Tuesday, March 24, 2020

Ditari i Rezistencës / Dita 13 e kiametit

Nga kush, sa herë dhe si duhen rrahur ata që dalin nga shtëpia?

botuar në DITA dhe Politiko.al


Sot në whatsapp-in tim mbërriti një mesazh i përcjellë (fwd) nga të tjerë e që thoshte se kjo do të jetë java më e vështirë e situatës së Covid-19 në Shqipëri. Mesazhi ngulmonte që të rrimë brenda me çdo kusht e të mos dal as për të blerë ushqim. Sipas “mjekëve” shumë të trembur priten XXX,xxx të vdekur, etj, etj.
Brenda 10 minutash, mora të njëjtën përmbajtje nga 7-8 burime të tjera. Njëri nga mesazhet përmendte dhe një mjeke, Ypsilon, që paska bërë thirrje që të mos dalim se do ketë shumë të vdekur. Pra, rrini brenda se këtë javë do të bëhet nami.
Nuk mund të mohoj se mesazhi më bëri të ngjethem për një moment. Reagimi i njerëzve që njoh ishte një besim i plotë se kjo është vërtet situata dhe kemi marrë fund.

Whatsappi, ose Sudja 2020
Mesazhi në fjalë është i pa verifikuar. Askush nuk e provon dot që mjekja Ypsilon e ka bërë vërtetë atë telefonatë që ndjell makth. Por, në këto javë, muaj e vite që jemi qeverisur me Facebook, pse mos informohemi me Whatsapp? Dhe, nëse besimi tek institucionet ka rënë aq poshtë, kur nuk ka më informim por propaganda, njerëzit më shumë i zënë besë një mesazhi zinxhir në whatsapp sesa deklaratave të Ministrisë.
Ky mesazh tregon që Shqipëria vazhdon të jetë një Sude-shtet, ku llafi i gojës ka gjasa të jetë më informativ se edicionet e lajmeve qeveritare dhe mund të çojë një popullatë të tërë në panik e në shthurje, si në 1996-n.
Por, ajo që më shqetësoi më shumë është dyshimi që pas këtij mesazhi mund të gjendet edhe qeveria. Fakti që shpërtheu në të njëjtën kohë lë dyshi që është i mirëorganizuar. Në pamundësi për të mbajtur njerëzit brenda, pse të mos krijojnë këtë formë paniku, ku nuk duket gjurma e vet?
Po spekuloj duke thënë që “mund” të jetë. Në rastet e mungesës së transparencës por dhe dyshimit që kjo Qeveri nuk është e aftë, duhet të përdorim deduksionin.

A rrihen në Spanjë njerëzit?
Rasti më i fundit, kur Kryeministri si pa gjë të keq publikon video të rreme që “ia dërgoi një shok”, pa e verifikuar, madje pa e vënë në dyshim, është shumë domethënës. Si mundet që një njeri si z. Rama, që ka jetuar me vite në perëndim ta besojë që në një vend europian mund të goditen njerëzit si kafshë, vetëm se dolën nga shtëpia?
Shpjegimet janë 2: ose Kryeministri ka aq shumë dëshirë të mendojë që ajo është e vërtetë, subkonshi i tij do aq shumë të besojë që ai lajm është real, saqë nuk ndalet për ta verifikuar, dhe stafi i tij është aq i paaftë sa ta ndihmojë; ose, ai e dinte shumë mirë që nuk është e vërtetë, por, i interesonte të na jepte një mesazh për dajakun që na pret duke e justifikuar me standartet europiane.
Unë besoj që është e dyta. Kam pasur mundësi ta kap në rrenë z. Kryeministër me dhjetëra herë gjatë projektligjit të AMA-s,kur jepte argumente të pavërtetë se në Perëndim ka ligje për median si ai që propozoi ai. Meqë ra llafi, jo, z. Rama nuk do dënohej për Fake News-in që përhapi vetë, sepse i kanë marrë masat që ai ligj, nëse do kalojë ndonjëherë, të mos e kapë atë.
Por le të rrimë te dajaku që i pret ata që dalin jashtë.

Secili për vete, përfshi atë “të madhin”
 Unë hyj tek ajo kategori qytetarësh që jam vetë ngujuar dhe në 10 ditët e fundit kam dakë vetëm 2 herë për emergjenca ushqimore. Familjarisht ndjekim protokollet e publikuara në Itali për dezinfektimin para e pas daljes nga shtëpia.
Më ka shqetësuar shumë reagimi i avashtë e shpesh i pakuptimtë i qytetarëve shqiptarë ndaj paralajmërimeve për distancim social – e vetmja mënyrë për të përballuar kurorë-virusin, siç e quan Lela. Arrij t’i kuptoj pse e bëjnë. Reagimi shoqëror është i ngadaltë.
Ndërsa në Tiranë shumica mendon se z. Rama është diktator, që kjo ide të mbërrijë në periferitë e fshatit tonë, mund të duhen dhe 20 vjet të tjera. Ka hallexhinj për të cilët kurorë-virusi është halli më i vogël që u rrezikon ekzistencën.
Nga ana tjetër, ne nuk kemi qytetarë, por kuazi-qytetarë, për shkak të sistemi tonë arsimor (e që goditjen e nderit ia dha po ky Kryeministër); për shkak të shkatërrimit të besimit në institucione (ju kujtoj “bablokun”, mikun e “atij të madhit”); për shkak të shkatërrimit të normave shoqërore – filozofia jonë e re është “secili për vete”, “t’i marr unë të tëra”, “paraja është mbret” dhe le të vdesë ai tjetri (ju kujtoj monopolizimin e çdo gjëje në pak duar, dhe shkatërrimin e klasës së mesme).
Në këto kushte, nuk ka pse habitemi pse këta njerëz nuk janë solidarë e pse nuk shqetësohen që mund të vënë në rrezik të tjerët. Këtë shoqëri kemi ndërtuar, të gjithë bashkë. Problemi është, çfarë duhet të bëjmë me ta.

Bota e Re Garipe
Mesazhi në Whatsapp nga mjekja Ypsilon, besoj i rremë, përhapi panik në të tërë ata që e morën. Në bashkëpunim me videon e Spanjë-Algjerisë, ata të shtyjnë të dalësh në një konkluzion: situata është katastrofë, dhe mirë ua bën qeveria atyre që dalin, druri është pak!
Sa më e madhe frika nga ajo që mund të na ndodhë, aq më shumë jemi të prirur të justifikojmë përdorimin e dhunës ndaj atyre që i perceptojmë si njerëz që po na sëmurin me sjelljen e tyre.
Pak ditë më parë në një editorial në Financial Times e të shpërndarë gjerësisht, Noah Yuval Harari ngrinte mes të tjerash dhe një pyetje shumë të rëndësishme: nevoja për të mbrojtur shëndetin deri ku duhet të justifikojë humbjen e lirisë?
E thënë ndryshe, për të ruajtur shëndetin e të gjithëve, a duhet të pranojmë që një pjesë të dhunohet nga policia? A duhet t’i lihet një qeverie, aq më tepër një që drejtohet nga z. Rama që ka dhënë prova të shumta autoritarizmi, e drejta për të kufizuar lirinë më të thjeshtë në botë, atë të të ecurit në rrugë?
Sigurisht, bëhet në emër të të “mirës së përgjithshme”. Por, a nuk dhunoheshim në kohën e diktaturës po për shkak të të mirës së përgjithshme? Nëse ne biem dakort që të përdoret ushtria për njerëz që na rrezikojnë shëndetin, a duhet të përdorim dhunën nesër dhe për ata njerëz që na rrezikojnë qeverisjen e vendit me votën e tyre idiote?

Do i rrahim, apo jo?
Në kuptimin tim për lirinë, jo. Sot ne vuajmë paaftësinë e Qeverisë dhe Qeverive për të kuptuar problemin në kohë; shkatërrimin e sistemit shëndetësor për të pasuruar privatin; largimin e personelit mjekësor drejt Gjermanisë për shkak që nuk ka të ardhme; etj., etj.
Pra, meqë qeveria e sotme nuk na asiston dot në këtë problem shëndetësor po na thotë (edhe përmes videos algjeriano-spanjolle) që do na dhunojë, fusë në burg e gjobisë.
Diagaçët në qendër të Tiranës dhe mbi ta ushtarakë me mitralozë, ngjajnë jo vetëm qesharakë por dhe shqetësues. Ne nuk mbrojmë dot kufinjtë tanë (rroftë NATO), por, ne mund ta nxirrkemi ushtrinë për të rrahur qytetarët që thjesht dalin nga shtëpia!
A jemi gati t’ia dhurojmë këtë liri të fundit që na ka mbetur, Qeverisë? Unë për vete jo! Ju bëj thirrje të rrini brenda që të mbrohemi së bashku më mirë. Por, ju bëj thirrje të kundërshtojmë së bashku idetë e z. Rama që për të na mbrojtur shëndetin mundet dhe të na dhunojë fizikisht!
Kjo metodë mund të funksionojë në Kinë (dhe në Algjeri, mbase), por askush nuk guxon ta përdorë në Europë! Sepse, siç thuhet diku, lirinë që e toleron të ta marrin një herë e ke të pamundur ta rifitosh më!

No comments:

Post a Comment