Sunday, October 13, 2013

KOZMIKOMIKET: Ndërrimi i pushtetit në kushtet e fantashkencës

botuar në Revistën Klan, e shtunë 5 tetor 2013


"Mos lëviz, të lutem" nga Hayv Kahraman



................................................................
8 vitet e PD-së në pushtet duket sikur kanë qenë 20. Gati, e kemi harruar që bëmë një pitstop 8-vjeçar me Metën e Nanon. Është dhe ai 3-vjeçari i parë, aq i varfër, por ndoshta më i bukuri i tranzicionit. Na duket sikur PD ka qenë në pushtet përgjithmonë, edhe prej gjurmëve që ka lënë në ekonomi, në diskursin politik, cenet historike, marrëdhëniet me pushtetet. Kjo, përzierë me një frikë se ““Ai” nuk e lëshon pushtetin pa dhunë”. Nuk do e dimë kurrë se sa e bazuar ka qenë ajo frikë. Si njeriu që kalon buzë humnerës nëpër natë. Dhe ja ku jemi, matanë natës. Dhe nuk dimë ç’të bëjmë. T’ia pranojmë të gjitha opozitës së re? Ta sulmojmë si më parë ish-pozitën? Befas, jemi gjetur para një fakti që mund të na dukje një fanta-shkencë. Ka ndërrim pushteti.

Rregullat e reja të fantashkencës
Të parët që duhet të ndërrojnë diskursin politik janë opinionistët. Ky është një realitet tjetër. Rama nuk është më “Rama”. Është Kryeministri. Berisha nuk është më “Berisha”. Nuk e dimë akoma ekzaktësisht se çfarë është, sepse ajo çfarë ai është, përcaktohet nga maxhoranca, nga të vetët në parti, dhe nga mediat. Duket se të gjithë e kanë të vështirë ta “shfuqizojnë” si figurë politike. (Edhe pse, demokracitë perëndimore mund të rrudhnin vetullat për këtë rast).
Por nuk është çështja vetëm se ku pozicionohet Berisha. Krejt diskursi politik duhet të bëhet me forma të reja, në përshtatje me kushtet e reja politike. Të parët që duhet të ndryshojnë janë opinionistët dhe gazetarët e pozicionuar në të djathtë.

Shkrimtarët e fantashkencës
Nuk mund të mos vë re valën e paragjykimeve ndaj individëve që imponohen në media si opinionistë, qofshin këta edhe gazetarë. Blogosfera gëlon nga njerëz që mjafton të lexojnë emrin e filanit, dhe t’i bëjnë një koment çarçaf mbi jetën e tij, familjen e tij, zakonet e tij, dhe lloj-lloj epitetesh qesharake e fyese, edhe pa e lexuar çfarë ka thënë.
Gur të madh në kurriz kanë opinionistët e gazetarët e djathtë. E para, ngaqë prej vitesh mbrojnë një kauzë thuajse të humbur, dhe e mbronin shpesh pa argument të qendrueshëm, në mënyrë jo inteligjente, e me dhunë verbale. E dyta, se janë “të djathtë” jo ngaqë kanë ndonjë filozofi politike të djathtë, por, se “kur i shpërndau, ranë djathtas”.
Problemi i madh i një pjese të tyre është që janë djathtas për inat të Ramës. Në një vend kaq të vogël sa yni, mundësia që të përplasesh në person dhe për çështje vetiake me këdo është e madhe. Shumë prej tyre janë përplasur diku, dikur me Ramën, dhe nuk ia harrojnë akoma. Për ta, Rama është ai, që u bëri atë gjënë, atëherë. Mund dhe të kenë të drejtë. Nuk e përjashtoj mundësinë që atë që i bën një njeriu të vetëm tia bësh dhe një kombi, por, mbetet gjithsesi subjektive.
E njëjta gjë ndodh majtas, me njerëz të përplasur në kohë të ndryshme me Berishën. Më saktë, Berisha është përplasur me ta në kohë të ndryshme. Këta ose ikën jashtë e rinisën jetën në emigracion, ose nuk ia harruan kurrë e vazhdojnë ti dalin kundër. E vetmja mënyrë të shpëtosh pa mbartur maraz është të jesh si Enveri. Të “përplaseshe” dikur me Enverin nuk dilje gjallë. “Shkëmb graniti” nuk qe metaforë e pagjetur. Pra, luftë parimore mbi koncepte të lirisë së majtë ose lirisë të djathtë, çfarëdo që termat liri “e majtë” a e “e djathtë” të nënkuptojnë për artikuluesit tanë, mendoj se ka shumë pak.
Janë dhe ata që hanë o djathtas o majtas, dhe thjesht lehin për të mbrojtur pjatën ku hanë.
Interesi i madh publik qendron mbi këta që e quajnë veten “djathtas”. Nëse nuk kaluan majtas me pushtetin e ri, do thotë që kanë arsye të mjaftueshme për të mbetur me partinë e vjetër. Arsyet më interesojnë. Më intereson, si do i mbrojnë këta interesat e opozitës, dhe për rrjedhojë edhe të popullit nga maxhoranca.

Duhet nisur një roman i ri fantastikoshkencor politik
Gabimi i parë i madh i tyre është që sulmojnë Ramën nga pozitat e vjetra. Ramën në opozitë mund ta sulmoje dhe si Ramë. Tani, i duhet bërë oponencë serioze si Kryeminsitër. Ky që kemi përballë është kryeministri. Nuk është më ai, që u bëri atë gjënë, atëherë. Vërej që marazet individuale i heqin vlerën çdo argumenti të tyre. Problemi tejtër i tyre është “lufta frontale”. Po e sulmojnë Ramën për çdo gjë. Për çdo status në Facebook. Për çdo foto. Për çdo emërim. Mua më duket strategji e gabuar. Shoh në artikulimin e tyre ndonjë argument që qendron, por ata e mbysin me totalitetin e “luftës”, e mbysin me sasinë e argumenteve të tjera qesharake e foshnjarake.
Në rast se vjen me frymëzim nga Berisha (më vështirë nga Basha), më duhet tu them që kanë zgjedhur një strateg që e provoi veten humbës para nja 2-3 muajsh. Gazetarët e PD-së duhet të kenë argumentin e vet, jo ato të PD-së. Kryetari i partisë, duhet të bëjë opozitë tjetër nga gazetarët pranë partisë. Në rast se nuk është strategji, por secili po bën “luftën e vet”, mendoj se po harxhojnë frymë e municion kot. Dikush duhet t’u thotë që edhe Napoleoni mblidhte forcat pas një humbjeje, e nuk nisej direkt për luftë frontale. Jo më PD-ja!
Kam frikë se po bërtasin fort që në ditën e javën e parë të qeverisë së re, sepse këtë filozofi u kanë përcjellë. Mbase u kanë thënë, “t’ia bëjmë jetën ferr që mos e mbajë më shumë se një mandat”. Nëse është kështu, besoj se nuk do u funksionojë. Ne nga ferri po vijmë. Por, më e keqja, do të thotë se ata nuk duan që Shqipëria të qeveriset. Gazetarët e opinionistët e djathtë do duhej të ndihmonin për t’i treguar Ramës ku po qeveris keq. Nëse kanë për qëllim vetëm ta pengojnë të qeverisë, atëherë janë armiq të këtij kombi, dhe shërbëtorë të këqinj diku tjetër.
Nganjëherë, dyshoj se nuk e bëjnë me qëllim. Thjesht, ashtu e kuptojnë punën e tyre. T’i shërbejnë dikujt të marrë pushtetin. Ata që duan të marrin pushtetin kanë probleme dhe më të mëdha.

Fantashkenca e spektatorit të rradhës së parë
Opozita, më duket mua, po tenton të marrë pushtetin me të njëjtat forma që tentoi ta mbante pushtetin. Të njëjtët argumente. Mero Baze shkruante pak ditë më parë se opozita ka dy probleme: “E para, që i shpik faktet, dhe e dyta, që i vendos shpikjet në gojë të Berishës.” Në një masë të madhe kjo është e vërtetë.
Por, unë do shtoja që kur këto “argumente” apo kjo lloj forme e luftës politike nuk i mbajtën në pushtet, dhe vështirë t’i risjellin në pushtet.
Britma që opozita u vodhi votat, është një kalë i ngordhur që nuk e çon minorancën asgjëkundi. As që “i bleu votat”. As “etërit” e “bllokmenët”. Zhurma, çirrjet, britmat, akuzat nominale, nuk do i japin asgjë. Duhet të ndërtojnë urgjent një strategji tjetër. Fjalor tjetër. Nuk mund të çirret opozita për çdo emër të emëruar nga Rama. Siç shkruan Baze: “Bile duket sikur edhe Endri Puka nuk është vartës i Koços kur e thotë Berisha”. Nuk mund të sulmosh me të njëjtin zell z. Puka si znj. Harito. Duhet diskriminim në argumente, dhe kauza të mbështetura. Nuk mund të luftohet për perdet njësoj si për administratën. Nuk është koha e as mundësitë e as argumentet për luftë totale.
Kjo do ishte në të mirë të Shqipërisë. Nëse, dikush në PD, e konsideron ende opozitën si vlerë të Shqipërisë e jo të një grupi klanor.

Fantashkenca mediatike
Mjetet mediatike do duhej të ndërrojnë qendrim. Po këtu, përtoj të flas. Është çështje biznesi, trafik influence e ndoshta dhe paresh të pista. S’ia vlen të vrasim pemët.

Pak për fantashkencën e majtë
Batuta aq cinike që “anti-berishistët” do të ngelen tani pa punë, ka brenda një dozë të madhe të vërtete. Për ato që thashë më sipër, duhet që tashmë, gazetarët e majtë të merren gjerësisht me opozitën, por në mënyrë konstruktive. Por jo me Berishën si individ. Pa dashur të fyej me krahasimin, por PD do të sillet si një qen i rrahur, që i vënë pas murit do të të hidhet në fyt. Jepini mundësi të lëpijë plagët. Por, pa e hequr shkopin nga dora. Fundja, edhe kjo kafshë e plagosur, është e jona si shoqëri.
Sa për shkopin, do na duhet ta mbajmë gjatë në dorë.

Monday, September 30, 2013

KOZMIKOMIKET: Miza dhe Elefanti

botuar te Revista Klan, 21 shtator 2013


Omar Hamdi Malva - Aventura e Madhe (piktor sirian)
..........................................................
Ajo që po ndodh në Siri duket komplekse. Është një luftë civile? Është një luftë fetare? Apo është një luftë për liri? Ish-Kryeministri dhe Kryeministri i ri, nxituan të nxjerrin kordhën për luftë ndaj Assadit, duke na bërë të dukemi si ajo miza në kurriz të elefantit, që lëshon klithma lufte dhe më të forta se të tij. Një gazetë konservatore amerikane (Washington Times, në mos gaboj) kish bërë dhe ironi me aleatët e sulmit ndaj Sirisë (Shqipëria, Letonia, Maroku...). Por, më e rëndësishme se figura jonë luftëtare është pyetja, nëse ne do hynim në luftë kundër Assadit, do ndërhynim në një luftë fetare? Apo në një luftë civile? Apo (sa cinike për një vend parademokratik si i yni) do ndihmonim dikë të fitonte lirinë?
Kjo, ka shumë të bëjë me moralin politik (dhe jo vetëm) të një qeverie. Por, është dhe një stampë që do na duhet ta mbajmë të gjithë si komb. Ushtarët tanë në Afganistan rrëfejnë se nuk i “nget” njeri, sepse atje është perceptimi se jemi komb mysliman, si ata. Për kësi shtampash po flas. Edhe për Sirinë, është e vështirë të gjejmë pozicionin tonë të qartë, sepse në politikën botërore ne lundrojmë pa mjete. Jemi, si me thënë, marinarë pa tejqyrë.

Dylbia me të cilën shohim botën
Si Perëndimi edhe vendet arabe janë ndarë më dysh, pro e kundër Assad-it, jo dhe aq për parime, sa për interesat e ndërthurrura. Nga ana tjetër, informacioni vjen përmes filtrave të copëzuar. Aq më tepër në vende si ky i yni ku informacioni vjen kryesisht prej kanaleve të huaja të informimit, pra, prej perëndimit. The Economist, në numrin e vet të radhës pas helmimit të qindra civilëve me gaz sarin hapej me titullin: “Hit Him Hard”, mbi foton ku portreti i Assadit shkrihej me një foto të viktimave, duke e shndërruar në një portret-përbindësh.
Ne jemi të varur nga media perëndimore, jo vetëm se më të kënduarit ndër gazetarë mezi dinë italisht e larg qoftë pak anglisht, por edhe se ende jemi në kërkim të një identiteti mediatik (jo se po kërkon vërtet njeri) dhe për momentin (dmth, për këto 23vjet) mjaftohemi thjesht me një imitim të vobektë e satelit të perëndimit. Vë bast që (thuajse) asnjë prej jush nuk ka lexuar opinionin e një analisti iranian mbi çështjen siriane. As unë.
Der Spiegel arsyetonte se rreshtimi i Putinit me Assadin nuk ka të bëjë me preferencë diktatoriale, por me një gjeopolitikë precize - ai ka frikë se rënia e Assadit do të fuqizojë xhihadin dhe Al Kaedën. Megjithatë moderatorët tanë vazhdojnë e flasin për një regjim diktatorial të Assadit. A është më regjimi regjim? Dhe kush po lufton në Siri? Dhe, pyetja djegëse për një komb bastexhinjsh, me kë duhet të jemi?

A ka më “regjim” në një luftë civile?
Nëse ajo që ndodh në Siri është një luftë civile, atëherë, regjimi ka pushuar së qeni regjim. Ai ishte i tillë deri në momentin kur ajo që (mbase) ishte luftë për liri u shndërrua në luftë asgjësuese të ndërsjellë, kur protestat kundër diktatorit u transformuan në grupe të armatosura që ekzekutojnë njerëz, kur civilëve të paepur të Aleppos ua zunë vendin njësitet xhihadiste. Media vazhdon t’i referohet si regjim dhe kjo krijon shumë konfuzion te publiku shqiptar por dhe te kryeministrat e tij. Fakti që regjimi nuk është më regjim, as nuk e justifikon e as do të thotë që Assadi nuk është një diktator.

Një Diktator
Edhe pa njohur balancat politike brenda atij vendi, vetëm ideja e një presidence të trashëgueshme dhe jetëgjatësia në krye të vendit mjaftojnë për të identifikuar një diktator. Ai është i tillë. I tillë ishte dhe Gedaffi. Pranverat arabe të njëpasnjëshme më kanë entuziazmuar pa masë. Kam besuar që revolucioni nuk ka vdekur. Por, vjeshta erdhi shumë shpejt për secilën. Rasti më cinik është Libia, që kaq vjet pas Gedaffit nuk duket më mirë. Dhe lind pyetja, pse luftuan? Pse deshëm me shpirt ekzekutimin e Gedaffit? A janë arabët të pregatitur për atë që vjen pas diktaturës? Jo rrallë, vijnë neo-diktatura. Gjithmonë, në emër të popullit.

Në emër të popullit
Kryeministri i vjetër dhe ai i ri, nxituan të flasin për një diktator që vret popullin e tij. Cilin popull? Dhe me kë është “populli”? Për të kuptuar “popullin”, mund të bëjmë një ushtrim imagjinate. Imagjinoni popullin tonë. Një milion votuan opozitën, 500 mijë votuan pozitën. Nëse, pozita e vjetër do vendoste ta mbante pushtetin me forcë (dhe në vendet parademokratike nuk është fenomen i pangjarë) do të kishim një “luftë civile”. Me aq sa e njoh “popullin”, nuk do habitesha që kjo gjysma e milionit të mbështeste pozitën në luftën kundër atij milionëshit. S’jua merr mendja? Rikujtoni reagimet për 21 janarin. Sa njerëz thoshin “mirë ua bënë”? Rikujtoni grevën e urisë së opozitës së vjetër. Sa vetë dolën kundër, me firma, me zë e me banderola. Rikujtoni ’97-ën. Bandat që ishin ca me PS-në e ca me PD-në. Pra, populli, pasi lufta civile ka nisur, është pjesëmarrës në mënyrën e vet. Derisa lufta bëhet mënyrë jetese dhe nocioni “regjim” pushon përkohësisht së ekzistuari. Ose, më e pakta është një nocion lokal që ndërron kah me fituesin. Zonat e sunduara nga rebelët janë nën regjimin e tyre, zonat e qeverisë janë nën regjimin e Assad-it.
Assad është një diktator. Por, a është kjo një luftë për liri ndaj diktatorit?

Lufta për liri kërkon burra “të fortë”
Para nja 2 vjetësh isha shumë i entuziazmuar nga Pranvera siriane, si nga të gjitha pranverat arabe. Liria, vjen shpesh përmes shtigjesh të mundimshme, ku jo të gjithë mund të ngjiten. Shpesh, atyre shtigjeve u ngjiten më të fortët. Por më të fortët në më të shumtën e rasteve nuk janë as më përfaqësuesit, as më të drejtët, as më idealistët, e as më të përgatiturit për atë që do të ndodhë më pas. Është vështirë të ndash luftën për liri nga ajo për pushtet. Jo rrallë, njëra maskon tjetrën. Ja, shihni Kosovën. Informohuni, ju lutem, për “komandantët”.
Nëse elefanti mbi të cilin qëndron miza jonë do të ndërhyjë, ai mund të jetë dhe në krahun e atyre që luftojnë për liri. Por, jo medoemos në krahun e tyre që do të miradministrojnë lirinë. Sikur, elefantit t’i bëhej vonë për barin e shkelur. Por, nëse kjo nuk është luftë për liri, atëherë ku po ndërhyjmë? A mos jemi një shtet laik e neutral, që po ndërhyn në një konflikt fetar?

Lufta si fe, për fenë e përtej fesë
Po të dëgjosh shpjegimet e shumë të interesuarve për luftën siriane, e shpjegojnë si konflikt me sfond fetar mes sunive dhe alavitëve etj. Secila palë e konsideron tjetrën krye-armikun e fesë e të njerëzimit. Nuk më takon mua të ndaj davanë këtu. Qindra shqiptarë kanë marrë rrugën për t’u rreshtuar të gjithë kundër Assadit – sipas raporteve jo për lirinë e as për lidhje familjare. Janë atje, në një luftë fetare, madje jo me rebelët por me njësitet e xhihadit.
Qeveria shqiptare do duhej të kishte një qëndrim për këtë. Përtej britmave për luftë, një luftë që mund të jetë dhe fetare. Luftërat fetare janë pasionante, sikurse feja vetë është një pasion i fortë - më i rëndësishmi për shumë njerëz në botë. Luftërat pasionante, nuk mund të përfshijnë një vend pa pasione si Shqipëria. Një vend të vuajtur, që pretendon tolerancën fetare, e që ka si pasion vetëm llogjet e kafeneve dhe bastoret. Kjo, ka lidhje me narrativën politike të kryeministrave – narrativë politike, jo narracione netësh dimri.

Mbi narrativën politike
Kryeministri i vjetër dhe kryeministri i ri nxituan për të zhveshur kordhën e për të dalë pro NATO-s. NATO nuk është e jona, nuk e kemi krijuar ne. E as kemi ndikim në të. Në rast se amerikanët e turqit na e kërkojnë, ne do të rreshtohemi aty për hir të konjukturave, por ne nuk mund të udhëheqim e as të bërtasim më fort se elefanti. Obama u tërhoq përkohësisht, sikurse britanikët. Të vetmit që mbetën me kordhën zhveshur për luftë ishim ne, të nxituarit.
Kryeministrat tanë, para se të nxjerrin pallën për një luftë që nuk dihet ç’është, bëjnë mirë të ndërtojnë një ndjeshmëri publike. Bëjnë mirë të ndërtojnë gradualisht një qëndrim, qoftë ky human, politik apo strategjik. Bëjnë mirë të kenë një filozofi të vetën dhe jo një filozofi turke apo amerikane.
Edhe miza mund të ketë dinjitetin e vet. Madje, dhe filozofinë e vet. Prej mize. Jo prej elefantësh.

Thursday, August 29, 2013

Udha e shkronjave dhe shtegu i Djallit

botuar në Revistën Klan, 24 gusht 2013


Willem de Kooning - pa titull
...............................................

Para se të dal në temë, do bëj nja dy xhiro jashtë teme. Është verë, dhe ne prodhojmë prapë shumë ngjarje. Problemet, nuk shkojnë kurrë me leje te ne. Po të vësh re, çdo problematikë, bluhet e konsumohet fort për disa ditë, maksimumi një javë, dhe harrohet sapo hapet një diskurs tjetër. Nuk ka nevojë shumë për të kuptuar se debati publik nuk pjell thuajse asgjë, as reforma, as politika qeveritare, as ndryshim të sjelljes institucionale, as dorëheqje e as hetime. Kam frikë se Rama nuk lexon publicistikë më prej kohësh, ndërsa Berisha lexon jo për të kuptuar problemin por atë që e ka shkruar. Nga institucionet e tjera të shtetit, e kotë të presësh. Pra, prodhojmë ngjarje, por veç sa për “muhabet” e jo për të zgjidhur gjë. Jemi si ajo makineria që pret dru me furi në pyll, dru që kalben se askush nuk vjen t'i mbledhë. Kjo makineri, është media.
Diskursi i hapur nga Baton Haxhiu mbi sjelljen e Top Channel me të majtët në pushtet në raport me sjelljen e Klanit në pushtet me të djathët, është një debat i mprehtë. Ky debat u mbyll për pak ditë, dhe si normalisht u kalua tek prerja e druve të tjera. Unë mendoj se ky debat është thelbësor. Madje më shumë, është një debat për jetë a vdekje. Jo se të tjerat, nuk kanë rëndësi - Basha që zëvendëson Berishën; LSI në një qeverisje rilindjeje; SHQUP-i si abuzimi i fundit i pushtetit; kisha në Përmet si faktor lufte i Greqisë; fashistët e Agimit të Artë që recitojnë poezi në kishat e Himarës - por, janë (edhe) nënprodukt i makinerisë.
Dolëm në temë. Armiku më i madh i qytetarit. Media.

Media si armik
Në librin “Viti ‘97” Mero Baze shpjegon sesi u krijua lajmi për paratë që dilnin me gomone nga Shqipëria, një lajm i paverifikuar dhe i dalë prej pushtetit me ndihmën e gazetarëve mbështetës. Pavarësisht se në libër shpjegohet se ky lajm është i rremë, akoma në psikën tonë jemi të bindur që paratë e Vefa-s dilnin me gomone jashtë shtetit. A mos e kam përdorur me ekzagjerim cilësimin “armik”? Fundja, po të lexosh “makinerinë që pret dru” ne jetojmë mes armiqsh. Media, vetëm veten e vet nuk e konsideron armik.
Asgjë nga këto që kanë ndodhur në këto 23 vjet (koha e Enverit do të meritonte një konsideratë më vete, lidhur me median) nuk ka ndodhur pa pasur bashkëpunimin, ku të heshtur ku bërtitës, ku pjesëmarrës e ku miratues, ku të blerë e ku të marrë me dhunë të medias. E vërteta, fshihet dhe deformohet, dhe gjella jonë mediatike funksionon (siç është thënë më parë) përmes gjysmë të vërtetave. Gjysmë të vërtetat - janë armiku më i madh i së vërtetës, më shumë dhe se injoranca.
Kjo ndodh, sepse media mbahet me para dhe paraja bën ligjin në mungesë të ligjeve.

Media dhe paraja
Para disa vitesh, kur punoja në radio, dhashë informacion për një ngjarje në lidhje me bankat që e dinte gjithë Tirana, por që censurohej gjithandej. Vetëm e përmenda ngjarjen, por kaq mjaftoi që Banka të pezullonte reklamat në radio, të kërkonte pushimin tim nga puna, madje, të betohej se unë nuk do punoja më në këtë qytet. Për disa vjet, emri im nuk dilte në titrat e produksioneve televizive, nga frika e hakmarrjes së Bankës. Banka, mund të kishte zgjedhur të më hidhte në gjyq nëse e kisha cënuar diku, por jo, zgjodhi armën e arrogancës.
Rasti im është gjithsesi i parëndësishëm para presioneve që bëjnë “ata me lek” ndaj mediave. Në rastet më të mira, “bankat” e mbushin një media me reklama për ta censuruar çdo lajm. E keni vënë re që kur ndodhin grabitje në një bankë, të qëllon mos ia lexosh dot emrin Bankës përkatëse në asnjë media? Banka nuk preferon të trembë klientët e saj! Sa hetime gazetarësh ka mbi abuzimet e kompanive celulare? Thuajse asnjë. Tërë media mbahet me paratë e telefonive. Që, për ironi janë paratë e publikut që ka të drejtë të informohet. Por, pushteti i koroporatave është vetëm njëra pjesë e manipulimit të së vërtetës. Ka individë super-të pasur që nuk lejojnë të dalë asnjë fakt rreth tyre, larg qoftë të bëhen investigime.
Dosjet me krime të përbindshme flenë në sirtarët e kryeredaktorëve të gazetave a TV-ve, e nuk kanë për të dalë kurrë. “Ata me lek” kanë aq pushtet (shpesh të dhunshëm) sa ta bllokojnë gazetën në shtypshkronjë e të mos e lënë të dalë në tezga.

Gazetarët – Tunxhët
Kam punuar disa muaj në një gazetë të përditshme. Aty, gazetarët paguheshin me dy bordero: “paratë e bankës” e “paratë e dorës”, dmth, paratë e deklaruara e ato të padeklaruara. Dhe ju prisnin që media të denoncojë evazionin fiskal? Apo prisni që gazetarët e trajtuar si skllevër, të dhunuar nga porositë e shefave e nga dhuna e “atyre me lek” të gjurmojnë për ju të vërtetën?
Dhaskali dhe Tunxhi, një dyshe bardh-e-zi e kinemasë socrealiste, janë dy krijesa në një Udhë Shkronjash. Nëse duam të bëjmë një paralelizëm thjeshtëzues, Dhaskali do duhej të ishte gazetari, por në të vërtetë, gazetari shqiptar, sa vjen e bëhet një tunxh i paskrupullt në një udhë mbijetese. Gazetarët janë klientë të forcave politike apo të individëve të veshur me pushtet e para. Në kohë zgjedhjesh qëllon të shohësh të njëjtën figurë non stop në një ekran. E pra, “figura”, e ka blerë nën dorë prezencën e vet. Madje më keq, ai mund të diktojë edhe që kundërshtarët e tij të mos shfaqen në atë ekran.
Nëse gazetari tenton të ruajë integritetin e vet e të emisionit, nuk do ishte çudi t’i vinte pronari i medias e ta urdhëronte ta bënte. Po nuk u shite ti, shitet ai sipër teje. Po t’i dinin adresën Zotit, edhe atë e blenin. Dhe e i kanë bërë aq para. Numri i madh i TV-ve dhe gazetave mbahet vetëm me favore financiare të pahetuara. Le të flasim pak për tempullin e të vërtetës, median.

Tempulli i farisejve
Mungon një investigim shtetëror mbi financimet e mediave. Mungon, sepse, askujt nuk i intereson. Pushteti dhe opozita, drejtuesit e mediave, pronarët dhe bizneset janë të interesuara të bëjnë lojërat e tyre të fshehta për të “bërë sa më shumë lek”. Informacioni, edhe pse janë media, nuk del jashtë. Lëveret (lexo: paratë) e pista lahen brenda shtëpisë. Ka gazeta që shiten me 200 kopje. Askush nuk investigon si mbijetojnë. Nga u vijnë paratë. Gazeta të mëdha botojnë tirazhe të mëdha, dhe shesin vetëm gjysmën, sepse raportojnë para donatorëve apo politikanëve vetëm tirazhin por jo shitjet reale. Kjo dëmton mbi të gjitha mediat që përpiqen të mbahen vetë, të pavarur. Mision i pamundur.
Transparenca financiare është shpëtimi i vetëm për publikun. Transparenca e audiencës është shpëtimi i vetëm për vetë median. Kur të publikohen çdo javë shitjet reale dhe audienca reale e programeve TV apo radio, vetëm atëherë do mund të priten paratë informale apo të pandershme që sponsorizojnë media apo gazetarë të caktuar. Kush mund ta bëjë këtë? Sigurisht, ata që nuk u intereson. Mazhoranca e djeshme dhe ajo e nesërme.

Rama dhe media
Para zgjedhjeve, po përpiqesha t’i tregoja dikujt se Berisha ka në dorë mediat. Mora t’i numëroja, kush ishte me pushtetin e kush me opozitën. Tek numërimi ngeca. Më dilnin më shumë media që mbështesnin opozitën!Nuk dua të jem paragjykues. Dua shumë që maxhoranca e re të mund të kapërcejë traditën (edhe të vetën) dhe të bëjë një Shqipëri tjetër. Por, dëshira nga shpresa, e për më tepër besimi, janë larg. Nuk mund të harroj sesi u zhduk nga ekranet Kreshnik Spahiu (pavarësisht se kush është e çfarë bëri), pasi u konfliktua me opozitën. Një pushtet i tillë është i frikshëm. Nuk do e dimë kurrë sa para janë derdhur në media dhe nga kush para e gjatë fushatës. Akoma nuk dimë sa do të paguhet Toni Bler. As nga do vijnë paratë. Nuk do e dimë kurrë deri në çfarë niveli na manipulojnë. Ky sistem manipulimi ka vetëm një rrugë shpërndarjeje: median. Ajo është armiku. Është armiku, sepse është bërë palë me pushtetin. Pushteti korrupton. Tanimë ato kanë krijuar një pushtet absolut.
Z.Rama nuk besoj se lexon gazetat, dhe e kuptoj përse. Pushteti absolut (e nuk e kam thënë unë) korrupton në mënyrë absolute.

Friday, August 2, 2013

Kundër Zotit të Majmunëve

botuar në Revistën KLAN, fund korriku 2013

murale revolucionare në rrugët e Kairos
.................................................................

Kam vënë re se artikujt me “rilindje” në titull nuk klikohen më. Kjo është shenjë e mirë dhe e keqe. E mirë, sepse propaganda me “rilindje” nuk josh më. E keqe, sepse frigohem se bashkë me një farë neveritjeje me mbipërdorimin e termit politik “rilindje”, njerëzit thjesht kanë hequr dorë. Më ka shqetësuar gjatë mungesa e protestës reale në Shqipëri, përveç ndonjë shkreptime të veçuar e të dhimbshme si 21 janari.
Kemi pasur liderin më jetëgjatë komunist në pushtet, dhe kemi liderin më jetëgjatë (po komunist) të pas rënies së murit më gjatë në pushtet. Për paradoks, të gjithë bërtasin kundër komunizmit, ndërsa krejt lidershipi përbëhet o nga ish-komunistë o nga bij të tyre (deri dhe biologjikë). Ndaj askush nuk ka pse nxehet nga një metaforë marksiste.

Dy fantazma e autoritarizmit
Dy fantazma vërdallisen sot nëpër Shqipëri. Në fakt, janë dy opsione ‘demokracie’: Qeverisja e kësaj copë Shqipërie që ka mbetur përmes grupit “të shokëve” të rilindjes, dhe ripozicionimi (në mënyrën e vetme se si di të bëjë opozitë) i Kryeministrit në ikje Berisha – nuk i njeh zgjedhjet. Dy opsione që shkojnë nga oligarkia drejt autoritarizmit. Këto kushte më bëjnë të trembem se edhe po të mos jemi dakort me manaxhimin nga ’rilindja’ mbas 4 vitesh, nuk do duam të shkojmë të qahemi te opozita. Me fjalë të tjera, do jemi prapë duke zgjedhur mes të këqiash.
Si një vend që ka kultivuar varietete diktaturash që nga shtet-formimi, ne jemi një komb shumë i brishtë ndaj vullneteve të grupeve apo individëve që, me të marrë pushtetin, vendosin mos ta lëshojnë më. Madje, kemi kaluar në një zinxhir variantesh autoritariste. E ardhmja duket e zymtë. Siç thotë një mik i imi, janë vetëm dy grupe që riciklohen: kur sundon e vjedh njëri, tjetri bën pauzë. Pastaj, nis të sundojë e vjedhë grupi tjetër, dhe i pari bën pushim. Ky zinxhir oligarkik duket vështirë i thyeshëm. Por, Aristoteli thoshte se oligarkia dhe tirania janë më jetë-shkurtra se çdo konstitucion tjetër. Tiranitë anë e kënd nuk kanë pasë jetë të gjatë.

Nga Diktatura në Demokraci i Gene Sharp
Nën diktaturë popullata dhe institucionet civile të shoqërisë kanë qenë shumë të dobëta, dhe qeveria shumë e fortë. Pa ndryshuar këtë mungesë baraspeshimi një regjim i ri mundet, nëse do, të jetë po aq diktatorial sa regjimi i vjetër. Këtë shkruan akademiku amerikan Gene Sharp në esenë e tij “Nga Diktatura në Demokraci” që do doja t’ju përcillja sot.
Ky libërth, që mund të titullohej edhe “guidë thelbësore për rezistencën paqësore” u shkrua më 1993 për të mbështetur opozitën në Burma, dhe dënimi për këdo që kapej me të në dorë ishte 7 vjet burg. I fotokopjuar ka lëvizur nga Burma në Serbinë e Millosheviçit, nga Egjipti në Kinë, dhe ka qenë një nga tekstet e përkthyera e shpërndara ilegalisht në shumë vende gjatë Pranverës Arabe. (Unë vetë po e përkthej me atë timen në shqip.) Në këtë kohë fantazmash, më pëlqen të flas për këtë libërth, sepse ndjej që duhet të jemi vigjilentë. Diktaturat, fundja, ekzistojnë falë nesh.

Pragu i diktaturës
E vërteta është se diktatorët ekzistojnë vetëm prej shpërndarjes së pushtetit në vendin e tyre, thotë Sharp. Ata arrijnë t’i dobësojnë institucionet politike, ekonomike e shoqërore apo grupet sociale. Popullsia “atomizohet”, kthehet në një masë individësh të izoluar. Shpirtrat thyhen, shpresa nis të fishket. Askush nuk ka besim se do të mund ta heqim qafe ndonjëherë “katallanin”. Njerëzit kanë frikë edhe të flasin. Më kujtohet një mik që ulte zërin në lokalin e vet kur shante “atë” nga frika se mund ta dëgjonin e tatimorët mund të vinin t’i mbyllnin dyqanin.
Edhe kur bie një diktaturë, shpesh ajo le pas varfëri, krim, inefiçencë burokratike dhe shkatërrim mjedisor. Gjurmë të tilla vërej sot pas rotacionit të 23 qershorit. Aftësitë e rigjenerimit politik e shoqëror kanë dritë-hije dyshimi. I vetmi që do të mund t’i bënte ballë një neo-diktature, është nën administrim droge. Populli i ‘rilindjes’.

Drejt një rezistence paqësore
Problemi është që ne e kemi humbur popullin gjatë rrugës. Do të duhet të rifitohet pushteti demokratik mbi popullin, në radhë të parë. Është një popull që ka dhuruar disa dhjetëra deputetë të blerë. Me nga 50 deri në 200 Euro për kokë. Lufta e dhunshme ndaj sistemit, është deri diku e pashpresë. Nuk mund ta luftosh diktaturën me armët ku ajo ka superioritet. Ajo pak dhunë e protestuesve më 21 janar, u përdor si kartë morale për të justifikuar dhunën policore. Ndaj, edhe një 28 janar i dhunshëm mund të mos ishte zgjidhja. Por, një 28 janar paqësor e jo për ‘qokë’ mund të na kish kursyer disa vite.

Puçi-puçet
Pasi ka analizuar regjimet e shumta anëkend botës, Gene Sharp arrin në përfundimin se as puçet ushtarake, as zgjedhjet nën kujdesin e diktatorit e as të huajt nuk mund ta shpëtojnë një vend. Diktatorët nuk janë aty për të lejuar që dikush t’i heqë si pa të keq nga pushteti. Vështirë të sfidohen në pikën ku janë më të fortë - te dhuna!
Shqiptarët vetë kanë pritur gjithmonë që të huajt të preken nga shqiptarë të tjerë që u vënë çizmen në fyt e të vijnë t’i shpëtojnë. Por shtetet e huaja, thotë Sharp, mund të përfshihen në mënyrë aktive vetëm nëse shkundja e diktaturës ka nisur. Mënyra më efikase është mosbindja civile e politike. Jo dhunë, por rezistencë.
Mosbindja besoj se ka qenë elementi që e rrënoi diktaturën e Ramiz Alisë. Askush nuk punonte, “arritjet” falsifikoheshin, të tërë vidhnin. Askush nuk jepte maksimumin. Ky ka qenë kolapsi i atij sistemi. Diktatura shembet vetëm duke shtrënguar rradhët me popullsinë e shtypur, duke forcuar aftësinë e tyre për rezistencë, vetbesim dhe vetëvendosje; duke forcuar grupet sociale të pavarura dhe institucionet e organizmat e popullsisë së shtypur; duke krijuar një forcë të brendshme rezistence; dhe, kryesorja, duke zhvilluar një Masterplan të rezistencës.

Masterplani i rezistencës
"Të gjitha diktaturat kanë dobësitë e veta, mungesa efiçense të brendshme, rivalitete personale, joefektivitet institucional dhe konflikte midis organizatave dhe departamenteve”. Identifikimi i tyre është hapi i parë i këtij Masterplani. Fuqia e shtetit totalitar, vëren Karl Dojç, është e madhe vetëm kur përdoret rrallë. Nëse u duhet ta përdorin gjithë kohën, kundër një populli të tërë, nuk mund të qëndrojë e tillë për kaq gjatë.
Përmes formave të mos-bindjes politike dhe të sabotimit pasiv, pushtetit i hiqen mjetet e sundimit. Pushteti bëhet konfuz. Mos-bindja politike ëshët një “armë”, dhe kryen një “luftë”, por ndryshe nga dhuna, operon në shumë forma: psikologjike, politike, sociale, ekonomike. Imagjinoni një popull që vendos të mos punojë 1 ditë ose 1 javë. Shteti vdes. Policët e diktatorit nuk kanë as autobusë për të dalë në punë. Si tek një përrallë kineze.

Zoti i Majmunëve

Gene Sharp rrëfen historinë kineze të Zotit të Majmunëve. Në provincën feudale Chu, një burrë i quajtur Ju Gong (zoti i Majmunëve), nxirrte çdo ditë majmunët të punonin, nën udhëheqjen e më të vjetrit. Sipas rregullit, çdo majmun i jepte një të dhjetën e ushqimit të mbledhur. Në të kundërt, dënimet ishin të rrepta. Majmunët vuanin, por nuk ankoheshin dot. Derisa një ditë një majmun pyeti një tjetër, “plaku i ka mbjellë pemët e shkurret?”. “Jo, ato rriten vetiu”. “A mund t’i mbledhim frutat vetë, pa pasur nevojë për lejen e plakut?” “Sigurisht”. “Po atëherë, pse duhet t’i shërbejmë plakut?” Dhe majmunët ikën e nuk u kthyen më te plaku, i cili vdiq nga uria.
Filozofi Yu-Li-Zi, ai që e shkrojti historinë, vëren se ka shumë burra që sundojnë mbi popullin e vet me truke e jo me principe. Njësoj si Zoti i Majmunëve. Madje, as vetë nuk e kuptojnë. Derisa populli i vet ndriçohet dhe truket nuk punojnë më.

A ju kujtohet vota e bardhë?

Vota e bardhë thuajse është harruar. Mua më është dukur një përpjekje shumë fisnike. Më ka habitur kundërsulmi i egër ndaj idesë dhe ideatorëve. Ne, një komb që kemi votuar shtrembër në gjithë historinë tonë, duam t’i tregojmë disave se si e pse duhet të votojnë. Por, vota e bardhë kishte një defekt të madh. Ajo nuk i përgjigjej dot pyetjes, “po pastaj?”. Ka një planifikim në çdo rezistencë. Nuk zhduken oligarkitë me “oburra”. Por vota e bardhë, tregoi se ka njerëz që nuk janë nën administrim drogash, e nuk pranojnë rotacionin e së keqes. E keqja është kasta politike në tërësinë e vet. Lufta jonë (paqësore) është dhe do të vazhdojë të jetë me atë.

Wednesday, July 17, 2013

KOZMIKOMIKET: “Riciklimi dhe Rilindja”

botuar në REvistën Klan, më duket se ishte e shtunë, e sigurt që ishte korrik


............................................
Jemi një vend super-riciklues. Vërtet nuk riciklojmë thuajse asnjë material (na pëlqen të konsumojmë me epsh), por ama riciklojmë njerëzit. Domethënë, bëjmë të kundërtën e asaj që duhet bërë. Në perëndim(ku duam të hyjmë nga oxhaku edhe pasi na mbajnë mbyllur dyer e dritare)riciklojnë sendet, por jo njerëzit. Një politikan i inkriminuar, një sipërmarrës mashtrues, ca të rinj hajdutë, ca ish ministra të përlyer, shoqëri civile e korruptuar me projekte, figura televizive që askush nuk i ka besë -kujtdo që ka shkelur një herë në dërrasë të kalbur, nuk i jepet më shansi të rikthehet. Vetëm ne, riciklojmë të njëjtët njerëz prej dhjetëra vitesh. Një vështrim i shpejtë i parlamentit të ardhshëm të lë të kuptosh që kemi ricikluar shumë plehra njerëzore. Disa riciklohen që nga vitet ’80.
Mungesa e opsioneve për të rigjeneruar sistemin përmes votimit (ku vota e bardhë u sulmua egërsisht e për votën e blerë nuk flet askush) më bën të kthehem edhe një herë te nevoja për të ndryshuar sistemin, dhe jo “shoqninë” qeverisëse. Jo për nihilizëm. Por unë druaj, se ky sistem nuk pastrohet dot përmes votës. Sigurisht, do i lëmë maxhorancës së re kohë të tregojë si do qeverisë. Besoj, po ashtu që përmirësim do të ketë, qoftë dhe për faktin që nuk ka sesi të jetë më keq se ç’kemi qenë. Por, shanset për të përmirësuar sistemin janë të vogla. Njerëzit e ricikluar janë po aty. Në ndryshim nga plehrat, njerëzit nuk mund të ndahen në pjesë e të tjetërsohen. Kryeministri në ngjitje, pat thënë në një intervistë se është çështje sistemi, jo njerëzish. Por, çështja është se ata JANË sistemi. Njerëzit e ricikluar.
Ky riciklim njerëzish, vjen edhe prej mënyrës sesi ne kaluam nga sistemi në sistem.

Përmbysjet tona, pa revolucion

Me aq sa mund të përmblidhet me pak rreshta, ne nuk kemi patur një revolucion të vërtetë as për të përmbysur Zogun e as Enverin (më saktë as Ramizin, se Enverin e qamë me ligje e me intelektualë, i thamë “merr nga jetët tona, veç mos ik”). Duhet rikujtuar se ata që kanë qenë brenda lëvizjes së Dhjetorit, e kanë thënë ku hapur e ku mbyllur, se ajo ishte e iniciuar nga Ramiz Alia. Pra, edhe aty ka pasur një gjasme-protestë nga pardesytë e bardha. Në një moment të vetëm kur turmat desh iu sulën bllokut, flokëbardhi Neritan Ceka i ktheu njerëzit drejt sheshit, ku iu sulën një busti. Bustit, ama, ia rropën leskrat.
Cinike, vjen në këtë rast, batuta: “e pra, krisma nuk ka patur”. Në fakt, ka pasur aty këtu. Përgjatë viteve ’90 mbaj mend disa protesta të sinqerta e deri diku masive. Ndoshta, migrimi i madh i njerëzve që s’mund ta durojnë dot të jetuarin kështu nuk kish nisur ende. Ndoshta, ende nuk ishim korruptuar të tërë shpirtërisht e materialisht. Me siguri dhe sistemi ishte vulnerabël dhe i pa-aftë për të menaxhuar protestat (’97-a është një histori më vete). Pa dyshim, kishte ende një shpresë naive që sistemi edhe mund të mposhtet me protesta. Po flas akoma për vitet ’90. Vitet 2000, ishin një zhgënjim i madh.

Vitet 2000 pa 2011-n

I vetmi moment shndritës i viteve 2000 (e deri sot) ishte 21 janari. Një protestë e para-, gjatë- dhe e pas-menaxhuar shumë keq, por gjithsesi, një moment buçime i një kombi të gjunjëzuar. Por, përtej 21 janarit (fut këtu edhe qokën e 28-s) nuk ka asgjë për t’u përmendur. Arsyet e mëdha janë pikërisht e kundërta e atyre që numërova për vitet ’90. Por, e rëndësishme është që në vitet 2000, sistemi (kryesisht nën drejtimin e Berishës) u përsos në zerimin e protestave.

Pro...statat

Një nga mjetet e sistemit, ishte përdorimi i kundër-revolucionarëve, një kryevepër bazuar mbi hendikapet qytetare të shtresave të caktuara, përzierë me interesa banale të individëve që dilnin për të protestuar deri edhe kundër një greve urie! Për çdo 30 mijë që protestojnë kundër qeverisë, ajo mobilizon 50 mijë pro. Nëse dalin 50 mijë të thonë ‘jemi të papunë’, shteti mundet dhe të mobilizojë 70 mijë që thoshin se po na mbyt puna.
Mjeti tjetër ishte diversifikimi i kauzave e i protestave. Kamikazë të pushtetit, dilnin e flamurë e me disa dhjetëra vetë për të krijuar iluzionin se “ç’janë ca që protestojnë, s’dihet për çfarë”. Aventurierë e naivë filluan të dalin për lloj-lloj gjërash, duke kopjuar keq inisiativa pa shumë lidhje me Shqipërinë. Mbaj mend që u shpik dhe një “indignatos” në një moment të caktuar.
Sistemi (lexo: Berisha) arriti t’i polarizojë mediat deri aty, sa të deformonte të vërtetën në mënyrë të përbindshme. Kur një media të thotë ishin vetëm 6 mijë, dhe një tjetër 300 mijë, vlera e protestës devijon diku tjetër.
Në këto hije protestash, ka pasur dhe individë që dilnin me shpirt saherë që lëshohej berihaj, dhe këtu nuk po flas për ta. Edhe pse, ata që e kanë në gjak protestën filluan të mungojnë gradualisht, sepse vetë procesi i protestës jo rrallë u bë qesharak.
Shteti (lexo: Berisha) shkatërroi sistemin arsimor, duke e mbushur me analfabetë pasivë dhe të rinj pa asnjë lloj interesi të marrin pjesë në jetën politike përmes organizatave në rrënjë. E vetmja gjë që kërkojnë është të zenë ndonjë vend të ngrohtë pune përmes miqve, nënshtrimit, tesërës së partisë e diplomave boshe.
Por, elementi kryesor është që (me përjashtim të Mjaft-it një periudhë kohe, para se të shkrihej në damarët e pushtetit) nuk ka pasur një koncept të saktë për protestën. Ka rëndësi të dish edhe “si” duhet protestuar.

Grevat pa fund të urisë

Një element i përhapur proteste kanë qenë grevat e urisë. Ajo që duhet të ndodhë shumë rrallë, thuajse kurrë, përdorej e para fare, pa konsumuar asnjë shkallë tjetër. Greva urie për çdo hall, aq sa shumica e tyre nuk u mor vesh nëse përfunduan a jo. Për shembull, disa banorë që po nxirreshin nga shtëpia, u futën në grevë urie, po unë s’arrita ta marr vesh nëse dolën më prej andej a jo. Ka shumë muaj. Sigurisht hallet janë ekstreme, mosbesimi te sistemi administrativ a i drejtësisë është total, ndaj, hallexhiu rend tek mjeti i fundit. Por, asnjë nga këto mjete nuk ka funksionuarnë këtë vend që është bërë gati virtual. Erdhëm te Facebook-u.

Revolucionarët e tredhur të Facebook-ut

Shqipëria po jeton “mrekullinë” virtuale. Jo atë që propagandonte Kryeministri si arritje, por një realitet çoroditës. Rekordi me 500 mijë fansa të Kryeministrit në zbritjei cili humbi rëndë zgjedhjet na tregon se ka një Shqipëri virtuale që jeton vetëm në rrjete sociale. Aty marrin lajmet, aty nxehen, aty zihen, aty indinjohen, aty bërtasin, aty e lënë atë muhabet. Qark i mbyllur. Rrjetet sociale duhet të ishin një armë kundër sistemit, një mënyrë organizimi horizontal në një hapësirë që sistemi nuk ka arritur ende ta manaxhojë (ende, po ama është afër).Nëfakt janë kthyer në një kafene virtuale ku tirren llogje e ku zbrazen mllefet, dhe ku lozet pa fund me ferma e me chipsa. Varësia nga llogjet e rrjeteve sociale ka bërë që të qarkullojnë peticione e faqe proteste me mijëra njerëz, ndërsa në rrugë, për të njëjtën kauzë dalin 5 vetë. Duhet të mbledhin qeranë e lojës.
Por, ajo që më shqetëson më shumë është që kjo Shqipëri virtuale jeton në “halle” virtuale. Po të numërosh shkrimet në gazeta për protestat turke, ia kalojnë atyre për parkun e Namazgjasë. Besoj, e njëjta gjë ndodh dhe me statuset. Sa statuse ka për Gezin e sa për Namazgjanë? Kam frikë, se ka një çoroditje të marrëdhënies me Shqipërinë e vërtetë, atë që është jashtë derës. Nuk di si t’i shpjegoj ndryshe, fjala bie, intelektualët që qanin për dorëheqjen e kryetarit të PD-së. As fashizmin e disa studentëve që dolën për të përkrahur Erdoganin – një ‘protestë’ absurde me valencë zero.

Rilindja e protestës

Jetojmë në kohëra pa protestë. Ndërkohë riciklojmë plehra njerëzore, të cilët mund të përmirësojnë qeverisjen, por jo sistemin. Rilindja e vërtetë, e vetmja mënyrë e njohur në historinë njerëzore për të përmirësuar sistemin, e deri ndryshuar atë, është protesta. Ajo e rrugës. Ndaj bëjmë mirë të pregatitemi në heshtje. Dhe është mirë që për momentin të lëmë Gezi Parkun, dhe të bëhemi gati për parqet tona. Dhe jo vetëm parqet. Për çdo gjë.
Protestat nuk kanë nevojë për Skënderbe, as për dhunë, as për greva urie, as për qaravitje, as për statuse, komente e ‘like’. Por, do të flasim herën tjetër.

- Vijon –

Monday, July 8, 2013

Kozmikomiket: Flirt me Totalitarizmin

botuar te Revista Klan, 29 qershor 2013



Kam mundur të vë re që shumë njerëz kur kanë parë për herë të parë filmin “Matrix”, kanë pasur një eksperiencë thuajse të njëjtë, duke pyetur veten: “Po sikur të jemi duke jetuar vërtet në një Matrix?”. Efekti i një vepre të fortë artistike. Nuk besoj se dikë e kanë gërryer dyshime të ngjashme pasi ka lexuar “Kurbanin”, ose “Enver Hoxhën” e Fevziut. Në mënyrë të ngjashme, gjatë këtyre viteve, mua më kthehen vazhdimisht në mendje dy libra: “1984” i Orwell-it dhe “Brave New World” i Huxley-t. (opa, iku gjysma e lexuesve që tani).
Të dy librat që te ne kanë ardhur shumë vonë, vetëm pas ’90, analizojnë kontrollin politik dhe pushtetin përmes autoritarizmit, dhe kanë ndikuar gjerësisht në mënyrën sesi u perceptua kjo në perëndim në shekullin e XX. Thuhet se H. Klinton, kur e kanë pyetur për librat e vet të preferuar, ka cituar pikërisht këta të dy. Ne shqiptarët jemi në flirt të vazhdueshëm me autoritarizmin, dhe është e lehtë të identifikoj brenda historisë dhe të tashmes sonë elementë të 2 botëve, oruelliane dhe hakslejane.

2 botët
Të dy librat flasin për një botë ku individët prodhohen në fabrika, një botë pa liri e pa individualitet, ku individët zhduken ose dërgohen në ishuj. Për ata që kanë lexuar vetëm njërin prej librave, mund t’ua përshkruaj të dy shkurtimisht.
“1984”-a e Orwellit e shkruar që më 1949, është për mua një ndër librat më të mirë që kam lexuar, ndoshta edhe pse analiza që i bën sistemit stalinist që e kemi jetuar është e mprehtë, thelbi i saj është paranoja dhe vëzhgimi. Në botën e “1984”-s, qytetarët nuk kanë privatësi, nga televizorët ata monitorohen vazhdimisht nga shefi i madh i Partisë, që quhet Vëllai i Madh. Seksi është i ndaluar, përveçse për riprodhim, madje shkencëtarët po punojnë për të zhdukur orgazmën, që të sigurojë devocionin e plotë ndaj partisë. Familja është një vend spiunimi i vazhdueshëm tek partia, dhe e vërteta rishkruhet non-stop.
Në krahasim me diktaturën negative të Orwellit (bazuar mbi frikën), Huxley ndërton një diktaturë pozitive (bazuar mbi kënaqësinë). “Brave New World” është një vend ku qytetarët jetojnë të qetë, në një botë konsumiste ku shkenca e teknologjia janë vënë në shërbim të maksimizuar kënaqësitë dhe për të minimizuar kohën që njeriu rri vetëm. Seksi promovohet, por vetëm për kënaqësi, si një aktivitet social, kurrsesi për riprodhim, slogani i shoqërisë është “gjithsecili, i përket gjithsecilit”. Ideja e familjes konsiderohet “pornografike”, fëmijët rriten që të vegjël në kasta. Askush nuk e njeh mamën e vet.
Me aq sa di, janë pjesë kurrikulumesh në perëndim dhe miliona nxënës vihen para detyrës për t’i krahasuar të dy librat. Por, letërsia krahasuese, nuk është qëllimi im dhe për më tepër, ky nuk është një punim shkencor. Është thjesht një dëshirë për t’i rivizituar të dy librat përmes një përvoje shqiptare. Aq më tepër pasi ke jetuar enverizmin dhe berishizmin. Të dy librat janë si një sanduiç ideologjik për njeriun. Cili skenar është më i mundshëm?

Mes Orwell-it dhe Huxley-t
Ka shumë studime krahasuese e libra mbi këta dy libra, dhe shumica bien dakord që bota hakslejane “fitoi” mbi atë oruelliane (Fukuyama është ndër ata që thotë se parashikimet politike të “1984”-s nuk u vërtetuan). Unë mendoj që të dyja botët qëndrojnë si qen pas dere, gati për të kafshuar. Personalisht më ngjan që, nëse enverizmi do të kishte mjete të avancuara teknologjike, “1984”-n do e kishim përjetuar të plotë. Totalitarizmi, mua më vjen më shumë si një totalitet mbi mendjen e individit. Arma e tij më e fortë është zhdukja e së vërtetës - duke e ndryshuar (Orwell) ose duke e harruar (Huxley).

Zhdukja e së vërtetës
Të ardhur nga një përvojë spiunimi, ku burri spiunonte gruan para partisë, e ku paranoja e sistemit realizohej përmes fushatash spastrimi në fusha të ndryshme, sjellja jonë qytetare e politike mbart shumë elementë oruellianë. Zhdukja e armiqve të popullit deri dhe nga fotografitë e nga historia, arriti një përsosmëri të frikshme.
Në kohën e berishizmit, u miksua ky version me atë hakslejan të “harrimit” të historisë. Kjo u bë përmes shumëfishimit të versioneve të pafundme të historisë, duke lëvizur datat në mënyrë të dhunshme, duke holluar e përdhunuar institucionet dhe integritetin e individëve, duke i bërë të gjithë të pabesueshëm. Dhe mbi të gjitha – soma – droga jonë është media, manipuluesi më i madh dhe i pandëshkueshëm i së vërtetës.
E vërteta, po zhduket përmes asaj që Huxley e quan “man's almost infinite appetite for distractions”, shumë facebook, shumë youtube, shumë Big Brother televiziv, pa folur për hashashin e freskët dhe pornografinë falas, çka i bën individët më pak të interesuar për të zhvilluar ndjeshmëri politike – dhe nuk flas për militantë ose për votues – flas për qenie të pavarura e me gjykim të shëndetshëm politik. Unë sot njoh të rinj që nuk e dinë çfarë ka bërë Enveri, dhe nuk janë në gjendje të gjykojnë politikisht Berishën. Unë shoh gjithnjë e më pak individë, e gjithnjë e më shumë konsumatorë hakslejanë të kënaqësive.

Asgjësimi i individit
Individin, Orwelli e zhduku duke ia eleminuar të tëra kënaqësitë, pak a shumë si në kohë të Enverit. Huxley, duke ia dhënë kënaqësitë, aq sa individët të mos kenë nevojë as të mendojnë më. Shkoni vizitoni Folie-n një darkë. Do shihni të rinj që rrinë me orë të tëra duke parë celularët. Ne praktikisht, jemi të rrethuar nga shqiptarë që kanë frikë të rrinë vetëm. Nivelet e konsumizmit nisin që fëmijë: Ka 13 vjeçarë që u vjen turp të shkojnë në shkollë se nuk kanë I-phone. Uluni e flisni me një të ri të zakonshëm, dhe do shihni që ka pavarësinë e të menduarit të një 7 vjeçari.
Jo më kot, në “Brave New World”, fëmijët ndahen në kasta që të vegjël. Alfat, Betat, Epsilonët... Si kastat tona, me bazë kryesisht pasurinë dhe prejardhjen. Interneti, ky pyll i madh i përgjuar është vendi ku ne kujtojmë se fshihemi, por qeveritë na përgjojnë në çdo gjë që shkruajmë, në çdo sajt që vizitojmë, në çdo ‘like’ e foto. Ju kujtoni se humoret elektorale në FB ishin frymëzime spontane?? Jo, dikush jua vinte me program përpara.
Asgjësimi i individit, ka të bëjë me individë që mendojnë të pavarur e mund të vënë në dyshim kolonat e autoritarizmit. Enveri i rraste burgjeve, si tek “1984”-a. Sot, i darovisin me poste. I çojnë nëpër ambasada, si në ishujt ku Huxley dërgon ata që nuk “përputhen” me sistemin.
Për të ardhur te qentë.

Qen’t
Unë e dashuroj 2 minutëshin e urrejtjes tek “1984”-a. Tradhëtari, qoftë ky Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, apo Shehu ngjallnin pështyma neverie e sharje kur shfaqeshin në TV. E njëjta frymë vazhdon edhe sot, kur Berisha për disa e Rama për disa të tjerë del në TV. Procesi i transferimit të urrejtjes (dhe dashurisë) nga Nano te Rama, i ngjan shumë funksionimit të botës orwelliane. Armiku është armik, pavarësisht nga fytyra. Ndërsa apatia e një sërë njerëzish ndaj atij/atyre që na qeverisin, është tipike hakslejane.

Në të dy librat, ekzistojnë botët e nëndheshme, botët e poshtme të populluara me nën-specie, me njerëz të lënë të lirë, dhe të mjerë njëkohësisht. ‘Prolet’ e Orwell-it mbahen nën kontroll me birrë të lirë, pornografi dhe madje dhe me një lotari kombëtare. Por, ata nuk janë qenie politike. Askush nuk i pyet. Si qen.

Demokracia-sanduiç mes dy botëve
Demokracia, duket se nuk është si ajo tufa e dhive që na ushqen pa qenë nevoja të lodhemi. Pak kush e kuptoi që demokracia, qenka shumë më e brishtë, e abuzueshme dhe kërkon shumë punë për ta mbajtur në këmbë. Në momentin që nuk ia hedh sytë, dikush po e mjel për veten e vet. Ndaj, popuj të përgjumur e jo-vigjilentë si i yni janë pretë e mundshme të atyre që me të marrë pushtetin, kanë tendencë të na çojnë drejt njërit skenar a tjetrit.
Gjëja që më mundon në të dy librat, është fakti që në fund, të dy individët e humbasin luftën me pushtetin. Njeriu i egër John var veten në fund të “Brave New World”, ndërsa “1984”-a ka një fund cinik, Winston përfundimisht i nënshtrohet pushtetit, madje mëson ta dojë atë si pjesë të tijën, dhe fjalia e fundit e librit është “I Love Big Brother”.
Sipas Neil Postmanit, ajo çfarë Orwell-i i trembej ishin ata që do të na ndalonin librat. Frika e Huxley-t, ishte se mund të vijë momenti kur nuk ka arsye për të ndaluar një libër, sepse askush nuk do të lexojë një libër.

Monday, July 1, 2013

"Islamofobia" si argument në ndihmë të masakrës së Parkut të Namazgjasë

botuar me titullin "Parku i Namazgjasë" te Gazeta Dita, 28 qershor 2013


Ne jemi ajo çfarë mbrojmë” thotë Audrey Toutou (Sofie Langdon) në filmin që po jepet në TV në çastin që u ula për të bërë këtë shkrim. Ka qindra kauza në këtë vend, kauza që vijnë për shkak të një shteti shtypës, vrimash ligjore në një shoqëri apatike dhe individësh përfitues e abuzues. Në një shtet të së drejtës e shoqëri funksionale, nuk do kishim nevojë të dilte njeri për të mbrojtur vajzat nga ata që i presin kokat. Mes kaq shumë kauzash, është e vështirë të dalësh për të gjitha, dhe ata që duan të marrin një kauzë, prioritizojnë të vetat. Kauza ime është parku i Namazgjasë.

Parku i Namazgjasë

Duke përfituar nga amullia zgjedhore, nga mosdëshira e subjekteve politike “për ta kruajtur” me një komunitet që mund të ndjehet i prekur, një nga parqet e pakta që i kanë mbetur Tiranës është rrethuar me teneqe, dhe pemët e bukura aty tashmë janë prerë. Motivi: duan të ndërtojnë aty një xhami dhe dy qendra tregëtare. Ky akt, u realizua mu në mes të zgjedhjeve me formulën tashmë të njohur “të faktit të kryer”.

Lidhur me këtë, para pak ditësh bëra një shkrim te “Dita” të titulluar “Bashkëjetesa e xhamisë me krimin” (http://respublica.al/opinion/2013/06/22/bashkejetesa-e-xhamise-me-krimin). Për shkak të fokusit të njerëzve te zgjedhjet, shkrimi nuk ishte prioritet i ditës. Të vetmit që u shqetësuan për ta sulmuar në blogosferë ishin ata që u prekën në ndjenjat e tyre fetare (dhe disa pak që u prekën se u kisha sharë fejsbukun).

Pavarësisht mundimit, argumentet e shkrimit janë aty, ende të pasfiduara.

Bashkëjetesa e xhamisë me krimin

Për ata që nuk kanë mundur ta lexojnë shkrimin, në mënyrë të përmbledhur argumentet e mia janë si më poshtë:

Krimi ekologjik “po vishet me xhami”. Dmth, po përdoret xhamia si arsye për të shkatërruar një park e për të ndërtuar dhe qendra tregëtare. Këtë ndërtim betoni nuk do mund ta heqim më kurrë, shi sepse është i veshur me xhami.

Nevoja për ta bërë pikërisht aty, është më tepër se mungesë hapësirash aktiviteti fetar, dëshira për të “treguar muskujt” karshi feve të tjera. E tillë nuk është vetëm kjo xhami që po ndërtohet – shkruaja – por dhe katedralja ortodokse që betonizoi një tjetër lulishte, dhe ajo katolike pas Hotel Dajtit. Tirana nuk mund të ketë nevojë që në një kuadrat të vogël në qendër të ketë kaq shumë objekte kulti.

Në Shqipëri vërej që ka njerëz që janë në rradhë të parë besimtarë, e më pas qytetarë. Ndaj, bashkëpunëtorë të heshtur në këtë krim, janë të tërë ata besimtarë që për hir të “xhamisë” janë gati të pranojnë prishjen e parkut.

Ne jemi ajo çfarë mbrojmë. Po çfarë mbrojnë të tjerët?

Ata që “kam inat”

Komentet kundër shkrimit në blogosferë përftuan shumë pak arguemente. I pari, mund të përmblidhet kështu: “ku ishte ti kur u ndërtua Katedralja ortodokse dhe ajo katolike”. Do të ishte banalizim i argumentit dhe të jap shpjegime ku kam qenë para 10 vitesh apo para 2 vitesh. Krimi po ndodh, dhe është aty, kudo që të kem qenë unë. Me këtë logjikë, meqë unë nuk kam folur për x shkatërrim ekologjik në 1996-n, nuk mund të fliskam më. Akoma më naiv është arguementi tjetër që mundë të përmblidhet sikur “unë kam inat personal” me komunitetin islamik. Për ironi, të njëjtën kauzë më kanë bërë në blogosferë edhe ortodoksët para ca muajsh. Fati i keq i yni, që debati publik përqendrohet tek individi, dhe jo te argumenti. Të thuash ky arguement nuk vlen se filani na e bën për inat, i bie që të mos kesh kurrë një argument, se këdo mund ta akuzosh që e bën për inat. Kjo mënyrë të menduari legjitimon shumë shëmtira që ndodhin në shoqërinë shqiptare. Stambollitët nuk u tërhoqën nga Parku Gezi edhe kur Erdogani me cinizëm tha që do e bëjë xhami e jo qendër tregëtare. Apo dhe ata kanë inat me komunitetin silam të Stambollit?

I vetmi argument me vlerë për t’u diskutuar është “ku do të luten besimtarët”. Unë besoj, që në Tiranë mund të gjendet një vend tjetër, pa qenë nevoja të jetë mu në qendër, pa qenë nevoja të prishet parku i Namazgjasë dhe që të plotësojë nevojat e besimtarëve. Por, kam frikë se ata e duan mua aty, qoftë për karshillik ndaj katedraleve, qoftë se duhen dhe nja 2 qendra tregëtare mbrapa.

Toka mund të jetë e komunitetit, por kjo s’do të thotë që kushdo mund të ndërtojë çfarëdo në tokë të tij. Përndryshe, kot luftuam për të mbrojtur Piramidën nga tentativa djalëzore e pronarëve të tokës poshtë saj për ta shembur.

Të tërë “argumentet” kundër, vetëm më lanë të kuptoj që argumentet e shkrimit “bashkëjetesa e xhamisë me krimin qendrojnë. Një komentues shkroi: “për ca pemë aty”. Nuk janë ‘ca pemë’! Është një park! Por është e vështirë t’ia shpjegosh këtë dikujt që ndjehet së pari ‘besimtar’, e në rradhë të 4-t a të 5-të ‘qytetar’.

Republika e Re

Arsyeja pse rimora argumentin e parkut të Namzgjasë nuk ishte për replikë. Nuk ka ndonjë replikë të madhe për të bërë aty. Arsyeja, është se pas qetësimit pas-zgjedhor, ata që janë në rradhë të parë ‘qytetarë’ në këtë qytet të kenë fokusin te kjo ngjarje me dëm të pakthyeshëm për qytetin. Ndaj do odja ta rihapja prapë këtë temë. Edhe pse pemët janë prerë, krimi fillestar është bërë. Por, të paktën mos të lejojmë të mbijnë kërpudha të tjera betoni në atë hapësirë.

Tirana është e para?? Jo, zoti Kryehipokrit i qytetit! Vendimi për të dhënë lejet e ndërtimit në periudhë zgjedhjesh është më së paku një tentativë për të joshur vota. Nuk do habitesha po të ketë interesa shumë më të thella ekonomike poshtë.

Vërej këto ditë çlirimin e besimit të shumë njerëzve se një erë e re po lind.

Unë do të nisja ta besoja këtë, nëse qeveria e re e Ramës, dhe ai vetë personalisht, shpall një moratorium mbi të gjithë vendimet elektorale apo krimet me natyrë ekonomike të qeverisë së ikur, të bëra pa debat publik, me formulën e “faktit të kryer”.

“Ne jemi ajo çfarë mbrojmë.” Tregona pra, Republikën e Re!

Friday, June 21, 2013

Bashkëjetesa e xhamisë me krimin

botuar te gazeta DITA, 20 qershor 2013

..............................................

Po bëhet një krim, në emër të një xhamie. Teneqet e krimit ekologjik kanë rrethuar një park të mrekullueshëm, pranë Parlamentit, një nga pikat më tëbukura të Tiranës e thuajse vendi i vetëm ku ti nuk ndjehesh që po jeton në Xhibuti. Duan të prishin parkun e të ndërtojnë një xhami. Ëshët e qartë që po bëhet shpejt e shpejt sa pa u bërë zgjedhjet, që ata që do vijnë ta gjejnë fakt të kryer.
Ky krim po bëhet në sytë tanë, në emër të besimtarëve, nën hundën e opozitës dhe mes budallallëkut të njerëzve të Facebookut.

Në emër të fesë

Brenda një kuadrati të vogël në qendër të Tiranës ka 2 katedrale dhe 1 xhami, ndërsa teneqet pregatisin një xhami të dytë, të stërmadhe.
Është fare e qartë që e gjitha kjo është një shpërfaqje force. Fetë, përtej tolerancës me të cilën mburren, nën rrogoz po zhvillojnë prej vitesh një veprimtari të ethëshme konkurrence.
Gjithçka po ndodh me teneqet rrethuese që po shkatërrojnë parkun për të ndërtuar një xhami, nuk ka sesi të mos dihet nga drejtuesit e fesë. Por, duket se atyre nuk u intereson qyteti, por parcela e tyre, nuk u intereson interesi i gjithë qytetarëve, madje as i vetë besimtarëve të tyre, por vetëm ai i lidhur me demostrimin e forcës.

Në emër të Xhamisë

Unë besoj se një besimtar, do duhej të ishte njëkohësisht dhe një qytetar. Por kam frikë, se nga mëynra sesi fetë kanë operuar sidomos pas rënies së komunizmit alla-enver ka njerëz të cilët janë vetëm besimtarë. Ndryshe nuk kam sesi ta shpjegoj heshtjen e tyre. Sikurse dhe heshtjen e ortodoksëve kur një mega-betonizim shkatërroi një tjetër hapësirë të gjelbër, mu në qendër, në emër të një katedraleje. Natën, ajo katedrale të tremb, por nuk të fton.
Sigurisht, nëse ka njerëz në këtë vend që ndjehen më shumë besimtarë sesa qytetarë, nuk është faji i tyre. Është mënyra sesi feja zuri hapësirat boshe të lëna nga ateizmi i dhunshëm alla-enver. Por, që në emër të besimit të tyre bëhen krime të tilla, ata janë përgjegjës.

Në emër të biznesit

Për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh është thirrja në shkretëtirë e ekologjistëve, që shpjegojnë se bashklë me xhaminë do ndërtohen dhe 2 qendra tregëtare!!! Pra, nuk qenka thjeshtë “punë feje”. Më saktë, biznesi po shfrytëzon fenë për të dhunuar edhe një herë qytetarin. Ata e knaë të sigfurt që nuk ka mbulesë më të mirë për projektet e tyre të dhunshme sesa mbulesa fetare. Shumë krime janë bërë në emër të fesë. Dhe për më tepër, ata janë të bindur që hipokrizia në këtë vend do bëjë që askush të mos hapë gojën për çfarëdolloj krimi të “veshur” me xhami. Aq më pak, politika.

Në emër të popullit

Nëse të gjitha energjitë që po harxhojnë analistët në media kundër "votës kryq" do të shpenzoheshin për të mbrojtur parkun e Namazgjasë, ne nuk do ishim duke folur sot për "votën kryq".
Përveç disa organizatave, askush nuk protestoi. Pozita është e tredhur (ajo pjesë që nuk është e blerë). Opozita ka hallin e votave, dhe nuk ka pse të “kruhet” me një grup besimtarësh që janë më shumë besimtarë sesa qytetarë.
Është dhe grupi tjetër qesharak që u ngrit të protestonte për Parkun Gezi në Stamboll, por nuk ngrihet të protestohet për parkun e vet!! Për të qarë e për të qeshur. Na mbytën revolucionarët në Facebook, njerëzit që ndjehen “turq” e që përloten kur shohin sesi ngrihen turqit kundër despotizimit. “Revolucionarët” e tredhur të online-it. Ata që e “luftojnë” diktaturën me statuse! Ata që dalin për Erdoganin a kundër Erdoganit. Patetike, qesharake, dhe idiote.
Unë besoj se një diktaturë mund ta shembësh edhe pas ca vjetësh. Por, një monstër betoni jo. Aq më tepër, kur atë e veshin me xhami. Nuk kam dëgjuar në asnjë vend që të prishen monumentet e kultit se janë ndërtime të egra apo të paligjshme. Ne nuk shembim dot ca hundë e ca kate pa leje. Mostrat e betonit, janë aty, për të ngelur.

Në emrin tim

Një krim po bëhet në emër të besimtarëve. Dhe të gjithë po heshtin. Unë do jem aty, qoftë dhe me 10 vetë, po u mbodhën. Deri në fund.

Tuesday, June 18, 2013

KOZMIKOMIKET: Foto, tradhëti dhe politikë

Botuar te Revista KLAN, 15 qershor 2013

Nuk e di a e keni vënë re që deri edhe në uebsajtet me përmbajtje të fortë politike, shpesh tek këndi ku afishohen lajmet më të klikuara të ditës a të javës, në krye është ndonjë titull i tipit “filan aktore, në formë perfekte trupore”, ose “e dashura e re e Shk... Kristiano Ronaldos”, etj.
Po të donim t’i binim shkurt, mund të thonim se sa më të forta pasionet politike të lundruesve shqiptarë, aq më të mprehura janë edhe shqisat e tyre në lidhje me ngjarjet erotike, ndaj shkojnë bashkë (në qoftëse mund të quhet ngjarje që filan këngëtare paska postuar foto sensuale në FB). Ç’të keqe ka t’ua ekuilibrosh emocionet?
Them t’i biem pak më gjatë. Unë kam frikë se ka një konfuzion të madh (sa më pëlqen fjala mishelë, po kam frikë ta përdor prej policëve të gjuhës) mes qytetarit si “kafshë politike”, represionit seksual që vuajmë prej dekadash, post-komunizmit depresiv që po kalojmë, konsumizmit, shkërmoqjes së intimitetit përmes teknologjisë falas dhe mbi të gjitha mungesës së prioriteteve në informacion. Them se kemi problem me mënyrën si e kërkojmë lajmin, dhe sidomos mënyrën si e lexojmë atë. Para se të dal në temë, tek fotot, jeta private e aktivistëve politikë dhe marrëdhënia jonë me ta, dua të diskutoj me ju për një lloj lajmi që nuk jua japin kurrë. Dashnoret e politikës.

Solidariteti alla-femëror i burrave

Është shumë e çuditshme sesi media sulmon ose denoncon për krime të mëdha, vjedhje, korrupsion e deri urdhra për vrasje të aksh politikani; por nuk përmend asnjëherë shkeljet e kurorës, abuzimin seksual me vartëset, favoret seksuale me paratë e shtetit etj., të të njëjtit person! Të jemi thua kaq liberalë sa t’i konsiderojmë çështje pa rëndësi? Vende më liberale se ne dhe sigurisht shoqëri më të hapura e të emancipuara, të kryqëzojnë për shkelje të kurorës në rast se ke post politik. Si është e mundur që gjasme-paparazzët tanë sjellin foto të Sinanit me një femër nga plazhet e Marokut, dhe u deshën muaj e muaj e mezi e nxorrën një gjysmë llafi që Shk...Kristiano Ronaldo ka një të dashur të re dhe është ndarë me gruan? Diçka që e di tërë Tirana!
Madje janë disa raste personazhesh publikë a politikanë që nuk jetojnë më, e që në humbjen e jetës së tyre kishte gisht a është bërë sebep një lidhje jashtëmartesore, fakt ky që fshihet. Madje edhe policia bën sikur nuk është “pistë”. Duket se në bllok, media e politika kanë vendosur të mos i quajnë “dashuriçkat” çështje të interesit publik. Madje, ka një lloj aleance alla “solidaritet femëror”, sikur të gjithë kanë rënë dakord të mos e prekin atë temë. Apo të kenë mentalitet biblik “të qëllojë me gur i pari ai që është pa asnjë mëkat”?
Kam frikë se ka një arsye më të madhe se këto: Ne nuk e kuptojmë lidhjen që ka jeta e një personi me funksionet e tij publike.

Politika pa të shkuar

Erdhëm në temë. Standardet tona ndaj shërbëtorëve publikë janë fare, po fare-fare minimale. Nevoja për të shkruar për këtë temë më erdhi nga disa foto aspak ortodokse të një vajze, funksionare e lartë në politikë. Fotot, mund të konsideroheshin normale për një adoleshente që pozon si të ishte modele, por jo për një person që mbart funksione publike. Gjëja e parë që më shkon ndër mend është që një funksionar i lartë politik, minimalja që duhet të bëjë është të shpjegojë se nga vijnë e ç’janë ato foto. Kjo ndodh në çdo vend normal perëndimor. Kur ti ke një funksion shtetëror a publik, mban përgjegjësi për të kaluarën tënde. Angela Merkelin e kryqëzuan për një foto demonstrate të para 40 viteve. Tek ne as bëhet fjalë, madje, ndodh e kundërta.
Në lidhje me fotot në fjalë (Gati-gati ndjehem në faj që po merrem me këtë rast, sepse, pjesa më e madhe e politikës ka foto e video shumë më problematike se të sajat) komentues në blogje reaguan egërsisht ndaj idesë që duhet dhënë një shpjegim. “Pse, mos ka vrarë njeri ajo që të japë llogari?”, ishte fryma e komenteve. Ne nuk e kuptojmë akoma lidhjen mes së kaluarës së një personi - që na dëshmohet (në këtë rast) përmes fotove - dhe funksioneve të tij. Ne do të shqetësoheshim vetëm nëse dikush ka vrarë! Atëherë, le të flasim për pilotin e avionit ku kemi hipur.

Në duart e pilotit

A do të shqetësoheshim nëse edukatorja e fëmijës sonë ka djegur mace kur ka qenë e vogël?
A do të shqetësoheshim nëse komshiu ynë (që kemi bërë dhe sherr) ka një arsenal të tërë armësh në shtëpi? A do të shqetësoheshim nëse presidenti ynë është piroman? A do të shqetësoheshim nëse ministri i Financave i kalon darkat në kazino? A do të shqetësoheshim nëse mësuesja e pianos e vajzës punon natën si prostitutë klasi? A do shqetësoheshim nëse piloti i avionit tonë është përdorues heroine?
Të tërë këta njerëz, kanë të drejtën e tyre të dalin foto me pistoleta, duke torturuar mace, duke u çpuar, duke djegur librat e shkollës, apo duke dëfryer me të huaj të misioneve ndërkombëtare me pagesë. Edhe sikur të jesh njeriu më liberal që flet shqip, më e pakta, do ju interesojë të dini nëse piloti ku po udhëtoni po i fut ndonjë heroinë sot në mëngjes para nisjes a jo.
Para se të marrin në dorë fatin tonë, të vajzës sonë, të maces sonë, të financave apo të ushtrisë së shtetit tonë, ata duhet të përgjigjen publikisht për të kaluarën e tyre.
Ç’të kaluar, do thoni ju? Atë të fotove! Hapni facebookun.

Një foto vlen mijëra fjalë

Më kujtohet një batutë nga një film me partizanë ku partizani-hero, Timo Flloko, bën një foto me nusen në mal. Ajo foto rastësore, bie në duart e italianëve, dhe është e vetmja foto që kanë. Sot, zhvillimi i teknologjisë ka bërë që shumë njerëz të dokumentojnë çdo moment të jetës së tyre.
Paqartësia për kufijtë e privates, papërgjegjshmëria për pozicionet e tyre publike, ose dhe thjesht për faktin që një këngëtare nuk e ka besuar kurrë se mund të bëhet deputete, ka bërë që të publikohen online foto nga më të larmishmet. Funksionarë të lartë dalin në foto duke pirë duhan aty ku nuk lejohet, duke bërë pushime në parajsa ekzotike, duke frekuentuar njerëz e vende të dyshimta, duke kryer veprime që tregojnë paqëndrueshmëri mendore, ndjesore dhe njerëzore, dhe, u dashka të presim që të vrasin njeri që të na japin shpjegime.

Politika e Seksit

Imitimi i Berluskonit, futja në politikë e vajzave të reja pa asnjë sfond politik, por vetëm se janë të bukura ose të famshme, ka bërë që të shohim gjysmë me të qeshur sesi fatet tona merren në dorë nga kukulla të papërgjegjshme. Berluskoni i tyre, dhe gjasme-berluskonët tanë, janë karikatura të shërbimit publik. Ata përfitojnë nga ajo që thashë më lart, që njerëzit e dy vendeve tona klikojnë më shumë një femër në rroba banje sesa vjedhjen e zgjedhjeve. Por, kjo s’do të thotë se ne duhet të jetojmë pa vendosur standarde. Uzurpimi i pushtetit bëhet nga politikanë kazinosh dhe motelesh. Kjo e dyta, përkufizon të parën. Papërgjegjshmëria e deklaratave reflekton një jetë të papërgjegjshme të dokumentuar nga fotot.

Kthim te nudizmi

“Gjyqi” që iu bë Ramës për fotot nudo është i drejtë. Për fat të keq, ishte i motivuar aq keq politikisht, sa nuk krijoi një standard të ri të sjelljes publike të ofiqarëve, por krijoi idenë se shqiptarët të mbështesin më fort po të jesh kurvar/pervers/qejfli/etj.
Nuk dua ta besoj këtë gjë. Dua gjyqin tim. Dua gjyqin tim, ku unë dhe secili nga ne, të mund të gjykojë, ose më e pakta të mund të kërkojë llogari për të shkuarën e kujtdo që ka një pozicion publik e ka përgjegjësi publike. Ju mbase jeni të lumtur që na u liruan vizat, por unë, dua që kompania ta kontrollojë FB e pilotit që do na çojë matanë.
Matanë ku? E drejtë, nuk arrijmë gjëkundi, se ministrat tanë janë në kazino, shtetarët tanë janë piromanë, deputetët janë në Dubai me sekretaret, drejtoreshat tona janë në seanca fotoshoot-esh, dhe ju po prisni që dikush të vrasë njeri, që të mund ta pyesim: ç’është kjo foto.

Tuesday, June 4, 2013

KOZMIKOMIKET: Krimi më i madh ndaj njerëzimit

Dhuna e kujtimeve është një krim me pasoja të mëdha. Kur të vdesë dhe njeriu i fundit që ka njohur personalisht p.sh., Azem Hajdarin ose Ramiz Alinë, atëherë nuk do kemi veçse kujtimet. Të cilat në këtë vend po shkruhen me qëllimin e vetëm të deformojnë kujtesën

botuar te REVISTA KLAN, E shtunë, 1 qershor 2013
....................................
Dua të denoncoj një krim. Ditë për ditë, para syve tanë, po vrasin kujtesën tonë historike. Ky nuk është një ankim letraresk, por, të paktën siç e kuptoj unë, është një nga krimet më të mëdha konkrete (e gati gjymtim fizik) që mund t’i bëhet një kombi. Deri tani janë eleminuar me sukses kujtesa e tokës (kadastrat tona janë një pus i thellë krimesh), kujtesa e ëndrrave (ajo e viteve 90-92, kur e donim Shqipërinë si gjithë Europa), etj.
Paralelisht, po vritet kujtesa historike. Duke deformuar kujtesën e kombit, deformohen të tërë gjymtyrët e tij e që funksionojnë përmes saj. Ky krim është i vazhdueshëm, i përditshëm, dhe vetëm këto ditët e fundit naështë shfaqur serbes e me arrogancë shumë herë.

Janë pjella e krimit, dhe medemek “krimi s’jam unë”!
Pak ditë më parë, një shkrim i Agron Tufës në lidhje me nderimet që i bëheshin Haxhi Lleshit, njeriut të besuar të Partisë për të drejtuar Kuvendin Popullor në kohën e Enverit, mori në blogje një uragan ofendimesh nga njerëz që e ngrinin në piedestal Lleshin e sulmonin Tufën (kryesisht si person). Në jubileun e Lleshit kishte dhe plot figura shtetërore. Njësoj si ata që e trajtuan si gjigand të kombit, Ramiz Alinë kur iku. Ish-Drejtori i Burgut të Spaçit, Meto Kondi kish dhënë për një gazetë një intervistë ku pretendonte që i trajtonte të burgosurit si intelektualë, dhe se Lubonja ish sjell keq në burg, sa i kish detyruar këta njerëz të mirë, ta fusnin në birucë. Ish sjellë shumë keq, dmth, nuk kish pranuar të punonte në galeritë e vdekjes në punë të detyruar! Dhe, drejtori na e paskësh plasur në birucë nga halli. Pa le tjetra, sjellja e padenjë e e paedukatë e Lubonjës, që ish futur në grevë urie!!!
Kryetari aktual i Lidhjes së Shkrimtarëve, Hysen Sinani, ka akuzuar se janë zhdukur procesverbalet e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku sigurisht ishin të shënuara kush tha çfarë e kush propozoi çfarë mynxyre. Ai ngre gishtin mbi poetin Bardhyl Londo, ish-Kryetar. Ky i fundit, ka publikuar një libër kujtimesh, dhe përmes atyre copërave që solli shtypi, nuk është e vështirë të perceptosh se edhe atë e kanë dhunuar në atë kohë. Dhe jo vetëm kohën “e Enverit”, por, ky rishkrim i kujtesës po përfshin dhe periudhën pre- dhe post- enveriste.

Krim në të gjitha kohët
Po ngrihen shtatore të Zogut dhe po eleminohet nga historia Luigj Gurakuqi. Po ridimensionohet Koliqi (me gjasë dhe për pasion fetar). Pllaka e varrit të Migjenit është thyer (me gjasë për zell fetar). Ndërsa disa protagonistë të post-90, me hije të forta dyshimi për në aktivitetin e tyre jo-ligjor, janë ngritur në piedestale, gati idhuj, ku përmes manipulimi të të së vërtetës e deri dhe dhunës së disa interesave personale e partiake. Askush nuk flet dot, edhe pse mund të shohë historinë fare të freskët sesi është manipuluar për të ngritur idolë të rremë.
Ky manipulim i kujtesës historike, sport që nisi të aplikohej gjerësisht në kohë të Enverit (jo se Zogu qe më i mirë, por mjetet teknologjike atëherë nuk e mundësonin) ka marrë përmasa të frikshme. Dhe ndryshe nga Orwelli, ku manipulimi bëhej në një ndërtesë të vetme, te ne ai është i shpërndarë gjithandej.

Ministria e të Vërtetës
“Të tëra këto kujtime shkruhen për të falsifikuar historinë” thotë Maks Velo. Unë besoj se ka të drejtë. Dhe unë mendoj që pakkush është i interesuar ta dëgjojë këtë kambanë. Ka kaq shumë mëkatarë në këtë vend, sa fare pak kanë mbetur për të luftuar për të vërtetën.
Deformimi i kujtesës po realizohet intensivisht që nga ‘97. Nëntëdhjeteshtata është pragu që ndau ndjeshmërinë tonë, nga krimi i Enverit u gjendëm pa kaluar as një 7-vjeçar në krimin e Saliut. Ndjeshmërinë tonë ndaj krimit të një sistemi, e zëvendësoi shumë shpejt frika aktuale ndaj një krimi që po ndodhte. Ishin krijuar xhahilët e rinj të demokracisë. Pastaj ndjeshmëria topitëse e Nanos, rehabilitimi i buzëqeshur i gjithkujt. Frika e ’97-s. Lufta e Kosovës. Pastaj lodhja.
E vërteta ka nisur të deformohet shi nga ’97-a, kur askush nuk e kishte më mendjen. Kushdo që ka pak akses në media, nxiton të thotë një të vërtetë të zbutur në ujë, dhe vit pas viti, ajo zbutet aq shumë, sa dhe ish-Drejtori i burgut më të tmerrshëm të komunizmit (ma do mendja, jo vetëm në Shqipëri) e quan veten viktimë të një burgosuri që “na vinte në siklet” se bënte greva urie!
Ministria e të Vërtetës, ajo që ndryshon kujtesën popullore të ngjarjeve është e shpërndarë në qindra individë dhe e suportuar nga media, nga injoranca, nga mungesa e përgjegjshmërisë, nga dashamirësi baxhanakësh e farefisi, nga pozitat e pushtetit. Ky manipulim i së vërtetës përmes deformimit të kujtesës, përfitohet shpesh edhe nga kryeultësia e viktimave. Ose nga fakti që ata që ishin në pushtet dje, janë dhe sot, me forma të tjera.

Kompromisi si krim
Unë kam respekt për pleqtë, qofshin këta edhe të veja diktatorësh, apo ish-Drejtorë burgjesh. Unë e kam lexuar e shijuar poezinë e Londos (meqë ra fjala, e dua shumë prozën e Koliqit). Por, nuk mund e nuk dua të bëj kompromise me kujtesën e këtij kombi.
Dritëro Agolli, që konsiderohet si Patriark! Patriark?? Nuk dua të flas për poezinë e tij, që gjithsesi nuk më duket e nivelit të patriarkut, por, për rolin e tij si Kryetar i mjetit më të fortë propagandistik të diktaturës. Dritëroi mund të jetë njeri shumë simpatik dhe i dashur. Por, Lidhja e tij, jo!
Ata që kanë qenë aty ku kanë qenë, nuk mund të imponohen sot as si viktima. Kushdo që ka pasur një pozitë në atë kohë, duhet të mbajë përgjegjësinë e vet. Të plotë. Dhe pa justifikime. Dhe më e pakta, duhet të heshtë. Heshtja, kërkon një forcë shumë të madhe njerëzore. Por druaj se ata që ishin “të brishtë” ndaj forcës detyruese të regjimit – duke marrë me dashamirësi si të mirëqenë që regjimi i detyroi dhe Agollin e London të udhëhiqnin Lidhjen, dhe Kondin të drejtonte Spaçin, dhe Lleshin të drejtonte legjislativin komunist –nuk do kenë forcën të heshtin. Ndaj shkruajnë kujtime.

Krimi i falsifikimit përmes kujtimeve
Dhuna e kujtimeve, është një krim me pasoja të mëdha për të ardhmen. Kur të vdesë dhe njeriu i fundit i gjallë që ka njohur personalisht p.sh., Azem Hajdarin ose Ramiz Alinë, atëherë nuk do kemi veçse kujtimet. Dhe kujtimet, në këtë vend po shkruhen me qëllimin e vetëm të deformojnë kujtesën.
Ne nuk kemi ndërtuar mekanizma për ta mbrojtur kujtesën e kombit. Këto mekanizma i mban shoqëria civile dhe individët. Këto mekanizma, kërkojnë një komb me dinjitet, e jo një turmë që e shet votën 100Euro/copa.
Institucionet tona janë plot me mëkatarë. Akademira, ministrira, OJF-ra... Mediat tona, blihen. Hapësira TV ose në gazetë blihet. Mund të shkruash ç’të duash. Sado të bërtasë të vërtetën e vet Maks Velo, nuk ka mbetur thuajse askush për të dëgjuar. Alzhaimeri i kombit ndjehet. Shiko si jemi katandisur.

Kombi i Alzheimerit
Jemi një popull që i pështyn heronjtë dhe u bën hosana të ligjve. Që mos t’ia lëmë vetëm “popullit” këtë damkë, unë besoj që kjo është vepër e individëve. Heronjtë vetë, nuk para shkruajnë kujtime. Ata bien.
Kemi ndërtuar një marrëdhënie perverse me liderët. Kemi një marrëdhënie prostitucionale me të vërtetën. Zgjedhim ashtu siç jetojmë, mes pisllëkut dhe llogjeve të kafeneve. Çdo gjë të mirë e ulim, çdo gjë e pisët na duket se nuk ka punë me ne. Po të pamë poshtë, të vumë shkelmin. Po të pamë lart, të puthim këmbët. E duam Shqipërinë në një çast, e shesim në tjetrin. Dhëmbët na krimben e goja na mban erë. Sjellja jonë sociale e politike, është e lidhur pazgjidhshmërisht me bombardimin e imazheve të copëtuara që na sjell truri jonë me Alzheimer. Kujtesa jonë është sa ajo e një fëmije 3 vjeç. Sa vjet kanë kaluar nga Gërdeci? E kush e mban mend! “Besimi në Zot” është programi politik i PR-së (!?)
Sa herë që dikush do dojë të mësojë ç’ka ndodhur në këtë vend, do hapë qitapët, do hapë dokumentarët, kronikat TV, intervistat në gazeta, pa harruar memuarët, dhe aty do gjejë një gënjeshtër të madhe e të paturp. Por, ata që do i hapin, nuk do kenë trashëguar asnjë lloj cipe, dhe asgjë nuk do u skuqet.

Eternal Sunshine of The Spotless Mind
(ky kapitull, është bosh)

Wednesday, May 22, 2013

KOZMIKOMIKET: Copërat e Një Pranvere Joshqiptare

Përmendet shpesh fraza e Montanelit, “do votojmë me hundën mbyllur”. Gënjejmë veten. Atë frazë e kemi kaluar që më 2005. Tani jemi Nazimet që votojmë për Fiqirinjtë, dhe marrim nga 4 vjet dënime të njëpasnjëshme.


botuar te Revista Klan,e shtunë, 12 maj 2013


orion shima - dreri
...........................

Para shumë muajsh, nuk e di pse, isha në pritje të një “pranvere shqiptare”. Jo pranverë të vërtetë, me heronj e me barrikada, por një “diçka” rizgjuese. Nuk ka. Nuk ka për të patur. Është shumë e vështirë të zëvendësosh një “pranverë shqiptare” me çfarëdo procesi tjetër zhvillimi. Ndoshta jemi në këtë pikë të dëshpëruar sepse nuk patëm një revolucion të vërtetë në vitin ’90. Patëm një inat të verbër me një bust, dhe kaq. Ama, atij busti i punuam qindin, por na ranë shpejt nervat. Bishtpëllumbsat që e tërhoqën zvarrë bustin kushedi ku heqin zvarrë ditët të bërë çyryk nga shiringat gjermane. Ndoshta në ’90 na duhej një revolucion i vërtetë dhe jo një “hapje” me anë të pardesyve të bardha. Dhe s’kam kujt t’ia vë fajin. Ramizi iku pa treguar asgjë, dhe iku madje me të shtëna topi.

Kanë dënuar me 10 vjet Nazimen. Simbolin e vajzave të vogla të dhunuara. Në fotot e gjyqit, mbase është përshtypja ime personale, por ishte e vetmja qenie me fytyrë të butë në sallë. Punonjësit e sistemit tonë gjyqësor, publiku e policët kanë adaptuar pamje egërsie, në pamundësi për të na dhënë një sistem të rreptë por të drejtë. Fytyrat e tyre janë të vrazhda, në pamundësi për të qenë të drejta. Nazimja – e vetmja fytyrë njerëzore në ato foto. 10 vjet për të. Dhe dëgjova që “qenkemi ndarë mirë” se mund të “hante” më shumë.

Duke gjykuar nga fytyrat në dritaret e autobusit, shkruan Lubonja, më shumë se autobus i rilindjes (...me të vogël! Me të vogël! Nuk kam për ta shkruar kurrë me të madhe rilindjen e 1 prillit) ai është autobus i konfliktit të interesit. Pak ditë më parë, një blogiste thuajse i lutej Lubonjës që të bënte diçka alla Beppe Grillo (!!). Nuk mund të ketë dëshpërim më të madh se kaq. Përmendet shpesh fraza e Montanelit, “do votojmë me hundën mbyllur”. Gënjejmë veten. Atë frazë e kemi kaluar që më 2005. Tani jemi Nazimet që votojmë për Fiqirinjtë, dhe marrim nga 4 vjet dënime të njëpasnjëshme.

Kanë vënë një bust të Sabri Godos diku. Nëse Godo do meritonte një bust, do ishte sepse ka shkruar “Skënderbeun” dhe ”Ali Pashë Tepelenën”. Këta libra, pa ekzagjerim, dikur i kam lexuar me 10-ra herë. Kryetari part time i Tiranës e cilësoi si “politikani që...”. Godo - të më falë familja - nuk mund të ketë një bust si politikan. E vetmja vepër e tij politike (pa folur që na la në derë Mediun) do të kishte qenë kushtetuta – dhe ata që e ndërtuan mund të kishin qenë etërit e kombit. Por, të njëjtët që i ngritën bustin ishin ata që ia hoqën mundësinë të hynte në histori si një nga etërit e kombit. Kushtetuta e tij u përdor si zhele nga 2 vetë, dhe të tërë dhanë nga një dorë. Kushtetuta nuk u gdhend në gur, po u shkruajt në rërë. S’ka më etër, edhe pse ka buste. Kushtetuta, e vetmja vepër e tij, nuk i thotë askujt, asgjë.

Argëtimi më i madh këto kohë janë llogaritë elektorale. Të gjithë, edhe ata me akses në informacione “të brendshme” edhe me ata në akses vetëm në tituj gazetash, bisedën më të përzemërt kanë atë të llogarive elektorale. Kaq këta, aq ata. Ky mandat, ai mandat. Del 8 me 3 apo 7 me 6. Shpirti ynë prej bixhozxhiu e tejkalon atë prej qytetari. Nëse kemi patur ndonjëherë shpirt qytetari. LSI-ja e ka marrë tashmë legjitimitetin e të qenit opozitë dhe rilindje njëkohësisht, dhe kurioziteti ynë është te mandatet. Mandatet, alias, lepujt.

Njoh njerëz që janë shumë të bindur që PD dhe Berisha na kanë ndërtuar rrugë, na hoqën vizat e na futën në NATO. E besojnë realisht. Nuk shtiren. Jemi një komb i mpirë. Edhe ata që nuk marrin drogë marrin shumë rrezatim tv. Blogjet të mbushura me shqiptarë të verbër që vetëm presin dhunshëm sa majtas-djathtas. E vërteta është një elefant i madh në dhomë.

Nuk kanë për ta vënë kurrë bustin e Lirak Bejkos. Nuk e vënë as ata që po ikin e as ata që po vijnë. Heronjtë e vërtetë sot nuk kanë buste. Kanë pirgje me gurë. Ne duhej të kishim vënë të tërë nga një gur aty ku u dogj ai.“Ne kush?” është pyetja që më dhemb.

Rama nuk hap telefonin. Ashtu e mendon ai bashkëpunimin. Sa të firmosësh, pastaj... shhhht, kam punë të tjera. Më kujtohen bisedat e Ngjelës me Pollon në 2005-n (s’di se kush i rrëfente në një libër) që në mitingjet e aleatëve të lumtur e të barabartë, shihnin gjithmonë para vetes shpinën e Mediut. Trenisti, nxirrte te lokomotiva të preferuarin e tij. Kur treni është nisur, nuk mund të kërcënosh njeri se do hidhesh nga dritarja. Edhe po u hodhe, nuk të sheh njeri.

Prej vitesh numëroj xixëllonjat në maj. Dhe çdo vit, pakësohen. Në rrugicën time kam parë vetëm njëckë këtë vit. Nja 2-3 vjet. Kishte me qindra para 10 vitesh. Efekti i çimentos. Shoh pallate të ngritura me ngut, para se të bëhen zgjedhjet. Me letra, mund të jenë të tërë në rregull. Por mbrapshtinë urbanistike të tyre nuk mund ta justifikojë asnjë letër.

Katedrale e xhami betoni që i bëjnë karshillëk njëra tjetrës. Kush ta ngrejë më të lartë, kush të derdhë më shumë beton. Xixëllonjat dinë më shumë. Mostra të një zelli fetar në një vend të mbushur me paganë e të pabesë. Godzilla që kanë zënë hapësira publike në emër të “tolerancës fetare”.

Koço Kokëdhima në TV, që deklaron se nuk i ka askujt borxhe. Që e thërret “Saliun” “doktor”.

Skënder Tufa, i rrethuar me policë kudo që shkon, sepse është “public enemy” i vërtetë e i vetëm. E ruajnë se ai godet me vezë Kryeministrin.

Është maj. Në netët e verës, sidomos vonë, kur makinat janë rralluar, vërtet nuk ndjehet aromë lulesh por ka një lloj gëzimi e jete në ajër. Shoh njerëzit që mbyllin dyqanet, për të shkuar në familjet e tyre. Biseda të gjalla në trotuar. Ka biçikleta. Ka miq që mblidhen për një birrë. Ka djem që mbështeten pas murit e flasin për sportin e për femrat. Ka të qeshura me zë të lartë. Sepse, është verë. Njerëz të thjeshtë, që përpiqen të bëjnë sikur jetojnë në një vend normal. Njerëz që as dinë, e as kanë si korruptohen, që paguajnë taksat, që kanë një ëndërr të vogël, e kujdesen për fëmijët e tyre. Doja para ca muajsh që në një kohë si kjo, t’i shkruaja një letër të hapur (që sigurisht as e merr mundimin t’i lexojë) Edi Ramës. Një letër ku t’i bëja vetëm një pyetje. Çfarë do t’u ofrojë këtyre? Dakord, kishte diçka për t’i ofruar dhe Kokëdhimës. Po këtyre njerëzve? Këtyre që nuk korruptohen?? ÇFARË DO T’U OFROSH KËTYRE NJERËZVE?

Kush i vë bustet në këtë qytet? Kush e hedh idenë, kush e merr vendimin? Asgjë nuk dimë. Vënia e busteve ka nevojë për debat publik. Por, debati publik është kthyer në një nevojtore të papërdorshme publike. Dhe e kanë sabotuar me qëllim. Nuk duan të dëgjojnë zhurmën e qenve në rrugicë. Në këtë qytet nuk bëhet asgjë që ka lidhje me shpirtin e qytetit. Këtu dhe bustet vihen me një telefonatë.

Beppe Grillo? Pa qenë ekspert, besoj se Grillo është këtu ku është, sepse para 15 vitesh, italianët paguanin biletën për të dëgjuar monologët e tij (anti)politikë. Duhet ta ndihmosh të mbijetojë atë që do të artikulojë për ty të vërtetën. Ata pak – sa pak kanë mbetur – gazetarë shqiptarë që do të donin t’i qëndronin sistemit e të flisnin të vërtetën, e vetmja mënyrë që të jetojnë është të marrin rrogën te X-i apo Y-i që nuk dihet se nga i marrin lekët.

Skënder Tufën nuk e lanë të kandidonte i pavarur. Do doja shumë të votoja për njeriun që gjuan me vezë.

Është pranverë në Shqipëri, por asgjë nuk mban erë pranvere.

Wednesday, May 8, 2013

KOZMIKOMIKET: Rilindja tjetër - ajo e “vrasjeve”

botuar te Revista KLAN para 4 ditësh.


projekti artistik Kill The Poor / Eat The Rich - ndërhyrje mbi një limuzinë të zezë hummer për transportimin e artdashësve gjatë Armory Show 2010, New York.


................................

Shqipërinë e kanë shtënë në dorë të pasurit. Sistemi që ata po ndërtojnë falë përfaqësimit të tyre e të parave të tyre në ekzekutiv, legjislativ e drejtësi, promovon, mbron, u jep mundësi e pasuron vetëm ata. Si për cinizëm, të varfërve ua merr dhe atë pak që kanë duke u shitur shtrenjtë diploma false, të një shkollimi fals. Të pasurit, marrin diploma të vërteta diku jashtë.
Mediat e blera prej tyre i mbajnë ata të çimentuar në vitrinat e jetës sociale e politike, duke bllokuar çdo lloj të vërtete që buron nga lumpeni. Në media del vetëm e vërteta e tyre. Këto i kam thënë njëherë në shkrimin “Sa e Vogël është e Keqja” botuar në revistën Klan, që e hapja me frazën “po ta dinit kush i ka lekët në këtë vend, do të habiteshit”. Në fakt askush nuk habitet më. E parë me këtë sy, gjithçka ka marrë fund.
Të pasurit zotërojnë sistemin bashkë me këdo që gjallon brenda. Pra, ose ik në perëndim, ku sistemi është më i stabilizuar dhe i balanacuar, ose konvertohu në këtë sistem korruptiv. Kështu duket. Por jo e gjithë shpresa është e humbur. Mund të ketë një rilindje. Jo një Rilindje si e Metës me Ramën. Por një rilindje tjetër, përmes eliminimit të pushtetit të të pasurve. Një “vrasje” e tyre, por me pambuk. Një rilindje që zë fill me atë që sistemi s’është në gjendje të bëjë.

“1984”

I rikthehem vazhdimisht “1984”-s së Orwellit, si një nga shpërfaqjet më të zeza që mund të marrë fati i njerëzimit, skenar që për pak u realizua në gulagët e Europës Lindore. 1984-a e pati rastin të materializohej e nuk mundi. I shkoi shumë afër, por prapë nuk u bë dot. Arsyet janë të shumta dhe argumentat mund të presin thellë. Por, ndoshta është vetë gjendja njerëzore që nuk mund të jetë e tillë. Është e panatyrshme. Ndoshta etja për të vërtetën është stadi i vërtetë i qenies njerëzore. Dhe e vërteta nuk mund të çojë kund tjetër përveçse te trekëndëshi i barazisë-lirisë-vëllazërisë. Ndoshta, diktatura e të pasurve nuk ka shans të jetë gjendja e përhershme njerëzore. You cannot fool all the people all the time. Sado të pasur të jenë, sado ta kenë uzurpuar e korruptuar deri në palcë sistemin, instalimi i 1984-s është i pamundur. Ndaj, ka ende shpresë. Në sistem ka plot vrima ku mund të lëvizin jo elefantë, por milingona.

Bota e nëndheshme e milingonave

Ekuilibret deri edhe ekologjike të kësaj bote mbahen nga milingonat. Gjithmonë do jetë një grup milingonash që do të kundërshtojë sistemin. Sistemi jo vetëm që nuk është i përsosur për të shtypur, por, falë injorancës që prodhon vetë krijon mundësi pafund për ta luftuar. Injoranca që kanë mbjellë përmes sistemit arsimor aktual, nuk na le asnjë shpresë tek një brez i ri që të rindërtojë Shqipërinë. Por, pikërisht, kjo injorancë u heq mundësinë të ndërtojnë një sistem të pacënueshëm shtypjeje. Për një fat të madh - injorancë, neglizhencë periferie, mos “ngritje peshë në kandar” - shumë gjëra kalojnë pa u vënë re nga sistemi. Kam parë të jepen në TV dokumentarë që në Perëndim do i kishin bllokuar menjëherë, sepse thonë të vërteta të padëshirueshme për sistemin. Dokumentarë që qarkullojnë me vështirësi e nuk do mundesh kurrë t’i shohësh në një kanal publik në Europë. Fat i madh të jetosh në Shqipëri e t’i shohësh një pasdite të ngeshme në TV. Në Shqipëri, ku askush nuk sheh dokumentarë.
Milingonat kundër sistemit, mbajnë gjallë të vërtetën. Dhe kjo është fitorja e parë. Mbrojtja e së vërtetës me të tëra mënyrat. Pastaj, të pasurit tanë nuk janë as të zgjuar e as të shkolluar mjaftueshëm për të ditur se çfarë bëjnë. Ata vrasin veten, pa e ditur.

Të pasurit vrasin veten me injorancën e vet

Andi Kananaj argumenton se pasuria nuk përcillet kurrë tek 7 brezat (duke iu referuar konceptit “filani ka siguruar 7 breza”, sigurisht me metoda korruptive.) Nga ana tjetër injoranca dhe egoizmi, kanë bërë që për të siguruar 7 breza kanë shkatërruar Shqipërinë sa të mos mund të arrijë as te brezi i dytë. Një vend i falimentuar, çfarë do t’u duhet nipave? Apo ajri ynë toksik? Apo toka e helmuar? Apo bregdeti i çimentuar e me vajra?
Të pasurit, kanë harruar se edhe ata vdesin. Nuk ka ende kurë për kancerin, e as për alzhaimerin. Sëmundje me një sens barazitizmi të shkëlqyer. Pasuritë e tyre, do të hahen nga administratorë hajdutë, nga dhëndurë të shthurur, ose do të zënë veten përfund nga paftësia e tyre menaxhuese.
Sot shoh aktivë në politikë, biznesmenë që ishin të aftë të ngrinin perandori duke shqyer pronat publike, por të paaftë për të administruar pasuritë e përfituara. Ata, përmbysen si dinosaurë në moçale, nën peshën e stërmadhe e të pamanaxhueshme. Dinosaurë injorantë, kapadainj, dhe të palumtur.

Të pasurit vrasin veten me palumturi

Çuditërisht një nga armët më të forta të sistemit është mbajtja e të varfërve në një nivel palumturie të vazhdueshme. Mafiet, thotë Roberto Saviano, e organizojnë jetën e tyre mbi palumturinë. Janë organizata që shumëfishojnë stërvitjen e palumturisë. Nisen nga principi se realiteti nuk ndryshohet, shkruan ai. Pushteti i diktaturave, shkruan William Reich, diktaturave pak a shumë mediatike, bazohet në marrjen e miratimit nga qytetarët të cilët nënshtrohen sepse nuk kanë arritur kurrë të realizojnë vetveten plotësisht e në kapacitet të plotë nga ana emotive e seksuale, duke mos qenë në gjendje të krijojnë respektin e duhur për jetën e tyre. Këtu e gjen Jacopo Fo arsyen se pse kaq shumë italianë votojnë partinë e bunga-bungës.
Saviano mbron idenë që duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë. Dhe nuk e kam fjalën që të ëndërrojmë për të frekuentuar klubet shik, për t’u ndjerë “barabar” me pasanikët, në tavolinën ngjitur tyre, e duke imituar stilin e tyre. E kam fjalën për ide dhe kreativitet. E kam fjalë për ëndrra që e plotësojnë njeriun.
Duket në fakt shumë idilike, naive e deri dhe absurde nëse ballafaqohet kjo ide me mënyrën se si ne e jetojmë e përjetojmë realitetin. Por, e vetmja gjë që mban gjallë njeriun përballë diktaturës së të pasurve, është forca për të ëndërruar, dashuruar e krijuar. Na duhen qytetarë pa komplekse dashurie e seksi, të zotë për të ëndërruar përtej “ku do shkoj në plazh sivjet”. Prej këtej, dhe jo prej masterave të injorancës, dalin qytetarët dinjitozë të së nesërmes. Qytetarë që do të dinë t’i vrasin të pasurit, duke rifituar pushtetin ekonomik: Atë të konsumatorit.

Vriti të pasurit me pambuk

Janë disa vende në Tiranë që unë nuk kam hyrë e as nuk kam në plan të hyj. Disa objekte biznesi që unë i identifikoj si objekte mafioze ose si vepra të korporatave ose si biznese të monopolit ekonomik. Dhe kam arritur të jetoj normalisht, pa pasur nevojë për akses në to. Nëse të tërë qytetarët do binin dakort të mos blinin një produkt, pasaniku përkatës vdes. Biznesi i tij mbaron. Pushteti i tij politik zvenitet. Sepse, pushtetin në kapitalizëm, në të vërtetë e ka konsumatori. Konsumizmi është arma diabolike kundër lirisë. Sado paradoksale, ata, janë të pasur falë jush. Nesër do na shesin dhe ajrin e ujin. Dhe do të jetë tepër vonë. Ajri nuk është një dyqan që mund ta bojkotosh. E as një produkt që mund ta snobosh. Por, nëse konsumizmi brenda jush është më i fortë se ndjenja e lirisë, atëherë nuk e meritoni lirinë. Meritoni markat që ju shesin. Meritoni luksin bosh. Dhe çizmen në kurriz.