Monday, September 30, 2013

KOZMIKOMIKET: Miza dhe Elefanti

botuar te Revista Klan, 21 shtator 2013


Omar Hamdi Malva - Aventura e Madhe (piktor sirian)
..........................................................
Ajo që po ndodh në Siri duket komplekse. Është një luftë civile? Është një luftë fetare? Apo është një luftë për liri? Ish-Kryeministri dhe Kryeministri i ri, nxituan të nxjerrin kordhën për luftë ndaj Assadit, duke na bërë të dukemi si ajo miza në kurriz të elefantit, që lëshon klithma lufte dhe më të forta se të tij. Një gazetë konservatore amerikane (Washington Times, në mos gaboj) kish bërë dhe ironi me aleatët e sulmit ndaj Sirisë (Shqipëria, Letonia, Maroku...). Por, më e rëndësishme se figura jonë luftëtare është pyetja, nëse ne do hynim në luftë kundër Assadit, do ndërhynim në një luftë fetare? Apo në një luftë civile? Apo (sa cinike për një vend parademokratik si i yni) do ndihmonim dikë të fitonte lirinë?
Kjo, ka shumë të bëjë me moralin politik (dhe jo vetëm) të një qeverie. Por, është dhe një stampë që do na duhet ta mbajmë të gjithë si komb. Ushtarët tanë në Afganistan rrëfejnë se nuk i “nget” njeri, sepse atje është perceptimi se jemi komb mysliman, si ata. Për kësi shtampash po flas. Edhe për Sirinë, është e vështirë të gjejmë pozicionin tonë të qartë, sepse në politikën botërore ne lundrojmë pa mjete. Jemi, si me thënë, marinarë pa tejqyrë.

Dylbia me të cilën shohim botën
Si Perëndimi edhe vendet arabe janë ndarë më dysh, pro e kundër Assad-it, jo dhe aq për parime, sa për interesat e ndërthurrura. Nga ana tjetër, informacioni vjen përmes filtrave të copëzuar. Aq më tepër në vende si ky i yni ku informacioni vjen kryesisht prej kanaleve të huaja të informimit, pra, prej perëndimit. The Economist, në numrin e vet të radhës pas helmimit të qindra civilëve me gaz sarin hapej me titullin: “Hit Him Hard”, mbi foton ku portreti i Assadit shkrihej me një foto të viktimave, duke e shndërruar në një portret-përbindësh.
Ne jemi të varur nga media perëndimore, jo vetëm se më të kënduarit ndër gazetarë mezi dinë italisht e larg qoftë pak anglisht, por edhe se ende jemi në kërkim të një identiteti mediatik (jo se po kërkon vërtet njeri) dhe për momentin (dmth, për këto 23vjet) mjaftohemi thjesht me një imitim të vobektë e satelit të perëndimit. Vë bast që (thuajse) asnjë prej jush nuk ka lexuar opinionin e një analisti iranian mbi çështjen siriane. As unë.
Der Spiegel arsyetonte se rreshtimi i Putinit me Assadin nuk ka të bëjë me preferencë diktatoriale, por me një gjeopolitikë precize - ai ka frikë se rënia e Assadit do të fuqizojë xhihadin dhe Al Kaedën. Megjithatë moderatorët tanë vazhdojnë e flasin për një regjim diktatorial të Assadit. A është më regjimi regjim? Dhe kush po lufton në Siri? Dhe, pyetja djegëse për një komb bastexhinjsh, me kë duhet të jemi?

A ka më “regjim” në një luftë civile?
Nëse ajo që ndodh në Siri është një luftë civile, atëherë, regjimi ka pushuar së qeni regjim. Ai ishte i tillë deri në momentin kur ajo që (mbase) ishte luftë për liri u shndërrua në luftë asgjësuese të ndërsjellë, kur protestat kundër diktatorit u transformuan në grupe të armatosura që ekzekutojnë njerëz, kur civilëve të paepur të Aleppos ua zunë vendin njësitet xhihadiste. Media vazhdon t’i referohet si regjim dhe kjo krijon shumë konfuzion te publiku shqiptar por dhe te kryeministrat e tij. Fakti që regjimi nuk është më regjim, as nuk e justifikon e as do të thotë që Assadi nuk është një diktator.

Një Diktator
Edhe pa njohur balancat politike brenda atij vendi, vetëm ideja e një presidence të trashëgueshme dhe jetëgjatësia në krye të vendit mjaftojnë për të identifikuar një diktator. Ai është i tillë. I tillë ishte dhe Gedaffi. Pranverat arabe të njëpasnjëshme më kanë entuziazmuar pa masë. Kam besuar që revolucioni nuk ka vdekur. Por, vjeshta erdhi shumë shpejt për secilën. Rasti më cinik është Libia, që kaq vjet pas Gedaffit nuk duket më mirë. Dhe lind pyetja, pse luftuan? Pse deshëm me shpirt ekzekutimin e Gedaffit? A janë arabët të pregatitur për atë që vjen pas diktaturës? Jo rrallë, vijnë neo-diktatura. Gjithmonë, në emër të popullit.

Në emër të popullit
Kryeministri i vjetër dhe ai i ri, nxituan të flasin për një diktator që vret popullin e tij. Cilin popull? Dhe me kë është “populli”? Për të kuptuar “popullin”, mund të bëjmë një ushtrim imagjinate. Imagjinoni popullin tonë. Një milion votuan opozitën, 500 mijë votuan pozitën. Nëse, pozita e vjetër do vendoste ta mbante pushtetin me forcë (dhe në vendet parademokratike nuk është fenomen i pangjarë) do të kishim një “luftë civile”. Me aq sa e njoh “popullin”, nuk do habitesha që kjo gjysma e milionit të mbështeste pozitën në luftën kundër atij milionëshit. S’jua merr mendja? Rikujtoni reagimet për 21 janarin. Sa njerëz thoshin “mirë ua bënë”? Rikujtoni grevën e urisë së opozitës së vjetër. Sa vetë dolën kundër, me firma, me zë e me banderola. Rikujtoni ’97-ën. Bandat që ishin ca me PS-në e ca me PD-në. Pra, populli, pasi lufta civile ka nisur, është pjesëmarrës në mënyrën e vet. Derisa lufta bëhet mënyrë jetese dhe nocioni “regjim” pushon përkohësisht së ekzistuari. Ose, më e pakta është një nocion lokal që ndërron kah me fituesin. Zonat e sunduara nga rebelët janë nën regjimin e tyre, zonat e qeverisë janë nën regjimin e Assad-it.
Assad është një diktator. Por, a është kjo një luftë për liri ndaj diktatorit?

Lufta për liri kërkon burra “të fortë”
Para nja 2 vjetësh isha shumë i entuziazmuar nga Pranvera siriane, si nga të gjitha pranverat arabe. Liria, vjen shpesh përmes shtigjesh të mundimshme, ku jo të gjithë mund të ngjiten. Shpesh, atyre shtigjeve u ngjiten më të fortët. Por më të fortët në më të shumtën e rasteve nuk janë as më përfaqësuesit, as më të drejtët, as më idealistët, e as më të përgatiturit për atë që do të ndodhë më pas. Është vështirë të ndash luftën për liri nga ajo për pushtet. Jo rrallë, njëra maskon tjetrën. Ja, shihni Kosovën. Informohuni, ju lutem, për “komandantët”.
Nëse elefanti mbi të cilin qëndron miza jonë do të ndërhyjë, ai mund të jetë dhe në krahun e atyre që luftojnë për liri. Por, jo medoemos në krahun e tyre që do të miradministrojnë lirinë. Sikur, elefantit t’i bëhej vonë për barin e shkelur. Por, nëse kjo nuk është luftë për liri, atëherë ku po ndërhyjmë? A mos jemi një shtet laik e neutral, që po ndërhyn në një konflikt fetar?

Lufta si fe, për fenë e përtej fesë
Po të dëgjosh shpjegimet e shumë të interesuarve për luftën siriane, e shpjegojnë si konflikt me sfond fetar mes sunive dhe alavitëve etj. Secila palë e konsideron tjetrën krye-armikun e fesë e të njerëzimit. Nuk më takon mua të ndaj davanë këtu. Qindra shqiptarë kanë marrë rrugën për t’u rreshtuar të gjithë kundër Assadit – sipas raporteve jo për lirinë e as për lidhje familjare. Janë atje, në një luftë fetare, madje jo me rebelët por me njësitet e xhihadit.
Qeveria shqiptare do duhej të kishte një qëndrim për këtë. Përtej britmave për luftë, një luftë që mund të jetë dhe fetare. Luftërat fetare janë pasionante, sikurse feja vetë është një pasion i fortë - më i rëndësishmi për shumë njerëz në botë. Luftërat pasionante, nuk mund të përfshijnë një vend pa pasione si Shqipëria. Një vend të vuajtur, që pretendon tolerancën fetare, e që ka si pasion vetëm llogjet e kafeneve dhe bastoret. Kjo, ka lidhje me narrativën politike të kryeministrave – narrativë politike, jo narracione netësh dimri.

Mbi narrativën politike
Kryeministri i vjetër dhe kryeministri i ri nxituan për të zhveshur kordhën e për të dalë pro NATO-s. NATO nuk është e jona, nuk e kemi krijuar ne. E as kemi ndikim në të. Në rast se amerikanët e turqit na e kërkojnë, ne do të rreshtohemi aty për hir të konjukturave, por ne nuk mund të udhëheqim e as të bërtasim më fort se elefanti. Obama u tërhoq përkohësisht, sikurse britanikët. Të vetmit që mbetën me kordhën zhveshur për luftë ishim ne, të nxituarit.
Kryeministrat tanë, para se të nxjerrin pallën për një luftë që nuk dihet ç’është, bëjnë mirë të ndërtojnë një ndjeshmëri publike. Bëjnë mirë të ndërtojnë gradualisht një qëndrim, qoftë ky human, politik apo strategjik. Bëjnë mirë të kenë një filozofi të vetën dhe jo një filozofi turke apo amerikane.
Edhe miza mund të ketë dinjitetin e vet. Madje, dhe filozofinë e vet. Prej mize. Jo prej elefantësh.