Tuesday, January 7, 2020

2020-a: kjo Shqipëri, duhet të vdesë.

Botuar në gazetën DITA, 7 janar 2020


Në urimet e vitit të ri, shumë njerëz patën tendencën që 2 zerot e numrit 2020 t’i zëvendësonin me 2 fytyra të qeshura, me 2 topa qelqi festivë, apo shumë objekte të tjera që duhet të të ndjellin gëzim. E kemi bërë këtë sepse shpresa, thonë që vdes e fundit.

Edhe kur hymë në 2019-n, urimet ishin po kaq pozitive, fishekzjarrët patën shpërthyer dhe shpresa nuk kishte vdekur akoma. Por, në Shqipërinë që unë njoh, 2019-a ishte një vit i zi. Këtë ma thonë të gjithë njerëzit që takoj, deri edhe shitësit e perimeve. Bizneset e vogla janë duke falimentuar, pasi krejt shteti është vënë në shërbim të një grushti njerëzish që kanë kapur të tëra monopolet, gjithë pasuritë publike, çdo copë tokë. Kushdo që gjen një shans për të jetuar jashtë, po ikën.

Ndaj, përtej atmosferës në dukje festive, të gjithë e dimë çfarë na pret në 2020-n.
Ne, si komb po kalojmë në 5 fazat e gjëmës, 5 faza përmes të cilave psikologjia e një njeriu, por me sa duket edhe ajo e një kombi u dashka të kalojë kur përballet me të Keqen.


I. Mohimi

Faza e parë është mohimi. Të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur gjithçka shkon mirë.
Një pjesë nga ne e kanë kaluar këtë fazë, por, një pjesë tjetër e shqiptarëve nuk po dalin dot nga ajo.

Vetë Kryeministri dhe megafonët e oborrit po përpiqen të ndërtojnë një narrativë të tillë ku gjithçka shkon mirë, ku ne nuk na hapen negociatat sepse Franca ka probleme me veten; ku shqiptarët që ikin e bëjnë jo sepse këtu është keq, po në Gjermani është rrogë më e lartë; ku ekonomia ka gjithmonë rritje, edhe pse kocka jonë flet për të kundërtën.

Një pjesë e shqiptarëve, e dashuruar, jo me z.Rama por me këdo figurë të fortë që sundon Shqipërinë, janë gati ta besojnë këtë. Për ta, “babai” ka gjithmonë të drejtë.

Këta njerëz, jeta e të cilëve vërtitet në trekëndëshin pension-divani i shtëpisë-televizor (ose papunësi-divan-televizor, apo dhe çfarëdo variacioni tjetër ku divani dhe televizori nuk ndryshojnë) jetojnë në një Shqipëri fiktive, në përrallën televizive të Kryeministrit. Janë si instrumentistët që luajnë valse në Titanikun që po mbytet.

Këtu kemi ardhur tek “anti-njeriu” i vitit, rubrika e përvitshme e Ditës.
Unë besoj se e Keqja te ne nuk është një njeri i vetëm, por një sistem i ngritur nga një grup njerëzish.


Njerëzit e trekëndëshit

Mjeti kryesor sesi ky grup e mban në këmbë sistemin, është propaganda. Në këtë moment të Historisë në të tërë botën, por sidomos në vende gjysëm të lira si Shqipëria, armiku më i madh i njerëzimit është propaganda. Shqiptari i varfër dhe ai i mesëm që vërtiten në trekëndëshin që thamë, sheh vetëm televizor. Televizionet zotërohen nga të pasurit, dhe jo sepse ata janë dashnorë të fjalës së lirë apo kalorës të mbrojtjes së publikut. Të pasurit, përfitojnë nga Pushteti konçensione, kontrata, prona publike e PPP-ra; dhe si shërbim duan të mbajnë sistemin të pandryshuar. Dhe kjo bëhet vetëm duke i mbajtur shqiptarët e trekëndëshit

Ndaj, tërë ditën, në lajmet tona shohim gjithsej një person ose dy që tregojnë përralla.

Në fakt, e gjithë Shqipëria sheh një kanal të VETËM: ERTV-në. Vëreni me kujdes lajmet, dhe shikoni sa shpesh logoja e ERTV-së është në TV-në tuaj. Edhe Topi, Klani e Vizioni, tashmë janë kthyer në repetitorë të sinjalit të ERTV-së.

Me ligjin e ri për censurën e medias online, Kryeministri po kërkon që shqiptarët mos të dalin nga trekëndëshi. Në Shqipëri duhet të ketë vetëm një mjet informimi, ekrani i televizorit ku mbizotëron logo ERTV. Ti, nuk duhet të ngrihesh nga divani e të dalësh në rrugë. Sepse ti, nuk ke të drejtë të inatosesh.


II. Mllefi

Janë 3 grupe njerëzish para të cilëve të gjithë jemi të pambrojtur: miliarderët e sofrës së Kryeministrit, politikanët e oborrit dhe dogjët e krimit.

Ka një mllef, një inat, një shtysë të brendshme për të mos e pranuar këtë situatë. Shumë prej nesh janë akoma në këtë fazë.

Por, mllefi jonë është i verbër, dhe mposhtja e të keqes duket mision i pamundur.

Asnjë kontratë ligjore e asnjë ligj i Republikës nuk të mbron dot para këtyre 3 grupeve që sundojnë Shqipërinë. Shikoni sesi trajtohen minatorët e Bulqizës nga oligarku që nuk ia themi dot as emrin se na heq reklamat. Me ligj, ti nuk mund ta heqësh dot Kryetarin e Sindikatës nga puna, por, oligarku që nuk ia themi dot emrin, e heq Kryetarin e Sindikatës së Bulqizës dhe nuk i bëhet vonë, sepse ai e di që në këtë vend mund të bëjë çfarë të dojë. Madje, ai ka në dorë ta shtyjë qeverinë të prodhojë dhe ligje për importim punëtorësh të urtë nga vende të botës së tretë, njerëz që nuk bëjnë sindikata e nuk dinë as shqip që të ngrenë zërin.

Përpara 3 grupeve që administrojnë Shqipërinë as policia nuk të mbron dot.

As Ambasada Amerikane apo Z. Soreca nuk të mbron para tyre. Shqipëria që unë njoh është një wild west ku këto 3 kategori janë të pandëshkueshme, dhe shteti, praktikisht administrohet prej tyre. Mjafton të shohësh ngjarjet e 2019-s dhe kjo është qartë, për atë që di të lexojë.

Por, propaganda nuk ka qëllim që ju të lexoni. Propaganda do që ju të rrini në divan e të dëgjoni përrallat.

Propaganda, ndërkohë angazhon fabrika të tëra me “komentues” që paguhen nga paratë tona (që ne i lëmë te oligarkët, ose dhe nga buxheti i shtetit) e që kanë për detyrë të sulen me dhjetëra për të më sharë e ofenduar mua e këdo tjetër që përpiqet t’ju thotë një të vërtetë alternative.


III. Pazari (Bargain)

A është e mundur që 10 oligarkë dhe 1 politikan apo 9 oligarkë dhe 2 politikanë të mbajnë peng një popull të tërë? Si mundet të themi 11 vetë të operojnë një makineri komplekse dhune dhe propagande? Si është e mundur që 2 milionë e ca vetë të përjetojnë vuajtje të vazhdueshme nga politikat ekonomike e korruptive të 11 personave?

Përgjigjja e kësaj është një pyetje tjetër. Si mundi që një njeri të piratojë një parti si ajo socialiste, dikur një parti e hapur e me kapacitete njerëzore, me alternativa e fraksione, me votime e individë të shquar, dhe ta kthejë në një ushtri të bindur servilësh dhe yesman-ësh? Përgjigjuni kësaj, dhe keni edhe përgjigjen e asaj të parës. Dhe nëse prapë nuk doni ta besoni, po jua them unë.

Ka një grup shqiptarësh, dhe jo i vogël, të cilët kanë hyrë në pazar me të keqen. Ata mendojnë që duke siguruar një llokmë për vete do kenë imunitet nga e keqja që ka zaptuar Shqipërinë. Këta nuk janë njerëz të këqinj në thelb, e as injorantë e të pashkolluar.

Ata lart janë vërtet 11 vetë, por kanë mijëra krahë e këmbë me të cilat të vënë në punë mekanizmin e propagandës dhe të shtetit të dhunës. Sikurse ata socialistë që ishin liberalë e të hapur dikur dhe u shndërruan këto vite në arrogantë e maskarenj të kohës së Ramës.

(Këtu është pjesa, që grupi i parë, ai i Mohuesve, më sulet mua dhe më bën krahasime me Berishën. Ju lutem, mos u lodhni. Rikthehuni në divan e shihni TV. Ky shkrim nuk është për ju.)

Pra, kasta e lartë me 11 vetë ka mundësuar një kastë të dytë, me qindra e mbasje mijëra vetë poshtë tyre, ku nuk rrjedh por pikon.

Por, Pazari nuk e zhduk të vërtetën e gjendjes së Shqipërisë. Musaulqinët e Erionbraçet nuk e kanë ditur që Pazari me të Keqen është thjesht një fazë që nuk të shpëton. Nga shoqërimi me të keqen, askush nuk del dot i bardhë që andej.

Të pashpresë janë edhe ata që “Pazarin” e përballjes me të Keqen e bëjnë në formë oportunizmi. Këta e dinë ku jetojnë besojnë që mund të mprehin instinktet e mbijetesës dhe të “dalin pa u lagur” shumë nga gjoli. Këta, vazhdojnë bëjnë pazare dhe në qendrat tregëtare të oligarkut që shtyp minatorët e që nuk ia themi emrin, sepse, rëndësi ka që të jetë “larg b*** time”. Ky grup shqiptarësh, shpresojnë të mbijetojnë pa dëme ndërkohë që Titaniku mbytet. Leqë, Shqipëria ime, Shqipëria e njerëzve të thjeshtë që takoj përditë nuk është as Titanik por një varkë e lodhur peshkimi që fut ujë nga të të tëra anët.

Sado pazare të bëjnë shqiptarët e kastës së dytë, Shqipëria do ta kryejë ciklin e plotë të mortit.


IV. Depresioni

Besoj që depresioni është faza e njerëzve që po kërkojnë të ikin nga Shqipëria se e ndjejnë që nuk mund të ndryshojmë dot gjë dhe se varka është e destinuar për t’u mbytur me gjithë “timonier”. Jetojmë në një kohë kur shumica e popullit beson se të jesh i ndershëm është diçka e kotë.

Ndryshe nga ç’bërtet PROPAGANDA, shqiptarët nuk po ikin në Gjermani thjesht për rroga më të mira e as vetëm për arsim e shëndetësi më cilësore. Motivi kryesor i ikjes është që në Shqipërinë e kastave, kastave të poshtme nuk u mundësohet të jetojnë me dinjitet. Po nuk ishte pjesë e 3 grupeve që kanë piratuar Shqipërinë, miliarderët e sofrës së Kryeministrit, njerëzit e oborrit dhe dogjët e krimit, shanset që të jetosh me dinjitet e integritet janë thuajse zero.

Ne jemi shndërruar në një vend ku Adi Krasta nuk gjen dot punë, sepse është kritik i sistemit dhe i duhet të emigrojë për të punuar në Kosovë.

Shqiptarët po ikin sepse jemi shoqëri në depresion dhe ikja e tyre bën që Shqipëria të dekompozohet dhe më shpejt.


V. Ta Pranosh

Stadi i fundit i përballjes me vdekjen është ta pranosh atë. Shpesh, për njerëzit nuk ka kohë. Në rastin e shteteve, kombeve e shoqërive, jo vetëm kohë nuk ka, por një pjesë e shoqërisë është akoma në stadet e tjera dhe nuk e kryen dot ciklin.

Unë besoj që Shqipëria post-enveriane që kemi ndërtuar është një shoqëri në dekompozim dhe duhet të vdesë. Ndoshta, do na shkojë tërë jeta duke jetuar në këtë trup shoqëror që po kalbet, por, ndoshta, 2020-a mund të sjellë një ndryshim. Ndryshimi, që të jemi të qartë nuk mund të jetë thjesht ndryshim emrash në majë të piramidës që pushtetit.

Ndryshimi duhet të jetë një Shqipëri e re. Një Shqipëri TJETËR. Një Shqipëri ku nuk diktojnë 3 grupime të dyshimta: milarderët e sofrës së Kryeministrit, oportunistët e Oborrit dhe dogjët e krimit.

Një Shqipëri ku nuk mund të kesh frikë të përmendësh emrin e Samir Manes që dhunon minatorët; as të denoncosh që të rinjtë që hedhin fletushka janë masakruar nga policia e tij private; e as të kërkosh të dorëhiqet Ministri i Brendshëm pasi policia e tij – jo e jona, por e TIJ – në vend që të arrestonte rojet privatë dhunues futi në burg të rinjtë… sepse hodhën fletushka!!

Kjo Shqipëri fashiste: në ekonomi, politikë, e propagandë duhet të vdesë!

Mund të më akuzoni për naiv ose idealizëm. Mos u lodhni. Do ju lutesha të ktheheni te një nga 5 fazat e përballjes me vdekjen dhe përpiquni t’i kapërceni. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë.

Pasi t’i kapërceni do të thotë që kemi PRANUAR e kemi rënë dakort që kjo Shqipëri, kështu siç është nuk duhet të jetojë. Shqipëria që njohim, Shqipëria siç është duhet të vdesë, e ne duhet ta pranojmë këtë fat.


Viti i Minatorit

Nëse ka kuptim “zgjedhja e njeriu i vitit” në një vend ku edhe shpresa shitet me doza reality show televiziv, do doja të vija gishtin tek e vetmja vatër rezistence kundër fashizmit: minatori i Bulqizës.

Shqipëria nuk ka ende një individ tjetër për të dhënë një shpresë të vërtetë. Sepse shpresa për një gjë të re duhet të nisë duke i bërë varrin të kalburës, të sëmurës, të shkretës. Dhe, personalisht do të të doja që varri i saj të nisë në Bulqizë.