Monday, May 25, 2015

Këshilltarë dhe vrasës

botuar te gazeta Dita, 25 maj 2015

Tek teneqet anash, tashmë ngrihet muri i qendrës së re Tregëtare






Duke ecur në pedonalen e vetme të Tiranës (Shkodra ka nja 3), nga të paktat qindra metra që njeriu mund të bënte i qetë e njerëzisht në këmbë në këtë qytet, në skaj të saj, përballë Akademisë së Shkencave po ngrihet një karabina xhami, hekuri e betoni. Këmbët e ndërtesës janë mu në pedonale. Domethënë, njeriu do të dalë nga ajo ndërtesë drejt e në rrugë. Nuk ka nevojë të jesh arkitekt për të kuptuar që ajo ndërtesë është një ndërtim i dhunshëm në një vend ku dikur ka pasur lulishte. E di që letrat do t’i kenë të kopsitura. Por nuk ka nevojë të jesh as urbanist për të kuptuar që kjo ndërtesë, njësoj si 40 katëshja pak më larg saj do të sjellin një masakër urbane aty, me mijëra njerëz shtesë që do të duan të parkojnë, me mijëra makina ekstra që do të qarkullojnë në atë nyje edhe tani mjaft të mbingarkuar. E di që letrat do t’i kenë të kopsitura. E di që, edhe po fitoi ekologjisti Sazan Guri – një fitore e pamundur dhe ai e di, sepse nuk është futur në garë për të fituar – ajo ndërtesë nuk do të luajë vendit. Sikurse po fitoi dhe Veliaj apo Kosova. Ka zëra që thonë se lejen e ndërtimit e ka dhënë Kryeministri i sotëm, atëherë kur ishte Kryetar Bashkie, por, mirëpranimi i heshtur nga Lul Basha është i vetëkuptueshëm. Nuk di që Kryetari aktual i Bashkisë të ketë bërë oponencë për makabritetet urbane që po ngrihen nën hundën e tij (e që ndoshta edhe ia lanë peshqesh). Ajo, nuk është as tmerri i parë e as i fundit urban që po ngrihet pikërisht tani në Tiranë. Por, ngritja e kësaj, më ka shkaktuar një tronditje shumë më të fortë se çdo tjetër. Sepse kuptova.

Qyteti që fiket

Kuptova, që Tirana nuk ka më shpëtim. Pas vitesh që e shoh qytetin të shuhet, gjithmonë duke menduar se diçka mund të bëhet akoma, tani kuptova se nuk ka më shpresë. Si ai njeriu i dashur për të cilin gënjejmë veten se do bëhet më mirë, se na kanë folur për një mjek të zotin, se ka dalë një ilaç i ri, edhe pse e shohim përditë të shkrihet para syve tanë, dhe vetëm në një çast, në një çast të vetëm perceptojmë se ai ka ikur, edhe pse merr frymë akoma, por ne e kuptojmë që mjeku i mirë, ilaçi i ri, shpresa jonë, lutjet te Zoti, asgjë nuk mund ta shpëtojë më, ashtu si këtë njeri të dashur, unë pashë qytetin ku kam lindur e ku kam shenjat e jetës sime e tuajës të fikur, pa shpresë.
Kur të vdes një njeri, është dhimbje e madhe. Po kur të vdes një qytet?
Hë o Ed? Po ti Lul? Erion, Halim? Sazaaaaaan?!
Thonë se vrasësit e bashkëpunëtorët (dhe kalimtari i rastit) kthehen në vendin e krimit.

Vrasësit

Shenjat që Tirana ka marrë fund po lexohen prej kohësh. Kushdo që ka para, jo vetëm biznesmenë, por dhe gjyqtarë gazetarë e politikanë kanë iur nga qyteti e jetojnë në rezidenca të largëta, ku ka ajër të pastër, ku kanë vënë roje te dera që mos ketë trafik, e ku nuk kanë para sysh këtë tmerr urban. Vijnë në Tiranë vetëm për të punuar. Pyesni Kryeministrin. Sepse, të parët e kuptuan që ky qytet po bëhet i pajetueshëm. Ajo që kemi bërë deri tani është të drejtojmë gishtin nga Edi Rama e më pas nga Lul Basha si shkaktarët kryesorë.
Për shembull, heqja e vijë së verdhë, është bërë në bashkëpunimin e tërë atyre që kanë drejtuar këtë vend, Kryeministra, Kryetarë Bashkie. Dikush e hoqi, dikush e shtyu, dikush rikualifikoi terrenin, dikush dha lejet e privatizimit e tjetri të ndërtimit. Berisha, Rama, Nano, Meta, Basha, këta janë vrasësit. Ata mbajnë peshën kryesore të vrasjes së Tiranës, por, ne kemi neglizhuar armikun e vërtetë të qytetit. Bashkëpunëtorët anonimë. Këshilltarët bashkiakë.

Bashkëpunëtorët në krim

Asnjë vendim nuk do të ishte marrë pa miratimin e këshillave bashkiakë. Pra, në çdo leje, në çdo dhunim të qytetit është firma e disa dhjetëra njerëzve të cilët, jo për fajin tonë na e marrin votën fshehurazi. Ju shkoni për të votuar partinë në zgjedhjet lokale, dhe aty votoni një grumbull njerëzish që ndër vite e kanë shqyer këtë vend, herë nga indiferenca, herë nga padija, herë nga partitizmi, herë ngaqë janë blerë, herë ngaqë i kanë detyruar, por në çdo rast kanë vënë firmën e tyre në shkatërrimin e qytetit. Në çdo park që nuk është më, në çdo fushë basketbolli ku tanimë ka kulla, në çdo oborr pallati ku tashmë ka një pallat tjetër akoma më të madh, në çdo cep të kthyer në parking, është dhe firma e tyre. Pa firmën e tyre asnjë kryetar nuk do bënte me qytetin atë që ka bërë. Ata janë aty për të kufizuar abuzimet me pushtetin të kryetarit, por, ata vetëm e kanë përforcuar e mbështetur atë. Disa prej këshilltarëve bashkiakë mund të kenë 10 a më shumë vjet që marrin pjesë në krim, madje me rroga, por ju nuk dini gjë. Sepse, në votime ju votoni partinë. Dhe partia, ka kohë që është kthyer në kope ujqish. Jo rrallë kopetë e të gjitha partive bëhen bashkë për ndonjë orgji të nivelit së lartë, siç ishte konçesioni i parkingjeve.
Është prag zgjedhjesh dhe tufat e reja të shkëlyesve të qytetit po presin të marrin mandatin. Pyeteni kandidatin tuaj se kë pas vetes. Pyesni me çfarë trupe do të kërkojë ta marrë e ta menaxhojë bashkinë. Kaq. Vetëm kërkojini emrat dhe në sa këshilla bashkiakë të mëparshëm kanë marrë pjesë.

Funerali im

Kam kuptuar që paska radhë për funerale këto kohë. Ka shumë ide, grupime e deri dhe institucione që është mirë t’u bëjmë një funeral. Ato zëvendësohen, dhe sa më shpejt ‘u qoftë i lehtë dheu’ aq më mirë për të gjithë. Por, funerali i një qyteti është më i rëndë. Qyteti, nuk zëvendësohet. Ne do të vazhdojmë të jetojmë brenda karkasës së tij, lokalet do bëjnë zhurmë, televizionet do na hutojnë, minifundet e të rejave do jenë kozmetika e të vdekurit, kokaina – oksigjeni te koka e të sëmurës, makinat luksoze do tentojnë të transmetojnë shëndet, por, qyteti, Tirana do jetë e vdekur. Dhe kjo, është më shumë se një gjë e trishtuar. Është një gjë e keqe.

Rikthimi, pa qytet

Çdo e keqe ka edhe një të mirë. Tani, nuk kanë asnjë peng me të cilin të na kërcënojnë. Tani jemi të lirë të luftojmë. Ose të ikim. Nuk shoh asnjë arsye pse dikush do donte të vazhdonte të jetonte në këtë qytet duke ulur kokën e duke pritur.

No comments:

Post a Comment