Friday, November 21, 2014

Trishtimi i Doktor Florit

botuar te Dita, 17 nëntor 2014


E kam dëgjuar në një koncert para disa kohësh, më saktë në një lokal – sepse arti i vërtetë tek ne mbijeton vrimave - dhe u habita. Nga ato pak këngë të depresionit muzikor që zgjat nga '97-a e deri sot të cilat më kanë lënë gjurmë, kuptova që shumica mbanin firmën e tij, Florit, i cili me auto-ironi mbiquhej Doktor në një vend të sëmurë e pa shërim.
Shumica po përpiqen të kuptojnë “ç'pati”, “pse”, “ç'hall kishte”, biseda që do na shoqërojnë për disa ditë derisa të na çudisë diçka tjetër dhe ekranet të mbushen me “çudinë”, “psenë” dhe “hallin” e rradhës, unë kam vetëm dëshirë të grindem. Të grindem me besimin fetar që i shkeli syrin por nuk arriti dot ta mbante në jetë; të grindem me ata që ndanin me të vizat e kokainës por që nuk kanë në plan të ndajnë fundin e tij; të grindem me ata që shprehën pikëllimet në FB por nuk kanë në plan të ngrejnë asnjë strukturë rehabilitimi apo kujdesi të mirëfilltë social për këdo që ka nevojë; me ata që vjedhin pa fund hapësirë mediatike por që ikja e tyre nuk do i mungonte aspak shoqërisë; me ata që kanë krijuar një Shqipëri të pashpirt, pa rrugëdalje, që nuk mund të ndryshohet dhe nga ku njerëzit e ndjeshëm dalin vetëm duke ikur.
Rrallë kam njohur një muzikant më të ndjeshëm, inteligjent, të lexuar e të mprehtë si Flori. Dhe ndoshta, kjo ishte drama e vërtetë e tij. Ndjeshmëria.
Ishte më i ndjeshëm se artistët e tjerë që do të vazhdojnë të marrin kokainë; më i ndjeshëm se ata që do të vazhdojnë t'i falen Zotit me mendjen e fjetur “që ia hodhën” boshllëkut që i kish kapur; më i ndjeshëm se unë e se të gjithë ne të tjerët që kemi bërë kompromis të vazhdojmë të jetojmë në një vend ku përtej së bardhës, pushtetit dhe parasë, nuk ekziston asgjë tjetër.
Unë njoh shumë pak artistë që të arrijnë t'i kthejnë në këngë fenomenet sociale; që arrijnë të dalin përmbi vulgaritetin e tallavasë e të turbo-folkut, të teksteve bajate të injorantëve që kanë pushtuar muzikën; të mbijetojnë mes boshllëkut shpirtëror duke pasur akoma një shpirt fëmije, si Flori.
Para se trishtimi i pafundëm ta kapte për dore për herë të fundit.
Sado të pikëllohem unë, ju, dhe ata të tjerët, ne e kemi bërë kompromisin tonë, do të vazhdojmë të jetojmë e të durojmë këtë boshllëk, ndoshta dhe me cinizëm. Por një sëmbim i pafundëm i pret ata njerëz që jetuan prej vitesh në shtëpi me trishtimin e tij, atë lloj trishtimi që shpirtrat e ndjeshëm i çon drejt vetë-shkatërrimit.
Doktor Flori ikën sot, por trishtimi i tij mbetet pas. Edhe pse, shumë nga ne të tjerët i kemi mbyllur dyert e perceptimit dhe do të vazhdojmë të gënjejmë veten se gjërat nuk janë dhe aq keq.

Tuesday, November 18, 2014

Ministri i Llallës

botuar te DITA, 17 nëntor 2014


funerali i Berlinguer-it
........................
M’u duk mua, apo Kryeprokurori përmendi një ministër nën hetim? Ishim kaq të zënë me vrullet patriotike të Beogradit saqë nuk e mbajmë mend mirë. Por nëse Kryeprokurori paska indicie për 1 ministër, unë kam indicie për nja 3 a 4, madje dhe për plot Drejtorë institucionesh. Vetëm se unë nuk jam prokuror, nuk kam as dëshirë të përfundoj si Dritan Prifti dhe të akuzuarit të dalin ngadhnjyes, nuk kam as dosje të kopsitura dhe ndoshta asnjë media të gatshme t’i botojë po t’i kisha. Kam vetëm biseda me njerëz të rangjeve të ndryshme, që të tregojnë përvoja, gjëra që të ngrenë qimet përpjetë në lidhje me korrupsonin që po lidh gonxhe në nivele të ndryshme të qeverisjes së re. Ndaj, le të rrimë me atë që thotë Llalla, për të paktën një ministër nën hetim.

Si e ka hallin Llalla

Se pse e bëri Llalla atë deklaratë, mund të ketë shumë shpjegime. Dikush tha që po kërkon të negociojë me qeverinë hallet e veta personale. Edhe mundet. Edhe mundet që ato dosje të mos hapen kurrë por të përdoren si shantazh. Por, në frymën e kësaj mazhorance, edhe unë dëshiroj ta respektoj institucionin e Prokurorisë dhe ta marr për bazë atë që thotë Kreu i Prokurorisë. Pra, unë e besoj që është të paktën një ministër i përfshirë në situata korruptive. Se çfarë do Llalla, ka pak rëndësi. Sikurse, ka pak rëndësi edhe se çfarë di Rama.

Po Rama, e di kush janë?

Ndoshta Rama i njeh. Ndoshta jo. Nëse nuk e di kush janë, e ka mundësinë ta mësojë tashmë, pas deklaratës së Llallës. Duke parë kompromiset e mëparshme politike të Ramës, më e pakta që mund të kuptojmë është që ai do të rrijë pasiv. Dhe, në të vërtetë, fakti që djem e vajza të reja marrin guximin të përlyhen, të lë të mendosh se e kanë nuhatur që ka një qëndrim pasiv të kryeministrit ndaj korrupsionit brenda të vetëve. Mundet që Kryeministri të mos dalë t’i mbrojë nëse u plasin skandalet. Por, kjo nuk e shpëton kryeministrin. Ai nuk mund të presë kok-a-pilin e drejtësisë për të dënuar korrupsionin. Atij nuk i falet as që të jetë i pa-informuar, në një vend të vogël ku çdo informacion rrjedh. Një informacion që vjen deri tek unë nuk është e tolerueshme të mos dihet nga Kryeministri. Korrupsioni është së pari çështje e trupës qeverisëse, e moralit por jo vetëm, të saj. Është përgjegjësi e Kryeministrit të parandalojë. Korrupsioni bëhet çështje e drejtësisë kur “puna” ka mbaruar. Kryeministri nuk mund të presë që “po e kapën, e kapën” dhe “mirë t’i bëhet, le të shkojë në burg tani, që e kapën”. Aq më tepër, kur gjasat që drejtësia t’i shkojë deri në fund dosjeve, edhe me një Kryeministër pasiv, duket i pamundur.
Për mua, nuk ka rëndësi dhe aq dënimi i tyre, sa ç’ka dëmi i madh ndaj së ardhmes.

Ministra të rinj e të pistë

Futja në nivele të qeverisjes të të rinjve, jepte njëfarë shprese, që të etur për karrierë, këta do përpiqeshin të mbanin një standard moral të mos-abuzimit me pushtetin, të paktën jo në stilin klasik të vjedhjes banale përmes tenderave. Shanset që të përlyhen tani dhe më vonë të dalin në ujëra të pastra janë shumë të vogla. Sepse, siç thotë një film me partizanë, “gëlltit njeriu një lugë çorbë të prishur e pastaj vjell tërë jetën”. Jemi pikërisht në situatë pas-lufte, kur partizanët e 2013-s kanë hapur tasat e çorbës së prishur dhe kanë nxjerrë lugët nga brezi. Madje, mund të thuhet pa frikë, “garuzhdet”. E keqja e tyre personale është që do të jenë gjithmonë disa vetë në Tiranë që do të thonë “kush mo? Ai bq? Hajt se i bëj unë një telefon atij”. Janë njerëzit që kanë “dosjet” e tyre.

Dëmi

Ka shumë njerëz që do ia falnin a mirëkuptonin kësaj qeverie keq-administrimin, punësimin e militantëve, anashkalimin e konkurseve e të meritokracisë, por jo korrupsionin që na thau shpirtërisht, mendërisht e ekonomikisht në kohën e Berishës. Kjo po ndodh.
Gjasat janë që pavarësisht informacionit që po qarkullon e do të vazhdojë të qarkullojë jashtë mediumeve zyrtare të blera, të trembura ose të delegjitimuara më parë, kjo qeveri të rivotohet. Qoftë dhe për mungesë alternative ose dhe për efekt të formulës: “Ne vërtet vjedhim, por bëjmë punë”. Ndaj, ka shumë mundësi që kjo qeveri të mos penalizohet për korrupsionin që po shpërfaqet. Por, dëmi është më i thellë. E para, se korrupsioni bën që ti të përfaqësosh vetëm interesat e atyre me të cilët bën pazaret e pista. Paraja që futet në xhep, nuk është para e askujt. Është para që do të heqë një shërbim qytetarëve diku. Do u heqë mundësi ekonomike atyre që nuk vjedhin. Do përfaqësojë ata që shfaqen me zarf në dorë.
Por, e keqja më e madhe është që ky grup politik do të jetë brenda së majtës derisa të dalin në pension. Dhe, duke qenë se korrupsioni nuk zhvillohet individualisht, por në grup, e majta do të udhëhiqet nga një skuadër e përlyer dhe do të mbështetet nga biznese me xhepa të pisët. Njësoj si e djathta, që me sa duket nuk ka shans të pastrohet më. Për më keq, një klasë politike e përlyer do jetë përherë e shantazhueshme. Pra, do kemi dhe për 30 vjet, më e pakta, politikanë të përlyer. Të pistë. Në shërbim të mafies ekonomike. Ky do jetë standardi i politikës. Standard çorbash të prishura.

Andreoti dhe Berlinguer

Në TIFF-in e këtij viti (ku si për ironi, përshëndeste kryetari i Bashkisë, me dosje penale të mbyllura për procedurë) pashë dokumentarin e Veltronit për Berlinguer-in, politikanin më të spikatur italian të viteve 70-80. Njeriun që politikën nuk e kishte një profesion, por mision. Njeriun e madh dhe politikanin parimor e të papërlyer që ne nuk do ta kemi kurrë. Frymëzuesin e punëtorëve e studentëve. Njeriun që nuk u përlye kurrë, dhe që në funeral e përcollën mbi një milion italianë.
Italia, është vendi që ka nxjerrë një kastë të tërë mafioze politike që e dominoi për 40 vjet. Andreoti, është apoteoza e vet. Andreoti, që vdiq i qetë e i pastruar nga mëkatet në moshën e paqtë 94 vjeç. E pra, edhe pse janë të tëra indiciet që Andreoti ishte mafioz, kishte vrarë kundërshtarë e gazetarë, ai ia doli t’i mposhtë të gjithë.
Në politikën shqiptare unë shoh vetëm Andreotë dhe asnjë Berlinguer.
Gjasat janë që kjo kastë politike të na rrijë mbi kokë për dhjetëra vjet. Madje, si Andreoti të dalë përherë e larë, nga çdo gjyq e akuzë për korrupsion. E vetmja gjë që më ngushëllon është se në funeralin e tyre nuk do të ketë kurrë 1 milion vetë.