Thursday, December 10, 2020

3 fytyrat dhe 3 kohët e vrasjes

Botuar sot, më 10 dhjetor 2020 në Politiko.al, gazetadita.al dhe "Dita" print.

Ngjarja e ndodhur nuk është një moment i vetëm, as një çast shpërqendrimi i një polici të Shqiponjave. Fataliteti i 25 vjeçarit ka momentet e vrasjes, paravrasjes dhe pasvrasjes. Ky event shtrihet në 3 kohë dhe ka 3 fytyra.


Fytyra e parë, polici

Fytyrën e policit kam patur fatin ta shoh personalisht gjatë të dielës së gjatë të 17 majit 2020. Kam parë mes policëve që mbronin territorin e vrasjes së Teatrit edhe fytyra njerëzore. Më kujtohet njëri prej tyre, një polic i zakonshëm, paksa në moshë, që m’u lut të largohesha nga zona e rrezikut, gati i përlotur. Fytyra e tij që më lutej, më kujtoi tim atë, dhe u largova. Pak minuta më vonë, në atë zonë shpërthyen ata të tjerët, ujqit (jo shqiponjat), policë e civilë, me maska dhe pa numra, që tërhoqën zvarrë, rrahën e sakatuan kë gjetën para, me sharje e fyerje, me një urrejtje të pashpjegueshme për atë tufë qytetarësh e artistësh që ndërkohë u kishte vdekur diçka, një Teatër. Këta të fundit, ishin të pajisur jo vetëm me armë por dhe me urrejtje për popullin protestues. Këta ishin më të shumtët.

Në atë moment mësova që pa e kuptuar ne, arma e policisë ishte kthyer në një vegël dhune e urrejtjeje, e maskuar dhe pa numra identifikimi. A nuk i perceptoni edhe ju, sot e kësaj dite, pavarësisht nëse janë policë trafiku, bashkie, specialë, badigardë apo dhe roje objektesh, si zhvatës, si qenie të urryera, si armiq e pushtues? 

Pa dashjen e tyre, por me pjesëmarrjen e tyre, policët e kanë pranuar rolin e tyre të ri. Një pjesë, janë tashmë komfort me këtë rol. 


Fytyra e dytë, shefi

Institucionet kanë fytyrën e liderit. Shteti shqiptar ka fytyrën e Ramës. Policia e shtetit, ka fytyrën e Lleshajt. Lleshaj nuk ka dhënë urdhër për të vrarë 25 vjeçarin. Por, Lleshaj u ka dhënë frymën që qytetari është armiku. I njëjti, që besoj i ka frymëzuar më 17 maj  “bjeruni qenve” dhe “qentë” ishin artistët protestues. Këtë frymë, këtë liri për të shembur në dru e për të masakruar, e kam ndjerë personalisht bashkë me shumë të tjerë në sheshin e Teatrit. Lleshaj, e ka gabim kur thotë që është fytyra e çdo polici. Ndryshe, ai do ishte fytyra e atij policit të moshuar që më kujtonte tim atë. Jo, për fat të keq, policët kanë fytyrën e Lleshajt. 

Dhe nuk mund të bëhet kurrë drejtësi, as për Teatrin, as për Klodianin, as për shumë krime të tjera të policisë, pa treguar me gisht fytyrën e vërtetë. Atë të shefit direkt.


Fytyra e tretë, partia

Lleshaj mund të mos ishte ministër. Ai aty nuk është vetëm sepse donte Edi Rama. Ai është aty, sepse partia miraton në heshtje çdo gjë që bën Rama. Partia, është përgjegjësi për ministrin, dhe për Kryeministrin e vet. Jo pse kanë dalë nga rradhët e saj, por se qeverisin me miratimin e saj, të heshtur a të zëshëm, në emrin e saj dhe siglën e saj. 

Partia, është fajtore me heshtjen e vet. Ëshët fajtore sepse nuk ka takat, as dije, as dëshirë të kryejë qoftë dhe një proces të thjeshtë vetërregullimi - të shohë çfarë nuk shkon me njerëzit e vet, që qeverisin në emër të saj.

Partia është përgjegjëse nëse e sheh veten sot të piratuar nga një person i vetëm apo një grusht njerëzish. Partia duhet të mbajë përgjegjësi nëse Shqipëria vritet, nga shefi i saj dhe polici i saj.

Por, partia hesht. Partia, në të vërtetë është dakord. Madje, Partia përpunon argumente për të filluar revanshin në publik, “ai ishte me preedentë”, “kishte armë”, “nuk duhet prishur prona publike”, “ishte çun i keq”. Shqipëria ka plot çuna të këqij. Ca në rrugë, shumë nëpër zyra. Ca me Range Rovera, e ca barktharë. Asnjë prej tyre nuk duhet të vdesë në mënyrë të paligjshme. 

Sa për prishjen e pronës publike, boll na bëtë për të qeshur. Ajo nuk ekziston. Falë çunave të Partisë, krejt Shqipëria është tashmë pronë e një grupi të ngushtë njerëzish. Deri dhe te trotuaret e sheshet.


Kohët 

Kjo që po shohim sot, është një vrasje që ka nisur me kohë dhe që nuk mbyllet këtu. Pyetja është, si do jetë “pasvrasja”? Një avokat, më tha me 17 maj: ne nuk duhet të ndjehemi viktima, as të sillemi si viktima, e as të qahemi si viktima. Loja e viktimës vetëm e argëton policin, shefin, partinë.

Ndaj të keqes duhet rezistencë. Rezistenca bëhet në bulevard. Dhe, përballë pistoletës së policit, shefit e partisë, ne kemi të drejtë të luftojmë me pllaka, me kosha plehrash e me pemët e Krishtlindjes.

Aq më tepër, kur një 25 vjeçar nuk do e gëzojë këtë Vit të Ri.

Tuesday, May 19, 2020

MIRMËNGJES, TALEBAN


Botuar të Hënën, 18 shkurt te Politiko.al dhe Panorama.com.al

MIRËMËNGJES, TALEBAN

Dje ishte dita e parë e diktaturës. Dje, ishte një ditë e bukur me diell. Për ata që mund të mos e mbajnë mend, në diktaturën e para ’90-s kishte gjithashtu ditë të bukura me diell. Kishte dhe pikniqe, dhe njerëz që shëtisnin të qeshur me kalamajtë.
Dje, mund të ketë qenë për disa një ditë e zakonshme, me postime gazmore në FB, me meme, shakara, e ndoshta dhe për të kthyer një gotë verë.
Por dje ishte dhe dita e parë e diktaturës. Ata që e menduan dhe e besojnë se ishte ditë e zakonshme, nuk e dinë ose nuk dëshirojnë ta dinë që diktaturat nuk vinë brenda një dite të vetme. Diktatuat instalohen nga pak ditë pas dite, madje edhe Hitleri erdhi në pushtet me votë. Por pak nga pak, ditë pas dite, ai që erdhi në pushtet me votë fillon e mendon që pushteti është e drejtë e përjetshme, herën e dytë i fabrikon votat, bëhet i pasur bashkë me klanin e vet sepse votat duhen dhe blerë, pastaj bën ligje për t’u mbyllur gojën mediave kritike, pastaj mbyll ca media, ndërkohë që fuqizon makinerinë e propagandës për të krijuar iluzionin e lirisë e të demokracisë, pastaj shtie në dorë, intimidon ose paralizon gjyqësorin, pastaj fillon e bën ligje anti-kushtetuese që grabisin pronën ose kufizojnë liritë bazë të njeriut, derisa shkel dhe ligjet që ka bërë vetë sepse, siç thoshte Mbreti Diell, “ligji jam unë”. Dhe në fund fare, nëse pas tërë këtyre ka akoma qytetarë që guxojnë të kërkojnë shtet ligjor, tregon grushtin dhe tregon forcën e vet në mënyrë të shproporcionuar për të mbjellë frikë.
Dje, pavarësisht se shumë njerëz mund të mos e kenë kuptuar akoma, ishte dita e parë e diktaturës.
Ajo që ndodhi nuk ka lidhje me Teatrin si ndërtesë, por me faktin që në këtë shtet ligji nuk mbron dot asgjë e askënd, që “ligji” është vullneti i më të fortit dhe më i forti sulmoi 20 artistë e profesorë me FNSH e me RENEA, me automatikë e gaz lotësjellës.
Dje ishte 21 janari i Edi Ramës. Vetëm se në vend të 4 njerëzve, vrau ndërtesa. Pas 2 Teatrove e ka rradhën Teatri i Kukullave, Galeria e Arteve dhe Muzeu.

Mbreti Diell dhe satelitët
Diktaturat nuk bëhen dot nga një njeri i vetëm. Diktaturat kanë dhe një kope me oborrtarë, gazetarë, artistë, analistë e specialistë që i japin jo vetëm “një dorë” por edhe një fytyrë justifikimit të asaj që po ndodh në emër “të progresit”. Edhe Gëbelsi ishte amator i madh i filmit, vazhdimisht i shoqëruar me yjet e kinemasë së Rajhut, një pjesë shumë të talentuar. Gëbelsi ishte dhe mjeshtër për t’i përdorur ato yje për propagandën e vet naziste, një mjeshtëri që ua trashëgoi brezave.
Çdo diktaturë, ka nevojë për fytyra, këmbë e krahë për të përmirësuar imazhin e vet dhe për të çuar përpara propagandën e vet.
Të shembësh Teatrin, sipas fjalëve të z.Rama në vitin 2010 kur ishte në opozitë është talebanizëm, sepse, e citoj, “nuk e pranoj dot talebanizmin në raport me objektet, sepse i çfarëdo kohe qoftë dhe me çfarëdo arsye u motivoftë është talebanizëm”. Besoj, ka dashur të bëjë paralelizëm me shembjen 2 statuajve të Budës nga Talibanët para nja 20 e kusur vitesh, njësoj si 2 Teatrot që u shembën sot. Edhe talebanët kanë pasur argumentet e veta për shembjen, shoqëruar dhe nga kori i mbështetësve.

Që të shembje Teatrin duhej të kishe ca barbarizëm brenda vetes, apo duke cituar z. Rama, dhe shumë talebanizëm.
Me shumë të drejtë, z. Rama kërkoi që këtë barbarizëm ta ndante bashkë me ca të tjerë. Në këtë rast, çdo diktaturë e ka dhe një kryeqehaja.
Duke e kuptuar shumë drejt situatën edhe Kryetari i Bashkisë, z. Veliaj, vendosi që talebanizmin ta ndante me ca të tjerë.

Specialistët e Shqipërisë
Të parët në rradhën për të ngrënë goditjet u nxorën specialistët e Institutit të Ndërtimit, një institut i varur nga Qeveria. Ata që në 2018-n dhanë një akt-ekspertizë që është hartuar në rrethana të dyshimta e pa oponencë teknike. Sikur të mos mjaftonte kjo, pa ardhur fare në Teatër, në 2020-n firmoset një akt-ekspertizë e re nga po një grup specialistësh nga ky Institut. Bashkia ua kërkon ekspertizën në datën 11 maj, ata e dorëzojnë në datën 13 maj, që Bashkia të marrë vendim për ta shembur në datën 14 maj. Janë 5 firma, ku 3 prej atyre që firmosin nuk kanë shkelur fare në Teatër. Këta specialistë kanë arritur në përfundim prishjeje duke u mbështetur në një akt ekspertize të paplotë teknike dhe pa respektuar proçedurat ligjore për të marrë këtë vendim.
Në rrethana të tjera, ndoshta në një shtet tjetër (e thënë ndryshe në një shtet-shtet e jo shtet Facebook-u) ata mund të ishin profesionistë që bëjnë punën e tyre me seriozitet dhe respektohen për integritetin e tyre. Por jo në Shqipëri. Në Shqipëri, ata janë të detyruar t’i vënë firmën personale një akti të dyshimtë me pasoja edhe ligjore.
5 firma për të rrafshuar një ndërtesë të çertifikuar si Trashëgimi Kulturore Europiane. Këta të 5-të, janë: Agron Hysenlliu, Afrim Cenga, Artur Hasantare, Olsi Nunaj,  Elbarina Kola.
Ata nuk janë të vetmit. Shqipëria është plot me specialistë që për t’i bërë hyzmetin vendit të punës shpesh detyrohen edhe të firmosin akte që janë kundër ndërgjegjes apo profesionalizmit të tyre. Grabitja e shkatërrimi i vendit është bërë nga babëzia e atyre qeverisin, po shkresat janë firmosur nga “specialistët”.
Shqipëria tjetër nuk mund të ndërtohet nëse ligji nuk nis të ndëshkojë së pari mashat e pushtetit, të cilët shkatërrojnë me firmën e “specialistit”.

Kukullat e Bashkisë
Teatri i Kukullave është në radhë për të t’u bërë kurban. Më pas Galeria e Arteve e më pas Muzeu.
Ata që janë në majë të pushtetit, e dinë se çfarë po bëjnë. Për të shmangur mundësitë e një burgu nesër, gjithmonë gjejnë bedelë që të vënë firmën pa u menduar dy herë poshtë akteve anti-ligjore e vendimeve të dyshimta. Edhe pse promotori i krimit, z. Rama nuk ka asnjë firmë në asnjë dokument që ta inkriminojë nesër, dhe kur ka qenë i detyruar ka vendosur zëvendësministren të firmosë për të.
Ky proces, është senidizimi i shtetit. Shkohet me idenë që nuk na gjen gjë, po në rast se do vihet ndonjëherë shtet ligjor, le ta hanë “senidat”.
Shembja e TK, si një akt ilegjitim u është lënë në derë 60 kukullave të dala nga palo-zgjedhjet vendore, në krye të të cilëve njëfarë Toni Gogu, me sa duket Kryetar i Këshillit të Kukullave.
Një nga problemet pak të diskutuar mbi zgjedhjet vendore është që krejt debati zhvendoset te Kryetari i Bashkisë, ndërkohë që Këshilli Bashkiak është një forcë e jashtëzakonshme vendim-marrëse. Qytetarët shqiptarë nisen me idenë që po votojnë një person, Kryetarin, por nuk janë të informuar që ai vjen me një listë kukullash që quhen këshilltarë bashkiakë. Këto kukulla, dhe në zgjedhje normale shumë-partiake janë anonimë që nuk përfaqësojnë askënd, imagjino sa “përfaqësues” janë kur kanë dalë nga zgjedhjet mono-partiake ku mezi votuan 15% e popullsisë, shumica punëtorë administrate të detyruar për të treguar gishtin me bojë.
60 kukullat anonime kanë vënë emrin mbi një akt të paligjshëm që shkatërroi brenda natës një Trashëgimi Kulturore Europiane, të çertifikuar nga Europa Nostra.
Ndoshta shkojnë me idenë që duke qenë turmë anonimësh nuk do merret njeri kurrë me ta. Ndoshta burgu u duket probabilitet i ulët. Kostoja e tyre për të hyrë në politikë është kjo: të jenë talebanët këmbësorë të një kauze kriminale.

Lista e artistëve
Për të shpërndarë dhe më tej talebanizmin mbi Teatrin, Bashkia nxori listën e radhës.
Në të gjithë botën, artisti është në princip kundër sistemit, kundër qeverisë. Sepse arti, është përherë revoltë. Në të gjithë botën, arti ngrihet duke respektuar atë që ka qenë, traditën dhe kujtesën. Artisti, në thelb është qenie anti-rruspë.
Por jo artistët jo të lirë të diktaturave.
Në të njëjtën kohë kur talebanët hidhnin në erë 2 statujat e Budës, Kryetari i Bashkisë i 2002-shit donte ta shembte Teatrin e ta bënte pallat. Z. Rama i asaj kohe u tha aktorëve që propozuan që ndërtesa të bëhej muze: “Ç’e doni, të varni brekët e Violeta Manushit? Brekët e kuqe të Violeta Manushit nuk janë brekët e Greta Garbos.” Ajo fjali përmblidhte tërë përbuzjen, cinizmin e përdhosjen e artistëve që mbartëte brenda vetes Kryetari biznesmen i asaj kohe. U desh guximi i të madhit Luftar Paja që t’ia kthente mbrapsht: “Brekët e Violeta Manushit, janë brekë të arta”.
Ai Kryetar është akoma në pushtet, por njerëz me kurajë si Luftar Paja kanë mbetur pak.
Teatri u shemb edhe në emër të shumë artistëve. Bashkia u përpoq të bënte një listë sa më të gjatë. Ndoshta, dikush nga ata mund dhe të jetë penduar. Edhe pse, psikologët thonë që njeriu kur sheh që ka bërë një zgjedhje të gabuar do të vazhdojë ta mbrojë me ngulm zgjedhjen e vet. Por dhe nëse do duan ta harrojnë, nuk do munden. Mbreti Diell do e risjellë vazhdimisht atë listë në qarkullim, sa herë të ketë nevojë të justifikohet që ai nuk është talebani i vetëm, dhe se ky vend ka aq shumë talebanë sa ne të tjerët bëjmë mirë të mbyllim gojën.
Por, unë mund t’ju garantoj që shumë më tepër artistë, gazetarë e specialistë kanë qarë në dhimbje dje duke parë lajmet sesa mund të gjeni në listat e talebanëve.

Friday, May 8, 2020


Maks Velo: parizieni i fundit i këtij vendi që i ngjan gjithnjë e më shumë Azerbajxhanit!

 botuar sot, te Dita dhe Politiko.al

Prej kohësh nuk jam trishtuar sa sot, nga vdekja e Maks Velos.
E kam njohur Maksin relativisht vonë, dhe kam ndenjur me të relativisht pak. Mjaftueshëm, sa për të kuptuar që, në një vend delesh e derrash, ishim me fat që e kishim.

Më preku ikja e Maksit, ndoshta sepse Maksi mori me vete shumë gjëra që janë të një Shqipërie që po vdes.

Në këtë vend të tharë nga brenda, Maksi ishte një njeri me shumë pasion. Kishte pasion për punën në një vend ku dhe këta që na vjedhin, na vjedhin tashmë pa ndjerë pikë emocioni, sikur i ka zënë halli me ne. Maksi fliste me pasion të pagjindshëm për të bukurën, mes këtyre njerëzve të arsimuar keq dhe parvënyve në pushtet që flasin vetëm për të bërë para e kurrë për të bërë një gjë të bukur. 
Maksi, kishte deri në ditën e fundit pasion për dashurinë, në një kohë kur dashuria përfaqësohet vetëm me prostituta instagrami e me kurvarë të veshur me pushtet. 
Maksi nuk pushoi së mbrojturi traditën, urbanistikën dhe estetikën e Tiranës, një Tiranë që po shkëlyhet nga një grusht njerëzish, një urbanistikë që po copëtohet nga një grup të pafytyrësh, një Tiranë që po e mbysin edhe ata që tani po bëjnë statuse keqardhjeje për Maksin.

Në këtë vend të qeverisur nga një ish-artist që i urren artistët, ku mediokriteti ka ngritur kulla floriri, Maksi mbeti deri në fund një artist i madh. Nuk po flas për pikturën apo arkitekturën, ku besoj se ka lënë gjurmë, po flas për letërsinë. Maks Velo, hyn për mua tek 5 shkrimtarët më të mirë të Shqipërisë pas-komuniste, një Shqipëri tashmë kaq e keq-arsimuar dhe e paedukuar e ku analfabetizmi është shtruar këmbëkryq. Letërsia e burgut e Maksit ka një finesë të jashtëzakonshme. Ka më shumë botë që hapen në galeritë e burgjet e shkruara prej Maksit sesa në qindra vepra të këtyre 30 viteve të fundit.

Në Shqipërinë ku injoranca kthehet në vilë e veshur me frak*, Maksi ishte nga të paktët aristokratë të vërtetë. Një aristokraci që nuk i vinte nga pronat e rimarra apo nga milionat e bëra në kohën e trafiqeve. Aristokracia e Maksit vinte nga ajri që kishte thithur, nga librat që kish lexuar, nga njerëzit e mëdhenj që kish takuar në burgjet e Enverit, nga muzetë ku kishte hyrë, nga vlerat e familjes së vet. Maksi ishte korçar i lindur në Paris. Maksi, ishte ndoshta parizieni i fundit i këtij qyteti. Sepse, parizien nuk të bëjnë kravatat, luksi apo vitet që mund të kesh kaluar në Paris. Enveri kish jetuar në Francë. Por Shqipëria e tij ishte Shqipëri siberiane, jo pariziene. Sikurse Shqipëria e Edi Ramës është anadollake. Ky vend prej kohësh nuk ka më copëra Parisi, madje, përherë e më shumë i ngjan Azerbajxhanit. Edhe më shumpë tani, me ikjen e Maksit.

I dënuar me 10 vjet burg VETËM sepse pikturonte si “modernist” dhe se fliste për Pikason; me ekspertizën që ia bënë gati drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve me në krye Kujtim Buzën; me veprat që ia morën me kamion dhe ia dogjën në kaldajën e gjykatës; tradhëtuar e spiunuar te Sigurimi nga shokët e ngushtë, nga e vjehrra dhe e shoqja; jeta e Maksit është analiza më e mirë e kohës së Enverit.

Në një vend ku shumica preferojnë të mbajnë gojën mbyllur, ku shumë nga ata që janë në pozitë që duhet të flasin kanë zgjedhur të heshtin e t’i shërbejnë të dorëzuar pushtetit të një njeriu të vetëm, Maksi, mbeti deri në fund një shpirt i lirë.

Jam shumë i pikëlluar për ikjen e Maksit. Unë mendoj që ai dha shumë për këtë vend pa marrë kurrë mbrapsht asgjë.
Unë besoj se Shqipëria është kjo që është, për shkak të disa njerëzve të mëdhenj që kanë marrë frymë në të. Për mua, Maks Velo ishte një prej tyre.
Dua të marr pak nga Noli, pa patur frikë që mund ta ekzagjeroj.
Nëno moj, mbaj zi për vëllanë...**

___
* Varg nga "Fuoco" - Celentano (Il Re Degli Ignoranti) (1991) (Prodh: Clan)
** Varg nga "Syrgjyn vdekur (elegji për Luigj Gurakuqin)" - Fan S. Noli (VEPRA 1) (1987) (Bot: Akademia e Shkencave e RPSSh)

Tuesday, April 7, 2020

Ditari i karantinës / dita 27 e kiametit

Shqiptari i Kombinatit: 

a e meriton mbreti i mirë një popull të keq?

 botuar në DITA dhe Politiko.al

Ka një indinjatë të përligjur (nga frika për veten, kuptohet) të njerëzve që rrinë mbyllur nëpër shtëpi kur shohin fotot e tregut të Kombinatit. Fjalia e parë që dëgjoj është: ne “nuk bëhemi njerëz”, çka nënkupton që nuk do mund të civilizohemi dot kurrë.
Po u përgjigje që ata janë të varfër dhe nuk është faji i tyre që sfidojnë karantinën, fjalia pasuese është “pse, edhe për këtë e ka fajin Rama?” çka nënkupton që Kryeministrit po i veshin dhe përgjegjësi absurde, si mosqytetaria e popullit që qeveris prej 17 vitesh në rang lokal e kombëtar plus nja 3-4 vjet qeverisje kulturore.
Do doja t’ju argumentoja pse është thelbësisht faji i z. Rama që njerëzit sfidojnë distancimin në Kombinat.
Mund të ngjajë sikur kritikët e z. Rama, përfshirë dhe unë, e kemi kthyer në tabelë qitjeje në këto kohë kur lideri po “lufton” të na shpëtojë të tërëve.
Nuk dua të flas për të tjerët, por unë kam 2 motive për t’u marrë personalisht me z. Rama.

Generalissimo R.
E para, kam vënë re një problem të madh në mënyrën si funksionon z. Rama në raport me pushtetin, dhe e kuptova vetëm falë COVID-it.
Z. Rama, beson që “ushtria” (lexo, mjeti i forcës) është një mjet për të trembur popullatën kur nuk bindet.
Në perëndim, ushtria është një mjet ndihme i popullatës që futet vetëm në misione humanitare aty ku shteti nuk ka resurse e ku fatkeqësia godet fort e papritur. Ushtarët, kthehen në infermierë, zjarrfikës, shoferë, kujdestarë e deridhe dado, për të ndihmuar popullin.
Në vendet ku pushteti merret e mbahet me dhunë, mashtrim, vjedhje e blerje votash, puçe e grushte shteti, ushtria në fakt shërben për të mbajtur popullin nën trysni frike. Z. Rama anoi nga këta të dytët.
E bëri në mënyrë instinktive ose jo kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që kuptuam mentalitetin që ka ai për shtetin. Shqipëria nuk ka nevojë për një Ramiz të dytë (meqë, ironikisht, ai nuk e ka as karizmën e Enverit që të mund ta përqasnim).

Sistemi, si fabrikë prodhimi anti-qytetarie
Problemi tjetër, që unë e konsideroj problem madhor të Shqipërisë faktin që z. Rama e ka personalizuar pushtetin në një masë të tillë, saqë po i afrohet asaj të Ramiz Alisë së viteve ‘86-‘90. Në të tilla raste, jo vetëm pushteti personifikohet tek një njeri, por dhe institucionet shndërrohen de facto në zgjatesa të egos së një personi; pasojat që lë ky akt mbi shoqërinë janë të lidhura derjtpërdrejt me vullnetin e një individi; dhe përgjegjësitë shkojnë përsëri tek ky njësh.
Më i ndershmi nga e tërë kjo racë uzurpatorësh mbetet Hitleri, që mori përsipër personalisht gjithçka që kish ndodhur në Gjermaninë naziste. Ky i yni, Enveri, djallëzisht induktoi në popull idenë që “Enveri nuk di gjë”. Në fakt, Enveri nuk kishte pse dinte me doemos çdo gjë, sepse kish ngritur një sistem sipas imazhit të tij. Levat, punonin për të. Edhe pse, ka shumë indicie që Enveri dinte pothuajse çdo gjë!
Para se të vinte në pushtet si Kryeministër dhe të ikte nga pushteti dhjetëvjeçar si Kryetar Bashkie (ku u fut për të shpëtuar nga pushteti si Kryeinxhinier i Kulturës) z. Rama tha që faji “është i sistemit”. Sikurse historia jonë na mëson, sistemin e bëjnë njerëzit. Ndaj, sistemi i ri drejtësisë, pra reforma, është deformuar kaq keq pas ndërhyrjes së “inxhinierëve” shqiptarë të politikës, ku z. Rama është ai me ndikim më të madh, gati absolut.
Kjo përvojë, sikurse eksperimenti i Zogut me oborr, ai i Enverit me shokë apo ia i Berishës me klan, tregoi edhe një herë që sistemet më të mira në letër mund të shkatërrohen nga aplikimi përmes njerëzve të papërgjegjëshëm.
Aq më tepër që Shqipëria, për shkaqe jo vetëm historike por dhe strukture të trashëguar ekonomike e politike, ka një traditë vertikale të shoqërisë.

Z.Rama, dhe pasqyra e borëbardhës
Kur z. Rama del para kamerave ai imagjinon popullin që po e dëgjon. Kamerat e Klanit, Vizionit e TCH, janë sot pasqyra e Borëbardhës e Kryeministrit. Ai dëshiron të dëgjojë atë që do nga pasqyra.
Në një farë mase, është e vërtetë që masa e popullit që ai imagjinon që po e ndjek, i ngjan atij. Sepse, në Shqipëri, ka kohë që liderët e formatojnë masën e popullit (ata që unë me dhimbje e trishtim, e disa me zemërim, i quajmë “dele”) sipas modelit të tyre.
Sot, shqiptarët janë bërë më arrogantë, sepse ky është modeli që ofron Kryeministri. Shihni mënyrën si komunikon me publikun, në rrugë, apo dhe në FB.
Sot, shqiptarët janë bërë më të dhunshëm, sepse e tillë është jo vetëm gjuha politike e Kryeministrit, por dhe mentaliteti i tij, dhe njerëzit që ai mban afër – një pjesë të kërkuar në Europë për përdhunime, vrasje e trafiqe. Shikoni dhunën me të cilën kalon ligje anti-kushtetuese, thjesht sepse “mundet”.
Sot, shqiptarët nuk e duan njeri-tjetrin, sepe kanë një Kryeministër që nuk do askënd vetëm vetes së tij dhe atyre 10 oligarkëve që ka rrotull. Shikoni tërë ligjet që ka bërë, që nga ai i faljes së taksës mbi dividentin, që i hoqi Shqipërisë miliona Euro për t’ua dhënë 10-15 oligarkëve e deri tek ai i marrjes së pronave në bregdet me dhunë, për tua dhënë “për zhvillim” po ati grushti njerëzish.
Të ecësh përpara pa meritë, por vetëm duke shërbyer është standarti që z. Rama ka vënë në Partinë e vet, në qeverinë e vet, në administratën e vet, në Parlamentin e vet. Them Parlamentin e “vet”, sepse është i veti. Sepse, kur i duhen votat ai vë në rresht edhe “opozitën e re” për të votuar atë që do ai.
Injoranca e mesatares së shqiptarëve është produkt i drejtpërdrejtë i cilësisë së programeve televizive, ku z. Rama është vazhdimisht protagonist, vetë ose përmes oborrtarëve të vet.
Interesi kulturor i masës së popullit është produkt i politikave kulturore të ish Ministrit të Kulturës, Kryeministri aktual dhe atyre para tij, politika që e thanë artin aq shumë sa i vetmi gjëmbaç që mbin në artin tonë është tallavaja në të gjitha fushat dhe telenovelat turke.
Me fjalë të thjeshta, shqiptari i kombinatit është imazhi më i saktë psikologjik i z. Rama, por pa vilë në Surrel e pa kravata trendi.

Shqiptari i karantinës
Ndaj, pse prisni që Shqiptari i Kombinatit të respektojë rregullat, në një shtet që luhet pa rregulla?
Pse kërkoni që Shqiptari i Kombiantit të vërë interesin e të tjerëve mbi atë të vetin, kur askush në majën e pushtetit nuk e bën këtë?
Pse prisni qytetari nga ai që tërë ditën ushqehet me imazhin e arrogancës?
Pse, ankoheni kur një qytetar i thjeshtë përdor aksiomën “e bëj, sepse mundem” kur kemi vite që bombardohemi me dhunën e Kryeministrave që e bëjnë diçka, sepse munden?
Pse befas, kërkoni nga një shqiptar i periferisë të sillet si Europian, kur vëllai politik i Kryeministrit shqiptar është një diktator lindor?
Shqiptari i Kombinatit është pasqyra psikologjike më e saktë e z. Rama, por jo vetëm aq.

Shteti i pak vetëve
Shqiptari i Kombinatit, gjithashtu nuk ka marrëdhënie me shtetin shqiptar.
Kur ka hall mjekësor, i duhet të bëjë derman vetë. Kush ka pasur të bëjë me sistemin shëndetësor, e di shumë mirë që shteti i z. Rama nuk të lë rrugë tjetër veç të plasesh te privati, ose, për të varfërit – të plasesh nën shtet duke paguar nën dorë.
Njëjtë dhe me sistemin arsimor. Njëjtë me drejtësinë. Njëjtë me rendin. Njëjtë me ushqimin. Njëjtë me varfërinë.
Padrejtësitë e thella ekonomike e sociale, në këtë vend zgjidhen vetëm me para nën dorë, ose me njohje personale. Ndryshe vdes, ikën në Gjermani ose i bashkohesh krimit. Shteti shqiptar u përket vetëm atyre që kanë para.
Mund të vazhdoja gjatë, po ju këto i dini. Thjesht, ju rikujtova, për të treguar që shqiptari i Kombinatit është i tëhuajëzuar nga shteti i vet. Shteti shqiptar është në shumicën e rasteve diçka e huaj për qytetarin e thjeshtë të këtij vendi dhe jo rrallë, është armiku i tij.
Këtu kanë kontribuar të tërë Kryeministrat nga pak, por z. Rama, është treguar ekselent në shkatërrimin e një shteti të shumicës në favor të shtetit të pakicës.
E vetmja gjë që ne presim nga shteti shqiptar është të bëjë rrugët. Kaq.
Këtu ka reduktuar shteti. Kaq ka kuptim shteti për ne. Për asgjë tjetër nuk na duhet, madje, në çdo hallkë të vetën na vjedh, grabit, dhunon, favorizon, abuzon në favor të atij që është më i pasur.

Shqiptari i Netflixit
Ndaj, pse prisni që qytetari i Kombinatit ta marrë seriozisht shtetin shqiptar? Pse shpresoni që Shqiptari i Kombinatit t’i japë diçka me dëshirë një shteti që vetëm merr e merr me dhunë? Pse doni nga një njeri i lënë mes katër rrugëve, të mendojë për ju që mbase e keni zënë një qoshe të ngrohtë?
Pse pretendoni që një shtetas që trajtohet non stop si qytetar i botës së tretë në vendin e vet, të sillet si qytetar suedez brenda 2 javësh? Pse kërkoni kulturë nga ata që (janë të detyruar) të hanë vetëm telenovelat e Sandrit, Vjollcës e Dulakëve, ndërsa ju keni hallin e sezonit të ri të Casa De Papel?
I keni parë kutitë e shkrepseve ku ata jetojnë, të zhytur në kredi, borxhe e veresi, pa mundësi për të blerë as portokaj e pa shanse për të jetuar me punë e dinjitet?
Ndaj, Shqiptari i Kombinatit nuk i ka borxh askujt, përkundrazi.
Nëse shtëpia juaj është e ngrohtë, shihni Netflix, shtrydhi limona e bëni fwd non stop meme për gallatë, mbylleni gojën e thoni faleminderit!
Shqiptari i Kombinatit duhej të ishte jo duke bërë pazar, po duke i vënë flakën sistemit.
Thojini faleminderit, jo atyre në Kombinat, por z. Rama, që ka modeluar qytetarë të tillë që vetëm e injorojnë shtetin, por nuk kanë guxim (as proteina mjaftueshëm) për t’i vënë flakën.
Ai ju ka dhuruar dhe juve (që merrni proteina) një shënjestër për t’u ankuar: ata që janë shqiptarë, po në 30 vjet nuk kanë patur kurrë pjesë në Shqipëri. Që dhe ju të rrini të qetë, me bukë e djathë e Netflix, e mos lëvizni shumë nga divani.

Friday, April 3, 2020


Ditari i Rezistencës / Dita 21 e kiametit

Kurorë-mbreti, kurorë-frika dhe kurorë-reklama

botuar më 2 prill 2020 në DITA dhe Politiko.al 

Kurorë-frika
Një nga shqetësimet më të mëdha që po artikulohet sot në botën e lirë është fakti që frika nga kurorë-virusi po ngre nevojën e marrjes së masave të paprecendenta, dhe në këtë rast, liderë populistë po përfitojnë për të përqendruar edhe më shumë pushtete në duart e tyre. Një prej tyre është Viktor Orban, në zemër të Europës që po e përdor situatën për të ndërtuar përfundimisht një mbretëri ku ai është mbreti i padiskutueshëm.
Në Parlament Partia e tij Fidesz ka shumicë absolute dhe merr vendime anti-kushtetuese. Orban mund të qeverisë tashmë vetëm me dekrete që nuk ka kush i konteston; ai mund të fusë në burg gazetarët që AI konsideron se përhapin lajme “të rreme”; informacion “i vërtetë” është vetëm ai që vjen nga Qeveria. Mediat dhe analistët pro tij janë mëse dakort që kjo të ndodhë.
Kjo situatë, është pa afat. Nëse shtete si Britania apo Franca masat që kanë marrë i kanë me afat (2 muaj në Francë) në Hungari ato mund të zgjasin përjetësisht.
Këtu mund të ngremë 3 pyetje: Me çfarë ju ngjasojnë metodat e Orban-it? A po qeveris “byrazeri” në Ankara akoma me ligjin e gjendjes së jashtëzakonëshme pas grushtit të shtetit të para 4 viteve? Dhe, a ka përfunduar “gjendja e emergjencës” e shpallur për tërmetin e Nëntorit nga qeveria në Tiranë?

 Shqipëria mes tërmetit e Covid-it
Mënyra më e mirë për të mbajtur një popull nën zgjedhë është frika. Ne e kemi provuar për 45 vjet, por kjo nuk do të thotë që kemi imunitet.
Frika nga kurorë-virusi është thelbësore dhe unë kam parë me trishtim që ka shumë njerëz, të gatshëm për të “tregëtuar” frikën nga vdekja me heqjen e lirisë. I kuptoj, por, gjëja që frika nuk i le të kuptojnë është që heqja e lirive nuk garanton mbrojtje më të mirë ndaj virusit.
Kjo frikë po pasurohet me “lajme” si ato me “polici spanjolle” që rreh protestuesit, apo me video që qarkullojnë me gjoja tanke në mes të New York-ut, video që nuk kanë asnjë vërtetësi. Ata që e kanë lexuar këto ditë NY Times dhe The Guardian e dinë që edhe kur flitet për “futje të ushtrisë” bëhet fjalë ose për angazhim të spitaleve/mjekëve ushtarakë ose për ndërhyrje humanitare (si në Itali ku ushtria po transporton të vdekurit). Jo për show dhune si diagaçët në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Me fjalë të tjera, këto lloj lajmesh, për tanke në Londër apo në NY, qarkullojnë vetëm në hapësirën virtuale shqiptare.
Frika e kombinuar me PR (që në rastin e fushatave të z.Rama do quheshin shqip: vetëreklamë) mund t’i japë një lideri autokrat edhe më shumë pushtet nga sa aktualisht ka. Pak ditë më parë qeveria shqiptare mori kompetenca që janë shqetësuese: të drejtën për të tu futur në shtëpi pa urdhër gjykate, për të të marrë pronën e për të të ndaluar protestën nëse të heqin paligjshmërisht nga puna (grevat).
Por, arsyeja pse po e risjell “frikën” si argument është një tjetër: Ka një ide që vetëm 5% e popullsisë është e vetëdijshme për batakun ekonomik e politik, për humbjen e lirive civile e të pronës publike, për një shtet që tashmë qeveriset me Ajfon e Uatsap, për një realitet të manipuluar thellësisht nga propaganda dhe me liri shprehjeje të cunguar, por z. Rama mund të qeverisë lirisht përjetësisht falë manipulimit të 95%-shit tjetër.
Ky, është një debat i rëndësishëm.
Kurorë-reklama
Të tërë e mbajmë mend “gjetjen e Ramës” që të shfaqej në protestën e solidarizimit me viktimat e Charlie Hebdo-së në Paris, ku tërhoqi me vete si dekor dhe përfaqësues fetarë. Një nga gjetjet më të mira të tij publicitare.
Por, i njëjti person që protestonte kundër dhunës ndaj medias në Francë ka disa vjet që është një nga armiqtë më të mëdhenj të medias, që e ka tejkaluar në nivel Orbanin, Vuçiçin dhe despotët e tjerë të lindjes pas-sovjetike.
Kam patur rastin që të verifikoj nga afër dhe përimtësisht strategjinë denigruese, shpifëse, gënjeshtare, keqinformuese e manipuluese të tij në rastin e ligjit të medias, të përforcuar nga një fushatë e gjërë PR-i dhe një lumë oborrtarësh. Mosmiratimi i atij ligji  është prapë një nga kushtet për hapjen e negociatave.
Brenda vetë partisë së tij, njoh njerëz që bien dakort që ai për PR (shqip: vetëreklamë) është “më i miri” dhe po të njëjtët njerëz e pranojnë që ai ka një problem “të vogël”: nuk di të bëjë shtet.
Por, PR-i i Ramës në krahasim me “3 lapsat” tani ka shkuar në citime imamësh (që dalin të jenë terroristë), në fjali të tipit “thuajini zotit faleminderit që më keni” dhe deri tek qeshakja si skenografia e veshjes së 30 mjekëve me maska pune që në Rinas.
Ka vërtet një frikë që z. Rama po e karikon frikën dhe masat pasuese për Covid-in (ku nuk ka asnjë meritë personale, për sa kohë janë masa standart të kërkuara nga OBSH) për të ndërtuar në fushatë politike që ngulit idenë se ai është “babai i kombit” dhe pa të, ne jemi të mbaruar.
Përdorimi i skajshëm i termave si “jemi në luftë” tenton të ndërtojë nga ana tjetër imazhin e prijësit trim dhe luftëtar në raport me terrorin që ngjallin po këta terma në publik. Në fakt, ne nuk jemi në luftë, dhe armiku i vërtetë është shkatërrimi i sistemit shëndetësor publik dhe mungesa e personelit dhe mjeteve, në veçanti ventilatorëve.
Kjo fushatë është e orientuar për atë që do të ndodhë pas Covid-it.

Kurorë-mbreti
Në një analizë në DITA, z. Genc Burimi argumenton që intensiteti i propagandës sot po ndërton justifikimin për nesër që të mos kemi gojë t’i kërkojmë llogari për ekonominë e rrënuar kurorë-mbretit dhe kurorë-babait që na mbrojti nga rreziku i kurorë-virusit.
Kur e gjitha të ketë mbaruar, do shihet çfarë ka mbetur nga një ekonomi e shpërdoruar prej vitesh e nga një shtet kartoni.
E vërteta duhet bërtitur fort. Që kur të dalim nga kjo situatë, thellimi i varfërisë dhe tirania të mos shndërrohen në një makth tjetër akoma më të gjatë; që kur Shqipëria të dalë lakuriq ashtu siç është, ekonomikisht e dreqosur – të mos jetë edhe e zhveshur krejt nga liritë e saj politike dhe civile.
Detyra e atij 5%-shi që nuk po e manipulojnë dot është të vazhdojë të flasë, të argumentojë e të mbajë gjallë të vërtetën tjetër, atë që tiranët duan ta zhdukin me propagandë e ta mbysin me frikë.
Kjo përpjekje për lirinë nuk ka përballë vetëm propagandën, oborrtarët e lakejtë e përhershëm të pushteteve dje dhe sot. Ka edhe reagimin e një publiku të terrorizuar, një pjesë e të cilit linçon në emër të frikës këdo që ngre pikëpyetjet për lirinë
Nëse sot z. Rama për propagandë citon Anwar al-Awlaki-n, unë preferoj Nolin: “Se pas vdekjes ndriti jeta, dhe kudo gjëmon trumbeta…”
Asaj trumbete duhet t’i biem që tani, në mënyrë të vazhdueshme e sado pak të jemi.

 

Tuesday, March 24, 2020

Ditari i Rezistencës / Dita 13 e kiametit

Nga kush, sa herë dhe si duhen rrahur ata që dalin nga shtëpia?

botuar në DITA dhe Politiko.al


Sot në whatsapp-in tim mbërriti një mesazh i përcjellë (fwd) nga të tjerë e që thoshte se kjo do të jetë java më e vështirë e situatës së Covid-19 në Shqipëri. Mesazhi ngulmonte që të rrimë brenda me çdo kusht e të mos dal as për të blerë ushqim. Sipas “mjekëve” shumë të trembur priten XXX,xxx të vdekur, etj, etj.
Brenda 10 minutash, mora të njëjtën përmbajtje nga 7-8 burime të tjera. Njëri nga mesazhet përmendte dhe një mjeke, Ypsilon, që paska bërë thirrje që të mos dalim se do ketë shumë të vdekur. Pra, rrini brenda se këtë javë do të bëhet nami.
Nuk mund të mohoj se mesazhi më bëri të ngjethem për një moment. Reagimi i njerëzve që njoh ishte një besim i plotë se kjo është vërtet situata dhe kemi marrë fund.

Whatsappi, ose Sudja 2020
Mesazhi në fjalë është i pa verifikuar. Askush nuk e provon dot që mjekja Ypsilon e ka bërë vërtetë atë telefonatë që ndjell makth. Por, në këto javë, muaj e vite që jemi qeverisur me Facebook, pse mos informohemi me Whatsapp? Dhe, nëse besimi tek institucionet ka rënë aq poshtë, kur nuk ka më informim por propaganda, njerëzit më shumë i zënë besë një mesazhi zinxhir në whatsapp sesa deklaratave të Ministrisë.
Ky mesazh tregon që Shqipëria vazhdon të jetë një Sude-shtet, ku llafi i gojës ka gjasa të jetë më informativ se edicionet e lajmeve qeveritare dhe mund të çojë një popullatë të tërë në panik e në shthurje, si në 1996-n.
Por, ajo që më shqetësoi më shumë është dyshimi që pas këtij mesazhi mund të gjendet edhe qeveria. Fakti që shpërtheu në të njëjtën kohë lë dyshi që është i mirëorganizuar. Në pamundësi për të mbajtur njerëzit brenda, pse të mos krijojnë këtë formë paniku, ku nuk duket gjurma e vet?
Po spekuloj duke thënë që “mund” të jetë. Në rastet e mungesës së transparencës por dhe dyshimit që kjo Qeveri nuk është e aftë, duhet të përdorim deduksionin.

A rrihen në Spanjë njerëzit?
Rasti më i fundit, kur Kryeministri si pa gjë të keq publikon video të rreme që “ia dërgoi një shok”, pa e verifikuar, madje pa e vënë në dyshim, është shumë domethënës. Si mundet që një njeri si z. Rama, që ka jetuar me vite në perëndim ta besojë që në një vend europian mund të goditen njerëzit si kafshë, vetëm se dolën nga shtëpia?
Shpjegimet janë 2: ose Kryeministri ka aq shumë dëshirë të mendojë që ajo është e vërtetë, subkonshi i tij do aq shumë të besojë që ai lajm është real, saqë nuk ndalet për ta verifikuar, dhe stafi i tij është aq i paaftë sa ta ndihmojë; ose, ai e dinte shumë mirë që nuk është e vërtetë, por, i interesonte të na jepte një mesazh për dajakun që na pret duke e justifikuar me standartet europiane.
Unë besoj që është e dyta. Kam pasur mundësi ta kap në rrenë z. Kryeministër me dhjetëra herë gjatë projektligjit të AMA-s,kur jepte argumente të pavërtetë se në Perëndim ka ligje për median si ai që propozoi ai. Meqë ra llafi, jo, z. Rama nuk do dënohej për Fake News-in që përhapi vetë, sepse i kanë marrë masat që ai ligj, nëse do kalojë ndonjëherë, të mos e kapë atë.
Por le të rrimë te dajaku që i pret ata që dalin jashtë.

Secili për vete, përfshi atë “të madhin”
 Unë hyj tek ajo kategori qytetarësh që jam vetë ngujuar dhe në 10 ditët e fundit kam dakë vetëm 2 herë për emergjenca ushqimore. Familjarisht ndjekim protokollet e publikuara në Itali për dezinfektimin para e pas daljes nga shtëpia.
Më ka shqetësuar shumë reagimi i avashtë e shpesh i pakuptimtë i qytetarëve shqiptarë ndaj paralajmërimeve për distancim social – e vetmja mënyrë për të përballuar kurorë-virusin, siç e quan Lela. Arrij t’i kuptoj pse e bëjnë. Reagimi shoqëror është i ngadaltë.
Ndërsa në Tiranë shumica mendon se z. Rama është diktator, që kjo ide të mbërrijë në periferitë e fshatit tonë, mund të duhen dhe 20 vjet të tjera. Ka hallexhinj për të cilët kurorë-virusi është halli më i vogël që u rrezikon ekzistencën.
Nga ana tjetër, ne nuk kemi qytetarë, por kuazi-qytetarë, për shkak të sistemi tonë arsimor (e që goditjen e nderit ia dha po ky Kryeministër); për shkak të shkatërrimit të besimit në institucione (ju kujtoj “bablokun”, mikun e “atij të madhit”); për shkak të shkatërrimit të normave shoqërore – filozofia jonë e re është “secili për vete”, “t’i marr unë të tëra”, “paraja është mbret” dhe le të vdesë ai tjetri (ju kujtoj monopolizimin e çdo gjëje në pak duar, dhe shkatërrimin e klasës së mesme).
Në këto kushte, nuk ka pse habitemi pse këta njerëz nuk janë solidarë e pse nuk shqetësohen që mund të vënë në rrezik të tjerët. Këtë shoqëri kemi ndërtuar, të gjithë bashkë. Problemi është, çfarë duhet të bëjmë me ta.

Bota e Re Garipe
Mesazhi në Whatsapp nga mjekja Ypsilon, besoj i rremë, përhapi panik në të tërë ata që e morën. Në bashkëpunim me videon e Spanjë-Algjerisë, ata të shtyjnë të dalësh në një konkluzion: situata është katastrofë, dhe mirë ua bën qeveria atyre që dalin, druri është pak!
Sa më e madhe frika nga ajo që mund të na ndodhë, aq më shumë jemi të prirur të justifikojmë përdorimin e dhunës ndaj atyre që i perceptojmë si njerëz që po na sëmurin me sjelljen e tyre.
Pak ditë më parë në një editorial në Financial Times e të shpërndarë gjerësisht, Noah Yuval Harari ngrinte mes të tjerash dhe një pyetje shumë të rëndësishme: nevoja për të mbrojtur shëndetin deri ku duhet të justifikojë humbjen e lirisë?
E thënë ndryshe, për të ruajtur shëndetin e të gjithëve, a duhet të pranojmë që një pjesë të dhunohet nga policia? A duhet t’i lihet një qeverie, aq më tepër një që drejtohet nga z. Rama që ka dhënë prova të shumta autoritarizmi, e drejta për të kufizuar lirinë më të thjeshtë në botë, atë të të ecurit në rrugë?
Sigurisht, bëhet në emër të të “mirës së përgjithshme”. Por, a nuk dhunoheshim në kohën e diktaturës po për shkak të të mirës së përgjithshme? Nëse ne biem dakort që të përdoret ushtria për njerëz që na rrezikojnë shëndetin, a duhet të përdorim dhunën nesër dhe për ata njerëz që na rrezikojnë qeverisjen e vendit me votën e tyre idiote?

Do i rrahim, apo jo?
Në kuptimin tim për lirinë, jo. Sot ne vuajmë paaftësinë e Qeverisë dhe Qeverive për të kuptuar problemin në kohë; shkatërrimin e sistemit shëndetësor për të pasuruar privatin; largimin e personelit mjekësor drejt Gjermanisë për shkak që nuk ka të ardhme; etj., etj.
Pra, meqë qeveria e sotme nuk na asiston dot në këtë problem shëndetësor po na thotë (edhe përmes videos algjeriano-spanjolle) që do na dhunojë, fusë në burg e gjobisë.
Diagaçët në qendër të Tiranës dhe mbi ta ushtarakë me mitralozë, ngjajnë jo vetëm qesharakë por dhe shqetësues. Ne nuk mbrojmë dot kufinjtë tanë (rroftë NATO), por, ne mund ta nxirrkemi ushtrinë për të rrahur qytetarët që thjesht dalin nga shtëpia!
A jemi gati t’ia dhurojmë këtë liri të fundit që na ka mbetur, Qeverisë? Unë për vete jo! Ju bëj thirrje të rrini brenda që të mbrohemi së bashku më mirë. Por, ju bëj thirrje të kundërshtojmë së bashku idetë e z. Rama që për të na mbrojtur shëndetin mundet dhe të na dhunojë fizikisht!
Kjo metodë mund të funksionojë në Kinë (dhe në Algjeri, mbase), por askush nuk guxon ta përdorë në Europë! Sepse, siç thuhet diku, lirinë që e toleron të ta marrin një herë e ke të pamundur ta rifitosh më!

Tuesday, March 17, 2020

“NËSE MBLEDHËSIT E KANOÇEVE DO BËNIN JOGA”


Ditari i Rezistencës

“NËSE MBLEDHËSIT E KANOÇEVE DO BËNIN JOGA”

Dita 10 e kiametit

botuar te Politiko.al dhe Gazetadita.al


1.     Burri i kanoçeve
Poshtë, në rrugicën time kalon burri me biçikletë që mbledh kanoçe. Në mëngjes, dëgjohet thirrja e përdyditëshme e burrit rom që mbledh lavatriçe të vjetra. Të dy këta bredhin rrugicave pa mbrojtje, pa doreza e pa maska. Çmimi i tyre mund të jetë 2-3 fishi i asaj që ata nxjerrin në ditë. Pastruesja e pallatit nuk vjen dot, sepse banorët nuk e duan – nga frika. Ajo kërkoi të vinte në fakt, edhe pse në këto kushte ajo do duhej të kishte frikë nga ne. Sepse, ajo duhet të ushqejë fëmijët dhe jeton me pagën e ditës. Ajo ka vetëm borxhe dhe po nuk punoi nuk ha.
Ndaj, këta dalin rrugëve në kërkim të punës e të bukës, pa mbrojtje, e duke neglizhuar çdo frikë nga Covid-i. Ndryshe nga “elitat” që shqetësohen se u mbyll restoranti mondan, dhe që virusi i privoi nga vajtja në Korçë fundjavave, burri që mbledh kanoçe ka dhe një hall më të madh: të mbijetojë, sot.
Ndaj ai nuk pyet as për virus e as për Kryeministër.

2.     Burri që bën joga
Unë nuk besoj që këta duan kasten të sfidojnë urdhërin e Ramës. Them “urdhërin e Ramës” sepse në këtë vend nuk ka qeveri, as institucione. Ka vetëm një njeri që komunikon nga Vila e Vet duke personalizuar çdo gjë. Ai është dhe Kryemjek, dhe Krye-specialist, dhe Krye-zë Radiofonik, dhe Krye-Edukatore, dhe Krye-redaktor, dhe Krye-polic... Sigurisht, personalizimi i çdo mesazhi, është i qëllimtë. Ai kërkon që çdo njeri ta dijë që varet prej TIJ e jo prej shtetit e larg qoftë, Kushtetutës. Por, përtej kësaj, kjo formë komunikimi prodhon mjaft material studimi. Psh, pjesë e logorresë së propagandës ishte dhe një mesazh i para pak ditësh, ku ai i sugjeronte popullit që ngujimi duhet kaluar me joga dhe me agjërim!
Për kë flet ky njeri?
Sigurisht, jo për burrin që shet kanaçe ose që mbledh lavatriçe të vjetra. Por, pyetja ime, shumë, vërtet shumë serioze, është. A e di ai ku jeton?

3.     A i zë Covid-i deshtë nëse bëjnë joga?

Për pastruesen e di që nuk ka as sigurime e as ekziston gjëkundi e regjistruar. Dyshoj se dhe burri rom që mbledh lavatriçet të jetë i siguruar. Ashtu sikurse di me dhjetëra raste – raste që i njoh personalisht – që ose i kanë detyruar të regjistrohen me minimumin e sigurimeve, ose i kanë detyruar të punojnë në të zezë. Por dhe sikur, numri i punëtorëve të ndershëm – e theksoj, se ka rëndësi, TË NDERSHËM – që nuk shtyjnë dot muajin është tepër, tepër i madh. Si mundet që dikush të jetë kaq i pandjeshëm sa t’u këshillojë të bëjnë joga, atyre që javën e fundit të muajit nuk i zë gjumi sesi do ushqejnë fëmijët, si do paguajnë borxhet?
Që Kryeministri është i pandjeshëm nga hallet e njerëzve këtë e dëshmon historiku i vendimeve të tij si Kryeministër. Ai është që prej fillimit, Kryeministri i “deshve” jo i “deleve”. Por, unë besoj që ka dhe një shpjegim tjetër. Ai është shkëputur, ka kohë, nga realiteti i këtij vendi dhe e ka rrethuar veten me shërbëtorë. Ai, kur thotë “lum si ju që më keni mua që t’ju mbroj” e beson edhe vetë tashmë. Pavarësisht se nuk ka asnjë plan paraprak, pavarësisht se seri para 1 jave ngulte këmbë që Virusi është fryrje mediatike, (fati jonë që është i detyruar të zbatojë urdhëresat e protokollet e OBSH-së për pandeminë), pavarësisht se nuk ka as kokrrën më të vogël të idesë si do mbijetojë pastruesja e pallatit tim apo romi që mbledh lavatriçe.
I mbyllur në vilë (se kush tha, nga frika, dhe ishte shumë për të qeshur) edhe ai vuan. I mungojnë darkat me oligarkët, hallet e të cilëve janë të vetmet që njeh. Dhe, gënjen veten që po e kalon me joga. Është aq aq i rremë, aq fals dhe aq sipërfaqësor në atë që thotë, sa duket që nuk ka kuptuar as një nga rregullat kryesore të jogas: ajo bëhet që të eleminosh egon dhe unin personal.
Çka duket shumë e vështirë që ta bëjë njeriu që gëzon se i ka rënë dhe një armë e re në lojën “të luajmë diktatorësh”: COVID-19.

 


Thursday, March 12, 2020

Ditari i Rezistencës

REPLIKË ME NJË REAGIM TË zv/Kryeministrit mbi artikullin e publikuar dje te Politiko dhe sot te Gazeta Dita print.
12 mars 2020, dita e tretë e kiametit


Z.Braçe,

Së pari, unë nuk jam shoku juaj e as i njohuri juaj, as në rrjete sociale e as në jetën private ndaj, ju lutem mos më përgojoni në rrjete sociale duke më vënë epitete. Kjo, më së paku, tregon një nivel të ulët tuajin në komunikim. Si Erion ashtu mund të jeni edukuar; si deputet mbase ashtu jeni mësuar; por, si zv/Kryeministër i vendit, kjo gjuhë mënyrë komunikimi është vulgare dhe pozicioni që keni nuk jua lejon.

Së dyti, prisja që të ishit në zv/krye të situatës, duke u marrë me punë e jo duke rrethuar me laps gazetat. Më vjen mirë që keni rrethuar vetëm një fjali, sepse në të vërtetë shqetësimi i ngritur në atë shkrim qendron 100%.
Mendimi im është që qeveria që ju e zv/kryesoni, e cila kaloi brenda 2 ditësh nga pozicioni: “mos përhapni panik”, në pozicionin: “të mbyllen të tëra”, ka bërë gabime të rënda në menaxhimin e situatës që nga dita kur u mor vesh që ne jemi në kufi të rrezikut me Italinë.

Sa për atë fjalinë që keni rrethuar, po ju informoj që kështu ka nisur dhe në Itali, nga një spital ku u shkelën protokollet, në Lodi. Potencialisht ashtu mund të ketë ndodhur dhe në Durrës. Them potencialisht, sepse problemi qendron që qeveria që ju zv/kryesoni ka zakonin të fshehë informacionin dhe e ka transparencën zero. Në mungesë të transparencës nga ana juaj, ne jemi të detyruar të funksionojmë me logjikë krahasuese, dhe deduktimi logjik thotë se në një spital ku ishte një pacient i pazbuluar për ditë me rradhë, mund të jenë infektuar në zinxhir pacientë të tjerë, mjekë e infermierë.

Për këtë arsye ajo fjali nuk është shpifje, për sa kohë JU NUK KENI FAKTE për të provuar të kundërtën.

Megjithatë, jam gati të kërkoj ndjesë publike për atë fjali VETËM kur ju të na prezantoni publikisht testet e GJITHË SPITALIT, me pacientë, infermierë e mjekë dhe të na tregoni që ata njerëz të vënë në rrezik atje, janë të painfektuar. Dhe kur them FAKTE, nuk e kam fjalën për deklaratat për shtyp të Qeverisë apo të ISHP-së, që me shumë gjasa tregojnë atë që ju doni që të ketë ndodhur dhe jo atë që ka ndodhur.

Deri atëherë, ju lutem, kthehuni në punë!

Kthehuni në punë!

Bëni punën tuaj, e mos u merrni me përgojime në rrjete sociale.

Lideri nxjerr në rrugë mullinjtë e erës, për të luftuar virusin

Ditari i Rezistencës

Botuar më 11 mars te Politiko
dhe në print te Gazeta Dita, 12 mars

11 mars 2020, dita e dytë e kiametit

Me futjen e Teatrit në listën e objekteve të mbrojtura nga Europa Nostra, mendova që nuk ka më nevojë për rezistencë. Por përveçse Qeveria vendosi ta injorojë një prej institucioneve më të mëdha të kulturës Europiane si Europa Nostra, pashë, se ndërsa mbronim Teatrin, e liga po merr krejt Shqipërinë.
Pra, rezistenca duhet vazhduar.
Para 5 ditësh, e mundnim me raki Covid-in. Sot u mor vesh që Qeveria do të nxjerrë në rrugë ushtrinë.
Për ta parë më kthjellët ç’po ndodh, mjafton të kthehemi 5 ditë pas.

Në datë 7: “Mos përhapni panik”. Lideri bën ironira me ata që thonë që qeveria po e fsheh gjendjen. Shqiptarët, janëthuajse të bvindur
Në datë 8: Qeveria shqiptare mburret që nuk kemi asnjë rast me Covid-19, lideri i madh flet për “infodemi të lajmeve të rreme”. “Nuk jam i lumtur me këtë bombardim lajmesh për koronavirusin. Është problem për të gjithë botën, por ajo që është e sigurtë, është se krahas me epideminë, ka një infodemi të lajmeve të rreme, të komenteve pa asnjë bazë shkencore, që rrit panikun, ankthin dhe pasigurinë tek njerëzit”, tha lideri.
Në datë 9: 2 rastet e para zyrtare. Ngutje për të treguar që këta na shpëtuan, se na hynë nga Muriqani.
Në datë 10: 12 raste. Mbyllen të tëra shkollat, por jo Qendrat Tregëtare. Lideri maksimal flet për “gjendje lufte”.
Në datën 11: Viktia e parë ka infketuar një spital të tërë, falë papërgatitjes e ndoshta papërgjegjshmërisë së personelit. Del ushtria nëpër rrugë. Mbyllet çdo lokal e restorant! Motivi: shqiptarët kanë ndërgjegje të ulët.

Në 5 ditë, shqiptarët kaluan nga krenaria se që vetëm ne kemi 0 raste, tek detyrimi me tanke që të mos dalin nga shtëpia.
Tani, ose ne nuk arrijmë ta kuptojmë gjenialitetin e Liderit të Madh, ose ka diçka që nuk shkon që për 5 ditë shkohet nga ekstremi që rakia jonë e mund virusin tek mbyllja e çdo restoranti – pra, ata që nuk kanë kushte gatimi të vdesin urie.

Ne mund të kishim mbyllur shkollat kur i mbylli Italia, mund të kishim anulluar fluturimet kur u karantinua Lombardia, mund të kishim mbyllur stadiumet qëkur u pa që virusi ka ardhur kaq afër, mund të kishim testuar këdo që vinte nga gadhishulli përballë e jo ti zgjidhnim me telefonata vullnetare kuazi erotike me 127-n.

Shanset që ne të mos kishim virus ishin zero.
Por, e vërteta është që ne kemi një qeveri që ka vetëm merakun e propagandës. Deri në dt 8 shtireshin sikur ne jemi pa virus, për të mos treguar sesa të papregatitur jemi, ndoshta duke ecur me shpresën, hë, se nuk do ketë shumë raste.
Tani që u bë një foto skaner e asaj që kemi brenda në bark, kalohet direkt tek masa ekstreme – ushtria. Hera e fundit që kemi parë ushtarë në rrugë ka qenë operacioni pelikan, që mbronte ndihmat mos vidheshin. Ushtria jonë, që nuk do na mbronte dot as nga greku e as nga serbi, do na mbronka nga pandemia. Sigurisht që jo. Qeveria po kopjon me urgjencë masat e Italisë me kaq vonesë për të bërë show propagande. E rëndësishme është që fajin nuk e ka patur e as e ka qeveria për përhapjen e mundëshme kaq të shtrirë të virusit. Fajin, nuk e kanë mjekët e atij spitalit në Durrës që nuk i kanë bërë testin e virusit të ndjerës së parë, por e kanë, siç tha lideri, të rinjtë që duan të rrinë kafeneve.

Tuesday, January 7, 2020

2020-a: kjo Shqipëri, duhet të vdesë.

Botuar në gazetën DITA, 7 janar 2020


Në urimet e vitit të ri, shumë njerëz patën tendencën që 2 zerot e numrit 2020 t’i zëvendësonin me 2 fytyra të qeshura, me 2 topa qelqi festivë, apo shumë objekte të tjera që duhet të të ndjellin gëzim. E kemi bërë këtë sepse shpresa, thonë që vdes e fundit.

Edhe kur hymë në 2019-n, urimet ishin po kaq pozitive, fishekzjarrët patën shpërthyer dhe shpresa nuk kishte vdekur akoma. Por, në Shqipërinë që unë njoh, 2019-a ishte një vit i zi. Këtë ma thonë të gjithë njerëzit që takoj, deri edhe shitësit e perimeve. Bizneset e vogla janë duke falimentuar, pasi krejt shteti është vënë në shërbim të një grushti njerëzish që kanë kapur të tëra monopolet, gjithë pasuritë publike, çdo copë tokë. Kushdo që gjen një shans për të jetuar jashtë, po ikën.

Ndaj, përtej atmosferës në dukje festive, të gjithë e dimë çfarë na pret në 2020-n.
Ne, si komb po kalojmë në 5 fazat e gjëmës, 5 faza përmes të cilave psikologjia e një njeriu, por me sa duket edhe ajo e një kombi u dashka të kalojë kur përballet me të Keqen.


I. Mohimi

Faza e parë është mohimi. Të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur gjithçka shkon mirë.
Një pjesë nga ne e kanë kaluar këtë fazë, por, një pjesë tjetër e shqiptarëve nuk po dalin dot nga ajo.

Vetë Kryeministri dhe megafonët e oborrit po përpiqen të ndërtojnë një narrativë të tillë ku gjithçka shkon mirë, ku ne nuk na hapen negociatat sepse Franca ka probleme me veten; ku shqiptarët që ikin e bëjnë jo sepse këtu është keq, po në Gjermani është rrogë më e lartë; ku ekonomia ka gjithmonë rritje, edhe pse kocka jonë flet për të kundërtën.

Një pjesë e shqiptarëve, e dashuruar, jo me z.Rama por me këdo figurë të fortë që sundon Shqipërinë, janë gati ta besojnë këtë. Për ta, “babai” ka gjithmonë të drejtë.

Këta njerëz, jeta e të cilëve vërtitet në trekëndëshin pension-divani i shtëpisë-televizor (ose papunësi-divan-televizor, apo dhe çfarëdo variacioni tjetër ku divani dhe televizori nuk ndryshojnë) jetojnë në një Shqipëri fiktive, në përrallën televizive të Kryeministrit. Janë si instrumentistët që luajnë valse në Titanikun që po mbytet.

Këtu kemi ardhur tek “anti-njeriu” i vitit, rubrika e përvitshme e Ditës.
Unë besoj se e Keqja te ne nuk është një njeri i vetëm, por një sistem i ngritur nga një grup njerëzish.


Njerëzit e trekëndëshit

Mjeti kryesor sesi ky grup e mban në këmbë sistemin, është propaganda. Në këtë moment të Historisë në të tërë botën, por sidomos në vende gjysëm të lira si Shqipëria, armiku më i madh i njerëzimit është propaganda. Shqiptari i varfër dhe ai i mesëm që vërtiten në trekëndëshin që thamë, sheh vetëm televizor. Televizionet zotërohen nga të pasurit, dhe jo sepse ata janë dashnorë të fjalës së lirë apo kalorës të mbrojtjes së publikut. Të pasurit, përfitojnë nga Pushteti konçensione, kontrata, prona publike e PPP-ra; dhe si shërbim duan të mbajnë sistemin të pandryshuar. Dhe kjo bëhet vetëm duke i mbajtur shqiptarët e trekëndëshit

Ndaj, tërë ditën, në lajmet tona shohim gjithsej një person ose dy që tregojnë përralla.

Në fakt, e gjithë Shqipëria sheh një kanal të VETËM: ERTV-në. Vëreni me kujdes lajmet, dhe shikoni sa shpesh logoja e ERTV-së është në TV-në tuaj. Edhe Topi, Klani e Vizioni, tashmë janë kthyer në repetitorë të sinjalit të ERTV-së.

Me ligjin e ri për censurën e medias online, Kryeministri po kërkon që shqiptarët mos të dalin nga trekëndëshi. Në Shqipëri duhet të ketë vetëm një mjet informimi, ekrani i televizorit ku mbizotëron logo ERTV. Ti, nuk duhet të ngrihesh nga divani e të dalësh në rrugë. Sepse ti, nuk ke të drejtë të inatosesh.


II. Mllefi

Janë 3 grupe njerëzish para të cilëve të gjithë jemi të pambrojtur: miliarderët e sofrës së Kryeministrit, politikanët e oborrit dhe dogjët e krimit.

Ka një mllef, një inat, një shtysë të brendshme për të mos e pranuar këtë situatë. Shumë prej nesh janë akoma në këtë fazë.

Por, mllefi jonë është i verbër, dhe mposhtja e të keqes duket mision i pamundur.

Asnjë kontratë ligjore e asnjë ligj i Republikës nuk të mbron dot para këtyre 3 grupeve që sundojnë Shqipërinë. Shikoni sesi trajtohen minatorët e Bulqizës nga oligarku që nuk ia themi dot as emrin se na heq reklamat. Me ligj, ti nuk mund ta heqësh dot Kryetarin e Sindikatës nga puna, por, oligarku që nuk ia themi dot emrin, e heq Kryetarin e Sindikatës së Bulqizës dhe nuk i bëhet vonë, sepse ai e di që në këtë vend mund të bëjë çfarë të dojë. Madje, ai ka në dorë ta shtyjë qeverinë të prodhojë dhe ligje për importim punëtorësh të urtë nga vende të botës së tretë, njerëz që nuk bëjnë sindikata e nuk dinë as shqip që të ngrenë zërin.

Përpara 3 grupeve që administrojnë Shqipërinë as policia nuk të mbron dot.

As Ambasada Amerikane apo Z. Soreca nuk të mbron para tyre. Shqipëria që unë njoh është një wild west ku këto 3 kategori janë të pandëshkueshme, dhe shteti, praktikisht administrohet prej tyre. Mjafton të shohësh ngjarjet e 2019-s dhe kjo është qartë, për atë që di të lexojë.

Por, propaganda nuk ka qëllim që ju të lexoni. Propaganda do që ju të rrini në divan e të dëgjoni përrallat.

Propaganda, ndërkohë angazhon fabrika të tëra me “komentues” që paguhen nga paratë tona (që ne i lëmë te oligarkët, ose dhe nga buxheti i shtetit) e që kanë për detyrë të sulen me dhjetëra për të më sharë e ofenduar mua e këdo tjetër që përpiqet t’ju thotë një të vërtetë alternative.


III. Pazari (Bargain)

A është e mundur që 10 oligarkë dhe 1 politikan apo 9 oligarkë dhe 2 politikanë të mbajnë peng një popull të tërë? Si mundet të themi 11 vetë të operojnë një makineri komplekse dhune dhe propagande? Si është e mundur që 2 milionë e ca vetë të përjetojnë vuajtje të vazhdueshme nga politikat ekonomike e korruptive të 11 personave?

Përgjigjja e kësaj është një pyetje tjetër. Si mundi që një njeri të piratojë një parti si ajo socialiste, dikur një parti e hapur e me kapacitete njerëzore, me alternativa e fraksione, me votime e individë të shquar, dhe ta kthejë në një ushtri të bindur servilësh dhe yesman-ësh? Përgjigjuni kësaj, dhe keni edhe përgjigjen e asaj të parës. Dhe nëse prapë nuk doni ta besoni, po jua them unë.

Ka një grup shqiptarësh, dhe jo i vogël, të cilët kanë hyrë në pazar me të keqen. Ata mendojnë që duke siguruar një llokmë për vete do kenë imunitet nga e keqja që ka zaptuar Shqipërinë. Këta nuk janë njerëz të këqinj në thelb, e as injorantë e të pashkolluar.

Ata lart janë vërtet 11 vetë, por kanë mijëra krahë e këmbë me të cilat të vënë në punë mekanizmin e propagandës dhe të shtetit të dhunës. Sikurse ata socialistë që ishin liberalë e të hapur dikur dhe u shndërruan këto vite në arrogantë e maskarenj të kohës së Ramës.

(Këtu është pjesa, që grupi i parë, ai i Mohuesve, më sulet mua dhe më bën krahasime me Berishën. Ju lutem, mos u lodhni. Rikthehuni në divan e shihni TV. Ky shkrim nuk është për ju.)

Pra, kasta e lartë me 11 vetë ka mundësuar një kastë të dytë, me qindra e mbasje mijëra vetë poshtë tyre, ku nuk rrjedh por pikon.

Por, Pazari nuk e zhduk të vërtetën e gjendjes së Shqipërisë. Musaulqinët e Erionbraçet nuk e kanë ditur që Pazari me të Keqen është thjesht një fazë që nuk të shpëton. Nga shoqërimi me të keqen, askush nuk del dot i bardhë që andej.

Të pashpresë janë edhe ata që “Pazarin” e përballjes me të Keqen e bëjnë në formë oportunizmi. Këta e dinë ku jetojnë besojnë që mund të mprehin instinktet e mbijetesës dhe të “dalin pa u lagur” shumë nga gjoli. Këta, vazhdojnë bëjnë pazare dhe në qendrat tregëtare të oligarkut që shtyp minatorët e që nuk ia themi emrin, sepse, rëndësi ka që të jetë “larg b*** time”. Ky grup shqiptarësh, shpresojnë të mbijetojnë pa dëme ndërkohë që Titaniku mbytet. Leqë, Shqipëria ime, Shqipëria e njerëzve të thjeshtë që takoj përditë nuk është as Titanik por një varkë e lodhur peshkimi që fut ujë nga të të tëra anët.

Sado pazare të bëjnë shqiptarët e kastës së dytë, Shqipëria do ta kryejë ciklin e plotë të mortit.


IV. Depresioni

Besoj që depresioni është faza e njerëzve që po kërkojnë të ikin nga Shqipëria se e ndjejnë që nuk mund të ndryshojmë dot gjë dhe se varka është e destinuar për t’u mbytur me gjithë “timonier”. Jetojmë në një kohë kur shumica e popullit beson se të jesh i ndershëm është diçka e kotë.

Ndryshe nga ç’bërtet PROPAGANDA, shqiptarët nuk po ikin në Gjermani thjesht për rroga më të mira e as vetëm për arsim e shëndetësi më cilësore. Motivi kryesor i ikjes është që në Shqipërinë e kastave, kastave të poshtme nuk u mundësohet të jetojnë me dinjitet. Po nuk ishte pjesë e 3 grupeve që kanë piratuar Shqipërinë, miliarderët e sofrës së Kryeministrit, njerëzit e oborrit dhe dogjët e krimit, shanset që të jetosh me dinjitet e integritet janë thuajse zero.

Ne jemi shndërruar në një vend ku Adi Krasta nuk gjen dot punë, sepse është kritik i sistemit dhe i duhet të emigrojë për të punuar në Kosovë.

Shqiptarët po ikin sepse jemi shoqëri në depresion dhe ikja e tyre bën që Shqipëria të dekompozohet dhe më shpejt.


V. Ta Pranosh

Stadi i fundit i përballjes me vdekjen është ta pranosh atë. Shpesh, për njerëzit nuk ka kohë. Në rastin e shteteve, kombeve e shoqërive, jo vetëm kohë nuk ka, por një pjesë e shoqërisë është akoma në stadet e tjera dhe nuk e kryen dot ciklin.

Unë besoj që Shqipëria post-enveriane që kemi ndërtuar është një shoqëri në dekompozim dhe duhet të vdesë. Ndoshta, do na shkojë tërë jeta duke jetuar në këtë trup shoqëror që po kalbet, por, ndoshta, 2020-a mund të sjellë një ndryshim. Ndryshimi, që të jemi të qartë nuk mund të jetë thjesht ndryshim emrash në majë të piramidës që pushtetit.

Ndryshimi duhet të jetë një Shqipëri e re. Një Shqipëri TJETËR. Një Shqipëri ku nuk diktojnë 3 grupime të dyshimta: milarderët e sofrës së Kryeministrit, oportunistët e Oborrit dhe dogjët e krimit.

Një Shqipëri ku nuk mund të kesh frikë të përmendësh emrin e Samir Manes që dhunon minatorët; as të denoncosh që të rinjtë që hedhin fletushka janë masakruar nga policia e tij private; e as të kërkosh të dorëhiqet Ministri i Brendshëm pasi policia e tij – jo e jona, por e TIJ – në vend që të arrestonte rojet privatë dhunues futi në burg të rinjtë… sepse hodhën fletushka!!

Kjo Shqipëri fashiste: në ekonomi, politikë, e propagandë duhet të vdesë!

Mund të më akuzoni për naiv ose idealizëm. Mos u lodhni. Do ju lutesha të ktheheni te një nga 5 fazat e përballjes me vdekjen dhe përpiquni t’i kapërceni. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë.

Pasi t’i kapërceni do të thotë që kemi PRANUAR e kemi rënë dakort që kjo Shqipëri, kështu siç është nuk duhet të jetojë. Shqipëria që njohim, Shqipëria siç është duhet të vdesë, e ne duhet ta pranojmë këtë fat.


Viti i Minatorit

Nëse ka kuptim “zgjedhja e njeriu i vitit” në një vend ku edhe shpresa shitet me doza reality show televiziv, do doja të vija gishtin tek e vetmja vatër rezistence kundër fashizmit: minatori i Bulqizës.

Shqipëria nuk ka ende një individ tjetër për të dhënë një shpresë të vërtetë. Sepse shpresa për një gjë të re duhet të nisë duke i bërë varrin të kalburës, të sëmurës, të shkretës. Dhe, personalisht do të të doja që varri i saj të nisë në Bulqizë.