Thursday, May 23, 2019

99.9999%-shi

Po i rikthehem pas thuajse një viti të njëjtës temë, me ca emra më shumë. Botuar po në gazetën DITA, më 23 maj 2019


Avokati futet në zyrat e një kompanie të madhe, më saktë njërës prej shumë kompanive të njërit prej njerëzve më të pasur të Shqipërisë. Përballë tij qendron juristi i kompanisë.

Kompania, ka pushuar nga puna në mënyrë të jashtëligjshme një prej punonjësve, duke i mohuar atij të drejtat që i takojnë me ligj. Avokati ka shkuar atje për të arritur një marrëveshje.

Por, juristi i kompanisë, ka vetëm një fjali për t’i komunkuar: thuaji “atij” që po vazhdoi me gjyqe nuk do gjejë kurrë punë në Shqipëri. Viktima, vendos të tërhiqet nga gjyqi.

I njëjti avokat ka 4 eksperienca të tilla me kompanitë e njerëzve të fuqishëm që i tregojnë dhëmbët kujtdo. Arroganca e tyre ëshët e përligjur. Ata JANË shteti. Ata JANË Shqipëria.

ATA dhe NE

Shqipëria de fakto është e ndarë në 2 pjesë. Shumë prej nesh, ose për të qenë i sinqertë shumë nga ju që po lexoni, besojnë se Shqipëria ndahet në socialistë e demokratë, në të majtë e të djathtë, në të Ramës e të Bashës.

Ndoshta, kjo mund të ketë qenë e vërtetë deri para 7-8 vjetësh, por tashmë balancat kanë ndryshuar. Tani Shqipëria ndahet në 2 grupe krejt të tjera: në “ATA”, që janë një grup me 15-20 njerëz super të pasur, dhe, NE, 99,9999% e popullsisë, gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë që përpiqet të mbijetojë.

NE jemi: biznese që përpiqen të mbijetojnë në një ambient ku konkurenca nuk ekziston më; pronarë ngastrash e dykatëshesh që pronat po u shkasin nga duart përmes proceseve të dyshimta shpesh përmes dhunës shtetërore; ish-shtresa e mesme që lufton për të mos rënë në kategorinë më poshtë; dhe njerëz që nuk kanë më asgjë, dhjetëra-mijëra të vobektë që gjenden në fund të zinxhirit ushqimor të kronizmit (cronyism-it) shqiptar.

Ndërmjet këtyre dy pjesëve të Shqipërisë ekziston dhe një zonë e ngushtë gri: politikanë shumë të pasur që besojnë se janë palë me ATA; gjyqtarë të krimbur në para që besojnë që në raport me dy shtresat e tjera do kenë pozitë të privilegjuar; trafikantë që janë të sigurt se milionat e malavitës do i gëzojnë pa u hyrë gjemb në këmbë sepse kushdo, edhe ATA dhe NE do ua kenë përjetësisht frikën.

Personalisht mendoj që asnjë nga këto kategori nuk do jenë të sigurt.

Shteti i TYRE

Edhe më parë kemi pasur njerëz të pasur që kanë bërë marrëveshje me politikanët për të vjedhur e grabitur, për të fituar tendera e për të ndarë llokma. Tani, as tendera nuk ka më, ATA marrin çfarë duan pa garë, mjafton ta kërkojnë.

Tashmë ATA janë mbi shtetin. ATA pregatisin ligjet e ia sjellin Kryeministrit për firmë; ATA caktojnë deputetët; ATA, vendosin ku do ndërtohet e si do ndërtohet; ATA fitojnë të tërë gjyqet dhe nuk kanë nevojë as të paguajnë; ATA shkatërrojnë mjedisin, dhunojnë lumenjtë, grabisin pyjet e masakrojnë bregdetin si të ishin kalamaj të papërgjegjshëm e të pandëshkueshëm; ATA mund të vendosin që ti të vdesësh urie dhe që nuk do guxojë të të punësojë askush në Shqipëri.

Sepse ata janë të pandalshëm.

Shqipëria praktikisht është feudi i tyre dhe ne jemi ata që lejohemi të marrim frymë në këtë vend.

Arsyeja pse edhe zona gri, gjyqtarët, politikanët e korruptuar dhe bosët e malavitës nuk janë të sigurt është e thjeshtë. Ata mund të fusin dhe të heqin kë të duan në politikë dhe administratë, mund ta shantazhojnë çdo gjyqtar përmes legjislativit e ekzekutivit që është prona e tyre, dhe, kur të kenë konsumuar çdo pronë e para publike, kur të kenë marrë të tëra konçesionet e mundshme e çdo para që mund të shtrydhet nga buxheti i shtetit, do u kthehen kriminelëve për t’u marrë dhe bizneset e tyre.

Po kush janë ATA?

ATA, janë ata që ne i quajmë rëndom “oligarkë”. Për të sqaruar një keqkuptim të shpeshtë termash, “oligarkë” nuk janë “super të pasurit”. Oligarkë janë ata njerëz (nuk e di nëse mundet t’i quaj biznesmenë) ekstremisht të pasur që pasurinë po e vënë përmes parave të buxhetit të shtetit e pronave publike, përmes dhunimit të rregullave të ekonomisë së tregut e kapjes agresive të monopoleve; ata që në çdo biznes të “sukseshëm” të tyre përdorin mekanizmat shtetërorë.

Shembulli më i fundit, Kryeministri vendosi që shteti të shpronësojë me dhunë privatët që kanë toka në bregdet, që pastaj t’ua japë oligarkëve të vet për “zhvillim”. Pra, shteti me përdhunë do u zhvasë tokat privatëve të vegjël, pra NE, që t’ua japë “llokum” privatëve të mëdhenj, ATYRE.

E gjithë kjo, që Samirët, Fushat, Gjikuritë, Dulakët, Gecët, Shefqetët, Vilmat, Sandrët, Salillarët, Vëllezërit Hysa e Klodianët me shokë të mos lodhen më të negociojnë me fshatarët për tokat. Ata u sulin shtetin, sepse shteti është kthyer tashmë në zagarin e tyre, në kuptimin jo vetëm të besnikërisë, por dhe agresivitetit në shërbim të të zotit.

Setri

Ndoshta ju kujtohet ndërkryerja e Ramës në Parlament që provokonte Bashën që të përmendte oligarkët me emra. Rama, për arsye që nuk kam ndër mend t’i analizoj këtu mendon se është “dorë” me ATA. Këtë do ta shohim, kur të mos ketë më pushtet.

Shqetësues është dhe ngurrimi i Kryetarit të Opozitës për t’i përmendur emrat e tyre. Oligarkët, z. Basha janë lehtësisht të identifikueshëm. Samir Mane që së fundmi ka marrë Palasën etj, etj, Bashkim Ulaj i skandalit të Unazës, etj, Kastratët që morën monopolin e taksës mbi rrugën e Kombit, etj, Fushat, që me 250m2 truall do marrin “dhuratë” për ndërtim 5000m2, Dulakët me rrethimin e tyre në mes të Tiranës, etj, Vilma Nushi me miliardat e shëndetësisë etj, Rrokët e rrugës së Arbrit, Ram Gecët, Klodët e spitalit amerikan, e ndonjë tjetër, gjithsesi të identifikueshëm lehtë dhe përherë të njëjtët.

E ndërsa opozita ka bërë “një platformë kundër oligarkisë”, emrat e oligarkëve i mungojnë fjalorit të Bashës. Jo vetëm kaq, por lufta ndaj oligarkisë duket sikur nuk e është strategjia e betejës së opozitës. Pa anashkaluar problemin e zgjedhjeve të blera e të manipuluara, të makinave me xhama të zinj e të njerëzve që sekuestrojnë kartat e identitetit të votuesve, unë besoj që këtë qeveri e mban në pushtet paraja e oligarkëve, më shumë sesa falangat e krimit.

Eleminimi i parave të drogës dhe skuadroneve me kriminelë lokalë në zgjedhje mund të jetë zgjidhje për hallin e PD-së; por hallin e Shqipërisë e zgjidh kufizimi i pushtetit të oligarkëve dhe rimarrja mbrapsht e asaj që është e JONA. Dhe gjëja e parë që duhet të rimarrim përmes votimeve duhet të jetë SHQIPËRIA.

Përndryshe perceptimi do jetë që Basha do të zgjidhë hallin e pushtetit, por jo hallin e Shqipërisë.

Thuajini emrat e tyre me zë në mitingun e rradhës z. Basha, bashkë me strategjinë që do ndini për t’ia rikthyer Shqipërinë atyre 2.6 milionëve që nuk kanë ikur akoma, dhe e keni fituar një votë.

Por, dyshoj se Z. Basha ka frikë se do mbetet vetëm me atë votë.

Prapë NE

Paradoksi është që pushteti ekonomik i KËTYRE njerëzve mbahet në këmbë nga NE. Dmth, nga JU, që akoma bëni luftëra e hani inate me të majtë e me të djathtë, me socialistë e demokratë, që e kaloni kohën duke sharë Monën e duke adhuruar Ramën, ndërkohë që jeni në buzë të greminës, jetoni në skamje e mezi paguani dritat, që ju japin ilaçe të skaduara e mezi rrisni kalamajtë, që ju grabisin “me shtet” pronën e ju nxjerrin nga shtëpitë, që merrni torbat për Gjermani e keni nxjerrë tabelat “shitet” në xhamat e dyqaneve; ju nuk ju ka mbetur më asnjë Atdhe.

Ju jeni ai njeriu, që, mund të mos e lërë kurrë të punojë në Shqipëri vetëm pse vendosi të sfidojë në gjyq pushtetin arrogant të një oligarku, por prapë do shkoni të votoni Ramën siç e votuat masivisht në palaçollëkun e fushatës së 2017-s.

Ndjesë atyre, që sikurse dhe unë, në ato votime u përpoqën të votonin diçka ndryshe, por pa sukses.

Ju jeni burimi i pushteti i vërtetë i oligarkëve. Ju jeni mburoja e tyre. Ju që ju hedhin në luftëra politike kundër njëri-tjetrit, me flamuj partiakë e me këngë për liderët në gojë, ju që bërtisni “Rama ik”, po nuk e dini pse, ju që konsideroni armikun më të madh në këtë vend opozitën dhe ju që do konsumoni energjitë tuaja për të komentuar me lloj-lloj turpesh, vetëm për të mos guxuar për të parë në sy të vërtetën.

Me ritmet sesi Rama po ndan çdo copë të mbetur Shqipërie me ata 10-15 njerëz, koha për të reaguar është e pakët. Shumë shpejt do jemi në pikën e mos-kthimit, në pikën që pushteti i tyre mbi çdo Qeveri, pushtet e Parti politike do jetë përfundimtar dhe i paçmontueshëm.

Nëse kjo ndodh… Auf Viederzehen.