Thursday, December 31, 2015

Bashkia kundër atyre që nuk kanë zë

Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak dha 2 rezultate: rritjen e çmimit të biletës, dhe na njohu nga afër me fytyrën e Këshillit Bashkiak, atyre që paskemi votuar për të marrë vendime për ne. Vendimi i rritjes së çmimit të biletës (që eklipsoi atë tjetrin për konçesion parkingjesh nëntokësorë) u mor përmes një banaliteti të theksuar të anëtarëve të Këshillit. Njerëz me artikulim të mangët; fyerje ku më të zakonshmet ishin: o legen, o çerr, etj.; vetë kryetari që bënte thirrje për kulturë ndërsa shpaloste një gamë të gjërë epitetesh për kundërshtarët që niste me “gomar” e mbaronte me “struc”; dhe konkluzioni, çmimi u rrit në 40L. Kjo rritje është një krim kundër shtresës më të varfër të popullsisë, atyre që nuk kanë zë.

Krimi i Bashkisë
Jam i bindur që të tërë ata që morën vendimin, pasi dolën nga ajo sallë u hipën makinave luksoze dhe u kthyen në shtëpitë e tyre në qendër apo në vilat e apartamentet në lagjet luksoze e me ajër të pastër jashtë qytetit. Nuk besoj se u ka humbur gjumi nga fakti se vendimi që ata morën penalizon një shtresë hallexhinjsh që unë i njoh mirë. Njerëz që numërojnë qindarkat dhe që atë 100lekshin e rritjes së biletës do ia heqin ushqimit ose rrobave ose librave të fëmijëve; njerëz që prej vitesh nënshtrohen një shërbimi mizerabël pa bërë fjalë; njerëz që kërkojnë vetëm një gjë, të mos u shtrëngohet edhe më litari që e kanë tashmë në fyt; njerëz që nuk kanë zë, sepse asnjë media e asnjë politikan nuk e ndjen hallin e tyre e nuk i përfaqëson dhe sepse janë shumë të zënë me mbijetesën për të ngritur zërin. Nëse Kryetari ose këshilltarët do udhëtonin vërtet me autobus, do kuptonin se çfarë kanë bërë. Për fat të keq, ata hipin në autobus vetëm për të bërë show.
Cinik ishte dhe argumenti kryesor që u përdor, se ky vendim pasqyronkësh pjekuri e përgjegjshmëri dhe se e gjithë kjo u bë që njerëzit të mos vuanin nga greva e datës 1 janar! Greva e datës 1 janar?! 1 janari ëshë e vetmja ditë që skamnorëve u lejohet të flenë pasi janë droguar me cheap TV e me ushqime të skaduara. Është e vetmja ditë që askujt nuk i duhet autobusi.
Ajo që do të ndodhë është që edhe pse bileta u rrit me 33%, shërbimi urban do të vazhdojë të jetë mizerabël; manaxhimi do të vazhojë të jetë prej injorantësh; xhepistët do vazhdojnë të patrazuar të bëjnë xhiro në xhepat e pensionistëve nën sytë e faturinove; higjiena do vazhdojë të jetë në nivelin e krupës nga sediljet me lyrë; autobuzët do të vazhdojnë të të nxjerrin shpirtin duke ecur me 10km/orë për të respektuar oraret idiote të përcaktuar nga analfabetët me përgjegjësi; gjithçka do jetë njësoj. Njësoj si vendimet e Këshillit. I vetmi argument bindës ishte ai i Kryetarit që u shpreh se populli e ka mandatuar për ta marrë këtë vendim. Kjo është e vërtetë. Populli i pazë është shpesh dhe pa sy, e pa veshë. Ata nuk e dinë që kanë votuar dhe për një Këshill, ose më saktë, çfarë fytyre ka ky këshill.

Fytyra e Këshillit
Përveç banalitetit ulëritës në komunikim dhe varfërisë së ideve që mbulohej me sharje apo akuza personale apo partiake, kjo mbledhje, më dha mundësinë të kuptoj sesi ka për të funksionuar Këshilli i Bashkisë: çdo vendim do jetë në kurriz të skamnorëve e në favor të “pronarëve”.
Dhe është mëse logjike. Këshilli vetë është produkt i orekseve, njohjeve e shijeve personale të liderëve por dhe i sponsorizuar nga individë e grupe me para. Aty ka biznesmenë, ndërtues, hajdutë të vjetër e të rinj, kamikazë të shefave e tek tuk ndonjë që ndoshta nuk e di as pse është aty. Mjaftoi t'i shikonim si komunikonin, cilat ishin idetë e tyre, larg qoftë idealet. Ky këshill është lehtësisht i bleshëm e lehtësisht i shantazhueshëm. Nuk do ketë asnjë vendim në të mirë të qytetit, por vetëm në favor të lobingjeve apo të presionit të atyre që kanë aq para e pushtet sa për t'i futur të tërë në thes me gjithë karriket ku ishin ulur.
E ardhmja u pa qartë: opozita, në pamundësi për të bërë opozitë numrash e për të ndryshuar rrjedhën e çfarëdo vendimi do të luajë vazhdimisht “të ndershmin” e atë që i ha shumë për të varfërit, ndërsa pozita do vazhdojë të marrë vendime kriminale duke u fshehur pas “strucit”. Kjo është e ardhmja.

Puna e kryer
Në vend që t'ia ngarkonin si barrë më të varfërve, çështja e kompanive të transportit urban që nuk përballojnë shpenzimet mund të kishte zgjidhje të tjera, një pjesë dhe që u hodhën në tavolinën e Këshillit Bashkiak. Por vendimi ishte marrë më parë, siç u kuptua. Përveç atyre zgjidhjeve, secila më e mirë se kjo që u bë, unë do të kisha dhe një tjetër: heqjen e liçensave operatorëve që nuk paskan mundësi ta përballojnë aktivitetin, falimentin e tyre dhe kalimin e shërbimit urban në manaxhim të Bashkisë. Në këto vite shërbim urban privat (që paradoksalisht e quajnë “publik”) nuk kam parë rritje cilësore të shërbimit, dhe jam i bindur që një Bashki e menaxhuar siç duhet mund ta bënte më mirë. Përndryshe, pse zgjedhim Kryetar Bashkie e Këshill? Më mirë të votojmë direkt kompanitë që menaxhojnë të gjitha shërbimet në qytet. Do të ishte më demokratike.
Për fat të keq, ky vendim si dhe shumë të tjerë do të vazhdojnë të merren dhe as një shkrim në gazetë, madje as fushata të tëra mediatike (që s'ka ndërmend kush t'i bëjë) nuk do të ndryshojnë gjë. Jetojmë në kohëra cinike e nën arrogancën e të kamurve. Ata do të bëjnë ligjet e tyre, do caktojnë taksa për veten e tyre, do rregullojnë vetëm rrugët para bizneseve të tyre, do ndajnë konçesionet dhe do shkelin me këmbë ata që nuk kanë zë. Që nuk ka kush u del zot. Njeriu Erion mund të ketë pasur fëmijëri të vështirë, por Kryetarit Veliaj u pa qartë se nuk preket shumë nga fatet e Erionëve të tjerë.

Sunday, December 13, 2015

Kali i Protestës

botuar te DITA, 12 Dhjetor 2015


Protestuesit e 21 Janarit u quajtën kokëpalarë, këta të 8 dhjetorit na dolën barbarë. Në pamje të parë, gjëja që i bashkon të dy protestat është që Ilir Meta është akoma në pushtet. Për mua, të dy protestat kanë më shumë se aq të përbashkëta – praktikisht më duken e njëjta gjë. E vetmja gjë që ndryshon është bilanci i të vdekurve.

Rikthim tek 21 janari

21 Janari ishte një përpjekje për të detyruar qeverinë e asaj kohe të tërhiqej, dhe përveç militantëve të kurdondodhur morën pjesë edhe njerëz që depresioni ekonomik u kishte depërtuar në kockë. Më 8 dhjetor, në shesh ishin të dyja kategoritë. Ai që thirri protestën e 8 dhjetorit është një kryetar partie, i kauzuar për vrasje e korrupsion. Ai që thirri protestën e 21 janarit ishte një tjetër kryetar partie, i akuzuar mediatikisht për metoda korruptive të administrimit të qytetit, i quajtur edhe Zoti 10 përqindësh. Në të dy rastet, liderët përkatës janë akuzuar për autoritarizëm, dhe kanë dhunuar kushtetutën me forcën e votave. Në të dy rastet, janë 2 administratorë që e administrojnë pushtetin me një kastë oligarkësh. Nëse dikush do të ngulë këmbë që njëri qenka vrasës e tjetri thjesht hajdut, kjo diferencë për moralin politik nuk bën shumë dallim: të dy nuk duhej të ishin në pushtet e aq më tepër të kishin të drejtë morale për të thirrur popullin në protestë.
Mediat që glorifikuan 21 janarin nxituan për të konsideruar barbarë këta të 8 dhjetorit, meqë thyen ca xhama e urinuan në bulevard. Pala tjetër, bëri të kundërtën. Ngriti në qiell këta të sotmit, ndërsa pati përbuzur ata të vjetrit. E pra, më 21 janar u dogjën dhe makina. Përpjekja për të etiketuar, kokëpalarë apo barbarë, ata që protestojnë është metoda më e thjeshtë për të deligjitimuar protestën. Por, protestat janë protesta. Dhe unë i dua protestuesit. E dua edhe dhunën e tyre. Njerëz të varfër, të papunë, të frustruar e pa të ardhme, mund të thyejnë dhe xhama, dhe kjo është shumë pak për dëmin që kjo qeveri apo ajo tjetra e 21 janarit u ka bërë. Protestat nuk janë me lule. Ato janë plot mllef ndaj padrejtësve, dhe unë i dua njësoj, si ata të 21 janarit dhe këta të 8 dhjetorit.

Mbrapsht tek 8 dhjetori

Protesta e djeshme, po të kishte sukses, do kishte sjellë në pushtet Lul Bashën, të akuzuarin si vrasës. Protesta e 21 janarit, po të kish patur sukses do kishte sjellë në pushtet Edi Ramën, të cilin, e kemi në majë dhe askush nuk e do në pushtet, as të vetët. Këta të dy, dhe ata dy të tjerët që rrinë në hije, janë njerëz të cilët shalojnë kalin e dhimbjes popullore për të marrë pushtetin. Mediat partnere të pushtetit kalërojnë me ta, në kurriz të popullit. Populli i protestës nuk do të arrijë kurrë të ndryshojë diçka, sepse është i vetëm dhe i shaluar.
Pamundësia për të prodhuar ndryshim politik nga brenda establishmentit është tashmë e provuar. Liderët në fjalë, ata që shalojnë popullin ka kohë që kanë shaluar dhe gomarin e politikës dhe asnjë parti e re, individ apo inisiativë nuk mundet të gjallojë pa lejen e tyre e jashtë interesave të tyre.

Dashuria për protesta, thyerjet e djegiet

Protetat kanë shymë fytyra njerëzore, kanë të varfër, kanë të dhumshëm, kanë budallenj, kanë nga ata që jetojnë në gjendjen e kalit që pret të shalohet, kanë nga ata që nuk dinë ku ta zbrazin mllefin, kanë të vuajtur, kanë skile, kanë idealistë, kanë dritëshkurtër, kanë militantë, kanë studentë, kanë katranjosë, kanë nga ata që s’kanë asgjë më për të humbur… (veç prangave, tingëllon melodia në vesh).
E vetmja shpresë është që protestat të mund të gjenerojnë fytyra të reja nga brenda tyre, aktorë të cilët të mund të marrin zemër e ta nisin ndryshimin nga poshtë. Për fat të keq asnjë djalë a vajzë inteligjent, me mastera jashtë shtetit e me ideale franceze nuk do të ketë shans të bëhet faktor politik, përveçse duke u pervertuar përmes shalëve të kalorësve në fjalë. Askush nuk mund të sjellë ndryshim në këtë vend nëse nuk ka kaluar përmes ekzilit politik si Grillo apo burgjeve politike si Albini. Në kushtet ku jemi, liderët e rinj mund të vijnë vetëm nga poshtë, e vetëm përmes turbullirash sociale. Ndaj i dua protestat, edhe pse shanset që të lindin liderë të rinj janë të vogla e të padukshme akoma. Por, nga njëra protestë tek tjetra, diçka mund të dalë. Sa më e frikshme gjeratorja, sa më i tmerrshëm syri i ciklonit, aq më shumë shpresë ka. Ndaj, mos u besoni atyre që propagandojnë protesta paqësore. 21 Janari është flamuri ynë.

Sunday, July 26, 2015

Rizbulimi i Kadaresë - në verë


botuar te Mapo print, e shtunë, 25 korrik 2015 në rubrikën "libra nën çadër"

Në maninë, apo daç quajeni sëmundjen për të shfletuar 4-5 libra njëkohësisht, këto ditë mbaj te koka e krevatit Kështjellën e Bardhë të Pamukut, Ferdydurke-n e Witold Gombrowicz-it, A janë Tavolinat e tua të Lumtura të Dorian Kullës, Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët të Mathias Énardit, Kështjellën e Kadaresë dhe Konkuistën e Amerikës të Tzvetan Todorovit. Secili nga këta libra e meriton të flasësh për të, përderisa është në (nën, për më saktë) krevatin tim dhe për një kohë relativisht të gjatë.

Por, dua të flas për Kështjellën e Kadaresë, një libër i shkruar para se unë të kisha lindur dhe që për herë të fundit duhet ta kem lexuar diku para 25 vitesh.

Kështjella është një mënyrë për të rizbuluar Kadarenë, atë të vjetrin, të errëtin, të nënkuptimtin, dhe bashkë me të një botë tonën, të vjetër, që nuk është më.

Rileximi i Kadaresë është një kontakt me shqipen. Shqipja e këtij njeriu, edhe pse e 1970-s, rrjedh si gjaku: fryhet, nxehet, ftohet, zbardhet, bëhet blu e pastaj shegë, pulson, zgjerohet në vena. Te Kadareja, shqipja është një gjuhë plot premtim e që nuk ka lidhje me shqipen e sotme, një gjuhë e gjymtë në gojët e palara të politikanëve, gazetarëve e kujtdo që ka akses për të folur e shkruar publikisht. Pra, Kadareja është një mënyrë për të qarë për shqipen.

Turqit e Kadaresë janë një etni më vete, ireale. Nuk e di nëse ka pasur ndonjëherë turq të tillë, dhe pse turqit e Pamukut, për shembull, ose të Énardit takohen me turqit e Kadaresë në shumë vende. Madje, turqit e këtyre të dyve – njëri prej tyre turk i vërtetë – më ngjan sikur rrjedhin nga turqit e Kadaresë.

Vdekja dhe seksi, janë 2 kolonat e Kështjellës që lexoj unë sot, dhe ndoshta tërë historinë tonë mund ta reduktojmë në këto dy shtylla të vetme. I gjithë patriotizmi, poetika e tymit të mishit të djegur, e flamujve që nxijnë dhe e shkëmbinjve që skuqin, reduktohet pikërisht në këto të dyja. Nuk e di nëse e ka bërë këtë ndonjë tjetër shkrimtar ose vetë Kadareja në ndonjë libër tjetër – nuk di a do kem luksin e rileximeve. Por, fakti që ky libër është botuar më 1970-n, më mrekullon.

Nuk e di a mund të jetë një lexim vere, përveçse nëse vera juaj mban era vdekje dhe seks.

Thursday, June 11, 2015

Detajet perverse të abuzimit të një mësuesi dhe ministrja

Përpara se të flasim se çfarë ka ndodhur realisht gjatë atyre orëve në klasë, kur mësuesi mbyllej vetëm për vetëm me minorenen, dua të kërkoj kokën e Ministres së Arsimit. Është më e pakta që shoqëria civile, në një vend normal do të kërkonte. Një rrogëtar i kësaj ministrie, i paguar me paratë tona, madje dhe me paratë e prindërve të viktimës, del që ka abuzuar me një nxënëse të vet, brenda ndërtesës së shtetit, me autoritetin që ia ka dhënë Ministria, dhe për të gjithë koka e Ministres mbase është pak.

Koka e Ministres

Pyetjet që lindin nga kjo dramë sociale janë të shumta. Sa viktima mund të ketë bërë ky njeri për 30 vjet? Cilat janë kriteret e punësimit në arsim? Cila është pozita e Drejtorit, dhe kush e si i zgjedh drejtorët? A ka struktura kontrolli kjo ministri? A ka psikologë nëpër shkolla, dhe çfarë përgjegjësie duhet të mbajnë? Si funksionon ndërveprimi prindër-mësues-nxënës? Dhe, kryesorja, si do të dëmshpërblehet ajo vajzë e vogël për këtë traumë që mund t'i shkatërrojë krejt jetën?
Nuk kam vërejtur ndonjë reagim zyrtar nga Ministria për këtë rast, e largqoftë të japin llogari qoftë dhe për njërën nga këto pyetje. Me sa duket, kjo çështje mendojnë se s'ka të bëjë me ta. Në fakt, ai përdhunim ka ardhur kryesisht për shkak të mosfunksionimit të asnjë hallke të administratës arsimore, është pasojë e frymës, dhe kjo çështje do të mjaftonte jo vetëm për të kërkuar kokën e Ministres, por edhe atë të Kryeministrit.

Koka e Kryeministrit dhe ajo e Blushit

Është kohë fushate dhe Kryeministri e zyrtarët nuk duan të harxhojnë energji, janë të angazhuar për të fituar dhe për të dhënë shpulla. Në një vend ku Kryeministrat ndjehen të paprekshëm edhe kur hedhin fshatra në erë, shumë do të buzëqeshin me idenë që t'i kërkojnë dorëheqjen pse një vajzë e vogël u përdhunua në zyrat e administratës së tij, në atë vend që cinikisht mësuesit e drejtorët e quajnë akoma me patetizëm “tempulli i dijes”. Edhe opozita është shumë e zënë për ët mbrojtur interesa ekonomike e politike okulte për t'u marrë me fatin e një vajze të vogël.
Këtu kemi dalë përsëri te tezat e Blushit, viktima është thjesht një vajzë e varfër e periferive të humbura, dhe, në këtë shtet askujt nuk ia ndjen për të varfërit e për hallin e tyre. Nëse Kryeministri ka luksin të injorojë akuzat e Blushit, ai nuk pyet as për ato të një fëmije. Sidomos, kur ky fëmijë nuk është i biri i një milioneri.
Nëse opinioni publik dhe mediat do ngriheshin për këtë kauzë, ndoshta Kryeministri do ta merrte seriozisht, Ministrja do të shqetësohej për kokën e saj, dikush do jepte llogari e sistemi mund të kishte një shkundje. Por, opinioni ka vetëm një dëshirë, të dëgjojë detajet e turpit.


Detajet e turpit

Një shkrim për të mbrojtur apo sharë Erion Veliajn, do i kishte të garantuar mijëra lexime e dhjetëra komente në faqet web. Por, sapo merret vesh që është thjesht një shkrim “ankues” për një vajzë të përdhunuar, pak kush ka interes të lexojë. Më e shumta, ndonjë shoqatë do ta marrë ta fusë në dosjet e aplikimeve për projekte. Ai fëmijë i periferisë, është i destinuar të lihet në mëshirë të fatit. S'mjafton halli, por vajza është nën presionin e mediave që duan ushqim, duan detaje. Mediat, nuk kanë në plan të ngrejnë asnjë kauzë. Ato duan vetëm të ushqejnë publikun me imtësira pikante, ku e mbylli, sa orë rrinin, ç'i tha në telefon, ç'mesazhe i shkruajti, e të tjera detaje që nuk do duhej të publikoheshin qoftë dhe për të mbrojtur viktimën. Opinioni publik i ngjan tashmë Kryeministrit, cinik, dhe i ndjeshëm vetëm ndaj gjërave që kanë të bëjnë me të pasurit. Ndaj ministrja do të vazhdojë punën sikur asgjë në Lushnjë nuk ka ndodhur. Ndaj, Kryeministri do të vazhdojë fushatën nën ëndrrën eksituese të 1 milionë shpullave. Nuk janë 1 milion. Duhet të zbresë nga numri “shpullat” që ia kanë dhënë prindërit e vajzës dhe sa e sa të tjerë që vuajnë në heshtje, pa guxuar t'i publikojnë abuzimet. Por, për të 2 shpulla më pak janë një detaj i parëndësishëm.

Wednesday, June 3, 2015

Legjendat urbane për 3+ kandidatët e Tiranës

Botuar te gazeta Dita, 3 qershor 2015



Ka shumë argumente që na i shesin për arsye se pse duhet votuar ky apo ai kandidat. Arsyet për të votuar njërin apo tjetrin mund të jenë shumë banale, dhe këtë e respektoj. Por, nuk mund të pranoj që unë dhe ju të shkojmë për të votuar me argumente të pavërteta, që gati-gati janë kthyer në legjenda urbane.

Voto Programin

Ka një sforco të madhe nga 2 kandidatët e partive të mëdha, Kosova e Veliaj për të shpalosur programe madhështore, që do të begatojnë qytetin. Pas tyre, mundohet të rendë Bojaxhiu, ndërsa nuk i shoh në radar 2 të tjerët. E vërteta është që nuk ka asnjë program. Ka vetëm ide të bukura. Se ku i kanë marrë nuk e di, e nuk ka rëndësi. Asnjë nga kandidatët nuk ka pasur kohë të bëjë program. Programi kërkon një vit kohë për t’u përgatitur me një staf tepër ekspert, sepse ndërtohet mbi buxhetin aktual të Bashkisë, dhe jo mbi fantazira fondesh që do të vijnë me shkop magjik. Nuk shoh që asnjëri nga kandidatët t’i ketë të bazuara financiarisht premtimet që bën. Rama dhe Basha u menduan deri disa javë para zgjedhjeve për emrat, duke i lënë kandidatët e tyre pa programe konkrete, të zbatueshme, të llogaritura mbi shifra konkrete. Për shembull, nëse kandidati premton fusha sportive, ku do e gjejë tokën? Ku ka më hapësirë për fusha e parqe në Tiranë? Cilën kullë do prishë për të ndërtuar fushat e basketbollit? Sa do kushtojë? (Meqë ra fjala, në këto çaste që po flasim në Laprakë po ndërtohet mbi një fushë basketbolli një kullë shumëkatëshe, pas disa tjetërsimeve e legalizimeve të pronës. Siç janë zhdukur një pas një të tëra fushat e parqet.) Nëse kandidati premton ajër 20% më të pastër, ku i bazon llogaritë? Sa makina do nxjerrë jashtë qarkullimit, sa rrugë do të mbyllë, sa nënkalime do të hapë, që ajri të pastrohet? Si do t’i bindë njerëzit të hipin në autobus e të mos përdorin makinat? Pra, programet janë veç ëndrra në diell. Jo më kot, përballemi sot me ëndrrat në diell të Lul Bashës së para 4 viteve. Nëse shkoni për të votuar, nuk votoni programin.

Partia në pushtet i jep fonde kandidatit të vet

Kjo logjikë, në të vërtetë është një dhunë politike, e cila do duhej dënuar në mos penalisht të paktën me votë. Ko delegjitimon vetë procesin e votimit, sepse i detyron njerëzit të votojnë nga halli partinë në pushtet. Gjithsesi kjo logjikë është një tjetër legjendë urbane.
E zëmë se është e vërtetë. Pra, të votojmë kandidatin e partisë në pushtet, sepse ai do marrë fonde më të mëdha nga partia. Këto fonde, detyrimisht do t’i hiqen një qyteti tjetër, sepse aq është buxheti i shkretë për pushtetin vendor, paratë nuk do bien nga qielli. Po ç’ndodh nëse të tërë qytetet votojnë kandidatin e partisë në pushtet? Ta zëmë, në rastin konkret, ç’do ndodhë nëse tërë bashkitë vishen në rozë? I bie që qeveria t’ia heqë fondet qytetit të vet X, për t’ia dhënë një qyteti tjetër të vet Y. Çka, e bën të pavërtetë maksimën në rastin e qytetit X. Nëse je qytetar i X, edhe po votove partinë në pushtet, ajo prapë t’i heq fondet e ia jep Y-së.
Në rastin e Bashkisë së Tiranës, çfarë do të ndodhë nëse pas 2 vjetësh pushteti ndërron krah? Pra, nëse në zgjedhjet e përgjithshme Tirana bëhet blu? I bie që 2 vitet e para do kemi fonde mjaftueshëm se kemi qeverinë e bashkinë në një ngjyrë, por, 2 vitet e tjera do e thajmë qytetin! E njëjta logjikë vlen edhe nëse Tirana bëhet blu tani (vuajtje në 2 vitet e para me një qeveri rozë), dhe Shqipëria bëhet blu pas 2 vitesh (bollëk i supozuar blu, me qeveri e bashki blu.)
Kjo legjendë urbane është në të vërtetë një rrugicë qorre.

Këto nuk janë zgjedhje politike

Legjenda e tretë ka të bëjë me argumentin se këto nuk janë zgjedhje politike, dhe se Tiranës i duhet një administrator i zoti. E para administratori është i lidhur me programin, dhe program nuk ka. Nga ana tjetër krejt fryma e fushatës është thellësisht politike. Që nga ndarja e tapive e deri te premtimet për ulje çmimi energjie, janë premtime politike. Këto zgjedhje janë politike, sepse askujt nuk i bëhet vonë sesi do administrohet Tirana, por, që partia e vet të marrë pushtetin e Kryeqytetit e kësisoj të krijojë bazën për përpunimin e korpusit më të madh të votuesve për zgjedhjet “e vërteta”, ato politike. Fakti që askujt nuk i bëhet vonë për administratorin duket edhe tek proceset e dyshimta të përzgjedhjes së kandidatëve në Partitë përkatëse.

Le të vjedhë, por të paktën të bëjë punë

E kemi dëgjuar shpesh këtë frazë dëshpërimi. Jemi gati të pranojmë ta qeverisë qytetin një hajdut, mjafton të bëjë ca punë. E vërteta është që hajduti, sado punë të bëjë, punët e tij do të jenë në funksion të klanit të hajdutërisë, në përputhje me interesat e kërkesat e tyre, dhe, do vijë një kohë pas ca vitesh që do ua shohim hajrin edhe atyre “punëve”. Tirana e sotme, e pajetueshme, është pasojë e kompromiseve të vjetra me “hajdutët që do bënin dhe punë”. Pyesni veten, nëse do ktheheshit pas në cilëndo zgjedhje të kaluar, duke parë qytetin si është katandisur tani, a do hidhnit të njëjtën votë?

I ndershmi / të ndershmit

Ka një propagandë për të na shtyrë të votojmë kandidatin më të ndershëm. Kjo tendencë, le të themi, është e lavdërueshme. Por, në këto vite kemi parë që kandidatët e ndershëm gradualisht të korruptoheshin. Kemi parë djem e vajza të reja që ngjanin idealistë, që u bënë milionerë brenda vitit në postet e tyre. Edhe nëse njëri kandidat është i ndershëm, ai nuk po vjen i vetëm në bashkinë e Tiranës. Ai po vjen me anëtarë këshilli bashkiak që janë tepër të dyshimtë, dhe që kanë dhënë prova që mund të bëhen dhe bashkë për të shqyer Tiranën. Kandidati i ndershëm, po vjen i mbështetur nga lobe ekonomike e biznese të ndryshme. Nuk ka asnjë të ndershëm që t’i bëjë ballë presionit të atyre që e kanë vënë në atë karrige. Qoftë dhe shefi i partisë. Ja ku i keni kandidatët. Shihni kush i mbështet. I pandershëm nuk është vetëm ai që vjedh vetë e merr përqindje ndërtimesh. I pandershëm bëhet dhe ai që toleron shqyerjen e Tiranës nga grupet e presionit, gjë që ka ndodhur në çdo rast, deri tani.

Kandidatët e pavarur

Legjenda e fundit, por nga më interesantet është që kandidatët e pavarur i ka futur dikush për t’u marrë vota partive o majtas, o djathtas, për t’i hequr vota filanit apo filanit. Bojaxhiu, thuhet është futur për t’i hequr vota Kosovës (vota, që në fakt me ndarjen e re administrative as nuk i ka). Tafaj dhe Guri thonë që janë futur për të mos e lënë Bojaxhiun të fuqizohet shumë, dhe për të ndarë më tresh votat e të pavendosurve. Kjo e fundit, nuk më duket fare legjendë urbane.

Forca e sovranit

Diku nga fundi i qershorit, sovrani do drejtohet drejt kutive të votimit. Mediat dhe lobet e ndryshme financiare po përpiqen t’ia kanalizojnë me dhunë votën, duke i ofruar si sedativ legjendat urbane mbi votën. Sovrani, si një qen i rrahur, po shkon të votojë për ata që nuk do donte të votonte, për alternativa që nuk e bindin, për programe që nuk ekzistojnë. Sovrani do votojë, duke bërë sërish një zgjedhje halli, që për nga vetë përkufizimi është zgjedhje e gabuar.
Por, dhe nëse e bën, nuk mund ta lëmë ta bëjë duke gënjyer veten e të tjerët me legjenda urbane. Qeni i rrahur, mund t’i kundërvihet dhunuesit vetëm kur të jetë tërësisht i qartë për gjendjen e vet dhe kur të kuptojë që e kanë vënë pas murit, pa asnjë rrugë shpëtimi. Pra, tregojini qenit, që është i rrahur. Është e vetmja shpresë.

Monday, May 25, 2015

Këshilltarë dhe vrasës

botuar te gazeta Dita, 25 maj 2015

Tek teneqet anash, tashmë ngrihet muri i qendrës së re Tregëtare






Duke ecur në pedonalen e vetme të Tiranës (Shkodra ka nja 3), nga të paktat qindra metra që njeriu mund të bënte i qetë e njerëzisht në këmbë në këtë qytet, në skaj të saj, përballë Akademisë së Shkencave po ngrihet një karabina xhami, hekuri e betoni. Këmbët e ndërtesës janë mu në pedonale. Domethënë, njeriu do të dalë nga ajo ndërtesë drejt e në rrugë. Nuk ka nevojë të jesh arkitekt për të kuptuar që ajo ndërtesë është një ndërtim i dhunshëm në një vend ku dikur ka pasur lulishte. E di që letrat do t’i kenë të kopsitura. Por nuk ka nevojë të jesh as urbanist për të kuptuar që kjo ndërtesë, njësoj si 40 katëshja pak më larg saj do të sjellin një masakër urbane aty, me mijëra njerëz shtesë që do të duan të parkojnë, me mijëra makina ekstra që do të qarkullojnë në atë nyje edhe tani mjaft të mbingarkuar. E di që letrat do t’i kenë të kopsitura. E di që, edhe po fitoi ekologjisti Sazan Guri – një fitore e pamundur dhe ai e di, sepse nuk është futur në garë për të fituar – ajo ndërtesë nuk do të luajë vendit. Sikurse po fitoi dhe Veliaj apo Kosova. Ka zëra që thonë se lejen e ndërtimit e ka dhënë Kryeministri i sotëm, atëherë kur ishte Kryetar Bashkie, por, mirëpranimi i heshtur nga Lul Basha është i vetëkuptueshëm. Nuk di që Kryetari aktual i Bashkisë të ketë bërë oponencë për makabritetet urbane që po ngrihen nën hundën e tij (e që ndoshta edhe ia lanë peshqesh). Ajo, nuk është as tmerri i parë e as i fundit urban që po ngrihet pikërisht tani në Tiranë. Por, ngritja e kësaj, më ka shkaktuar një tronditje shumë më të fortë se çdo tjetër. Sepse kuptova.

Qyteti që fiket

Kuptova, që Tirana nuk ka më shpëtim. Pas vitesh që e shoh qytetin të shuhet, gjithmonë duke menduar se diçka mund të bëhet akoma, tani kuptova se nuk ka më shpresë. Si ai njeriu i dashur për të cilin gënjejmë veten se do bëhet më mirë, se na kanë folur për një mjek të zotin, se ka dalë një ilaç i ri, edhe pse e shohim përditë të shkrihet para syve tanë, dhe vetëm në një çast, në një çast të vetëm perceptojmë se ai ka ikur, edhe pse merr frymë akoma, por ne e kuptojmë që mjeku i mirë, ilaçi i ri, shpresa jonë, lutjet te Zoti, asgjë nuk mund ta shpëtojë më, ashtu si këtë njeri të dashur, unë pashë qytetin ku kam lindur e ku kam shenjat e jetës sime e tuajës të fikur, pa shpresë.
Kur të vdes një njeri, është dhimbje e madhe. Po kur të vdes një qytet?
Hë o Ed? Po ti Lul? Erion, Halim? Sazaaaaaan?!
Thonë se vrasësit e bashkëpunëtorët (dhe kalimtari i rastit) kthehen në vendin e krimit.

Vrasësit

Shenjat që Tirana ka marrë fund po lexohen prej kohësh. Kushdo që ka para, jo vetëm biznesmenë, por dhe gjyqtarë gazetarë e politikanë kanë iur nga qyteti e jetojnë në rezidenca të largëta, ku ka ajër të pastër, ku kanë vënë roje te dera që mos ketë trafik, e ku nuk kanë para sysh këtë tmerr urban. Vijnë në Tiranë vetëm për të punuar. Pyesni Kryeministrin. Sepse, të parët e kuptuan që ky qytet po bëhet i pajetueshëm. Ajo që kemi bërë deri tani është të drejtojmë gishtin nga Edi Rama e më pas nga Lul Basha si shkaktarët kryesorë.
Për shembull, heqja e vijë së verdhë, është bërë në bashkëpunimin e tërë atyre që kanë drejtuar këtë vend, Kryeministra, Kryetarë Bashkie. Dikush e hoqi, dikush e shtyu, dikush rikualifikoi terrenin, dikush dha lejet e privatizimit e tjetri të ndërtimit. Berisha, Rama, Nano, Meta, Basha, këta janë vrasësit. Ata mbajnë peshën kryesore të vrasjes së Tiranës, por, ne kemi neglizhuar armikun e vërtetë të qytetit. Bashkëpunëtorët anonimë. Këshilltarët bashkiakë.

Bashkëpunëtorët në krim

Asnjë vendim nuk do të ishte marrë pa miratimin e këshillave bashkiakë. Pra, në çdo leje, në çdo dhunim të qytetit është firma e disa dhjetëra njerëzve të cilët, jo për fajin tonë na e marrin votën fshehurazi. Ju shkoni për të votuar partinë në zgjedhjet lokale, dhe aty votoni një grumbull njerëzish që ndër vite e kanë shqyer këtë vend, herë nga indiferenca, herë nga padija, herë nga partitizmi, herë ngaqë janë blerë, herë ngaqë i kanë detyruar, por në çdo rast kanë vënë firmën e tyre në shkatërrimin e qytetit. Në çdo park që nuk është më, në çdo fushë basketbolli ku tanimë ka kulla, në çdo oborr pallati ku tashmë ka një pallat tjetër akoma më të madh, në çdo cep të kthyer në parking, është dhe firma e tyre. Pa firmën e tyre asnjë kryetar nuk do bënte me qytetin atë që ka bërë. Ata janë aty për të kufizuar abuzimet me pushtetin të kryetarit, por, ata vetëm e kanë përforcuar e mbështetur atë. Disa prej këshilltarëve bashkiakë mund të kenë 10 a më shumë vjet që marrin pjesë në krim, madje me rroga, por ju nuk dini gjë. Sepse, në votime ju votoni partinë. Dhe partia, ka kohë që është kthyer në kope ujqish. Jo rrallë kopetë e të gjitha partive bëhen bashkë për ndonjë orgji të nivelit së lartë, siç ishte konçesioni i parkingjeve.
Është prag zgjedhjesh dhe tufat e reja të shkëlyesve të qytetit po presin të marrin mandatin. Pyeteni kandidatin tuaj se kë pas vetes. Pyesni me çfarë trupe do të kërkojë ta marrë e ta menaxhojë bashkinë. Kaq. Vetëm kërkojini emrat dhe në sa këshilla bashkiakë të mëparshëm kanë marrë pjesë.

Funerali im

Kam kuptuar që paska radhë për funerale këto kohë. Ka shumë ide, grupime e deri dhe institucione që është mirë t’u bëjmë një funeral. Ato zëvendësohen, dhe sa më shpejt ‘u qoftë i lehtë dheu’ aq më mirë për të gjithë. Por, funerali i një qyteti është më i rëndë. Qyteti, nuk zëvendësohet. Ne do të vazhdojmë të jetojmë brenda karkasës së tij, lokalet do bëjnë zhurmë, televizionet do na hutojnë, minifundet e të rejave do jenë kozmetika e të vdekurit, kokaina – oksigjeni te koka e të sëmurës, makinat luksoze do tentojnë të transmetojnë shëndet, por, qyteti, Tirana do jetë e vdekur. Dhe kjo, është më shumë se një gjë e trishtuar. Është një gjë e keqe.

Rikthimi, pa qytet

Çdo e keqe ka edhe një të mirë. Tani, nuk kanë asnjë peng me të cilin të na kërcënojnë. Tani jemi të lirë të luftojmë. Ose të ikim. Nuk shoh asnjë arsye pse dikush do donte të vazhdonte të jetonte në këtë qytet duke ulur kokën e duke pritur.

Wednesday, May 20, 2015

Blushi dhe Santo*

Botuar te Gazeta Dita, 20 maj 2015, me titullin "Memoria e shkurtër dhe gjeli majë plehut"


Pra, kaq ishte. U bë nja 1 javë zhurmë për “shkrimin e Blushit” dhe kaluam me lehtësinë më të madhe në xhinglën zhurmuese të rradhës. Ajo që tha Blushi e u tha për Blushin u zhduk, u harrua.
Më ndodh e njëjta gjë kur hap TV italiane, dhe shoh që debatohen e hetohen publikisht çështje mister të para 5 viteve a më shumë. Ne nuk flasim më as për Santon. Një ngjarje që duhet të vinte vazhdimisht në qendër të vëmendjes, jo vetëm për të informuar por dhe për të ushtruar presion mbi ata që hetojnë e mbi ata që e kanë vrarë. Qoftë dhe për t’iu shmangur profecisë – sarkazëm të Çajupit mbi çudinë më të madhe që tre ditë zgjat.
Thonë që kur budallait i tregojnë hënën, ai shikon gishtin.

Gishti i budallait

Gjithë debati mbi tezat e Blushit u reduktua në gjëagjëzën, “pse e bën Blushi këtë”. Dëgjova edhe tezën, që “Blushi kishte mundësi të punonte për të ndrequr gjërat, e pse nuk e bëri?”. Në një kohë, kur të tjerë që mendojnë që Rama vetë është i pafuqishëm për të ndryshuar gjërat, le më një deputet, Blushi. Por, nuk dua të bie në grackën e atyre që do donin akoma të merreshin me gishtin.
Kjo është mënyra më e mirë për të mos u marrë me problemin. Kjo është gjetja gjeniale, të merren me individin e jo me problemet që ngre. Kjo ndodhi për disa ditë pas shkrimit të Blushit. Të paaftë për të prodhuar debat real mbi problemin më të mprehtë të parademokracisë sonë, figurat e ekranit e të letrave u morën me gishtin. Ky perceptim iu përcoll me sukses dhe bazës së fanatikëve, të të painformuarve, të atyre që marrin flakë shpejt, të atyre që jetojnë jashtë e shkruajnë brenda, të atyre që do u duhej më shumë kohë për t’i bluar këto ide. Interesi i atyre që donin të thelloheshin ca më shumë u mbyt në detin e anonimëve të paguar që turbullojnë çdo hapësirë mediash sociale.
Por, zëre se tezat e Blushit nuk i hodhi Blushi. Le ta zëmë se i shkroi Artani. Atëherë le të flasim për tezat e Artanit. Tezat e Artanit, janë tezat më të rëndësishme politike deri më sot në Shqipërinë pas komuniste.

Tezat e Artanit

Konflikti kryesor social, ekonomik dhe politik në Shqipëri është paraja dhe shpërndarja e saj.
Ndaj tezat e Artanit përfshijnë pushtetin, shpërndarjen e parave dhe indirekt të çojnë të reflektosh mbi rrjepjen sistematike që i është bërë këtij vendi e këtyre njerëzve. Pra, ata që u morën me gishtin nuk paskëshin qenë dhe aq budallenj, por të djallëzuar që e shmangën debatin. Artani i drejtohej një familjeje politike, por, ato që thotë ai vlejnë për krejt klasën politike.
Politika sot është mënyra më e shpejtë për të siguruar para të shpejta e të pista, përmes shitjes së favoreve që rrjedhin prej postit. Për të të futur në listën për deputet në zgjedhjet e fundit nuk kishte rëndësi kush ishe, por sa para kishe. Të tëra paratë e investuara për fushatë po u kthehen investitorëve në forma përfitimesh të ndryshme. Njerëzit më të pasur të këtij vendi janë në Parlament, në Gjykata, në kupolat partiake, në pronësi të mediumeve dhe në Qeveri. Edhe nëse ca të pasur kanë përtuar të hyjnë në Parlament, “hallet” e tyre i zgjidhin fare mirë në darkë të tërë së bashku. Ata kanë në dorë vendimet ligjore deri dhe në zhdukje dosjesh e krimesh, vendimmarrjet e qeverisjes, caktimin e zinxhirit administrativ të vendit në të tëra nivelet, çdo lloj pasurie të këtij vendi ndërtuar e lënë nga të tjerët, praktikisht, një grusht njerëzish kanë në dorë jetët e 2 milionë e ca të tjerëve. Kur them i kanë në dorë, i kanë në dorë në kuptimin e parë të fjalës, nominalisht, pra, mund të luajnë me jetën e kujtdo që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend. I tillë ishte dhe rasti i Santos.

A gënjen Artani?

Artani, mbase dhe gënjen. Ndoshta, ekzagjeron. Por, nuk do ta marrim vesh kurrë, sepse mediat janë të blera. E vetmja mënyrë është të pyesim veten, dhe t’i besojmë perceptimit tonë. Perceptimi im është që Artani ka të drejtë.
Në çdo bisedë të përditshme, me njerëz të zakonshëm, i vetmi informacion që marr është që çdo vendim që merret në të gjitha instancat e pushtetit është në favor të një grupi njerëzish me para, në shtrembërim të së drejtës ligjore, morale e njerëzore. Kjo balancë e prishur është e keqe për të dyja palët, por, nuk besoj që lakmia do t’i lërë ujqit e parasë të reflektojnë gjatë për nevojën e një realiteti të ri social. Instinkti i ujqve është që të shqyejnë të gjitha delet, pavarësisht se nuk do t’i hanë.
Pyetja e Artanit, por edhe e imja, është: Kush do mendojë për të varfrit?
Të ndodhur në anën tjetër të humnerës, atë më të keqen, të varfëruar, të edukuar beterr, të ushqyer keq mediatikisht, të privuar nga çdo lloj të vetëndjeri pozitiv, të shtyrë të mendojnë që janë të paaftë, që jeta e tyre vlen aq sa u kanë dhënë, të nëpërkëmbur e të përbuzur, të shmangur nga çdo lloj forme vetëorganizimi politik, ata nuk kanë rrugë tjetër veç të lypin drejtësi. Drejtësi ligjore, ekonomike, politike, njerëzore dhe ekzistenciale.
Por, nga kush?
Një gjyqtar i pasur, një parlamentar milioner, një pronar mediumi që pret t’i dalë tenderi, një ministër që i duhet një shtëpi e re në një zonë luksoze, një Kryetar Bashkie që mbështetet nga ndërtues që presin fitoren për të ndarë trojet e ndërtimit apo një kryetar komune me llogari bankare në Qipro, cili prej tyre do të marrë qoftë dhe një herë një vendim në favor të të varfërve?

Pyetja

Umberto Eko, te “Numero Zero” ankohet për një popull që e ka memorien tepër të shkurtër. Si çështja e Santos dhe tezat e Blushit, që u harruan për pak ditë.
Ne kemi parë 97-n, Gërdecin, 21 janarin, shkatërrimin përfundimtar të Tiranës si qendër urbane, shkatërrimin e çdo fryme sindikaliste, shkatërrimin e arsimit e të shëndetësisë, grabitjen e pronës publike dhe tjetërsimin e asaj private, e prapë do të shkojmë në zgjedhje duke i harruar të gjitha këto. Do të gënjejmë veten me argumente se pse duhet të votojmë atë e atë më mirë se këtë e këtë, dhe do të luajmë farsën e radhës së “sovranit” që vendos të mbajë mbi kokë përsëri uzurpatorët.
Pyetjes më sipër, nuk do t’i japë askush përgjigje. Janë tepër të zënë duke bërë para e duke shtrënguar fort pushtetin, si gjel të parasë. Tërë pushteti i tyre i ngjan kapardisjes së një gjeli majë plehut. Për këtë na ftojnë përsëri të votojmë, pa denjuar të kthejnë përgjigjen e pyetjes më sipër.
Por, nuk ka paqe sociale, nuk ka shtet të së drejtës e nuk ka të ardhme pa kaluar nga kjo pyetje, herët a vonë. Ka vetëm një gjel, majë plehut.

Friday, May 15, 2015

“Kurbani 2”, nga Erdogan

botuar te Dita, 15 maj 2015


..............................

102 vjet shumëzuar me 0

Më kujtohet përshkrimi i një gazetareje kosovare i takimit të saj me Erdoganin para disa vitesh. Një takim, ku Vëllai i Madh, kishte pasur vetëm një kuriozitet ndaj vëllezërve të vegjël shqiptarë, “Si është puna e asaj xhamisë që duhej të ndërtohej…”.
Do isha kurioz të dija se çfarë flet Kryeministri ynë me Vëllain e vet të madh në takime private.
Por, dhe pa e ditur këtë, një gjë është e qartë: Thesi i parave të Erdoganit do të shkojë për të ndërtuar një xhami – një xhami të ngritur mbi shkatërrimin e një parku dhe me një projekt arkitekturor të diskutueshëm – një xhami, për llogari të një shoqate fetare. Pjesa tjetër e parave do të shkojë për të ndërtuar një Parlament të ri (a thua se kjo është emergjenca financiare e Shqipërisë), sepse Parlamenti i vjetër bezdis Xhaminë e re të madhe.
Pra, pas 102 vitesh pavarësi (nga Turqia) vjen Kryeministri turk dhe na detyron të spostojmë Kuvendin për t’i bërë vend Xhamisë së tij. Si t’u shkojnë rusët britanikëve e t’u kërkojnë të spostojnë Buckingham Palace, se duan të ndërtojnë një Katedrale Ortodokse aty ngjitur dhe pallati mbretëror u bën hije. Ama, duke u premtuar që Putini do ua ndërtojë me para ruse, më të madh se ç’e kanë.
Rama i çoi Kurbanin e vet Erdoganit, dhe në kthim ai na solli disa peshqeshe, asnjëri që na duhet vërtet.

Peshqeshet dhe Axhenda

Mesazhet e Erdoganit nëpërmjet vizitës së tij në Tiranë janë të qarta. Ai erdhi e përuroi një xhami, solli para për një xhami tjetër dhe kërkoi që të zhvendosim Parlamentin.
Pra, axhenda e Erdoganit ishte thellësisht islamike. Por, nëse Papa kur erdhi ishte gjithëpërfshirës në fjalimin dhe filozofinë e tij, Erdogani na vuri ne, Shqipërinë, në kufinjtë e parë të perandorisë së tij Islame, – neo-kalifat, e quajtën disa gazetarë – në të kundërt të asaj që bëri Skënderbeu, që e shëndërroi Shqipërinë në kufirin e parë Evropian ndaj otomanizimit.
A, po. Erdogani kërkoi që shkollat “terroriste” të një fetari tjetër, bashkëkombas i vet, të zëvendësohen me shkolla fetare të krahut politik të Erdoganit.
Që institucionet shkollore me ideologji fetare duhen rimarrë nën kontroll e mbikëqyrje nga shteti, kjo është imperative. Por jo për arsyet që i kërkoi Kryeministri turk. Ato shkolla duhen kontrolluar për cilësinë e natyrën e mësimdhënies, për dozën e indoktrinimit islam e për mënyrën sesi u mësohet dija fëmijëve e të rinjve. Shteti shqiptar ka standardet e veta të arsimit laik, dhe nuk jam shumë i bindur, bazuar edhe në përvojat personale të atyre që kanë studiuar aty, për përputhshmërinë e atyre shkollave me standartet tona laike.
Për këto peshqeshe të Erdoganit, Kurban duhet të bëhet një park dhe Parlamenti shqiptar. Ato janë, esenca e Kurbanit që duhet t’i kthejë Rama (pa hapur gojë) Vëllait të tij turk.
Ne nuk mund ta dimë se çfarë flet Rama me Erdoganin në takime private, por, nuk është vështirë të kuptojmë për çfarë NUK flitet.

Për se flasin Vëllai i Madh dhe vëllai i vogël (me të vogla)?

Të paktën, jam i sigurt për çfarë nuk flitet: Nuk flitet për burgosjen e gazetarëve në Turqi, për shtypjen e dhunshme të protestave e të çfarëdo zëri opozitar atje, për radikalizimin e shtetit turk që po kërkon dhunshëm të vendosë një vello islami mbi një shtet laik, të ndalojë deri dhe Twitterin e alkoolin, për korrupsionin familjar të familjes Erdogan, për blerjen e mediave, deri dhe vrasjen e armiqve të regjimit të Vëllait të madh të Kryeministrit tonë.
Një gjë tjetër për të cilën nuk flitet me Erdoganin është Skënderbeu, figura jonë kombëtare që turqit deshën ta na e heqin dhe nga librat e historisë, para ca vitesh. Ndoshta dhe na e kanë hequr, dhe ne nuk dimë gjë. Sepse, kryeministrat tanë na i bëjnë gjërat fakt të kryer.
Besoj nuk flitet as për Merkelin e as për Evropën, ku Erdogani është një figurë e papëlqyer. Vëllai i Madh i Kryeministrit, është një autokrat që Evropa nuk e do.
Erdogan, në vendin e vet është personi që akuzon për “puçistë” e për “horra bulevardi”, një sozi në përmasa më të mëdha i Berishës. Vëllazëria me të, kërkon një kurban. Kurbani i saj është Shqipëria laike, një park, ndërtesa e Parlamentit, dhe sidomos, morali diplomatik e politik i Kryeministrit. Më kryesorja, kurbani i Erdoganit është Shqipëria evropiane.
Tani le të na thonë sa është fatura e këtij Kurbani. Jo ajo për të ndërtuar xhamira. Por, ajo për të ndërtuar spitale. Nëse ka.

Friday, April 24, 2015

UNË shoh BIG BROTHER

Botuar te gazeta "Dita", 24 prill 2015


Njëri prej banorëve të Big Brotherit, i tha tjetrit: “Libra lexon vetëm një burgaxhi që s’ka ç’të bëjë tjetër në burg!” Kuptohet, ky gjitar nuk e di që edhe programi ku ai merr pjesë është frymëzuar nga një libër dhe krijuar nga njerëz që lexojnë shumë libra.

Që reality show-t janë skena ku injoranca shkëlqen e triumfon, kjo dihet prej kohësh. Por, me sa duket kemi arritur në pikën kur injoranca jo vetëm ka leje e liri për të marrë kohë televizive, ajo edhe na e përplas si virtyt gjendjen e vet. Edhe më herët kemi parë njerëz të palexuar të dalin në ekran, madje në pozitat e heroit. Ne kemi deputetë që janë të pashkolluar e nuk dinë të shkruajnë.

Por, nuk mbaj mend që ndonjëri prej tyre të ketë pasur kaq guxim sa ky banor, i këtij Big Brotheri, për ta konsideruar vlerë injorancën e vet. Edhe ata më të pashkollët, përpiqen ta mbulojnë këtë fakt.
Ky që po shohim është sa triumf i injorancës, aq edhe mjerim i televizionit.

Mjerimi i televizionit
Imazhi i televizionit, më shumë sesa një video intime e një gazetari, dëmtohet nga mungesa e etikës në ekranin e vet. Nevoja për të pasur audiencë është motori i çdo televizioni, por mbajtja e standardeve jo vetëm të etikës, por dhe të përmbajtjes është detyrim i tij. Televizioni duhet të jetë më lart sesa publiku që e shikon. Dhe, për ta thënë me fjalët e krijuesit të Star Trek, televizioni nuk është vetëm argëtim. Është dhe informim. Por, mbi të gjitha, është frymëzim. Kur ti sheh TV, ti pret të frymëzohesh nga ajo që sheh atje, jo të gjesh objekt për t’u tallur.
Në të gjitha televizionet shqiptare ka një prishje të frikshme të balancës mes cilësisë dhe etikës, karshi banales e llumit. Kaq e përgjithshme është kjo, saqë fraza e mësipërme, nuk është çudi të mos i ketë bërë përshtypje kujt.

Trash TV
Ndryshimi i madh mes asaj që TV është e asaj që duhet të ishte, vihet re kur të jepet mundësia të shohësh TV gjermane, britanike, ose franceze (makar dhe italiane) dhe menjëherë më pas rikthehesh te ekranet shqiptare. Diferenca, të tremb. Madje edhe programet që ne kopjojmë, janë të kopjuara shumë keq. Kjo gjë ndodh sepse televizionet shqiptare nuk operojnë më me standarde rigoroze. Ka një kufi të asaj që lejohet të dalë në ekran. Këtë gjë çdo televizion do duhej ta zgjidhte duke funksionuar me stafe profesioniste, e jo me mediokër.
Aty ku televizionet nuk vendosin vetë standardin e asaj që shfaqin, është shoqëria dhe media që ua imponon. Shoqëria jonë është tepër pasive. Ndërsa gazetat, blogjet e revistat që merren me spektaklin, mjaftohen me komentimin e fotove të FB, komente që në vetvete janë tepër banale. Gazetarët që do duhej të bënin kritikën e televizionit, ose nuk ekzistojnë ose janë po aq mediokër për vete.

Unë nuk shoh Big Brother
Të gjithë ata që njoh e nisin bisedën me fjalinë “Unë nuk e shoh BB…” Ndoshta dhe e shohin, por fakti që e mohojnë më bën të besoj se tashmë të parët e Big Brotherit konsiderohet si një “turp”. Arsyeja gjendet tek edhe fjalia e personazhit më lart. Askush nuk do të pranojë që harxhon kohë për të parë të tillë njerëz. Kjo do duhej të shërbente si kambanë alarmi jo vetëm për ata që bëjnë Big Brotherin, por dhe për të gjithë ata që punojnë në televizion. Edhe unë, do ishte shumë më e thjeshtë të mos merresha me këtë temë. E thënë ndryshe, ta injoroja si fakt. Por, injoranca nuk e kupton që po injorohet. Ndaj nuk mund ta lëmë injorancën të na sundojë. Të paktën, jo të na e përplasë syve arrogancën e vet.

Wednesday, April 22, 2015

Të paktën njoftoni babanë e vajzës

Botuar te DITA, 22 Prill 2015

Para pak javësh, në një orë fare të vonë, në Zonën e Lirë të Arian Çanit u zhvillua një nga debatet më interesante që mund të kem pasur rastin të shoh aty. Diskutohej nëse është kthyer “modelingu” në një aferë prostitucioni e klasit të lartë. Pa dhënë emra e raste, të ftuarit treguan se kishin dijeni për faktin se shumë “modele” në kompani ose spektakle të caktuara në të vërtetë përdoreshin nga organizatorët si “qerasje” për sponsorët e ndryshëm. Në atë debat dikush mbronte idenë që këto janë raste shumë të rralla, dikush që janë të rëndomta. Por si qendron e vërteta?

Vajzat

Ka më shumë vajza sot që duan të bëhen modele (dhe të famshme) sesa ka vajza që duan të bëhen mjeke, mësuese, piktore, etnografe, të marra sa bashku. Arsyet janë të shumta. Sistemi nuk promovon punën, studimin, karrierën profesionale. Sistemi na bombardon me mesazhe modelesh që janë të suksessëshme sepse “dinë të ecin” (?). Në të vërtetë, modelet kanë vetëm një vlerë, janë të bukura. Është komode pra, të bëhesh i pasur (kështu kujtojnë) dhe i famshëm (tepër relative) pa punuar, thjesht duke ecur e duke treguar këmbët e gjata. Por, sidomos Shqipëria nuk është vendi për modele.

Modelet

E pra, Shqipëria ka më shumë vende pune për mjeke sesa për modele. Për një arsye të thjeshtë, ne nuk kemi industri mode. Po të hapësh TV, reklamat kryesore janë të operatorëve telefonikë, një pjesë janë të huaja e të dubluara, të tjerat janë aq pak e aq bazike sa mund të mos quhen fare “biznes reklamash”. Ata që punojnë në fushën e marketingut e dinë sesa pak kërkesa ka, sa pak paguhesh, sa e varfër është bota e reklamave, dhe “modelet” jo rrallë përfundojnë duke shpërndarë fletushka rrugëve. Ndaj gënjeshtra për një botë aktive modelingu është e pakapërdishme. Të vetmit që e hanë janë kryesisht prindërit, por dhe vajzat e vogla e papërvojë që nuk dinë gjë nga jeta.

Babai i vajzës

“Sa shumë po lodhet ky baba për ta bërë vajzën prostitutë” është batuta e një punonjësi në një TV, teksa shihte babain që rendte lart e poshtë për ta bërë vajzën modele, kap këtë e kap atë, hyj mik këtu e hyk mik atje. Kjo batutë fsheh një realitet të ndyrë. Baballarët nuk dinë. Nuk dinë se ç’ndodh. Duan që vajza të ecë para në jetë, por në një fushë që ata nuk ia kanë haberin sesi funksionon. E pra, modelingu është prostitucion high class dhe në botë.

Fashion TV

Modeli më flagrant i prostitucionit të një niveli të lartë është Fashion TV. Yacht-et e FTV që promovohen rëndshëm e ku zhvillohen party-t e famshme e ku ka vetëm femra të bukura, nuk janë gjë tejtër vetëm një vitrinë super-luksoze, ku milionerë të privilegjuar vijnë për të zgjedhur “modelet” e ardhëshme. E vetmja mënyrë për të mbijetuar për shumicën e vajzave të modelingut botëror është të krijojnë lidhje seksi me sheikë e pasanikë me shpresën që diku mund t’u hapet një rrugë. Ato vajza presin një “projekt” si këmbim.
Jo se bota e modës nuk ka nevojë për modele të mira e të bukura. Por, rruga për atje është e shtruar me kompromise erotike. Meshkujt e femra që arrijnë të dalin në ndonjë reklamë të famshme e dinë se çfarë kanë paguar për të hyrë aty. Jo se kam gjë kundër. Ky është një biznes botëror sheikësh. Por, të paktën njoftoni të atin e vajzës.

Sunday, April 5, 2015

The Winner takes it all

botuar në revistën Grazia, Prill 2015

Kështu kënduan ABBA-t, fituesi i merr të gjitha, dhe jemi mësuar ta shohim të aplikuar në të përditshmen tonë, në politikë e në shoqëri. Kjo na ka bërë të mendojmë që fitorja zeron çdo përvojë paraardhëse, dhe ndoshta i vë dhe një kapak harrese të shkuarës. Diçka e tillë u pa edhe në festimet legjitime të pasndeshjes me Armeninë, ne fituam. Fituam, ndaj ekipit më të dobët të grupit, por festuam si të kishim mundur kampionen e Botës. Edhe pse na e skjaruan se kjo fitore na çon më pranë Europianit. Më pranë, por jo brenda. Me fjalë të tjera, the winner nuk mori gjithçka. Mori vetëm 3 pikë që mund të bëhen të pavlefshme në ecurinë e mëpasme të grupit. Por, pa i hyrë përllogaritjeve, lind pyetja, pse ishim aq të eksituar nga kjo fitore?

Fitorja
Ne kemi shpikur edhe sloganin “nga Fitorja në Fitore”, edhe pse në fund u pâ se nuk kishim fituar asgjë, madje kishim humbur. Pra, ne e kemi pak në gjak të festuarin pa ndonjë motiv të bazuar qartë. Ne kemi edhe gra me emrin Fitore, dhe, nja 2 që kam takuar dukeshin që nuk kishin fituar shumë në jetë. Ishin gra të dërrmuara nga jeta. Edhe ne jemi një komb i dërrmuar. I dërrmuar së brendshmi. I dërrmuar nga vetvetja, nga njerëzit tanë, nga manaxherët e këqinj e abuzivë. Kjo na ka bërë që të gëzohemi me pak. Aq më tepër kur gëzimit i japim edhe pak fresk nacionalist.

Nacionalizmi
Ka një fije të padukshme që ndan patriotizmin nga nacionalizmi. Siç ëshët fija që ndan të mirën me të keqen. Ne kemi pak patriotë, këtë e kemi treguar qartë në 25 vjet. Por, kemi pafundësisht nacionalistë. Patriotizmi është mënyra për të bërë diçka për këtë vend. Nacionalizmi nuk është gjë tjetër veç nevoja për t'u ndjerë mirë që jetojmë në një vend si ky. Ne nuk e bëjmë të parën. Shkëlqejmë në të dytën. Njësoj si akti idiot i djegies së flamurit serb pas ndeshjes me Armeninë. Është kaq kollaj të kopjosh nacionalizmin pervers të të tjerëve. Por, kaq e vështirë për të ndërtuar Shqipërinë.

Saturday, February 28, 2015

Thuaji drogës "Po", Koços "jo"

Botuar te Dita, 29 shkurt 2015, me titullin "Droga, gjithmonë 'po'"

Para gati 4 vitesh pata një marrëdhënie virtuale me drogën. Bëra një shkrim të titulluar “Thuaji drogës ‘Po’!”.
Nuk pata shpresuar, sikurse nuk shpresoj që një shkrim të mund të zhvendosë vullnete politike në këtë vend. E para, sepse tek ne vullneti politik i njerëzve me pushtet nuk lëvizet dot as me votë, jo më me shkrime, dhe e dyta, strategjia e deformimit informativ, pra, e përmbytjes së publikut me tema, ngjarje, çudira që “zgjasin nga tre ditë”, e ka bërë të pamundur që publiku të mund të përqendrohet e të karikohet tek një çështje. Ndaj, çështje të vogla e të mëdha, halle të thella ose kalimtare, na fshikin njësoj pa mundur të ngulen në ndërgjegjen tonë të topitur.
Ndaj, kam njëfarë habie që befas shoh një karikim të veçantë në lidhje me liberalizimin e drogës, një karikim të shumanshëm mediatik, në një kohë që sa për sy e faqe të botës, kemi fituar një betejë me krimin, kemi mundur Lazaratin.
Pse befas, liberalizimi i drogës u bë i rëndësishëm?
Por, përpara se të vij tek kjo, do doja të rivizitoja një territor të njohur.

Lufta e Humbur

Si një shtet që lufton për mbijetesë e jo për luftëra të mëdha sociale, lufta ndaj drogës nuk ka pasur ndonjëherë kuptim tek ne. Ka qenë më tepër thjesht një formalitet. Siç thuhet edhe haptazi në qarqet përreth pushtetit, të paktët që kapeshin ishin kryesisht ata që prishnin pazaret, që nuk respektonin autoritetet, që spiunoheshin nga shokët apo futeshin në kurth nga konkurrenca. Po flas për një shtrirje kohore prej 24 vjetësh.
Viktimat e vetme të “show time”-it tonë për drogën janë ose kultivues të vegjël, e deri edhe pleq në parcelat e të cilëve u patën gjendur disa rrënjë cannabis, ose adoleshentë të kapur me disa gramë në xhep.
Pra, ne nuk mund të humbim një luftë që as e kemi luftuar ndonjëherë. Dhe për atë sulm mbi Lazarat – një sulm që rezultoi fatkeqësisht pa bërë plaçkë e robër – u desh një sebep ndërkombëtar.
Por, edhe atje ku lufta ndaj drogës ka më tepër energji e kuptim sesa tek ne, ajo konsiderohet e humbur. Shifrat globale tregojnë që në 10 vitet e fundit, përdorimi botëror i cannabis-it u rrit me 8.5%, i kokainës me 27%, dhe opiumit me 34.5%.
Në fakt, lufta Kundër Drogës, konsumon fonde të mëdha (vetëm në SHBA ha 150 miliardë dollarë në vit), mban të angazhuar shumë njerëz, policë e zyrtarë, që mund të përdoreshin me efikasitet diku tjetër, dhe mbi të gjitha, rrit koston e përdoruesve.
Pra, heqja dorë nga kjo luftë ka kuptim. Qoftë edhe për ne që s’para kemi “shkrepur pushkë” në këtë luftë.
Droga, duhet liberalizuar për 2 arsye madhore.


Droga, gjithmonë “po”

Situata vazhdon të jetë e njëjta: Ai që do të përdorë drogë, do ta gjejë se s’bën, qoftë dhe duke vjedhur paratë e familjes ose të të tjerëve, qoftë duke shitur objektet shtëpiake e deri dhe trupin. Në club-et e Tiranës vazhdon të gjesh femra që janë gati të të ofrojnë shërbime seksuale për t’u qerasur me një dozë kokainë. Në celularët e akoma më shumë njerëzve sesa para 4 vitesh, krahas numrit të picerisë e të kinemasë, është dhe numri i shpërndarësit të drogës.
Prandaj, duke e ndaluar tregtimin e saj, nuk e ke penguar njeriun që do ta përdorë. Aq sa mund të ruhet nderi i grave duke i mbajtur mbyllur, aq mund të pengohet ai që ka vendosur ta përdorë drogën.

Marijuana ilegal!

Në koncertet e Manu Chao-s, vargu që kumbon më fort, i shoqëruar nga e gjithë turma e pranishme në koncert është “Marijuana ilegal”. Nuk ka nevojë të dish spanjisht për ta kënduar këtë varg në koncertet e Manu Chao-s. Është gjuhë ndërkombëtare.
E drejta për të përdorur drogë është një e drejtë e patjetërsueshme njerëzore, njësoj si e drejta për të përdorur valium, vaj soje apo kamomil.
E drejta për të përdorur Internetin tashmë konsiderohet si një nga të drejtat e njeriut. Interneti, është një lloj droge. Televizioni është një lloj tjetër droge. Seksi, po ashtu. Ka një listë të gjatë gjërash ndaj të cilave jemi të varur në jetë. Kafeja, është tek lista e drogave të mirëfillta. Me 100 kafe kalon në overdozë!
Atëherë përse shteti lejon Internetin, TV, seksin e kafet, dhe ndalin hashashin e kokainën?
E drejta bazë njerëzore është që secili të bëjë çfarë të dojë me trupin e vet.
Njeriu ka të drejtë të pijë bar miu, të hajë sanduiçe që të shëndoshin, të thithë dhe pluhur suvaje po të dojë. Njeriu ka të drejtë të gëlltisë të tëra drogat që ekzistojnë, ato që janë shpikur e ato që nuk janë shpikur akoma. Njeriu supozohet se është qenie e lirë!
“Bari është përbashkuesi i njerëzimit” këndonte Bob Marley.

Shqipëria mes të parëve

Liberalizimi i drogave është një proces që po ndodh. Uashingtoni, para ca ditësh, Kolorado pak më parë. Javë pas jave, muaj pas muaji dëgjojmë për shtete që liberalizojnë marihuanën.
Sipas të gjitha gjasave, rivlerësimi i luftë ndaj drogës, dekriminalizimi dhe liberalizimi i saj në Perëndim janë procese të pakthyeshme. Edhe Shqipëria nuk ka pse bën përjashtim.
Arsyet janë aty që prej 25 vitesh, por askush nuk ka denjuar të merret me to. “Pse”-ja e vërtetë rri e varur në ajër, dhe me sa duket askush nuk do t’i japë përgjigje.

‘Pse’-ja e varur

Arsyeja që unë shoh në këtë rimarrje të çështjes, është e thjeshtë: biznes. Një biznes shumë miliardësh, që tejkalonte edhe buxhetin e shtetit shqiptar në vit, mund të kthehet në biznes legal shumë fitimprurës. Pra, nuk ka të bëjë me lirinë e individit, me Bob Marlin, Marijuana ilegal, me ata fakirë që vuajnë në burg për 2 gramë më shumë se e lejuara. Është thjesht një perspektivë e re biznesi. Të ishte për lirinë e individit, askush nuk ka për ta hapur në Shqipëri kurrfarë teme. Por, a është e drejtë kjo?

Thuaji neo-narkotrafikut ‘Jo’

Luftërat, bëhen për shkak të biznesit. Njerëzit dënden me ilaçe që nuk u duhen e të dëmshme, për shkak të mega-korporatave. Elefantët e balenat po zhduken, për shkak të biznesit. Sëmundjet injektohen në popullsi për arsye biznesi. Motivimi i biznesit ka qëllim fitimin, jo njeriun. Ndaj nuk i besoj asnjë inisiative sociale që nis nga biznesi, e jo nga të drejtat e njeriut.
Sa e përgatitur është Shqipëria për të kontrolluar monopolet, këtë e dimë të gjithë. Sa infrastrukturë kemi ne për të kontrolluar ushqimet, edhe këtë po e provojmë në kurriz. Sa jemi në gjendje të kontrollojmë informalitetin, këtu ka vend për një buzëqeshje cinike. Sa do mund ta kontrollojë e të përfitojë shteti shqiptar nga një biznes i ri e i komplikuar, që përfshin edhe tregjet e huaja, kjo është një pyetje përgjigja e së cilës sapo ju erdhi në majë të gjuhës.

Lufta e njeriut

Lufta për liberalizimin e drogës është një luftë parimore dhe ka në qendër njeriun. Në qoftë se fitohet me metoda që s’kanë lidhje me principet, njeriu, domethënë unë dhe ju nuk kemi fituar asgjë. As edhe kënaqësinë e një cigareje bar, fshehur pas një cepi pallati, qoftë dhe thjesht sa për të bërë një akt kundër sistemit.

Tuesday, February 24, 2015

Fatos Kongoli na fton mbi humnerë

botuar te DITA, 24 Shkurt 2015


Nëse unë lavdëroj një apo nëse unë e shaj atë, kjo nuk ngre kandar në numrin e atyre që do ta lexojnë. Thjesht, ushqen me kuriozitet një numër njerëzish që duan të dinë, pse ky po “i bie” kësaj apo këtij. Ju e dini edhe pse ndodh kjo: lavdethurrësit kryesisht i bëjnë një qokë dikujt, kritikuesit, kanë një inat që duan të nxjerrin.
Në këto kushte, është bërë jo vetëm e pamundur, por dhe e panevojshme të marrësh përsipër kritikën për një vepër letrare, filmike apo dhe një produkt televiziv. Prandaj kam vendosur të shkruaj vetëm për gjërat që më pëlqejnë, dhe ta shmang kritikën për gjërat që në shijen time janë thjesht mediokre.
Sapo kam mbyllur së lexuari një libër të mirë.

Gjemia e Mbytur


“Gjemia e Mbytur”, është libri më i mirë që Fatos Kongoli ka shkruar në këto vitet e fundit. Ndoshta, gjëja më pak tërheqëse në libër është titulli, i cili, siç u fol në konferencën për shtyp është rastësor. Ajo çfarë e bën këtë një libër shumë të mirë nuk është vetëm stili të cilin Fatosi e ka unik dhe as struktura e rrëfimit që ai e manipulon mjaft mirë. Nëse do më duhej ta krahasoja strukturën e këtij libri të Kongolit me një pikturë, ndoshta do të ishte “Melankolia dhe Misteri i një Rruge” i De Chirico-s. (http://www.wikiart.org/en/giorgio-de-chirco/mystery-and-melancholy-of-a-street-1914).
Ajo çfarë në të vërtetë e bën këtë një libër që unë e dua, është ajo e pjesë e humnerës mbi të cilën më fton të vështroj. Në të shkuarën e të tashmen tonë si komb, ne kemi shumë humnera, të cilat i shmangim me harresë. Kjo që ky libër na fton ta rivizitojmë është më e thella, ndoshta dhe më e errëta.
Nuk mund të rri pa rrëfyer, se ka pasur momente që ky libër më ka rrënqethur, gjë që nuk më ndodhte prej kohësh duke lexuar romane.

Jetët e Vjedhura


Libri nis me një personazh që gjen një pasaportë shqiptare në xhep, dhe kryen një fluturim drejt Shqipërisë. Një njeri pa kujtesë, i cili nuk mban mend asgjë përveç aromës së një femre, shijes së një konjaku dhe melodisë së një bluzi.
Lloj-lloj karakteresh dhe galerish jetësore hapen para nesh, shumica e të cilave, siç i quan dhe vetë autori janë “jetë të vjedhura”. Jeta e një sportisti e dërrmuar dhe shkatërruar vetëm sepse dashuronte vajzën e “të madhit”, Hadit, e quan me elegancë autori, është vetëm njëra prej tyre. Rrëfim pas rrëfimi, çdo personazh i ri hedh dritë më shumë në enigmën e dashurive të ndërprera në mes, prej njerëzve që përbënin zinxhirin njerëzor shtypës të diktaturës.
Kjo është drama më e madhe e jona si komb. Ne, kemi shkatërruar jetët e njëri-tjetrit, dhe prej çerek shekulli duam ta harrojmë, kush bëri, çfarë bëri e kujt ia bëri.
Ne nuk duam të hapim dosjet, sepse nuk duam ta shohim humnerën e shpirtit tonë.

Dhoma 31

Kjo është drama më e madhe që kemi si komb, edhe pse e injorojmë. Kemi shkatërruar jetët e mijëra njerëzve. Këtë e kanë bërë ca shqiptarë të tjerë, të veshur me pushtet. Këto dy botë, jetojnë sot pranë e pranë, por mes tyre ka një humnerë – drejtësia për atë që ka ndodhur nuk ka për t’u vënë kurrë. Viktimat ecin në rrugët e këtij vendi, të plakur e të lënë jashtë sistemit, duke u parë në sy me xhelatët, të cilët arritën të konvertohen në sistemin e ri, të ruajnë pushtetet e privilegjet, t’u krijojnë fëmijëve një jetë të rehatshme në majë të piramidës, pa brerje ndërgjegjeje për krimet e etërve.
Ka një arsye të fortë pse nuk hapen dosjet në Shqipëri. Ata që e ndërtuan tullë pas tulle diktaturën e Enverit, ata që volën përfitimet më të mira prej saj, jetën e rehatshme, punët e zgjedhura, pushtetin, shkollimin e privilegjuar, gratë e të dhunuarve, e mbajtën pushtetin. Në ndihmë të tyre erdhën edhe besëprerë që kapërcyen ylberin dhe u bënë shokë me xhelatët.
“Jetët e vjedhura nuk mund të rikthehen, nuk mund të konvertohen”. Por, të paktën të mund të respektoheshin. Burri i vetë-djegur me benzinë para nja 3 vitesh, do duhej të na kishte përcjellë këtë mesazh. Por, ne jemi shndërruar në qenie të vrazhda, pa memorie e pa ndjeshmëri.
Kjo humnerë, është aty. Është turpi ynë si komb.

Poezia e librit

Pavarësisht mërisë sime personale (dhe çuditërisht nuk jam familje viktimash) libri në vetvete mbart poezi dhe dhimbje, por jo urrejtje. Meritë e një shkrimtari, që akoma, arrin të më prekë.

Thursday, January 29, 2015

Baladë për baladistin e Jakup Ferrit



Izolimi vdes

Ka ikur dhe njëri nga Djemtë e Detit, Gent Demaliaj. Nuk është thjesht ikja e një njeriu që më pikëllon. Është ikja thuajse në heshtje e çdo gjëje që ka qenë e shtrenjtë për ne dikur, në një shoqëri të sëmurë e në një komb të tallavaizuar. Bashkë me Demaliajn ikën një pjesë e viteve ’90, vite kur ne mund të ishim ngjitur pak më lart si komb, por nuk mundëm.
Më kujtohet energjia pozitive e atyre viteve, artistë që luftonin për të qenë artistë derisa vizioni tribal i shtetit i detyroi të zgjidhnin ikjen. Ata që mbetën, mbetën ishuj të izoluar edhe pse djemtë e Detit krijuan një album të tërë me titull “Izolimi Vdes”. E kam akoma në shtëpi CD-në, një përpjekje për të bërë art aty ku të tërë duan të bëjnë para e të zënë dashnore.
E kam dëgjuar shpesh atë album. Sot, kur Demaliaj nuk jeton më, jam i qartë që izolimi nuk vdes. Izolimi na ka zënë për fyti të tërëve nën fytyrën e atyre njerëzve që patën në dorë të ndryshojnë këtë vend për mirë dhe nuk e bënë, sepse u ra më për kollaj ta zhysnin në pleh e të mbretëronin majë plehut.

Ngrysu, ngrysu prej dëshpërimit

Shoh tani në retrospektivë përpjekjet e Djemve të Detit si dhe grupeve të tjera të rrokut për të qëndruar në skenë, të spostuar nga shija e keqe e atyre që kanë uzurpuar skenën muzikore dhe nga politika e marketingut të shalëve e prostitutave me “projekt të ri muzikor veror”.
Një roker i vjetër që sot merret me menaxhim lokalesh në vend që të shkruajë muzikë, më pati thënë që rroku ka vdekur. Në fakt, nuk është rroku, është populli i rrokut që ka vdekur. Dallimi ndërmjet rrokut e tallavasë është i thjeshtë: I pari prodhon rebelë, e dyta prodhon belly dancer. Ne jemi këtu ku jemi, sepse na kanë shndërruar në ahengxhinj e qejflinj bel-dredhjeje, pa asnjë gjen rebelizmi brenda.
Me një ngulmim mediokër, privatët por dhe shteti, institucionet e të cilit kanë për detyrë të ndihmojnë kategoritë e rrezikuara kulturore dhe minorancat, kanë injoruar çdo përpjekje kulturore jashtë konjukturave, klientelave, miqve e dashnoreve. Mediokriteti i promovuar ndër vite në çdo instancë vendimmarrëse (agro)kulturore na ka çuar këtu: kur askush nuk ka më shpresë që të jetojë me art.

Lamtumirë

Megjithatë, edhe pas heshtjes së Djemve të Detit e të shumë muzikantëve të tjerë që nuk kanë shalë për të treguar nëpër klipe, dhe nuk vjedhin sampla muzikore për të prodhuar nga 3 këngë në javë, diçka mbetet. Ka akoma që nuk dorëzohen. Nëpër skutat e Tiranës ka akoma djem të trotuareve që sfidojnë shtetin dhe shalo-festivalet, që këndojnë nëpër lokale të vogla underground. Ndoshta, e vetmja që merr kuptim është lirika eseniniane, preveriane, e këngës “Lamtumirë”, nga Izolimi Vdes: “Ti jo, mos u ngrys prej dëshpërimit, dhe nëse çasti ty të gënjen. Pra hesht ti nën dritën e këtij mundimi, se nesër patjetër ty gazi të vjen…”. Sado e kotë të duket, i vetmi respekt që mund t’i bëhet artit të Gent Demaliajt është ta mbajmë gjallë, qoftë dhe nëpër skuta përkundrejt mos-dashamirësisë së shtetit, pa u dorëzuar. Pa u ngrysur para dëshpërimit.

Friday, January 16, 2015

Cilin Ramë po sulmojnë?

botuar te gazeta Dita, dt 16 janar 2015

.......................


Parada e Kryeministrit me 4 kryetarë OJF-sh (sepse në të vërtetë, komunitetet fetare njihen si OJF nga shteti e funksionojnë si të tilla) ditët e fundit ka marrë një ngjyrim të fortë mavi: A ishte hipokrizi parada kur “Ky Kryeministër” është armik i shtypit të lirë? Pyetja është e drejtë, por është e padrejtë.
Është e drejtë sepse posti i Kryeministrit është burimi i pushtetit më eklipsues në vendin tonë, sepse luan shumë fije të tjera pushtetesh që në një vend normal nuk do të kishte të drejtë t’i luante, por është dhe e padrejtë, sepse e redukton debatin mbi terrorizmin, lirinë e shtypit e të shprehjes, islamin politik dhe përgjithësisht futjen e fesë në politikë.

Çështje Rame

Debati i vërtetë, është vetëm një: Pse në Shqipëri nuk ka debat për marrëdhëniet e fesë me politikën dhe terrorizmin? Duke e kondensuar debatin te Rama, bëhet çështje “Rame” dhe debati i vërtetë nuk ndodh. Ndodh vetëm sulmi ndaj Kryeministrit aktual, kur për shtypjen, blerjen, heshtjen dhe masakrimin e lirisë së shtypit ka pasur një garë sui generis mes të gjithë Kryeministrave që kanë mbretëruar në këtë vend.
Është e trishtueshme të lexosh eksponentë të PD-së që i vërsulen Ramës, kur lulëzimi i radikalizmit mysliman ka marrë formë nën pushtetin e tyre, ose të merresh me Ramën kur ish-Kryeministri ka dhënë “bakshish” një nga lulishtet më të bukura e më qëndrore të Tiranës që ortodoksët të ngrinin një goxillë betoni që e quajnë katedrale.
Pikërisht, e keqja jonë, halli jonë i madh, lulëzimi i radikalizmit fetar ka ardhur si pasojë e flirtimit të pacipë të çdo pushteti, jo me fenë, por me përfaqësues fetarë.
Ky është debati sot. Nëse merremi thjesht me Ramën dhe mënyrën sesi ky individ përdor pushtetin, i kemi bërë një shërbim ekstra terrorizmit: Ne, të vetmin rast për të hapur një debat të gjerë për të, po e kthejmë në sulm politik. Po i biem Ramës. Hajt të gjejmë pra, mënyrën për t’i rënë Ramës.

Çështje T’Rame

Rama ka hisen e vet të mëkatit. Janë të njohura në botën mediatike e mes gazetarësh ndërhyrjet e tij, por, ai po bën të njëjtën gjë që bënte Berisha para tij, Nano para Berishës, Meta para Nanos, Rama para Metës, dhe Berisha para të gjithë këtyre. Të gjithë këta po flirtojnë me komunitetet fetare. Arsyet? Ka një mori arsyesh, që nga trafiku i influencës, tek allishverishet e pastra me pronat, tek mitmarrjet për të mbyllur një sy, tek presioni i fqinjëve (sidomos serbët e turqit), shkelja e kushtetutës për të lejuar parti me ideologji fetare e deri tek aktet e pastra të tradhëtisë ndaj kombit, dmth, shitja e kombit tek interesat fetare radikale.
Ky krim ndaj laicitetit dhe sekularizmit të sanksionuar me Kushtetutë ndodh prej 24 vitesh. Nuk është çështje (vetëm) e Ramës. Por, Rama ka hisen e vet të mëkatit.

Hisja e Ramës

Mëkati i Ramës nuk është kryer ende, të paktën në lidhje me radikalizmin fetar. Deri tani kemi parë dëshirën e tij për të shitur imazhin që nuk ekziston, të një harmonie fetare që janë thjesht rrobat e reja të mbretit. Por mbretin, e kemi lakuriq. Nëndhe’ vlon radikalizmi dhe për këtë fuqi të huaja investojnë qindra miliona. Aty ku shteti ka lënë vende bosh në ekonomi dhe arsim, vendin e kanë zënë “investimet” e errëta e atyre që duan të marrin pushtet përmes ideologjisë fetare.
Ajo çfarë nga ky Kryeministër dhe maxhoranca e tij pritet, është të hapë në Parlament debatin mbi sekularizmin e përdhunuar të këtij vendi. Të hapë një debat ligjor, ekzekutiv, parimor e ideor mbi përdhunimin e të përbashkëtës nga individë me ambicie pushteti e me ideologji të errëta. Të dimë, kush janë, sa janë, pse nuk ndjehen më shqiptarë por thjesht besimtarë, kush na i edukon fëmijët, si janë ndërtuar komunitetet ekonomike të besimtarëve që shkëmbejnë mallra e shërbime veç mes vetes, sepse ne të tjerët jemi të pafetë, pse qytetarët e tij ikin në Siri dhe pse Shqipëria tek këta pushon së ekzistuari si Atdhe.
Nëse ky Kryeministër nuk ka kohë, guxim apo interes të flasë për këto, ai nuk është më Kryeministër i Republikës, sepse kjo Republikë do pushojë së qeni e tillë nëse vazhdon ekspansioni fetar në politikë, ekonomi dhe edukim. Jemi shtet sekular, por vetëm në letra. Sjelljet e shtetarëve e konfirmojnë këtë.

Vezët e Pashkës

Një President e Kryeministër shqiptar nuk linte pa përmendur në çdo fjalim si përshëndetje fjalën “Zoti ju bekoftë”. Kjo është anti kushtetuese. Ai ishte Presidenti e Kryeministri i një Republike sekulare, jo fetare. Një tjetër President shtron dhe iftar, mirë që nuk ndan dhe vezë Pashke. Jo se s’do, po se s’i ka vajtur mendja. Ai, është President edhe i ateistëve, agnostëve, edhe i atyre që nuk besojnë në asnjërën nga fetë e njohura zyrtarisht, por, nuk sillet is i tillë.
Krerët më të lartë të shtetit nuk lenë qokë pa bërë për çdo festë fetare duke vjedhur kohë televizive. Ata nuk kanë punë aty. Puna e tyre nuk janë qokat, por, mbrojtja e vendit nga lakmia e pangopur e pushteteve okulte, në veçanti e atyre që kanë ideologji fetare.
Gjëja që anashkalojnë është që bashkëjetesa fetare ka mbijetuar vetëm falë një fakti të vetëm: sekularizmi.
Etërit e kombit u treguan shumë të zgjuar që ta mbanin fenë jashtë Republikës. Për gati 100 vjet, ky vend nuk shpërtheu për një arsye të vetme, se është një shtet sekular e laik. Ditën kur ata që marrin pushtet përmes ideologjisë fetare do arrijnë t’i imponojnë rregullat e tyre Republikës, do jetë dita e fundit e këtij kombi për të cilin dhanë shpirtin rilindasit, sot të shpallur terroristë nga radikalët e të tërë palëve, sepse donin kishën autoqefale, sepse ishin kundër Sulltanit, sepse donin një Shqipëri laike.

Fundi i Republikës dhe fundi i harmonisë

Flirtimi i pacipë i politikës me Fenë, por dhe heshtja e turpshme e derisotshme e medias për të hapur debatin e raportit të fesë me sekullarizmin, është arsyeja pse sot gjendemi me disa vezë Pashke në dorë. U kemi vënë dhe emra: Toleranca Fetare, Bashkëjetesa Fetare, Harmonia Fetare. Ngjajnë të bukura, si lapsat në xhaketën e Kryeministrit. Por, realiteti i sotëm na tregon që vezët e Pashkës një ditë do thyhen. Atëherë do të na qelbin me erë. Nuk mund të gënjejmë veten për shumë gjatë. T’i thyejmë tani! Dhe mes qelbësirllëkut, të ringremë të vetmin garant të tolerancës, bashkëjetesës e harmonisë: sekularizmin.

Monday, January 12, 2015

Ata që gëzuan për masakrën e Parisit..

Botuar te Dita, dt 12 janar 2014


Kameramani i një TV shumë të njohur fliste me superlativa për vrasësit e “Charlie Hebdo”-së. Për të, “shumë mirë ua kanë bërë. Vetë u kruajtën”. Ky, ka mbi 10 vite që punon në TV. Të njëjtën frymë kishte edhe një montazhier, i njohuri im në një TV tjetër. Një mike që punon në Kosovë po më fliste për sentimentin e lartë pro-vrasjeve në shtetin e çliruar nga “kaurrët”. Nuk dua të rreshtoj më gjatë me raste të jetuara apo të treguara të mbështetjes së hapur apo të kamufluar ndaj vrasjeve të karikaturistëve. Deklaratën e njëfarë Forumi Rinor Mysliman që përgëzonte vrasjet e lexuam të gjithë.
Ky është një realitet që kushdo mund ta prekë përmes rrjeteve sociale. Madje, ju ftoj të qëmtoni poshtë këtij shkrimi e të numëroni sa komente urrejtjeje e shprehjeje të hapur të radikalizmit do të gjeni. Ka një përpjekje për të dekonstruktuar ngjarjen dhe ata që u ngritën kundër radikalizmit, makabritetit, vrasjeve dhe injorancës.

Justifikimi i vrasjes

Njerëz të organizuar në rrjetet sociale po ngrenë disa teza për të dekonstruktuar krimin. E para, shpikën një “komplot të atyre që kanë interes që të dëmtohen myslimanët”. Pra, vrasjen e paskan bërë “kaurrët” vetë. Pastaj, përmendin rastin e një “kaurri” në Norvegji që bëri një masakër para ca vitesh. Duan të paralelizojnë rastin e të sëmuri mendor me një lëvizje të organizuar, të mirë-financuar, që ka bërë me dhjetëra atentate, që po ndërton një shtet të errësirës në mes të Irakut, që sapo u mori jetën dhe mijëra viktimave në Nigeri. Ndërkohë në rrjete sociale, ata që ngrenë problemin e radikalizmit përpiqen t’i njollosin se gjasme punokan “kundër shqiptarisë”. Argumenti tjetër, që më saktë është kërcënim, është që të justifikohet vrasja me “teprimin me lirinë e të folurit”. Deri edhe në TV depërtuan tezat: “Bëni kujdes me lirinë e shprehjes”. Hera e fundit që e kam dëgjuar këtë frazë ka qenë në kohë të diktaturës. Diktatura e Enverit funksiononte me këtë mentalitet: “Kujdes çfarë flet”. Dhe ti nuk e dije kurrë se nga të vinte e keqja. Nuk ka frazë që ta justifikojë më shumë terrorizmin sesa fraza “vrasjet janë gjithmonë të dënueshme, por…”. Dhe ajo “por” e ngelur në ajër vazhdon me kërcënimin terrorist: “Bëni kujdes me lirinë e fjalës”. Dëgjova dhe absurditete të tipit që liria e fjalës na qenka “relative”. Po, është relative në shtetin e ISIS-it.
Por, ne jemi këtu për të ndërtuar një shtet, dhe do të flasim të vërtetën deri në fund.
Deri ku ka depërtuar radikalizmi?

Feja mbi shtetin

Radikalizmi nuk është vetëm mysliman, edhe pse terroristët duan ta paraqesin si luftë të “kaurrëve” kundër Islamit. Jo! Është luftë për t’i hequr fesë çdo iluzion se mund të hyjë në politikë. Gjë që në të vërtetë ka ndodhur, në këto 24 vjet.
Ca nga padija, ca nga indiferenca, ca nga korrupsioni, ca nga ligësia, shtetarët shqiptarë kanë krijuar hapësira për radikalizmin fetar, qoftë mysliman e qoftë i krishterë. Radikalizmi mysliman është më i dukshëm, por, ai i krishterë është pas pragut.
Një shtet i lodhur ekonomikisht, ku edukimi e arsimi janë rrënuar, sidomos në periferi, ka krijuar kushtet që vendin bosh të shtetit ta zënë institucionet fetare. Por, problemi është që institucionet fetare nuk kanë kapacitetet e as dijen e nevojshme për të zëvendësuar arsimin. Edhe pse në fakt, ata këtë po bëjnë. Po zëvendësojnë arsimin.

Arsimi

Ajo që përjetojmë sot, fakti që ka aq shumë njerëz që gëzohen e eksitohen nga vrasjet, që marrin familjet e nisen për xhihad në Siri, është pikërisht degradimi i arsimit.
Është dhe pasoja e investimeve të vjetra që morën fëmijë e i çuan të shkollohen ‘arabi-rave’, ku nuk mësuan zanate por propagandën dhe dogmën.
Unë nuk e di se çfarë u mësohet fëmijëve shqiptarë në shkollat fetare, e që s’janë pak. As shteti nuk besoj se e di. Por, jam i sigurt që në një shkollë ortodokse një fëmijë nuk do mësojë për Nolin; në medrese nuk do të mësojë për Luigj Gurakuqin e Skënderbeun; në një shkollë katolike nuk do mësojë për Migjenin. Se çfarë mësojnë, nuk e di. Por, di që nuk mësojnë atë që shteti ka për detyrë t’u mësojë fëmijëve.
Në fshatrat e varfra ku nuk ka asgjë përpos një kishe a një xhamie, i gjithë instruktimi i fëmijëve vjen përmes hoxhës e priftit. Nuk e di nëse ju do ia linit një hoxhe a një prifti, sado njerëz të mirë të jenë, edukimin e një fëmije. Unë jo.
Edukimi është pika ku terrorizmi e radikalizmi mbjellin farat e para. Sot, po korrim papërgjegjshmërinë e shtetit të 24 viteve. Një shtet që injoron faktin që ne kemi qindra xhihadistë që luftojnë në Siri. Ata janë produkt i këtij sistemi arsimor dhe ekonomik. Ka një nevojë urgjente që shteti të rimarrë kontrollin mbi territorin arsimor. Kontrollin mbi mendjet e njoma, që si në rastin e Nigerisë mund të përdoren për të realizuar tmerre.
Shkolla, duhet të jetë vetëm laike. Asnjë fëmijë nuk duhet të shkollohet me kryq para syve, e as me simbole e aq më keqinformacione të tjera fetare. Fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë historinë e Shqipërisë sipas standardit të Republikës laike të Shqipërisë e jo sipas standartit turk, grek, sllav a italian. Ata duhet të mësojnë Skënderbeun, Nolin, Gurakuqin, Naimin e Ndre Mjedën. Sepse, feja e shqiptarit nuk është xhihadi, është Shqiptaria.

Feja e shqiptarit

Para pak kohësh në një TV kombëtar, një klerik katolik shprehej se Vaso Pasha ia ka futur kot me frazën “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Akoma ka në internet shfryrje hoxhallarësh kundër Nënë Terezës, madje edhe kundër Skënderbeut, meqë ky është “tradhtar” sipas standardeve të historisë turke.

Dje, mirë bënë që ishin në Paris përfaqësuesit e feve. Do doja të përgëzoja nga zemra ata klerikë myslimanë që pa hezitim u shprehën kundër vrasjeve në Paris, edhe pse jam i bindur që nuk është e lehtë me klimën radikale që i rrethon. Ata duhet t’i mbështesim të gjithë, sepse ky vend nuk mund të bëhet me radikalë, por vetëm me besimtarë liberalë e tolerantë. Sepse, nëse shkojmë me mendjen e atij klerikut katolik dhe atyre të tjerëve që përdhosin Skënderbeun, ne, edhe pas 102 vjetësh nuk kemi më shtet. Sepse radikalizmi nuk prodhon qytetarë. Radikalizmi prodhon monstra që mendojnë se janë xhihadistë, më pas kismet, ndoshta edhe shqiptarë. Prodhon qenie të deformuara që mendojnë se më parë i përkasin islamit apo krishtërimit, para se t’i përkasin Shqipërisë. Rreziku që ky shtet akoma i pabërë të zhbëhet përfundimisht vjen pikërisht nga mendje të tilla që tashmë janë të mirëorganizuar, të mirë-financuar dhe po e zgjerojnë sistemin e trushpëlarjes deri në kufij trembës.
Aty ku feja synon politikën, ka vetëm një pasojë. Nuk ka nevojë t’ju jap shembuj nga bota. Hapni lajmet. Ose, hapni blogjet shqiptare. Dhe tmerrohuni.

Friday, January 9, 2015

A mund të ndodhë në Tiranë ajo që ndodhi në mes të Parisit?

botuar te Dita, 9 janar 2015



foto e një faqe shqipe në FCB ku lavdërohet akti terrorist

Atentati që ndodhi në mes të Parisit i ka të gjitha gjasat që të ndodhë dhe në Tiranë. Madje, dhe shumë më i rëndë. Arsyeja e vetme pse nuk ndodh është që tek ne ka një hipokrizi shtetërore e mediatike ku askush nuk ka në plan të diskutojë problemet e islamit radikal, e aq më keq, të islamit politik.

Një zonjë doli në Kosovë kundër shamive dhe e linçuan në rrjetet sociale ata struktura e mendimit të të cilëve nuk ndryshon shumë nga ajo e atyre burrave me maska që ekzekutuan një njeri të plagosur në tokë, me të cilin nuk kishin asnjë lidhje hakmarrjeje. Një artist shprehu një opinion të vetin për muslimanët para ca kohësh në Tiranë, dhe e sulmuan të gjithë, dhe jo vetëm në rrjete sociale, por dhe njerëz me akses në media.

Hipokrizia e mediave dhe e politikës

Tek ne mund të ndodhë fare mirë ajo që ndodh në Francë, vetëm se te ne nuk ka liri e as hapësira mediatike për debat. Të tërë, media e qeveri, opozitë e artistë luajnë hipokrizinë e tolerancës fetare. Fotoja më sipër është një nga faqet e shumta të internetit ku mblidhen radiklatë islamistë shqiptarë dhe duartrokasin makabritetet.

Ndërsa media raporton të plota, duke i lexuar rresht për rresht telegramet pa vlerë të Kryeministrit e Presidentit (qëkur telegramet e “qokës” janë bërë lajme?), askush nuk ngre një pyetje serioze: sa thellë ka depërtuar islami radikal në Shqipëri? Në sa shkolla private përçohet kjo ideologji? Në sa shkolla shtetërore bëhet kjo propagandë? Kush rekruton njerëz për në luftë? Nga vinë fondet? Kush mban me para aradhën e blogaxhinjve që ndërsa ne të tjerëve na bie bretku në punë për të fituar jetesën, kanë kohë të mjaftueshme për të ndenjur online e për të bërë luftën e tyre fetare në blogje, forume e faqe gazetash?

Radikalët dhe të tjerët

Krimet në emër të Zotit i turpërojnë myslimanët që preferoj t’i konsideroj si myslimanët e vërtetë (edhe pse radikalët kanë të njëjtin mendim për veten, se janë ata “myslimanët e vërtetë”), por një fakt mbetet, ato bëhen në emër të Allahut.

Problemi nuk është më se disa njerëz janë budallenj, ose të ligj, ose të keqinformuar, ose të keqtrainuar, ose u është bërë “lavazh truri”. Problemi është kur një fe krijon bazat që njerëzit të shndrrohen në kriminelë në shërbim të një ideje që ata që quajnë “të shenjtë”.

Ajo që ndodhi në Paris, i dha shenjat që kur gjithë bota myslimane u ngrit kundër një filmi kontrovers për Profetin Muhamet dhe kërkonin autorin për ta vrarë. Në Tiranë pati deri dhe profesorë fakulteti (të punësuar në Universitetin laik shtetëror) që u pozicionuan kundër filmit (pa e parë) sepse sulmonte atë që është e “shenjtë” për një komunitet.

Ja ku jemi sot, ku ekzektohen njerëz për një karikaturë. Ndryshimi nga rasti i parë tek rasti i dytë, nga dënimi i filmit tek dënimi i karikaturës, mua më duket shumë i vogël.

Fillon e gjitha duke sulmuar një film, duke ndezur ndjenjën e fyerjes fetare tek një shumicë, dhe përfundon duke hedhur në erë një redaksi në emër të asaj përkatësie fetare. Problemi pra, nuk është as tek një piktor që bën një karikaturë, as një artist që hedh fraza mbi rolin e myslimanëve, e as një regjisor që bën një film (pa shije). Problemi është kur feja e një komuniteti kërkon të imponohet në vend të shtetit (çka vlen dhe për modelin e “Kishës në funksion të pushtetit të Putinit”).

Problemi, është që myslimanët, ata të vërtetët sipas meje, duhet të bëjnë ndarjen e qartë me ata të “vërtetët” sipas vetes së tyre, që armiku i vërtetë i qytetërimit lindor, perëndimor e shqiptar sot është islami politik.

Islami politik

Islami politik, është kjo që po ndodh. Janë këta njerëz që fenë nuk e kanë për veten e tyre, por duan ta imponojnë për të gjithë. Ata që “të shenjtën” nuk e kanë veç për veten e tyre, por duan t’ia detyrojnë kujtdo që jeton ndryshe. Ata që rregullat e zotit nuk i kuptojnë si rregulla për veten e tyre, por si ligj që duhet bërë i detyrueshëm për të tërë. Ky është Islami politik.

Ky është thelbi që nëse çdo mysliman do e kuptonte kështu siç është, nuk do flisnim për terrorizëm islamik, për ISIS e për #jesuischarlie.

Në një koment në një faqe mediatike, para 1 viti e ca dikush më shkroi që “islami politik është këtu, e do jetë gjithmonë. Por, keni për ta parë shumë shpejt”. Nofka që ky komentues përdorte ishte emrin i një kryeqyteti europian. Më bëri përshtypje, sepse nuk doja ta besoja që ka njerëz në Perëndim që e marrin seriozisht islamin politik, por, një njohje e terrenit shqiptar më bën të kuptoj që ai komentues është pjesë e një komuniteti gjithnjë në rritje.

Nuk bëjnë atentate, se s’kanë kundër kujt t’i bëjnë, se askush nuk flet. Qameti dalin i fusin një dru Maks Velos që e tepron në intervista. Intoleranca e atyre që punojnë, organizojnë, mësojnë e propagandojnë islamin politik është thuajse e pakthyeshme. Është e pamundur që t’u shpjegosh që droga, prostitucioni, sionizmi, racizmi nuk luftohen me një gjë më të keqe. Sikurse fruthi nuk shërohet duke injektuar në trup murtajën. Thjesht trupi vdes.

Ata që punojnë për “islamin politik” sot nuk e kuptojnë që kjo nuk është më fe, as islam, as rregull. Është thjesht dëshira për pushtet e një grupi njerëzish (shpesh dhe të keqshkolluar) që përdorin islamin si ideologji për të lëvizur ushtrinë e skllevërve të terrorizmit.

Islamin politik mund ta luftonë vetëm shteti laik i mbështetur nga ata që unë i quaj myslimanët e vërtetë.

Dhe, mos na gënjejë mendja se janë pak. Futuni e shikoni faqet, blogjet, forumet dhe liket në FB e video në youtube. Vëreni sa radikalizëm ka aty. Janë qindra xhami jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman. Pakkush nuk e di ç’ushqim ideologjik gatuhet aty brenda. Murtaja, sikurse ISIS dëshmoi ka vetinë që ushqehet me të keqen, bëhet më e madhe. Radikalizmi ushqehet me injorancë e intolerancë, por ç’rëndësi ka kjo pasi të na ketë mbërthyer komplet.

Një fjalë Kryeministrit

Islami politik është në të vërtetë një çështje madhore. I takon Kryeministrit që ndërsa luan për PR lojën e hipokrizisë së “tolerancës fetare” të marrë masa që grupimet që kërcënojnë rendin tonë kushtetues, të marrin përgjigjen jotolerante që u takon.

Islami politik nuk rrezikon 2 tendera, 2 miq e ca pallate. Islami politik kërcënon sistemin tonë perëndimor të të menduarit e jetuarit. Përndryshe, Zahoja i vogël do detyrohet ta veshë të shoqen me shami kur të rritet, edhe në s’do ai. Dhe jo vetëm kaq.