Monday, November 29, 2010

Muzikë, Maestro!

Botuar te Shekulli, e Hënë, 29 Nëntor 2010

"Muzika nuk tradhëton, muzika është pikëmbërritja e udhëtimit. Muzika, është vetë udhëtimi." shkruan Giorgio Faletti tek "Io Uccido". Një DJ vrasës që lë indicie muzikore para vrasjeve të veta.

Mund t'i shpëtosh ata njerëz, po arrite ta zbërthesh muzikën.
Po tek ne, a prodhohet muzikë nga ajo që lë gjurmë, si tek "Io Uccido" të mund të përdoret qoftë edhe nga delikatesa e një vrasësi?
Kam frikë se jo.

Testi i vërtetë për muzikën janë klubet ku këndohet live. Dhe në live, këndohen këngët shqipe që vijnë deri në 98-n. Pas 98's, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, ka vetëm black out. Dhe live-in e mbizotëron "Margherita", himni ynë kombëtar!
Vitet 1998-2010, vitet kur kemi prodhuar muzikë sa 300 vjet bashkë, janë vitet që nuk po lënë pas asgjë.

Kjo, sepse muzika vidhet, dhe sepse muzika ka nisur të shërbejë më tepër si një vitrinë prostitucioni artistik.

Edhe kantautori im i preferuar, me sa duket vjedh. Më afrohet para disa ditësh një mik dhe sikur të më jepte një lajm vakie, më tha pikërisht këtë.
Kantautori im i parapëlqyer, vidhka muzikë.
A ka ndonjë shans për të që të shpëtojë shpirtin?

ARTI VIDHET MË KOLLAJ SE SUFLAQET

Një hajdut banke që largohet me 4 milionë të vjetra, është super-lajm. Rri në faqet e para të gazetave me ditë e javë.

Një kompozitor që vjedh?! Për t'u gajasur! Ç'të keqe ka këtu? Vidhka muzikë? Po punë e madhe, sikur vodhi ndonjë bankë! Le që ky nuk është as i pari dhe nuk ka për të qenë as i fundit. E dimë të gjithë, dhe nuk na bëhet vonë.

Unë nuk e kam hallin edhe aq te hajdutët, sesa tek ata që vidhen. Vjedhja e muzikës na pengon që të admirojmë autorët e vërtetë, qofshin këta bullgarë, turq, algjerianë apo francezë. Dhe më e keqja, vjedhja e muzikës nga disa e bën të pamundur mbijetesën për ca të tjerë. Fakti që disa hanë bukë duke vjedhur e bën të pamundur që kushdo të hajë bukë me djersë (për aq sa mund të djersisë një artist në Shqipëri).

Artistët e vërtetë, po pati mbetur akoma ndonjë, nuk mund të mbijetojnë përballë ritmit "kreativ" të hajdutëve. Ti bën një këngë të mirë në muaj, ata "krijojnë" 10 të vjedhura në ditë!

Hajdutët, në fakt, vjedhin jetën e të tjerëve.
Prandaj, edhe më i ndershmi do vijë një ditë që do detyrohet të mbijetojë duke vjedhur.
Po atëherë, si është e mundur që askujt nuk i bëhet vonë kur merr vesh që një kompozitor/këngëtar vjedh në mënyrë të pacipë?

Si është e mundur që media e konsideron akoma të suksesshëm? Si është e mundur që ka njerëz që "vdesin" akoma për të? Si është e mundur që shoqata për mbrojtjen e të drejtave të autorit nuk bën një denoncim?
Sepse, vjedhja është nder!

NJË SINGLE, CA SINGLE, SHUMË SINGLE...

Vjedhja është nder. Ja, shikoni më të suksesshmit në treg. Janë ata që vjedhin më shumë!
Dhe vjedhja ka prodhuar një fenomen sa qesharak aq edhe të mjerë, fenomenin: "single".
Single - dmth një këngë teke.

Kushton lirë, dhe garanton famë të menjëhershme.
Një artist i vërtetë normalisht shkon te fansat e vet me një album, një produkt integral për të cilin punohet me muaj e jo rrallë edhe 1 vit ose më shumë. Artistët tanë të futur në furrë brenda natës, të pagjykuar nga institucionet apo morali i shoqërisë vjedhin një këngë në 3 ditë dhe ja ku janë, të famshëm për një javë.

Tërë ditën në TV, në gazeta, gjithandej. Në majë të famës. Shpesh, me një "single" të vjedhur.

EMIGRANTËT DHE YJET PREJ MËMËDHEUT

E gjithë loja e "famës" dhe "single"-ve pa fund, nuk është gjë tjetër vetëm lufta e pandershme për të marrë me çdo kusht tregun e vetëm që ekziston. Atë të diasporës.

Këngëtarë apo këngëtare që nuk janë në gjendje të këndojnë pa playback as në dush, që skena e live-it e Tiranës i ka spost'uar me mëshirë, janë "yjet" e koncerteve në diasporë, koncerte shumica e të cilëve bëhen në salla kafenesh apo bilardosh. Problemi nuk është te sallat (muzika e mirë fundja, më shpesh luhet në metro) por tek abuzimi këtë rradhë me mallin e disa njerëzve.

Ajo që u ofrohet emigrantëve (në shumë raste) është abuzim i pastër me dëshirën e tyre për të parë një copë Shqipërie, për të shlyer mallin apo pengjet që kanë ndaj vendit ku kanë lindur.

Prandaj ia vlen të investosh në një këngë, në një video, në një single dhe aq. Sa të të shohin në youtube në diasporë.
Eurot e dollarët fluturojnë mbi skena si në dasëm! Dhe askujt nuk i vjen ndoht t'i mbledhë përdhe.

1000 FANS

Shqetësimi im i vërtetë sot nuk është as shija e keqe që është ndërt'uar në muzikën shqiptare këto 10-12 vitet e fundit, e as "përfaqësuesit" e saj.

Shqetësimi im është si mund të mbijetojë një artist i vërtetë, pa qenë nevoja të vjedhë muzikë.

Por ne këngetarët tanë i kemi burgosur në bare-pube ku këndohet live. Ne shpenzojmë minimalisht 2000 lek në natë në një pub që këngëtari ynë i preferuar (në shumicën e rasteve) të mos këndojë këngët e tij, por repertore të huaja, shtampë, duke e shndërruar atë në marionetë të shijeve masovike. "Po s'këndove Kalinkën ikin klientët". O burra, Kalinkën! Pa harruar Margheritën e shkretë, që e këndojmë në Shqipëri më shumë se në Itali.

Atëherë çfarë duhet të bëjë ky artist për të mbijet'uar në Tiranë?
Kam përshtypjen se nëse një kantautor do të kishte 1000 fansë të cilët janë gati të shpenzojnë 5000 lek të reja për të në vit, ky artist do mund të mbijetonte.

Sikur, të hiqnim dorë nga 2 fundjava në vit të kaluara në pub/club, dhe t'i shpenzonim për të blerë CD-në e re të artistit jo me çmimin e një palë çorapesh, por me një çmim më të denjë; sikur të pranonim të paguanim një biletë koncerti makar dhe në një pub, për të suport'uar artistin që të luajë muzikën e vet; sikur të blinim objekte të tjera me logon e albumit a të artistit, qofshin bluza, mbajtëse çelësash apo tasa çaji...
Sikur... atëherë, artisti nuk do të vdesë.

Por, ne na vjen turp të veshim bluza me logon "Djemtë e Detit", se mos na tallin, ndërkohë që ka djem e vajza në bllok që u duket tendencë të veshin bluza me Megan Fox. Ne presim që albumi të dalë pirat në tezga apo në Internet që ta marrim falas, se nuk jemi budallenj ta blejmë.

Ne na duket krim kur na vënë biletë për të hyrë në një pub për bendin që luan live, ndërsa paguajmë bileta të kripura për të parë një DJ anonim nga Polonia që luan 90 minuta në një pishinë, sepse kjo është trendy.

Meqë ra fjala, Djemtë e Detit kanë nxjerrë album, "Epos". Sa nga fansat e tyre apo të asaj rryme e dinë këtë, le më që ta kanë blerë albumin?!

Ama, që filan këngëtare ka bërë gjoksin dhe një këngë të re... këtë e dimë të gjithë! Kjo e fundit nuk na kërkon ta sponsorizojmë. Kjo e ka gjetur tregun dhe sponsorët e saj me investimin e vet.

Unë nuk pres, e as nuk dua që Djemtë e Detit të bëhen "mainstream" - grupi a muzika e pëlqyer nga të gjithë - e as të spostojnë turbo-folkun nga moda.

Unë thjesht dua që ata dhe arti i tyre, sikurse dhe i shumë artistëve të tjerë pa gjoks të bërë, të mbijetojnë. Dhe për këtë, duhen vetëm 1000 fans!
1000!

1000 vetë që të duan dhe që janë gati të shpenzojnë për ty, duke blerë CD-të e t'ua apo bileta për në koncertet e shfaqjet e t'ua. Me kaq, shpirti i kantautorit shpëtohet, ai nuk detyrohet të vjedhë.

Kaq i mjaftojnë të punojë i qetë që ata 1000 t'i bëjë 5000 apo 30000 fansë.

MUZIKË FURGONI

Çuditërisht, ata që e mbështesin më pastërtisht muzikën janë shoferët e kamionëve e furgonëve të rrugëve të largëta. Ata e blejnë pa u menduar gjatë kasetën me artistin që u pëlqen, ndryshe nga neve, njerëzit e Internetit e të Bllokut, që kemi zbuluar parajsën e shkarkimit pirat të këngëve në mp3.
Prandaj këngëtarët e fugonave do të mbijetojnë në treg. Sepse, ata që i duan, i duan me të vërtetë e janë gati të shpenzojnë për ta.

Ky është turpi ynë para atyre shoferëve të Kukësit. I yni, që ankohemi për "këngëtarët e fugonit", por nuk u japim shans artistëve që ne pëlqejmë që të mbijetojnë.
Përndryshe ata e kanë një zgjidhje alternative. Të vjedhin.

Sunday, November 21, 2010

LETËR RENËS

Botuar te Shekulli, E diel, dt 21 Nëntor 2010

Njerëzit që më pikëllojnë më shumë në komentet mbi Tartat janë atë që pyesin: “Ke zgjidhje për këtë?”. Më pikëllojnë, sepse këta njerëz janë si unë. Ata e dinë atë që po shkruaj, thjesht e verifikojnë dhe te dikush tjetër. Atyre, u duhen zgjidhjet. Si ta zgjidhim këtë të keqe që na ka kapur për fyti?
Dhe në blogje të tjera, tek Përpjekja e Lubonjës, për shembull, ka vazhdimisht njerëz që pyesin me padurim “ke zgjidhje për këtë?”.
Një nga këta është dhe Rena. Në një koment për një nga Tartat e vjetra, shkruante: “Këtë e dimë! Ti, a ke ndonjë zgjidhje?”.
Unë e kam një zgjidhje.
Por, që t’ju jap zgjidhjen, që ti jap Renës zgjidhjen kundër të ligës, duhet t’ju them më parë ca gjëra. Në fakt, do ia them Renës. Dhe nuk kam formë tjetër përveç asaj klasikes, duke i shkruar një letër që fillon si të gjitha letrat. E dashur Rena.

E DASHUR RENA, JAM I TREMBUR
jam i trembur, nga ajo që vërej përditë. Ngado kthej kokën shoh korrupsionin e frikshëm, dhe jo thjesht atë të parave, se ai ekziston gjithandej, ndonëse jo në përmasa si te ne. Ajo që më frikëson është se ne na është korruptuar shpirti. Çdo gjë e jona, është e korruptuar: muzika që dëgjojmë është e korruptuar, lajmet që dëgjojmë janë të korruptuara, figurat publike janë të korruptuara, fama është e korruptuar, konkurset janë të korruptuara, mandatet politike janë të korruptuara, baret tona janë të korruptuara, ligjet tona janë të korruptuara, gazetarët janë të korruptuar, madje më keq – janë milionerë dhe të korruptuar, gjuha na është korruptuar, të rinjtë janë të korruptuar, të pasurit janë të korruptuar, të varfrit mezi po presin të korruptohen, mënyra si dashurojmë është e korruptuar, mënyra si mendojmë dhe mënyra si jetojmë është e korruptuar. Ne, jemi shoqëri e kalbur nga brenda e nga jashtë. Mishrat tona po bien si pllakat e hotel Dajtit.

E DASHUR RENA, MUA MË VJEN TURP
më vjen turp, që jetoj në një vend ku njeriu shkelet me këmbë, përditë, në një mënyrë a një tjetër, si të ishte bagëti. Njeriu vidhet nga shteti i vet, shpronësohet, dhunohet, rrihet prej badigardësh, rrihet prej fanatikësh, grabitet prej kompanive të mëdha, kërcënohet në çdo lloj forme që kemi parë nëpër filma – sa seriozisht i paskemi parë! - dhe Porta e Ligjit është fare e mbyllur për ata që janë poshtë dhe e hapur kanat për ata që janë lart.

Më vjen turp, që jetoj në një vend ku ekziston termi “pronari im”. Njerëzit thonë “pronari im” në vend të “pronari i ndërmarrjes” sepse, ai vërtet është skllavo-pronari yt, që të flak kur të dojë e si të dojë, pa të dhënë as lekët e rrogës së fundit, edhe të godet po të dojë, mund të të shkatërrojë jetën e të bëjë që askush nga “pronarët” vërdallë mos të të marrë në punë.

Mua më vjen turp, që jetoj në një vend ku njerëzit më të pavlerë shoqërisht bëjnë ligjin përmes dhunës, parasë e pushtetit të përfituar në formën më të padrejtë, as me trashëgim, e as me kualifikim, por, sepse “ua dha” dikush meqë ishin farefisi i “dikujt”. Një vend ku të pavlerët bëjnë çdo gjë për të eleminuar (deri edhe nga fushëpamja e tyre) të shkolluarit, të aftët e të kualifikuarit, thjesht sepse këta i bezdisin me aftësitë e tyre.

E DASHUR RENA, MUA MË DHEMB
mua më dhemb që ky vend, pasi shkatërroi në burgje politike mijëra njerëz, akoma nuk gjeti një formë t’u shpërblejë vuajtjet, madje, as të thotë një “më falni zyrtare”, e s’ka për të gjetur. Në emër të tyre u morën vota e prona, po ata mbetën përgjithmonë jashtë sistemit.
Të kujtohet Silence of the Lambs?
Zëri i tyre, Klarisë, do na ndjekë pa pushim.
Mua më dhemb, kur shoh që ata që kishin pushtetin para 90-s, pse jo, edhe ata që kanë bërë dhe krime, e kanë prapë sot, linja e tyre e parave dhe e gjakut mbeti e paprishur. Njeriu nuk mund të gjykohet për krimet e etërve. Por, ashtu si berlinezët sot janë një popull i përunjur për shkak të ndjeshmërisë për krimet të gjyshërve të tyre nazistë, unë nuk pashë ndonjë bir t’i vinte turp për krimet e të atit komunist. E kundërta. Bijtë janë aty, krenarë, në majë të piramidave të pushteteve, duke marrë vendime për të sotmen, të nesërmen e të shkuarën.
Zëri i atyre të tjerëve, Klarisë, zëri i të pafajshëmve në thertoren e ndërgjegjes, do na ndjekë përjetësisht. Por jo të gjithëve. Vetëm neve që jemi poshtë. Zëri i tyre, nuk arrin në majë të piramidave të pushtetit.
Më vjen turp, se dikush rrnoi vetëm për me tregue, por për fat të keq nuk mbeti thuajse askush për ta dëgjuar historinë e tij.

E DASHUR RENA, UNË NUK BESOJ
unë nuk besoj se këtë korrupsion mund ta zgjidhim me ligje, sepse ligjet në letër janë.
Unë nuk besoj as se ky është fati i vendeve të vogla, sepse ka vende më të vogla se ne që janë më njerëzorë se ne.
Unë nuk besoj as te supermenët, edhe nëse këta rrinë tërë natën pa gjumë duke lëvizur personalisht vetë në terren, sepse supermenët, vjen një moment kur besojnë se janë vërtetë supermenë dhe ky është fundi i tyre.
Unë nuk besoj as në pozitë e as në opozitë, as në grupe rinore e as në shoqëri civile, sepse kam parë opozitat të ndërrohen në pozita dhe të vazhdojnë pa të keq të ngjyejnë lugët e tyre të floririt në çorbën e turbullt të mitmarrjes, kam parë të rinj që dukeshin sikur do sillnin ndryshimin dhe me të ardhur në pushtet bëheshin më të këqinj se të vjetrit, kam parë flamurtarët e shoqërisë civile të korruptoheshin me një shpejtësi kolere.
Unë nuk besoj më as në të diplomuarit jashtë shtetit, siç besoja dikur, se do vinin e të sillnin mentalitet perëndimor në periferinë tonë të varfër. Ata erdhën dhe u konformuan, ose mbetën pa punë.
Më rezulton se ky vend edhe të huajt arrin ti konvertojë në të korruptuar shpirtërorë e fizikë, jo më të vetët.
Lubonja shpreson se ndoshta globalizmi do na detyrojë ne të ndryshojmë për mirë. Forca nga jashtë. Unë, as këtë nuk e besoj. Kur nuk ndryshuan dot Siçilinë për 70 vjet...
Unë nuk besoj më në këtë sistem, sepse nuk besoj më tek njerëzit. Atëherë, ti do mendosh se nuk paska zgjidhje. Në fakt, ka. Por do të ta them në fund.

E DASHUR RENA, REVOLUCIONIN NUK DO TA JAPIN NË TELEVIZION
revolucionin nuk do ta japin në televizion. Sepse, siç ka thënë një lider i sotëm, mbështetja, blihet. Dhe, revolucioni i të ndjeshëmve në këtë vend – edhe sikur të ishim aq shumë sa të bënim revolucion - nuk do kish mundësi ta blinte këtë mbështetje.
Ajo që ndodhi në 90-n, ishte një farë revolucioni. Kishte ëndrra, pse jo dhe ideale. Derisa pamë që ëndrrat e idealet e disave, u shndrruan në lopatat me të cilat disa gjetën Eldoradon E TYRE ekonomike e politike, për të mbyllur portat për të gjithë të tjerët.

E dashur Rena, revolucionin nuk ka kush ta bëjë.
Më të mirët prej nesh, kanë ikur, e nuk kthehen më në këtë vend. Kanë ikur, sepse ndjeshmëria e tyre nuk mund ta përballonte ligësinë, padrejtësinë e gjirizin që na rrethon. Kemi mbetur ne, që kemi frikë të ikim apo që durojmë ca më shumë, derisa të ikim dhe ne një nga një, e në këtë tokë të mbeten vetëm thasët e plehrave të ardhura nga Italia. Bashkë me gjelat me veshje firmato që do këndojnë majë tyre.

E Dashur Rena, revolucioni nuk na duhet më. Nuk na duhet, sepse çdo revolucion në këtë vend me vorbullën e vet vetëm do nxirrte akoma më tepër llum në sipërfaqe. Ne si shoqëri jemi akoma në stadin mental të viteve ‘36, kur Shqipëria ndahej në shegertë e zotnij, kur femrat ishin ose në sallone ose të ndryme në shtëpi, kur kishte oborr mbretëror në qendër e malarje në periferi, kur Migjeni botonte vargjet e lira dhe Konica thoshte “Shqipëri të kam dh*** s’të kuptova asnjë herë”. E vetmja gjë që ka ndryshuar nga vitet ‘30 është që monoklat janë zëvendësuar me Blackberry dhe karrocat me BMW. Ndaj vend për revolucion nuk ka. Ka vetëm vend për ndonjë zë të censuruar në gazetat e Tiranës dhe për katër fëmijë që vdesin në gjumë nga mungesa e korrentit.

E DASHUR RENA, NJË ZGJIDHJE KA
një zgjidhje ka, edhe pse pas gjithë këtyre që të shkrova, e dashur Rena, ti nuk ke as fuqi të më thuash “po unë këto i dija. A ke zgjidhje??” Kjo që ne ndjejmë përditë është që tek ne as vend për shpresë më nuk ka.
Por, ka një zgjidhje. E vetmja. as
E vetmja zgjidhje, e dashur Rena, është rizgjimi. Rilindja, apo ndriçimi, nuk di ç’emër t’i vë asaj që anglezët e quajnë enlightment. Asnjë fjalë shqipe nuk i rri mirë kësaj “enlightment”, mbase, sepse ne nuk e kemi përjetuar kurrë si komb, përveç një dritëze të vogël në vitet ’30, mbase. Është si termi “liri” që kultura kineze nuk e përmban, apo si fjala “mirazh” që fjalori groenlandez nuk ka si ta ketë.

Enlightment, e dashur Rena, një “rizgjim” shpirtëror, intelektual e njerëzor, kjo është e vetmja zgjidhje.
Deri dje personalisht, e kisha bjerrur shpresën. Por ka ca kohë, që lexoj shkrime që më pëlqejnë nga njerëz që duan të ndryshojnë veten të parët, e bashkë me veten edhe shoqërinë. Ka disa muaj që lexoj artikuj apo blogje nga njerëz të preokupuar, shoh shenja ndjeshmërie njerëzore, shoh individë që nuk duan më të vazhdojë kështu. Kjo më jep shpresë.

Zgjidhja fillon jo kur të pëlqen një shkrim.
Zgjidhja fillon kur ai që ul me buton xhamin e makinës dhe flak një kanaçe në rrugë, të ndjejë që është i pacivilizuar nga shikimet e të tjerëve rrotull tij, e t’i vijë turp. Kur, një ministër i përfolur për korrupsion të ketë turp të dalë në rrugë nga shikimet e njerëzve e fëmijët e tij të kenë turp të shkojnë në shkollë.
Rizgjimi do të ndodhë kur ti e para, unë, e ata afër nesh, të fillojmë të ndryshojmë. Kur unë i pari, jo vetëm shkruaj por dhe pushoj së dhëni makinës në mënyrë agresive. Duke respektuar dikë që kalon rrugën në këmbë.
Prandaj, mos më pyet më “zgjidhje, a ke”. Zgjidhjen e ke ti e para, ata afër teje, e bashkë me ty, të tjerët. Rrugë tjetër s’ka. Duke ndryshuar veten, do ndryshojmë botën. Do të rizgjojmë njëri-tjetrin, ngadalë, si të ishim njerëz që po flemë në mes të fushës. Edhe pse mund të na duhet të presim gjatë. Ka njerëz, që nuk do të zgjohen kurrë ose që do të zgjohen tepër vonë. Jeta për ta është vetëm pub dhe Facebook. Por, disa mund të rizgjohen. Le të fillojmë me ta.

E dashur Rena,
Mos u tremb e mos ki turp. Dhimbja të bën më njerëzore dhe besimi është arma kundër së ligës.
Dhe mos u shqetëso nëse Revolucioni jonë nuk do dalë në TV, meqë TV-të i kanë ATA.
Bob Marli ka thënë: “Ti mund ti mashtrosh ca njerëz për ca kohë, po nuk mund ti mashtrosh të gjithë njerëzit për tërë kohën”.
Rizgjimi, ka nisur. Tek ty.

Tuesday, November 16, 2010

Danimarka, nuk na pret

Botuar te shekulli, të Dielën, 14 Nëntor 2010

Kam udhëtuar dikur 4 orë me tren nga Zyrihu në Gjenevë dhe nuk shkëmbeva asnjë fjalë me askënd. Të gjithë njerëzit në tren, sa uleshin, hapnin librin e lexonin. Unë, vija nga një vend ku hapja e librit në vende publike është turp, ku fëmijët që lexojnë janë ata që do të vuajnë për bukë kur të rriten, ku ka njerëz që e thonë me mburrje që s'kanë prekur kurrë libër me dorë. I shihja të përkulur mbi librat e tyre të letrës, ndërsa unë lexoja e rilexoja biletën e trenit.

Kjo është Europa, ku do të shkojmë pa viza. Kombi me 10% analfabetë aktivë - "aktivë" më pëlqen të quaj ata njerëz që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë as emrin e tyre, jo më libra - shumë shpejt do të ketë një përplasje masive në brigjet e kontinentit ku njerëzit lexojnë në park, në metro, në avion, kudo. Përplasja do të jetë e fortë e me zhurmë. Vala e analfabetëve do të thyhet mbi shkëmb. Por, frika e madhe e europianëve është që vala jonë analfabete, ashtu siç gërryen deti bregun, do ta gërryejë kontinentin e vjetër të kulturës.
Prandaj, nuk dua t'ju flas për vizat.

Ndërsa pjesa më e madhe prej nesh po bën gati valixhet, unë dua t'ju flas për librat. Meqë tani po shkojmë drejt Danimarkës, ku një danez mesatar merr në bibliotekë 17 libra në vit, drejt Gjermanisë ku 33% e 14-vjeçarëve lexojnë rregullisht libra apo dhe drejt Spanjës që vetëm në 2005-ën ka përkthyer aq libra në spanjisht sa nuk janë përkthyer në arabisht këto 900 vjet.

NJERËZIT QË NUK KANË LEXUAR ASNJË LIBËR
Është e drejta e çdo njeriu që të mos lexojë asnjë libër. Ajo që më shqetëson është diskriminimi që analfabetët i bëjnë pjesës tjetër të shoqërisë shqiptare. Adoleshentëve u vjen turp të tregojnë që lexojnë, sepse menjëherë konsiderohen si mbetje sociale nga ata që me krenari shprehen që nuk kanë lexuar asnjë libër. Makinat e shtrenjta, suksesi e respekti social për ata që lexojnë me rrokje, dhe papunësi masive për studentët me PHD. Njeriu që hap një libër në autobus shihet me mëshirë, njerëzia kujton se ai nuk ka asnjë shok, apo që është i rrjedhur. Sistemi qartazi favorizon analfabetët.

Është e drejta e njeriut të mos lexojë asnjë libër. Edhe pse, ushtritë e vrasësve e trafikantëve ndërtohen kryesisht me ushtarë që e kanë lënë shkollën që 8 vjeç.
Është e drejta e kujtdo të mos lexojë asnjë libër. Por, ata që lexojnë duhet të rifitojnë statusin e tyre. Dhe nuk dua të diskutoj për cilësinë e librave që lexohet, për letërsinë e mirë a të keqe. Kjo do të ishte një temë tjetër. Ne jemi akoma në fazën që ata që lexojnë diskriminohen. Ata që kanë lexuar një libër, nuk para e flasin me njeri. Sepse, analfabetët na bëjnë të ndjehemi keq për këtë.Është e drejta e njeriut të mos lexojë asnjë libër. Por ata që lexojnë duhet të rifitojnë respektin shoqëror që u takon. Prandaj, nuk dua të flas për vizat, por për librat.

TENXHERJA DHE MËRKUNA E ZEZË E AGRON TUFËS
Ne duam të ikim jashtë, ndërkohë që nuk kemi ikur asnjëherë brenda. Dhe brenda, iket edhe pa viza. Iket edhe thjesht, duke lexuar libra.
2 librat e Agron Tufës, "Mërkuna e Zezë" dhe "Tenxherja" (të dy, Toena 2009) i kam lexuar me një frymë.
Mërkuna e Zezë është një mundësi për t'u futur në thellësi të maleve, në fshatin e largët e besoj imagjinar Ivanaj, në vendin ku gratë thurin lesh të zi, atje ku fshati është me një ngarkesë seksuale më intensive se Tirana, ku femrat janë më shtriga se në "Bllok", ku shpirti i grave rrënon jetën e burrave.

"Tenxherja" të kthen brenda në kohë, para viteve '90, atëherë kur një prind nuk mundej as të mbronte dot fëmijët e vet nga dhuna e verbër e shtetit të diktaturës së popullit mbi popullin, një dramë kombëtare që sot shumë vetë po përpiqen ta harrojnë sa më shpejt, një kohë ku sipas vetë autorit "zbrazësia hapte vend me thonj, hakmerrej brenda (...) kruante, gërmonte egërsisht rropullitë, si fundin e një tenxhereje varfanjakësh(...)"
Të dy librat kanë elementë që i përbashkojnë, ngase dhe janë shkruar ndoshta paralelisht. Në të dy rastet, është bota e parë përmes syve të një paraadoleshenti.
Mërkuna sjell botën e pështjelluar seksuale të një djali në fazën e transformimit në burrë, pa shumë zbukurime, gati të thatë, në një sfond shtriganie e femrash të poseduara.

"Tenxherja" është bota e një djali të vogël që shkërmoqet nga pak, mes dashurisë për vëllanë e madh dhe presionit për ta tradhtuar atë para të plotfuqishmit. Sytë e djalit, njohin hetuesinë, vuajtjen, dashurinë e mohuar, pamundësinë që përballë një shteti prej guri të bëhet ai që mund të ishte bërë. Një tenxhere, është akuza kryesore që i bëhet të vëllait, Filipit, për ta dënuar për inat të të atit me 10 vjet burg.

Te "Mërkuna e Zezë", Guri, personazhi kryesor, viziton fshatin e largët të dajës për t'u gjetur i vetmi djalë i një shtëpie me shumë femra, mes joshjes, magjirave, seksualitetit, lakuriqësisë, i rrethuar nga femra që nuk dihet se ç'duan prej tij, të ngelen shtatzënë me të, ta mbrojnë apo ta vrasin.

Bota shqiptare është e mbushur me magjira, dhe gratë shqiptare dinë plot gjëra për to. Mërkuna e Zezë, është mbledhja e tërë kësaj përvoje femërore të sjellë në një libër që me një hap të shpejtë e pa shumë stërhollime eksploron atë pjesë të thellë, mistike që kanë gratë përbrenda, që, fillon nga mitra e tyre deri tek pushteti i bukurisë, me pasione e nevoja që as gratë vetë nuk do të dinë t'i shpjegojnë.

Shërbëtorët e pushtetit te "Tenxherja" mbajnë emra që të rrëqethin dhe kur i shqipton, Hodo Bedo, Zguri, Firuze, Dudije, Syrja Palunga, Zyhni Murdari...
Agron Tufa, në të dy librat është kursyer me stilin, duke lënë hapësira për ngjarjen që të zhvillohet. Tek "Mërkuna" ai ka nxjerrë nga kujtesa fjalë të vjetra, fjalë të harruara, të papërdorshme prej kohësh apo dhe fjalë të nxjerra në periferitë e shtetit e që nuk lejohet të banojnë në Tiranën me fjalor 500 fjalësh.
Në të dy librat ngjarja të rrëmben, dhe për një brez që rritet vetëm duke parë filma do të jetë e lehtë t'i lexojnë qoftë dhe me kuriozitet filmik: si do të përfundojë ngjarja.

ANALFABETËT DIXHITALË
Analfabet, nuk do të thotë vetëm të mos dish të shkruash e të lexosh emrin tënd. Nëse nuk e kupton atë që po lexon, mund të thuhet që je përsëri analfabet. Librat shkruhen për të na përcjellë diçka përmes nënteksteve, ngjyrimeve, konotacionit apo frymës që përmbajnë. Ne jemi analfabetë, nëse nuk arrijmë ta deshifrojmë atë që librat na përcjellin, nëse nuk kalojmë një proces konitiv me librin që kemi në dorë.

Në kohën dixhitale, mund të jesh analfabet edhe nëse je në gjendje të hapësh me forcat e tua FaceBook-un. Edhe nëse je në gjendje të shkruash që sot ke ngrënë petulla. Sepse, aftësia jonë për të kuptuar botën rritet apo forcohet nëse ti ke ngrënë vërtet petulla e as nëse miqve të t'u në facebook u vjen nepsi për petulla, dhe lënë komente poshtë.

Ka ardhur koha që ne vetë, të parët, të mësohemi me idenë që pas njeriut që mbante çomangen nën sqetull, erdhi njeriu që mbante librin nën sqetull. Ka ardhur koha që të mos kemi turp të hipim në autobus me një libër në dorë me frikën se do të na shohin si anormalë.

Dhe nëse po bëni gati valixhet për të bredhur Europën pa viza, mbani një libër me vete qoftë dhe për maskim. Ka gjithmonë një moment që të gjithë të nxjerrin librat. Është momenti për të nxjerrë dhe ti librin tënd, e mos rrish me sytë në tavan. "Tenxherja" ose "Mërkuna e Zezë" mund të ishte ky libër.

Thursday, November 11, 2010

SHQIPTARI GJERMAN

botuar te Shekulli, dt 7 Nëntor 2010

Në një libër të vjetër fantastikoshkencor, shqiptari kozmonaut kthehet nga kozmosi dhe sheh që në Tiranë mbahej rradhë vetëm tek Teatri i Operas e Baletit, ku njerëzit shtyheshin për biletat e Operas. Gjithçka tjetër, ishte zgjidhur.
Le të bëjmë sikur vimë nga kozmosi, e le të kemi për pak, një hall trendi. Halle filmash.
Për një moment, le ta zëmë sikur halli më i madh që kemi si komb është nëse filmi "Shqiptari" i financuar pjesërisht edhe nga Qendra Kombëtare e Kinemasë, është një film që të na bëjë të kthehemi në kinema apo jo. Filmi "Shqiptari" - Der Albaner, mori 2 çmime në Moskë, njërin prej të cilëve Nik Xhelilaj si aktori më i mirë. Legjenda thotë, që Niku, ngaqë nuk e priste nuk kishte marrë as kostumin me vete, e mbase as nuk ishte në sallë.

DER ALBANER, ME PAK FJALË

Der Albaner - po e quaj me titullin gjerman sepse me përjashtim të ca aktorëve e të ca parave, ky ishte film gjerman - është historia e një djali malësor (Kreshnik Xhelilaj) që pasi e shohim të kthehet nga Greqia, detyrohet të marrë Gjermaninë me skaf e pastaj në këmbë për të fituar 10 mijë Euro.
10 mijë Euro, as sa i duhen për të blerë nusen e vet shtatzanë nga prindërit e saj, përndryshe ata vrasin fëmijën ose e martojnë vajzën diku tjetër.

Për këto 10 mijë Euro klandestini Arben detyrohet të flejë si vagabond në ndërtesa të braktisura, të bëjë punë në të zezë, të trafikojë, dhe të vrasë.
Klandestini Arben, në vitin 2009 (data lexohet në disa raste qartë) nuk di se ç'është celulari, nuk di se ç'është interneti, nuk ka idenë se ç'janë homoseksualët dhe bredh nëpër Gjermani me një fjalor Gjermanisht-Shqip nën sqetull.

Vëllai i vet, Iliri (Amos Zaharia), një adoleshent që bën rep në Bajram Curri dhe e shtyn kohën në internet-kafe, me flokë të oksigjenuar dhe me shoqëri të keqe, i përdor paratë për të vajtur vetë klandestin (për një qëllim që nuk merret vesh). Arbeni, detyrohet të vrasë një mafioz (a dikë tjetër, nuk u mor vesh qartë) për t'i marrë paratë.
Kur kthehet me paratë, vajza nuk është më në shtëpinë e saj. E kanë përzënë.
Për të shtuar dramacitetin, vajza thuhet që është në një shtëpi psikiatri në Tiranë, ndërsa te oborri ne shohim vetëm një shurdh-memec që i bie të jetë i vetmi pacient. Filmi mbyllet me një skenë patetike dhe absurde ku vajza, Etleva (Xhejlane Tërbuni), i flet rëndë Arbenit, qan dhe s'merret vesh mirë pse. Më duket, pse ky nuk u kthye në kohë.


KINEMAJA E MIRË

Ky film, kishte disa gjëra të mira.
Lajmi i parë i mirë. Nik Xhelilaj, është gjallë. Pas një personazhi të zbehtë te "Trishtimi i zonjës Shnajder", dhe një karakteri të vdekur tek filmi "Gjallë", më në fund, ai po aktron. Më në fund, duket se ka kuptuar që kinema nuk do të thotë të jesh çun i bukur, por do të thotë të dish si të sillesh para kamerave. Unë mendoj, që ky është filmi i parë i tij si aktor. Dhe çmimin e aktorit më të mirë në Moskë, pavarësisht se nuk e di kë ka pasur konkurent, mendoj, se e ka merituar. Bravo Nik. Rri gjallë.

Filmi ka disa momente të mira. Pjesa e takimit mes dy vëllezërve (në Gjermani) ka intensitet dhe vërtetësi, kryesisht falë aktorëve, Xhelilaj dhe Zaharia, që japin një performancë shumë të mirë. Pjesa me koshin e bebes, që Niku e porosit nëpërmjet TV (pavarësisht se si klandestin që lekët i mban në qese në gji, duket e vështirë që të mund të bëjë porosi blerje në TV) është një gjetje simpatike skenari.

Më tej, ky film, nuk është më film. Filmi është i mbushur me alogjizma në skenar që i bën aktorët e shkretë të ngjajnë si budallenj, ka karaktere që të paqepura fare, dhe personazhi kryesor, Arbeni, në fund të lë thjesht shijen e një personi egoist.
Vëllai i Arbenit, në një pikë të filmit humbet e nuk merret më vesh për të. As i ati, nuk pyet Arbenin për të, kur Arbeni - ju kujtohet ai që flinte në biruca të mjera e nuk njihte celularin? - kthehet në malësi i veshur tërë elegancë, e me një makinë me targa gjermane.
Njerëzit qeshën nja dy herë gjatë filmit, dhe qeshën me injorancën e madhe të Arbenit. Mua, më vinte për të qarë.


SHQIPËRIA E MALEVE

Ky film, fliste për një ngjarje në male, por male nuk solli. Ti shihje Bajram Currin dhe muzika në sfond ishte polifoni labe.
Aktorët ngjanin qesharakë për shkak të gjuhës e të sjelljeve. Malësorë që flisnin me dialekt tiranas, Xhejlania e shkretë që iu shkërmoq personazhi duke u përpjekur të fliste me gjuhë letrare. Etleva, vajza e katundit që mbante bluzë me bel jashtë. Vëllezër malësorë që e marrin vesh të parët që motra është shtatzanë dhe me kë është, më parë se i zoti i punës.
I vetmi që solli një karakter autentik malësori, për shijet e mia, dhe unë i njoh malësorët, ishte Çun Lajçi.

Kam filluar ta dua shumë, po shumë, këtë aktor. Ishte i vetmi që nuk kërciste, që nuk sforcohej për t'ju përshtatur një skenari të shkruar në Berlin. Dikush mund të thotë, po mirë, ky film është bërë për tregun e huaj, dhe ata nuk duan t'ia dinë se në ç'dialekt flasin aktorët.
Shkoni thojani Francis Ford Coppola-s, që siçilianët e tij të flisnin si fiorentinë te Kumbari.
Ky film, është bërë edhe me para shqiptare, prandaj, duhet të respektojë këtë publik. Duhet T'I PËLQEJË KËTIJ PUBLIKU! Dhe publiku shqiptar, nuk emocionohet dot nga historia e dy malësorëve që flasin si çuna tirone në majë të Bajram Currit. Shoqëruar, në sfond nga polifonia labe.


SHQIPËRIA TURKE

Që në imazhet e para të filmit e më tej, të dukej vetja se po shihje një nga dhjetëra filmat turq me drama rurale e me emigracion. Besoj, se këtu problemi është tërësisht i regjisorit.
Besoj që ka ardhur të bëjë një film për Shqipërinë pa e njohur fare këtë vend dhe me përkthyes/këshillues shumë të keq. Dhe logjika "kështu na shohin të huajt" nuk është e besueshme. Është vetëm për të justifikuar atë që filmi nuk arrin dot.
Gjatë tërë kohës, më dukej sikur shihja film me kurdë. Duket që regjisori ka parë shumë filma të Fatih Akin.
Mendoj se Qendra Kombëtare e Kinematografisë filmat turq, t'ia lërë Ankarasë t'i sponsorizojë, dhe turqve t'i bëjnë regjinë.


GJERMANI - SHQIPËRI 3:0

Filmi, si dhe një film tjetër i mëparshëm që luhej në Shqipëri dhe jashtë, shfaqi të njëjtin problem: pjesa shqiptare ishte shumë më dobët sesa ajo jashtë. Ishte më dobët, në skenar, në sheshe-xhirimi, në ndërtim atmosfere dhe në aktrim.
Kinemaja e re shqiptare po ngre klishera të çuditshme: kushdo do e bëjë një xhiro te trageti në Fierzë.
Absurd është fakti që Nik Xhelilaj bën të njëjtin udhëtim si në filmin "Gjallë", identik. Kjo nuk besoj se është plagjiaturë, është thjesht një klishe e lodhur në të dyja rastet.

NJË SHQIPTAR ME NJË MILION DRAMA

Problemi madhor i filmit, nga i cili vuante skenari dhe aktorët bashkë me të, ishte futja e një milion dramave në jetën e një njeriu të vetëm. Kur, edhe vetëm një prej tyre mjaftonte për të bërë një film.
4 herë takohet Arbeni me Etlevën, dhe të katër herët ajo i lëshon një super-hall të ri. Herën e parë familja e ka hequr nga shkolla, herën e dytë duan ta shesin te një burrë, herën e tretë që është shtazanë kur e pret burri, dhe herën e katërt që ata donin t'ia abortonin fëmijën me zor.
Si mund të bëhesh pjesë e jetës së këtij çifti, kur ky çift nuk është çift, dhe sa herë takohet nis një dramë të re nga e para. Çdo 30 sekonda, në film del nga një dramë e re.

Ja t'ju rreshtoj dramat sociale që ngre filmi:
- deportim emigrantësh nga grekët
- dhunë policore ndaj klandestinëve
- Familja rurale që heq fëmijët nga shkolla
- familja rurale që heq vajzën nga shkolla
- familja rurale që mbyll vajzën brenda
- familja rurale që shet vajzën
- familja rurale që marton vajzën me shkuesi pa dhunë
- shtatzani e padëshiruar
- trafikim me skaf drejt perëndimit
- prostitucion homoseksual në perëndim
- të qenët i pastrehë në perëndim
- punë në të zezë në perëndim
- abuzimi dhe shfrytëzimi i punëtorëve në të zezë
- mungesa e shërbimeve shëndetësore për emigrnatët e paligjshëm në perëndim
- trafikim qeniesh njerëzore
- vrasje për grabitje
- dhunë/eleminim mes bandash trafikantësh
- trafik qeniesh njerëzore
- tentativë për abort me dhunë
- pengmarrje
- detyrim për abort me dhunë
- përzënie e vajzës nga shtëpia prej familjes rurale

Të gjitha këto, dhe ndonjë që mund të më ketë shpëtuar, e kthyen filmin "Shqiptari" në një telenovelë me 40 seri, të ngushtuar në 1 orë e treçerekë. Këto drama i bënë njerëzit në kinema të vuanin duke parë tërë këto halle, por, pa u dhuruar kinema të vërtetë. Po të jetë për telenovela ka në TV plot, madje më cilësore.

KINEMAJA E KEQE
Filmi si i tërë të ngrinte pyetje të shumta që nuk merrnin kurrë përgjigje. Ne jemi mësuar ti quajmë alogjizma. Një film i pakopsitur dhe i zymtë.
A do shkoja unë në kinema për ta parë Der Albaner?? Unë, edhe në TV, do e kisha ndërruar kanalin pas 10 minutave të para. Dhe nuk ka justifikime. Një film, o është i mirë, o nuk është. Rrugë të mesme, s'ka.

Monday, November 1, 2010

DVX

Botuar te Shekulli, dt 31 tetor 2010

Do kisha dashur shumë që sot t’ju kisha thënë se ç’mendoj për filmin “Shqiptari” që mori 2 çmime në Moskë; ose të shkruaja për indeksin e korrupsionit sipas Transparency International, qwë me pikë na rendit në Ballkan vetëm para Bosnjës e Kosovës, shtete që akoma nuk janë shtete; ose makar të flisja për paradën e pijanecëve apo psikopatëve te Zonë e Lirë e Çanit.
Por, jam i detyruar të shkruaj për Piramidën.

Vorbulla rreth Piramidës, ka nxjerrë në pah gjithçka që nuk shkon me këtë vend.


PIRAMIDAT

Nuk ka asgjë për të folur më për Piramidën, të gjitha janë thënë.

Blendi Kajsiu e quante vendimin për shembje “vendim piramidal”, për të kthyer një vend ku njerëzit kalojnë lirisht në një tjetër hapësirë të mbushur me bodigardë. Mero Baze, pyet, “si mund të luftosh simbolet e Enverit duke marrë vendime nga zyra e Enverit”.
Argumentet vazhdojnë me paratë e harxhuara, me luksin e panevojshëm, dhe përballen me një argument të vetëm ”simboli diktatorit”.

Janë thënë të gjitha. Dhe, asgjë nuk është thënë.
Sepse, askush nuk ka ndër mend të dëgjojë.

Unë, kam nevojë t’ju flas për Piramidën time.

PIRAMIDA IME

Një nga gjërat që më shqetëson shumë është zhdukja pa mëshirë, me vrull e mentalitet visigotësh, e çdo lloj kujtimi njerëzor në këtë qytet.
Vendi ku kam pirë kafen e parë, ku kam dhënë puthjen e parë, ku kam parë filmin e parë, nuk ekzistojnë më.
Memorja qytetare e këtij qyteti po zhduket me fadroma.

Gjëja që më dhemb, është, se ata që po marrin vendimin për ta prishur Piramidën, janë njerëz që kanë ardhur vonë në Tiranë. Janë nga ata që nuk kanë qenë kurrë fëmijë në këtë qytet. Që s’kanë rrëshqitur kurrë në faqet e Piramidës.

PIRAMIDA E TYRE

Më kujtohet kantoni i Zyrihut, ku qytetarët votonin edhe për të shitur 200m tokë publike në periferi. Është e drejta e tyre, që të vendosin se ç’do bëhet me pronën publike.

Ata që e morën vendimin e shembjes e kanë llogaritur që nuk kanë ndër mend të na pyesin.

Edhe sikur ne të dalim disa qindra në shesh, ata do na sjellin me autobusë 50mijë njerëz nga Bushati a Peqini, që do bërtasin “poshtë Piramida!”. Për të na mbushur mendjen, që populli nuk e do piramidën.
Edhe po të lidhemi me zinxhirë te Piramida, ca të tjerë do lidhen me zinxhirë mu aty, për të shembur Piramidën.
Edhe po të dalim nëpër debate televizive, do sjellin
zhurmuesët e ideve, që do përsërisin pa pushim një argument të vetëm, “simboli i diktatorit”.

Janë ato “pakicat e përgjumura” për të cilat shkrova në Tartën e kaluar.

Por dhe Maks Velos, arkitektit po i thonë: “po mbron simbolin e diktatorit”. Ish-sekretarët e Partisë që nuk janë as arkitektë, akuzojnë ish të burgosurin e ndërgjegjes se po mbronkërka arkitekturën e diktatorit.

Ajo që shoh të ndodhë prej vitesh. Maks Velo del për të mbrojtur arkitekturën publike, ha dru rregullisht çdo 3 muaj, dhe asgjë nuk ndodh.

Por, po t’u duhet, e di se ata mund të nxjerrin edhe 100 arkitektë, që të argumentojnë vendimin e politikës.
Dhe kur them Ata, nënkuptoj pushtetin. Sindroma nuk është e kësaj qeverie vetëm.
Dje, njëri donte të na zhdukte Teatrin. Sot, tjetri Piramidën.

Të gjitha këto që po shkruaj unë e të tjerët, janë pa rëndësi.
Sepse, askush nuk ka në plan të na pyesë. Për asgjë që ndodh në këtë vend. Dhe kjo, është drama jonë e madhe. Nuk është një ndërtesë! Është fakti, që na kanë shumëzuar me zero që në fillim.

Dikush, duke e ditur çfarë arme ka në dorë, gazetarë, deputetë e analistë që janë gati të mbrojnë çdo ideal
të Partisë, ne të tjerëve na kanë shumëzuar me zero.
Befas, dikush shtypi butonin.
Dhe ja ku janë.
Visigotët.
Për të djegur simbolet. Dhe mirë bëjnë.

SIMBOLI

Deri dje, asnjëri nga këta analistë-deputetë-artistë, nuk e ka pasur problem të ashtuquajturin simbol të diktaturës. Asnjëri. Nuk di të kem lexuar apo dëgjuar, njërin prej tyre që të ankohet, deri dje.
Befas, dikush shtypi butonin!
Dhe fap, u shfaq Dan Brown-imzi. Fanta-shkenca e propagandës mediatike. Dikush, arriti të ngrejë nga hiçi, argumentin “Piramida - simbol i Enverit”.

Për kë, na qenka shqetësues ky “simbol”? Brezat deri në 25 vjeç nuk e dinë as se kush është Enveri... jo më të shqetësohen për simbolin e tij, falë dhe sistemit të ndritur arsimor që kemi ndërtuar në këto 20 vjet.
Por, sistemi, me sustë, arrin të prodhojë “intelektualë” që u shqetësuan brenda ditës për këtë simbol.

Dhe përmendin Murin e Berlinit, që nuk është madje as vepër arkitekturore, po kalojnë në harresë që Pallatin e Çausheskut nuk e preku njeri!
Përndryshe, eja hedhim në erë Drilonin ku gjuante peshk Enveri. Pse të mos u ndërrojmë emrat dhe atyre që e kanë Enver?
Një qytet, sigurisht që është plot simbole të epokave të ndryshme. Eja ti djegim! Xhaminë – sepse është Simbol Otoman, Ministritë, simbol i Zogut – pallati i kulturës – simbol i epokës sovjetike.
Më kujtohet një Ministër Kulture, i cili vendosi të fshinte nga ekzistenca çmimet e përvitshme kulturore që kish promovuar Ministri paraardhës. Motivi: “Për çfarë do më mbajnë mend njerëzit mua?? Unë duhet të krijoj çmimet e MIA”.
Ky, është mentaliteti i shtetit dhe shoqërisë që vetë kemi ndërtuar.

Një mik arkitekt, po më thoshte që sindroma e diktatorëve, është “se mos harrohen”. Prandaj duan të lënë gjurmë në arkitekturë. Ju kujtohet Neroni?? Se ç’e kapi një bezdi nga pamja e Romës...

PIRAMIDA E MUMJEVE

Thjeshtësia e çështjes është se jemi të shumëzuar me zero.
Në këtë vend, mjafton një firmë për të fshirë gjithçka, pa na pyetur.

Një firmë, dhe fadroma niset po atë natë. Pa debat publik, pa konsultime specialistësh. E ç’duhen fundja?? Ata nxjerrin “specialistë” dhe “popull” sa të duan për të mbështetur firmën e tyre.
A nuk ishin “specialistët” ata që na shitën detin te grekët??

Kjo është liria jonë në prag të Pavarësisë.
Me një firmë, në këtë vend, groposet ose zhvarroset gjithçka.

100 vjetori i Pavarësisë do na gjejë me një Parlament të ri. Por, nuk do na gjejë të lirë. Të lirë për të menduar. Të lirë nga urrejtja. Të lirë nga zinxhirët e njëshit.

Ne festojmë një Pavarësi që nuk ekziston. Jo 100 vjetor, por 0 vjetor.

DVX

Më vjen keq që ju kam ngrënë kohë për një temë të konsumuar, dhe për më tepër kur s’ka asgjë për të thënë, sepse, askush nuk është në dëgjim.
Ne, jemi të shumëzuarit me zero.

Pallatet ku unë banoj janë ndërtuar në kohën e Italisë, dhe ata që kanë fluturuar me helikopter, më kanë thënë që nga sipër ai bllok pallatesh lexon emrin e Duçes. DVX.
Një ditë do shoh në lajme që me një vendim të marrë brenda natës kanë nisur fadromat të vijnë për ti shembur dhe ato, e për të ndërtuar monumentet e diktaturës së tyre, me mua brenda.
Dhe ndërsa fadromat bëjnë punën e tyre, do jem brenda duke parë në TV ata që flasin për simbolin DVX që duhet zhdukur, në emër të Dan Brown-izmit.
Dhe mirë na e bëjnë.