Wednesday, July 17, 2013

KOZMIKOMIKET: “Riciklimi dhe Rilindja”

botuar në REvistën Klan, më duket se ishte e shtunë, e sigurt që ishte korrik


............................................
Jemi një vend super-riciklues. Vërtet nuk riciklojmë thuajse asnjë material (na pëlqen të konsumojmë me epsh), por ama riciklojmë njerëzit. Domethënë, bëjmë të kundërtën e asaj që duhet bërë. Në perëndim(ku duam të hyjmë nga oxhaku edhe pasi na mbajnë mbyllur dyer e dritare)riciklojnë sendet, por jo njerëzit. Një politikan i inkriminuar, një sipërmarrës mashtrues, ca të rinj hajdutë, ca ish ministra të përlyer, shoqëri civile e korruptuar me projekte, figura televizive që askush nuk i ka besë -kujtdo që ka shkelur një herë në dërrasë të kalbur, nuk i jepet më shansi të rikthehet. Vetëm ne, riciklojmë të njëjtët njerëz prej dhjetëra vitesh. Një vështrim i shpejtë i parlamentit të ardhshëm të lë të kuptosh që kemi ricikluar shumë plehra njerëzore. Disa riciklohen që nga vitet ’80.
Mungesa e opsioneve për të rigjeneruar sistemin përmes votimit (ku vota e bardhë u sulmua egërsisht e për votën e blerë nuk flet askush) më bën të kthehem edhe një herë te nevoja për të ndryshuar sistemin, dhe jo “shoqninë” qeverisëse. Jo për nihilizëm. Por unë druaj, se ky sistem nuk pastrohet dot përmes votës. Sigurisht, do i lëmë maxhorancës së re kohë të tregojë si do qeverisë. Besoj, po ashtu që përmirësim do të ketë, qoftë dhe për faktin që nuk ka sesi të jetë më keq se ç’kemi qenë. Por, shanset për të përmirësuar sistemin janë të vogla. Njerëzit e ricikluar janë po aty. Në ndryshim nga plehrat, njerëzit nuk mund të ndahen në pjesë e të tjetërsohen. Kryeministri në ngjitje, pat thënë në një intervistë se është çështje sistemi, jo njerëzish. Por, çështja është se ata JANË sistemi. Njerëzit e ricikluar.
Ky riciklim njerëzish, vjen edhe prej mënyrës sesi ne kaluam nga sistemi në sistem.

Përmbysjet tona, pa revolucion

Me aq sa mund të përmblidhet me pak rreshta, ne nuk kemi patur një revolucion të vërtetë as për të përmbysur Zogun e as Enverin (më saktë as Ramizin, se Enverin e qamë me ligje e me intelektualë, i thamë “merr nga jetët tona, veç mos ik”). Duhet rikujtuar se ata që kanë qenë brenda lëvizjes së Dhjetorit, e kanë thënë ku hapur e ku mbyllur, se ajo ishte e iniciuar nga Ramiz Alia. Pra, edhe aty ka pasur një gjasme-protestë nga pardesytë e bardha. Në një moment të vetëm kur turmat desh iu sulën bllokut, flokëbardhi Neritan Ceka i ktheu njerëzit drejt sheshit, ku iu sulën një busti. Bustit, ama, ia rropën leskrat.
Cinike, vjen në këtë rast, batuta: “e pra, krisma nuk ka patur”. Në fakt, ka pasur aty këtu. Përgjatë viteve ’90 mbaj mend disa protesta të sinqerta e deri diku masive. Ndoshta, migrimi i madh i njerëzve që s’mund ta durojnë dot të jetuarin kështu nuk kish nisur ende. Ndoshta, ende nuk ishim korruptuar të tërë shpirtërisht e materialisht. Me siguri dhe sistemi ishte vulnerabël dhe i pa-aftë për të menaxhuar protestat (’97-a është një histori më vete). Pa dyshim, kishte ende një shpresë naive që sistemi edhe mund të mposhtet me protesta. Po flas akoma për vitet ’90. Vitet 2000, ishin një zhgënjim i madh.

Vitet 2000 pa 2011-n

I vetmi moment shndritës i viteve 2000 (e deri sot) ishte 21 janari. Një protestë e para-, gjatë- dhe e pas-menaxhuar shumë keq, por gjithsesi, një moment buçime i një kombi të gjunjëzuar. Por, përtej 21 janarit (fut këtu edhe qokën e 28-s) nuk ka asgjë për t’u përmendur. Arsyet e mëdha janë pikërisht e kundërta e atyre që numërova për vitet ’90. Por, e rëndësishme është që në vitet 2000, sistemi (kryesisht nën drejtimin e Berishës) u përsos në zerimin e protestave.

Pro...statat

Një nga mjetet e sistemit, ishte përdorimi i kundër-revolucionarëve, një kryevepër bazuar mbi hendikapet qytetare të shtresave të caktuara, përzierë me interesa banale të individëve që dilnin për të protestuar deri edhe kundër një greve urie! Për çdo 30 mijë që protestojnë kundër qeverisë, ajo mobilizon 50 mijë pro. Nëse dalin 50 mijë të thonë ‘jemi të papunë’, shteti mundet dhe të mobilizojë 70 mijë që thoshin se po na mbyt puna.
Mjeti tjetër ishte diversifikimi i kauzave e i protestave. Kamikazë të pushtetit, dilnin e flamurë e me disa dhjetëra vetë për të krijuar iluzionin se “ç’janë ca që protestojnë, s’dihet për çfarë”. Aventurierë e naivë filluan të dalin për lloj-lloj gjërash, duke kopjuar keq inisiativa pa shumë lidhje me Shqipërinë. Mbaj mend që u shpik dhe një “indignatos” në një moment të caktuar.
Sistemi (lexo: Berisha) arriti t’i polarizojë mediat deri aty, sa të deformonte të vërtetën në mënyrë të përbindshme. Kur një media të thotë ishin vetëm 6 mijë, dhe një tjetër 300 mijë, vlera e protestës devijon diku tjetër.
Në këto hije protestash, ka pasur dhe individë që dilnin me shpirt saherë që lëshohej berihaj, dhe këtu nuk po flas për ta. Edhe pse, ata që e kanë në gjak protestën filluan të mungojnë gradualisht, sepse vetë procesi i protestës jo rrallë u bë qesharak.
Shteti (lexo: Berisha) shkatërroi sistemin arsimor, duke e mbushur me analfabetë pasivë dhe të rinj pa asnjë lloj interesi të marrin pjesë në jetën politike përmes organizatave në rrënjë. E vetmja gjë që kërkojnë është të zenë ndonjë vend të ngrohtë pune përmes miqve, nënshtrimit, tesërës së partisë e diplomave boshe.
Por, elementi kryesor është që (me përjashtim të Mjaft-it një periudhë kohe, para se të shkrihej në damarët e pushtetit) nuk ka pasur një koncept të saktë për protestën. Ka rëndësi të dish edhe “si” duhet protestuar.

Grevat pa fund të urisë

Një element i përhapur proteste kanë qenë grevat e urisë. Ajo që duhet të ndodhë shumë rrallë, thuajse kurrë, përdorej e para fare, pa konsumuar asnjë shkallë tjetër. Greva urie për çdo hall, aq sa shumica e tyre nuk u mor vesh nëse përfunduan a jo. Për shembull, disa banorë që po nxirreshin nga shtëpia, u futën në grevë urie, po unë s’arrita ta marr vesh nëse dolën më prej andej a jo. Ka shumë muaj. Sigurisht hallet janë ekstreme, mosbesimi te sistemi administrativ a i drejtësisë është total, ndaj, hallexhiu rend tek mjeti i fundit. Por, asnjë nga këto mjete nuk ka funksionuarnë këtë vend që është bërë gati virtual. Erdhëm te Facebook-u.

Revolucionarët e tredhur të Facebook-ut

Shqipëria po jeton “mrekullinë” virtuale. Jo atë që propagandonte Kryeministri si arritje, por një realitet çoroditës. Rekordi me 500 mijë fansa të Kryeministrit në zbritjei cili humbi rëndë zgjedhjet na tregon se ka një Shqipëri virtuale që jeton vetëm në rrjete sociale. Aty marrin lajmet, aty nxehen, aty zihen, aty indinjohen, aty bërtasin, aty e lënë atë muhabet. Qark i mbyllur. Rrjetet sociale duhet të ishin një armë kundër sistemit, një mënyrë organizimi horizontal në një hapësirë që sistemi nuk ka arritur ende ta manaxhojë (ende, po ama është afër).Nëfakt janë kthyer në një kafene virtuale ku tirren llogje e ku zbrazen mllefet, dhe ku lozet pa fund me ferma e me chipsa. Varësia nga llogjet e rrjeteve sociale ka bërë që të qarkullojnë peticione e faqe proteste me mijëra njerëz, ndërsa në rrugë, për të njëjtën kauzë dalin 5 vetë. Duhet të mbledhin qeranë e lojës.
Por, ajo që më shqetëson më shumë është që kjo Shqipëri virtuale jeton në “halle” virtuale. Po të numërosh shkrimet në gazeta për protestat turke, ia kalojnë atyre për parkun e Namazgjasë. Besoj, e njëjta gjë ndodh dhe me statuset. Sa statuse ka për Gezin e sa për Namazgjanë? Kam frikë, se ka një çoroditje të marrëdhënies me Shqipërinë e vërtetë, atë që është jashtë derës. Nuk di si t’i shpjegoj ndryshe, fjala bie, intelektualët që qanin për dorëheqjen e kryetarit të PD-së. As fashizmin e disa studentëve që dolën për të përkrahur Erdoganin – një ‘protestë’ absurde me valencë zero.

Rilindja e protestës

Jetojmë në kohëra pa protestë. Ndërkohë riciklojmë plehra njerëzore, të cilët mund të përmirësojnë qeverisjen, por jo sistemin. Rilindja e vërtetë, e vetmja mënyrë e njohur në historinë njerëzore për të përmirësuar sistemin, e deri ndryshuar atë, është protesta. Ajo e rrugës. Ndaj bëjmë mirë të pregatitemi në heshtje. Dhe është mirë që për momentin të lëmë Gezi Parkun, dhe të bëhemi gati për parqet tona. Dhe jo vetëm parqet. Për çdo gjë.
Protestat nuk kanë nevojë për Skënderbe, as për dhunë, as për greva urie, as për qaravitje, as për statuse, komente e ‘like’. Por, do të flasim herën tjetër.

- Vijon –

No comments:

Post a Comment