Sunday, June 30, 2019

Çfarë të bëjmë me 30 qershor?

botuar te Gazeta Dita, 30 qershor 2019

Vërej shumë njerëz që janë shqetësuar për 30 qershorin, çfarë të bëjmë?
Unë besoj që ka alternativa.
Më e thjeshta është që të shkojmë në plazh, të shohim detin dhe për një ditë të vetme të bëjmë sikur nuk jetojmë në Shqipëri. Them me pamje nga deti, dhe jo nga bregdeti, sepse bregdeti ka kohë që nuk është më i yni, ngastra-ngastra atë e kanë marrë bejlerët e rinj. Plazhi është një zgjidhje e mirë, por, për fat të keq, është luks i gjithnjë i më pak njerëzve. Kam takuar shqiptarë që jo vetëm nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë kostot e plazhit, por as që të bëjnë një ditë pushim në jetën e tyre. Po u sëmurën një ditë fëmijët e tyre nuk do kenë të hanë. Kam frikë se shumë prej tyre do mbeten në shtëpi dhe do hanë televizor toksik (dhe falas, si gjithë helmet në këtë vend) me 30 qershor.

Nëse plazhi nuk është një opsion i mirë për ju, me 30 qershor do ju kisha këshilluar serialin “Narcos”. Aty do të shihni sesi funksionarët amerikanët mbështesin e promovojnë trafikantët e drogës në vendet e botës së tretë (dhe të mendosh që është prodhim i Netflix – kompani amerikane). Sepse, Amerika, sipas “Narcos”, mund të mbështesë dhe narkoshtetet. Sigurisht, në film është dhe një individ i vetëm që lufton kundër së keqes. Por, në Shqipëri ne nuk e kemi parë akoma këtë amerikan, burrë. Pra shihni Narcos, dhe zëre se keni parë Shqipërinë. Edhe pse Netflix, me pagesën 10dollarëshe në muaj është gjithashtu një luks për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare.

Kam frikë se shumica në vend të Narcos, do përfundojë duke parë televizorin toksik të rilindjes. Ju kujtohet ai burri që thoshte në opozitë “të fala Sandrit”? Tashmë ai është bërë vetë Sandri. Sandri i Ri. Mega-Sandri. Sandër-Jong-Uni që i ka kthyer të tëra TV-të e këtij vendit në TV si të Sandrit.
Frika është se këtë 30 qershor shumë prej nesh, pa plazh e pa Narcos, do jenë të detyruar të shohin Shqipërinë, jo të vërtetën, por Shqipërinë televizive. Në këtë rast, është shumë e rëndësishme që të paktën, të shmangni ivatiçot. Ivatiçot, janë hordhia mamluke e ekraneve shqiptare, vemjet pa integritet dhe madje dhe pa fantazi, azapët televizivë që dalin në mbrojtje të së ligës universale.

Ju kujtohet Lirak Bejko? Ndoshta dhe jo, sepse ju jeni një popull që harron shumë, pasojat anësore kur të ushqejnë me ivatiço përditë në tv.
Mua më kujtohet Liraku. I vetmi akt sublim që kemi parë në vendin e Sandër-Jong-Unit dhe ivatiçëve në këto 30 vjet.
Kur ai dogji veten, unë kam menduar që ky vend e meriton të digjet. Të digjet, për të ndërtuar diçka të re. Pata menduar që ne po krijonim heronjtë tanë të rinj. Por, heronjtë tanë rezultojnë të jenë babloku, habilajt, dakot, gjiknurët (smiley face), arbenkeshët dhe imerlalët.
Ju mund ta kishit djegur këtë vend me 30 qershor. Po nuk e digjni dot, sepse liderët kanë frikë se mos nuk marrin dot më viza për në Amerikë.

Ju dhe mund të votoni me 30 qershor.
Sikur mos mjaftonte armata e ivatiçove, sikur të mos mjaftonte përdhosja e konceptit të rilindjes, por, 30 qershorin propaganda po tenton ta kthejë në akt antifashist, duke përdhosur edhe një term tjetër të shqipes. Unë nuk besoj se ka ofendim më të madh për inteligjencën, edhe atë mesatare të një shqiptari, por kush po pyet? Qindra ivatiçot e këtij vendi, pasi mbushën për javë me rradhë karriket e fushatës qesharake, mashtruese e të pafytyrë të Veliajt, mbushën dhe tv-të për të na treguar që duan të votojnë, se medemek vota e tyre qenka e shenjtë, dhe se e kanë për krenari të votojnë me 30 qershor listat e kriminelëve, të kërkuarve nga Interpoli dhe tutorëve të prostitutave që Rama ka kandiduar për kryetarë bashkie. Ivatiçët, shpikën dhe argumentin që le të shkojmë të votojmë “kundër”. Të votojmë “kundër”... në listat me 1 kandidat të vetëm! Sepse gjithçka që duan është të legjitimojnë këto zgjedhje. Të legjitimojnë Bablokun, dakot, gjiknurët, arbenkeshët, lalët, kriminelët që drejtojnë e financojnë këtë vend.

Pra, një alternativë me 30 qershor është dhe të votosh. E di, do të shkojnë për të votuar dhe ivatiçët. Janë të detyruar të shkojnë për të votuar dhe punonjësit e administratës, me dhunë, nga frika. Do shkojnë për të votuar dhe ata që mbajnë bluza me Che Guevarën; po po, do shkojnë, dhe do votojnë tutorët e prostituave të Italisë, të shndërruar në kandidatë rilindas. Do shkojnë dhe pensionistët e veteranët, që e kanë kuptuar këtë si një luftë klasash, vetëm se klasa për të cilën po rrshtohen ëshë ajo e bejlerëve të rinj. Do të shkojë kushdo që është aq i zgjuar sa të kuptojë që në këtë vend mbijetohet vetëm duke ngjitur gjuhën pas gjërave me lesh të atij që ka pushtet në dorë. Do shkosh për të votuar dhe ti. Shqipëria është një anije jo më me vrima, por me gropa. Këtë ta vërtetojnë ata dhjetëra mijëra që rilindja dhe malavita që e ushqen atë, ivatiçot dhe Sandër-Jong-Uni, i detyruan të migrojnë në Gjermani. Shqipëria është tashmë një anije që po mbytet dhe 30 qershori është vrima e fundit në trupin e saj. Kështu që shko voto, ta zgjerosh nga pak dhe ti atë vrimë. Shko voto, anijen që po mbytet. Ti e meriton të mbytesh bashkë me të!
Shqiptarët e Gjermanisë ta bëjnë me dorë. Auf Wiedersehen.

Friday, June 7, 2019

7 letrat e Ramës dhe 6 "letrat" e BILD-it

botuar te Dita, 7 qershor 2019


2 gjëra më duken personalisht shumë të rëndësishme duke dëgjuar bisedat telefonike mes elitës së kombit dhe elitës së krimit. E para, për atë që për një kohë fare të shkurtër arriti të sharmojë dhe kancelaren Merkel.

Miku i Merkelit

E para, që është disi dhe gazmore është të kuptojmë sesi e perceptojnë Ramën pjesa e llumit të Shqipërisë, që me sa shihet nuk e ndjen veten fare “llum”, por ajkë që qeveris e drejton këtë vend.

Është qesharake kur dëgjon mafiozin që i thotë Kryetarit të Bashkisë “ishe me Ramën… do jesh kënaqur” që të sjell ndër mend copëra bisedash në derë të një bordelli, por të vjen dhe për të qarë kur mendon që njeriu që duhej të ishte qytetari i parë i vendit nuk e ka fare për turp, në mos për kënaqësi të sharmojë njerëz të krimit. Ai siç shihet qartë në bisedat e publikuara është idhulli i tyre dhe jo më kot, sepse është njeriu që mund t’u bëjë ëndrrat realitet: t’i ngrejë në majat më të larta të vendit, t’i fusë në zyrat e sallat më të shenjta të një shteti, t’u japë mundësinë të mos ndjehen ata që do duhej të ishin, kriminelë të përndjekur që fshihen nga frika e ligjit.

Dhe ata, përpiqen ta impresionojnë. Duan të jenë në lartësinë e tij. Në fakt, janë.

Armiku i popullit

Gjëja e dytë që më intereson tek letrat ka të bëjë me zgjedhjet e kaluara. Kam reflektuar gjatë me veten për rezultatin e atyre zgjedhjeve, dhe jam ankuar shpesh që shoqëria shqiptare e kaloi pa analizuar arsyen pse një qeverisje plot dështime, korrupsion të padëgjuar më parë, arrogancë e paturpësi, u rikonfirmua aq masivisht pa propozuar asgjë, pa program, madje më keq, vetëm me një slogan bashibozukësh: “më jepni tepsinë”.

Kam pasë menduar që vjedhje e blerje votash ka pasur, por nuk mund të kishin qenë të këtyre përmasave. Madje më keq, kam pasë menduar që jemi një popull me probleme përderisa votojmë një të ligë aq të madhe.

Sot jam më i qetë. Sigurisht, në këtë vend nuk mungojnë ata që janë gati që t’ia japin edhe satanait votën, mjafton që të jetë “satanai ynë”, dmth i partisë sonë.

Por, shumica e atyre votave, dhe kjo është tashmë e qartë për këdo që ka qoftë dhe një fije common sens-i, kanë qenë të blera, të marra me kërcënime e dhunë, përmes një industrie të tërë ku shteti dhe mafia ishin bërë një.

Pra, nuk është faji i popullit për atë votë të dalë nga ato kuti, është faji i infrastrukturës së grabitjes së votës.

Infrastruktura mund të shpërbëhet, ndërsa popullit nuk do kishim çfarë t’i bënim.

Por, prishja e infrastrukturës ka një problem jo të vogël. Ulsinjtë.

Ulsiu

Një bast interesant do të ishte për të parë kush nga gaztorët e oborrit të mbretit do të kishte guximin të dilte i pari për të mohuar 6 letrat e krimit. Dhe, i pari doli Ulsiu. Të dalësh për të mbrojtur një krim të përmasave të tilla që e shndërron shtetin tonë në shtet gangsterësh do vërtet kurajë, kurajë që vjen ose nga budallallëku; ose nga nevoja për t’i shërbyer të gjatit, “atij që të kënaq”; ose nga ndonjë arsye edhe më okulte. Por Ulsiu nuk është tek pullë. Mund të jetë më budallai në oborr, por nuk është vetëm.

Një nga dëmet më të mëdha që Rama i ka sjellë partisë së tij e bashkë me të dhe Shqipërisë është që ka zhdukur nga horizonti rreth vetes çdo njeri me integritet, për t’u rrethuar me Ulsinjër, me rilindas që nuk kanë më as brinjë e jo më shtyllë kurrizore. Ky dëm do të ndjehet për disa breza në politikën shqiptare dhe në karkasën që do mbetet pas Ramës në PS.

Por për momentin dëmin më të madh po e pëson shteti shqiptar që në mungesë të kapaciteteve me integritet po qeveriset pa asnjëlloj pengese, siç edhe u pa nga 6 përgjimet nga llumi i krimit, madje duke u mbrojtur nga ulsinjtë.

Kjo kategori moralin politik e ka zhdukur fare nga fjalori. Për ta, të të dalë në publik një telefonatë e tillë nuk është ndonjë problem, përderisa “nuk të ka dënuar gjykata”.

Kjo kategori që Rama e ka instaluar sot në çdo nyje të strukturës së shtetit nuk i shërben as Shqipërisë, as shtetit e as kombit. Për ta shteti është Rama, kurse Shqipëria është ai trafikanti nga merr urdhërat. Kjo kategori mund të mos ketë trafikuar personalisht e mund të mos ketë ekzekutuar prostituta në perëndim, por, nga telefonatat u pa që është e barabartë me kategorinë që i ka bërë këto.

6 letrat e Bild-it

7 Letrat e Ramës, në fakt më janë dukur si terror politik. Si letra të atij që mendon se është macja dhe kushdo tjetër është miu.

Për fat, përgjigja erdhi. 6 letra nga “Bild”-i, na treguan që ai që po mbronte “shenjtërinë” e zgjedhjeve të 30 qershorit është në atë maxhorancë me vota të mafias; që njeriu që po i bënte moral shqiptarëve për shtetin është në fakt njeriu që shtetin ia ka deleguar çunave të Shijakut.

Në fakt, 7 letrat e Ramës nga 6 letrat e Bild-it i dallon vetëm gramatika. Rama e shkruan ca më mirë shqipen se dialekti me 200 fjalë fjalori i çunave të Shijakut. Por jo dhe për shumë kohë. Ashtu si e ka rrethuar Rama veten, shumë shpejt do jetë i vetmi në oborr që di të shkruajë e të lexojë.