Friday, March 30, 2012

KOZMIKOMIKET: Arrigato Surrogato

Botuar te Revista Klan, e shtunë, 17 mars 2012

Tek ‘Matrix’, ka një pjesë ku Mouse, duke folur për botën brenda në Matrix ku makinat krijojnë shije artificiale për t’u krijuar iluzionin njerëzve që rriten në vaska, pyet: nga e dinë makinat që supa e pulës ka shije pule...? “Ndoshta makinat nuk dinin si ta bënin shijen e pulës, prandaj pula ka shijen e çdo gjëje tjetër”. Në mënyrë paradoksale, ne jetojmë një realitet të ngjashëm, që i shkon aq mirë asaj që para viteve ‘90 e përkufizonim me termin “surrogato” – zëvendësimi i origjinalit me një zëvendësues – e që në shqip asokohe hyri vetëm me ngarkesë emocionale negative.

Surrogatot janë realiteti ynë i ri i shumëfishtë. Që nga mishi që hamë e deri te qejfi që bëjmë, që nga shteti që kemi ndërtuar e shërbimet që marrim, që nga shoqëritë që krijojmë e deri te martesat, gjithçka e jona është surrogato. Madje, vetë jeta jonë (jeta biologjike) është nën rrezikun e të qenit surrogato. Mjafton të shihni sistemin shëndetësor, bazën e gjallimit tonë biologjik.

1jetë e pasigurt

Një mik më tregonte për një plakë që kishte marrë bukë me vete ndërsa priste rradhën me orë të tëra për vizitë tek ‘privati’. Hapi qesen, nxorri bukën me djathë e vezë, ndërsa prisnin për të marrë shërbimin nga i njëjti mjek shqiptar i (ish)spitalit publik dhe me të njëjtën aparaturë që te publiku nuk funksionon, për arsye misterioze. Pas rrënimit të sistemit publik shëndetësor, ku pacienti duhet të blejë dhe garzat e aget tek privati jashtë e ku ambulancat nuk luajnë nga vendi se nuk kanë naftë, publiku është i detyruar të shkojë tek privatët me emra që nënkuptojnë mjekësitë të huaja, shpesh, duke qenë vetëm një surrogato e tyre. Sigurisht, askush nuk ankohet. Ne jemi një popull i çuditshëm, që mund të ankohemi e ta frekuentojmë të njëjtën gjë, në të njëjtën kohë.

2zimi surrogato i popullit

Brenda secilit prej nesh jetojnë dy ‘popuj’, gati-gati të kundërt me njëri-tjetrin. Ai që shan, e ai që bindet. Të njëjtit njerëz që ankohen për politikën, janë të njëjtët që marrin pjesë në mënyrë aktive në riciklimin e të njëjtëve politikanë. “Shpirti shqiptar është një përzierje poshtërsie e fisnikërie”, kujton Eqerem bej Vlora thënien e një senatori francez. Njëri nga dy ‘popujt’ brenda secilit prej nesh, është ai surrogato. Ne nuk duam të gjejmë se cili, por realiteti që kemi ndërtuar në vitet e tranzicionit flet qartë, delja e zezë e ka ngrënë delen e bardhë!

3 plus dy vitet e arsimit surrogato

Sistemi ynë arsimor i modifikuar tashmë thuajse gjenetikisht si kallinjtë e misrit, ofron shijen reale të pulës, surrogaton më të madhe të 22 viteve tranzicion. U desh një artikull në New York Times, për të na treguar vetëm majën e ajsbergut të sistemit të ‘ri’ arsimor. Sistemi arsimor (me prevalencë të atij privat), po shkatërron egërsisht bazat e konkurencës për shumë vitet në vazhdim, por nuk do të mund ta lexoni këtë krim në median tonë. Duhet të presim ta përkthejmë nga NY Times.

Pushteti i 4, media dhe e vërteta surrogato

Media nuk do të pasqyrojë asgjë jashtë interesave të caktuara të atyre që i hedhin kotheren, interesa që kanë filluar të jenë aq të ngushta e të errëta, aq egoiste e tribale, sa tashmë media nuk bën dot më as si qen që ndjek makinat. Media jonë leh, vetëm kur sheh se karvani ka shkuar aq përpara, sa mos t’i prishë punë. Media vetë nuk është, por ajo servir një të vërtetë surrogato. Fundja, kush po kërkon më shumë? A nuk jemi të gjithë duke rendur të shohim, prekim, shijojmë, nuhasim e dëgjojmë versionet surrogato të asaj që...?

5 shqisat e veshura me surrogato

Më është fiksuar një foto e një pallati që i ishte shembur një faqe muri. Përtej problemit social, në foto dukeshin pamjet e 3 dhomave të ndenjies, thuajse identike: një divan dhe mbi të një pikturë tregu, nga ato surrogatot që mbushin muret e dhomat tona. Thuajse identike. Në Tiranë mund të ketë 10 mijë piktorë, por askush nuk i merr as për t’i lyer dhomën. Për sa kohë tregu të ofrojë artin e importit të fabrikës. Është një kënaqësi surrogato për sytë. Kemi ‘piktura’ në shtëpi! Kështu për të kënaqur të tëra shqisat tona bëjmë kompromise.

Ne blejmë parfume me rubinetë e deri dhe parfume falsë që shiten në mes të rrugës me të njëjtin çmim si misrat e zier; vishemi në imitime kineze, ku vetëm një gërmë bën dallimin mes surrogatos dhe markës, nga qejfi që të ekspozojmë çantat Fendi të blera sa një kile mish (edhe ky surrogato); shijojmë për “popullore” bazat muzikore të importuara nga trevat e largëta të Anadollit; hamë në restorante që na shesin për kuzhina ekzotike gjëra që nuk janë ekzotike, që na shesin shtrenjtë produkte që nuk bëjnë as për fast food...E tëra kjo, sepse ne nuk i rezistojmë dot nevojës për t’u ndjerë që shijojmë produkte me vlerë. Me një ndryshim të vockël... për arsye nga më të ndryshmet - nuk kemi industritë përkatëse, sepse jemi treg i vogël, me mundësi të kufizuara financiare e që as prodhojmë por vetëm konsumojmë, - jemi të detyruar të kënaqemi me surrogatot.

6rammy-t surrogato

Me pretekstin që shqiptarët besojnë çfarëdo që t’i serviret, forma më e mirë e vetë-promovimit ëshët duke i dhënë vetes çmime e ngjarje që nuk ekzistojnë. Mjafton të jetosh në Amerikë, dhe në Shqipëri e trumbeton sikur po realizon ëndrrën amerikane, mjafton të jetosh me qera në L.A., dhe këtu mund ta shesësh sikur po punon në Hollivud, mjafton të blesh një biletë për një ceremoni çmimesh, e ta përkthesh sikur të kishin ftuar për të ecur në tapetin e kuq.

Pak ditë më parë, në një intervistë lexova që një këngëtar yni paskësh qenë nominuar për nja 14 Grammy, në të njëjtin vit që kishin fituar Laura Pauzini e Ricky Martin. Sigurisht, kur gazetarët të vetmin kontroll faktesh, kanë Wikipedia-n, pa e ditur që wikipedia është burimi më i pasigurt i çfarëdo informacioni, përderisa është një faqe që plotësohet nga vetë përdoruesit e vet.

Të tjerë artistë, i shesin si ‘tour’ të kënduarat nëpër ditëlindje apo restorante bashkatdhetarësh, sikurse të tjerë shesin për trofe e çmime, pjesëmarrjet qesharake në festivale anonimë.

7shkurtrit me kalla7nikov

Kujtdo i ka rënë rasti në Tiranë të shohë disa policë privatë që ruajnë furgonët e bankave dhe e mbajnë kallashin në mes të mëhallës si gjuetarë, duke mos reflektuar asnjëlloj sigurie nga paraqitja e nga standartet fizikë. të tëra emra në gjuhë të huaj, a thua se duan të krijojnë idenë se nuk janë të organizuar alla-shqiptarçe, edhe pse performanca në rrugë tregon të kundërtën.

E njëjta, me të tëra format e shërbimit, përderisa shërbëtori më i madh është dhe produkti më i madh surrogato: shteti shqiptar.

Sh8 surrogato

Nuk ka asgjë që nuk e dini për shtetin shqiptar që të mos ju çojë trishtueshëm në këtë konkluzion. Shteti shqiptar nuk ka arritur të realizojë as ato elemente bazë që do të justifikonin ekzistencën e tij: barazinë para ligjit, pjesëmarrjen konkuruese, garantimin e lirisë e të territorit, mbrojtjen e qytetarit jashtë shtetit, mbrojtjen e produktit vendas e të jetës së vendasit.

Shteti shqiptar, të bën gropën për një celular të vjedhur, ndërkohë të fal po të kesh hedhur në erë nja 26 vetë; që nuk të ruan dot nga xhepistët por të ekzekuton në bulevard, me duar ndër xhepa; policët në Rinas të trajtojnë më keq se policët e BE-së që të presin nga ana tjetër, duke të pyetur me arrogancë si të ishin duke folur me kunatën, “Aaaa, do ikërke jashtë ti, ëë? E ça do ti jashtë??”, ndërkohë që çdo lloj krimineli del e hyn pa qeder, madje me eskortë policie.

Shteti vetë, është teatri më i madh i surrogatos, tregu më i madh i këtij produkti madje është vetë produkti.

“Ne kemi ”Ministri” sepse edhe Perëndimi ka Ministri, ne kemi ”Kryeministër” sepse edhe Oksidenti ka Kryeministër, ne kemi ”Intelektualë” sepse edhe Oksidenti ka Intelektualë…e kështu me rradhë”, thotë një komentues në blog. Oooooksidenti i thotë ‘Ppppiano’,edhe ne keshtu duhet t’i themi, ‘Ppppiano’! Çfarë na kërkojnë, shtet? Hajt pra të sajojmë një gjë si shtet. Fundja, shqiptarët nuk kanë si ta dinë nëse supa e pulës ka vërtet shije pule. Ne, nuk kemi ngrënë kurrë pulë. Dhe rrezik ta pështyjmë, nëse hamë ndonjë herë një të tillë.

* Në artikull kontribuoi gjerësisht Bland Ashiku

Monday, March 12, 2012

Mësues, gra dhe prostituta

botuar te Shekulli, e diel, 11 mars 2012


Shtatëdhjetetetë marsi i këtij viti, solli pak gjëra. Për shembull, performancat e striptizës në disa club-e erdhën në përmirësim – gratë kishin nevojë për ballafaqim modelesh burrnore; për shkak të krizës, shumë drejtues/e kompanish që dikur jepnin ndonjë bonus për gratë, këtë vit bënë sikur nuk kishin kalendar në zyrë; farmacia e lagjes, u dhuronte një lule grave që blinin ilaçe. Por, dhurata e vërtetë për gratë dhe mësuesit ishte dhe amendimi i ligjit për prostitucionin, duke i shtuar një vesh të vockël ku dënohet dhe klienti. Anipse, shumicës së tyre, gra e mësues, të zënë në hallet e ditës e të ngarkuar me “10 minutëshat e urrejtjes” së përditëshme as u ka rënë në sy. Kur, në fakt, ai ligj do të vazhdojë të dënojë vajzat e tyre dhe nxënëset e tyre.
Nuk besoj se ndonjë prostitutë e këtij vendi, qoftë 1 mijë lekëshe, qoftë 300 dollarëshe, ka ndër mend të ngrejë gishtin ndaj përgjegjësve për gjendjen e vet. Por, unë mundem.


Shoqëria e prostituave

Nganjëherë, në lajme del që aksione ‘të suksesëshme’ të policisë kanë kapur ndonjë prostitutë të lodhur që nxjerr bukën e gojës me klientë 5mijëlekësha po aq të mbaruar. Është forma tipike e funksionimit të shtetit e të shoqërisë sonë: shteti bën sikur punon; prostitucioni, medemek po luftohet; dhe njerëzit më pa mbrojtje sigurisht, e hanë. Dhe të tërë jetojmë të lumtur.
Si një shoqëri që gënjen veten, ne, kaq na mjafton. Jeta e nja dy grave të mjera u shkatërrua dhe më keq nga ç’e kishin? Punë e madhe. “Dava kastravecash”, sipas baballarëve të kombit.


Parlamenti i të ndershëmve

Ndërkohë që parlamentarët ofruan një show të turpshëm duke e kthyer debatin mbi prostitucionin në muhabet kastravecash e domatesh (si për të na rikujtuar që as për humor nuk na shërbejnë më) vendi është i përmbytur në prostitucion.
Nuk e kam fjalën për prostitucionin politik e as për atë alla - S. De Bovuar: gratë që ofrojnë seksin për bashkëshortin që i mban me para në shtëpi.
E kam fjalën për prostitucion të mirëfilltë që ushtrohet në të tëra nivelet e çmimet: për prostitutat e klasit të lartë që ofrojnë argëtim për të huaj e vendas, për shtetarë biznesmenë e eurozyrtarë; për studentet që e nisin për të përballuar shkollën e pastaj e vazhdojnë për të mbajtur standartin e jetesës luksoze; për vajza të reja që bëhen mantenutat e burrave të martuar, e që nuk kanë asnjë ambicie për t’ua prishur martesën, sepse, ato nuk po kërkojnë bashkëshort, por një çezmë parash që ta hapin aq herë sa u ‘pihet’; për të lodhurat e periferisë, që argëtojnë burrat e periferisë në mejhanet e periferisë; për vajza që i fitojnë bursat, shkollat, vendet e punës e ngritjet në detyrë në një shkëmbim të pastër prostitucional; e plot raste të tjera ku paguhet me para në dorë a në natyrë, prostitucion i mirëfilltë: më jep kaq e aq, në këmbim të seksit!

Kjo ndodh këtu, përditë, mes nesh, çfarë do që thonë raportet e ministrive, puritanët e moralit që refuzojnë realitetin apo ata që janë akoma te frazat që ne, populli shqiptar “s’jemi..., s’kemi qenë...,” e ku di unë.
Se pse, këto vajza vendosën ta ndërtojnë jetën kështu, mund të jetë një debat shumëkahësh. Por, nja dy përgjegjës, është mirë ti identifikojmë sot. Meqë dhe sapo kaluam javën e 7 / 8 marsit.


Shtatëdhjetëetetë marsi

Mësuesit, si dhe gratë, vazhdimisht i kemi justifikuar për rrogat e ulëta, nënvleftësimin profesional e personal, pabarazinë e dhunën. Por, nëse është e drejtë të ngremë gishtin kundër shtetit e sistemit, kundër patriarkalizmit e shoqërisë që nëpërkëmb mësuesin e dhunon gruan, ka një ditë që gishti duhet kthyer nga vetja. Kjo ditë është më 7 dhe me 8 mars – më shtatëdhjetetetë mars, siç e shqiptonte gabimisht një nga analfabetët e shumtë që na rrethojnë.

Nuk po kërkoj që gratë e mësuesit të ngrihen në protesta për të drejtat (që shpesh as i dinë e as u intereson të dinë që i kanë e mund ti marrin). Në një vend ku edhe protesta është përtaci, e ku demonstratën na pëlqen ta shohim nga kafja, nuk ka pse të bëhemi hipokritë e t’u kërkojmë atyre këtë. Por, nuk më duket e drejtë që më 7 dhe me 8 mars duhet të rrimë gatitu, me dhurata e me lule, sepse nuk ka asgjë për të festuar.
Gjatë tërë vitit, mësuesit nuk kanë bërë punën e tyre e nënat nuk kanë mbajtur përgjegjësitë e tyre. Prandaj, s’ka lule e dhurata, për to. Ato, kanë dështuar.
Prostitutat e këtij vendi, ato me 5mijë leksha (të vjetër), ato me 300 dollarë, e ato me shkëmbim në natyrë, janë aty e janë ashtu edhe me ‘kontributin’ herë të heshtur, herë të zhurmshëm, herë pasiv e herë aktiv të mësuesve e të grave.


Gishti mbi mësuesit

Këtë vit, si për vit, mësuesit lypën dhunshëm dhuratat “që u takojnë”. Deri dhe edukatoret e kopshteve i vunë para përgjegjësisë 4 vjeçarët: “sillni lekë, se dhuratën e blejmë vetë”.
Favoret për të privilegjuarit në klasë, marrje parash e dhuratash për notat, të ashtuquajturat “kurse” jashtë klase për punën që duhej ta kishin bërë në shkollë, janë vetëm disa nga mëkatet e mësuesve të sotëm. Pa folur për ata që vijnë të pirë a ngacmojnë seksualisht fëmijët, pa folur për gratë në menopauzë që hallet familjare ua lëshojnë në kurriz vogëlushëve.

Sigurisht, mësuesit kanë halle. Sigurisht, rrogat nuk mjaftojnë. Sigurisht, janë në mëshirën e shefit të ri të arsimit, sapo ndërrohen pushtetet. Sigurisht ka emërime politike.
Por, askush nuk i detyroi të bëhen mësues. Dhe, ata janë zhgënjimi i parë i madh i vajzave që dalin në jetë. Mësuesi duhej të ishte etaloni – dhe ky etalon nuk ka gjë ndryshe nga “shkëmbimi i favoreve në natyrë”.


Gishti mbi gratë


Vajzat, tentojnë tërë jetën të mos bëhen si nënat e tyre, por herët a vonë, ato do të jenë pasqyra e tyre. Etaloni tjetër. Jo se baballarët e Shqipërisë së Re të Tranzicionit arrijnë të ofrojnë modele për fëmijët, por nënat...
Vajzat e sotme, më e pakta janë pasqyrë e tyre. Kam një bindje, që shumë gra, po ta dinin që bijat e tyre të vogla janë prostituta, do habiteshin me të madhe. Nuk njohin më as fëmijët e tyre.

A thua më shumë gra në majat e politikës do sillnin ndryshimet e mëdha të gjendjes së grave, të mentalitetit e do ndihmonin në sh-prostitucionizimin e shoqërisë?
Dyshoj. Shumë prej tyre nuk i kam parë të ngrenë pyetjet e duhura për prostitucionin, e as të bëjnë lobimin e duhur shoqëror për të. Në mos gabohem, edhe inisiativa për përmirësimin e ligjit erdhi nga prokuroria, që i bie të jetë institucioni më i mëshirshëm në vend.

Kam idenë, se shumë gra, edhe në pozitë, mendojnë se nuk është problemi i tyre. Fundja, të gjithë ne, si ato, mendojmë se është vetëm problemi i atyre të shkretave, nivelit më të lodhur të prostitutave që mbajë fëmijët me 5 mijë lek (të vjetra!!!), e që policia i raporton me frazën bastarde: “u shkatërrua një çerdhe prostitucioni”.


Ligji i papërgjegjshmërisë

Ligji i ri për prostitucionin ndreq pak gjë. Vërtet, klienti duhet dënuar njësoj, si pjesëmarrës në një shkelje ligji. Por, ajo që do të ndodhë është që përveç prostituave më të varfra, që shiten për 5 mijë e 2 mijë lek (të vjetra!!!!!!!!!), ata që do ta hanë janë edhe klientët më të varfër e të pambojtur, fakirët që nuk kanë më shumë se 5 mijë lek për të shpenzuar.
Prostitutat e klasit të lartë e klientët e tyre, nuk do të pësojnë gjë. Përndryshe do kishim edhe plot parlamentarë pas hekurave.
Ligji i ribërë do të duhej të reflektonte kohën e re, lirinë e individit për të bërë me trupin çfarë të dojë, marrëdhëniet e reja tregëtare, dhe pseudo-ëndrrën e integrimit.
Një debat i gjërë duhet të çojë drejt zgjidhjeve reale, një prej të cilave mund të ishte legalizimi i prostitucionit. Edhe pse, një vend që nuk kontrollon dot duhanin, nuk besoj se do arrinte të luftonte informalitetin e prostitucionit. Por, kjo nuk e pengon që të jetë. Tani! Këtu! Masiv!
Suedia, është shembulli më i mirë, dhe me sa di unë, vendi që e ka luftuar në mënyrën më efikase prostitucionin. Aty, dënohen vetëm klientët.


Lufta e re e klasave

Prostitutat e varfra të vendit tim, janë të tilla sepse sistemi nuk u ka ofruar mënyrë tjetër mbijetese.
Prostitutat e shtrenjta të vendit tim, janë të tilla sepse shoqëria, mësuesit e familjet e tyre, u kanë mësuar që nderi është relativ, që gjithçka shitet, që paraja ka rëndësi dhe jo mënyra si e fiton atë.
Në një farë mënyre ato janë pararendëset e shoqërisë së re, ku, po nuk linde femër e bukur, do duhet të djersish shumë për të ecur në jetë.

Friday, March 2, 2012

KOZMIKOMIKET: Qelentano – ‘Ç’-ja e çmitizimit

botuar te revista Klan e datës 25 shkurt 2012


Hera e parë që kam dëgjuar për Çelentanon, diku në fillim të viteve ’80, ishte në një qytet ku emri i shqiptohej më shpesh, Qelentano. Herën e fundit që kam dëgjuar për Çelentanon, një regjisor po e ngrinte në qiell për performancën në Sanremo. “Sa i madh!”

Mu duk vetja si në vitet ’80, mbushur me idhuj italianë, që mezi u merrnim vesh gjuhën, të pangopur për t’i parë nga pas perdes. Veçse tani, nuk janë më vitet ’80. Dritarja jonë në botë është e hapur kanat, dhe nuk mund të kem më dilema nëse është Q- apo Ç-elentano. Dera e perëndimit për ne është e mbyllur, por ama na kanë lënë hapur dritaren. Vërtet nuk mund ta shkelim Amerikën, por mund ta shohim Amerikën.

Nuk më intereson Çelentano, sesa marrëdhënia e publikut me artistin. Publiku shqiptar u mrekullua me performancën e tij në Sanremo, dhe kjo marrëdhënie më duket e sëmurë. Sepse, nuk janë më vitet ‘80! Sot, nuk kemi të drejtë të qëndrojmë në Itali më shumë se 6 muaj, por mund ta shohim 24 orë.

Pavarësisht, sot, fare pak e shohin Sanremon.


Zanremo

Festivali i Sanremos ngjan tashmë i vjetër, një dinosaur muzikor i paaftë të shkrihet me dinamikën bashkëkohore të teknologjisë muzikore, pjesë e një rrjeti shtetëror që vuan burokracinë e censurën, i drejtuar e menaxhuar nga pleq, dhe që e vazhdon rrugën e vet, ndoshta dhe për hir të nostalgjisë. Muzika si shumë arte të tjera është decentralizuar, emrat aktivë të tregut muzikor italian e snobojnë, ndërsa pleqtë rikthehen me shpresën për pak vëmendje.

Por, le të kthehemi tek Çelentano Show.


Zhow

Dua të anashkaloj pjesën e muzikës në atë show, unë vetë jam një fan i Çelentanos, edhe mbi 3-4 këngë nga një i ftuar më duken shumë për një festival ku kryefjala duhet të ishte konkurimi. Ti ulesh para TV për të dëgjuar këngët e Çelentanos, por, je i detyruar mes tyre të dëgjosh edhe predikimet e tij.

Gjatë atyre 40 e ca minutave që foli, Çelentano ngriti gishtin mbi individë e mbi media, bëri propozime, hapi fjalorin, na ndriçoi mbi Jezusin, jetën e vdekjen, madje akuzoi edhe priftërinjtë që nuk dinë të flasin në kisha. Sepse, sipas mendjes së Çelentanos, ata s’po e bëjnë punën e tyre.

Tirada e gjatë, e rëndomtë e infantile mbi parajsën, vdekjen e lindjen, mbi priftërinjtë e mbi Jezusin, më bën të pyes veten, pse po e dëgjoj? Çfarë po më thotë? Me ç’të drejtë ai pretendon që njerëzit – ata 11 milionë italianë që po e shikonin dhe unë – kanë nevojë të dëgjojnë monologje kaq të lodhur, kaq të vjetëruar, ku ai nuk thotë asgjë interesante, asgjë stimuluese për mendjen, asgjë që të më provokojë ide, por vetëm gjumë, vetëm dëshirë për të ndërruar kanalin?

Sa vend duhet të ketë në një show që po transmetohej në Eurovizion, një këngëtar plak që thotë ‘duhen mbyllur nja 2 gazeta dhe mos e lexoni atë debilin, Aldo Grason’, një nga kritikët më simpatikë të televizonit? Lumi i tiradave infantile të Çelentanos vazhdon me ‘sovranitetin’, me “treni i avashtë - treni i shpejtë”, budallallëqe të një pensionisti, që kujton se hallexhinjtë që duan të shkojnë sa më parë nga Bari në Milano, janë të ngeshëm si ai. A thua se ky është problemi i Italisë, që nuk ka tren për turistët që duan të ecin avash.

Mua nuk më shqetëson Çelentano, por, ata që rrinë gojëhapur përpara budallallëqeve të tij. Ata që u mrekulluan nga ai show, treguan që kënaqen me pak, me fare pak. Dhe mbi të gjitha, treguan që kushdo që hipka një skenë mund të na trajtojë si mesia, se poshtë ka vetëm njerëz që e duartrokasin. Të pëlqesh atë performancë, është një mungesë shijeje, artistike e politike bashkë.

Ata që e pëlqyen, rrezik do të më përmendin Beninjin.


Peninji, që lexon Danten

Hera e vetme që e kam dëgjuar Beninjin të fliste seriozisht para një publiku, ishte për Danten. Është e vërtetë, që edhe Beninji flet për politikë. Madje, në Sanremo. Por, Beninji, të bën për të qeshur. Edhe sikur të flasë për gjëra tashmë shumë të njohura, ai të bën të buzëqeshësh. Beninji, nuk flet si të ishte Mesia me ca të rinj të pozicionuar rreth tij, me fjali injorante përgjithësuese të tipit “fjala ‘politikë’ po humb çdo vlerë”.

Te Çelentano nuk kishte asgjë për të qeshur, e as për të qarë. Vetëm të hapej goja. I veshur me kostum Armani 15 mijë euro, na dha mend për të varfërit e për ekonominë botërore. Më tej, perla të tjera filozofie infantile: “Nuk ekzistojnë të shkurtrit e të gjatët, por vetëm të drejtët e të ligjtë”.

Këtu, mu kujtua Rockpolitic.


Lockpolitic

Ndjesinë se Çelentano shfrytëzon famën si këngëtar për t’u vetëndjerë si Mesia, e kam pasur edhe në show-n e fundit e të parafundit të tij.

Gjithë jetën e tij, Çelentano ka qenë një personazh i inkuadruar në sistem, pjesë e sistemit, njeri që nuk mbështeti kurrë një grevë. Artisti, ashtu si e shoh unë, nuk mund të jetë kurrë me sistemin. Unë besoj që bota ka nevojë për rebelë, dhe jo për mbështetës pa kushte të konservatorizmit, për artistë që të dalin në ekran e të thonë ‘jam kundër abortit’.

A duhet që artisti të jetë politik?


Qelentano vs Beppe Grillo

Beppe Grillo është një komik, por që ka tronditur Italinë me shfaqjet e tij. Beppe Grillo ka parashikuar kolapsin ekonomik të sistemit kur në Wall Street as e çonin ndër mend. Beppe Grillo, nuk është thjesht një komik, por një artist politik që bërtet të vërtetën aty ku ne nuk e shohim. Ai u tregoi italianëve që kapitalizmi alla ‘Parmalat’ është i destinuar të shembet, duke marrë investime e njerëz me vete.

Metafora artistike rock-e-lento, e adhuruar nga shumë shqiptarë, është një metaforë interesante, por boshe. Është një metaforë që nuk thotë asgjë. Beppe Grillo nuk ka thënë kurrë ‘filani është rock, fistëku është lento’. Beppe Grillo, ka organizuar V-day. Unë besoj që botës i duhen më shumë artistë si Grillo e më pak sharlatanë si Çelentano. I cili, edhe sot e kësaj dite, është kundër abortit. Njësoj si para 50 vitesh.

Artisti mund të jetë politik. Por, një artist që bën moral – dhe kjo ishte kaq evidente në performancën e Çelentanos – është një sharlatan. Sepse, unë di të ruhem nga politikanët. Por, nuk jam mësuar të ruhem edhe nga artistët. Përvoja shqiptare ka treguar që artistët e mirë kanë qenë politikanë mjeranë. Ishin artistë ata që firmosën kundër një greve urie.


Bolitika e pleqve


David Bowie ka vite që nuk bën më videoklipe. Edhe muzikë, bën më të rrallë. Në një intervistë thoshte: “Nuk dua të bëj videoklipe, sepse, nuk dua më të promovohem. Është koha e të rinjve. E reja, e zëvendëson të vjetrën. Më vjen keq, por kështu ecën bota”.

I vetëquajturi “mbreti i injorantëve” - sigurisht një metaforë ku rëndesa qëndron te “mbreti” e jo tek “injorantët” - ka shumë dëshirë të jetë mesia. Si artist por dhe si plak, dëshiron të flasë e të tjerët ta dëgjojnë. Por, kohët kanë ecur, dhe tempi i sotëm është krejt tjetër. Vërtet, në Ariston kishte zëra që bërtisnin bravo. Njerëzit bërtasin këngëtarin, idhullin e rinisë, showman-in ekstravagant të ’80-ës. Bërtasin, edhe ngaqë kujtojnë se ai çoç të zgjuar po thotë. Në kanale si Rai e vjetra është mbret, përderisa paguajnë 350 mijë euro/nata Çelentanon. Por, në këtë moshë, Çelentano nuk provokon më. Bota ka ndryshuar në stil e ide. Prandaj, përkundër atyre që e duartrokisnin në sallë, në rrjetet sociale shfrynin kundër tij.

Sot, askush nuk do më moral.

Apo, ndoshta duam? Mos, nuk njohim formë tjetër arti politik? Apo, aq janë pritshmëritë tona nga artistët? “Sa i madh! Shau Berluskonin!”


Ërtistët e diktaturave


Entuziasmi shqiptar për Çelentanon, më bëri të ndjehem si në kohë diktature, ku edhe një fjalë na afron drejt lirisë. Në ’80-at kur Papa uronte shqip për Pashkë te RAI, ndoshta të 5-tët a të 6-tët - besoj se pas 4-5 urimeve në gjuhët kryesore ai niste e përdorte rendin alfabetik – ne na bëhej zemra mal. Nuk na kanë harruar! Por sot, nuk janë më vitet ’80. Bota vlon nga idetë. Sa vlerë ka sot, një artist që përsërit në skenë diçka që thuhet e shkruhet prej të tërëve?

Nuk janë më vitet ’80, dhe unë nuk mund të gënjehem më me profetë të rremë.