Wednesday, January 6, 2016

Njeriu dhe Anti-njeriu i vitit 2015

Kërkuar nga gazeta DITA për të dhënë një opinion mbi Njeriun e Antinjeriun e vitit 2015, më poshtë është shkrimi i plotë

Mes njeriut e antinjeriut
Ndërsa nuk kam asnjë lëkundje për anti-njeriun vitit, kam një boshësi të skajshme për Njeriun e 2015-s. Këtë vit, nuk gjej dot asgjë e asnjë që të më frymëzojë. Madje, në 2015-n edhe njerëz që i kam pasë admiruar apo respektuar në mjekësi, administratë, muzikë, kinema e kudo tjetër më kanë zhgënjyer thellë. Nuk mund t'ia jap Njeriun e Vitit as trainerit e as kombëtares, sepse më së paku më duken thjesht njerëz që bëjnë punën e tyre e jo sakrifica të skajshme. Nuk mund t'ua jap atyre përderisa rruga jonë drejt Francës ka ca njolla të errëta për të cilat pseudonacionalistët gojëndyrë të rrjetit nuk lënë gjë pa të thënë po i zure në gojë. Mund t'ia kisha dhënë atij njeriut të panjohur që shpëtoi një fëmijë që po mbytej në Liqenin Artificial e që humbi jetën sikur ngjarja të mos kishte ngjyra aksidentale; mund t'ia kisha dhënë atij lojtarit që mbrojti flamurin në stadiumin e Partizanit të Beogradit (fundja e vetmja gjë që na ka mbetur është ajo copë beze) sikur të kishte qenë vërtet flamur; mund t'ia kisha dhënë Albin Kurtit sikur të kish qenë pak më sekular e jo në aleancë politike me Haradinajn. Në mungesë të diçkaje që realisht të më frymëzojë, më duhet të shpik një Njeri të Vitit.

Njeriu i Vitit
Njeriu i Vitit 2015 për mua është Ikanaku. Ai që iku për të mos u kthyer më, i qartë për të pastruar banjot e botës sesa për të jetuar tërë jetën në një gropë thithëse pa shpresë. Juve mund t'ju duket se ai që ikën bën zgjedhjen më të thjeshtë, unë mendoj se bën zgjedhjen më të vështirë. Gjëja më e vështirë – sidomos për njerëz si ne kaq të lidhur mbas tokës e njerëzve – është të ikësh pa e kthyer kokën pas. E trishtueshme është që ata po ikin në kërkim të një jete më njerëzore në një kohë kur asgjë në botë nuk të josh më si ëndërr. Por prapë, çdo vend i lodhur në Evropë duket më i mirë se ky ku u lindën e u rritën. Bashkë me ata që po ikin me mijëra përditë, janë edhe Njerëzit e këtij Viti e Viteve të tjera, njerëz që mund të kishin bërë diçka fryëzuese për ju e për mua e për këtë vend, por, nuk ishin e nuk do jenë këtu për ta bërë. Ikanaku është Njeriu im i Vitit, me lot në sy.

Antinjeriu
Në çdo rast do kisha qenë kundër përdorimit të emërtimit Anti-njeri, sepse për të merituar këtë damkë çnjerëzore duhet të jesh Hitleri ose Mollosheviçi, dikush që ka tentuar të çrrënjosë bazat e elementit njerëzor. Por, në këtë rast mendoj se janë pjekur kushtet që të mund të flasim pikërisht për Anti-njeri të vitit në Shqipëri, për njerëz që po heqin bazat e çdo gjëje njerëzore të jetës në këtë vend. Nëse Ikanaku është Njeriu im i vitit, ai që po e përzë atë, jo me stil Millosheviçi por në mënyrë më perfide, thjesht duke ia vrarë shpresën, është Anti-njeriu. Do ishte shumë e thjeshtë të përfshija klasën politike e t'i quaja Anti-njeriu. Por, unë mendoj që krimi ka gjithmonë emër dhe duke e trajtuar në grup vetëm u kemi dhënë mundësinë fajtorëve të fshihen pas asaj ose atyre që vetë kanë krijuar. Mes Edi Ramës e Ilir Metës, të dy të kualifikuar me notë maksimale për këtë post, vendin e Antinjeriut të Vitit ia jap Ilir Metës. Thjesht sepse në përceptimin tim e shumë të tjerëve ka më tepër pushtet real sesa Edi Rama, por edhe për faktin që ai ka arritur në finale të Anti-njeriut herë tjetër edhe me lojtarë të tjerë klasikë të Anti-njerëzimit si Sali Berisha. Shteti prej nga ku Ikanaku arratiset është i dështuar dhe faji për këtë ka një emër, emrin e atij që ka më tepër pushtet në këtë vend. Mund t'ju kisha folur për banditizmin e plaçkitjen në nivel shtetëror, për deformimin e drejtësisë, për shitjen e votës, për blerjen e medias, për rininë fashiste, për krijimin e një koncepti të ri shkatërrues për një shtet, atë të votuesit-klient... Por ju këto i dini. Duhet vetëm t'i vini emrin sipër.