botuar te Shekulli, e diel, 11 mars 2012
Shtatëdhjetetetë marsi i këtij viti, solli pak gjëra. Për shembull, performancat e striptizës në disa club-e erdhën në përmirësim – gratë kishin nevojë për ballafaqim modelesh burrnore; për shkak të krizës, shumë drejtues/e kompanish që dikur jepnin ndonjë bonus për gratë, këtë vit bënë sikur nuk kishin kalendar në zyrë; farmacia e lagjes, u dhuronte një lule grave që blinin ilaçe. Por, dhurata e vërtetë për gratë dhe mësuesit ishte dhe amendimi i ligjit për prostitucionin, duke i shtuar një vesh të vockël ku dënohet dhe klienti. Anipse, shumicës së tyre, gra e mësues, të zënë në hallet e ditës e të ngarkuar me “10 minutëshat e urrejtjes” së përditëshme as u ka rënë në sy. Kur, në fakt, ai ligj do të vazhdojë të dënojë vajzat e tyre dhe nxënëset e tyre.
Nuk besoj se ndonjë prostitutë e këtij vendi, qoftë 1 mijë lekëshe, qoftë 300 dollarëshe, ka ndër mend të ngrejë gishtin ndaj përgjegjësve për gjendjen e vet. Por, unë mundem.
Shoqëria e prostituave
Nganjëherë, në lajme del që aksione ‘të suksesëshme’ të policisë kanë kapur ndonjë prostitutë të lodhur që nxjerr bukën e gojës me klientë 5mijëlekësha po aq të mbaruar. Është forma tipike e funksionimit të shtetit e të shoqërisë sonë: shteti bën sikur punon; prostitucioni, medemek po luftohet; dhe njerëzit më pa mbrojtje sigurisht, e hanë. Dhe të tërë jetojmë të lumtur.
Si një shoqëri që gënjen veten, ne, kaq na mjafton. Jeta e nja dy grave të mjera u shkatërrua dhe më keq nga ç’e kishin? Punë e madhe. “Dava kastravecash”, sipas baballarëve të kombit.
Parlamenti i të ndershëmve
Ndërkohë që parlamentarët ofruan një show të turpshëm duke e kthyer debatin mbi prostitucionin në muhabet kastravecash e domatesh (si për të na rikujtuar që as për humor nuk na shërbejnë më) vendi është i përmbytur në prostitucion.
Nuk e kam fjalën për prostitucionin politik e as për atë alla - S. De Bovuar: gratë që ofrojnë seksin për bashkëshortin që i mban me para në shtëpi.
E kam fjalën për prostitucion të mirëfilltë që ushtrohet në të tëra nivelet e çmimet: për prostitutat e klasit të lartë që ofrojnë argëtim për të huaj e vendas, për shtetarë biznesmenë e eurozyrtarë; për studentet që e nisin për të përballuar shkollën e pastaj e vazhdojnë për të mbajtur standartin e jetesës luksoze; për vajza të reja që bëhen mantenutat e burrave të martuar, e që nuk kanë asnjë ambicie për t’ua prishur martesën, sepse, ato nuk po kërkojnë bashkëshort, por një çezmë parash që ta hapin aq herë sa u ‘pihet’; për të lodhurat e periferisë, që argëtojnë burrat e periferisë në mejhanet e periferisë; për vajza që i fitojnë bursat, shkollat, vendet e punës e ngritjet në detyrë në një shkëmbim të pastër prostitucional; e plot raste të tjera ku paguhet me para në dorë a në natyrë, prostitucion i mirëfilltë: më jep kaq e aq, në këmbim të seksit!
Kjo ndodh këtu, përditë, mes nesh, çfarë do që thonë raportet e ministrive, puritanët e moralit që refuzojnë realitetin apo ata që janë akoma te frazat që ne, populli shqiptar “s’jemi..., s’kemi qenë...,” e ku di unë.
Se pse, këto vajza vendosën ta ndërtojnë jetën kështu, mund të jetë një debat shumëkahësh. Por, nja dy përgjegjës, është mirë ti identifikojmë sot. Meqë dhe sapo kaluam javën e 7 / 8 marsit.
Shtatëdhjetëetetë marsi
Mësuesit, si dhe gratë, vazhdimisht i kemi justifikuar për rrogat e ulëta, nënvleftësimin profesional e personal, pabarazinë e dhunën. Por, nëse është e drejtë të ngremë gishtin kundër shtetit e sistemit, kundër patriarkalizmit e shoqërisë që nëpërkëmb mësuesin e dhunon gruan, ka një ditë që gishti duhet kthyer nga vetja. Kjo ditë është më 7 dhe me 8 mars – më shtatëdhjetetetë mars, siç e shqiptonte gabimisht një nga analfabetët e shumtë që na rrethojnë.
Nuk po kërkoj që gratë e mësuesit të ngrihen në protesta për të drejtat (që shpesh as i dinë e as u intereson të dinë që i kanë e mund ti marrin). Në një vend ku edhe protesta është përtaci, e ku demonstratën na pëlqen ta shohim nga kafja, nuk ka pse të bëhemi hipokritë e t’u kërkojmë atyre këtë. Por, nuk më duket e drejtë që më 7 dhe me 8 mars duhet të rrimë gatitu, me dhurata e me lule, sepse nuk ka asgjë për të festuar.
Gjatë tërë vitit, mësuesit nuk kanë bërë punën e tyre e nënat nuk kanë mbajtur përgjegjësitë e tyre. Prandaj, s’ka lule e dhurata, për to. Ato, kanë dështuar.
Prostitutat e këtij vendi, ato me 5mijë leksha (të vjetër), ato me 300 dollarë, e ato me shkëmbim në natyrë, janë aty e janë ashtu edhe me ‘kontributin’ herë të heshtur, herë të zhurmshëm, herë pasiv e herë aktiv të mësuesve e të grave.
Gishti mbi mësuesit
Këtë vit, si për vit, mësuesit lypën dhunshëm dhuratat “që u takojnë”. Deri dhe edukatoret e kopshteve i vunë para përgjegjësisë 4 vjeçarët: “sillni lekë, se dhuratën e blejmë vetë”.
Favoret për të privilegjuarit në klasë, marrje parash e dhuratash për notat, të ashtuquajturat “kurse” jashtë klase për punën që duhej ta kishin bërë në shkollë, janë vetëm disa nga mëkatet e mësuesve të sotëm. Pa folur për ata që vijnë të pirë a ngacmojnë seksualisht fëmijët, pa folur për gratë në menopauzë që hallet familjare ua lëshojnë në kurriz vogëlushëve.
Sigurisht, mësuesit kanë halle. Sigurisht, rrogat nuk mjaftojnë. Sigurisht, janë në mëshirën e shefit të ri të arsimit, sapo ndërrohen pushtetet. Sigurisht ka emërime politike.
Por, askush nuk i detyroi të bëhen mësues. Dhe, ata janë zhgënjimi i parë i madh i vajzave që dalin në jetë. Mësuesi duhej të ishte etaloni – dhe ky etalon nuk ka gjë ndryshe nga “shkëmbimi i favoreve në natyrë”.
Gishti mbi gratë
Vajzat, tentojnë tërë jetën të mos bëhen si nënat e tyre, por herët a vonë, ato do të jenë pasqyra e tyre. Etaloni tjetër. Jo se baballarët e Shqipërisë së Re të Tranzicionit arrijnë të ofrojnë modele për fëmijët, por nënat...
Vajzat e sotme, më e pakta janë pasqyrë e tyre. Kam një bindje, që shumë gra, po ta dinin që bijat e tyre të vogla janë prostituta, do habiteshin me të madhe. Nuk njohin më as fëmijët e tyre.
A thua më shumë gra në majat e politikës do sillnin ndryshimet e mëdha të gjendjes së grave, të mentalitetit e do ndihmonin në sh-prostitucionizimin e shoqërisë?
Dyshoj. Shumë prej tyre nuk i kam parë të ngrenë pyetjet e duhura për prostitucionin, e as të bëjnë lobimin e duhur shoqëror për të. Në mos gabohem, edhe inisiativa për përmirësimin e ligjit erdhi nga prokuroria, që i bie të jetë institucioni më i mëshirshëm në vend.
Kam idenë, se shumë gra, edhe në pozitë, mendojnë se nuk është problemi i tyre. Fundja, të gjithë ne, si ato, mendojmë se është vetëm problemi i atyre të shkretave, nivelit më të lodhur të prostitutave që mbajë fëmijët me 5 mijë lek (të vjetra!!!), e që policia i raporton me frazën bastarde: “u shkatërrua një çerdhe prostitucioni”.
Ligji i papërgjegjshmërisë
Ligji i ri për prostitucionin ndreq pak gjë. Vërtet, klienti duhet dënuar njësoj, si pjesëmarrës në një shkelje ligji. Por, ajo që do të ndodhë është që përveç prostituave më të varfra, që shiten për 5 mijë e 2 mijë lek (të vjetra!!!!!!!!!), ata që do ta hanë janë edhe klientët më të varfër e të pambojtur, fakirët që nuk kanë më shumë se 5 mijë lek për të shpenzuar.
Prostitutat e klasit të lartë e klientët e tyre, nuk do të pësojnë gjë. Përndryshe do kishim edhe plot parlamentarë pas hekurave.
Ligji i ribërë do të duhej të reflektonte kohën e re, lirinë e individit për të bërë me trupin çfarë të dojë, marrëdhëniet e reja tregëtare, dhe pseudo-ëndrrën e integrimit.
Një debat i gjërë duhet të çojë drejt zgjidhjeve reale, një prej të cilave mund të ishte legalizimi i prostitucionit. Edhe pse, një vend që nuk kontrollon dot duhanin, nuk besoj se do arrinte të luftonte informalitetin e prostitucionit. Por, kjo nuk e pengon që të jetë. Tani! Këtu! Masiv!
Suedia, është shembulli më i mirë, dhe me sa di unë, vendi që e ka luftuar në mënyrën më efikase prostitucionin. Aty, dënohen vetëm klientët.
Lufta e re e klasave
Prostitutat e varfra të vendit tim, janë të tilla sepse sistemi nuk u ka ofruar mënyrë tjetër mbijetese.
Prostitutat e shtrenjta të vendit tim, janë të tilla sepse shoqëria, mësuesit e familjet e tyre, u kanë mësuar që nderi është relativ, që gjithçka shitet, që paraja ka rëndësi dhe jo mënyra si e fiton atë.
Në një farë mënyre ato janë pararendëset e shoqërisë së re, ku, po nuk linde femër e bukur, do duhet të djersish shumë për të ecur në jetë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment