Thursday, July 31, 2014

4 Tartat e Verës: 4. Çfarë vjen pas Rilindjes

Botuar te gazeta Dita, 31 korrik 2014

Dy llojet e njerëzve të këtij vendi
Ka një dallim thelbësor mes nesh, të ashtuquajturve “njerëz normalë” dhe lunatikëve pa emër që flasin me zë të lartë: ne jemi të larë, ata jo. Ne kemi dhe luksin që kur flasim për politikë, dikush na dëgjon, duke pritur rradhën që të thotë të tijën. Por, në thelb, jemi po aq të pafuqishëm si lunatikët. Vetëm flasim.
Ka dy lloj njerëzish në këtë vend, ata që flasin dhe ata që veprojnë. Ata që flasin, do merren me stërhollime online qoftë edhe të këtij shkrimi. Ata që veprojnë, do ta injorojnë e do vazhdojnë të abuzojnë Shqipërinë përmes parave, pushtetit të blerë prej parave, dhe dhunës që rrjedh prej pushtetit. Ne do të vazhdojmë të flasim. Do të na lënë ndonjëherë të flasim, e do na fusin ndonjë dackë nga pas kur e teprojmë. Ndërsa ne flasim në hapësirën virtuale, ata mbretërojnë në botën reale.
Më habit zelli i njerëzve për t’u sharë në blogje mes vetes apo për të sharë “elitat”, ndërkohë që ata që e mbajnë veten për elitë kontrollojnë të patrazuar paratë, pushtetin dhe deri jetët e të tjerëve. Sa shumë njerëz, që mendojnë se dinë më shumë se të tjerët, dhe kanë qejf vetëm të flasin. Ka dhe nga ata që ta japin zgjidhjen në pëllëmbë të dorës: shko, bëj parti, fito zgjedhjet ose ngrihu, lufto, bëj këtë, bëj atë. E vërteta është që në realitet nuk ka asnjë mënyrë më për të marrë pjesë në qeverisjen e këtij vendi, përveçse duke votuar një herë në katër vjet, të pasurit. Ju mendoni se keni votuar Rilindjen. Nuk dua ta di se çfarë mendoni. Më intereson se çfarë ndjeni.

Njësia matëse e Rilindjes
Mund të tentosh ta matësh 300-ditëshin e Rilindjes me nihilizmin e opozitës ose me super-entuziazmin e shifrave të qeverisë. Të dyja, janë në funksion të propagandës së palëve.
Mënyra tjetër për të matur 300 ditëshin, është e thjeshtë. Ajo vjen nga stomaku. Është ai zëri i brendshëm që nuk të lë të pranosh propagandën e shifrave. Është një zë i pa-artikuluar mirë, që, po të mundej, do të thoshte: unë doja që të ndryshonte sistemi. E pra, sistemi nuk ka ndryshuar. Vetëm janë ndërruar ca njerëz me të tjerë. Stomaku më thotë që asgjë substanciale nuk ka ndryshuar. As mënyra sesi përdoret pushteti, as sesi të pasurit i qasen pushtetit, as mënyra si po ndërtohen reformat. Nuk ka asnjë shenjë që oligarkia do të thyhet në mes për të hapur rrugën e një demokracie konkrete. Oligarkia është aty, e gjithëpranishme. Me krejt makinerinë e vet.

Oligarkia provinciale dhe shanset e demokracisë
Politikanët e të tërë krahëve, mediat dhe sistemi i drejtësisë, janë mënyra sesi oligarkët përdorin pushtetin. Atë çfarë oligarkët tanë e mungojnë në dije të mirëfillta qoftë dhe ekonomike, e kompensojnë me instinkt dhe me agresivitet provincial. Keni dëgjuar besoj sesi biznesi i dikujt merret me dhunë nga ca të tjerë? Këtu, mund të bëhej një listë e gjatë shembujsh.
Por, për të mbetur në temën e shpresës që disa patën te Rilindja, oligarkia jo vetëm nuk ka për t’u luftuar, por mua më duket se po konsolidohet. Unë shoh një menaxhim të pushtetit që po shkon drejt atij të stilit putinian. Ndryshimi i madh është që oligarkia putineske u ndërtua mbi pasuritë kombëtare. Këtu te ne, ku pasuritë kombëtare tashmë kanë shterruar, paraja në shërbim të të pasurve do nxirret nga dhjami i kategorisë së parë qytetare, i atyre që përleshen online.
Janë kohë të vështira për gjtihë botën. Globalizmi, shumëkombëshet, politikanët e shirur dhe manipulimi i mendjeve përmes propagandës janë probleme të gjithë globit. I vetmi ndryshim yni, është që nuk kemi as edhe një mekanizëm mbrojtës.
Shanset e demokracisë reale ndaj oligarkisë duken të pamundshme.
“Nuk kam frikë nga ligësia e të ligjve por nga heshtja e të ndershëmve”, thoshte Martin Luter King. Po e citoj Kingun jo vetëm se ka shumë njerëz të ndershëm që kanë zgjedhur kompromisin e heshtjes, por dhe se Kingu ishte një burrë. Një burrë që ne nuk e kemi.

Një burrë
Martin L. King ishte thjesht një burrë. Për fatin e atyre që e patën si lider, ishte një burrë shteti. Ishte një njeri që transformoi një shtet të tërë. Njerëz si ai, të bindin që është e mundur të thyhet edhe sistemi më i konsoliduar i shtypjes. Sa herë them togfjalëshin “një burrë” më vjen ndër mend libri i Oriana Fallacit. As një burrë si ai, nuk e kemi. Një burrë, që mos të mendojë për veten, por për të tjerët. Një burrë që nuk kërkon një punë si Kryeministër.
Por, këtë burrë nuk mund ta kemi. Thjesht, ai do ca kohë që të bëhet. Hidhni sytë te filizat e rinj, dhe më thoni a shihni gjë burrë aty, mes tyre?

Retro
Rilindja jonë e vërtetë, ajo e vjetra, u bë me burra. Rilindja e para një viti, në të vërtetë nuk ofronte asgjë prej “rilindjeje”. Ishte thjesht një mjet efikas propagande për të marrë pushtetin. Le të themi që nuk ka asgjë të keqe të duash të marrësh pushtetin. Por mua nuk më intereson se si preferon të vetë-quhet një grup njerëzisht që kërkon një emër fancy për punën e vet të re. Mua më intereson të di se çfarë duhet të bëjnë ata njerëz për të cilët nuk mendon askush. Që shpesh, janë aq të shplarë nga propaganda sa me duart e tyre ndihmojnë të mbahet në këmbë një sistem që i shtyp.
Çfarë duhet të vijë pas shpresës së shkurtër të Rilindjes? Sigurisht, jo opozita. Ajo është shpresë e djegur në Gërdec dhe e vrarë më 21 janar.

Iluminizmi
Në një kohë që cilësia e jetës është shkatërruar, qytetet janë vende stresi, dhuna dhe abuzimi karakterizojnë shumicën e marrëdhënieve njerëzore, një fakt, ka shumë rëndësi: që jemi vetëm. Ky fakt, i jep fund shpresave të rreme te ky establishment politik dhe ekonomik. Te pozita dhe te opozita. Në këto kushte, as një Ri-rilindje nuk do të bënte punë. Nuk është puna thjesht “ta dish”, duhet dhe ta “ndash mendjen” që është kështu. Pas kësaj, do të jeni më të qetë dhe më të hapur për të ndërtuar diçka krejt të re.
E vërteta është që pas kësaj, duhet nisur nga zero. Si atëherë, kur u nis të bëhej shoqëria shqiptare. Nga vitet tona ’20-30′, koha e idealistëve. Nga thënia e së vërtetës me zë të lartë. Edhe pse gjëja e parë që do të bëjnë është të të asociojnë dhe me lunatikët që thonë të vërtetat e tyre rrugëve.
Duhet ta nisim nga iluminizmi.

Wednesday, July 30, 2014

4 Tartat e verës: 3. Funerali i Tiranës

botuar te Dita, 30 korrik 2014

Të marrë pa emër
Ka pasë qenë një kohë që të marrët e qytetit kishin të gjithë emër, që nga Gëzim Kulufi te Ver Llapa, apo Tak Budallai. Sot, rrugët janë plot me të marrë të rinj, njerëz që ndjekin hënën në mes të ditës me monologje të gjata, por ne nuk njohim asnjërin prej tyre. Qytetet, janë pasqyra e atyre që i kanë ndërtuar e jetojnë në ta. Tirana, në këtë aspekt është një qytet i pajetueshëm. Nëse keni dyshime, ju ftoj të shihni sesi ata që ndërtuan goxillën prej betoni të tranzicionit po largohen me vrap për ët blerë shtëpi në periferinë-fshat.

Të pasurit po ikin nga Tirana
Sot, kushdo që ka bërë para, përfshi vetë ndërtuesit po nxitojnë të blejnë shtëpi në rezidencat jashtë qytetit. Bashkë me ta, politikanë e gazetarë. Nëse Tirana do të ishte një qytet i jetueshëm, do të ishin duke bërë garë për të blerë apartamente në qendër. Por jo. Madje, njoh njerëz që po shesin rezidencat në periferi të Tiranës – deri dje vende shumë të shtrenjta e të preferuara – për të ikur akoma më larg, atje ku janë resortet luksoze me pak fshat artificial afër. Nuk është çështja që po ikin, por pse po ikin.
Nëse më parë bëhej garë se kush të vinte, madje sa më në Qendër, tani ka nisur shfryrja në krah të kundërt. Pasi e shkatërruan qytetin e sidomos pjesët e qendrës (vendet më të jetueshme tani janë Kombinati e Lapraka, për sa i përket dendësisë, rregullsisë dhe shërbimeve) me kulla të larta të ngritura nëpër lulishtet, fushat e sportit e trotuaret e dikurshme, tani po ikin.
Arsyeja e parë pse po ikin, është që Tirana është një qytet stresant. Pasi ndërtuan – politikanë e biznesmenë bashkë – një qytet ku për të mbaruar çfarëdo pune duhet të kesh me makinë, por ku dendësia është e tillë që edhe sikur të parkonim si krevat marinari prapë vendet e parkimit nuk do të mjaftonin, vendosën të na lënë neve këtu brenda makthit që ndërtuan vetë, e të ikin. Dikur nga qendra në Porcelan mund ta bëje për 10 minuta me biçikletë. Tani duhet gjysëm ore me makinë.
Duhet të shkosh në aeroport për të kuptuar se çfarë ajri thith në Tiranë. Dikur, uji i çesmës ishte i pijshëm, sot, pihet vetëm ujë shishesh. Tani po shesin ajrin e pastër të periferisë.
Këtë qytet të pistë, me super trafik e ajër të ndotur, ua shitën atyre që nuk merrnin vesh nga qyteti por që kishin ca para kesh në gjendje. Dhe kishin parë Tiranën në ëndërr.

Anti-qyteti
Keni dëgjuar për Mostrën e Don Boskos? Me siguri nuk ekziston dhe është thjesht një legjendë urbane. Por, është kaq e besueshme që Dom Bosko të pjellë mostra, sa për të marrë një shembull. Fëmijët në pallatet e Dom Boskos nuk dinë ç'është bari, dinë vetëm çimenton. Komshinjtë e tu janë ata që pështyjnë në ashensor, ulërasin nëpër shkallë, shkundin tapetet nga ballkoni sipër teje. Mund t'ju tregoj një lokal në Dom Bosko çadrat e të cilit janë me pika të djegura. Dom Bosko është pjesë e qytetit, por nuk mban erë qytet. Mban vetëm era spital e djersë. Dëgjohen vetëm buri dhe sirena. Merret vesh me britma ose të shtëna.
Anti-qytetarët janë ata që banojnë tashmë qytetet. “Çunat e Tironës” po ikin tashmë nga “Tirona”.

Miti i “çunit të Tironës”
Fraza “çun Tirone” e përdorur pa kujdes nga Kryeministri para do javësh me rastin e një vrasjeje të bujshme është më se e kualifikueshme si racizëm (të paktën në gojën e Kryeministrit). Do ta kaloja frazën me një miratim të heshur nëse ata që mund të klasifikohen si “çuna Tirone” të kishin bërë diçka për “Tironën”. Në fakt, ata morën pjesë aktive në shkatërrimin e tij. Në funksion të bërjes së parave, çbënë Tiranën. Tani, po ikin për të jetuar në një vend që është e kundërta e këtij që ndërtuan: dendësi e vogël, ajër i pastër, qarkullim i kufizuar makinash. Normal, të marrët nuk do lejohet të qarkullojnë. Kam bindjen që në rezidencat e veçuara do të lejohen vetëm të marrë autoktonë.
Është kohë plazhi, dhe e di që mezi prisni të relaksoheni. Por, monstra prej betoni, smogu e uji në shishe, ju pret aty kur të ktheheni. Përveçse nuk bindeni që jeni ju që jetoni aty që duhet të bëni diçka. Burrelsa, tepelenas, beratas, kuksianë e sarandiotë. Të bëni diçka për Tironën, që e shkatërruan sidomos çunat e Tironës me pushtet e pare.
Vijon...

Thursday, July 24, 2014

4 Tartat e verës: 2. Nuk janë të lumtur...

botuar te Dita, 24 korrik 2014

Biseda në rrugë

Të marrët që qarkullojnë në rrugët e qytetit kanë disa lloj temash të preferuara që i përsërisin deri në kufijtë e acarimit. Flasin kryesisht për politikë, flasin për lajmin e ditës ose flasin për njerëz imagjinarë. Por nuk flasin kurrë për para.
Një copë rrugë në këmbë në një vend të populluar, për shembull nga liqeni, ju jep mundësinë të dëgjoni copa bisedash njerëzish të panjohur. Flasin vetëm për para. Çdo bisedë, në këtë qytet, në këtë vend bëhet për, ose rreth parave.Mjafton të kapësh me vesh një bisedë të rinjsh çfarëdo në një bar, flasin vetëm se sa kushton kjo apo ajo, sa e kanë blerë këtë apo atë, sa lek ka babai i këtij apo atij. Këta janë pasqyra e së ardhmes, sa para ka, kush i ka, e si t’i rrimë afër.
Nuk kam gjë me ata që kanë para. Kam një problem me një sistem që funksionon vetëm me para. Nuk po gjykoj të pasurit, sepse të jesh i pasur nuk është faj. Nuk është as ndonjë meritë speciale, por nuk është faj. Por duhet të gjykojmë një sistem ku të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur e të varfrit gjithnjë e më të varfër, sepse të pasurit po e ndërtojnë për veten e tyre.

Sistemi i të pasurve

Arsyeja pse paraja është bërë kaq e rëndësishme është se kemi ngritur një sistem ku i vetmi kriter vlerësimi është paraja dhe i vetmi mjet për të arritur qëllimet është leku. Në fakt, nuk e kemi ngritur, e kanë ngritur të tjerët, ne kemi qenë thjesht indiferentë ose kemi marrë pjesë meqë “kështu është” e “kështu bëjnë të gjithë”.
Për të pasur sukses me femrat, meshkujve nuk u nevojitet të jenë sharmantë, mjafton të kenë para. Për të bërë qejf, nuk mjafton të jesh kreativ, mjafton të paguash për të qenë prezent në vendin më të shtrenjtë, pub a plazh. Për t’u zgjedhur, nuk ka rëndësi se çfarë programi ke e çfarë do realizosh, mjafton të blesh votat. Për t’u arsimuar mjafton ta blesh diplomën. Ke vrarë? Nëse paguan, nuk ke vrarë, nëse nuk ke të paguash do kalbesh në burg.
Paraja zëvendëson dijen, dashurinë, diplomën, profesionalizmin, inteligjencën, çdo gjë që nevojitet për t’u vetërealizuar në jetë. Njeriu me para ka shtënë në dorë drejtësinë, postet, votat, arsimimin, shëndetin. Njeriu me para ka në dorë integritetin e atyre që nuk kanë.
Jetojmë në një sistem ku duhet të jesh i pasur për të pasur akses në sistem. Kjo ka bërë që edhe ata që nuk janë biznesmenë të gjejnë mënyrat për të bërë para. Sot. Brenda natës. Ndryshe, nuk na quhet që jetojmë. Pyetjeve se nga dalin ato para, çfarë dhunojnë e çfarë shkelin, çfarë shesin e si e shesin, mund t’i jepni përgjigje edhe vetë.
Por, pyetja është, a janë të lumtur.

Lumturia, përmes pasurisë

Të pasurit që njoh unë, drejtpërdrejt ose përmes të tretësh, janë të stresuar vazhdimisht, ruhen me truproja dhe lumturia e tyre më e madhe është të ekspozojnë pasurinë që kanë: makina, femra të reja, pushime të shtrenjta, shtëpi luksi. Ma do mendja që zilia e atyre që kanë më pak i qetëson. Metra katrorë që nuk dinë si t’i shfrytëzojnë. Pishina private ku nuk lahen kurrë. Që nuk kanë ç’u duhen.
Është verë, dhe paratë, makinat e resortet uksoze hyjnë në punë. Do kisha dashur që të kishit marrë me vete librin “Manifest për Lumturinë” të Stefano Bartolinit. Por, ju e dini si e ka vera, s’ka kohë për libra. Pjesën tjetër të kohës vetëm punojmë për të bërë para. Me shpresë që paraja do sjellë edhe gëzimin e lumturinë. Premisa e vetërealizimit është “Nëqoftë se bëj para sa ka bërë filani do të jem mirë”
Në bisedat e përditshme lejmotivi kryesor është pyetja “sa para ka/ka bërë bërë filani”. Do ishte mirë të pyesnim, “a është i lumtur”. Por kjo është një pyetje që nuk e kemi primare as për veten tonë. Përgjigja do të na trembte. Derisa kuptojmë një ditë që stresi na ka konsumuar dhe e vetmja gjë që kemi bërë ka qenë gjetja e mënyrave për të bërë para. Sepse, të mos kesh para është fatkeqësi e madhe në këtë vend.

Rrathët e parambledhësve

Do isha kurioz të dija a është i lumtur Kryeministri. Dhe a mendon se njerëzit e këtij vendi janë të lumtur. Këtu nuk e kam fjalën për ata biznesmenë që vuajtën me të në opozitë e tani u takon të jenë të lumtur, domethënë të rekuperojnë paratë. E kam fjalën, për ata njerëz hallet e të cilëve nuk mbërrijnë tek ai, ose dhe në mbrritshin mbërrijnë në mënyrë virtuale. Ndërmjet Kryeministrit e jush janë disa rrathë të pakalueshëm, rrathët e atyre që janë sulur të bëjnë para. Prioritetet e rrathëve të interesit që rrethojnë pushtetin kanë vetëm një fokus: paranë. Edhe politikat shtetërore kanë këtë synim, si të orientojnë rrjedhën e parasë. Ku lundërtarët, e dini se kush janë. Hapni lajmet.

Skema lumturie në vend të skemave të kafshatës

Të jesh i varfër në shoqërinë tonë të kamjes është sinonimi i së keqes më të madhe, thotë Bartolini. Është si sëmundje. Cinizmi i një nisme si “skema e kafshatës” dikur, është vrasës. Pasi kanë ndërtuar një sistem ku i vdesin njerëzit deri edhe për bukë e u marrin dinjitetin, u hedhin edhe kafshata, si qenve.
Nuk kemi për të dëgjuar kurrë një fjalim, e larg qoftë një program, ku një Kryeministër të ketë vizionin e lumturisë të shtetasve. Një vizion, sesi të kalohet nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqenies*. Ky nuk është një prioritet. Maksimumi që mund të bëjë për ju është t’ju lërë të afroheni pranë kanalit të parave. Të tjerat, rregullojini vetë.
Një Kryeministër nuk sheh dot më larg se rrethi i parë rreth vetes. Rrethi i atyre që u rritën me një dhomë e një kuzhinë, e tani jetojnë në vila me dhjetëra dhoma. Nga të cilat, për shkak të varfërisë së ideve, përdorin prapë vetëm një dhomë. Dhe kuzhinën.

Wednesday, July 23, 2014

4 Tartat e Verës: 1. Jeni vetëm

Botuar në Gazetën Dita, 23 korrik 2014

Pasanikë dhe të marrë

Vazhdimisht shoh një njeri që flet me vete me zë të lartë rrugëve të Tiranës. Një, që nuk e kisha parë më parë. Janë dy kategori që shtohen me shpejtësi në kohë krizash, të pasurit brenda natës dhe ata që dalin mendsh. Ky i fundit, bërtiste me të madhe si të ishte duke dhënë një edicion lajmesh. “Çfarë përshypjesh keni për Lazaratin” pyeste veten. Dhe, po vetë përgjigjej. M’u duk një metaforë e qëlluar për gjendjen e Shqipërisë. Dhe për gazetarinë e Shqipërisë. Dhe për propagandën e Shqipërisë, merreni si të doni.
Prej kohësh, më duket vetja që edhe shkrimet e mia janë si muhabeti i këtij të marrit. Britma nëpër rrugë ku nuk dëgjon njeri. Për më tepër, edhe pse nuk na kanë lënë shumë  mundësi se çfarë të mund të bëjmë për këtë vend, veçse të flasim me vete. Nganjëherë, na i botojnë dhe në gazetë.
Kam nja 4 fjalime verore për të bërë. I pari është një rezyme e 300 ditëve.

300 ditët, por jo 300 spartanët
300 ditët e qeverisë së re u kryen, por sigurisht jo në mënyrë spartane. Nuk më duket që ndokush të ketë vuajtur në qeverinë e re, përveçse stresit të krijuar nga publikimi herë pas here i emrave të të sapo-punësuarve (me ngut) me precedentë penalë.
Qeveria para-ardhëse la pas një sistem të gatshëm për të vjedhur e abuzuar dhe një praktikë klienteliste me grepat gati për peshkim. Shpresa, ndoshta dhe e fundit ishte që “këta” që vijnë do e shpërbënin atë sistem dhe do këpusnin fijet e gatshme të klientelizmit. Kontaktet në terren në çdo rast do ju japin histori që tregojnë se si “këta”, po e bëjnë si “ata”. Njësoj. Fare njësoj.
Krejt sistemi është kthyer në shërbim e në funksionim të atij që ka shumë para. Sistemi zgjedhor, drejtësia, media, legjislativi, administrata. Çdo gjë. Të gjitha sistemet punojnë vetëm për të pasurit.
Kjo do të thotë që përfundimisht, askush, nuk ka në plan të punojë për juve. ASKUSH.

Jeni vetëm
Kjo është shumë e rëndësishme. Të dish që je vetëm. As media, as opozita e as brezi i ri qeverisës nuk janë me ju. Ju kanë lënë vetëm. Heronjtë e djeshëm jnaë kthyer në sekserët e sotëm. Por, këtë nuk jua japin në lajme.
Nga të gjitha kauzat e mëdha të 300 ditëve, opozita merret me ato që “nuk i prishin punë”. Nuk flet asnjë fjalë për draftin e ri arsimor (të pregatitur nga privatët) e as për pensionet e as për monopolet e as për asgjë. Bën zhurmë për të dëmtuar qeverinë, por nuk ka kauza qytetare për të fituar. Opozita lufton për privilegjet e humbura.
Sa për mediat, mjafton t’jua bëjnë transparencën e pasurive të gazetarëve me emër (që s’ka kush t’jua bëjë publikisht) për të kuptuar që nuk ka pse interesat tuaja t’i mbrojnë njerëz që kanë nga 2-3 vila në resortet më luksoze. Media i shërbejnë të pasurve, jo juve.
Nëse kishit shpresë te Rilindja, mjafton të shihni nga dalin kur nisen për në punë rilindësit, dhe me çfarë makinash ikin në plazh. Brenda 300 ditësh, arritja e tyre më e madhe ishte të merrnin shtëpinë e parë në një rezidencë luksoze. Janë djem e vajza të reja që jepnin shpresë se mund të sillen ndryshe.
Kur pata pyetur një doganier të vjetër se si është e mundur që kushdo, edhe njerëz me integritet nuk i rezistojnë dot parasë, m’u pat përgjigjur: “Kur vjen dikush e të fut një zarf në xhep është e pamundur t’i thuash jo. Madje, të mbushet mendja se i ke merituar, se ke të drejtë t’i marrësh ato para”. E pra, duket se pak kush i ka rezistuar atij zarfit në 300 ditë (aty ku ka zarfe). Pas 4 vjetësh, do u duket dhe se i kanë merituar.

Ç’do të thotë “Të jesh vetëm”
Është verë, dhe ju shkohet në plazh. Normal, jeta vazhdon, pavarësisht trishtimit shoqëror. Vetëm një gjë është mirë të mos e harroni: jeni vetëm. Nuk ka nevojë të tregoj se kujt i drejtohem. Ju e dini vetë. Të jesh vetëm nuk është një lajm i mirë, por, të bën mirë.
Jeni vetëm, pa median, pa opozitën, pa brezin e ri të politikës. Jeni, fare vetëm. Në momentin që njeriu e kupton këtë e kap trishtimi, por është më mirë se shpresat e rreme. Është mirë të dish kush është vërtet me ty e kush jo. Në momentin që je vetëm, do të duhet të bësh luftën tënde, i vetëm. Prandaj, sa më parë që ta kuptoni, aq më mirë do të jetë.
Jeni vetëm.