Botuar te shekulli, të Dielën, 14 Nëntor 2010
Kam udhëtuar dikur 4 orë me tren nga Zyrihu në Gjenevë dhe nuk shkëmbeva asnjë fjalë me askënd. Të gjithë njerëzit në tren, sa uleshin, hapnin librin e lexonin. Unë, vija nga një vend ku hapja e librit në vende publike është turp, ku fëmijët që lexojnë janë ata që do të vuajnë për bukë kur të rriten, ku ka njerëz që e thonë me mburrje që s'kanë prekur kurrë libër me dorë. I shihja të përkulur mbi librat e tyre të letrës, ndërsa unë lexoja e rilexoja biletën e trenit.
Kjo është Europa, ku do të shkojmë pa viza. Kombi me 10% analfabetë aktivë - "aktivë" më pëlqen të quaj ata njerëz që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë as emrin e tyre, jo më libra - shumë shpejt do të ketë një përplasje masive në brigjet e kontinentit ku njerëzit lexojnë në park, në metro, në avion, kudo. Përplasja do të jetë e fortë e me zhurmë. Vala e analfabetëve do të thyhet mbi shkëmb. Por, frika e madhe e europianëve është që vala jonë analfabete, ashtu siç gërryen deti bregun, do ta gërryejë kontinentin e vjetër të kulturës.
Prandaj, nuk dua t'ju flas për vizat.
Ndërsa pjesa më e madhe prej nesh po bën gati valixhet, unë dua t'ju flas për librat. Meqë tani po shkojmë drejt Danimarkës, ku një danez mesatar merr në bibliotekë 17 libra në vit, drejt Gjermanisë ku 33% e 14-vjeçarëve lexojnë rregullisht libra apo dhe drejt Spanjës që vetëm në 2005-ën ka përkthyer aq libra në spanjisht sa nuk janë përkthyer në arabisht këto 900 vjet.
NJERËZIT QË NUK KANË LEXUAR ASNJË LIBËR
Është e drejta e çdo njeriu që të mos lexojë asnjë libër. Ajo që më shqetëson është diskriminimi që analfabetët i bëjnë pjesës tjetër të shoqërisë shqiptare. Adoleshentëve u vjen turp të tregojnë që lexojnë, sepse menjëherë konsiderohen si mbetje sociale nga ata që me krenari shprehen që nuk kanë lexuar asnjë libër. Makinat e shtrenjta, suksesi e respekti social për ata që lexojnë me rrokje, dhe papunësi masive për studentët me PHD. Njeriu që hap një libër në autobus shihet me mëshirë, njerëzia kujton se ai nuk ka asnjë shok, apo që është i rrjedhur. Sistemi qartazi favorizon analfabetët.
Është e drejta e njeriut të mos lexojë asnjë libër. Edhe pse, ushtritë e vrasësve e trafikantëve ndërtohen kryesisht me ushtarë që e kanë lënë shkollën që 8 vjeç.
Është e drejta e kujtdo të mos lexojë asnjë libër. Por, ata që lexojnë duhet të rifitojnë statusin e tyre. Dhe nuk dua të diskutoj për cilësinë e librave që lexohet, për letërsinë e mirë a të keqe. Kjo do të ishte një temë tjetër. Ne jemi akoma në fazën që ata që lexojnë diskriminohen. Ata që kanë lexuar një libër, nuk para e flasin me njeri. Sepse, analfabetët na bëjnë të ndjehemi keq për këtë.Është e drejta e njeriut të mos lexojë asnjë libër. Por ata që lexojnë duhet të rifitojnë respektin shoqëror që u takon. Prandaj, nuk dua të flas për vizat, por për librat.
TENXHERJA DHE MËRKUNA E ZEZË E AGRON TUFËS
Ne duam të ikim jashtë, ndërkohë që nuk kemi ikur asnjëherë brenda. Dhe brenda, iket edhe pa viza. Iket edhe thjesht, duke lexuar libra.
2 librat e Agron Tufës, "Mërkuna e Zezë" dhe "Tenxherja" (të dy, Toena 2009) i kam lexuar me një frymë.
Mërkuna e Zezë është një mundësi për t'u futur në thellësi të maleve, në fshatin e largët e besoj imagjinar Ivanaj, në vendin ku gratë thurin lesh të zi, atje ku fshati është me një ngarkesë seksuale më intensive se Tirana, ku femrat janë më shtriga se në "Bllok", ku shpirti i grave rrënon jetën e burrave.
"Tenxherja" të kthen brenda në kohë, para viteve '90, atëherë kur një prind nuk mundej as të mbronte dot fëmijët e vet nga dhuna e verbër e shtetit të diktaturës së popullit mbi popullin, një dramë kombëtare që sot shumë vetë po përpiqen ta harrojnë sa më shpejt, një kohë ku sipas vetë autorit "zbrazësia hapte vend me thonj, hakmerrej brenda (...) kruante, gërmonte egërsisht rropullitë, si fundin e një tenxhereje varfanjakësh(...)"
Të dy librat kanë elementë që i përbashkojnë, ngase dhe janë shkruar ndoshta paralelisht. Në të dy rastet, është bota e parë përmes syve të një paraadoleshenti.
Mërkuna sjell botën e pështjelluar seksuale të një djali në fazën e transformimit në burrë, pa shumë zbukurime, gati të thatë, në një sfond shtriganie e femrash të poseduara.
"Tenxherja" është bota e një djali të vogël që shkërmoqet nga pak, mes dashurisë për vëllanë e madh dhe presionit për ta tradhtuar atë para të plotfuqishmit. Sytë e djalit, njohin hetuesinë, vuajtjen, dashurinë e mohuar, pamundësinë që përballë një shteti prej guri të bëhet ai që mund të ishte bërë. Një tenxhere, është akuza kryesore që i bëhet të vëllait, Filipit, për ta dënuar për inat të të atit me 10 vjet burg.
Te "Mërkuna e Zezë", Guri, personazhi kryesor, viziton fshatin e largët të dajës për t'u gjetur i vetmi djalë i një shtëpie me shumë femra, mes joshjes, magjirave, seksualitetit, lakuriqësisë, i rrethuar nga femra që nuk dihet se ç'duan prej tij, të ngelen shtatzënë me të, ta mbrojnë apo ta vrasin.
Bota shqiptare është e mbushur me magjira, dhe gratë shqiptare dinë plot gjëra për to. Mërkuna e Zezë, është mbledhja e tërë kësaj përvoje femërore të sjellë në një libër që me një hap të shpejtë e pa shumë stërhollime eksploron atë pjesë të thellë, mistike që kanë gratë përbrenda, që, fillon nga mitra e tyre deri tek pushteti i bukurisë, me pasione e nevoja që as gratë vetë nuk do të dinë t'i shpjegojnë.
Shërbëtorët e pushtetit te "Tenxherja" mbajnë emra që të rrëqethin dhe kur i shqipton, Hodo Bedo, Zguri, Firuze, Dudije, Syrja Palunga, Zyhni Murdari...
Agron Tufa, në të dy librat është kursyer me stilin, duke lënë hapësira për ngjarjen që të zhvillohet. Tek "Mërkuna" ai ka nxjerrë nga kujtesa fjalë të vjetra, fjalë të harruara, të papërdorshme prej kohësh apo dhe fjalë të nxjerra në periferitë e shtetit e që nuk lejohet të banojnë në Tiranën me fjalor 500 fjalësh.
Në të dy librat ngjarja të rrëmben, dhe për një brez që rritet vetëm duke parë filma do të jetë e lehtë t'i lexojnë qoftë dhe me kuriozitet filmik: si do të përfundojë ngjarja.
ANALFABETËT DIXHITALË
Analfabet, nuk do të thotë vetëm të mos dish të shkruash e të lexosh emrin tënd. Nëse nuk e kupton atë që po lexon, mund të thuhet që je përsëri analfabet. Librat shkruhen për të na përcjellë diçka përmes nënteksteve, ngjyrimeve, konotacionit apo frymës që përmbajnë. Ne jemi analfabetë, nëse nuk arrijmë ta deshifrojmë atë që librat na përcjellin, nëse nuk kalojmë një proces konitiv me librin që kemi në dorë.
Në kohën dixhitale, mund të jesh analfabet edhe nëse je në gjendje të hapësh me forcat e tua FaceBook-un. Edhe nëse je në gjendje të shkruash që sot ke ngrënë petulla. Sepse, aftësia jonë për të kuptuar botën rritet apo forcohet nëse ti ke ngrënë vërtet petulla e as nëse miqve të t'u në facebook u vjen nepsi për petulla, dhe lënë komente poshtë.
Ka ardhur koha që ne vetë, të parët, të mësohemi me idenë që pas njeriut që mbante çomangen nën sqetull, erdhi njeriu që mbante librin nën sqetull. Ka ardhur koha që të mos kemi turp të hipim në autobus me një libër në dorë me frikën se do të na shohin si anormalë.
Dhe nëse po bëni gati valixhet për të bredhur Europën pa viza, mbani një libër me vete qoftë dhe për maskim. Ka gjithmonë një moment që të gjithë të nxjerrin librat. Është momenti për të nxjerrë dhe ti librin tënd, e mos rrish me sytë në tavan. "Tenxherja" ose "Mërkuna e Zezë" mund të ishte ky libër.
Tuesday, November 16, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment