Monday, June 28, 2010

ÇFARË PO DËGJON KËTË ÇAST, FËMIJA YT?

Botuar te Shekulli, dt 27.06.2010



Ka ca ditë që nëpër cepa faqesh gazete del mbi ujë ndonjë lajm me gërma të vogla për ca muzikantë që bëjnë luftë me armë me njëri tjetrin.
Juve që ju ka shpëtuar si lajm, mund të shqetësoheni: Aleksandër Gjoka ka ngritur kallashin kundër Pirro Çakon??!
Mos u shqetësoni, nuk bëhet fjalë për ta, po për grupe hip-hopi. Dmth, shqetësohuni! Janë grupet që pëlqejnë fëmijët tuaj!

PARENTAL ADVISORY
Kjo është një shenjë mbi një album muzikor që në Amerikë tregon që ky album nuk mund t’u shitet minorenëve, sepse tekstet e këngëve janë të papërshtatshme. Nganjëherë shkruhet Explicit Lyrics.

Më rastis të dëgjoj vazhdimisht këngë, kryesisht të zhanrit hip-hop të cilat kanë tekste të dhunshme, shpeshherë aq shumë të dhunshme, sa në një vend tjetër të civilizuar (dmth, jo tek ne) autorin do mjaftonin ta fusnin në burg. Por jo, te ne autori merr famë e bëhet idhull.

Mjedisi i rrepit apo hip-hopit shqiptar po merr tendenca dhune duke tërhequr pas si fansa moshat e brishta që s’e kanë gjetur akoma veten.
Kjo dhunë ka kohë që ka marrë dhenë në blogje interneti, në youtube e facebook. Në tekstet e këngëve në mënyrë eksplicite flitet për vrasje e për asgjësim të x-it, sikurse në youtube mund të dëgjosh telefonata të inçizuara ku kërcënohet me vdekje njëri apo tjetri, apo në foto koncertesh mund të shohësh këngëtarë me pistoleta.

Normalisht, në Shqipëri jemi mësuar që kur dy vetëve u kruhen brirët, i lenë të merren me njëri tjetrin. Këtë gjë bën publiku, këtë bën media, këtë bën dhe policia.

Dhe, sikur të ishte vetëm një sherr mes 2 këngëtarësh, (a nuk u shkulën për flokësh Leonora e Adelina?) ndoshta nuk ia vlen të merresh gjatë me të. Por, tashmë kjo dhunë ka mbërritur te fëmijët.

TI JE MUZIKA QË DËGJON
Fansat e kësaj muzike janë fëmijët tanë adoleshentë.
Në vend që të mësonin ti binin kitarës, ose të mësonin not, basketboll, a të rrisnin pëllumba, (larg qoftë të lexojnë ndonjë libër), mësojnë që duhet vrarë dikush, kot, ashtu, se ashtu thotë kënga.
Kjo kulturë dhune, do prodhoj një brez çyryk nga mendja e të paaftë për të zgjidhur diçka në jetë jashtë mentalitetit të dhunës.

Dhe faji është yni. I yni, se nuk kemi mundur të prodhojmë modele për atë moshë që nuk jeton dot pa një idhull.
I yni, se ne e kemi krijuar kulturën e garipave.
Faji është i yni, sepse urrejtjen e perceptojnë që në kuzhinën e shtëpisë nga goja e prindërve.
I yni, sepse në shkolla i ushqejmë me rregullin e pashkruar që më i pasuri e më i forti fitojnë gjithmonë.
I yni, sepse nuk dimë as çfarë muzike u pëlqen fëmijëve tanë.
I yni, sepse i kemi lënë të rriten vetë, sikur të ishin jetimë. Mjaft që u japim lek për cigare e kafe.

Faji është yni, dhe mos kujtoni që fëmijët tanë do të vijnë të na akuzojnë një ditë, të na thonë: ju e kishit fajin. Jo, do na vrasin pa na lënë kohë të sqarohemi.

HIP-HOPI SI MUZIKË DHE SI TEKST
Hip-hopi nuk ka nevojë për shkollë muzike. Nuk ka nevojë të dish një vegël. Mjafton një MC që reciton dhe një tjetër që bën nc-nc-nc.
Gjëja që për mua ka vërtet vlerë në muzikën hip-hop janë tekstet. Tekstet e hip-hopit ka raste kur artikulojnë të vërteta sociale që të prekin. Edhe Tupac, vlerën e vërtetë e pati në ato tekste ku ngrinte problemet e shoëqrisë amerikane.
Ndonjëherë, tekstet e hip-hopit na thonë atë që politikanët nuk e thonë kurrë.
Një Tartë psh, do më pëlqente të artikulohej në stil MC.

Por, hip-hopin shqiptar rrallë e shoh të artikulojë probleme sociale. E shoh që të përpëlitet në tekste dhune pa objektiv, mbase me idenë që po të bëjmë ca tekste të fortësh, kalamajtë 14 vjeç do na adhurojnë. Dhe po ndodh.
Pavarësisht, se kjo muzikë nuk sjell asnjë vlerë veç dhunës e urrejtjes.

Hip-hopi do marrë vlerë kur të kapërcejë nevojën për tu bërë të famshëm duke manipuluar mendjet e papjekura me tekstet e të kthehet në një art që ka nevojë të shprehë jetën, dhe jo vdekjen.
Tupac thoshte “I’m too cool for this shit”.

NOTORIUS B.I.G. KUNDËR TUPAC
Në gjithë jetën time kam dëgjuar vetëm për hip-hopistë që vrasin njëri tjetrin, po kurrë për metalarë që vrasin njëri-tjetrin.
Më të njohurit janë Notorius B.I.G. dhe Tupac. I pari thonë, vrau të dytin. Fansat e të dytit thonë se vranë të parin. Të dy u vranë në moshën 25 vjeç.

Tupac u fut në burg 24 vjeç për përdhunim. Gjatë një sherri me armë mes tij e grupeve rivale një fëmijë u vra nga një plumb qorr. Kjo nuk e pengoi që të vazhdonte të ishte hero i turmave. Notorius B.I.G. u mor që i vogël me shitje droge.

Tupac, gjeti mënyrën më të thjeshtë për tu bërë i famshëm. Projektoi një imazh të dhunshëm në media e në tekstet e këngëve.
Megjithatë, stili i tij i të bërit P.R. nëpërmjet një imazhi dhune, mbeti. Dhe është nga më të suksesshmit. Funksionon dhe në Shqipëri.

DU HAST
Sot që ju jeni duke lexuar këtë Tartë, unë jam në Sonisphere Festival. Kam parë Rammstein të enjten e po pres sonte në mbrëmje the big four: Anthrax – Slayer – Megadeth – Metallica.

Nuk do të mund të shihni kurrë fansa të Metallicave duke vrarë me pushkë fansa të Megadeth. Thjesht, nuk ndodh!
Ti je muzika që dëgjon.

Monday, June 21, 2010

PAS PERDES, KOSOVA

Botuar te Shekulli, dt. 20.06.2010


Është e vështirë që një lajm të penetrojë këto ditë perden tonë mediatike. Në lajme ka vetëm sport dhe arritje ekonomike. Lidhje direkte, vetëm me kryeministrin dhe Afrikën e Jugut. Sepse askush nuk do më shumë lajme se kaq.
Më kujtohet që edhe genocidi në Ruanda në 94’n ndodhi gjatë Kupës së Botës, prandaj dhe ndodhi, se nuk e kishte mendjen askush tek ata.

E megjithatë, perden tonë të indiferencës mediatike e çanë 2 njerëz nga Kosova, Bekim Fehmiu dhe Albin Kurti.
Them nga Kosova, sepse detajet që Bekim Fehmiu jetonte në Beograd nuk mbërrijnë aq kollaj te ne.

Ne në fakt, si me Kupë, si pa Kupë e injorojmë Kosovën.
Dhe kur them “ne” e kam fjalën për ne që jetojmë brenda atyre të famshëmve 28mijë km katrorë.

NE NUK E DUAM KOSOVËN
Para nja 10 vitesh, i thoja Adnanit, mikut tim farmacist prej Prishtine, që me bashkimin e Shqipërisë me Kosovën edhe politika do bëhet më interesante, sepse do bëhet politikë për të fituar mendjet e 6 milionë njerëzve e jo vetëm 3.

Në atë kohë, Shqipëria jetonte idilin e luftës së Kosovës, një luftë që e bënë të tjerët për ne. Në atë periudhë kishim një kuriozitet për atë që ndodhej matanë gardhit. Në atë kohë, kishte akoma një buton idealizmi (edhe patriotik) brenda nesh që shtypej padashur e bënte kërr-kërr-kërr.

Halil Matoshi më pati shkruar në një email në kohën që botonte “Sheshi”-n: “Ekziston vetëm një hapësirë kulturore shqiptare...dhe kjo një ditë do të bëhet realitet...”

Sot, vërej me trishtim që e vetmja gjë që ka depërtuar në Shqipëri, është rrepi Kosovar që flet për cica e bythë, dhe turistët kosovarë që u kemi lënë Durrësin me plazhin e pisët për të mbajtur për vete Vlorën me plazhin (thuajse) të pastër.
Thonë që ka depërtuar dhe mafia, që do të thotë se e vetmja gjë që kemi arritur është bashkimi i mafieve përkatëse.

Por, hapësira e vërtetë mbarëkombëtare mungon.
Bashkimi, aq pak sa ka ndodhur ka qenë vetëm bashkim i së keqes. Përtej vjeljes së eurove të pushimeve atyre që dikur ishin vëllezër e sot janë turistë, përtej imitimit të shëmtuar të muzikës e të halleve të zezakëve të Kuinsit, bashkim të vërtetë nuk shoh.
Sepse, bashkimi fillon me interesimin për atë që ndodh matanë gardhit e përfundon kur e percepton atë që ndodh matanë sikur po të ndodh ty.

Asnjë gazetë kosovare (me sa di unë) nuk shpërndahet në Shqipëri. Ndërkohë që në çdo stendë gazetash mund të gjesh çdo revistë perëndimore Papparazzi-sh, femrash, mode apo lifestyle-i, që nga Elle e tek Men’s Health.
Mbulimi në TV i Kosovës është vetëm protokollar: kush erdhi, kush takoi Thaçin e kush iku.

Gazetat tona kanë një rubrikë “Kosovë e Rajon” ku në 1 faqe gazete (nga 32) miksohen lajme anemike për ndonjë zhvillim politik në Kosovë (kur ka) me zgjedhjet në Bullgari, me krizën greke, me pushimet në Budva e me viçat maqedonas.
Në shtypin e Shqipërisë thashethemet për Lindsey Lohan zënë më shumë vend sesa idetë e Shkëlzen Maliqit.

Po prit njëherë, kush është ky Shkëlzen Maliqi? Mos është ai tullaci? Me mjekër? Ai me mjekër që donte të bëhej president? Jo? Ai aktori? Lëre se nuk e gjej dot...

Media mund ta kish bërë bashkimin, por jo. Kultura mund ta kishte bërë bashkimin, por kemi bashkuar vetëm bythët për repistat. Politikat e përbashkëta arsimore mund ta kishin bërë bashkimin, por, i bie që të bashkojmë dhe tenderat.

Indiferenca që kemi si komb, pasqyrohet në indiferencë editoriale.
Megjithatë, perden tonë të indiferencës e çan vdekja ose lufta. Vdekja e Fehmiut dhe revolucioni i Albin Kurtit.

DASHURIA PËR ALBIN KURTËT
Arrestimi brutal i Albin Kurtit ndjej se ka lënë një gjurmë. Pak shqiptarë Shqipërie e dinë ekzakt ç’është Eulex, aq më pak e dinë se pse e përndjekin Albin Kurtin, po qendresa e tij, arrestimi i dhunshëm (sigurisht i parashikuar me zgjuarsi prej tij), “unë nuk e njoh këtë gjyq”, nuk ka kaluar pa u ndjerë.

Sepse, kështu jemi ne. Ju kujtohet Sokol Koçiu? Tifozllëku për të kur i gjithë shteti i qe vënë prapa?
Një njeri që sfidon sistemin, që nuk e kapin dot, është si një Sef Koshare e kohëve moderne. Kokainë? Punë e madhe. Ai ka SFIDUAR sistemin!

Dashuria e çuditshme e medias dhe publikut me Sokol Koçiun më 2001-shin është dashuria me rebelin.
Sepse, në psikën tonë kolektive vlon dashuria për rebelët. Për atë që i kundërvihet sistemit, pse jo me një akt të spikatur publik.
Shikoni figurat tona historike: Avni Rustemi, pasha-vrasës; Çerçiz Topulli, bimbash-vrasës; Vasil Laçi, perandor-vrasës; Zogu I, luigjgurakuq-vrasës; Caf Susta, policvrasës.

Albin Kurti është një Eulex-vrasës.
Hapësira mbarëshqiptare ka nevojë për heronj të rinj. Për heronj të vërtetë e të pakompromisë.
Qendrimi i tij revolucionar mund të jetë cheguevarist, idetë e tij për bashkim mund të jenë jorealiste, hedhja poshtë e planit të Ahtisarit, luftë me mullinjtë e erës. Megjithatë, në tokat tona djerrë të thara nga korrupsioni shpirtëror, të kripura nga egërsia e dhuna e të zgjedhurve me votë ose jo, ka një nevojë të ngutshme për një hero.

Kuptohet që pak-kush do i shkonte pas. Shumica do vazhdojnë të korruptojnë e të korruptohen, të abuzojnë e të abuzohen, sweet dreams are made of these, por, pavarësisht se jemi ne të tërë që e mbajmë në këmbë këtë sistem, respekti për rebelin ndaj sistemit është në genet tona.

FATOS LUBONJA VERSUS ALBIN KURTI
Ka dy njerëz që i respektoj fort në fushën e ideve, edhe kur nuk jam dakort me tezat e tyre, i respektoj se janë (thuajse) të vetmit që më kanë bindur se nuk konformohen e as nuk shiten. Dhe e bëjnë publikisht.
Albin Kurti e Fatos Lubonja.
Të dy kanë gjëra të përbashkëta, sistemi i mëparshëm represiv i ka futur në burg. Të dy janë të angazhuar që të thonë të vërtetën e tyre me çdo kusht, pa u përkulur pavarësisht dhunës verbale, ekonomike a fizike.
Të dy kërkojnë të ndryshojnë sistemin.
Ndryshimi mes të dyve qendron te mjetet që ata përdorin. Njëri penën, tjetri luftën (politike).

Cili i duhet Shqipërisë?
Ashtu si e ndjej unë, Shqipëria ka nevojë për rebelin politik të kohës së sotme, rol të cilit ca vite më parë Erion Veliaj për një moment i shkoi afër por që e humbi në provat e tavolinës.
Shqipërisë i duhet dikush që artikulon akuza të ditura, por qendron vetë i papërlyer, një luftëtar vetmitar kundër sistemit, dikush që nuk do fitojë kurrë por që na mban gjallë shpresën, dikush që Plasari të mos e akuzojë dot si “pykë” a si Fanolist.
Neve na duhet dikush që të na zhgroposë nga genet respektin në stilin e vjetër, atë të Sef Koshares.
Na duhet heroi i masave, jo i elitave. Na duhet Ché dhe jo Enzo Biagi.
Shqipërisë i duhet një Albin Kurt.

Derisa Fatos Lubonja të mos marrë pushkën e të ekzekutojë një pasha ose bimbash, nuk do mund ta tërheqë pas masën dhe idetë e tij do të penetrojnë vetëm tek ata pak njerëz që ende dinë shkrim e këndim në këtë vend.

THE LAST ACTION HERO
Perceptimi im për sa më sipër sidoqoftë është vetjak. Unë nuk jam në gjendje ta mas pushtetin popullor që mund të ketë një repist ekstravagant që i këndon hashashit e cicave.
Megjithatë, shpresa ime është që ndërmjet një repisti që këndon “Prishtina Fucking City” dhe rebelit që thotë “Unë nuk e njoh këtë gjyq”, heroi i masave të bëhet ky i fundit.

Monday, June 14, 2010

XHIMI HENDRIKS DHE PETRO MARKO, VDESIN PËR SË DYTI NË TIRANË

(Botuar te Shekulli 13 Qer 2010)

Uli Jon Roth – Xhimi Hendriks vdes në Tiranë

“Tani do luaj një këngë që besoj e dini të gjithë.”
Thuajse askush nuk e dinte. Uli Jon Roth nisi të luante me kitarë një këngë nga Xhimi Hendriks.

Uli Jon Roth (jo Ruth, siç e shqiptonte Çani, po Roth) është sipas shumë njohësve kitaristi më i mirë i gjallë. Megjithatë, “Tirona jon’, Tiron’ e kontradiktës, E luftës dhe e paqes e errësirës dhe e dritës”, e snoboi si pa të keq koncertin e tij në Tiranë.

Në stadium ishin a s’ishin një mijë vetë, që do të thotë ishin ca më shumë se në një dasëm labe. Sikur të ishte një eveniment i veçuar, sikur të thuhej, po mirë, Uli Jon Roth nuk është i njohur në Shqipëri, do e kaloja me një shaka dhe aq.
Por, kjo gjë ndodh non-stop, ndodhi edhe kur erdhën Cranberries, grupi më i mirë europian i viteve ’90; edhe kur erdhën Def Leppard, grupi absolut i hardrrokut (nga shitjet) në botë; ndodhi edhe kur erdhi Schiller, madje edhe me Whitesnake. Edhe Deep Purple, s’do mblidhnin dot më shumë se 2-3 mijë vetë po të këndonin në stadium.
Sepse, problemi nuk është te grupet që vijnë. Problemi është tek ne.

Rroku, është në fakt një muzikë antikonformizmi e rebelizmi, që pavarësisht modërave muzikore që fabrikon MTV, ka përherë një bazë të gjerë fansash.
Janë njerëz që në jetën e përditshme mund të jenë kushdo, por që në muzikë përpiqen të ruajnë pak shpirt rebeli dhe në trup pak wood-stock.
Vetëm 1 mijë të tillë mund të prodhojë Tirana? Kaq janë rebelët? Kaq janë gjithsejt njerëzit e interesuar për virtuozin më të madh të gjallë të kitarës?

Ti je muzika që dëgjon

Njerëzit që nuk vijnë në koncerte rroku, do i ndaja në dy kategori, në ata që nuk e njohin dhe ata që përtojnë.

Thonë që “ti je muzika që dëgjon”.
Për fat të keq, brezat e rinj po rriten me shije të shëmtuara muzikore dhe me mundësira shumë të kufizuara zgjedhjesh.

Dhe stadiumi mbushet me njerëz që (vjet) erdhën me vrap për të parë Giussy Ferrerin, dhe as nuk e njihnin kush qe ky Reammon.

Mediumet muzikore, radiot kryesisht dhe nja 2-3 TV, janë treguar të paafta për të drejtuar shijen muzikore të shqiptarëve. Dj-t në këto mediume shpesh janë adoleshentë, kur në radiot europiane DJ-t janë mbi 40 vjeç.
Sepse, nuk mund të formatosh shijet muzikore të një vendi nëqoftëse je me 8 klasë shkollë dhe mbi të gjitha injorant në historinë e muzikës. Politikat muzikore të këtyre mediumeve thjesht nuk ekzistojnë, i bien shkurt, luajnë atë që është komerciale (dhe shpesh pa vlerë) në vendet fqinjë.

Nga ana tjetër, rezistenca e publikut ndaj dhunës muzikore që i bëhet nga radiot e TV inkompetente, është e vogël. Sepse, vëmendja që i kushtohet atyre që programojnë muzikën për ne, është minimale.

Dasmat tona me DJ

Ja psh, njerëzia nuk kujdesen as për muzikën në dasmën e vetë. Paguajnë shumë për një fustan me qera, dhe paguajnë 5 herë më pak për DJ që do luajë muzikën në dasmë. Kaq vlerë ka muzika për ne. Dhe DJ-t na japin atë që kërkojmë. “Let’s get Loud” nga J. Lopez.

Në disa dasma që kam qenë në këto vitet e fundit, DJ-t kanë qenë thuajse minorenë. Muzika, ishte pothuaj e njëjta, shtampë. Edhe radha e këngëve, thuajse e njëjta. Në fund të fundit të gjithë bëhen tapë 20 minuta pasi ka filluar dasma, dhe punë e madhe muzika, mjafton të ketë zhurmë.

Kjo kulturë muzikore, ka bërë që tërë kohën të bombardohemi në të gjitha mediumet me Rihanjën dhe Jay Z.
Se mos kërkuam më shumë?!

Ky vend nuk prodhon dot rebelë

Gjëja që më shqetëson realisht në këtë sjellje nuk është fakti që shumë njerëz nuk e njohin Uli Jon Roth.
Më shqetëson fakti i atyre që e njohin, por që përtojnë.

Atyre që nuk erdhën në koncertin e Cranberries sepse kishin lënë të dilnin për kafe.
Atyre që nuk erdhën për të parë Schiller, se kishin lënë për të vajtur në pub.

Përtacia apo snobimi nga ana e atyre që dinë, ka bërë që shija e keqe të na mbysë. Ka bërë që muzika e furgonave të mbizotërojë, ka bërë që një çingije të thërrasë më shumë njerëz në një sallë sporti sesa Zucchero në stadium.

Më duhet ta theksoj, që nuk bëhet fjalë thjesht për muzikën. Muzika, vetëm na tregon se çfarë ndodh. Na tregon për shpirtin e kohës. Të rrish në kafe, sepse përton të shkosh të argëtohesh me një koncert në Stadium, do të thotë që kalbësira na ka zënë shpirtin.

Ata që përtojnë të argëtohen dhe vetë, nuk do të dalin as për të protestuar për lirinë, as për Gërdecin, as për votat, as për qendrën e Tiranës, as për çmimet, as për korrupsionin, as për pemët, as për taksat, as për Maks Velon e as për dhunën policore.
Prandaj ka 13 vjet që në protesta dalin njerëz o të paguar o me lista institucionesh. Sepse, shpirt i rebelit, i protestës, sikurse shpirti i rrokut tek ne ka vdekur.

Sepse, po të ishin jo 1 mijë vetë, por të paktën 10 mijë vetë në Qemal Stafa për të dëgjuar Uli Jon Roth, duke dalë nga ai stadium ne do ta kishim përmbysur këtë rend e do kishim shpallur Republikën tonë të Drejtësisë e të Dashurisë.

Petro Marko është gjyqi jonë i fundit

Vdekja e Petro Markos, ka qenë e para në serinë prej 4 vdekjesh të mëdha që më kanë trishtuar, Petro Marko, Teodor Keko, Vath Koreshi e Frederik Rreshpja.

Ka disa ditë që gazeta Shqip ka nisur një fushatë sensibilizimi për të ndihmuar familjen e Petro Markos, me të birin të sëmurë, të shoqen të sëmurë, dhe vajzën që s’ka asnjë mundësi financiare të përballojë jetesën e vet dhe sëmundjet e familjes.

Petro Marko iku më 1991. E mbaj dhe sot mend kortezhin që kalonte poshtë dritares sime. Gati kam qarë atë ditë.

Të nesërmen që u hap kjo fushatë, prisja që të flitej për sasinë e parave të grumbulluara, për shtetin që ka vendosur të akordojë një fond, për Ministri që vendosin të organizojnë ndihmë mjekësore të specializuar dhe falas.
Por (thuajse) asgjë s’ka ndodhur. Prandaj në gazetë dalin njerëz që bëjnë akoma apel.
Për sa apele kemi nevojë? Sa javë kohë duhet që vuajtja e Markove të mbërrijë deri te ne?

Kushdo që ka lexuar qoftë dhe një libër të tij, dua të besoj se, e ka një detyrim moral ndaj asaj që ka mbetur nga Petro Marko: një familje në hall.
Unë vetë ia kam lexuar të tërë librat, e nuk kam dhënë asnjë ndihmë.
Sepse, e kam gjithmonë një justifikim. Një herë ishte vapë. Një herë s’më ra rruga nga Banka. Një herë s’kisha lek. Një herë më doli një shok për kafe. Një herë thashë, “ta ndihmojë shteti”. Një herë, isha shumë i zënë duke parë TV.

Sepse ne, jemi mësuar, të mos e ndjejmë vuajtjen dinjitoze të tjetrit.
Jo se nuk prekemi, e kush nuk u përlot kur asaj vajzës në TV i nxorën para fotografinë e babait e qau?!
Le të dalin dhe Markot në reality show. T’i shohim të qajnë. Pastaj, do i votojmë me SMS.

Ne që harxhojmë sms pa fund për të nxjerrë nga Reality Show-t ca nulitete ose për të votuar Greqinë në Eurosong, përtojmë të bëjmë një rrugë deri te një bankë e të fusim aty lek sa për 10 sms votimi.

Po qe se ka një portë të fundit, nuk është Shën Pjetri ai që na pret te hyrja e Parajsës. Është Petro Marko, që do na lërë që të hyjmë të tërëve pavarësisht nëse kemi ndihmuar apo jo.

Nuk e di çfarë po bëjnë të tjerët. Di që unë, nuk kam ndihmuar akoma.
Sepse, nuk më ka rënë rruga nga Banka. Le që tani fillon Botërori. Dhe gjithmonë, do justifikohem me një, “ee, kismet herës tjetër”. Për familjen Marko nuk e di a ka një “herës tjetër”.
(nr llogarisë në lek: Raiffeisen Bank - 0000251473)

Monday, June 7, 2010

REQUIEM PËR 1 QERSHORIN

http://www.shekulli.com.al/2010/06/05/requiem-per-1-qershorin.html

Requiem for a dream
Sa herë vjen 1 Qershori, batuta më e përdorur është: “Kam festë”. Sa më i madh të jesh në moshë, aq më shumë qeshin njerëzia me këtë batutë.
Në të vërtetë nuk është batutë. Është e vërtetë. 1 Qershori është festa që ne, u kemi ngritur fëmijëve. Fëmijët vetë nuk kanë nevojë të caktojnë data për t’u ndjerë mirë. Ata, kërkojnë të ndjehen mirë tërë vitin. Por, në pamundësi për ti bërë të ndjehen të sigurt, të dashur, të përkëdhelur e të mbrojtur gjatë vitit, kemi caktuar një ditë feste. NJË! Sa për ti hequr qafe, njësoj siç bëjmë me festat e tjera, me atë të gruas, me atë të vitit të ri, me atë mësuesve...

Lacrimosa
Çdo mëngjes, 2 fëmijë të vegjël, Nazifi dhe Marinela, 8 dhe 11 vjeç, ngjiten 40 minuta në këmbë përgjatë malit të Jalit për të mbërritur në shkollën e tyre në Vuno.
Shkolla ka 4 nxënës, një në klasë të dytë, Nazifin, tre në klasë të 5-të, Marinelën dhe dy shoqet e saj.
Vitin që vjen, shkolla do të përgjysmohet, një nga vajzat do të shkojë në Tiranë, tjetra ka dëshirë të ikë dhe ajo.
Në shkollën 8-vjeçare të fshatit Vuno do të mbeten 2 nxënës, Nazifi dhe Marinela, pra do të mbetet një klasë e 3-të dhe një e 6-të.

E vetmja gjë që sistemi ynë u ka dhënë me bollëk Nazifit e Marinelës është lënda e Fiskulturës, 40 minuta ngjitje e po aq zbritje.
U ka dhënë dhe një mësuese.
Po nuk u ka dhënë shokë klase.

Shkolla, me aq sa e kam kuptuar unë nuk është vetëm vendi ku mësohet aritmetikë, se aritmetika mësohet edhe në dyqan duke mbledhur e zbritur kusuret e lekëve, as vendi ku mësohet gjuha shqipe, sepse gjuha janë programet televizive me sms. Shkolla do duhej të ishte një vend ku shkohet edhe kur nuk ke mësuar, sepse është një vend ku ti rritesh bashkë me fëmijët e tjerë, ku shkon dhe për të luajtur me top, shkon edhe për të dëgjuar çfarë thonë të tjerët në mësim, shkon dhe për të kopjuar.
Sepse shkolla është një vend ku ti të ndjehesh se i përket, i përket një grupmoshe, i përket një bashkësie që po të rrit e po kujdeset për ty.

Por, Nazifi nuk ka shokë banke, as shokë klase, madje as nuk kopjon dot në provime. Ai nuk luan me top në pushim, nuk ka një skuadër tjetër me të cilën të hahen, nuk ngacmon dot gocat e klasës, se s’ka klasë, as gocat e shkollës se e vetmja vajzë në shkollë është e motra.
Ai po mëson shkrim e këndim, por Nazifi nuk e di se çfarë është një shkollë prej vërteti.
Shkolla më e afërt prej vërteti është në Himarë, 20 minuta me makinë nga Jali.

Lacrimarum
Nazifi e ka një shok, të cilin ditë për ditë vjen dhe e merr në Dhërmi autobusi i shkollës dhe e çon në shkollën greke në Himarë. Shoku i Nazifit nuk di asnjë fjalë greqisht, nuk është grek, por ama ka një shkollë prej vërteti, ku shkon me autobus dhe jo në këmbë, dhe ku ka plot shokë me të cilët luan me top. E ç’rëndësi ka që atë e quajnë “shkolla greke”? Është shkollë... prej vërteti!

E pyeta Nazifin se çfarë do të bëhet kur të rritet. “Kamarier, që të rri në hije”.
Më kujtoi një fëmijë tjetër, 10 vjeç, që kur e pata pyetur se çfarë donte të bëhej, m’u përgjigj “President... ose Deputet”.
Ëndrrat e fëmijëve tanë janë reduktuar në gjëra utilitare. Ata duan të bëhen diçka që u duket shpëtimi nga hallet. Kamerier – që të rri në hije. Deputet – që të kem lekë shumë.
Sepse, ata janë pasqyra e asaj që shohin te ne.

Offertorium
Meqë jemi te pasqyra: 1 Qershorin, disa shkolla të Tiranës e festuan në një Birrari.
Ajo është birraria ime e preferuar ku shkoj fundjavave. Ka dhe një pishinë, ka dhe pak bar jeshil. Birra, më e mira në Tiranë.
Por, dikush, kishte menduar që fëmijët të gëzojnë për 1 Qershor aty ku të rriturit gëzojnë çdo ditë tjetër duke pirë birra.
Durrësi është vetëm gjysëm ore larg, për ti çuar fëmijët në plazh prej vërteti e jo në pishinën e birrarisë. Liqeni, është 15 minuta larg, për ti çuar në bar të mbjellë mbi dhe, e jo mbi beton. Por, ne i çojmë në birrari.
Sepse, më shumë se 1 Qershori për fëmijët, ky është një 1 Qershor për ne, për mësuesit e prindërit. Dhe, bota jonë fillon e mbaron te birrari.

Lux aeterna
Një miku im ka blerë një CD-Rom ku i tregon fëmijës së vet të tëra kafshët, meqë ai është fëmijë i asfaltit. Përderisa fëmijëve nuk u japim 1 Qershor prej vërteti, le tu japim dhe kafshë jo prej vërteti, në kompjuter.

Po të kisha mundësi, do i kisha dhuruar Nazifit një CD-rom ku të kishte ca shokë virtualë. Fantastic 4.
Veçse Nazifi nuk ka lap-top. Por, dhe po të kishte...

Për 1 Qershor, Nazifi, si përditë e ngjiti dhe e zbriti vetë malin në këmbë duke mbajtur në kurriz çantën 5 kilëshe të librave. Totali: 35 kile.
Dhe unë, dashkam ti shtoj dhe 3 kile laptop të tjera në kurriz??!
Ah, këto idetë tona të 1 Qershorit!

Tuesday, June 1, 2010

Hakmarrja e Gëzim Kulufit

Botuar me shkurtime te Shekulli, dt 30 maj 2010


Balada e gëzim Kulufit
Këto ditë, rastësisht, më është kujtuar Gëzim Kulufi, budallai legjendar që argëtonte dikur gjithë Tiranën, duke shpërndarë gëzimin e botës së vet me ne.
Në rast se fëmijët e mi do më pyesin ndonjëherë si ka qenë Tirana kur kam qenë i ri, ka fare pak gjëra që mund tu them. Ka pasur Xhiron e Bulevardit, ka pasur një Kinema Republika ku kam parë filmin e parë, dhe ka pasur Gëzim Kulufin.

Xhiroja në bulevard nuk ekziston më, nuk kemi arsye as të shëtisim as të na shohin të tjerët. Leqë, tani, shihemi në facebook. Kinema Republikën e kanë shembur për ta zëvendësuar me një mamuth. Më ka mbetur vetëm Gëzim Kulufi, dëshmia e fundit e Tiranës që mbaj mend.
Ku gjendet Gëzim Kulufi?

Shenja në formë L-je
Ndërsa pinim birrë vendi me shije ndryshku, në një rrugicë 1 kalimshe po ku kalohej nga të 4 anët, pashë një nga ata njerëzit që ne i quajmë “antikapat” për ti rënë shkurt, një nga ata njerëzit që nuk kujdesen dot për veten se janë “të penguar” siç do preferonte ti emërtonte me dhembshuri Tupja, sepse kanë një deformim psiqik ose fizik.
Në trup, kishte një shenjë operacioni në formë “L”, shenja se prej aty dikush i kishte hequr veshkën.
Burri në fjalë, një nga shumë qeniet e këtij qyteti që nuk kujdeset dot për veten, as nuk e dinte pse e kishte. Mbase i ka dhembur për ca ditë, po ai nuk di të ankohet. Është, siç i themi ne për ti rënë shkurt, “antikapat” për të kuptuar se çfarë i kanë bërë.

Rrugët e këtij qyteti janë mbushur me BMW që kanë eleminuar xhiron, me kryetarë bashkie që kanë shembur Kinema Republikën, dhe me “antikapatë” pa njërën veshkë.

Një baba nga Kukësi doli para dy ditësh në gazetë e kërkoi t’i kthejnë të bijën, që të gjithë e dinë që ia kanë marrë për trafik organesh. Lutet. Kërkon që të bëjnë ndërrim, tërë trupin e tij për veshkën e të bijës.
Në të njëjtën ditë, në të njëjtën gazetë trumbetohej që hetimi i Karla Del Pontes për trafikimin e organeve ndaj robërve të luftës së Kosovës, është mbyllur pa rezultat. Mbaj mend me dhjetëra shkrime kundër Del Pontes e shpifjeve të saj.
Na pati prekur në sedër!!
Sepse, ne NUK i kemi trafikuar organet e serbëve të zënë rob!! S’kemi përse! Ne kemi vajzat tona të vogla dhe antikapatët tanë.
Një vajzë në Kukës e kanë rrëmbyer, gjasat janë për trafik organesh. Dhe, ajo vajzë ka një babë. Por me dhjetëra lypësa e “antikapatë” nuk kanë askënd. Kanë vetëm një shenjë në formë L-je.

Prita që dikush, një president, një kryeministër, një ministër, apo makar një zv/ministër të dalë e të thotë që askush nuk e ka të sigurt postin, pa u gjetur vajza e vogël e rrëmbyer. Që shteti, nuk do jetë shtet, po nuk mbrojti fëmijën e vogël 6 vjeç!

Prita që të paktën një nga gratë e pushtetshme të këtij vendi, të dalë e të thotë, që nuk do të shkelë më në zyrë a në Parlament, derisa gratë pa pushtet të këtij vendi të kenë të sigurta të paktën jetën e fëmijëve.

Prita që artistët, ata që na enjtën me peticionet e grevat e tyre qesharake, me mitingjet e antimitingjet e tyre vanitoze, të dalin në rrugë për të kërcënuar që o të gjendet vajza e vogël, o nuk do të bëjnë më art në këtë vend.

Po askush doli. Sepse, në fakt, askujt nuk i bëhet vonë, as për vajzën e vogël nga Kukësi e as për fatin e dhjetëra “antikapatëve” lypësave pa emër.
E as për fatin e Gëzim Kulufit.

Fati i Gëzim Kulufit
Nuk ka shumë për të thënë për fatin e Gëzim Kulufit, që ka vite që nuk e kam parë rrugëve duke i gëzuar të tërë me kuluf-llikun e vet.
Fati i tij besoj se është si i këtij “antikapatit” me vulën “L”, si fati i dhjetëra lypësave që “Fondacionet” ua kanë marrë prindërve analfabetë duke i shitur për pjesë këmbimi, si fati i vajzës në Kukësi.

Gëzim Kulufi, ka furnizuar fabrikat e organeve.
(Të paktën kështu besoj).
Vetëm trurin, ndoshta nuk ia kanë marrë. Jo ngase ishte tru “Kulufi”, por ngase trurin nuk mund ta transplantojnë akoma.
Fati i Gëzim Kulufit, është pasqyra sesi jemi. Dhe kur them Gëzim Kulufit, e kam fjalën për “antikapatët” me një veshkë.

Ata që ua bëjnë, kanë kuptuar që kështu funksionon ky vend. Që dikush duhet të paguajë për BMW-të e shtrenjta, për jetën e tyre të natës, për shkollën e fëmijëve të tyre, për dashnoret me D&G, për kokainën, për drekat e peshkut. Do paguajë veshka e Gëzim Kulufit.
Sikurse e dinë që askujt nuk do i bëhet vonë, pushteti ka të njëjtën filozofi si ata.
Sa për ne të tjerët, secili ruan veshkën e vet.

Jashtë bie borë
Te Teatrin i Metropolit, mund të shihni “Jashtë Bie Borë”.
Sot që gazeta del në treg, kam frikë se do të jetë shfaqja e fundit. Nëqoftëse keni në plan të shihni një shfaqje teatri këtë vit, kjo mund të ishte ajo shfaqje.
Shkoni, për të parë që nuk është vështirë të bëhet teatër i mirë në Shqipëri.
Për të dhënë një shfaqje të mirë, duhen vetëm 3 djem të talentuar (Gentian Zenelaj, Ervin Bejleri, Alban Musa) dhe një tekst i mirë (Vincenzo Salemme). Skenografia është e ngrohtë e funksionale (Beqo Nanaj), dhe e vetmja pikë e dobët e shfaqjes është muzika, jo për përzgjedhjen, po për mënyrën se si është përdorur.

Fundi i filmit
Në fund të Jashtë Bie Borë, “antikapati” Çiço, i helmon vëllezërit, bashkë me veten.
Po antikapatët e rrugëve tona me shenjë “L” në trup, si do të mund të hakmerren dikur ndaj nesh?
S’besoj se do hakmerren. Ata mund të jenë “antikapatë”, por ndryshe nga ne, ata nuk janë qenie që vrasin.

http://www.shekulli.com.al/2010/05/29/hakmarrja-e-gezim-kulufit.html