Sunday, April 29, 2012

130 minuta, FarmakOFF

Farmakon është filmi i fundit në kinematë e Tiranës. Para se të shkoja ta shihja, mora të tërë llojet e paralajmërimeve nga ata që e kishin parë në premierë. Asnjë nuk më tha “shko shihe”. Dikush tha që “mund të shohësh bimët që rriten, nga planet tepër të gjata të fokusuara mbi bimësinë e Tiranës”, dikush i ra shkurt e e quajti thjesht “Farmakoff”.
Mu desh të blija përsëri 2 bileta që filmi të mund të shfaqej me minimumi 4 shikues (dita e 3-të) meqë askush nuk pranoi të vinte ta shihte me mua. Ka njerëz që thonë: “unë nuk besoj te kinemaja shqiptare”, që është pak a shumë si zhgënjimi i besimtarëve me Zotin. Të mos besosh. S’ke ç’bën tjetër.
Me këto pritshmëri tepër të ulëta, dhe vetëm me një aset të vetëm, fotografinë - nga traileri i filmit, kisha parë një fotografi të mrekullueshme, dhe kjo nuk është pak - u futa në sallë. Fundja, një sallë bosh, pa zhurma lopësh ripërtypëse është një ngushëllim. Dhe fotografia.

Gomari që ngordhi

Filmi hapet me një gomar që i presin fytin. Ka vetëm dy alternativa, ose ky ëshët një film shokues, dhe regjisori me këtë imazh të paralajmëron, ose është thjesht një “gjetje” cheap.
Duke parë zhvillimin e filmit - aty nuk ka asgjë shokuese, por përgjumëse - hapja me fytin e prerë të gomarit është një provokim i panevojshëm, madje banal. Mënyra e xhirimit të kësaj skene më duket amatoreske, dhe tashmë unë e di sesi do jetë filmi.

Gjërat pozitive

Normalisht, në çdo film, më pëlqen të amplifikoj gjërat pozitive në fillim për t’i lënë në fund defektet. Por, ky film nuk ka asgjë për të amplifikuar. E vetmja gjë pozitive është fotografia, dhe në titrat e mbylljes shoh që Drejtor Fotografie është një korean, Ji-Hvvan Park dhe një izraelian.
Fotografia është aq e bukur, sa më vjen ideja që filmi do të qe më i bukur pa njerëz, pa ato dialogje pa sens, pa ata personazhe që jepen me orë të tëra duke ngjitur e zbritur shkallë. Pa njerëz, këtë film mund ta pëlqesh, sepse aty ka një Tiranë të fotografuar mrekullisht nga një izraelian e një korean.

A ka vërtet një mafie ilaçesh?

Filmi, me pak fjalë flet për një mjek që ka një farmaci ku sjell ilaçe të skaduara, e që ia ka lënë të birit, Brankos (Kastro Zisos), në menaxhim. Mjeku, i quajtur Sokrat (Niko Kanxheri), 40 vjet në spital, tenton të abuzojë një infermiere, Sarën (Olta Gixhari), që e ka studente dhe që ka nënën sëmurë. Djali, bie në dashuri me këtë vajzë.
Më duket gjë e mirë që nëna e sëmurë nuk shfaqet asnjëherë. Por, nëse personazhet nuk do e përmendnin në biseda fjalën “spital” e “ilaçe”, asgjë në këtë film nuk e sjell spitalin apo farmacinë. Filmin e bën veprimi (ajo që personazhet bëjnë) dhe jo bisedat (ajo që personazhet thonë). Dhe në këtë film, nëse ata nuk do flisnin për ilaçe, spitali nuk ekziston.
Ajo që mbetet është një konflikt mes atit e birit, në lidhje me një vajzë.

Marrëdhëniet e lëna në mes

Në film vetëm flitet për gjëra, e thuajse asgjë nuk ndodh. Sepse, futja e dalja e Sarës nga dushi, ngjitja e zbritja pafund e shkallëve, lektisjet me minuta të tëra nëpër ullishta, nuk janë ngjarje. Të shohësh për 5 sekonda një derë të mbyllur, është nonsens. Të tregosh për minuta të tëra sesi Branko tenton të fusë një kryq plastik të farmacisë në makinë, për ta çuar s’dihet se ku, e s’merret vesh pse, e kaq, iku një sekuencë, është ofendim për publikun.
Asnjë marrëdhënie nuk është ndërtuar e saktë e e plotë. Se, regjisori është argëtuar me filmime natyre apo ngjitje shkallësh.

i ati e shan të birin drogaxhi, por ne nuk e shohim në asnjë moment të jetë i droguar, djali e akuzon për ilaçe të skaduara, po ne nuk shohim askënd të hyjë në atë farmaci e t’i blejë ato ilaçe (ku nuk ka as shitëse, ndërsa një djalë i shkolluar për fotografi nuk lejohet ligjërisht të shesë).
Marrëdhënia e Brankos me fotografinë nuk vjen, është një stisje artistike. Marrëdhënia e tij me luanët apo me kopshtin zoologjik, prapë nuk vjen.

Se ç’është një lypës i vogël që vjen vërdallë, po ne nuk arrijmë kurrë ta duam atë e as ta njohim vërtet.
Një roje i futur me sforco për të zëvendësuar babain, ngjan qesharak, kur nuk e shohim të punojë, por të bredhë pishinave, restoranteve majë malesh, të ruajë kush hyn e del te Sara apo të bëjë ballafaqime qesharake me shefin e një spitali bosh.

Marrëdhëniet në këtë film vetëm “fliten”, nuk ndodhin!

Çfarë halli ka ky djalë?

Personazhi kryesor të krijon idenë se vuante nga “mërzia e një të droguari”. Bota e tij, është një botë e mpirë, plot mërzi të kotë. Sikurse të droguarit i vijnë muhabetet përgjysmë, ashtu në këtë film ishin lënë përgjysmë të tëra bisedat. Një mërzi e pakuptimtë.
Madje, edhe personazhi i “keq” i luajtur nga Niko Kanxheri, nuk vjen dot i keq... Ka çuar fëmijën në Amerikë të shkollohet; nuk ka benz superluksoz si çdo shef reparti, por udhëton me makinën e rrënuar të të birit ose me ambulancën e punës; kujdeset për një kanarinë... (sa rrugë e gjatë për tek ai zog i shkretë!) Një fëmije narkoman, t’i japësh farmaci... T’i blesh shtëpi në Durrës ku ai të shkojë me vajzën që ke qejf ti, t’i blesh dhe shpi të re në Tiranë... Kush vallë do e merrte inat këtë baba?

Produksioni

Filmi, na kujton se në Shqipëri ka nevojë urgjente për 2 specie, producentë e skenaristë. Në rastin e këtij filmi, produksioni mban përgjegjësi të mëdha.
Është detyra e producentit të ulet e ta shohë filmin e mbaruar, para se të na e servirin ne, dhe tia rikthejë regjisorit në montazh. Është puna e producentit dhe jo e montazhierit, të kuptojë që ky film nuk mund të jetë 130 minuta, kur ka vetëm 30 minuta të vlefshme. Jo një orë. As 70, as 90 minuta. Nga ai film, ka maksimumi vetëm 30 minuta të vlefshme, dhe respekti për kohën e publikut është esencial.
Është detyra e producentit, mqs, regjisori mund të jetë i dashuruar shumë me ‘kryeveprën’ e vet, të kuptojë që në atë film ka skena pa sens, që nuk thonë asgjë, ka minuta të tëra pa vlerë, që na vjedhin kohë. Pasi i keni marrë publikut 5mijë lek, nuk mund t’ia vidhni dhe kohën.

Muzika, etj

Nuk ka shumë vend për të folur për lojën e aktorëve, sepse as Niko Kanxheri nuk ka se ç’sajon me atë personazh.
Muzika origjinale e filmit, nuk më dha asgjë ‘origjinale’, më ngjau thjesht si shumë muzika të tjera.
Ishte qesharake përdorimi i saj, në skena ku nuk ndodh asgjë. Një burrë sheh për sekonda të pafundme nga ballkoni, e në sfond nis një muzikë plot tension dramatik. Ti kujton se ç’do ndodhë tani, thua ‘më në fund!’ pak konflikt, por jo, ai burri do zbresë prapë shkallë pa fund e do ngjisë shkallë të tjera... pa pikë drame!

Nonsenset

Allogjizmat e filmit, janë pjesa më argëtuese. E vetmja mënyrë për të shtyrë kohën. Po shtroj disa, ato më kryesoret.
Babai i ka dhënë një gazetareje numrin e të birit që ajo ta pyesë për mafien e ilaçeve (dmth për të atin)?? Kush të lë të japësh gjak me tatuazhe? Polici mondan që hante darka në vendet përrallore në male... Kush të lë të futesh te luanët ashtu? Një vajzë që punon dy punë, me turne, pse nuk e shohim kurrë në punë por vetëm nëpër pishina, pyjeve në shëtitje, apo duke bërë maska balte? Pse një zog që pacientit i lejohej ta mbante, shefit të repartit nuk i lejohet?? Pse të tërë ecin lart e poshtë, kur në fakt s’kanë ku shkojnë? Pse i binin nga Farka për të shkuar në punë? Apo se ngjan bukur?

“Ti je q... me Sokratin?”

Çuditërisht, e vetmja skenë që mbart emocion, më duket ajo që të tërë e kanë urryer. Skena ku gjatë intimitetit, Branko e pyet Sarën (nja 10 herë, por mund të kenë harruar të heqin dublat) “Ti je q...” me Sokratin. Normal që pas një filmi ku nuk ndodh asgjë për 2 orë, në 10 minutat e fundit është e pamundur ta ndezësh publikun. Megjithatë, kjo skenë mua më pëlqen. Ka emocion. Më pëlqen sepse është i vetmi rast kur mund të penetrojmë brenda pasigurive të Brankos. Në këtë skenë, ai është i brishtë, është thjesht një mashkull që do, por dhe nuk do ta dijë të vërtetën, që do që ajo ta dojë, por do që të jetë dhe posedues. Në dukje, duket se ai e zotëron atë, por thellë, ai është një fëmijë që nuk arriti kurrë të fitojë pavarësinë nga i ati.
Këtu duhej të mbyllej filmi.
Por, dhe këtë skenë, regjisori e shkatërron, duke i mbivendosur një finale qesharake.

Pushka finale

Finalja, është tashmë një “shkollë” e filmit shqiptar. Për ta bërë dramatik filmin, duhet o ta vrasim, o ta vetëvrasim, o ta hajë luani... personazhin kryesor. Kujtoni filmat e fundit shqiptarë që keni parë. Përherë dikush do vdesë. Ta bëjmë dramë, një gjë që nuk e ke bërë dot dramë për 130 minuta.
Shkolla shqiptare, këto 20 vjet ka shpikur “Zgjidhjen suliote” me hedhje nga shkëmbi...

Wednesday, April 11, 2012

KOZMIKOMIKET: “Viktima e vetme e revolucionit tonë seksual”

botuar në revistën Klan, e Shtunë 7 Prill 2012

Duket sikur po kalojmë një revolucion seksual. Si përherë, më vonë se shtetet e tjerë e ndoshta, atëherë kur nuk i nevojitet kujt. Megjithatë, sikurse marinarët gënjehen për tokën kur shohin një shpend majë direkut, ashtu dhe neve, këtë pranverë na u shfaqën 3-4 zogj: një çift bëri seks në një reality show, një paradë gay ka ndezur pasionet e fjetura të pleqve të politikës, dhe fotot intime të një femre tjetër u publikuan nga media.
Revolucioni seksual mund të mos vijë me kaq pak elementë, por, mund të fillojë me to. Me 3 dallandyshe mund të kujtojmë seriozisht se erdh pranvera.

1. Seksi në ekran dhe prindërit në shtëpi

Seksi i një çifti në një reality show, kaloi ashtu siç pritej. Prindërit e ndershëm të këtij vendi, u qetësuan se imoraliteti ka zënë vend te të tjerët, ndërsa fëmijët e tyre “nuk janë nga ato”. Problemi i prindërve tanë, është që nuk kanë arritur ende të bëjnë ‘update’ me kohën e re që ka ardhur. Kujtojnë se fëmijën e prish shkolla e lartë, ndaj nuk i çojnë vajzat për tu shkolluar në Tiranë, ndërsa kujtojnë se i kanë të sigurta me akauntet e tyre të FB e me celularët e fshehur prej nga vajzat prostituojnë me formulën “më hidh 10m lek në celular që të njihem më mirë me ty”; mburren se djali nuk pi duhan (në sy të tyre) ndërsa ai tashmë nuk rrinë dot as pa të ‘bardhë’; gëzohen që vajza nuk ka të dashur, kur, as ia kanë idenë se në ç’makina hipën ajo kur shkon e del nga shkolla. Prindërit, nuk arrijnë të kuptojnë që të bësh seks është thjesht një realitet që ata nuk e kontrollojnë dot. ‘Veset’ e dënueshme të kohës së sotme nuk janë ato të kohës së tyre. Fëmijët e të tërëve bëjnë seks në forma e me njerëz që prindërit, po ti dinin, do mbushnin spitalet.

Gëzimi i çuditshëm që fëmija e tjetërkujt paska bërë seks në një reality show, se ‘i imi s’bën nga këto’, është gëzimi i orkestrës që i bie veglave ndërsa Titaniku po mbytet.
Kjo dallandyshe, për fat të keq, nuk sjell dot revolucion seksual. Revolucioni i drogërave, parave të pista e pushtetit të blerë, i ka paraprirë atij. Shthurja morale e seksuale ngjan më shumë si revolucion agrikulturor sesa seksual. Ajo ndodh në shtëpitë tona më shumë se në TV.

2. Propagayanda

Parada gay, po shkakton shumë zhurmë. Të tërë, paskan diçka shkencore për të thënë. Në fakt, nuk ka të bëjë me shkencën sesa me konceptin tonë mbi lirinë e njeriut për të bëër me trupin e tij çfarë të dojë, e për të dalë në bulevard me flamurë çfarëdolloj ngjyre. Madje, përveçse jo shqetësim, mua më duket një ditë e gayzueshme.
Por ja që ca pleq, të cilët nuk duken as mendërisht fort stabël, disa edhe në pozita të larta shtetërore, gjetën rastin të bëhen të famshëm për 15 minuta e të vihen në qendër të vëmëndjes duke lëshuar nga goja teza vulgare homofobe. Më shumë se homofobi, e tyrja, është gjithçka-fobi. Standarti i debatit mediatik u ka lejuar shumë njerëzve ta përdorin median si luftë me topa balte kundër kujtdo që është ndryshe, në mendim, në sjellje, në votë, në etni e gjuhë. Ne jemi par exellence një vend përjashtues. Jemi vendi, ku të paktën njëqindmijë qytetarë të Tiranës thanë (disa edhe tekstualisht) për 4 viktimat e 21 Janarit, “mirë ua bënë!”.
Kjo do ta kish bërë Shqipërinë një ferr të vërtetë. Por, për fat, jemi popull që frazën e preferuar kemi “...larg b*** sime”. Indiferenca reale shkon krah për krah me ekstremizmin tonë verbal.

Andaj, përveç logorresë mediatike, kemi dhënë fakte konkrete që asgjë nuk na bezdis mjaftueshëm sa të dalim e të protestojmë. Prandaj, popullata gej, në këtë pikë, mund të rrijë e qetë. Jo se ndonjë gej nuk do të ketë konfrontim fizik. Ky i yni është një vend ku kushdo mund të hajë dru, dhe jo vetëm homoseksualët. Të ngresh dy gishtat përpjetë në rrugë të hyjnë me çadër, të shpallesh i majtë në ca komuna të veriut të tregojnë plumbin jo drurin, të jesh duke ecur në bulevard me duar ndër xhepa, druri është luks, sepse edhe të vrasin.

Për tu kthyer tek revolucioni seksual, pavarësisht se duket se diçka e madhe po ndodh, në fakt, është vetëm nevoja jonë për të shkrythur gjuhën dhe nevoja e disave për të na hequr mendjen nga problemet madhore që po kalon vendi. Një paradë nuk është revolucion sepse së pari revolucionin nuk e bëjnë pakicat. Pakicat, maksimumi bëjnë grushte shteti. Së dyti revolucioni çon në ndryshime drastike të shoqërisë. Për të mos përsëritur idetë që kam hedhur tek kozmikomikja: “Të jesh ‘burrë’ dhe homoseksualiteti ”në revistën Klan të para disa javëve, ajo që mendoj se jo vetëm komuniteti gej por çdo komunitet tjetër duhet të bëjë për të ndryshuar shoqërinë, është të fillojë një evolucion në vend të revolucionit, një ndryshimin që nis së pari nga vetvetja.

Duke parë debatin që po zhvillohet në korridore shumë të ngushta (idesh), më krijohet përshtypja që të qenin gej disa po tentojnë ta kthejnë në profesion, me formulën, “unë jam gej, dua rrogë tani”. Prandaj edhe kjo dallandyshe nuk sjell pranverë.

3. fotot me pullë të kuqe

Para pak ditësh, një (ose disa media) nxorën disa foto private intime të një konkurenteje në një reality show. Duket sikur po jetojmë në perëndim, ku herë pas here del ndonjë video ose foto kompromentuese e një personazhi të famshëm e që ka si publik kryesor masën e meshkujve seksualisht kuriozë. Por, në fotot në fjalë nuk kishte asgjë as seksi, e as erotizuese, nuk kishte as lajm e as kronikë. Ishin thjesht gjëra private, që në mënyrë të dyshimtë kanë rënë në dorë të medias, por megjithatë media e nxori. Fotot, maksimumi ngjallën pak kuriozitet morboz, ndollën një valë gjykimesh e paragjykimesh ndaj individit që kishte dalë në to, dhe kaq. Edhe këtu duket se nuk ka asnjë revolucion seksual. Dolën ca foto, pamë ca gjëra, e çë?

Deri këtu duket sikur nuk ka gjurmë të revolucionit seksual. Por, ka vend për të ngritur një pyetje njerëzore.

4. dhuna me lejtmotiv seksual që nuk shqetëson kënd

Dalja e këtyre fotove më është dukur shumë shqetësuese.
Aty ka një dhunim të paprinciptë të privatësisë së individit e të jetës së tij private. Ato foto, mund të harrohen nga publiku, por jeta e personit dhe familjes është shkatërruar tashmë pa kthim.
Në ato foto nuk kishte asgjë me interes shoqëror. Nuk bëhej fjalë për ministra që abuzojnë me postin seksualisht apo me bllok rryshfetesh. Në çdo vend të perëndimit, ato foto nuk do ishin botuar, ose do kishin përfunduar në gjyqe me shuma të majme. Njeriu nuk është mace që ti i gjuan me shqelm kur je me nerva. Jeta e njeriut, nuk mund të shkatërrohet kaq kollja sepse ti do të shesësh 200 opje më shumë gazetë.

Nga ana tjetër, media jonë posedon plot fakte korruptive, foto, video e dosje, e nuk i boton. Nuk ia mban. Këtu, mund të dhunosh vetëm ndonjë vajzë periferie të pambrojtur, po jo krokodilë të mëdhenj majë piramidës.

Po atëherë, nëse je i vetëm e pa mbrojtje, kush do të të mbrojë?

5. Fati i vajzës në duart e kaosit

Botimi i atyre fotove më është dukur kriminal.
Por, nëse falangat e pushtuesve të hapësirës mediatike e të debatit mezi presin siç thashë më lart të shkrythin gjuhën për të diskutuar të drejtën e ministrave për të (mos) u xhiruar në korrupsion ose abuzim seksual, këtu heshtën.

Etërit e medias nuk dolën për të diskutuar sa etike ishte botimi i tyre. Kanë halle honoraresh.
Shoqatat e grave kanë halle fondesh dhe trafiku influence. Gejtë s’kanë punë me të, se është hetero.
Ambasadorët kanë qenë të zënë. Plus që ... ajo është hetero!

Prokuroria ka halle të tjera. Fundja, ligjet janë të paqarta, dhe në realitetin shqiptar, viktima dhe familja e saj ndjehet fajtore dhe nuk ka guxim minstror për të hedhur median në gjyq apo abuzuesin.

Fundja, këtu, cënohet vetëm një individ pa mbrojtje, pa mbështetje, pa para, dhe askush nuk ka motiv real ta mbrojë. Mbrojtja e asaj vajze të varfër, dhe e familjes së saj atje larg në periferi, nuk është në axhendë.

Këtu duhet të nisë revolucioni i vërtetë seksual.

6. Revolucioni im seksual

Në 2012, nuk ka më vend për revolucione seksuale. Ne e kemi humbur atë tren para 40 e ca vitesh. Për fat të keq revolucioni ynë shoqëror mbi seksualitetin është thjesht revolucion industrial: pronësia mbi mjetet e punës; dhe debatet tona reduktohen tek frikërat tona ekzotike.

Por, ne akoma mund të bëjmë një hap të vogël por çlirues: të mbrojmë jetën intime të individit, të drejtën e tij për të bërë ç’të dojë me trupin e vet. Të drejtën që jo çdo horr që shtie në dorë fotot e tua mund ti çojë në gazetë, se ashtu i do qejfi. Duke vendosur një standart me rastin e vajzës që dhunuar nga një media, mund të kishim vendosur një standart për krejt shoqërinë, edhe për gejtë, edhe për gratë, edhe për këngëtarët, edhe për fëmijët e së nesërmes.

Revolucioni im seksual nis u çjerrë jo kundër a pro një parade, po duke bërtitur për jetën e një njeriu të vetëm e të pambrojtur.