një shoqëri që i kalon si vogëlsira përdhunimet e fëmijëve. Kurse përdhunimet e fëmijëve fillojnë që tek agresioni i ekranit të TV.

Shpëtoni fëmijën e vogël në Devoll, dhe keni shpëtuar Piramidën. Gjërat janë të lidhura. Një shoqëri që nuk ruan dot një fëmijë të vogël nga dhuna nuk ruan dot as votat, as ndërtesat, as punën as jetën e vet. Përdhunimi macro – ndodh në një vend ku ndodh si pa gjë të keqe e harrohet shumë shpejt, përdhunimi micro -.

Përdhunuesi më i madh i këtij vendi kushton minimalisht 600 mijë lekë të vjetra, ka ekran 32 polsh, dhe shitet version plazma ose LED.

SOME LIKE IT HOT!

“Some like it hot” (“Disave u pëlqen e nxehtë”) është titulli i një filmi të Marilyn Monroe-s të vitit 1959. Në film, për t’u ikur ca gangsterëve 2 burra (Tony Curtis dhe Jack Lemmon) detyrohen të vishen si gra.

Më ka ngacmuar shpesh ky titull, sepse, nuk e kuptoja mirë pse. Për kohën kur ishte xhiruar dukej si një film i guximshëm. Burra që vishen si gra. Filmi ka pak humor seksual të fshehur mes dialogëve. Në kohën kur doli (fundi i viteve ’50) censura ishte e fortë, dhe të flisje për dashurinë e lirë apo të portretizoje qoftë dhe shkarazi sterotipe seksualë si biseksualiteti, transvestia, androgjinia, homoseksualiteti, transseksualiteti, lesbizmi dhe impotenca, qoftë dhe me pak humor e totalisht të veshur, ishte një gjë shumë e guximshme.

Duke parë atë që ofron ekrani shqiptar, që nga filmat e deri tek reklamat, “Some like it hot” duket si një film për fëmijë.

Skena e joshjes së Marilyn Monrosë në jaht duket si leksion edukate morale përpara videoklipeve muzikore. Rastësisht, pashë vetëm 1 herë, një videoklip të Genta Ismailit që më la të shokuar. Jo për cilësinë artistike, se përtoj të flas për të. As për sensin e marketingut. Seksi shet, dhe këtë e dinë të gjithë. As për faktin që këngëtarët shqiptarë dinë vetëm të imitojnë, se Lady Gaga, se Rihanna. U shokova për faktin që ai videoklip transmetohet ditën për diell, në kanale tokësore e satelitore, në orar dreke e në orar kopshti, pa asnjë lloj censure.

TUNDE-SHKUNDE

E vërteta është që nuk jam fare i shokuar. Kjo gjë ndodh aq shpesh, aq rëndom, sa e kemi marrë për standard televiziv, dhe maksimumi mund të bëjmë ndonjë batutë për të. Rastësisht pashë edhe një reklamë pijeje ku krijohet “keqkuptimi” viziv i një seksi oral. Duket sikur nuk ka më kufi për asgjë. Pak para lajmeve, del reklama e pijes dhe gjyshi karikohet me pak reklam-porn.

Videoklipi i Ismailit në industrinë pornografike do të klasifikohej si “bondage porn”. Por, se mos është i vetmi. Duket se industria e videoklipeve shqiptare, duke mos konkurruar dot me muzikë po tenton të konkurrojë me pornografi. Në “MTV”, ose në çfarëdo kanali serioz muzikor, këto lloj videoklipesh do të censuroheshin. Tekstet e tyre, imazhet agresive erotike, nuk do të lejoheshin të ndotin mendjet ende të paformuara të moshave minorene. Pardon. Nuk e kisha fjalën për ekran serioz, më tepër sesa për shtet serioz. Nuk është thjesht kanali muzikor që censuron, është shoqëria që dikton deri ku mund të shkojë agresioni erotik në ekran. “MTV” e di që po cenoi ndjeshmërinë e publikut, problemet me të do të jenë të shumta, që nga mediat që do t’i vihen kundër, opinioni publik, e deri tek gjykatat.

Përderisa atë ekran mund ta shohin fëmijët, ai ekran ka detyrim moral e ligjor që t’i respektojë ata. Kam pasur rastin të shoh në kanalet muzikore shqiptare, qofshin të tokës apo të satelitit, të transmetojnë video këngëtarësh të huaj, të cilat në Europë, përveçse të censuruara, shfaqen vetëm pas orës 1 të natës. Madje, nuk shfaqen fare. Tek ne, jashtë çdo vëmendjeje e censure, jashtë shfaqen në orën 1 të drekës, e të pacensuruara. Pastaj, vijmë tek pjesa aspak gazmore e aspak seksi. Shqiptarët e ushqyer me këtë lloj agresiviteti seksual, si sillen? Përgjigjen shkoni lexojeni te “Radari i Shekullit”. Përdhunojnë fëmijët 12 vjeç.

DHUNA E IMAZHIT

Pa dashur të luaj rolin e psikologut, nuk mund të rri pa rivënë në dukje marrëdhënien perverse të shqiptarit me ekranin. Kjo marrëdhënie vjen, besoj, që nga koha e Enverit, që nga koha e kanaleve të huaja të kapura me kanoçe, ku, gjithçka që dilte në TV ishte e vërtetë. Imazhet tona për botën jashtë, u ngritën mbi iluzionet e Fantastico’s e të reklamave italiane. Imazhet tona për lirinë seksuale, u formësuan me Emanuelle e Electric Blue.

Kjo marrëdhënie njeri-TV është amplifikuar dhe pas viteve ’90, ku TV është përdorur si dhunues mediatik sistematikisht. Duke u hequr qytetarëve të drejtën për t’u edukuar politikisht, shteti (kryesisht) u ka dhënë edukatë politike jo përmes arsimit, forumeve qytetare dhe inisiativave të shëndetshme politike, por përmes Ekranit. Shqiptarët adhurojnë ose urrejnë, vetëm duke të parë në TV.

Vizioni ynë për botën, falë TV, është i deformuar. Të sulmuar non-stop nga videoklipe sado-mazo e nga reklama porno të transmetuara ditën për diell, pyesni veten se ç’informacion për botën merr një 19-vjeçar në një fshat të Shqipërisë, i rritur mes mentalitetit maskilist, mungesës së informacionit edukativ seksual, hormoneve të veta, klipeve porno, dhe mungesës reale të jetës rinore. Informacioni në kokën e tij duhet të hyjë shumë rrëmujshëm, dhe unë s’i vë dot faj, nëse imazhi i tij mbi seksin e mashkulloritetin bazohet mbi videoklipet, reklamat apo Channel X-in.

Vërtetë, njerëzit shohin velina në tërë botën. Halli është se te ne, ky imazh televiziv përplaset me mentalitetin e vërtetë të popullsisë. Fakti që shqiptarët e morën me kuriozitet infantil faktin që dikush bëri seks në “Big Brother Albania”, a tregon vërtet që ne si shoqëri jemi tashmë e hapur ndaj seksit? Ajo që unë besoj, është se ne jemi të hapur ndaj seksit kur e bëjnë të tjerët. Por të mbyllur, kur vjen puna te ne.

1959-A JONË

TV vetëm stimulon imazhe. S’ka si t’i vësh faj për deformimet e “marrësve”.

A jemi gati ne t’i pranojmë ato imazhe? Ne jemi akoma në vitin 1959 nga brenda, e duam të jemi 2020 nga jashtë. Mua më duket se ne jemi perëndimorë vetëm në ekran, dhe jemi akoma prohibicionistë në shtëpitë tona. Ne shohim “Big Brother”, e vajzat i mbajmë të mbyllura. Jeta në “metropolet” e Shqipërisë, përjashto një pjesë të Tiranës, mbyllet në ora 3 pasdite në dimër, e në ora 8 në verë. A jeni të sigurt, që këta 19-vjeçarë të rritur “kështu” janë gati për atë TV “ashtu”?

Shoqëritë evropiane e kanë përgatitur publikun e tyre edhe për ekzistencën e agresionit seksual televiziv. Por, ato shoqëri i kanë marrë masat që njeriu të mos plazmohet prej ekranit.

Mua më duket se, sa më thellë që shkon sinjali televiziv në Shqipëri, aq më shumë mesazhi i tij deformohet.

PIRAMIDA ËSHTË NË DEVOLL

Gjërat e vogla, përgatisin të mëdhatë. Në një vend ku është thjeshtë çështje kronike të përdhunosh një fëmijë, gjithçka mund të ndodhë. Në çdo vend normal, për të do qe folur me muaj, do qenë shkarkuar njerëz, do të jepnin dorëheqjen figura të larta. Tek ne, është lajm rutinë.

Lajmi do të harrohet, po sëmundja është aty.

Pas fëmijës e kemi radhën të gjithë. Fëmija im, fëmija yt, unë, ti, Piramida, vota. Gjithçka mund të përdhunohet e të kalojë si një lajm i thjeshtë.

Në Devoll, jeta e një fëmije ka marrë një rrjedhë të dhimbshme e të pashpresë. Në Devoll, njerëzit kanë vetëm një TV, një deputet, dhe jo ndonjë shpresë të madhe për të ardhmen. Unë e di që për atë fëmijë ju vjen keq. Është “gjynah”. Por, fëmijës nuk i duhet “gjynafi” juaj. Atij 12-vjeçari, i duhet që t’i të bërtasësh për të. Jo për votat. As për piramidën, por për të!

Dhe në këtë rast, nuk mund ta gënjesh veten me batutën “Nobody’s perfect”.

FRYMA

botuar te Shekulli me titullin "Zoti na dhashtë frymë", dt 3 Korrik 2011

Shteti është si trupi njerëzor, shkruante Anatol Frans, jo të gjitha funksionet që përmbush janë të fisme. Nëse e zëmë tekstualisht këtë frazë, mund t’ia tolerojmë shtetit disa funksione trupore fundore.

Por, një nga funksionet e trupit-shtet ka ndikim jetik në shoqërinë si e tërë, dhe aty nuk mund ta tolerojmë. Ky funksion është fryma. Sepse, fryma e shtetit dhe fryma e tërë shoqërisë janë (shpesh) e njëjta gjë. Për të folur për frymën, dua ta nis nga 3 shembuj.

SHEMBULLI 1 – FRYJI SYTË

Ngjarja e parë ndodhi te Posta, në zyrat e shtetit shqiptar. Ndërsa njerëzit prisnin në radhë në mes të drekës, një individ me një fëmijë për dore futet pa radhë me arrogancë duke shtyrë. Njerëzit, të mësuar të ulin kokën para më të fortit, heshtën, edhe pse nga brenda po zienin të tërë nga urrejtja. E vetmja që mori guximin ti fliste individit në fjalë ishte një vajzë e re. Reagimi i individit ishte: “Më do qejfi të futem pa radhë, pse, si e ke hallin ti??”. Pastaj, me cinizmin e atij që e di se nuk kanë çfarë t’i bëjnë, shtoi: “Kështu jemi ne, injorantët.” Kur vajza këmbënguli të mbronte të drejtën qytetare në respekt të rregullave, individi kaloi në fjalor fyes e degradues duke përfituar që përpara kishte vetëm një femër dhe një tufë memecësh. E tëra kjo, ndodhte në sytë e fëmijës së tij, të njerëzisë e të punonjëses së postës. Si përfundim, individi u shërbye dhe iku serbes-serbes duke parë me vetull të ngritur tufën e deleve, prej të cilave pak më parë njëra guxoi e ngriti kokë.

Nuk do shumë që ta zbërthesh këtë ngjarje e të rendisësh problemet shoqërore që pasqyron ajo:

a. Ligjin e bën më i forti. Ky ligj, tashmë funksionon me sukses.

b. Më i forti, e ushtron dhunën tashmë haptas, në sy të të tërëve, në sy edhe të zyrtarëve të shtetit, në ambiente të kontrolluara dhe me kamera.

c. Më i forti, jo vetëm e bën haptas, jo vetëm e bën në zyrat e shtetit, por tashmë ndjehet edhe superior (deri në cinizëm) karshi atyre që për frikë a për edukatë vazhdojnë të respektojnë ligjin (rregullin). I forti, i ka imponuar shoqërisë vlerat e tij.

d. Qytetari dhunohet tashmë, edhe brenda në zyrat e shtetit.

e. Qytetari dhunohet e askush nuk reagon. Reagimi qytetar është zero, i tulatur përpara dhunës.

f. Fëmija, mësohet që tani për mënyrën e të jetuarit në shoqëri dhe për marrëdhëniet me qytetarët e tjerë e me rregullat duke përdorur ligjin e më të fortit.

g. Dhuna ka mbërritur në atë kufi sa për të mbrojtur qytetarin duhen vënë truproja deri dhe në Postë!

SHEMBULLI 2 – SA PËR TË MBAJTUR FRYMËN GJALLË

Duke u kthyer nga Vlora me makinë, diku midis Fierit dhe Lushnjës kishin ngritur pusi një dyshe policësh me matës-shpejtësie. Them “kishin zënë pusi”, sepse pozicioni ishte tamam i tillë, të fshehur pas një ure ku ishte një tabelë surprizë.

Fjalia e vetme e policit pasi kontrolloi dokumentet ishte: “Ke tejkaluar limitin. Ishe me 92 km/orë. Bllokim patente. Eja paraqitu nesër në komision në Fier”.

Për një qytetar nga Tirana, një ditë të diel, e që duhet të paraqitet të nesërmen në punë, rikthimi për të dalë në komision në Fier të nesërmen për një shkelje që nuk ka shpresë ta mbrojë, është vetëvrasje.

Polici u largua pak më tej, duke e detyruar qytetarin t’i shkojë pas. Pas shkëmbimit të qokës së zakonshme, qytetari më thotë, “ma sill pak portofolin”. Me të dëgjuar fjalën “portofol” polici i drejtohet qytetarit “Këtë radhë, po ta falim”. Në sytë e mi, polici mori 1000 lekë të reja, na ktheu patentën dhe na përcolli me një “rrugë e mbarë”.

Nga Shembulli 2, mund të zbërthehen të tjera probleme të marrëdhënies sonë shoqëri/shtet:

a. policia, ajo që është aty për të të mbrojtur e shërbyer ty, mund të kthehet në një bandë grabitëse.

b. Qytetarit, shteti nuk i jep asnjë alternativë përveç dënimit maksimal. As gjobë, as këshillim, por menjëherë heqje patente.

c. Në këtë rast, qytetarit nuk i lihet as shansi të pranojë dënimin. Presioni që i bëhet është: ose të shkatërrojë punën e jetën e vet duke bredhur komisioneve e duke mbetur pa patentë, ose ti nënshtrohet duke vënë buzën në gaz kësaj dhune e të kërkojë “portofolin”.

d. Ky shtet të zë pusi. Në shumë vende të tjera, qytetarët informohen që ajo zonë ruhet me kamera. Por formula e përdorur këtu është ajo e “të zënit pusi”. Këtë radhë, shteti përfaqësohej nga 2 policë rrugorë. Por, shembujt e rrugorëve që zënë pusi në rrugica të humbura për të vjelë para, apo tatimorëve provokues nëpër dyqane, janë të shumta. I kemi çdo ditë ndër hundë.

e. Mundësia për të denoncuar grabitjen është shumë e vogël. Polici mund t’i ketë krahët e ngrohtë. Qytetari ndjehet i trembur nga solidariteti policor. Çka do të thotë, po denoncove një polic, shokët e tij të bëjnë benë. Ky vend nuk ka aq shumë rrugë sa t’u fshihesh.

f. Pavarësisht sjelljes së tyre, para ligjit, para gjykatës, këta policë janë më se të besueshëm. Fjala e njërit prej atyre dy hajdutëve me uniformë, konsiderohet e barasvlershme me 5 dëshmi qytetarësh në gjykatë.

g. Është e thjeshtë të gjesh cinizmin në sjelljen e tyre. “Hajt se po ta falim këtë radhë”.

SHEMBULLI 3 – IA MARR FRYMËN

Para se t’ju flas për frymën, dua t’ju sjell dhe shembullin e tretë. Atë e keni të faktuar me faksimile në Shekullin e së premtes, dt 1 korrik 2011, në shkrimin “Ristanët e së nesërmes” nga Ermir Hoxha.

Në faksimile, tregohej detyra shkollore e një nxënësi, që nga gabimet në të shkruar mund të besohej se është në klasë të tretë fillore, kur në fakt qe nxënës mature. Në detyrë, nxënësi, me arrogancë të neveritshme kërcënonte me një shqipe të gjymtuar mësuesen se ajo është e detyruar t’i vërë notën që do ai. “Edhe në të meritoj 4, mësuese do ma vë 10” e me radhë, deri sa cinizmi i tij arrin në pikën maksimale, kur thotë ”nëse meritoj 10 mësuese do ma vë 20”. Ky nxënës, sillet kështu sepse ka të ëmën drejtoreshë diku.

Shembulli i tretë më tregon se:

a. Sistemi arsimor po rrënohet mu në bërthamën e vet, në marrëdhënien mësues-nxënës ku ky i fundit promovohet si superior.

b. arroganca e abuzimit me postin, po përcillet e plotë te fëmijët. Shenjat, janë që këta do të bëhen dhe më të këqij se ne.

c. Këta lloj fëmijësh do të dalin në jetë të pajisur me të tëra diplomat e certifikimet e duhura arsimore për të zënë pozicione kyçe në administratë.

d. Fëmijët po mësohen që sot për të marrë çdo gjë me dhunë – sot me grushtin e prindërve, nesër me të vetin.

e. Po çimentohen breza nepotikë.

f. Arroganca e dhuna, në gjuhën e një fëmije, e bëjnë gjuhën të mos jetë as gjuhë e as fëmije. Shqipja, e shqiptuar me këtë lloj arrogance, duket kaq e shëmtuar.

g. Edhe në këtë rast, vihet re që arroganca ka marrë petk cinizmi: “Po meritova 9 mësuesja të ma vërë 10, po të meritoj 10, mësuesja do ma vërë 20”

QELBJA E FRYMËS

3 shembujt më sipër, (e jam i bindur se ju mund të kenë asistuar në shembuj edhe me të lemerishëm se këta) flasin qartë për frymën e shoqërisë.

Fryma e shoqërisë sonë qelbet. Një frymë e qelbur rrëfen për një trup të sëmurë. Nuk mjafton vetëm të lash dhëmbët e as të vesh protezë të shtrenjtë.

Tashmë, arroganca e dhuna kanë ndërhyrë në çdo element të jetës qytetare, në çdo shtresë shoqërore e në çdo funksionalitet të shtetit.

Fryma e administratës është e njëjtë me të shoqërisë. Në tre shembujt, shiko qëndrimin e punonjëses së Postës, të 2 policëve apo të prindit të maturantit gdhe. Ajo është fryma e administratës: respektimi i arrogancës e dhunës, përfitimi nëpërmjet arrogancës e dhunës, shantazhi përmes arrogancës e dhunës.

Kjo bëhet problematike në një vend si i yni ku administrata jo vetëm është punëdhënësi më i madh, por është më i madhi fare! Ata dhjetëra mijëra njerëz në administratë që jetojnë të frustruar o duke frustruar këtë frymë do e përcjellin në dhjetëra familje të tyre, tek fëmijët, tek të afërmit. Fryma është ngjitëse.

Kjo frymë ekziston në administratë sepse e tillë përcillet prej majave të piramidës shtetërore e partiake.

Ajo krijohet prej mënyrës sesi funksionojnë liderët, si komunikojnë idetë, si i zgjedhin stafet e tyre, deputetët e tyre, ministrat e tyre, drejtoritë e tyre, qeveritë hije të tyre. “Stomaku” i liderëve është shkak për qelbjen e frymës.

Fryma e shoqërisë është e qelbur.

Fakti që nuk dëgjojmë të flasin për të në emisionet me analistë, nuk do të thotë që stomaku punon mirë. Do të thotë, që duan të na mësojnë të jetojmë mes frymës së qelbur e ta konsiderojmë normale.

Madje, ata që duhej të ishin purifikuesit e frymës, intelektualët e gazetarët, shpesh janë ndotësit më të mëdhenj. Janë shitësit më të mëdhenj të hudhrës mediatike.

SWEET DREAMS

Pyetja ime, do të ishte, pse njerëzit, sidomos ata që gjenden më pranë gojës që mban erë, janë pajtuar me frymën e prishur të këtij vendi?

“Disa njerëz duan të të përdorin. Disa duan të përdoren prej teje. Disa njerëz duan të të abuzojnë. Disa duan të abuzohen prej teje”. Kështu shkon një këngë e vjetër. Bota, ndoshta, e tillë duhet të jetë. O i abuzon, o do të të abuzojnë.

Fryma e qelbur mund të jetë OK për disa. Ndoshta, ndjehen të paprekshëm nga ajo.

Për sa kohë gjenden në zyra në kate të larta, i marrin shtëpitë në zona rezidenciale, shkojnë me pushime në Kubë, policët rrugorë i njohin e u rrinë gatitu me dorën te streha e kapeles, kanë makina të shtrenjta jo vetëm me ajër të kondicionuar, por dhe me femra të kondicionuara, ata ndoshta mendojnë se na e kanë hedhur neve. Mendojnë se kanë ajër të pastër për vete. Ndoshta kujtojnë që fryma e qelbur e shoqërisë nuk mbërrin deri te ata. Mund të kenë dhe të drejtë. Sweet dreams are made of this. Por, ajo që ndoshta nuk e parashikojnë është që ajri i qelbur gradualisht do të ngjitet dhe në katet më të larta. Do të vijë koha që nuk do ta hapin dot më xhamin e makinës. Ajër i pastër do të mbetet aq pak sa çmimi do të jetë i shtrenjtë. Do të vijnë ca të tjerë, që do të të vrasin për një qese ajër, që do të duan një kat më të lartë se ata.

Atëherë do të ndjejnë pasojat e frymës së prishur.

Atëherë, do të kuptojnë që nuk mund të jetohet përjetësisht në ishull, në zonën rezidenciale, brenda makinës me kondicionim, duke bërë sikur nuk ke lidhje me atë që po ndodh këtu poshtë.

ZOTI NA DHASHTË FRYMË

Që shoqëria jonë të mund të marrë frymë lirisht ka nevojë për një ndryshim të menjëhershëm të frymës që përcillet nga lart piramidës. Unë nuk besoj që lidershipi i sotëm që ka kohë që jeton mes ajrit të ndotur ka oksigjenin e mjaftueshëm për të imponuar ndryshime të frymës.

Duhet një frymë e re. Fryma e re kërkon liderë të rinj. Liderë të rinj në mentalitet, në vizion, në stafe e në mushkëri. Një frymë që të nisë sipër në majë e pastaj të përcillet prej lart poshtë. Korrentet e ajrit, mund ta pastrojnë ngrehinën tonë me ajër të ndenjur.