Friday, March 2, 2012

KOZMIKOMIKET: Qelentano – ‘Ç’-ja e çmitizimit

botuar te revista Klan e datës 25 shkurt 2012


Hera e parë që kam dëgjuar për Çelentanon, diku në fillim të viteve ’80, ishte në një qytet ku emri i shqiptohej më shpesh, Qelentano. Herën e fundit që kam dëgjuar për Çelentanon, një regjisor po e ngrinte në qiell për performancën në Sanremo. “Sa i madh!”

Mu duk vetja si në vitet ’80, mbushur me idhuj italianë, që mezi u merrnim vesh gjuhën, të pangopur për t’i parë nga pas perdes. Veçse tani, nuk janë më vitet ’80. Dritarja jonë në botë është e hapur kanat, dhe nuk mund të kem më dilema nëse është Q- apo Ç-elentano. Dera e perëndimit për ne është e mbyllur, por ama na kanë lënë hapur dritaren. Vërtet nuk mund ta shkelim Amerikën, por mund ta shohim Amerikën.

Nuk më intereson Çelentano, sesa marrëdhënia e publikut me artistin. Publiku shqiptar u mrekullua me performancën e tij në Sanremo, dhe kjo marrëdhënie më duket e sëmurë. Sepse, nuk janë më vitet ‘80! Sot, nuk kemi të drejtë të qëndrojmë në Itali më shumë se 6 muaj, por mund ta shohim 24 orë.

Pavarësisht, sot, fare pak e shohin Sanremon.


Zanremo

Festivali i Sanremos ngjan tashmë i vjetër, një dinosaur muzikor i paaftë të shkrihet me dinamikën bashkëkohore të teknologjisë muzikore, pjesë e një rrjeti shtetëror që vuan burokracinë e censurën, i drejtuar e menaxhuar nga pleq, dhe që e vazhdon rrugën e vet, ndoshta dhe për hir të nostalgjisë. Muzika si shumë arte të tjera është decentralizuar, emrat aktivë të tregut muzikor italian e snobojnë, ndërsa pleqtë rikthehen me shpresën për pak vëmendje.

Por, le të kthehemi tek Çelentano Show.


Zhow

Dua të anashkaloj pjesën e muzikës në atë show, unë vetë jam një fan i Çelentanos, edhe mbi 3-4 këngë nga një i ftuar më duken shumë për një festival ku kryefjala duhet të ishte konkurimi. Ti ulesh para TV për të dëgjuar këngët e Çelentanos, por, je i detyruar mes tyre të dëgjosh edhe predikimet e tij.

Gjatë atyre 40 e ca minutave që foli, Çelentano ngriti gishtin mbi individë e mbi media, bëri propozime, hapi fjalorin, na ndriçoi mbi Jezusin, jetën e vdekjen, madje akuzoi edhe priftërinjtë që nuk dinë të flasin në kisha. Sepse, sipas mendjes së Çelentanos, ata s’po e bëjnë punën e tyre.

Tirada e gjatë, e rëndomtë e infantile mbi parajsën, vdekjen e lindjen, mbi priftërinjtë e mbi Jezusin, më bën të pyes veten, pse po e dëgjoj? Çfarë po më thotë? Me ç’të drejtë ai pretendon që njerëzit – ata 11 milionë italianë që po e shikonin dhe unë – kanë nevojë të dëgjojnë monologje kaq të lodhur, kaq të vjetëruar, ku ai nuk thotë asgjë interesante, asgjë stimuluese për mendjen, asgjë që të më provokojë ide, por vetëm gjumë, vetëm dëshirë për të ndërruar kanalin?

Sa vend duhet të ketë në një show që po transmetohej në Eurovizion, një këngëtar plak që thotë ‘duhen mbyllur nja 2 gazeta dhe mos e lexoni atë debilin, Aldo Grason’, një nga kritikët më simpatikë të televizonit? Lumi i tiradave infantile të Çelentanos vazhdon me ‘sovranitetin’, me “treni i avashtë - treni i shpejtë”, budallallëqe të një pensionisti, që kujton se hallexhinjtë që duan të shkojnë sa më parë nga Bari në Milano, janë të ngeshëm si ai. A thua se ky është problemi i Italisë, që nuk ka tren për turistët që duan të ecin avash.

Mua nuk më shqetëson Çelentano, por, ata që rrinë gojëhapur përpara budallallëqeve të tij. Ata që u mrekulluan nga ai show, treguan që kënaqen me pak, me fare pak. Dhe mbi të gjitha, treguan që kushdo që hipka një skenë mund të na trajtojë si mesia, se poshtë ka vetëm njerëz që e duartrokasin. Të pëlqesh atë performancë, është një mungesë shijeje, artistike e politike bashkë.

Ata që e pëlqyen, rrezik do të më përmendin Beninjin.


Peninji, që lexon Danten

Hera e vetme që e kam dëgjuar Beninjin të fliste seriozisht para një publiku, ishte për Danten. Është e vërtetë, që edhe Beninji flet për politikë. Madje, në Sanremo. Por, Beninji, të bën për të qeshur. Edhe sikur të flasë për gjëra tashmë shumë të njohura, ai të bën të buzëqeshësh. Beninji, nuk flet si të ishte Mesia me ca të rinj të pozicionuar rreth tij, me fjali injorante përgjithësuese të tipit “fjala ‘politikë’ po humb çdo vlerë”.

Te Çelentano nuk kishte asgjë për të qeshur, e as për të qarë. Vetëm të hapej goja. I veshur me kostum Armani 15 mijë euro, na dha mend për të varfërit e për ekonominë botërore. Më tej, perla të tjera filozofie infantile: “Nuk ekzistojnë të shkurtrit e të gjatët, por vetëm të drejtët e të ligjtë”.

Këtu, mu kujtua Rockpolitic.


Lockpolitic

Ndjesinë se Çelentano shfrytëzon famën si këngëtar për t’u vetëndjerë si Mesia, e kam pasur edhe në show-n e fundit e të parafundit të tij.

Gjithë jetën e tij, Çelentano ka qenë një personazh i inkuadruar në sistem, pjesë e sistemit, njeri që nuk mbështeti kurrë një grevë. Artisti, ashtu si e shoh unë, nuk mund të jetë kurrë me sistemin. Unë besoj që bota ka nevojë për rebelë, dhe jo për mbështetës pa kushte të konservatorizmit, për artistë që të dalin në ekran e të thonë ‘jam kundër abortit’.

A duhet që artisti të jetë politik?


Qelentano vs Beppe Grillo

Beppe Grillo është një komik, por që ka tronditur Italinë me shfaqjet e tij. Beppe Grillo ka parashikuar kolapsin ekonomik të sistemit kur në Wall Street as e çonin ndër mend. Beppe Grillo, nuk është thjesht një komik, por një artist politik që bërtet të vërtetën aty ku ne nuk e shohim. Ai u tregoi italianëve që kapitalizmi alla ‘Parmalat’ është i destinuar të shembet, duke marrë investime e njerëz me vete.

Metafora artistike rock-e-lento, e adhuruar nga shumë shqiptarë, është një metaforë interesante, por boshe. Është një metaforë që nuk thotë asgjë. Beppe Grillo nuk ka thënë kurrë ‘filani është rock, fistëku është lento’. Beppe Grillo, ka organizuar V-day. Unë besoj që botës i duhen më shumë artistë si Grillo e më pak sharlatanë si Çelentano. I cili, edhe sot e kësaj dite, është kundër abortit. Njësoj si para 50 vitesh.

Artisti mund të jetë politik. Por, një artist që bën moral – dhe kjo ishte kaq evidente në performancën e Çelentanos – është një sharlatan. Sepse, unë di të ruhem nga politikanët. Por, nuk jam mësuar të ruhem edhe nga artistët. Përvoja shqiptare ka treguar që artistët e mirë kanë qenë politikanë mjeranë. Ishin artistë ata që firmosën kundër një greve urie.


Bolitika e pleqve


David Bowie ka vite që nuk bën më videoklipe. Edhe muzikë, bën më të rrallë. Në një intervistë thoshte: “Nuk dua të bëj videoklipe, sepse, nuk dua më të promovohem. Është koha e të rinjve. E reja, e zëvendëson të vjetrën. Më vjen keq, por kështu ecën bota”.

I vetëquajturi “mbreti i injorantëve” - sigurisht një metaforë ku rëndesa qëndron te “mbreti” e jo tek “injorantët” - ka shumë dëshirë të jetë mesia. Si artist por dhe si plak, dëshiron të flasë e të tjerët ta dëgjojnë. Por, kohët kanë ecur, dhe tempi i sotëm është krejt tjetër. Vërtet, në Ariston kishte zëra që bërtisnin bravo. Njerëzit bërtasin këngëtarin, idhullin e rinisë, showman-in ekstravagant të ’80-ës. Bërtasin, edhe ngaqë kujtojnë se ai çoç të zgjuar po thotë. Në kanale si Rai e vjetra është mbret, përderisa paguajnë 350 mijë euro/nata Çelentanon. Por, në këtë moshë, Çelentano nuk provokon më. Bota ka ndryshuar në stil e ide. Prandaj, përkundër atyre që e duartrokisnin në sallë, në rrjetet sociale shfrynin kundër tij.

Sot, askush nuk do më moral.

Apo, ndoshta duam? Mos, nuk njohim formë tjetër arti politik? Apo, aq janë pritshmëritë tona nga artistët? “Sa i madh! Shau Berluskonin!”


Ërtistët e diktaturave


Entuziasmi shqiptar për Çelentanon, më bëri të ndjehem si në kohë diktature, ku edhe një fjalë na afron drejt lirisë. Në ’80-at kur Papa uronte shqip për Pashkë te RAI, ndoshta të 5-tët a të 6-tët - besoj se pas 4-5 urimeve në gjuhët kryesore ai niste e përdorte rendin alfabetik – ne na bëhej zemra mal. Nuk na kanë harruar! Por sot, nuk janë më vitet ’80. Bota vlon nga idetë. Sa vlerë ka sot, një artist që përsërit në skenë diçka që thuhet e shkruhet prej të tërëve?

Nuk janë më vitet ’80, dhe unë nuk mund të gënjehem më me profetë të rremë.

No comments:

Post a Comment