Friday, June 7, 2019

7 letrat e Ramës dhe 6 "letrat" e BILD-it

botuar te Dita, 7 qershor 2019


2 gjëra më duken personalisht shumë të rëndësishme duke dëgjuar bisedat telefonike mes elitës së kombit dhe elitës së krimit. E para, për atë që për një kohë fare të shkurtër arriti të sharmojë dhe kancelaren Merkel.

Miku i Merkelit

E para, që është disi dhe gazmore është të kuptojmë sesi e perceptojnë Ramën pjesa e llumit të Shqipërisë, që me sa shihet nuk e ndjen veten fare “llum”, por ajkë që qeveris e drejton këtë vend.

Është qesharake kur dëgjon mafiozin që i thotë Kryetarit të Bashkisë “ishe me Ramën… do jesh kënaqur” që të sjell ndër mend copëra bisedash në derë të një bordelli, por të vjen dhe për të qarë kur mendon që njeriu që duhej të ishte qytetari i parë i vendit nuk e ka fare për turp, në mos për kënaqësi të sharmojë njerëz të krimit. Ai siç shihet qartë në bisedat e publikuara është idhulli i tyre dhe jo më kot, sepse është njeriu që mund t’u bëjë ëndrrat realitet: t’i ngrejë në majat më të larta të vendit, t’i fusë në zyrat e sallat më të shenjta të një shteti, t’u japë mundësinë të mos ndjehen ata që do duhej të ishin, kriminelë të përndjekur që fshihen nga frika e ligjit.

Dhe ata, përpiqen ta impresionojnë. Duan të jenë në lartësinë e tij. Në fakt, janë.

Armiku i popullit

Gjëja e dytë që më intereson tek letrat ka të bëjë me zgjedhjet e kaluara. Kam reflektuar gjatë me veten për rezultatin e atyre zgjedhjeve, dhe jam ankuar shpesh që shoqëria shqiptare e kaloi pa analizuar arsyen pse një qeverisje plot dështime, korrupsion të padëgjuar më parë, arrogancë e paturpësi, u rikonfirmua aq masivisht pa propozuar asgjë, pa program, madje më keq, vetëm me një slogan bashibozukësh: “më jepni tepsinë”.

Kam pasë menduar që vjedhje e blerje votash ka pasur, por nuk mund të kishin qenë të këtyre përmasave. Madje më keq, kam pasë menduar që jemi një popull me probleme përderisa votojmë një të ligë aq të madhe.

Sot jam më i qetë. Sigurisht, në këtë vend nuk mungojnë ata që janë gati që t’ia japin edhe satanait votën, mjafton që të jetë “satanai ynë”, dmth i partisë sonë.

Por, shumica e atyre votave, dhe kjo është tashmë e qartë për këdo që ka qoftë dhe një fije common sens-i, kanë qenë të blera, të marra me kërcënime e dhunë, përmes një industrie të tërë ku shteti dhe mafia ishin bërë një.

Pra, nuk është faji i popullit për atë votë të dalë nga ato kuti, është faji i infrastrukturës së grabitjes së votës.

Infrastruktura mund të shpërbëhet, ndërsa popullit nuk do kishim çfarë t’i bënim.

Por, prishja e infrastrukturës ka një problem jo të vogël. Ulsinjtë.

Ulsiu

Një bast interesant do të ishte për të parë kush nga gaztorët e oborrit të mbretit do të kishte guximin të dilte i pari për të mohuar 6 letrat e krimit. Dhe, i pari doli Ulsiu. Të dalësh për të mbrojtur një krim të përmasave të tilla që e shndërron shtetin tonë në shtet gangsterësh do vërtet kurajë, kurajë që vjen ose nga budallallëku; ose nga nevoja për t’i shërbyer të gjatit, “atij që të kënaq”; ose nga ndonjë arsye edhe më okulte. Por Ulsiu nuk është tek pullë. Mund të jetë më budallai në oborr, por nuk është vetëm.

Një nga dëmet më të mëdha që Rama i ka sjellë partisë së tij e bashkë me të dhe Shqipërisë është që ka zhdukur nga horizonti rreth vetes çdo njeri me integritet, për t’u rrethuar me Ulsinjër, me rilindas që nuk kanë më as brinjë e jo më shtyllë kurrizore. Ky dëm do të ndjehet për disa breza në politikën shqiptare dhe në karkasën që do mbetet pas Ramës në PS.

Por për momentin dëmin më të madh po e pëson shteti shqiptar që në mungesë të kapaciteteve me integritet po qeveriset pa asnjëlloj pengese, siç edhe u pa nga 6 përgjimet nga llumi i krimit, madje duke u mbrojtur nga ulsinjtë.

Kjo kategori moralin politik e ka zhdukur fare nga fjalori. Për ta, të të dalë në publik një telefonatë e tillë nuk është ndonjë problem, përderisa “nuk të ka dënuar gjykata”.

Kjo kategori që Rama e ka instaluar sot në çdo nyje të strukturës së shtetit nuk i shërben as Shqipërisë, as shtetit e as kombit. Për ta shteti është Rama, kurse Shqipëria është ai trafikanti nga merr urdhërat. Kjo kategori mund të mos ketë trafikuar personalisht e mund të mos ketë ekzekutuar prostituta në perëndim, por, nga telefonatat u pa që është e barabartë me kategorinë që i ka bërë këto.

6 letrat e Bild-it

7 Letrat e Ramës, në fakt më janë dukur si terror politik. Si letra të atij që mendon se është macja dhe kushdo tjetër është miu.

Për fat, përgjigja erdhi. 6 letra nga “Bild”-i, na treguan që ai që po mbronte “shenjtërinë” e zgjedhjeve të 30 qershorit është në atë maxhorancë me vota të mafias; që njeriu që po i bënte moral shqiptarëve për shtetin është në fakt njeriu që shtetin ia ka deleguar çunave të Shijakut.

Në fakt, 7 letrat e Ramës nga 6 letrat e Bild-it i dallon vetëm gramatika. Rama e shkruan ca më mirë shqipen se dialekti me 200 fjalë fjalori i çunave të Shijakut. Por jo dhe për shumë kohë. Ashtu si e ka rrethuar Rama veten, shumë shpejt do jetë i vetmi në oborr që di të shkruajë e të lexojë.

No comments:

Post a Comment