botuar te Shekulli me titullin "Zoti na dhashtë frymë", dt 3 Korrik 2011
Shteti është si trupi njerëzor, shkruante Anatol Frans, jo të gjitha funksionet që përmbush janë të fisme. Nëse e zëmë tekstualisht këtë frazë, mund t’ia tolerojmë shtetit disa funksione trupore fundore.
Por, një nga funksionet e trupit-shtet ka ndikim jetik në shoqërinë si e tërë, dhe aty nuk mund ta tolerojmë. Ky funksion është fryma. Sepse, fryma e shtetit dhe fryma e tërë shoqërisë janë (shpesh) e njëjta gjë. Për të folur për frymën, dua ta nis nga 3 shembuj.
SHEMBULLI 1 – FRYJI SYTË
Ngjarja e parë ndodhi te Posta, në zyrat e shtetit shqiptar. Ndërsa njerëzit prisnin në radhë në mes të drekës, një individ me një fëmijë për dore futet pa radhë me arrogancë duke shtyrë. Njerëzit, të mësuar të ulin kokën para më të fortit, heshtën, edhe pse nga brenda po zienin të tërë nga urrejtja. E vetmja që mori guximin ti fliste individit në fjalë ishte një vajzë e re. Reagimi i individit ishte: “Më do qejfi të futem pa radhë, pse, si e ke hallin ti??”. Pastaj, me cinizmin e atij që e di se nuk kanë çfarë t’i bëjnë, shtoi: “Kështu jemi ne, injorantët.” Kur vajza këmbënguli të mbronte të drejtën qytetare në respekt të rregullave, individi kaloi në fjalor fyes e degradues duke përfituar që përpara kishte vetëm një femër dhe një tufë memecësh. E tëra kjo, ndodhte në sytë e fëmijës së tij, të njerëzisë e të punonjëses së postës. Si përfundim, individi u shërbye dhe iku serbes-serbes duke parë me vetull të ngritur tufën e deleve, prej të cilave pak më parë njëra guxoi e ngriti kokë.
Nuk do shumë që ta zbërthesh këtë ngjarje e të rendisësh problemet shoqërore që pasqyron ajo:
a. Ligjin e bën më i forti. Ky ligj, tashmë funksionon me sukses.
b. Më i forti, e ushtron dhunën tashmë haptas, në sy të të tërëve, në sy edhe të zyrtarëve të shtetit, në ambiente të kontrolluara dhe me kamera.
c. Më i forti, jo vetëm e bën haptas, jo vetëm e bën në zyrat e shtetit, por tashmë ndjehet edhe superior (deri në cinizëm) karshi atyre që për frikë a për edukatë vazhdojnë të respektojnë ligjin (rregullin). I forti, i ka imponuar shoqërisë vlerat e tij.
d. Qytetari dhunohet tashmë, edhe brenda në zyrat e shtetit.
e. Qytetari dhunohet e askush nuk reagon. Reagimi qytetar është zero, i tulatur përpara dhunës.
f. Fëmija, mësohet që tani për mënyrën e të jetuarit në shoqëri dhe për marrëdhëniet me qytetarët e tjerë e me rregullat duke përdorur ligjin e më të fortit.
g. Dhuna ka mbërritur në atë kufi sa për të mbrojtur qytetarin duhen vënë truproja deri dhe në Postë!
SHEMBULLI 2 – SA PËR TË MBAJTUR FRYMËN GJALLË
Duke u kthyer nga Vlora me makinë, diku midis Fierit dhe Lushnjës kishin ngritur pusi një dyshe policësh me matës-shpejtësie. Them “kishin zënë pusi”, sepse pozicioni ishte tamam i tillë, të fshehur pas një ure ku ishte një tabelë surprizë.
Fjalia e vetme e policit pasi kontrolloi dokumentet ishte: “Ke tejkaluar limitin. Ishe me 92 km/orë. Bllokim patente. Eja paraqitu nesër në komision në Fier”.
Për një qytetar nga Tirana, një ditë të diel, e që duhet të paraqitet të nesërmen në punë, rikthimi për të dalë në komision në Fier të nesërmen për një shkelje që nuk ka shpresë ta mbrojë, është vetëvrasje.
Polici u largua pak më tej, duke e detyruar qytetarin t’i shkojë pas. Pas shkëmbimit të qokës së zakonshme, qytetari më thotë, “ma sill pak portofolin”. Me të dëgjuar fjalën “portofol” polici i drejtohet qytetarit “Këtë radhë, po ta falim”. Në sytë e mi, polici mori 1000 lekë të reja, na ktheu patentën dhe na përcolli me një “rrugë e mbarë”.
Nga Shembulli 2, mund të zbërthehen të tjera probleme të marrëdhënies sonë shoqëri/shtet:
a. policia, ajo që është aty për të të mbrojtur e shërbyer ty, mund të kthehet në një bandë grabitëse.
b. Qytetarit, shteti nuk i jep asnjë alternativë përveç dënimit maksimal. As gjobë, as këshillim, por menjëherë heqje patente.
c. Në këtë rast, qytetarit nuk i lihet as shansi të pranojë dënimin. Presioni që i bëhet është: ose të shkatërrojë punën e jetën e vet duke bredhur komisioneve e duke mbetur pa patentë, ose ti nënshtrohet duke vënë buzën në gaz kësaj dhune e të kërkojë “portofolin”.
d. Ky shtet të zë pusi. Në shumë vende të tjera, qytetarët informohen që ajo zonë ruhet me kamera. Por formula e përdorur këtu është ajo e “të zënit pusi”. Këtë radhë, shteti përfaqësohej nga 2 policë rrugorë. Por, shembujt e rrugorëve që zënë pusi në rrugica të humbura për të vjelë para, apo tatimorëve provokues nëpër dyqane, janë të shumta. I kemi çdo ditë ndër hundë.
e. Mundësia për të denoncuar grabitjen është shumë e vogël. Polici mund t’i ketë krahët e ngrohtë. Qytetari ndjehet i trembur nga solidariteti policor. Çka do të thotë, po denoncove një polic, shokët e tij të bëjnë benë. Ky vend nuk ka aq shumë rrugë sa t’u fshihesh.
f. Pavarësisht sjelljes së tyre, para ligjit, para gjykatës, këta policë janë më se të besueshëm. Fjala e njërit prej atyre dy hajdutëve me uniformë, konsiderohet e barasvlershme me 5 dëshmi qytetarësh në gjykatë.
g. Është e thjeshtë të gjesh cinizmin në sjelljen e tyre. “Hajt se po ta falim këtë radhë”.
SHEMBULLI 3 – IA MARR FRYMËN
Para se t’ju flas për frymën, dua t’ju sjell dhe shembullin e tretë. Atë e keni të faktuar me faksimile në Shekullin e së premtes, dt 1 korrik 2011, në shkrimin “Ristanët e së nesërmes” nga Ermir Hoxha.
Në faksimile, tregohej detyra shkollore e një nxënësi, që nga gabimet në të shkruar mund të besohej se është në klasë të tretë fillore, kur në fakt qe nxënës mature. Në detyrë, nxënësi, me arrogancë të neveritshme kërcënonte me një shqipe të gjymtuar mësuesen se ajo është e detyruar t’i vërë notën që do ai. “Edhe në të meritoj 4, mësuese do ma vë 10” e me radhë, deri sa cinizmi i tij arrin në pikën maksimale, kur thotë ”nëse meritoj 10 mësuese do ma vë 20”. Ky nxënës, sillet kështu sepse ka të ëmën drejtoreshë diku.
Shembulli i tretë më tregon se:
a. Sistemi arsimor po rrënohet mu në bërthamën e vet, në marrëdhënien mësues-nxënës ku ky i fundit promovohet si superior.
b. arroganca e abuzimit me postin, po përcillet e plotë te fëmijët. Shenjat, janë që këta do të bëhen dhe më të këqij se ne.
c. Këta lloj fëmijësh do të dalin në jetë të pajisur me të tëra diplomat e certifikimet e duhura arsimore për të zënë pozicione kyçe në administratë.
d. Fëmijët po mësohen që sot për të marrë çdo gjë me dhunë – sot me grushtin e prindërve, nesër me të vetin.
e. Po çimentohen breza nepotikë.
f. Arroganca e dhuna, në gjuhën e një fëmije, e bëjnë gjuhën të mos jetë as gjuhë e as fëmije. Shqipja, e shqiptuar me këtë lloj arrogance, duket kaq e shëmtuar.
g. Edhe në këtë rast, vihet re që arroganca ka marrë petk cinizmi: “Po meritova 9 mësuesja të ma vërë 10, po të meritoj 10, mësuesja do ma vërë 20”
QELBJA E FRYMËS
3 shembujt më sipër, (e jam i bindur se ju mund të kenë asistuar në shembuj edhe me të lemerishëm se këta) flasin qartë për frymën e shoqërisë.
Fryma e shoqërisë sonë qelbet. Një frymë e qelbur rrëfen për një trup të sëmurë. Nuk mjafton vetëm të lash dhëmbët e as të vesh protezë të shtrenjtë.
Tashmë, arroganca e dhuna kanë ndërhyrë në çdo element të jetës qytetare, në çdo shtresë shoqërore e në çdo funksionalitet të shtetit.
Fryma e administratës është e njëjtë me të shoqërisë. Në tre shembujt, shiko qëndrimin e punonjëses së Postës, të 2 policëve apo të prindit të maturantit gdhe. Ajo është fryma e administratës: respektimi i arrogancës e dhunës, përfitimi nëpërmjet arrogancës e dhunës, shantazhi përmes arrogancës e dhunës.
Kjo bëhet problematike në një vend si i yni ku administrata jo vetëm është punëdhënësi më i madh, por është më i madhi fare! Ata dhjetëra mijëra njerëz në administratë që jetojnë të frustruar o duke frustruar këtë frymë do e përcjellin në dhjetëra familje të tyre, tek fëmijët, tek të afërmit. Fryma është ngjitëse.
Kjo frymë ekziston në administratë sepse e tillë përcillet prej majave të piramidës shtetërore e partiake.
Ajo krijohet prej mënyrës sesi funksionojnë liderët, si komunikojnë idetë, si i zgjedhin stafet e tyre, deputetët e tyre, ministrat e tyre, drejtoritë e tyre, qeveritë hije të tyre. “Stomaku” i liderëve është shkak për qelbjen e frymës.
Fryma e shoqërisë është e qelbur.
Fakti që nuk dëgjojmë të flasin për të në emisionet me analistë, nuk do të thotë që stomaku punon mirë. Do të thotë, që duan të na mësojnë të jetojmë mes frymës së qelbur e ta konsiderojmë normale.
Madje, ata që duhej të ishin purifikuesit e frymës, intelektualët e gazetarët, shpesh janë ndotësit më të mëdhenj. Janë shitësit më të mëdhenj të hudhrës mediatike.
SWEET DREAMS
Pyetja ime, do të ishte, pse njerëzit, sidomos ata që gjenden më pranë gojës që mban erë, janë pajtuar me frymën e prishur të këtij vendi?
“Disa njerëz duan të të përdorin. Disa duan të përdoren prej teje. Disa njerëz duan të të abuzojnë. Disa duan të abuzohen prej teje”. Kështu shkon një këngë e vjetër. Bota, ndoshta, e tillë duhet të jetë. O i abuzon, o do të të abuzojnë.
Fryma e qelbur mund të jetë OK për disa. Ndoshta, ndjehen të paprekshëm nga ajo.
Për sa kohë gjenden në zyra në kate të larta, i marrin shtëpitë në zona rezidenciale, shkojnë me pushime në Kubë, policët rrugorë i njohin e u rrinë gatitu me dorën te streha e kapeles, kanë makina të shtrenjta jo vetëm me ajër të kondicionuar, por dhe me femra të kondicionuara, ata ndoshta mendojnë se na e kanë hedhur neve. Mendojnë se kanë ajër të pastër për vete. Ndoshta kujtojnë që fryma e qelbur e shoqërisë nuk mbërrin deri te ata. Mund të kenë dhe të drejtë. Sweet dreams are made of this. Por, ajo që ndoshta nuk e parashikojnë është që ajri i qelbur gradualisht do të ngjitet dhe në katet më të larta. Do të vijë koha që nuk do ta hapin dot më xhamin e makinës. Ajër i pastër do të mbetet aq pak sa çmimi do të jetë i shtrenjtë. Do të vijnë ca të tjerë, që do të të vrasin për një qese ajër, që do të duan një kat më të lartë se ata.
Atëherë do të ndjejnë pasojat e frymës së prishur.
Atëherë, do të kuptojnë që nuk mund të jetohet përjetësisht në ishull, në zonën rezidenciale, brenda makinës me kondicionim, duke bërë sikur nuk ke lidhje me atë që po ndodh këtu poshtë.
ZOTI NA DHASHTË FRYMË
Që shoqëria jonë të mund të marrë frymë lirisht ka nevojë për një ndryshim të menjëhershëm të frymës që përcillet nga lart piramidës. Unë nuk besoj që lidershipi i sotëm që ka kohë që jeton mes ajrit të ndotur ka oksigjenin e mjaftueshëm për të imponuar ndryshime të frymës.
Duhet një frymë e re. Fryma e re kërkon liderë të rinj. Liderë të rinj në mentalitet, në vizion, në stafe e në mushkëri. Një frymë që të nisë sipër në majë e pastaj të përcillet prej lart poshtë. Korrentet e ajrit, mund ta pastrojnë ngrehinën tonë me ajër të ndenjur.
Monday, July 11, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment