(Botuar te Shekulli 13 Qer 2010)
Uli Jon Roth – Xhimi Hendriks vdes në Tiranë
“Tani do luaj një këngë që besoj e dini të gjithë.”
Thuajse askush nuk e dinte. Uli Jon Roth nisi të luante me kitarë një këngë nga Xhimi Hendriks.
Uli Jon Roth (jo Ruth, siç e shqiptonte Çani, po Roth) është sipas shumë njohësve kitaristi më i mirë i gjallë. Megjithatë, “Tirona jon’, Tiron’ e kontradiktës, E luftës dhe e paqes e errësirës dhe e dritës”, e snoboi si pa të keq koncertin e tij në Tiranë.
Në stadium ishin a s’ishin një mijë vetë, që do të thotë ishin ca më shumë se në një dasëm labe. Sikur të ishte një eveniment i veçuar, sikur të thuhej, po mirë, Uli Jon Roth nuk është i njohur në Shqipëri, do e kaloja me një shaka dhe aq.
Por, kjo gjë ndodh non-stop, ndodhi edhe kur erdhën Cranberries, grupi më i mirë europian i viteve ’90; edhe kur erdhën Def Leppard, grupi absolut i hardrrokut (nga shitjet) në botë; ndodhi edhe kur erdhi Schiller, madje edhe me Whitesnake. Edhe Deep Purple, s’do mblidhnin dot më shumë se 2-3 mijë vetë po të këndonin në stadium.
Sepse, problemi nuk është te grupet që vijnë. Problemi është tek ne.
Rroku, është në fakt një muzikë antikonformizmi e rebelizmi, që pavarësisht modërave muzikore që fabrikon MTV, ka përherë një bazë të gjerë fansash.
Janë njerëz që në jetën e përditshme mund të jenë kushdo, por që në muzikë përpiqen të ruajnë pak shpirt rebeli dhe në trup pak wood-stock.
Vetëm 1 mijë të tillë mund të prodhojë Tirana? Kaq janë rebelët? Kaq janë gjithsejt njerëzit e interesuar për virtuozin më të madh të gjallë të kitarës?
Ti je muzika që dëgjon
Njerëzit që nuk vijnë në koncerte rroku, do i ndaja në dy kategori, në ata që nuk e njohin dhe ata që përtojnë.
Thonë që “ti je muzika që dëgjon”.
Për fat të keq, brezat e rinj po rriten me shije të shëmtuara muzikore dhe me mundësira shumë të kufizuara zgjedhjesh.
Dhe stadiumi mbushet me njerëz që (vjet) erdhën me vrap për të parë Giussy Ferrerin, dhe as nuk e njihnin kush qe ky Reammon.
Mediumet muzikore, radiot kryesisht dhe nja 2-3 TV, janë treguar të paafta për të drejtuar shijen muzikore të shqiptarëve. Dj-t në këto mediume shpesh janë adoleshentë, kur në radiot europiane DJ-t janë mbi 40 vjeç.
Sepse, nuk mund të formatosh shijet muzikore të një vendi nëqoftëse je me 8 klasë shkollë dhe mbi të gjitha injorant në historinë e muzikës. Politikat muzikore të këtyre mediumeve thjesht nuk ekzistojnë, i bien shkurt, luajnë atë që është komerciale (dhe shpesh pa vlerë) në vendet fqinjë.
Nga ana tjetër, rezistenca e publikut ndaj dhunës muzikore që i bëhet nga radiot e TV inkompetente, është e vogël. Sepse, vëmendja që i kushtohet atyre që programojnë muzikën për ne, është minimale.
Dasmat tona me DJ
Ja psh, njerëzia nuk kujdesen as për muzikën në dasmën e vetë. Paguajnë shumë për një fustan me qera, dhe paguajnë 5 herë më pak për DJ që do luajë muzikën në dasmë. Kaq vlerë ka muzika për ne. Dhe DJ-t na japin atë që kërkojmë. “Let’s get Loud” nga J. Lopez.
Në disa dasma që kam qenë në këto vitet e fundit, DJ-t kanë qenë thuajse minorenë. Muzika, ishte pothuaj e njëjta, shtampë. Edhe radha e këngëve, thuajse e njëjta. Në fund të fundit të gjithë bëhen tapë 20 minuta pasi ka filluar dasma, dhe punë e madhe muzika, mjafton të ketë zhurmë.
Kjo kulturë muzikore, ka bërë që tërë kohën të bombardohemi në të gjitha mediumet me Rihanjën dhe Jay Z.
Se mos kërkuam më shumë?!
Ky vend nuk prodhon dot rebelë
Gjëja që më shqetëson realisht në këtë sjellje nuk është fakti që shumë njerëz nuk e njohin Uli Jon Roth.
Më shqetëson fakti i atyre që e njohin, por që përtojnë.
Atyre që nuk erdhën në koncertin e Cranberries sepse kishin lënë të dilnin për kafe.
Atyre që nuk erdhën për të parë Schiller, se kishin lënë për të vajtur në pub.
Përtacia apo snobimi nga ana e atyre që dinë, ka bërë që shija e keqe të na mbysë. Ka bërë që muzika e furgonave të mbizotërojë, ka bërë që një çingije të thërrasë më shumë njerëz në një sallë sporti sesa Zucchero në stadium.
Më duhet ta theksoj, që nuk bëhet fjalë thjesht për muzikën. Muzika, vetëm na tregon se çfarë ndodh. Na tregon për shpirtin e kohës. Të rrish në kafe, sepse përton të shkosh të argëtohesh me një koncert në Stadium, do të thotë që kalbësira na ka zënë shpirtin.
Ata që përtojnë të argëtohen dhe vetë, nuk do të dalin as për të protestuar për lirinë, as për Gërdecin, as për votat, as për qendrën e Tiranës, as për çmimet, as për korrupsionin, as për pemët, as për taksat, as për Maks Velon e as për dhunën policore.
Prandaj ka 13 vjet që në protesta dalin njerëz o të paguar o me lista institucionesh. Sepse, shpirt i rebelit, i protestës, sikurse shpirti i rrokut tek ne ka vdekur.
Sepse, po të ishin jo 1 mijë vetë, por të paktën 10 mijë vetë në Qemal Stafa për të dëgjuar Uli Jon Roth, duke dalë nga ai stadium ne do ta kishim përmbysur këtë rend e do kishim shpallur Republikën tonë të Drejtësisë e të Dashurisë.
Petro Marko është gjyqi jonë i fundit
Vdekja e Petro Markos, ka qenë e para në serinë prej 4 vdekjesh të mëdha që më kanë trishtuar, Petro Marko, Teodor Keko, Vath Koreshi e Frederik Rreshpja.
Ka disa ditë që gazeta Shqip ka nisur një fushatë sensibilizimi për të ndihmuar familjen e Petro Markos, me të birin të sëmurë, të shoqen të sëmurë, dhe vajzën që s’ka asnjë mundësi financiare të përballojë jetesën e vet dhe sëmundjet e familjes.
Petro Marko iku më 1991. E mbaj dhe sot mend kortezhin që kalonte poshtë dritares sime. Gati kam qarë atë ditë.
Të nesërmen që u hap kjo fushatë, prisja që të flitej për sasinë e parave të grumbulluara, për shtetin që ka vendosur të akordojë një fond, për Ministri që vendosin të organizojnë ndihmë mjekësore të specializuar dhe falas.
Por (thuajse) asgjë s’ka ndodhur. Prandaj në gazetë dalin njerëz që bëjnë akoma apel.
Për sa apele kemi nevojë? Sa javë kohë duhet që vuajtja e Markove të mbërrijë deri te ne?
Kushdo që ka lexuar qoftë dhe një libër të tij, dua të besoj se, e ka një detyrim moral ndaj asaj që ka mbetur nga Petro Marko: një familje në hall.
Unë vetë ia kam lexuar të tërë librat, e nuk kam dhënë asnjë ndihmë.
Sepse, e kam gjithmonë një justifikim. Një herë ishte vapë. Një herë s’më ra rruga nga Banka. Një herë s’kisha lek. Një herë më doli një shok për kafe. Një herë thashë, “ta ndihmojë shteti”. Një herë, isha shumë i zënë duke parë TV.
Sepse ne, jemi mësuar, të mos e ndjejmë vuajtjen dinjitoze të tjetrit.
Jo se nuk prekemi, e kush nuk u përlot kur asaj vajzës në TV i nxorën para fotografinë e babait e qau?!
Le të dalin dhe Markot në reality show. T’i shohim të qajnë. Pastaj, do i votojmë me SMS.
Ne që harxhojmë sms pa fund për të nxjerrë nga Reality Show-t ca nulitete ose për të votuar Greqinë në Eurosong, përtojmë të bëjmë një rrugë deri te një bankë e të fusim aty lek sa për 10 sms votimi.
Po qe se ka një portë të fundit, nuk është Shën Pjetri ai që na pret te hyrja e Parajsës. Është Petro Marko, që do na lërë që të hyjmë të tërëve pavarësisht nëse kemi ndihmuar apo jo.
Nuk e di çfarë po bëjnë të tjerët. Di që unë, nuk kam ndihmuar akoma.
Sepse, nuk më ka rënë rruga nga Banka. Le që tani fillon Botërori. Dhe gjithmonë, do justifikohem me një, “ee, kismet herës tjetër”. Për familjen Marko nuk e di a ka një “herës tjetër”.
(nr llogarisë në lek: Raiffeisen Bank - 0000251473)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Pergezime per shkrimet me kishin munguar qe nga Gjimnastika Mengjesit. A me lejon ti publikoj keto shkrime tek faqja ime www.goplako.com. Flm vazhdo punen e mire qe ke nis.
ReplyDelete