Ditari i Rezistencës
“NËSE MBLEDHËSIT E KANOÇEVE DO BËNIN JOGA”
Dita 10 e kiametit
botuar te Politiko.al dhe Gazetadita.al
1.
Burri i kanoçeve
Poshtë, në
rrugicën time kalon burri me biçikletë që mbledh kanoçe. Në mëngjes, dëgjohet
thirrja e përdyditëshme e burrit rom që mbledh lavatriçe të vjetra. Të dy këta
bredhin rrugicave pa mbrojtje, pa doreza e pa maska. Çmimi i tyre mund të jetë
2-3 fishi i asaj që ata nxjerrin në ditë. Pastruesja e pallatit nuk vjen dot,
sepse banorët nuk e duan – nga frika. Ajo kërkoi të vinte në fakt, edhe pse në
këto kushte ajo do duhej të kishte frikë nga ne. Sepse, ajo duhet të ushqejë
fëmijët dhe jeton me pagën e ditës. Ajo ka vetëm borxhe dhe po nuk punoi nuk
ha.
Ndaj, këta dalin
rrugëve në kërkim të punës e të bukës, pa mbrojtje, e duke neglizhuar çdo frikë
nga Covid-i. Ndryshe nga “elitat” që shqetësohen se u mbyll restoranti mondan,
dhe që virusi i privoi nga vajtja në Korçë fundjavave, burri që mbledh kanoçe
ka dhe një hall më të madh: të mbijetojë, sot.
Ndaj ai nuk pyet
as për virus e as për Kryeministër.
2.
Burri që bën joga
Unë nuk besoj që
këta duan kasten të sfidojnë urdhërin e Ramës. Them “urdhërin e Ramës” sepse në
këtë vend nuk ka qeveri, as institucione. Ka vetëm një njeri që komunikon nga
Vila e Vet duke personalizuar çdo gjë. Ai është dhe Kryemjek, dhe
Krye-specialist, dhe Krye-zë Radiofonik, dhe Krye-Edukatore, dhe Krye-redaktor,
dhe Krye-polic... Sigurisht, personalizimi i çdo mesazhi, është i qëllimtë. Ai
kërkon që çdo njeri ta dijë që varet prej TIJ e jo prej shtetit e larg qoftë,
Kushtetutës. Por, përtej kësaj, kjo formë komunikimi prodhon mjaft material
studimi. Psh, pjesë e logorresë së propagandës ishte dhe një mesazh i para pak
ditësh, ku ai i sugjeronte popullit që ngujimi duhet kaluar me joga dhe me
agjërim!
Për kë flet ky
njeri?
Sigurisht, jo për
burrin që shet kanaçe ose që mbledh lavatriçe të vjetra. Por, pyetja ime,
shumë, vërtet shumë serioze, është. A e di ai ku jeton?
3.
A i zë Covid-i deshtë nëse bëjnë joga?
Për pastruesen e di që nuk ka as sigurime e
as ekziston gjëkundi e regjistruar. Dyshoj se dhe burri rom që mbledh
lavatriçet të jetë i siguruar. Ashtu sikurse di me dhjetëra raste – raste që i
njoh personalisht – që ose i kanë detyruar të regjistrohen me minimumin e
sigurimeve, ose i kanë detyruar të punojnë në të zezë. Por dhe sikur, numri i
punëtorëve të ndershëm – e theksoj, se ka rëndësi, TË NDERSHËM – që nuk shtyjnë
dot muajin është tepër, tepër i madh. Si mundet që dikush të jetë kaq i
pandjeshëm sa t’u këshillojë të bëjnë joga, atyre që javën e fundit të muajit
nuk i zë gjumi sesi do ushqejnë fëmijët, si do paguajnë borxhet?
Që Kryeministri
është i pandjeshëm nga hallet e njerëzve këtë e dëshmon historiku i vendimeve
të tij si Kryeministër. Ai është që prej fillimit, Kryeministri i “deshve” jo i
“deleve”. Por, unë besoj që ka dhe një shpjegim tjetër. Ai është shkëputur, ka
kohë, nga realiteti i këtij vendi dhe e ka rrethuar veten me shërbëtorë. Ai,
kur thotë “lum si ju që më keni mua që t’ju mbroj” e beson edhe vetë tashmë.
Pavarësisht se nuk ka asnjë plan paraprak, pavarësisht se seri para 1 jave
ngulte këmbë që Virusi është fryrje mediatike, (fati jonë që është i detyruar
të zbatojë urdhëresat e protokollet e OBSH-së për pandeminë), pavarësisht se
nuk ka as kokrrën më të vogël të idesë si do mbijetojë pastruesja e pallatit
tim apo romi që mbledh lavatriçe.
I mbyllur në vilë
(se kush tha, nga frika, dhe ishte shumë për të qeshur) edhe ai vuan. I
mungojnë darkat me oligarkët, hallet e të cilëve janë të vetmet që njeh. Dhe,
gënjen veten që po e kalon me joga. Është aq aq i rremë, aq fals dhe aq
sipërfaqësor në atë që thotë, sa duket që nuk ka kuptuar as një nga rregullat
kryesore të jogas: ajo bëhet që të eleminosh egon dhe unin personal.
Çka duket shumë e
vështirë që ta bëjë njeriu që gëzon se i ka rënë dhe një armë e re në lojën “të
luajmë diktatorësh”: COVID-19.
No comments:
Post a Comment