Wednesday, November 21, 2012

Fytyra e pistë e Pavarësisë

botuar te Revista Klan dt 17 nëntor 2012


Vendi ku gjej emocionin më të madh atdhetar së fundmi janë lokalet me muzikë live (pub-e a club-e, rrallë janë të identifikueshme qartë se ç’“zhanri” i përkasin). Njerëz të djersitur nga avujt e alkolit dhe të tollovisë bërtasin me zërat e ngjirur “xhamadanin vija-vija”. Në momentin e duhur, kur eksitimi ka arritur në tavan, del edhe një flamur i madh që tundet. Brohorima e xhamadan, aq sa të tërë i kap një përlotje patriotike.

Pyes veten, pse këndojnë? Pse bërtasin e përloten për Shqipërinë në lokal? Kur të dalin nga ajo sallë të tërë do shkojnë në shtëpitë e tyre, për të vazhduar jetët e tyre të mbushura me zgjedhje (jetësore) të korruptuara. Nesër, do t’i kthehen rutinës së tyre duke u bërë pjesë e ingranazhit që e ka shqyer Shqipërinë si një rreckë vija-vija. Nesër do ngrihen herët t’u bien pas masterave të rremë a CV-ve të rreme; të kapin miqtë për të rregulluar “ato gjërat” që i dinë vetë ata; të shohin mos bëjnë ndonjë lek; të shohin a ka mbetur ndonjë vrimë e sistemit pa ngulur pipën për të thithur padrejtësisht përfitime.
Ajo që e kujtojnë ‘pipë’ dhe ajo që u duket si ‘sistem’ lehtësisht i abuzueshëm, në fakt është trupi i Shqipërisë. S’po ju them se çfarë thithin ato pipa. Shoh njerëzit që tërbohen me patriotizëm në lokale (pub-e a club-e, rrallë janë të identifikueshme se ç’“zhanri” i përkasin) dhe shoh pastaj fytyrat me të cilat po shkojmë drejt 100 vjetorit të Pavarësisë.

Emblema e pushtetit

Unë nuk preferoj të merrem me individë, sepse e keqja e këtij vendi shkon përtej individit. Ama, të paktën 1 herë në 100 vjet mund të bëjmë një rezyme njerëzore, e të merremi pak dhe me figurat. 1 herë në 100 vjet, mund ta shohim veten në sy e të pranojmë se e liga në këtë vend përfaqësohet nga disa njerëz, më saktë në mënyrën sesi e përdorin pushtetin ata njerëz. Nuk më harrohet një mik që më thoshte që Berisha është tip interesant të rrish të bësh bisedë të lirë (që nuk e di nëse bën më, ja se nuk i kanë mbetur më bashkëbisedues që t’i rrinë afër për të shijuar biseda të lira, ja se vetë termi “i lirë” duhet t’i japë tension). Unë e besoj këtë. Por, përtej njeriut interesant e inteligjent Berishë (më inteligjenti nga të gjithë, thoshte një plak në autobus – dhe po, unë eci dhe me autobus) është mënyra sesi ai përdor pushtetin.

Dhe në këtë kuadër, fytyrat e Pavarësisë tonë janë të pista.

1 herë në 100 vjet, është mirë të mos merremi me sistemin por me njerëzit, me mënyrën si ata përdorin pushtetin. Në këtë moment qartësie, meqenëse unë nuk këndoj xhamadan e nuk përlotem në lokal për Shqipërinë, mund ta shoh qartë si po shkojmë drejt pavarësisë. Ne po shkojmë me Sali Berishën, me Ilir Metën, me Edi Ramën, me Fahri Balliun, me Lulzim Bashën, dhe nuk e keni vështirë për ta vazhduar vetë listën nën secilin. Çfarëdo përpunimi t’i bëhet “xhamadanit” këta mbeten realisht fytyra e Pavarësisë. Për të ditur se çfarë përfaqësojnë, një analizë të thjeshtë për këto 100 vjet mund ta bëjë kushdo.

Fytyra e kartëmonedhës 100-she

Pas 100 viteve, ne kemi bjerrur. Me përjashtim të televizorëve dhe elektrifikimit, gjithçka duket më keq. Pas 100 viteve, Shqipëria nuk është e jona. Shqipëria u përket një grushti njerëzish. Malet, lumenjtë e lisat nuk janë më ato të Naimit; pas 100 vitesh, janë rrethuar, mbuluar e masakruar me përbindësha prej betoni. Para 100 vitesh, një burrë ishte i barabartë me një burrë. Sot, edhe 1 fëmijë mund të jetë i pabarabartë me 100 mijë burra, varet se fëmija i kujt është. Deri dhe gjakmarrja tani pas 100 vjetësh është më keq, më paburrërore, më e ligë. Ajo është kthyer në një mjet dhune e shantazhi në vend se një peshore kanunore e së drejtës. Edhe pas 100 vjetësh, feja e shqiptarit nuk është shqiptaria.

Pas 100 vitesh, jemi ende anës sofrës së pangrënë, anës lumit të palarë, anës dijes... madje më keq, i kemi mbushur mendjen vetes se jemi të ngopur, të pastër e të ditur. Para ndonja 100 vitesh kishte një grup idealistësh që ëndërronte, shpresonte dhe punonte duke falur veten për Shqipërinë. Tani, “Punëtorëve të Rilindjes” ua kemi hequr dhe emrin te rruga, për t’ia vënë dikujt që ka interes Partia. U deshën 100 vjet për të vrarë idealizmin. Vrasësit janë fytyrat me të cilat po shkojmë drejt 100 vjetorit të Pavarësisë.

Fytyra qesharake e Pavarësisë

Standarti i ri shoqëror i sheh idealistët si budallenj. Në rastin më të mirë si naivë. Ata që korruptohen, dhe janë shumë, tallen herë me të keq e herë me dashamirësi me ata që nuk duan të përlyhen. Dhe po flas për korrupsion të shpirtit, jo thjesht për videon me bllok shënimesh. Kalamajtë që pinë cigare përpiqen me çdo mënyrë t’ua mësojnë dhe shokëve të tyre që nuk e shkelin rregullin, thjesht se i bezdis prania e dikujt që është moralisht më superior (tek cigarja, të paktën), me të njëjtin entuziazëm 3 milionë të korruptuarit e këtij vendi përbuzin ata pak që nuk konformohen në korrupsion. Fytyra e tyre, fytyra e idealistëve, e atyre që besojnë tek një Shqipëri e mirë, janë fytyra qesharake e Pavarësisë.

Më praktikët e shohin se çfarë po ndodh. Nesër, kur pushteti të bëjë rotacionin e vet, gjithçka e bërë deri më sot do të konsiderohet si “janë bërë ca gabime”. Të tjerët që do vijnë, do vijnë për të bërë dhe ata “gabimet” e tyre. Pas rotacionit, dëshira për “vendetta” do bjerë, vjedhjet e abuzimet do të parashkruhen, ata që morën copat e xhamadanit do të vazhdojnë t’i gëzojnë. Pragmatistët dhe inteligjentët e parashohin që kështu do ndodhë. Në një spirale që nuk mbaron kurrë, për poshtë.

Entuziazmi patriotik me flamuj, me kombëtare e me xhamadanin vija-vija, është një show perfekt i asaj që jemi. Na pëlqen që të marrim një dozë të lehtë e të padëmshme dashurie për Shqipërinë në pub a club (rrallë janë të identifikueshme qartë se ç’ “zhanri” i përkasin) si puna e atyre që firmosin një peticion kundër dhunës në Internet, për të menduar se e bënë pjesën e tyre. Prandaj habiten kur i shohin që ngjiren në lokalet live. Ne nuk kemi asgjë për të gëzuar në këtë Pavarësi. Asgjë për të kënduar. Asgjë për të festuar. Ne, jemi ende në pikën 0.

Zeitgeist

Unë mendoj se ka vetëm një rrugë për të rifilluar nga zero. Nëse është e vërtetë ajo që thotë Konica që këtë vend e ndërtuan idealistët... unë nuk shoh rrugë tjetër përveç kësaj. Nuk mund të ketë asnjë rilindje nëse nuk ka brenda idealizëm të pastër (budalla e naiv, siç e konsiderojnë shumica). Kjo kohë ndoshta nuk ka ardhur akoma. Me sa shoh, askush nuk e konsideron idealizmin si armë për të bindur votuesit e për të ndërtuar pushtetin. Por, ky vend nuk mund të rilindë nëse nuk vendoset një frymë e re, e bazuar mbi idealizmin e sado pak vetëve, edhe përkundrejt një shumice të korruptuar. Shqipëria nuk bëhet me kompromise. Çdo justifikim është vetëm dredhë për të mos i shkuar deri në fund.

Koncerti i “Bulevardit”

Do më pëlqente që sheshi i koncertit të Pavarësisë të mbetet bosh. Si vetë festa. Të mbesnin vetëm fytyrat e Pavarësisë mes 1000 deshëve të therur (4 desh mund të mjaftonin në atë Bulevard). Por, druaj se askush nuk do t’i rezistojë tundimit për të marrë ngrënë mish qyl e për të marrë një dozë xhamadani patriotik falas. Prandaj, mirupafshim në Shqipërinë e lirë, siç thotë një miku im aktor: “e lirë”, në kuptimin “cheap”.

Monday, November 12, 2012

Shteti dështoi? Një metodë ‘alternative’ për Lazaratin

botuar te Gazeta "Dita" më 10 nëntor 2012


Nëse do të kishim një hartë me ngjyra të Shqipërisë, kafja dhe grija do mbulonin pjesën kryesore. E kaltra do të ishte e lyer me njolla të zeza, dhe do të kishim dhe plot njolla të kuqe, duke gjykuar nga numri i aksidenteve, vrasjeve e vetëvrasjeve. Por, nuk do të mungonte një pikë e gjelbër: Lazarati, zona më bio e Shqipërisë moderne. Që shteti e ka humbur betejën me Lazaratin, kjo nuk do shumë për t’u kuptuar. Çdo turist i ngeshëm mund të hyjë lirisht e të tymosë bio pa asnjë problem në parcelat e gjelbra të Lazaratit, aty ku shteti nuk hyn dot. Dengjet me marijuanë mund të dalin lirshëm që andej, kurse një uniformë shtetërore po hyri, nuk dihet a del.
Shteti ka humbur në Lazarat. Ka humbur sepse ekonomia e tregut që kemi ngritur e bazon suksesin mbi anashkalimin e ligjit, sepse paraja komandon politikën, sepse mundësitë për mbijetesë janë reduktuar dhe mbijetsa nuk përfill moral e principe, sepse e ashtuquajtura luftë kundër drogës nuk mund të fitohet as në shtete më të organizuara, dhe mbi të gjitha, në kohën që jetojmë vetë termi i “luftës kundër drogës” është zhvilluar si koncept. Amerikanët tentuan të ndalojnë alkoolin para ndoca 100 vitesh, çka nuk i detyroi njerëzit të mos pinë, thjesht i dha shans mafias të fuqizohej. Nëse sheqeri do të dalë i jashtëligjshëm (për të mbrojtur me të drejtë diabetikët e obezët) kjo nuk do i ndalojë njerëzit ta gjejnë, thjesht do rrisë çmimin e do krijojë një parajsë të re trafiku.
Atëherë, çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar me Lazaratin?
Nuk është turp të thuash që nuk e lufton dot. Turp është ta lësh si një zonë autonome të paligjshme. Ndoshta, duhen përdorur metoda alternative. Duhet përmirësuar legjislacioni, duhet modernizuar mentaliteti e qendrimi ndaj drogave të lehta, duke liberalizuar përdorimin por edhe mbjelljen. Meqë përdorimi i marijuanës “terapeutike” po gjen gjithmonë e më tepër përkrahje në botë, shteti mund të legalizojë kultivimin në zona të përcaktuara e të monitorojë rreptësisht tregëtinë e saj. Milionat që i shkojnë mafias e që indirekt fuqizojnë anti-ligjoren, mund të hyjnë në arkën e shtetit. Meqë gjithë bota flet për cilësinë e marijuanës sonë, turizmi shqiptar mbase mund të arrijë vërtet të joshë të huaj me një agri-turizëm në Lazarat. Por, e gjitha kjo vjen duke pranuar humbjen e duke nisur një qasje të re ndaj marijuanës jo më si drogë, por si agri-kulturë. Fundja, armikun që nuk e mposht dot, të paktën bëje mik që ta kontrollosh nga afër.

Monday, November 5, 2012

KOZMIKOMIKET: Life is not Ferr

Botuar te Revista Klan, e shtunë 3 nëntor 2012
Një ngjarje që ka kaluar me pak jehonë është gjyqi që antitrusti amerikan ka ngritur kundër Apple dhe 5 kompanive të mëdha botuese të librave sepse kishin bërë një marrëveshje të fshehtë për të mbajtur të lartë çmimin e librave elektronikë duke bërë që blerësit të humbisnin miliona dollarë.
Kjo gjë tek ne ndodh rëndom. Që nga çmimi i karburantit deri tek çmimi i biletave të avionit, nga ushqimet e skaduara tek banesat me çmime anormale, mund të rreshtohen raste të pafundme ku ajo që paguan individi nuk i përgjigjet një tregu të hapur, duke dëmtuar në radhë të parë atë më të pambrojturin, atë që jep dhe paratë.
Marrëdhënien mes të fuqishmëve dhe të pafuqishmëve, mes të pasurve e të varfërve, mes konspiracionistëve (thuhet që vendimet u morën në darka luksoze e të fshehta në Manhattan) e individit, e përkufizoi në gjyq fjalia e thënë nga prokurori i çështjes së këtij komploti, i cili e quajti fiksimin e çmimeve nga botuesit dhe kompania Apple si “not fair” ndaj blerësve të librave. Kjo gjë tek ne nuk ndodh kurrë.
Lajmi në vetvete ka shumë elemente përmes të cilave mund të zbulosh disa shtresa të realitetit të shoqërisë së sotme perëndimore. Por mua më intereson pjesa “fair”, një fjalë për të cilën nuk gjeta dot në shqip një fjalë korresponduese të mirëfilltë.

Fair - fer, një fjalë e pamjaftueshme në shqip

“Diçka e ndershme dhe moralisht e drejtë” mund të ishte shpjegimi në shqip i “fair”. Por, në të ka dhe një dozë respekti për qenësinë e tjetrit. Ka dhe paanshmëri. Ka brenda dhe moral, dhe ligj.
Por, si fjala “e ndershme” dhe fjala “e drejtë” nuk e japin kuptimin e gjithësishëm dhe ngarkesën sociale që mbart fjala anglisht “fair”. Vetë këto dy fjalë janë duke u holluar pak nga pak nga konkretësia e tyre në shqip.Duket sikur shqipja nuk e mbart dot fjalën e mirëfilltë “fair” në trungun e saj. Fundja gjuha ushqen vetëm fjalët që i nevojiten për komunikimin e përditshëm e funksional të shoqërisë. Edhe në anglisht fjalën ‘fair’ mund ta shpjegosh më mirë me atë që ajo nuk është. ‘Fair’ është të mospasurit e paragjykimit, padrejtësisë, anshmërisë e pandershmërisë.
Në Kosovë e përdorin të shqipëruar nga anglishtja, “fer”.
Në shqip, sa herë dikush bën një veprim “fair” zakonisht themi, “njeri i mirë”. Unë besoj se të qenit fer është një normë thelbësore e shoqërisë njerëzore – ajo i përmbledh dhe vëllazërinë, dhe barazinë dhe lirinë. Fundja dhe liria, është një nga atributet më fer të marrëdhënieve mes shoqërisë dhe individit. Stalini mund të ketë qenë një njeri i lirë në vetvete, por askush nuk e percepton si të tillë. Liria vetë, mbase është standard kolektiv më shumë sesa individual. Pra fair-i i përmbledh të treja elementet e shoqërisë demokratike perëndimore: vëllazërinë, barazinë e lirinë.
Të qenit ‘fer’ do duhej të ishte një normë ligjore e morale, nga më të fortat. Tek ne është diçka opsionale. Një përjashtim nga rregulli. Në Shqipëri të qenit fer është një opsion që e kanë pak vetë, ata që siç thashë, kur veprojnë fer, ne i shohim me syrin e “njeriut të mirë”. Diçka jashtë normales. Gjuha jonë nuk ka një fjalë për ‘fair’ sepse ajo ne ekziston brenda nesh si normë shoqërore.

Shoqëria e individëve jo fer

Të qenit fer na mungon që në qelizë. Në Shqipëri, pritshmëria nga çdo marrëdhënie është që individi 1 pritet ta abuzojë individin 2. Ose, ky i fundit, mundet të përfitojë nga individi 1. Kur dy shqiptarë ulen përballë njëri-tjetrit për të hyrë në një marrëdhënie, gjëja që mendon secili është “ku po ma fut tjetri”. Kemi arritur në pikën që dhe kur dikush na thotë ‘mirëmëngjes’ ne vrasim mendjen ‘pse na e tha’, ‘çfarë ka ndër mend’, ‘ku deshi me dalë me këtë’. Në të tëra marrëdhëniet tona, kur punësojmë dikë ose punësohemi diku, kur formojmë një ortakëri në biznes, kur dikush troket në një zyrë për të zgjidhur një hall, në të tëra hallkat, ka pak gjasa që vendimi që të merret të jetë fer. Dhe jo vetëm fer sipas ligjeve, por edhe sipas një ndjenje të brendshme morale, që qytetarët duhen trajtuar ‘fer’. Jo më kot, fair play në një program komik ishte transformuar në ferr play.

Ferri i familjeve jo fer

Gra që qepen për të garantuar diçka që një burrë çuditërisht vazhdon e kërkon me ngulm; burra që dhunojnë e deri dhe trafikojnë bashkëshortet. Kjo është familja jonë jo-fair. Vajzat e vogla që vijnë shpesh të dytat, pas vëllezërve, në prioritetet financiare e të së ardhmes. Shpesh, janë zgjedhja e dytë që në bark. Sigurisht, jo të tëra familjet shqiptare janë kështu. Por, dhe në familjet më të mira mund të gjeni më shumë se një marrëdhënie jo-fer. Vetë fraza e vrazhdë “goca është e botës” është një premisë e trajtimit jo fair brenda familjes. Një familje jo fair, një shkollim jo fair, individë që shkolla e jetës u mëson se ‘life is not fair’, dhe ja ku jemi, kombi që nuk ka një fjalë adeguate për ‘fair’. Një komb që ashtu dhe qeveriset.

Ferri i politikës

Politika shqiptare, si biznesi më i kollajtë dhe trafiku më jo-fair i vlerave në këtë vend, është zanafilla e politikave të pandershme, e vendimmarrjeve të padrejta, dhe e përcjelljes së kulturës së abuzimit me më të dobëtin në të tërë nivelet shoqërore. Rama që hesht mbas Gërdecit, Meta me zë e figurë, Kryeministri në çdo gjë që bën, deputetët që shiten, poste që trafikohen, thasët me miell, vota që blihen a vidhen, kjo është politika e dhimbjes. Shtetasit i marrin vesh të gjitha këto, por, zyrtarisht ato nuk ekzistojnë. Ato nuk ekzistojnë sepse instrumentet e së vërtetës, mediat, luajnë vetë një lojë të pistë, jo fer.

Ferri i së vërtetës

Praktikisht, kryetarët e partive më të pasura (nuk do e keni kollaj për të imagjinuar listën) ndërhyjnë deri dhe personalisht për të diktuar linjat editoriale, madje edhe se çfarë nuk duhet të transmetohet në edicionet e lajmeve. Gazetarë emisionesh marrin zarfet përkatëse për të promovuar jashtë çdo etike e logjike gazetareske parti apo individë të caktuar. Pastaj janë dhe ata që shkruajnë me porosi. Benefitet që gëzon një grup mediatik sot, të tjerët shpresojnë t’i gëzojnë nesër, kur të vijnë ata (!!) në pushtet. Sepse, mediat dhe individët në krye të saj, e kanë shndërruar misionin e tyre në “ardhje në pushtet”.
Nga të gjitha ferret e në shoqërie jo fair, kjo e së vërtetës është më e trishtueshmja. Sepse deformimi që na kanë bërë, jo thjesht deformimi i së vërtetës, por deformimi i mënyrës sesi na kanë sforcuar ta perceptojmë të vërtetën, është krimi më i madh kundër qenies sonë njerëzore.
Mbi këtë deformim ngrihet ngadhnjyese politika e dhimbjes dhe pushteti i disa të privilegjuarve. Dhe kjo nuk mund të kalohet vetëm me një tundje koke dhe duke shqiptuar se “vetë jeta nuk është fair”.

Life is not ferr

Fraza e parapëlqyer në perëndim, ‘life is not fair’ na çon të besojmë se kështu është gjithandej. Individët që i shmangen të qenit ‘fair’ nuk mund të mungojnë në një shoqëri konsumi e cila të sulmon me nocionin e ‘loser’-it dhe ‘winner’it. Të pasurve u intereson vetëm fitimi. Fitimet ekstra nga fiksimi i çmimit të librave nuk u shkonin shkrimtarëve por shtëpive botuese. I vetmi ndryshim është se “gjithandej” shoqëria përpiqet të vërë ekuilibrues, qoftë mediat, shoqëria civile apo dhe institucionet (si anti-trusti amerikan). Tek ne kjo gjë nuk ndodh, sepse duket sikur ne nuk e ndjejmë që është e drejtë thelbësore njerëzore të qenit i trajtuar ‘fair’. Nuk është nderi që na e bën një njeri ‘i mirë’. Është diçka që na takon. “Blerësit kanë të drejtë të trajtohen ‘fair’” tha prokurori i anti-trustit.

The ferr idol

Ah, dhe një gjë e fundit. Ka diçka shumë jo fer në mënyrën sesi ngrihen idhujt. E meqë njeriu qenka kaq i prirur e jorezistent ndaj idolatrisë, për të gjithë fansat e Steve Jobsit, ai ishte pjesë e këtij komploti kundër publikut.